back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Nji fjalorth i mbledhun me kujdes ndër kohna… Jozef Radi

Gazeta

Fjalori gjuhës shqipe (viti2006)
Fjalori gjuhës shqipe (viti 2006)

Nji fjalorth i mbledhun me kujdes ndër kohna… Jozef Radi

Si përdorues gjysëshekullor i fjalës së shkrueme shqip, e diçka ma tepër i kësaj gjuhe të folun, si adhurues i muzikës dhe gjëmimit të kësaj gjuhe; si ndjekës i krejt përrojeve dialektale që e kanë mbajtë dhe ende e mbajnë gjallë kët gjuhë, shpesh në punën time, ndër lexime e shkrime të shumta jam ndodhë shpesh në vështirsi të gjetjes së imtësive a dritëhijeve të fjalëve dhe shprehjeve të veçanta, dhe megjithse fjalorët janë gjithnji pjesë e pranishme e kërkimit mbi tavolinën time të punës, përsëri jam ndje keq për mjaft fjalë që e kishin rrahë vazhdimisht veshin tim e unë s’isha fort në gjendje t’u jepja kuptimin e saktë i t’i përdorja si duhet s’i gjeja ndër fjalorë… Po shpesh më ka ndodhë të konsultohem, të mbaj shënime, të bisedoj për mjaft fjalë që për arsye supreme s’i kishte “qasë” fjalori i akademikëve… Kështu ndër vite këto fjalë u shtuen dhe unë jam përpjekë me i plotësue edhe me shprehje, për të qenë sa ma të plota duke e shëndrrue kët punë kalimtare në nji si fjalorth xhepi të atyne fjalëve të mbledhuna me kujdes prej meje… ndonjëna prej të cilave sot edhe mund të gjendet ndër k’ta dy fjalorë të mëdhenj të shqipes, po që për mundimin e bàmë e gjej t’arsyeshme të futen në sit dhe të mbeten aty… Duke e konsiderue të dobishme kët punë… e bàj publik kët fjalorth pune, me shpresë që edhe sikur nji njeriu të vetëm me i hy në punë, e quej punë e kryeme… Në t’njajtën kohë kushdo që zotnon fjalë o shprehje të rralla që s’ gjenden ndër fjalorë le të kenë këtu nji si depozitë të lirë, për ta përdorë kushdo që i nevojitet në at shqipen e tij të përditshme, po njiherësh cilido asht i mirpritun për të gjitha ato fjalë të rralla që ende i kanë mbetë në kujtesë prej paraardhsve të vet…
2013

Fjalori i Mehmet Elezit
Fjalori i Mehmet Elezit

Fjalë dhe Shprehje të Gjuhës Shqipe që s’gjenden në fjalori themeltar të gjuhës

B
Babazar – njeri i rëndomtë llafazan, njeri intrigash, që s’ia vlen të merrsh me të… Mos u merr me të se është babazar…! Pse me at babazarin je lidhur ti (jug)
Behot – në gjendje kllapie, në jerm, në mungesë të plotë kontrolli mbi veten. U ngrit behot.
Belulçe – Beluli, personazh i famshëm i një skeçi të P. Kullës që përfaqëson heroin pa heroizma, bëmëmadhin që s’bën asgjë. Po flet belulçe… duke i thurur lavde vetes!
Belulosem – fojle që rrjedh prej të njëjtit personazh. Flas shumë për veten për të krijuar bindjen e një madhështie që në të vërtetë është e rreme.
Bëmëmadh – njeri që i jep shumë rëndësi vetes… Njeri bëmash të mëdha, që dëshiron t’i zmadhojë me të gjitha mënyrat ngjarjet dhe historitë që i kanë ndodhur atij…
Bukle – kaçurrela që malësoret i përgatisin për ta vënë më në pah bukurinë e tyre. (shq.v)
Buqe – bushtër, – buçe, femra e qenit me këlysh të pjellë. Gojë që vetwm leh. A po e mbyll, njat buqe a si e ke hallin! (shq. Mes)
Bullumaç – Bukë, ose ëmbëlsirë me brumë e gatuar keq dhe e pjekur keq. Pa porozitet, e paardhur, e mbetur qull brenda… Pse bukë është kjo? Ku hahet kjo ka dalë bullumaç!

C
Cërritje – që bën cërr, ka lidhje me ndonjë zhurmë karakteristike, si fjala vjen telefonit, celularëve, soba. Më nis një cërre (e krijuar j.r)

D
Dënglesh – njeri i shëndoshë, me bark të madh. Shëndet i tepërt që përcillet përmes shpotisë. Ç’je bà si dënglesh!
Dishiri – djalë i vetëm, përkujdes i veçantë. E ka nana djalë dishiri, shq.v

F
Fishkaraq – fishkaraqkë – Shprehje fyese, e cila më së shumti ka lidhje me rrudhat e moshës, por edhe me njerëz që pavarsisht nga mosha janë të lodhur nga jeta dhe pa ndonjë entuziazëm. Pse me at fishkaraqin merreni…? (myz.)
Fllackë – shpullë, shuplakë. Të fus një fllackë të lëshojnë sytë xixa! (myz.)
Fugë – kanale të mbetura midis pllakave, të çara midis gurëve midis dy elementeve prej betoni. I mbyllëm fugat! Kujdes me fugat!

G – Gj
Gamiljar – ai që shoqëron karvanin e gamileve në shkretëtirë.
Gar(r)amet – një detyrë, një ngarkesë, një barrë që i ngarkohet dikuj por që nuk është fort i lehtë realizimi i saj. Garramet e ke! (shq. Mes)
Grronë – Grryerje dheu në kodra o zonat gëlqerore prej ujërave. Dalim andej nga grrona!
Gjatovinë – Me trup shumë të gjatë. Burrë o grua me trup të gjatë e të hollë. Ka frymë shpotitëse e tallëse. Ore gjatovinë!
Gjetkëz – rrethim me thupra ku vendosen patat për të mos lëvizur, në mënyrë që të bëhen sa më të majme.

H
Harbë-a – që harbon, që ka lidhje me harbimin. Grua a vajzë tepër e lirë, që bredh, e që jepet tepër mbas dëshirave. Thuhet edhe pelat apo mushkat. Ishte një harbë që s’e kish shoqen!
Humbameno – njeri i humbur. Njeri i trashë e i pagdhendur. Duhet të ketë lidhje me zonat minoritare të jugut, por rrënja humb gjithnjë mbetet shqiptare. (shq. j)

K
Kaçul – jevg i vogël. Fjalë përbuzës për ata që janë mjaft të zeshkët. Ik ore kaçul. Ja, hipi kaçuli. (myz.)
Kakamor – Pjepër… Kakamor me lesh – pjepën i papjekun… (Tirana)
Karapitik-u – Shprehje shkodrane, emërtim përçmues që fsheh në vetvete fjalët fodull, mendjemadh, o kokëbosh. (shq.v)
Karrakiç – Fiq të papjekur mirë, po që kanë nisur të piqen… E mushe barkun me karrakiça
Katikule – me naze, përtesë provokuese, një ecje provokuese sidomos kur është fjala për vajzat. Mos hec me katikule! Leni katikulet. (shq.v)
Kësulhu – Bëhet fjalë për njerëz me kësula të larta. Më shumë përdoret si shpoti.  Ik or kësulhu! ose Qenkan mbledhë këta kësulhunjtë…
Kufijar – prania me tokë e dikujt, pranë një toke të dikujt tjetër. Jemi kufijar me x-in. Të qenit kufi me tjetrin. (kan.)
Kukume – dhe në formë pirgu. Organ seksual femëror, zakonisht u thuhet fëmijëve, përdoret edhe në rastet kur kërkohet të mos bëhet e drejtpërdrejtë a vulgare objekti në fjalë. Mund të shërbejë edhe si fjalë më komunikative në dëm të fjalës së saktë. (jug)
Kulim – këlysh qeni e lehura e të cilit është acaruese. Përdoret zakonisht për fëmijë qaramanë. Ç’asht ky kulim mor? shq.v
Kullufit – me përpi diçka, me e shtyn në stomak pa e përtypë, e ha me gjithë lecka… I futi nji të kullufitme miut...

L – Ll
Langariq – ose langaraq. Shprehje fyese që duhet të ketë lidhje me fjalën lango apo langua. Ik or langariq, ose langaraq.
Lapër – shpullë, pëllëmbë, dackë. Ik se po të fus ndoj lapër! shq.m.
Lapërdharë – njeri i neveritshëm, pa karakter dhe pa paraqitje.
Lummadh-e – kur i drejtohesh ndokujt përmes një ngjyrosje përkeqsuese, ose keqardhëse. Fqinjëson me fjalët derëzi, derëbardhë… (Berat)
Llumrac – (nga fjala llum) pisanjos, që i pëlqen të bëhet me llum, që nuk i pëlqen pastërtia.

M
Maranjyrë – e hutueme, e habitun, e çoroditun, e hikme mendsh “Si me ken maranjyrë” (Shkodra)
Mbrapshtan – njeri i prapë, që bën vetëm prapësira (shq.v)
Mupa – Fiq të papjekur me qumësht që t’i plasin buzët. Ha mupa ti, ha!

N – Nj
Ngac-ngackë – Njeri një ngacmon, që bezdis. Përdoret më së shumti me sens ironik, tallës. Është ngac i madh! (shq. v, shq.j)

P
Palluqe – njeri i qullët, pasiv, shëndeti i tepërt i të cilit e ka bërë të humbasë atë zhdërvjelltësinë e zakonshme. Përdoret si nofkë fyese, o për ta prekur dikë që të jetë më aktiv.
Papamë (i, e) I jashtzakonshëm, i zoti, i aftë… Osht i papamë… Lymi! (tir)
Përdredhc o dredhaç – mashtrues, njeri hilecak që s’i bje asnjëherë drejtpërdrejt një çështjeje a problemi. (shq.v)
Përqurrs – njeri që qan dhe qurravitet. I pa dinjitet.
Pijetar – atij që i pëlqen pija, që i shijon që ia ndjen lezetin të pirit, që e hijeshon  gostinë me biseda, me humor. E kundërta e pijanecit. (letrare)
Piliherdhe – mund të jetë sinonim i fjalës pilivesë në veri. Përdoret zakonisht për vajzat hokatare, të lëvizshme. Mban edhe ngjyrosje përkeqsuese. Mu hiq qafe moj piliherdhe! (shq.v)
Pisanjos – (nga fjala pis) atij që s’i pëlqen higjena. Që ndjehet mirë në pisllëk.
Pllofkë-a – lojë me baltë të rrahur mirë së cilës i jepet formë e rrumbullakët dhe përplaset me forcë mbi një vend të rrafshët duke krijuar një plasje, e cila më pas duhet të paguhet. (myz.)
Pupagjel – lulëkuqe (arb.)
Pufte – I habitur; me një pamje prej budallai; i papërqendruar fare në argumentin për të cilin po flitet… Ç’më rri si pufte! (Bregu)

Q
Qyqmadh – njeri i rënduar nga psikoza e dëshpërimit dhe vetmisë, njeri që qahet vazhdimisht, dhe krejt i pazoti për t’u dhënë një zgjidhje punëve të veta.
Qelqe – enë uji si gota, broke, shishe

S – Sh
Sarakaçan – popullsi me origjinë vllahe, një nënndarje e kësaj popullsie nomade. Përdoret edhe si nofkë tallëse.
Skilipec – njeri i dobët, i papeshë, ndoshta edhe i parëndësi, e i pavlerë
Squt (qut)(i, e) – i mençur, i zgjuar, i shkathët. Përdoret edhe me një sens ironie Qenke i squt ti! (shq. Mes.)
Sodi – dita e sotme, koha e sotme. (shq.v)
Shitmenc – person që në biseda u jep rëndësi vetëm fjalëve të veta… Ene kët shitmencin kishim mongut… (tir)

T
Tyryfyl – djalosh i hallakatur, i pavëmendshëm,  që jeton me kokë në re, që nuk ta çon një punë në fund sepse as nëpër mend s’i shkon një gjë e tillë. Erdhe mor Tyruful… Ik mor tyryfyl

V
Vërrle – verrle – objekt që vërtitet i mbështetur mbi një majë të mprehtë. Thuhet edhe gjatë lojës kur dikush i sjell vërdallë të tjerët si rezultat i mjeshtërisë së përdorimit të topit. I boni vërrle. I bëri të vijnë vërdallë, rrotull. (shqip. mes)
Vidhis – vidhisje – rrëshqitje masive dheu, rrëzim, përmbysje

X – Xh
Xhakëz – thes i vogël. Pse me xhakëz  do të vjedhësh ti? (myz. Zona e Divjakës)
Xherdhitje – folja xherdhis (shprishja e një lëmshi të ngatërruar keq) zgjidhje nyjesh të shumta. (shq. l)
Xhufkalaq – (nga fjala xhufkë) njeri që s’tregon kujdes ndaj qethjes së flokëve, ose që le xhufka për të mos u marrë mësysh.

Z – Zh
Zavall – fyell. Bjeri zavallit! Vrite kohën kot! Ku je mor zavall! Njeri i kotë që s’bën asgjë. (kështu është përdorur për sa e njoh unë shqipen)
Zgiqe – qoshe e vështirë, vrimë e ngushtë, ferrë e dendur (myz.)
Zhagal – Me e përdhosë dikë, me e poshtërue, mos me i lenë asnji grimë dinjitet… E bani zhagal!

Zhivaraq – (nga fjala zhivë) pisanjos, llumrac, njeri që nuk lahet e që mban erë të qelbur (myz.)
Zhumines – kalliri i njomë i misrit kokrrat e të cilit lëshojnë një lëng të bardhë si qumësht. fig. vajza në moshën midis adoleshencës dhe vajzërisë. (myz.)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.