Njeriu s’mund të thotë përherë, gjëra me mend…
Irhan Jubica bisedon me Ramadan Musliun
Në atë kohë, Dani ishte kryeredaktor i Rilindjes,
me redaksinë në rrugën “Myslym Shyri”.
Thuejse s’na kalonte ditë pa u takue me Lazër Stani e Bardhyl London,
te kafe Noli përpara Parlamentit. E kësaj kohe
asht edhe intervista që pason.
Ramadan Musliu asht njeriu që mundësoi ardhjen e revistës ARS
në Kosovë, te Buzuku i Abdullah Zenelit. Ishte viti 2002.
Ramadan Musliu ishte nji erudit i pashoq,
nji antikonformist, nji mik, nji zotni i vërtetë.
Irhan Jubica
.
Ç’ka më të mirë Shqipëria se Kosova, përderisa ju u vendosët këtu? Këtu nuk u gjeta pse zgjodha midis dy të mirave apo të këqijave. Meqë ju intereson të dini se cili është dallimi midis dy pjesëve shqiptare, po them se ekziston një realitet kongruent dhe invers njëkohësisht: në Kosovë kemi një popull pa shtet, kurse në Shqipëri një shtet pa popull. El Dorado e njeriut nuk fshihet në imagjinatë dhe në ëndërr, por në mjedisin ku jeton, por gjithë kjo varet nga aftësia e tij që ta gjejë atë dhe që njëkohësisht t’i gëzohet zbulimit dhe të kënaqet pastaj me atë që është esenciale. Mirëpo artisti nuk është aspak një persona adapta, prandaj shpesh ndodh që kudo që jam, ta ndiej veten ngusht. Pak snobizëm nuk bën keq.
.
Prej shumë kohësh nuk shkruani poezi. Jeni ftohur karshi saj apo e quani të kryer misionin tuaj në poezi? Është e vërtetë se ka shumë vite që nuk kam botuar libër, madje edhe shumë pak kam shkruar nga poezia. Se mund të shkruaj farë poezie këtë e kam provuar disa herë, por është diçka që më bën të mos shkruaj, më frenon të mos vazhdoj më tutje në këtë gjini letrare. Shpesh përpiqem të vetëshpjegoj këtë motiv timin të brendshëm dhe sa më shumë që jam i preokupuar më të, më del se të shkruarit e poezisë varet nga fakti se si individi e përjeton realitetin. Arti në përgjithësi presupozon një shkallë të caktuar të dramaticitetit. Në rast se realiteti është i një shkallë më të lartë se sa arti, atëherë humbet motivi krijues. Kam aversion të tmerrshëm ndaj artit natyralist. Kur drama e brendshme e veprës artistike, kësisoj edhe e poezisë, fillon t’i ngjasojë asaj të jetës, atëherë motivacioni artistik duket artificial. Gjithmonë jam përpjekur të largohem nga klishetë me të cilat mendon një mjedis shoqëror, një rreth i caktuar, një klan. Edhe në veprën time jam përpjekur të largohem nga klishetë, ndonëse besoj se edhe aty ka shumëçka që është përsëritur, por së paku ia di vetes për nder që kam derdhur sado pak djersë që të ik nga këto. Ikja nga klisheja shpie rrugës së veçimit, të forcimit të individualitetit, por edhe të largon nga rrethi i shijes banale.
Nëse kësaj ia shtojmë faktin se pothuajse te secili krijues shfaqen reminishenca të kompleksit të Virgjilit, kur ne situata të caktuara krijohet bindja se vepra nuk mund të ndryshojë gjë në jetë, atëherë mjafton të lësh penën përgjithmonë.
.
Përveç krijimtarisë, keni botuar edhe kritikë letrare. Ndjeheni më mirë shkrimtar apo kritik letrar? Është shumë vështirë të merresh me arsyetimin e rrugës së kaluar në jetë, e aq më pak të futesh në kornizat e një arsyetimi logjik. Do të ishte thjesht hipotezë “artistike” sjellja e aktit jetësor dhe e ndonjë segmenti të jetës në shpjegimin logjik se diçka mund t’i takojë vetëm sferës së probabilitetit. Janë njëqind arsye pse u mora me kritikë dhe po aq për atë që i takon poezisë. Kritika është manifestim i vetëdijes së artit mbi vetveten, sepse ajo buron nga vetë arti dhe ngrihet mbi të. Puna e kritikut është diçka personale. Njeriu vetëm kur do ta përkëdhelë vetveten fillon të shpjegojë arsyet madhore pse merret me ndonjë punë. Mirëpo secili njeri është narcizist dhe i pëlqen vetëpërkedhelja dhe një çikë më shumë përkedhelja e të tjerëve. Është detyrë e intelektualit që të vëre vijën e demarkacionit mes pjesës narciziste dhe asaj të intelektit. Intelektualit nuk guxon t’i pëlqejë vetvetja, madje atij i ndalohet të shikohet në pasqyrë. Këtë do t’ia këshilloja edhe kritikut. Ndërkaq, fytyra e krijuesit është tjetër. Poeti është Narcis që vdes para pasqyre – sipër Perëndia vetë. Duke e konsideruar vetveten në rolin e demiurgut, ai edhe e fiton statusin e krijuesit. Artisti e jeton jetën jashtë rregullave shoqërore dhe krijon gjëra që nuk i vlejnë shoqërisë në momentin përkatës. Domethënë kritiku e bën jetën në sferat e mendimit dhe të ideve, kurse poeti në thellësitë e substancës jetësore që përshkohet nga emocioni. Jam përpjekur që të mos i ngatërroj këto dy sfera.
Mund të them se pjesa e fillimit e kritikës letrare i takon fazës së eksplikimit të poetikës personale, kurse më vonë më ka nxitur qëllimi që të shoh ç’ndodh në sferën e ideve që dikush mund të ketë sjellë në veprën e vet.
Ata që kanë veshur mantelin e kritikut në Shqipëri janë persona të duhur apo spontanisht janë gjendur të tillë? Në sistemet totalitariste asgjë nuk ndodh rastësisht, prandaj as kritika nuk është zhvilluar jashtë mbikëqyrjes së kuadrit partiak, që ka qenë kompetent për atë punë. Gjykuar sipas rezultateve që janë përmbledhur nëpër vëllimet e trasha të librave me kritika dhe studime, mund të flitet për metodologjinë kritike, për statusin e elementeve estetikë brenda analizës kritike, për qëndrimin ndaj objektit, për statusin e vetë veprës letrare brenda shoqërisë, për natyrën e aksilogjisë letrare-artistike dhe rendin e vlerave dhe statusin e vetë vlerës brenda aksiologjisë artistike edhe brenda askiologjisë shoqërore, etj… Kritikët letrarë dhe studiuesit kanë zbatuar instruksionet e partisë brenda analizës kritike të veprës letrare. Madje kritikën me të saktë veprës letrare dhe procesit letrar ia ka bërë vetë Byroja Politike përmes plenumeve si të organizuara nga LSHA, po ashtu edhe nga kongreset partiake dhe nga turma e lexuesve të kooperativave.
Madje më duket së ka pasur pak dallim mes qëndrimit estetik të kooperativistit dhe vetë kritikut letrar. Nuk mund të thuhet se te disa individë ka munguar njohja dhe intuita e kritikut, por për shkak të rrethanave represive, kritiku ka qenë i detyruar të mveshë maskën e hipokritit. Duke krijuar një moral të dyfishtë kritiku letrar ka krijuar edhe modelin e krijuesit të ardhshëm, kurse krijuesi me veprën e vet ka krijuar moralin e një shoqërie. Edhe sot habitet me mungesën e forcës morale të intelektualit dhe krijuesit që gjerat t’i shohë në përmasën reale dhe mendimin ta thotë hapur.
.
Si kryeredaktor i “Rilindjes”, por edhe si kritik, cilat janë marrëdhëniet e kritikut me gazetarin? Gazetaria është produktive vetëm për prozatorin, sepse është një profesion aktiv që të detyron të jesh përherë i angazhuar me problemet e përditshme dhe njihesh më mirë me to. Por edhe kjo duhet të jetë me masë. Në prozë ekziston rreziku i “zhurnalizimit” të stilit dhe të shprehurit sipërfaqësor. Mirëpo është edhe problemi tjetër, se individi që mund të ketë preokupime intelektuale e që edhe ajo është një energji e llojit të vetë, mund të shpërthejë përmes kanaleve të ndryshme. Pikërisht gazetaria mund të jetë një prej atyre ventilave, përmes të cilës mund të lirohet ajo lloj energjie. Personalisht tashti shkruaj më pak. Nganjëherë mendoj se sa më pak që shkruhet, është më mirë për vetë autorin. Njeriu nuk mund të thotë përherë gjëra me mend.
Duke gjykuar nga kontaktet me letërsinë bashkëkohore botërore, në ç’pozitë ndodhet letërsia e sotme shqiptare? Popujt e vegjël, duke qenë të ballafaquar me luftën për ekzistencë, janë të privuar nga e drejta që të merren me superstrukturime te mëdha idesh. Mendoj se duke i kushtuar më shumë kujdes kulturës dhe artit nacional, mund ta zëmë pjesën tonë të hapësirës në kulturën e botës. Këtu kam vërejtur megalomaninë karikaturale të krijuesve, që nëse një vjershë e shkruan, e ndjen veten të detyruar që atë ta përkthejë në ndonjë nga gjuhët e botës. Në botë sot konkurohet me autenticitetin që mund ta ketë një kulturë e vogël. Artisti i madh duhet të sjellë ose ndonjë perceptim të ri të botës, ose duhet të sjellë ide të fuqishme. Në letërsitë e vogla nuk ka ide të mëdha konkuruese, prandaj gjasat për t’u krijuar krijuesi i madh janë më të vogla. Fjala vjen popullariteti i letërsisë hispano-amerikane nuk qëndron në faktin se atje ka diçka të jashtëzakonshme, por për faktin se është shtrirje e një kulture brenda një kontinenti.
.
.
A e mendoni ekzistent “Murin e Berlinit” mes letersisë shqipe brenda dhe jashtë kufijve? Kufijtë së pari ekzistojnë në kokat e njerëzve e mandej ata materializohen. Për mua nuk ka kufij letrarë, ka rend vlerash, ka monumente letrare, ka estetikë që i takon së pari një nacioni e pastaj mund t’i takojë edhe gjithë njerëzimit. Për mua nuk ka letërsi pa De Radën, Mjedën, Kutelin, Koliqin, Lasgushin, Vorea Ujkon, Anton Pashkun, Teki Dërvishin, Zija Çelën, Kasëm Trebeshinën, Ismail Kadarenë, Ymer Shkrelin, Ali Podrimjen etj..
Koncepti etatist për kulturën, që është mbizotërues jo vetëm në administratën kulturore, por edhe te lexuesi dhe te vetë krijuesit këtu në Shqipëri, është bërë si kancer: gëlltit qelizat më të mira të artit tonë. Mendoj se me ardhjen e gjeneratave të reja në letërsi, ky farë vakuumi logjik i krijuesit të periudhës së totalitarizmit do të hiqet. Krijuesi i realizmit socialist tashti po ballafaqohet me vetveten, duhet të mbijetojë pa përkrahjen e partisë dhe mekanizmave të tjerë të shoqërisë. Paaftësia për të mbijetuar në një konkurencë brenda një hapësire më të gjerë se sa ajo që e ka përcaktuar vetë partia, ka krijuar të artisti i tillë fobinë nga konkurenca. Këtu abuzohet me termat “kombëtar”, duke i dhënë konotacione etatiste. Vetëm në Shqipëri partia ka “këshill kombëtar” dhe mund të paraqesë kandidaturë për monopol mbi popullin dhe kombin. Po kështu edhe letërsia brenda kufijve qenka nacionale dhe ajo jashtë kufijve jo. Nuk e di se në cilin treg blihet e drejta mbi kombin, kur dihet se pjesa më e madhe dhe më cilësorë e kulturës është zhvilluar jashtë kufijve të këtij shteti. Këto janë recidive të totalitarizmit.
.
Në intervistën e tij të fundit dhënë gazetës “Republika”, Ismail Kadare akuzon shkrimtarët kosovarë se i kanë kthyer shpinën popullit të tyre dhe se nuk po kontribuojnë në zgjidhjen e çështjes kosovare. Në këtë rast, ju do të mbroheshit, apo vetëm do ta komentonit pozitën tuaj dhe të kolegëve kosovarë? Ismail Kadare, që nga Takimet e Shkrimtarëve te Ballkanit të mbajtura në Bor të Serbisë më 1986, i përqafuar me Miodrag Bulatoviç-in, i cili kërkonte të shkonte në Kosovë me tank për t’i shkelur fëmijët shqiptarë duke kënduar këngë ruse, shante shkrimtarët shqiptarë të Kosovës, duke i akuzuar si “nacionalistë”. Një dekadë më vonë po i njëjti shkrimtar i akuzon të njëjtit se nuk po angazhohen për çështjen nacionale. Janë një mori faktesh që shkrimtarit tonë parisien mund t’ia mbyllin gojën: të gjithë veprimtarët politikë në Kosovë janë shkrimtarë, duke filluar që nga Rugova, Demaçi, Qosja, Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli, etj.. Në Kosovë, pikërisht inteligjencia është ajo që po prin në luftën për çlirim. Inteligjencia në Kosovë gjithmonë ka qenë në nivel të përgjegjësisë historike. Ismail Kadare nuk e njeh historinë nacionale, e aq me pak letërsinë nacionale. Nga letërsia e Kosovës, përveç Rexhep Qosjes, që nuk e konkurron në asnjë segment, ai shkrimtarët e tjerë nuk i njeh fare. Shkrimtarët e Kosovës nuk kanë qenë kurrë instrument i politikës. Kemi edhe në Kosovë shkrimtarë sipas shijes së Ismail Kadaresë: Sinan Hasanin, Rexhai Surroin, Mehmet Kajtazin, Nazmi Rrahmanin, Tahir Jahën, Rexhep Zogajn, Nebil Durakun dhe shumë shkrimtarë të tjerë, që janë marrë me realitetin dhe kanë lënë shumë dokumente për kohën.
Personalisht mendoj se Kadare është një artist me me një vepër letrare artistikisht shembullore, por me shumë fobi intelektuale. Nuk e di se ç’i duhet të instrumentalizohet nga partitë politike. Ai duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë, se është më i madh se partia politike, por jo edhe se kombi. Ai, për shkak të qëndrimit oportunist ndaj shtetit totalitar, në strukturat e të cilit kreu edhe funksione të rëndësishme, nuk ka kredibilitet moral për të dhënë instruksione politike në planin mbarëkombëtar.
Dje kur shante Joyce-n, Kafka-n dhe “dekadentët” e tjerë, mendoja se këtë po e bën për shkaqe taktike, që të mbijetojë nga regjimi totalitarist. Kështu mendoja kur shante edhe te tjerët nga letërsia nacionale: Trebeshinën, B. Xhaferrin, Koliqin etj.. Kadare mbron shkrimtarin e realizmit socialist; ai në mënyrë të pavetëdijshme pranon burimin e tij.
Deklaratat e tilla të shkrimtarit tonë, jam i sigurt se veprën e tij do ta vënë në një sprovë të madhe të rivlerësimit, madje tashti ka filluar ajo faza e leximit të drejtpërdrejtë të tekstit, ashtu siç e ka shkruar autori, pa ndajshtimet që mund t”i bëjë situata kur është krijuar vepra.
Në Kosovë ka dekada e dekada që është sqaruar problemi, se a duhet të jetë vepra artistike instrument politik a jo. Duke u krijuar një bindje e këtillë është arritur deri aty sa të krijohet një art i vërtetë, që nuk e kemi tek veprat e shkrimtarëve të këtushëm. Letërsinë e Kosovës të këtij pesëdhjetëvjeçari mund ta lexojmë, përkundër veprave të realizmit socialist të shumë kolegëve të Kadaresë. Shkrimtarët e Kosovës kanë krijuar në rrethana të një rrezikimi ekzistencial, e jo si letërsia e realizmit socialist në Shqipëri, për të cilën shteti ka investuar që ajo të afirmohet jashtë. Sot askush nuk e akuzon Ismail Kadarenë për mangësitë e veprës së tij, kur dihet botërisht fakti se disa vepra ia ka kushtuar regjimit, se ndaj traditës është sjellë më arrogancë, se ka fyer krijuesit më eminentë të botës, se ndaj kulturës botërore është sjellë më përçmim… Kadare ka humbur në madhështinë e vet, aq sa nuk shihet si personalitet dhe si intelektual.
1998
(marrë nga libri “Zoti nuk ka djalë”, Irhan Jubica, 2016)
.
Pak rreshta mbi Ramadan Musliun (1954-2020)
Ramadan Musliu, u lind në Beguncë të Vitisë, më 31 maj 1954 .
Punoi si profesor i gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Viti. Më pas, për një periudhë të gjatë, në gazetën e përditshme “Rilindja”.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, u mor dhe me veprimtari politike në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas luftës, u zgjodh deputet, në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Kosovës.
Jeton dhe krijon në Prishtinë.
Ka botuar pesë libra me studime dhe kritikë letrare:
“Mbindërtimi poetik”, 1990, Prishtinë;
“Konfiguracione narrative”, 1998, Tiranë;
“Estetikja e dallueshme”, 2005, Prishtinë;
“Ekskurs në letërsinë për fëmijë”,2000, Shkup
“Tangjenta letrare”,2012, Prishtinë
Si dhe, pesë librave me poezi:
“Parodia e trupit”, 1981, Prishtinë;
“Shqisa e gjashtë”, 1985, Prishtinë;
“Pasqyra e të rrëfyerit”,1987, Prishtinë,
“Kënga e sibilave”, 1996 Tiranë,
“Në zemrën e gjërave”, 2004, Prishtinë
.