back to top
31.5 C
Tirana
E martë, 25 Qershor, 2024

Një verë e trazuar me det dhe libra…fragment nga esseja e Shpresa Vranas

Gazeta

Shpresa Vrana
Shpresa Vrana

Një verë e trazuar me det dhe libra

fragment nga esseja e Shpresa Vranas

Korrik…
Kroaci…
Kotorr…
2013

Bregu Dalmat me tërë bukurinë e tij na dha një kënaqesi relaksuese pas atij udhetimi disa orësh. Kotorri, një qytet në një gji të qetë, që duket me tepër si liqen se sa det…me shtëpitë buzë ujit që duket sikur pluskojnë. Kur zgjas kokën, nga kati i tretë i shtëpisë së motrës Leonarda (katolike e urdhërit françeskan), detin e kam aty, me një ujë të pastër e të qetë, si çdo gjë në këtë gji plazhi. Pas zhurmës dhe ngjyrave marramendëse që kam lënë pas në Vlorën time, në at bregdet vital e pikant, këtu  ndihem aq mirë në paqe me çdo gjë, nën kurorën e maleve të Kotorrit, që pasyrohen besnikërisht në syprinën e qetë të ujrave. Dhe duke notuar… i shoh dhe i përfytyroj orteqet e dëborës se dimrave të dikurshëm,  që në rrokullimë do jenë përplasur drejt e në detë. Them për ato lloj orteqesh që si në Eposin e Kreshnikëve tanë, të Mujit dhe Halilit u kanë rënë pash më pash Kotorreve për të çetuar e gjuajtur, si zotër në mallin e tyre.
Pak bujtës ka në këtë shtëpi trekatëshe, nja dy priftërinj polakë e tre çifte dhe këta të huaj, që nuk ua mësuam kombësinë, po duken të urtë dhe pothuaj të heshtur… edhe kur ulen në oborr dhe hanë darkën e tyre. Ndërsa në katër, i hypim e i zbresin atyre shkallëve të drunjta me potere e gjallëri, se në fund të fundit jemi jugorë e çdo gjë që na bën përshtypje e brohorasim me tërë entuziazmin tonë ballkanik.
Megjithatë vjen çasti i qetësisë edhe për mua, dhe pasi rehatohem në shezlongun blu filloj e lexoj. Pala tjetër, im shoq dhe çifti tjetër luajnë një lojë letrash të çuditshme dhe theken nën diellin e qetë të mesditës.
Vazhdoj të lexoj “Charlotte”-n e Henrik S. G.

Charlotte - roman nga Henrik S. G.
Charlotte – roman nga Henrik S. G.

Për herë të parë e hasa këtë emër dhe fillimisht u gënjeva dhe kujtova se ishte autor i huaj, mundësisht francez apo edhe anglez…dhe mësoj se qenka shqiptar nga ata të kalvarit të burgjeve komuniste. Ehh…
E lexoj papushim e tërhequr nga këndi i çuditshëm që ka arritur ai të ndërtojë në këto 140 faqe të kursyera dhe njëkohësisht të tejmbushura me detaje aq të hollësishme sa që fillimisht e hedh dy a tri herë tej librin, duke shfryrë:
E ç’më hyjnë në punë mua të gjitha këto hollësira arrogante e ndonjëherë edhe të pista, të cilat më prishin imazhet “kristiane” …imazhe që ne të brezit të humbur (për fat) nuk i kemi pasur kurrë, falë diktaturës komuniste!
Por… deti mërmërit butazi aty poshtë shkallares që bie drejt e ne ujë dhe unë ndjehem e harruar në faqet e librit.
Hejjj dreq… e lëshoj këtë sharje dhe nuk jam e vetëdijshme për kë është sharja: për Charlotte-n e çmendur që më djeg sytë si një fishekzjarr, apo për autorin që e ka bërë dhe që po më ha kohën…
Faqet ndjekin njëra tjetrën dhe unë tashmë jam brenda në dramën apo tragjedinë e këtij shpirti njerëzor që e ka emrin Charlotte.
Në kërkim të vazhdueshëm të esencës që i është mohuar qysh në fëmini, në kërkimin e asaj të drejte që e kanë edhe zogjtë e qiellit, Charlotte-ja kërkon balancën e saj të humbur, kërkon ekuilibrin e ujrave, kërkon polet e saj të bëra rrokopujë, kërkon e kërkon dhe bota e saj nuk gjen prehje, përveç se në ujrat e thella të oqeanit… dhe lotët që tashmë, në këtë moshë i kam të rrallë si rubin i çmuar, më rrjedhin nga sytë e unë qull faqet e lamtumirës së kësaj krijese rrebele dhe aq të afërt me zgalemët.
Unë qaj për Charlotte-n.
Stili autorit… mozaik detajesh të errta apo të shndritshme as që më bie ne sy… dhe as që dua të bëj ndonjë lloj analize të njohur. Ajo që ngrihet madhështore para shikimit tënd si lexues është monumenti njerëzor, shpirti dhe lufta e tij e pamatë për t’u lartësuar për t’u ngritur përsëri atje nga të kanë rrokullisur. Është Charlotte-a, është rrebelimi njerëzor, është sfida e palodhur e një shpirti të bukur, për t’u bërë akoma më i bukur e akoma edhe më i përsosur. Është sfida jonë o njerëz, është kapërcimi ynë, është detyra jonë…!
Unë e mbyll faqen e fundit të librit dhe kërkoj, shikoj se mos më ka mbetur diçka, ca gërma që të më japin mundësinë të shoh e të marr vesh diçka më shumë. Një fytyrë thuajse prej asketi dhe nje palë syze miopie të stilit alla Qemal Stafa.
Eshtë autori, Henrik S.G. fitues i çmimit “Petro Marko” për vitin 2007, me librin “Metamorfoza e një brezi të humbur” Dhe unë nuk kam pasur asnjë ide për këtë zë aq unik në literaturën tonë të shumtë e të pamatë me këto prurjet e kohëve të fundit, si lumenjtë në vjeshtë…

Shkrimtari Henrik S. G.
Shkrimtari Henrik S. G.

Dhe… kur kthehem nga Bregu Dalmat me aq e aq përshtypje e foto, e mbaj frymën drejt e në bibliotekën e qytetit të Vlorës dhe e kërkoj librin. Punonjëset, tri gra që shkërrmoqen në muhabet, ngrenë vetullat me habi… Henrik S. G.!!! I huaj është?? Pyesin ato me bezdi, pse nuk e dinë dhe ndoshta u duhet të kërkojnë e ta lenë vatrën e bisedës!!! Dhe më vjen në mend ajo bibliotekë e shenjtë e viteve të hershme, kur zonjat: Dhora Nasto, Suzana e Nezahet Braka punonin me aq fisnikëri…
Po, e gjeta autorin, më thotë më e reja po libri është tjetër.
Titulli… i kërkoj unë.
“Gjuetia e pëllumbave” thotë ajo, dhe ma sjell pothuaj e lumtur.
…………….
Kush ka patur privilegjin ta lexojë këtë libër, cilido qofte ai, cilado qoftë kahja nga ka ardhur apo klasa nga ka rrjedhur, nëse i ka mbetur një molekulë ndërgjegje dhe ka burrërinë ta shohë të vërtetën në sy… duhet ta pranojë Të Vërtetën!!!
Krejt ndryshe nga stili i Charlotte-s, që gjithsesi zhvillohet në Francë dhe pa asnjë dyshim është i denjë për t’u renditur ndër librat më të mirë, më modernë per nga stili, për nga subjekti e për nga kopertina…se edhe kopertina hyn në llojin e veshjeve. Pra ndryshe nga kostumi parizian i prerë aq saktë për librin e Charlotte-s, këtu në këtë libër madhështor nuk ka vend për kostume, madje do të thoja se autori i ka zhvoshkur edhe lëkurën e trupit këtij libri.
Edhe… nëse je kilometra të tëra larg, TY syri të sheh, të kap muskuj, damarë e kocka që gjakojnë nga faqja e parë e deri në fundin e librit… që mbyllet me vdekjen e personazhit kryesor vuajtës e kundrues.
Ky roman ngjason me një Kaleidoskop që ngado ta përdredhesh e ngado ta kthesh ai ka vetëm një grusht ngjyrash të zbërdhylta e të pista që projektojnë ditët ngrënëse në burgjet komuniste shqiptare.
Vendoseni syrin në atë hapësirë të ngushtë dhe rrotullojeni Kaleidoskopin dhe do të mahniteni duke krijuar ditë të ndryshme, madje javë, muaj e vite… edhe burgje… si burgu famekeq i Burrelit apo i Spaçit, apo i QafëBarit… apo burgjet e tjerë aq të shumtë në ish Shqipërinë socialiste.
Po format e ngjyrat do të gatuhen me të njejtin material. Do të gjesh aty gardianë e komisarë, oficerë e të burgosur politikë edhe ordinerë që trazohen e ndërthuren si në një dancë makabre. Dhe sa më shumë zbriten shkallët e kësaj ngrehine, aq më shumë Ti arrin të cikësh llumin e paformë, atë baltë karakteresh, ato monstra vesesh, atë deformim të frikshëm që vetëm kudhra komuniste ishte e zonja ta farkëtonte.
Janë në garë të dyja palët, edhe xhelatët edhe viktimat, të parët për t’i dhunuar, thyer e deformuar dhe të dytët për t’ju përshtatur modelimit.
Mungesa e emërtimit të personazheve i jep këtij romani një fizionomi të ftohtë e tejet të përshtatshme për brumin me të cilin është gatuar.
Aty rreth viteve ’95 apo ’96, me bie në dorë libri i V. Shallamov “Tregimet e Kollimës” një libër me një kopertinë të zbërdhylët. Tregime që përvelonin me thatësirën e tyre siberiane, tregime që të hynin si gozhdë në tru dhe nuk mund t’i harroje kurrë. Dy herë rradhazi i lexova dhe kurrë nuk i kam harruar.
Natyrisht shumë kanë shkruar për vuajtjet, burgjet, diskriminimet apo tjetërsimet, po libri “Gjuetia e pëllumbave” mbetet një nga romanet më të fuqishme. Çdo shkronjë e këtij libri ështe shkruar me gjak viktimash, është shkruar me shprishjen dhe deformimin makabër të genit njerëzor, të genit shqiptar. Dhe këtë e ka bërë me aq zell diktatura komuniste, prandaj kam të drejtë të shpreh se ky roman-epokë do të mjaftonte për të dënuar në Gjyqin e Hagës teoritë komuniste, variantet e saj të kamufluara dhe në veçanti zbatuesit, të cilët frymëmarrin edhe sot, duke ndryshuar fare pak ngjyrat e kostumeve.
Marrë nga http://illyriapress.com
17 gusht 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.