back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Një vepër shumëplanshe, një dëshmi letrare e historike nga Dine Dine

Gazeta

Dine Dine 2011
Dine Dine 2011

Një vepër shumëplanshe, një dëshmi letrare e historike

që do t’iu shërbejë brezave që vijnë

nga Dine Dine (Dielli)

Shpesh na ndodh që t’i hymë leximit të një libri thjeshtë të influencuar nga emri i autorit. Herë tjera nga kurioziteti, herë lexojmë vepra të miqëve tanë, edhe pse mund të mos na japin ndonjë mesazh apo kënaqësi të madhe estetike, por ka edhe raste kur s’ke dëshirë të lexosh, edhe vepra të shquara autorësh të shquar. Kur më ra në dorë libri i Naum Prifti “Midis dy kohësh” Shënime udhëtimi, kujtime, portrete, esse… të them të drejtën, s’më shtynte ndonjë kuriozitet i madh ta lexoja, e sidomos pjesën e parë: Shënime udhëtimi. Reportazhet e kohës së “socializmit”  ç’gjë të bukur mund të servirin?! -pyeta veten!
N’ato kohëra të errëta, kur censura ishte në kulmet a saj, autorët duhen t’i përshtateshin metodës së realizimit socialist, ta përshkruanin realitetin jo ashtu siç ishte, por ashtu siç ua “kërkonte Partia”, të shkëlqyer, pa të meta, përplot me heronj!! Nëse devijonin sado pak, autorët humbisin të drejtën e botimit, mohoheshin, persekutoheshin…
Çudia qe se kurioziteti im për vazhdimin e leximit më lindi qysh në faqen e parë, ku ndër të tjeta autori citon: “Gjithmonë e më shpesh kujtoj fjalën “mundqar” të përdorur nga Pjetër Budi disa shekuj më parë dhe më vjen keq që ka dalë jashtë fjalorit të shqipes. Në një raport dërguar Romës, Budi shprehet: “Populli shqiptar është munduar”, me kuptimin se për çdo gjë mundohet dhe rropatet tej mase.
Pohimi i tij ka vlerë për kohën, se ne hiqnim picir edhe për gjërat më të thjesta, për të blerë një palë çorape, paisje shtëpiake, bileta udhëtimi me autobus, qymyr a dru zjarri, pa përmendur cfilitjet e radhëve të gjata për qumësht, vezë, djath, mish!
Edhe pse autorit i është dashur patjetër të mbijetojë duke iu përshtatur atij që sistemi e quante “Realizmi socialist” sepse po t’i kundërvihej, dihej që e pësonte tërë familja edhe bashkë me të edhe të afërmit.
Veçanërisht ai pati probleme me dramën “Rrethimi i bardhë”, botuar që herët më 1962. Drama u shfaq me dyer të mbyllura në praninë e pak njerëzve, për shkak se Enver Hoxha që e pa shfaqjen ne teatrin e Korcës nga studentët e Institutit të Arteve në Teatrin Popullor, e damkosi si “dramë të gabuar nga ana ideore”.
Drama të tjera si “Plumbat e shkronjave” e të  tjera, kur i shpëtonin censurës e botoheshin papritur hiqeshin pa zhurmë nga programet. Fakte të tilla përmenden edhe nga Elena Kadare në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme” apo nga Ismail Kadare, nëpër intervista kur bëhet fjalë për autorë që ishin në shënjestër të kritikës.
Sepse sistemi socialist ishte një absurditet edhe ta mendoje e të pershkruaje atë realitet ashtu siç ishte, të nxirë e të varfër tej mase ishte e pamundur… Autorit i lind  ideja ta fotografojë atë panoramë me të metat dhe të mirat, më gjithë dritëhijet, duke na dhënë kështu një përceptim të saktë plot ngjyra dhe nuanca atë pejsazh që e përjetoi vetë, duke bredhur në katër cepat e atdheut dhe për t’i depozituar e fshehur ato dorëshkrimet, që në një të ardhme jo shumë të largët, brezat e ardhshëm të mësonin ato të vërteta që vetë sistemi i fshihte duke ushqyer iluzionin se në socializëm gjithçka shkonte si në vaj.
Po ku e dinte autori, në ato vite të tmerrshme, kur një ndjenjë e zymtë pesimizmi, bënte që shumica e njerëzve të besonin se ai sistem do të vazhdonte përjetsisht!?
Ndërkohë ai shkruan: “Pohimet e kritikëve si Gëte, Balzaku, Tolstoi, Dikensi, Migjeni, i kishin ndier vite më parë ndryshimet që po sillte koha, më dukeshin spekulime letrare sa isha letrar i ri. Mos vallë shkrimtarët kishin një shqisë të gjashtë, apo antena të posaçme për të parandjerë shndërrimet që po rravijëzoheshin në horizontin e largët? Më vonë nga përvoja e jetës nën diktaturë, fillova të besoj se në ato pohime s’kishte asgjë metafizike. Shenja të sigurta paralajmërojnë ndryshimet e regjimeve dhe sistemeve, sikurse e tatpjeta ekonomike, paraliza e mendimit, konformizmi, dualizmi midis asaj çka mendohet dhe asaj çka thuhet, rutina, bjerrja e vlerave morale, arbitrariteti i shoqëruar me dogmatizëm të hekurt, egërsia e pushtetit, humbja e idealeve dhe e besimit te e ardhmja…”
Vetë fakti që ai thellë në shpirt, me të gjithë qenien e tij e ka ndjerë se diktaturat e kanë një fund, që s’do të ishte i largët, e kanë frymëzuar në idenë e përshkrimit të atij realiteti që përjetonte çdo ditë, ashtu siç ishte në të vërtetë, si një obligim moral, që brezat që vijnë të kenë një panoramë të qartë të asaj çka ndodhi nën sistemin socialist.

Naum Prifti dhe botimet e tij
Naum Prifti dhe botimet e tij

Ishte ky sistem që për katër dekada proklamoi me bujë se kishte krijuar “njeriun e ri”, i cili s’ishte gjë tjetër veçse mishërim i hajdutit, gënjeshtarit, mashtruesit, dembelit, shpifësit, spiunit, frikacakut, etj., një përbindësh i veshur me vese, që ishte gati të rrënonte jetën e tjetrit, në emër të gjoja idealeve të partisë-shtet.
“Njeriun e ri, për të cilin flitej aq shumë tribunave tona, s’po e hasim gjëkundi, as në zonat më të thella!”. Ja si shprehet ai në një rast tjetër për një grup xhirimi, i cili sapo ka mbaruar filmimet: “Ditën që grupi do të largohej brigadieri lajmëroi artistët se mund të blinin patate me çmim të lirë drejt e nga magazina.
Aktorët pasi peshonin patatet në plastingë i paguanin magazinierit kundërvleftën, ndërsa shefat, me një gjest të brigadierit, i morën falas thasët me patate. Ata u treguan bujarë me paratë e shtetit, ndërsa ai i shpërbleu me mallin e kooperativës. Pa dyshim katër pesë kuintalë patate nuk ngrehin ndonjë peshë për sektorin e Lepushës, po se mos janë vetëm këto që ikin në rrugë dhuratash? Prona e grupit sot shpërdorohet nga ata që janë zgjedhur ta mbrojnë e ta drejtojnë. Kryetarët e kooperativave u dërgojnë autoriteteve lokale, ministrave, gjeneralëve, madje edhe anëtarëve të byrosë politike, fruta, mish, lesh sidomos lesh, sepse kushton shtrenjtë dhe mezi gjëndet.
Asnjë burrë shteti s’i ka kthyer mbrapsht “dhuratat” që i venë me mënyra e rrugë të ndryshme. “Djemtë e popullit” pranojnë çdo mall që u vjen nga “populli”. Dhuratat, sipas tyre, shprehin respektin dhe dashurinë e njerëzve të thjeshtë për ata me pozitë”. Dhe më tej: “…Kulmi qe kur po xhironin një skenë, duke pasur si sfond një pjesë të Lepushës.
Panaromën e kishte zgjedhur operatori për merak. Dukeshin livadhet e gjelbërta, kodrat me pyje anës, nga dy kulla dhe tej Bjeshkët e Namuna. Vjen me vrap sekretari i partisë edhe i tërheq vërejtjen operatorit se po fotografonte shtëpinë e një të arratisuri. Qe e kotë t’i shpjegonim se planin e parë e zinin aktorët dhe shtëpia as që do të binte në sy. U detyruam ta ndërronim këndin, se përndryshe do të na akuzonin se po përkrahnim armikun e klasës!!”
Ironia, sarkazma shpesh e përzier me një humor të hollë janë të pranishme pothuaj në çdo faqe. Po t’i vëresh me kujdes vërejtjet për ndodhitë që po shkruhen me aq vërtetesi ndien keqardhje e dhimbje. Janë prekupimet e kaherëshme të një artisti, të pathënat që fshiheshin me fanatizëm  nga ankthi i persekutimit nga të gjithë ata që do të guxonin t’i shpalosnin në çdo lloj aspekti. Autori gjeti ilaçin më efikas që lexuesit e mëvonshëm të shëroheshin nga paragjykimet që sistemi i kish injektuar me aq dinakëri e forcë, me shpresën e imponimit paranojak të dogmës komuniste.
Reportazhet e këtij libri kanë vlera të pakontestueshme. Naum Prifti, në këto shënime udhëtimi zotëron dhuntinë e një artisti me përvojë që, edhe tek ndodhitë më të zakonëshme zbulon të pazakonëshmen, duke e ngritur atë në art.
Në hapsira relativisht të ngushta na jepet një informacion i gjërë e i larmishëm me një stil të thjeshtë e origjinal, që i shkon për shtat subjekteve e që e ban më tërheqës për lexuesit.
Personalisht s’kam lexuar ndonjë vepër tjetër ku në mënyrë aq harmonike të gërshetohen një mori subjektesh në funksion të njëra tjetrës, duke na dhënë një larmi përshkrimesh e idesh plot kolorit, sa të duket se i jeton vetë ato që autori u jep jetë në vepër.
Origjinaliteti, gjuha e pasur e plot kulturë, i bëjnë më të pasura përshkrimet e bukurive të vendeve dhe objekteve të veçanta… shpesh autori i ilustron me gjykimet e tij bindëse; kulla e kështjella të lashta,  vende të shenjta me gjithe rrënimet e shkaktuara nga sistemi socialist.
Një aktakuzë konstante i bëhet sistemit që tjetërsoi gjithçka, e që në emër të “sukseseve” justifikonte dështimet në gjithë fushat, duke mbjellë ngado vetëm varfëri e duke rrënuar personalitetin e individit, përherë nën idealin e Partisë dhe interesave të popullit.
Autori edhe sot i ruan si relike të shenjta dorëshkrimet origjinale, të cilat mbajnë vulën e kohës në të cilën u shkruan.
Ishin kohë çmendurisht të rrezikshme.
E rrezikshme e rrëqethëse ishte edhe ta mendoje qoftë edhe për një çast t’i kundërviheshe sistemit.
Dihet që nëse do t’i gjendej edhe një rresht nga ato reportazhe, do të ishte me pasoja. Ç’e shtynte autorin të rrezikonte privilegjet që gëzonte si shkrimtar profesionist?
Si njeri i artit, i ndjeshëm ndaj padrejtësive që i bëheshin bashkëkombësave, dështimeve të përvitshme, ai s’mund të ishte indiferent për ato që pa me sytë e vet, që përjetoi si dëshmitar, ndaj e ndjeu si obligim qytetar, t’iu linte brezave pasardhës një dëshmi autentike të asaj drame që jetonte populli, pa asnjë lloj kompleksi.
Dhe mendoj se ia ka arritur qëllimit. Është kjo arsyeja që autori në një rast uron që këtë gjë ta kenë bërë edhe të tjerë, sepse natyrisht, dimensioni dhe informacioni i dramës që përjetuam do të ishte më i plotë.
Vlera e këtyre shkrimeve do të ishte e pjesshme, e mangët sikur autori mos t’i ndërthurte me një sërë subjektesh tjera që janë pjesë e pandarë e këtij mozaiku, e cila i jep një dimension të ri artistik përmasave të veprës së tij.
Dikur Brodski kritikonte Shollzhenicinin (të dy çmime Nobel) se vepra e tij bëhej e mërzitshme, pasi ai përdorte fjalë të huaja që koha i kish zhvlerësuar, dhe shtonte se në kohën e sotme askush s’i përdor veç tij. Shollzhenicini me argumente bindëse e kundërshtonte duke vërtetuar se ai gërmonte thellë në gjuhën duke nxjerrë fjalë të pastra ruse që ta pasuronte në maximum.
Të njejtën gjë bën edhe autori i shënimeve “Midis dy kohësh”, në këtë aspekt ai jep edhe një kontibut modest në pasurimin e gjuhës, gjë që i dedikohet preokupimit, kulturës dhe njohurive të gjëra që ai posedon.
Po shënojmë këtu poshtë vetëm në pjesë të atyre fjalëve  që natyrisht, nuk përdoren për ditë, por që i shkojne aq shumë përshtat subjekteve per te cilat folëm më lart: dograma, kukamal, stihi, teliza, plitke, rrahe, krirta, pometa, mataroj, vrithe, shemshemi, rehen, zbunim, ligatin, allushi (burri i hallës), sylinare, melosi, mungore, rremetisëm, farashuk, bezembrek, thopca, dhamashqina, gashtalla (kupe gjuri), obllo, silih, cangadhe, reshedi, etj.
Në vepër përshkruhen edhe personazhet që e mbajtën gjallë sistemin, si sekretarët e partisë, kryetarët e komiteteve, kryetarë kooperativash, e deri tek nëpunësit e kategorive më të ulta, por që në një farë mënyre bënin ligjin. Aty autori zbulon injorancën, fallsitetin, hipokrizinë, dallkaukllëkun, intrigat, paaftësinë, herë herë arrogancën e njerzve të veshur me pushtet, tek tuk të aftë, por që s’mund të kishin sukses, sepse kudo mbizotëronte dogma.
Autori s’harron të portretizojë edhe kolegët gazetarë të cilët, në një farë mënyre ishin të detyruar të dorëzoheshin, të binin moralisht, të nënshtroheshin dhe të zbatonin porositë dhe direktivave që merrnin nga lart.
Ja një rast: “Për të njëjtën ndërmarrje brënda nje jave, e çuditërisht brenda një dite, botohen dy shkrime me sense të kundërta.
Kjo ngjet sepse gazetarët tanë s’kanë pavarësi; ata nisen nga redaksia me lapsin e mprehur për lavdërime, ose për kritikë, si të jetë porosia. Duke i trajtuar gazetarët si nëpunës, si rrogtarë mbetet pak ose aspak vend për personalitetin e tyre… dhe është vështirë të mos dorëzohesh.
Shkolla e gazetarisë është vdirja e vlerave morale, e nënshtrimit të përhershëm psikik, e këngëtarit që këndon partiturën që i servirin, e klounit që i buzëqesh makiazhi, por jo shpirti.
Ç’perëndi kanë gazetarët tanë?
Vështirë të pëcaktohet karakteri i tyre, ngaqë diçka që e mohojnë sot, a e përcmojnë, pas 3 muajsh e lavdërojne me po ta njejtin zell!”
Janë të dëndura konstatimet e autorit për dështimet e njëpasnjëshme dhe padrejtësite dhe është e pamundur të citohen në një shkrim si ky. Po japim vetëm disa:
“…Ne ende nuk e kemi kuptuar vlerën e rrugëve të mira; ne akoma nuk e dimë sa kohë të çmuar humbim nga rrugët tona të ngushta e të pa asfaltuara. Ndërtimi i rrugëve moderne frenohet artificialisht nga “rreziku i agresionit te jashtëm” dhe i pushtimit… Dyzet e ca vjet pas çlirimit ne vozitim në rrugët  e ndërtura në vitet ’25-’30. Jemi i vetmi shtet në Europë pa një autostradë… Me bitumin dhe serën tonë janë asfaltuar  mijëra kilometra rrugë në Europë dhe kontinente tjera, ndërsa ne s’kemi asfaltuar as të ashtuquajturat “Rrugë Kombtare” paradoks? Sigurisht, por jo i vetmi…
…Disa nga gazetarët tanë mendjelehtë perdorin pa kursim sintagmën “për herë të parë”, sikur cdo gjë po krijohet tani, në epokën e partisë.
Ngaqë duan ta lajkatojnë udhëheqjen, bien në një gabim më të rëndë, mohojnë traditat.”
Një shkrim tjetër titullohet “Fushata për Rezervuaret” pasi flitet per dështimin  e papritur për dy rezervuarët që u ndërtuan në Bizë dhe bujo që gazetat bënë për këtë ngjarje, autori vazhdon:
“Si po shkon projekti madhështor për rritjen e peshkut nëpër rezervuarët? Shtypi shkroi se peshku do të zëvendësojë 30 a 40 përqind të mishit, ndërsa tani shifrat janë fshirë nga artikujt dhe raportet. Vonë u zbulua se peshku edhe nëpër rezervuare u dashka ushqyer dhe dashka ushqim special, të importuar, i cili blihet me valutë. Si mund të presim peshq nga rezervuarët, kur një pjesë e tyre nuk kanë as ujë?…
Gjithkush do të skandalizohej po të mësonte sa egërsisht i shfytëzojne qytetarët e vet “pushteti popullor”. Qeveria do të dilte matrapazi më i madh dhe më i paskrupullt”.
Sikur autori të përqëndrohej vetëm në konstatimin e dështimeve dhe mjerimin që sjellin ato në çdo aspekt të jetës, edhe pse tepër interesante, vepra do të shfaqej disi prozaike. Ai ka aftësinë, që në të kundërtën të na japë,  brenda këtij kuadri trishtues, me një kolorit të beftë plus karaktereve, historikut, zakoneve, traditave, varfërisë së tejskajshme, edhe bukuritë e natyrës që i jep gjallëri dhe jetë krejt veprës.
Sa për ilustrim: “Vapa e mesditës së gushtit nuk ndihet fare nën hijen e pemëve. Monopati ku shkelim  ngjan si mozaik nga larushitja e hijedritave të pemëve; dielli prej këtej duket i ëmbël e miqësor. Dihat ajrin e pastër duke e ndjerë deri në thellësi të mushkërive, si diçka të lëngshme e freskuese magjia e përhershme e rrugëve të pyllit në verë”.
Në një rast tjetër: “Pas rrugës së mërzitshme Ballsh-Tepelenë përmes Visokës së zhveshur dhe monotone, udhëtarët mezi presin të pushojnë dhe të freskohen te Ujët e Ftohtë. Ata zbresin nga automjetet, shtriqen, çlodhen e ndërkohë mund të hanë diçka te klubi, ose të pinë ujë te çezma duke soditur panoramën rreth e qark. Rrapishta hijedendur shpërndan fresk edhe në piskun e vapës, ndërsa ujët tatëpjetë malit zbret krejt i bardhë, si shkumbë, duke grishur vizitorët t’i venë pranë, ta soditin ose të futin duart në rrjedhën e tij. Nga që rrjedha zbret furrishëm tatëpjetë malit mes shtratit shkëmbor gjithë gurë e pragje, ujët zbardhet prej bulave të ajrit që futen midis tij. Përroj gurgullon ditenatë melodi të lashta sa bota dhe njëkohësisht të freskëta e këndellëse, ndërsa stërkalat jonizojnë ajrin dhe mjedisin anembanë. Peisazhi ndërron pamje në çdo stinë të vitit. Në pranverë, lugina gjelbërohet skaj më skaj, ajri kundërmon erë manushaqesh e zambakësh, gjatë verës pemët hijedendura shpërndajnë freski mbi tokë, të aromatizuar nga lulet e blirit  dhe trëndelinës. Vjeshta e larushit pyllin me turli ngjyrash, sa ngjan si tablo gjigante pikture, ndërsa dimrit dëbora zbardh majën e Golikut përkarshi dhe shpatet e buta të Çajupit. Vjosa e kaltër rrjedh ujëplotë mes luginës së ngushtë veshur me pemë…”
Le të vazhdojmë me varfërinë që mbizotëron në socializëm e që është një nga të këqijat më poshtëruese, por që sistemi e reklamon pothuajse si një virtyt: “Sigurimi i bukës së vitit ishte problemi kryesor për çdo familje.
Askush nuk mund ta kuptojë dramën e malësorit  që mbart në shpinë një thes misër, askush nuk mund ta shijojë “Legjendën e Misrit” të Migjenit, po të mos ketë parë me sytë e tij varfërinë e skajshme të krahinave të veriut. Varfëria- shkatërrimi i pamëshirshëm dhe sistematik i personalitetit të njeriut. Kot i thurin lavde varfërisë, kot rropatemi ta kthejmë në krenari kombtare. Nuk ka baba fëmijësh të qëndrojë krenar tek sheh fëmijët e vet të treten urie.
Për të shpëtuar jetët e tyre, do të pranojë ta ulë kokën deri në dysheme. Pasojat më tragjike të varfërisë bien mbi fëmijët, të cilëve u mëkohet ndjenja e inferioritetit dhe e psikollogjisë prej skllavi…”
Njihemi me histori nga më të ndryshmet që s’kanë nevojë për interpretim. Ato flasin vetë, duke pasur brenda edhe tragjiken edhe qesharaken.
Ja një prej tyre: “Në një nga tunelet e digës hasim Ismet Cibën, veshur njësoj si minatorët dhe me helmetë plastike në kokë. Ish-sekretari i partisë për rrethin e Fierit po shlyen mëkatet e dramës “Historia e një vajze”, shfaqur nga teatri “ Bylis” dhe më pas e ndaluar si “e gabuar”. Regjisori i saj, Leka Bungo, më tha: “Store e madhe gjatë diskutimit, sa të dy palët, akuzuesit dhe mbrojtësit, i përplasnin njëri tjetrit citate nga Enver Hoxha. Sekretari i parë u skandalizua dhe i urdhëroi t’i linin mënjane citatet, se e pa që po përlyhej udhëheqësi nga thëniet kontradiktore”.
Janë të sakta e në të njejtën kohë shpesh argëtuese vërejtjet që autori i bën në një festival folklorik të Gjirokastrës ku deformimet, luhatiet, tjetërsimet, dëshmojnë zigzaget e koncepteve dhe të orientimeve që të shpien tepër larg traditave popullore.!”
Prej vitesh po i  këndohet partisë me meloditë e këngëve te dasmës dhe këtë anomali propaganda jonë e ka pranuar. Mirpo a ka kuptim të thuhet “O parti moj ta lumsha synin”. Sikur ajo të ishte ndonjë vajzë e re apo dashnore e këngëtarit?…
“Në vend të florinjve teneqecka konservash” kështu titullohet një reportazh në të cilin autori shprehet: “Nuset e Dropullit nuk i pamë sivjet të parakalonin, a të shëtitnin rrugicave të Gjirokastrës ne festet e tyre karakteristike stolisur me disa rradhë florinjsh, me gjerdane të florinjtë, as me pentolira varur si medalione. Besova se masa diktohej që të parandalonte vjedhjet ose grabitjet nga cubat dhe keqbërësit që vijnë rrotull grupeve, kurse arsyeja e vërtetë paska qenë ndryshe.
Këtë ma zbuloj Jakup Matoja, instruktor për kulturën dhe artet ne K.Q. Ai më tha se zyra e tyre kishte urdhëruar të hiqeshin florinjtë nga festet. “Dreqi e di ç’fytyra mbretërish e perandorësh kishte në to… Pse t’i hapim vetes telashe?” pyeti ai. Ajajaj! Pra urdhëri për të zëvendësuar florinjtë me teneqecka të verdha kutija konservash, ose kapakë kavanozash paska dalë nga Ramiz Alia, shef i propagandës në Komitetin Qëndror. Mos donin shokët instruktorë florinj me portretet e Marksit dhe të Engelsit?
Po të tilla nuk preu as B.S , eksportues i fuqishëm floriri në tregun botëror…
Ironi e kohës!… Arkeollogjia dëshmon se femrat javë zbukuruar me gjerdanë e rruaza që nga epoka e gurit. Te vallet e femrave të Tropojës  dhe të Librazhdit, gjerdanet prej sermi e floriri shërbejnë edhe si capare për të mbajtur ritmin. A mund të arrihet efekti i tingujve të argjëndit dhe florirint me mangëre ose teneqeçka? Zëvëndësimi i florinjve me teneqeçka të verdha kapakësh konservash, ishte surrogat i neveritshëm!”
Të tilla vërejtje estetike ka me shumicë.
Le të vazhdojmë: “Një këngë erotike të zbulurar në Vodicë, “estetët partiakë” të Ersekës, e hoqën nga repertori si të gabuar mbasi djali thoshte: “do ta shes martinën/ për dy sytë e tu të zes”.
Sipas tyre, shqiptari kurrë s’e ka shitur pushkën për të dashurën, po përkundrazi me të ka mbrojtur nderin e saj e dërvëre  me sloganet e propagandës së sotme politike, pa marrë parasysh se në kohën kur doli kënga, trimi bënte sakrificën më të madhe të shiste pushkën për të fituar të dashurën.
A ka gjë më të bukur për të dëshmuar si e ka çmuar shqiptari dashurinë për femrën? Mirpo aty ku mbaron llogjika argumenten nuk vlejnë.
Për të vërtetuar atë që thoshte partia: “Politika në plan të parë” ai na sjell një shembull të thjeshtë:…Sa u largua plaka, Anesti më tha se të dy djemtë e saj ja kishin burgosur për tentative aratisje.
Kjo qe arsyeja që Polikseni ia kthehu arrat. Druhej mos e akuzonin se po bënte tregti me një të deklasuar, armike e pushtetit. Ja pra si hynte politika edhe te arrat e pafajshme.
Ja si ironizohen vëniet e emrave: Dikur kemi patur Duçe, Hitler, (që u kthye në Hito pas çlirimit), ashtu sikurse kemi tani.  Çapajev, Pushkin, Marks, Votime, Kongres, Proletar e deri te akrostiku Marenglen, ku përblidhen tre korifejtë e marksizmit, Marksi, Engelsi dhe Lenini…!!
Pak më tej ironizohet… “Bunkeromania”! Më kujtohet proza e Migjenit “Te Korrunat”. Në arat e tyre fshatarët, papritur në vend të kallëzave me grurë shohim topa me grykë përpjetë, gjyle që shndritin në diell. “Te dalldisur nga pamja apokaliptike kthehen në fshat duke thënë me pikëllim: Do të mësohemi me ngranë hekur! Po, Po, Hekur”! Parrullat tani ka ndryshuar paksa me kohën. Sot themi: “Do të mësohemi të hamë edhe bar!” Ky artikull gjëndet më me shumicë dhe është më i lirë se hekuri… Nje shokut tim të besuar i them shpesh: “bunkeromania  është diagnosa e çmendurisë sonë…”
…Jam i sigurt se me çorganizimin tonë të përsosur, pas njëzet e katër orësh, gjysma e vullnetarëve do të mbetet pa ushqim, gjysma tjetër pa municion dhe atëherë mbi kupolat e bunkerëve do të valojnë shamitë e bardha.
…Pas lufte varfëria konsiderohej virtyt, garanci politike për besnikëri ndaj pushtetit, prandaj gjithkush e theksonte me mburje origjinën e varfër madje pak më tej, “të këputur…”
Një vepër me një diapazon të gjëre e të gjithanshëm e njëkohësisht me një informacion po aq të larmishëm ku harmonishëm ndërthuren shumë fusha të diturisë, mpleksur aq bukur artistikisht, padyshim do t’i rezistojë kohës. Është një risi në letrat shqipe, një vepër që ka ndriçuar një pjesë të madhe të errësirrës që zotëroi në një periudhë të madhe kohore nën diktaturë, e që askush deri më sot s’e ka dhënë  në këto përmasa si autori i këtyre shënimeve të udhëtimit.
Një vepër shumëplanëshe, një dëshmi letrare e historike që do t’iu shërbejë edhe brezave që vijnë.
Botuar te Dielli

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Më pëlqeu shkrimi…
    Nga që e njoh, unë ruaj simpati për shkrimtarin naum Prifti…
    Ishte diçka interesante, megjithse ka mjaft njerëz që i kanë jetuar mirë gjitha kohrat… fakti që ai tregon diçka te vertete se si ai e ka përjetuar dyfish at kohe është për t’u pasur në konsideratë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.