back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Ngjarja më e trishtë e krejt rrëfimeve të mia.. Bedra Kaba (pjesa e IV)

Gazeta

Bedra Kaba
Bedra Kaba

Rrëfej jetën time… dhe tuajën nga Bedra Kaba (pjesa e IV)

Ngjarja më e trishtë e krejt rrëfimeve të mia…

4 gusht 2013
Një mur as një pllëmbë i gjerë me res kallami na ndante me komshien që ishim derë më derë… Ata i kishin sjellë nga Saranda dhe ne nga Dibra… vërtet kuptoheshim pak vështirë në fillim, se ata ishin edhe minoritarë… po asnjiherë s’u keqkuptuam… Halli na bashkoi nën nji çati… “eh, moj kasolle ku na mblodhe!” por jetuam për tridhjetë e ca vite bashkë dhe kurrë s’u grindëm, kurrë s’ia prishëm njeri tjetrit, kurrë nuk vumë gardh… Ne fëmijët u rritëm me njeri-tjetrin, hynim e dilnim në shtëpitë e njëri tjetrit si në shtëpitë tona.
Eh… Babai i tyre mbeti burgjeve të vendit dhe ata tre fëmijë u rritën pothuaj pa baba, me trasta në krahë duke bredhur burgjet e Ballshit, Spaçit, ShënVasilit… dhe përse… sepse në votimet e një rradhe e piketuan si kurban…

Magdalena, Antigoni dhe Theodhori Buzi - Savër 1972
Magdalena, Antigoni dhe Theodhori Buzi – Savër 1972

Votimet e asaj kohe ishin festa më e madhe e mashtrimit… Votohej për Partinë e Punës, si e vetmja parti, zgjidhesh kë donte Partia e Punës, me 99,9999 të votave… ngriheshin gjithë mileti me gërrnetë, dajre dhe daulle, ashtu nëpër terr, pa zbardhë drita dhe pa larë sytë… dhe hiqeshim gjoja të gëzuar, të hareshëm, pse: fat i madh, duhej të shkoje në votim: se vota për Partinë dhe për Frontin ishte plumb për armikun… po e keqja se duhej të votonim edhe ne Armiqtë… “me shumë dashuri” për armiqtë tanë… O zot, sikur t’mos të ishin të vërteta këto që po tregoj…
Kështu babai dhe nëna ime u ngritën herët dhe pa humbë kohë u bënë gati të shkojnë të votojnë… e “ta heqin qafe at bela”… I thërrasin komshisë… “Mirmëngjesi o Th., a je gati të shkojmë e të votojmë…?” Dhe ai pa e ça fort kokën i thotë “O xha M… po ka kohe deri në darkë, pse duhet të shkoj me natë…!” Mirë i thotë babai: “Po shkojmë e po mbarojmë kët punë…!” “Ik xha M., ik para, se unë vetëm në darkë do të vete… se deri në shtatë të darkës, kur mbyllen votimet, ka kohe!!!” Dhe vërtet ai votoi vonë dhe e prishi at mundësinë e lajmërimit të 100 përqindshit pa zbardhë drita… Të nesërmen mbasdite, komshinë tonë e thërrasin në Degë të Brendshme dhe pa shumë llafe e dënuan me nji “Dhjetë vjetshe” burg. Babai u mërzit shumë për të, po… më shumë i vinte keq për familjen e tij… ishin  tre fëmijë të mitur, që do të rriteshin vetëm pa babanë e tyre… Nëna e tyre, një grua e dobët dhe e imët, që punonte prej mëngjesi në mbrëmje për fëmijët e vegjël tani duhej të mbante edhe burrin burg. Të tre fëmijët, dy vajzat dhe djali u rritën aty me ne… dhe babait tim i thërrisnin “gjyshi”… Ai i desh… por edhe ata e deshën shumë babanë tim… Vitet kalonin dhe ata fëmijë hallesh të mëdha po rriteshin… ashtu njeri pas tjetrit, duke i dhënë dorën njëri tjetrit u futën në punë dhe iu bënë krah familjes së tyre…

Bedra Kaba & Magdalena Buzi
Bedra Kaba & Magdalena Buzi

5 gusht 2013
Eh, sa të reja ishim…
Jetonim aty me fatin e keq të prindve tanë, n’ato barakat e interrnimit, pa asnji të drejtë njerëzore… S’kishim të drejtë të ishim në tabelë të nderit, as të bënim konkurse, as të mbaronim një shkollë, as të kishim një punë, as të kishim një ëndërr… dhe më e tmerrshmja… s’kishim guxim as të dashuronim…
Duke u kthyer shpesh ndër kujtimet e mia, s’mundem kurrsesi ta harroj historinë e komshies sime M. ose më mirë motrës sime, jo pse ishim shumë afër, veç një mur kashte na ndante, po sepse ndjeheshim shumë të afërta me njëra tjetrën, e ajo  çdo darkë mbasi vinte nga puna vinte aty në shtëpinë time dhe flisnim qëndisnim ose thjesht dëgjonim muzikë.
Kjo historia e sotme është shumë e dhimbshme dhe unë s’di nëse do të mundem ta tregoj ashtu si e kam përjetuar dhe si e kam vuajtur…

Magdalena Buzi e Bedra Kaba 2013
Magdalena Buzi e Bedra Kaba 2013

N’at kohë ne mbanim një djalin e motrës që  ishte i vogël. Komshia M. kishte rënë në dashuri me një djalë nga të “lirët”, dmth ai nuk ishte i interrnuar ashtu si ne, bile e kishte të jatin edhe komunist. Vajza vinte përnatë te ne, dhe meqë të jatin e kishte në burg, vendos që kët “sekret të saj” t’ia tregonte babait tonë. Disa herë ajo foli me babanë, si duket mosha e tij, ajo urtësia dibrane, dhe natura e tij e qetë, ishin e vetmja ndihmë dhe shpresë e saj… Aq shumë ajo foli mbrëmjeve për kët histori, sa djali i vogël i motrës duke kërcyer në minder e duke thirrur prej qejfit, a kushedi çfarë ndjenje “dashuri, dashuri…”, iu morën mentë dhe shkoi e ra drejt e në mangallin e prushit, duke iu djegur prapanica… Babai ndërsa përpiqesh ta qetësonte djalin u kthye nga ne, me at buzagazin ironik duke thënë: “A e pe moj bijë, qejfi i madh edhe dashnia ta djegin bythën…!” Ai vërtet e tha si duke qeshur… po asnjëra nga ne të dyja nuk qeshi… Vajza M. insistonte në dashurinë e saj… Ajo fliste me djalin, takohesh me të… shpesh duke guxuar të sfidonte familjen, komunitetin edhe opinionin…
Fjala doli dhe lufta midis dy familjeve u ndez e ashpër. Ata të djalit (me baba komunist) s’pranonin kurrsesi një lidhje të tillë dhe bënë çmos që djali i tyre të ndahej nga vajza (me baba në burg politik). Nga ana tjetër, i jati i vajzës edhe pse në burg iu bë krah vajzës, po edhe mbas burgut ai u përball me kurajo me at opinion të egër që ishte ngritur kundër vajzës së tij.
Në këto rrethana, u vendos që ta fejojnë dhe ta martojnë menjëherë vajzën, së paku për ta larguar nga ai djal dhe nga ai opinion i egër.
Ajo qe një darkë e thjeshtë familjare, po njiherësh ishte edhe nji ditë zije për vajzën e dashuruar… “që s’kishte se ç’bënte!!” Atë ditë ajo doli nuse nga Kampi me kokën menjanë për fatin e saj she dashurinë e humbur. Nuk shkoi as një javë te burri, dhe Djali shkon e merr nga Burri dhe së bashku nisen te njerëzit e saj në Sarandë. Kjo gjë e tërboi familjen e djalit, pse kështu po iu prishej biografia… dhe një ditë, ndërsa ata po shetisnin në Sarandë, u ndalon para këmbëve nji xhips, ku brenda ishte burri i motrës së djalin, dhe me forcë djalin ata e fusin në makinë, kurse vajza mbetet fillikat vetëm midis bulevardit.
Tashmë ajo kaloi një traumë tjetër edhe më të rëndë. Po ishte përsëri familja e saj që i doli krah dhe e strehoi. Rikthehet në Savër, në shtëpinë e saj duke u përballur përsëri me opinionin dashakeq të njerëzve dhe me përbuzjen dhe urrejtjen e familjes së djalit.

Endrra për t'u bërë nuse...
Endrra për t’u bërë nuse…

Po ata prap vazhduan të takohen e të duhen më shumë… duke sfiduar idenë komuniste se s’mund të dashurohen dy njerëz, kur mes tyre rri si hendek: biografia.
Një ditë mbas shumë kohe, ajo vjen tek ne dhe na thotë se ishte shtatzanë!!! Nuk jam ndjerë ndonjëherë më keq në jetën time… O zot çfarë tmerri qe ajo fjalë… E si mund të mbahesh ajo shtatzani, kur ai djalë s’ishte aq i pjekur, as i vendosur; kur familja e tij ishin komunista, dhe kur opinioni i kampit, i të dyja palëve, përballë një ngjarje të tillë e tregonte me gisht… Kjo e tërboi edhe më keq si familjen e tij, po edhe prindët e saj.
Përballë saj ishte sfida më e fortë e jetës.
Ajo i rezistoi edhe kësaj… Punonte gjithë ditën fushave të Myzeqesë me barkun te goja dhe nën vështrimet përçmuese të njerëzve që e rrethonin. Kur e kujtoj kët ngjarje ende më rrënqethet mishi… M. ishte nji vajzë e pambrojtur, me baba në burg, nga minoriteti, krejt familja e saj u vu përballë nji opinioni agresiv që vinte edhe nga vetë të interrnuarit, qe shkelur edhe krenaria e tyre,  “ne s’kemi asnji punë me ta!!” po edhe nga të lirët “pse me këta caristat, do merremi ne?!” Çfarë nuk bëri familja e djalit për t’i ndarë, dhe për të mos lejuar që të lindte ai fëmijë i pafajshëm…
Një mëngjes e jëma e vajzës, ajo grua e dobët, që i kishte rritur me “shpirt ndër dhëmbë” tre fëmijët, dhe mbante edhe burrin në burg, e terrorizuar i thotë babait tim: “E shtrova çupën në spital mbrëmë… Lindi djalë…” “Po shyqyr që të shpëtoi çupa… për të tjerat kush po çan kokë…!” “Po a vajte ta shohësh vajzën?” e pyeti me qetësi babai…. “Jo, nuk vajta, dhe s’di si të bëj?!” “Shko moj nuse, – i tha babai – se nuk bëhen kollaj fëmijtë, dhe po s’e pe ti fëmijën tënd, kush pret ta shohë e ta përkrahë vajzën tënde…!!”
Ajo lindi një djale të bukur…
Bëri gjyq dhe arriti t’ia marrë atësinë, ndërkohë që çfarë s’u shpif që t’ia mohojnë.
Dhe vërtet, familja e saj e deshi, e përkrahu dhe e mbështeti atë vajzë dhe e rriti atë fëmijë… por ai djalë dhe familja e tij komuniste s’e pranuan asnjiherë as atë vajzë dhe as atë fëmijë që ishte edhe gjaku i tyre…

Magdalena si nune...
Magdalena si nune…

Mbas tre vjetëve në ’90, mbasi ra Muri i Berlinit, djali e kërkoi, por ajo s’pranoi më të kthehej aty ku e kishin poshtëruar. “Ti më mohove n’at kohë kur unë sakrifikova gjithçka, ti s’mund të kthehesh më tek unë… as sot e as kurrë!”.
E vërteta është se ajo vajzë s’u martua kurrë, vazhdoi dhe vazhdon të jetojë edhe sot e kësaj dite me djalin e saj… me fëmijën e dashurisë së saj…
Respekt të pafund për kët vajzë të pafajshme, për kët grua të poshtëruar, për kët nënë heroinë që guxoi të dashuronte kur ishte e ndaluar të dashuroje, që rriti edhe nji foshnje prej atyre që e urrenin… respekt dhe nderim për këtë grua që ia vranë shpirtin dhe zemrën… vetëm pse ishte fëmijë i lindur dhe i rritur kampeve…
U mundova të tregoj veç pak nga historia e saj por më mirë se kushdo vuajtjen, brengën, poshtërimin dhe përbuzjen prej asaj lufte të tmerrshme e të ndyrë klasash e ka ndjerë veç ajo vajzë që s’i kishte mbushur 18 vitet, e që vetëm shpirti i saj e di se çka ndjerë…

Magdalena dhe Odisea
Magdalena dhe Odisea

Tashmë ajo vajzë, ajo grua, ajo nënë jeton e qetë me djalin e dashurisë së saj…

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Me të drejtë e keni titulluar një histori të dhimbshme, por mua më tingëlloi si një histori filmash të bukur, emocional, me një fund kaq të lumtur. Ndoshta po habiteni nga ky koment. E ritheksoj m’u duk historia më e bukur që kam dëgjuar dhe lexuar.
    Ajo sot jeton me frutin e dashurisë së saj, edhe pse pema që e prodhoi atë frut, u tha…

  2. Nji nga rrëfimet më të trishta dhe më të dhimbshme të Bedrës, për komshien dhe njiherësh shoqen e saj mjaft të afërt… Nji shembull i egërsisë së pashoqe klasore në vitet ’84-’87… Kjo ngjarje e tronditi thellë jetën e kampit të Savrës… dhe konfrontimi klasor u bë edhe më i ashpër… Ajo vajzë nuk u gjykua për dashurinë, por për poshtërimin që nëpërmjet asaj iu bë gjithë shtresës së interrnuar… Rrëfimi në thjeshtësinë e vet e jep mjaft bukur edhe dramën edhe dhimbjen e kësaj vajze që u konsiderua fajtore vetëm për dashurinë e saj… dhe që me dinjitet ajo e përballoj për gjithë jetën kët ngjarje…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.