back to top
17.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Në vend të lamtumirës – nga Eleni Laperi

Gazeta

Maks Velo - Foto nga Burgu u Spaçit
Maks Velo – Foto nga Burgu u Spaçit

Në vend të lamtumirës

nga Eleni Laperi

E kam njohur Maks Velon në vitin 1967, kur isha student e vitit të parë në Institutin e Lartë të Arteve, si quhej atëherë Universiteti i Arteve. Maksi ishte pedagogu ynë i perspektivës. Ai vinte në klasën e leksioneve, që ishte edhe salla e bibliotekës, jepte temën e ditës dhe largohej. Ishte i heshtur me ne, pak mospërfillës, i largët, sikur endej në një tjetër planet. Tani e kuptoj. Ndërsa ne ëndërronim të mësonim të vizatonim e të pikturonim, të shihnim ndonjë libër arti të serisë së botimeve Skira, ai ëndërronte të ecte përsëri në rrugët dhe galeritë e Parisit. Po ndërsa ne edhe i tregonim ëndrrat tona, ai nuk fliste dot për të tijat. Ndaj ishte aq i largët, aq i heshtur.
Herën e dytë kur e takova, ishte pasi Maksi kishte disa kohë që kishte dalë nga burgu. Po ecja në Sheshin “Skënderbej” dhe dëgjova dikë që më thirri: Leni, Lenkë. Ishte një zë i panjohur për mua. Ose i harruar. U ktheva dhe me habi pashë se ai që më thërriste me atë formë të emrit, që e përdorin vetëm në Korçë, ishte Maksi. Ca ditë më vonë ai erdhi në shtëpinë time dhe folëm për punën time, për artin, për arkitekturën, për Kadarenë, po burgu nuk u zu në gojë.
Pastaj, në 1997, unë fillova punë në Galerinë e Arteve, në sektorin e studimeve dhe na u desh një ditë të shkonim te Maksi, bashkë me Zana Varvaricën e Ylli Drishtin, pasi kishim si detyrë të njiheshim me krijimtarinë e artistëve në atelietë e tyre, ndoshta edhe për të përzgjedhur autorë për ekspozitat e galerisë. Atje pashë një Maks të zemëruar. Të zemëruar me të gjithë. “Se ju e keni fajin!” – na drejtohej ne, kur fliste për përndjekjet dhe punët e shkatërruara. Dhe ne e shihnim gjithë ndrojtje e i thoshim, po ç’faj kemi ne? Ne nuk dinim gjë, nuk kishim gjë në dorë. “Ai qetësohej e thoshte, e di, moj e di, po fjala që vjen!”
Kur lamë atelienë e tij gjithë rrugës pyesja veten: A kishim faj edhe ne?
Në tetor të vitit 2009, bashkë me një gazetare të kanalit francez France Kulture, me një fotograf finlandez, një fotograf shqiptar dhe të shoqëruar nga Maksi, shkuam të vizitojmë burgun e Spaçit. Atje është bërë edhe kjo fotografi e Maksit. Në sfond janë ato kodra, apo male – nuk di si t’i quaj, që ishin përballë godinës së kampit, nga e cila i ndante thellë poshtë një përrua. Dëgjoja gurgullimën e përroit, e cila vinte aq e bukur e qetësuese deri lart te ne, shihja ato kodra, që më dukeshin të bukura dhe mendova: cili ishte ai katil që kishte patur idenë për të ndërtuar një ferr përballë kësaj bukurie? E kishte bërë me qëllim, që ata që ishin mbyllur në kapanonet me shtretër-disa-katesh të vuanin edhe më shumë? E pyeta Maksin: Mehmet Shehu, më tha.
.
Maks Velo para se të arrestohej
Maks Velo para se të arrestohej
Në oborrin e godinës ishte ende shtylla prej betoni, ku dikur në një dimër, tha Maksi, ishte mbajtur lidhur për 48 orë Ali Oseku, sepse nuk pranoi të bashkëpunojë me gardianët, nuk pranoi të spiunojë bashkëvuajësit. Ecja nëpër sallat ku dikur flinin bashkë keqbërës të zakonshëm e intelektualë të pafajshëm, atje ku tani kishin mbetur vetëm shenjat e kateve të shtrateve të dikurshëm dhe vizatimet, që të burgosurit kishin bërë, për të zgjeruar sado pak botën e rrethuar me tela me gjemba, ku i kishin mbyllur: një ekran televizori me një siluhetë seksi të një gruaje më mbeti në mendje. Maksi na tregoi edhe telat, ku dikur një prej të burgosurve, i cili ishte bërë spiun i shokëve e tani nuk i fliste asnjeri e nuk i vinte për vizitë asnjë prej familjes, ishte kacavjerrë duke u përpjekur të ikte. Ose duke dashur të vdiste. Rojet e vranë dhe në tela mbeti gjatë një nga këpucët e tij.
Maksi fliste dhe përsëri herëpashere shpërthente zemërimi i tij. Tani edhe në frëngjisht.
Tani unë e kuptoja dhe ia pranoja zemërimin, si e vetmja gjë që i kishte mbetur, bashkë me artin dhe librat e tij. Dhe, edhe pse atëherë kur ai u dënua dhe u burgos unë nuk dija asgjë për burgjet e diktaturës, tani ndjehesha fajtore. Po, të gjithë kemi faj, se sado pak, të gjithë e ndjenim peshën e frikës së madhe, e cila na bënte të kontrollonim fjalët dhe kur flisnim me shokët e miqtë. Sepse pasiguria për mendimet e të tjerëve ishte edhe ajo aset i kohës. E cili është ai që nuk do të ishte i zemëruar me gjithë botën, nëse do ta kishin ndaluar të donte të jetonte i lirë, të dashuronte kë të donte, të kërkonte të bukurën në ngjyra e forma si të donte? Maksit i kishin vjedhur vitet më të bukura të jetës, duke e burgosur edhe pse nuk kishte kryer asnjë krim. Ai kishte të drejtë t’i këlthiste të gjithëve me sa fuqi që kishte.
Ndryshe nga Ali Oseku, i cili pas viteve ’90 zemërimin për vitet e burgut e shprehu pikturuar duke ngjyrat e ajrit, Maks Velo revoltën e tij e la të dokumentuar edhe me figura, edhe me fjalë. Kur lexon librat e tij, e kupton sa shumë kemi për të kërkuar nga vetja dhe nga të tjerët. Nga ata që nuk dinin dhe heshtën, nga ata që dinin dhe heshtën dhe nga ata që dinin dhe i ngritën lavde diktaturës me veprat e tyre, që të jetonin pak më mirë se mjeranët e tjerë. Tani unë i kërkoj falje Maksit dhe gjithë atyre që vuajtën për shkak të mendimeve të tyre ndryshe. Tani unë e di se nuk mund të shfajësohem më në se dikush cënon lirinë e dikujt.
Prehu në paqe, Maks Velo!
.
https://elenilaperi.blogspot.com/2020/05/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.