back to top
25.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

Në Shtratin e Prokrustit – nga Robert Prifti

Gazeta

Robert Prifti mbas viteve '90
Robert Prifti mbas viteve ’90

Në Shtratin e Prokrustit

nga Robert Prifti –

I vetëm midis turmës, me ngushëllimin e lodhjes, njeriu di fare lehtë të jetë filozofi i mishit të vet. I fshehur në këtë filozofi të gënjeshtërt të masës, di të jetojë në shkretëtirën e ndërgjegjes së vet. Ai stoicizëm bosh, i mbushur me shpresa të kota, dëgjon mënjanës mesazhet e mendimit dhe nuk di më të besojë atë që ka besuar më parë. Di t’i durojë pa krenari të gjithë gjykatësit e rendit, tek të cilët nuk beson, por vetëm u përshtatet. Dhe, kush përshtatet, nuk i trembet më ligjit të pushtetit, që e përmbyt nga të gjitha anët, nuk ka më nevojë për vullnetin e vet. Uji i përmbytjes e çon duke e tundur drejt një qetësie prej agonie të unit të vet, dhe kështu gjendet i vdekur, pa e ditur që është i vdekur. Po, e kam provuar edhe unë këtë qetësi vegjetuese, kam qenë edhe unë si ai Saimir Vila që përmenda më parë, ajo kufomë e skllavërisë së lumtur.
Duke hequr dorë nga dashuria, i dëshpëruar nga gënjeshtrat në punë, vuajtja sillte me vete mërzinë. Po, në këtë shoqëri vuajtja tejçohet me mjeshtëri dhe mirësjellje në një mërzi rimorkiuese, që nuk arrin goditjen e një rebelimi, por vetëm një neveri deprimuese. Dhe mërzia shkonte në kërkim të kënaqësive, të atyre kënaqësive të vogla që biologjia e jetës i ofron njeriut për të shuguruar zakonin. Në të vërtetë, këto kënaqësi janë sarafe, në një shoqëri të rrethuar, por ajo ka gjetur sistemin për ta luftuar mërzinë me përndjekjen e pandërprerë të kënaqësive ekzistenciale. Organizimi ekonomik i mangët, që i jep popullit me pikatore të domosdoshmen për të jetuar, bën që ai të mos ndiejë më nevojë tjetër, interesa të tjerë në jetë, por veçse të kënaqë këto nevoja, dhe fitoret e përditshme biologjike janë kënaqësitë që arrijnë të vrasin mërzinë. E gjitha kjo pastaj, në bashkëpunim me mbledhjet, seminaret dhe mitingjet, nuk i lë kohë mërzisë që të ketë kohë. Përndryshe mërzia do të ishte e rrezikshme dhe do të sillte menjëherë pesimizmin, pakënaqësinë, e kështu me radhë.

"Syri i Polifemit" - Roman - Robert Prifti
“Syri i Polifemit” – Roman – Robert Prifti

Njeriu duhet të dëshirojë gjithmonë vendin ku qeni ha petulla, por asnjëherë të jetojë aty. Mjerë pastaj pushteti, nëse njeriu ia arrin kësaj gjëje! Çfarë do t’i mbetej pushtetit? Socializmi i forcës nuk do të ekzistonte më dhe ai do të kthehej te vullnetet e vjetra të lirisë njerëzore.
Por kështu, këta qytetarë të ndershëm të humorit të ligjshëm, zvarriten pas zinxhirëve të së përditshmes, lëkunden në lodhjen e tyre morale, e cila mban peshën e mendimeve meskine të ekzistencës. Dhe e përditshmja arrin të shkruajë mbi udhën e tyre kuptimin e të vazhduarit të jetës kështu, në plogështinë e tyre pa kohë. Tashti këta shenjtorë të patentuar kanë harruar që njëherë e një kohë kanë qenë shkollarë të paqetë, të paduruar, sa të dëgjonin zilen dhe të bërtisnin. Tashti secili prej tyre është askushi.
Urtësia që i përshtatet më shumë kësaj shenjtërie të jetës së detyruar, është ai cigani, komshiu im.
-Të vuash? Është një luks që unë nuk mund t’ia lejoj vetes, sepse duhet të fitoj çdo ditë këtë copë bukë që po ha. Të gëzohem, të dëfrehem? Nuk e kam lejen e kohës për këtë, sepse duhet të përtyp me nxitim këtë copë bukë.
Dhe pyetjes sime: -Atëherë çfarë të mbetet?
-Të jetoj, miku im, të jetoj pa kujtesë, – përfundonte, duke vënë në lojë krenarinë e mustaqeve të tij.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.