Në plotësim të një shkrimi
ose tragjeditë shqiptare të ndarjes per se gjalli…
nga Artan Gjyzel Hasani
Jozef,
nëse më lejon ta zgjeroj disi informacionin rreth këtij statusi, rreth patriotit Qerim Haxhiu, të shkruar nga Kevin Haxhiu!
Qerim Haxhiu, ka qenë miku dhe shoku më i ngushtë i tim gjyshi, Musa Shehajt, dhe kanë jetuar në Kairo përmbi 60 vjet.
Im gjysh shërbeu për më shumë se 20 vjet, kryetar i Kolonisë Shqiptare të Egjiptit. Shokë klase me Qerimin qysh në medresenë e Tiranës, e më pas tërë jetën e tyre në Egjipt.
Në disa nga foto të postuara në këtë status e dalloj lehtësisht gjyshin tim.
.
Nga mesi i viteve 80-të pasi u shtrua në një azil grekoamerikan të Kairos me këmbë të prerë nga gangrena diabetike, im gjysh e caktoi Qerimin si administrator të pasurive të veta të patundëshme në Egjipt, (duke përfshirë edhe bibliotekën që mbreti Faruk ia pati dhuruar Musa Shehajt).
Në vitin 1967, Qerim Haxhiut iu mundësu një vizitë në Shqipëri dhe prindërit e mi shkuan e takuan në Lushnje në shtëpinë e Haxhiajve. U mikpritën me shumë dashuri, nderim dhe respekt për tre ditë nga Qerimi dhe vëllezërit e tij. “M’u duk sikur më kishte ardhur një pjesë e babait” thoshte ime më, sa herë që e kujtonte atë takim. Për babanë që nuk e pa kurrë.
Ka edhe një episod, që lidhet me këtë vizitë të Qerim Haxhiut në Shqipëri. Në vitin 1975, pas eleminimit të Beqir Ballukut, diktatori shpërndau një qarkore në lidhje me “grupin puçist”, ku ndër të tjera, shkruante: “Beqir Balluku i dha makinën e tij të shëtiste nëpër Shqipëri të arratisurit dhe armikut të Partisë, Qerim Haxhiu!”
.
“Ne e dimë që ju të dy e keni takuar Qerim Haxhiun, kur ai erdhi ne Shqiperi, por tani e tutje t’i vini gishtin kokës!” iu thanë në Komitetin e Partise të dy prindërve të mi, pasi iu lexuan fjalët e diktatorit.
Gjyshi im. Musa Shehaj, vdiq ne 1997, por ne e mësuam këtë fakt dy vjet më pas, kur nëna pas një mungese të gjatë letërkëmbimi nga ana e gjyshit, i shkruajti Qerimit, i cili u tha se: “Musai kishte vdekur në prill të 1997, dhe Qerimi na kishte dërguar një letër për të na njoftuar, por për shkak të luftës që bëhej në Shqipëri në atë vit letra nuk erdhi kurrë në dorën tonë.
Më poshtë po sjell edhe disa foto nga vizita e prindërve të mi në shtëpinë prindërore të Qerim Haxhiut në Lushnje.
.