back to top
25.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Ndrekë Gjini dhe rishfaqja e Lazër Radit në shtypin shqiptar – Korrespondencë me gazetarin Ndrekë Gjini

Gazeta

Lazër Radi - viti 1992
Lazër Radi – viti 1992

Ndrekë Gjini dhe rishfaqja e Lazër Radit në shtypin shqiptar

Korrespondencë me gazetarin Ndrekë Gjini

Ndrekë Gjini në vitin 1991, ka qenë kryeredaktor i Gazetës “Kombi”, 
dhe ka një kontribut të të rëndësishëm n’ato fillime të “shtypit të lirë”. 
Pos tjerash, ai ka merita për paraqitjet e para në shtyp të Lazër Radit. 
Më pas Ndrekë Gjini punoi edhe në redaksinë e gazetës RD
Prej vitesh ai jeton familiarisht në Irlandë… 
Ndërsa do të futet në botim “Publicistika e Lazër Radit – Vitet ‘90”
pikërisht, për njohjen dhe raportin që ai ka pasë me Lazrin, 
unë i drejtova me një kërkesë miqësore të më shkruante diçka rreth njohjes
dhe asaj mardhënie mes tyre, që ta paraqisja në parathënie… 
Dhe Ndreka, edhe pse ndodhej ne spital, më nisi këtë shënim të tij…
.
I nderuem Ndrekë,
Po baj gati për botim “Publicistikën” e Lazër Radit, e cila asht në dy vëllime, “Publicistika e viteve ‘30-‘40”, vëllimin i parë, tashma e kam krye… ndërkohë jam duke mbyllë vëllimin e dytë “Publicistika e Viteve ’90”, ku e vërtetë asht se njeriu nyje që ia hapi portën botimeve Lazër Radit, je ti Ndrekë, gjë për të cilën edhe Lazri, po edhe ne të mbetemi mirënjoftës…
Do të kërkoja prej teje, n’se mundesh, me e përmbledhë në pak rreshta njoftjen dhe marrdhaniet që patët me Lazër Radin, mbasi asht ajo fjala e jote, që: “Ti vetëm shkruaj, sepse unë sa të jem në këtë gazetë, do t’i botoj të gjitha!” që mbetet ndër ngjarjet ma të randësishme të jetës së tij, mbas viteve ‘90! Pse gjithçka e realizove pertej fjalëve!
Do të lutesha Ndrekë, vetëm në pak rreshta, ashtu si ti e kujton ti, si ti e ke përcjellë, mbasi po merrem me parathanien e këtij libri, dhe pak fjalë tuat, janë përforcim i asaj çka unë po shkruej e që të mbetem mirënjoftës…
Të uroj tana të mirat…
Jozefi
Gazetari Ndreke Gjini
Gazetari Ndreke Gjini
***
I dashur Jozef,
E konsideroj veten me fat që në verën e vitit 1991, e kam njohur Dr. Lazër Radin dhe kam ndarë një kohë të gjatë me të… kur drejtoja gazetën “Kombi”, një ndër gazetat e para të asokohe që quhesh shtyp pluralist!
Takimi i parë me të, më ka lënë mbresa të forta. Ishte një burrë tejet i ditur, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë.
Më dorëzoi jo një, por shtatë a tetë artikuj të gjatë rreth çeshtjes kombëtare. Ishin të shkruara bukur, me makinë shkrimi, me tituj e nëntituj dhe përzgjedhur me kujdes. (Rasti i rrallë ky, mbasi shkrimet në atë kohë, shumica na vinin të shkruara me dorë…)
I mora, dhe iu hodha një sy! I futa në një sirtar të redaksisë, dhe dolëm bashkë për kafe.
Na ngjiti biseda. Qëndruam gjatë. Më vonë, duke e analizuar atë takim, thuaj rastësor, thuaj providencial, kam thënë me vete se ai ka qënë takim i dy botëve.
Unë vija nga Puka! Kisha studiuar në Universitetin e Shkodrës për Letërsi, ku edhe Lazri kishte pasur vitet më të bukura të Gjimnazit! E ndërsa atë Shkodra e kishte mbushur me dritë, mua më kishin ngopur me thasë pafund me rrena.
Ai vinte nga 46 vite burg dhe internime, mbasi i kishte kryer me medalje të artë studimet e tij të doktoraturës në Itali. Dinte gjashtë a shtatë gjuhë të huaja… dhe unë kisha i mbetur i mahnitur ndërsa shkëmbenim atë njohje të përbashkët ku edhe ai kishte kujtimet e një gjysëm shekulli të shkuar me Pukën dhe Migjenin!
Ato pak orë bisede me të, më bënë të kuptoj për herë të parë në jetë se sa gënjeshtra dhe mashtrime të tmerrshme kisha mësuar gjatë jetës, ai me atë shpjegimin e tij të shtruar, ma përmbysi krejt atë botë dijesh rreme.
Isha i ri dhe i etur për dije. Po për dije të vërteta!
Mbasi u ndamë; në heshjte u betova se do mundohesha ta takoja përditë atë Njeri. Të mësoja gjithçka prej tij. E thënë me fjalë të tjera: Të nisja mësimet në “Universitetin Lazër Radi!”.
Muajt që vijuan u takuam gjithnji e më shpesh, thuajse çdo ditë. E në vitet që pasuan, mbetëm miq shumë të ngushtë.
Atë ditë, mbas takimit tonë të parë, kur u ktheva në zyrë, i mora shkrimet e tij me vete, që t’i lexoja në konvikt, ku jetoja jo veç unë, po edhe shumë gazetarë të kohës.
Ishin shkrime befasuese. Kishin stil, dije, kulturë dhe informacion. Ndriçonin ato të vërteta tronditëse që na i kishin mësuar qëllimisht gabim.
Më kujtohet se si i kalonim ato shkrime dorë më dorë, me tërë ata miq gazetarë që jetonim në konvikt. Ishin si trakte dijesh, si testamente të një historie të vërtetë, të një Shqipërie që duhej të dilte nga terri.
Ishim të gjithë të befasuar nga ndriçimi që na përcillin ato shkrime të sjella prej atij njeriu, që  pak ditë më parë,na ishte thuajse i panjohur, së paku për mua.
Kur të nesërmen në mëngjes, erdhi Lazri për të më pyetur për shkrimet e dhëna një ditë më parë, i thashë shkurt. “Më sill çfarëdolloj artikulli që të shkruash, dhe unë do t’i botoj të gjitha!”
I shndritën sytë nga një gëzim i përlotur dhe më përqafoj me dashamirësinë e një prindi.
Dhe ashtu u bë!
Lazër Radit i kam botuar thuajse në çdo numër të gazetës “Kombi” çdo shkrim që ai më ka sjellë. Dhe mbetëm miq, shumë miq të mirë, deri ditën që ai vdiq. Edhe në gazetën RD, ku punoja në atë kohë, e përcolla me dhimbje humbjen e një Njeriu të rrallë e të papërsëritshëm për mua.
Sot ndërsa familja e tij po i boton veprën e tij publicistike, ndjehem me fat që e kam njohur, dhe e kam patur mik të shtrenjtë, që kam mësuar në atë që unë mund ta quaj pa droje: “Universiteti Lazër Radi!”
Kjo mbasi ai nuk ishte thjesht një person, po një institucion!
Me respekt Ndrek Gjini
00353871233042
.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.