back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Nata e fundit e dy poetëve të Librazhdit Bedri Blloshmi

Gazeta

Vilson Blloshmi & Genc Leka
Vilson Blloshmi & Genc Leka

Pak rreshta për Poetët e këtij Kombi

Asnji vend i botës s’ka ma shumë poetë martirë se Shqipnia…
N’asnji vend tjetër vdekja s’ka përzgjedhë me aq kujdes
emna aq me dritë poetësh sa në kët vend…
Pse ishin poetët, Ata që e panë “Atdheun lakuriq”,
Pse ishin poetët, Ata si askush ndjenë… Saharanë shpirtnore,
Pse klithën në kupqiellë për të Drejtat e Njeriut,
dhe ulëritën para vdekjes: “Ma mirë të vdekun, se me ju!”,
Pse kërkuen edhe midis sallave te gjyqit:
“Një top, me e godite mashtrimin komunist…”
E pra, Ata ishin vecse poetë… dhe pranuen vdekjen me mbetë
ndërgjegja e gjallë e kombit të tyne…!
Edhe pse ende sot Ata, s’janë lexue as kuptue sa dhe si duhet…
E megjithatë Ata mbetën Poetë – Shpirti i këtij Kombi…
Ky përkujtim i 17 korrikut 1977, natës së fundit së dy poetëve nga Bërzeshta:
Genc Leka dhe Vilson Blloshmi,
mbetet nji klithmë në kujtesë dhe ndërgjegjet tona…
jozef radi, korrik 2013
.
Urdhri i ekzekutimit te poeteve
Urdhri i ekzekutimit të dy poetëve

Nata e fundit e dy poetëve të Librazhdit

nga Bedri Blloshmi

Errësirë… Nji mesnatë heshtjeje, dhimbjeje, dhe shprese. A do të vinte vdekja apo jeta?!
Më 18 korrik, në birucën nr. 8, ku më kishin mbyllur mbas dënimit me disa të dënuar të tjerë, polici solli të dënuarin Rustem Dashi, i cili kishte qëndruar për 35 ditë në të njejtën qeli me Vilsonin. E kishin çuar të kujdesej për të. Mbasi e kishin lidhur kokë e këmbë në qelinë nr. 2, duke qëndruar shtrirë. Sapo më pa, Rustemi m’u afrua, më dha dorën dhe filloi të më tregonte:
-Isha ca ditë me Gencin. Ishte shumë i mërzitur: I thashë: -O Genc pse… ti s’i kishe bërë ato që the tani, ç’të gjeti. – Ti e di se këta ta kanë inatin e babait… s’e kapën dot atë kur vinte dhe tani do t’i paguash ti. A të kujtohet çfarë deklarove në sallën e gjyqit? Pse e bëre? Ti kurrë s’i ke bërë ato që the, apo jo? Po s’i kam bërë por…!!
Vilsonin e kishte prerë lodhja nga qëndrimi shtrirë. Kur mpihej në njërin krah Vilsoni më lutej ta ktheja në tjetrin. Bënte shumë vapë dhe trupi i djersitej. Flokët i binin vazhdimisht. Të dy supet i ishin rrjepur nga që rrinte vetëm shtrirë. Duart i mpiheshin dhe më duhet të them se njërën prej tyre e kishte gjysmë të paralizuar që nga torturat e Tiranës. Gishtat e duarve kishin filluar t’i nxiheshin. Kishte plagë tek supet, krahët dhe kofshët. Ishin bërë 35 ditë, që kur e kishin lidhur duar e këmbë dhe me helmetë në kokë. Isha zgjuar… porta e hekurit kërciti me një zhurmë rrëqethëse… Dikush në korridor mbylli sportelet. Pastaj qetësi. Asnjë fjalë. Vetëm hapa të rëndë të gardianit dhe zhurma e këpucëve me gozhdë. U hap dera e birucës nr.1. Pas pak u hap edhe porta e madhe, e cila të çonte jashtë. Me sa kuptova aty po ndodhte diçka… Dëgjoheshin vetëm hapa dhe asnjë zë… Mendova mos kishte ardhur falja, dhe Gencit po ia hiqnin prangat. Dëgjoheshin vetëm zëra që pëshpëritnin dhe hapa që afroheshin… Shuli i derës së birucës sonë kërciti me një zhurmë po aq rrëqethëse… dhe dera u hap. Përsëri mendova… Meqë erdhën tek ne, mos i kishin falur jetën edhe Vilsonit. Ai rrinte i shtrirë me kurriz nga dera dhe i përgjumur nga mpirja… Sapo dera u hap, Vilsoni lëvizi, u mbush me frymë, bëri të shtrijë këmbët, por zinxhirët nuk e lejuan.
-Rustem, – foli ai, – kush është? Pse u hap dera, u gdhi? Do shkojmë në banjë?
Unë kisha ngrirë me shikim nga hapësira e derës… ku më zunë sytë disa civilë.
Brenda u futën Selimi, hetuesi Lulo Ymeri, shefi i policisë Nazmi Kodra dhe përgjegjësi i birucave. Shefi i hetuesisë, i qeshur dhe me llërë përveshur iu drejtua Vilit: “Hë, a të pata thënë, ja dhe fundi… Korridori u mbush plot me policë dhe civilë. E ktheva Vilsonin dhe ia fërkova duart si zakonisht. Pastaj e ngrita dhe e mbështeta pas murit. Kur ata ia zgjidhën këmbët dhe i hoqën litarin që mbante të lidhura bashkë duart e këmbët, u binda plotësisht se e kishin falur… Kisha shtangur… Rrija mbështetur pas murit dhe s’arrija të lëvizja as qepallat. Më parë, kisha dëgjuar se kur të dënuarve me vdekje, iu kishte ardhur falja, policët vinin në birucë, i hiqnin hekurat dhe kryetari i degës i komunikonte vendimin. Kurse atë natë askush nuk po fliste. Vetëm vepronin në heshtje. Ia zgjidhën këmbët, por duart jo. S’po e kuptoja ç’po ndodhte. Kishin vendosur ta vrisnin? Jo, jo! Kjo gjë s’kishte pse të ndodhte. Vilsoni nuk kishte bërë asgjë për ta vrarë. Ai kishte lexuar vetëm libra. E kapën për krahësh dhe e ngritën më këmbë. Kur po dilte drejt derës, ia hodha xhaketën krahëve. Ai u kthye nga unë dhe më pa në sy pa iu dridhur qerpikët e më tha:
-Rustem, ma bëj hallall shërbimin që më ke bërë gjithë këto ditë. Të lutem, ma bëj hallall! Të jam mirënjohës deri në këto momente të fundit të jetës.
Kisha ngrirë në vend… Po e merrnin të lidhur përpara dhe me helmetë në kokë. Buza nisi të më dridhej… dhe s’arrita t’i them asnjë fjalë. Lotët filluan të më rridhnin faqeve.
-Rustem, po të le një amanet. – vazhdoi Vilsoni, – Kur të dalësh nga burgu… të shkosh në familjen time… dhe t’u thuash se nuk i kam turpëruar… Akuzën nuk e pranova… sepse s’kam bërë asgjë… Ne ishim bashkë në gjyq. Këto që po të them janë të vërteta, ti e di. Diana me gocën të shohin punën e tyre. Ky qe fati im. Me fatin nuk luftohet… Këto do t’ua thotë edhe Bedriu kur të lirohet, por atë e kanë dënuar shumë dhe s’i dihet… Edhe një herë: Ma bëj hallall Rustem! Lamtumirë! Lamtumirë! Ktheu kurrizin dhe mua më ngelën sytë tek duart e tij të prangosura dhe kyçi që varej në prangat.
-Hajde tani, – bërtitën dhe e shtynë policët që e mbanin për krahësh.
U dëgjua zhurma e shulit që mbyllte derën. Më pas u dëgjua zhurma që lëshoi edhe porta e jashtme. Përsëri gjithçka u zhyt në heshtje varri. Dëgjohej vetëm një gërhitje që vinte prej një biruce tjetër. Dikush flinte, ndoshta të gjithë, ndërsa unë jo. I rashë sportelit dhe i kërkova policit një cigare që s’vonoi të ma sillte. Ulur në dyshemenë e birucës thithja papushim cigaren, duke parë vendin ku pak më parë kishte qënë shtrirë Vilsoni… tani ishte bosh. Më bëhej sikur Vilsoni më thoshte: – Rustem u mpiva, shpatullat me dhembnin shumë, shikoja përreth… por asgjë nuk shikoja. Prapë zëra… hapa të rëndë… Veshët më buçisnin… Rusteeem maaa bëj hallaaall… thuaju në shtëpi kur të lirohesh…
U ngrita në këmbë, dhe iu afrova ku ishtë shtrire Vili. Dërrasat ishin akoma të nxehta jo nga vapa… nga trupi i tij… Një batanije rrinte e hapur ashtu siç e kish lënë Vili kur e morën… Si të bëja? Vendi s’më mbante. Nganjëherë mendoja: Ishallah i kanë thirrur lart në zyrë për t’i komunikuar faljen. S’e di, po përse? Çfarë të besoja? Mendimi më ishte turbulluar. Përse më tha Vilsoni që kur të lirohesha: Shko në shtëpi? A e kuptoi Vilsoni që e morën për ta vrarë? Po përse po e vrasin, për librat, për përkthimet? Jo, kjo s’është e mundur! Isha krejt i përhumbur dhe vetëm kërcitja e shulave më bëri të kuptoj se kishte zbardhë dita. Kur dola në banjë i thashë policit të më hiqte prej asaj qelie… Jo s’mund të qëndroja më aty. Dhe ata më sollën në këtë birucë. “Ah, more Bedri! S’ke ç’të bësh, bëhu i fortë, më keq është për prindët, për gocën e vogël që s’e pa asnjëherë…Po Diana tani ku do mbytet?
U shqetësova jashtë mase nga rrëfimi i Rustemit për vëllanë. U binda se Vilsoni dhe Genci tani nuk jetonim më. Izolimi në birucë sa vinte dhe më bëhej më i papërballueshëm. Sa herë dilja për në banjë hidhja sytë në fund të korridorit tek birucat 1 dhe 2… E dija që ata s’ishin më…
Nuk mbaj mend se pas sa ditësh të rrëfimit të Rustem Dashit, i kërkova përgjegjësit të birucave të më largonte një orë e më parë prej aty. Nuk mund të qëndroja më në atë vend… më bëheshin zëra… të kolliturat e Gencit dhe Vilsonit… me bëhej zhurma e zinxhirëve kur i zgjidhnin tek dera e banjës përballë birucës time. Çdo ditë hidhja sytë nga birucat e tyre… por asnjë shenjë polici s’kishte… Nuk doja ta besoja, por ajo ishte e vërtetë. Kishte mbërritur vdekja. Pas disa ditësh më nxorën nga dhoma, më hodhën prangat, më hipën në një makinë të veshur me llamarinë. Pas disa orë udhëtimi, u ndalëm dhe zbrita në një oborr të rrethuar me tela me gjëmba. Përmbi murin e lartë ngriheshin karakollet me ushtarë në gadishmëri me kallashnikovë në duar dhe gishtin në këmbzën e shkrepjes. Godina e verdhë tri katëshe quhej “kaush”. Aty mësova se isha në burgun e Tiranës.

Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Shënim: Atë natë policët më dhanë ushqim me forcë. Rashë në gjumë i vdekur. (Ata diçka më kishin hedhur në ushqim.) Kur u ngrita në mëngjes për të shkuar në banjë, hodha sytë nga birucat e Gencit dhe Vilsonit, por polici s’ishte më. Më ra të fikët. Të nesërmen në darkë munda të dilja pak nga kllapia… Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin i kishin vrarë atë natë të nxehtë e të errët korriku…

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. 



Loro Dushku
    Tmerr i vërtetë, të trajtosh kështu shkrimtarët.
    Kur dëgjon se Ismail Kadare pretendon të jetë përndjekë, ç’ironi…! kur lexon se të përndiqej personi, pësonte fatin e dy të rinjëve… edhe këtë Ismaili e ka dijtë mirë.
    Marrë nga Muri i fb 24 mars 2014

  2. Ilir Prifti
    S’na bën zemra as dora për “like”. Na duket sikur po i lëndojmë prapë ata. S’mjafton fjala e dhimbshme për t’u shprehur. Pandjeshmëria dhe mospërfillja ndaj këtyre krimeve është e pafalshme për ndërgjegjen e kombit tonë.
    Faleminderit për shkrimin Jozef.
Marrë nga Muri i fb 23 mars 2014

  3. Zoti Bedri, shkrimet i ke bërë shumë të bukur por është fatkëqësi për të burgosurit politik që juve ju vendosën në postin e Drejtorit. Ti je servil i pashembull i pafytyre nuk ke shok si vetja, por zoti do veproj perseri te familja jote. Ty nuk te flet askushi me goje as vllezerit as fshati se je mosmirnjohes.

  4. Unë kam punuar gjatë pushimeve të verës në fermë e Karkavecit, isha 15-16 vjeç dhe dëgjoja të flitej si nëpër dhëmbë për Genc Lekën.
    E lexova këtë shkrim, po kam lexuar edhe më përpara, por jo gjithçka! Në kët momenet që lexova për Gencin u preka shumë, mbi të gjitha kujtoj prindët e tyre, çfarë dhimbje të tmerrshme që kanë pësuar.
    Kjo dhimbje duhet treguar që të mos ndodhin më të tilla fatkeqësi!!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.