Mustafa Kruja si studjues – nga Zef Valentini – dhe njё bisedё rreth Tij

0
22
Mustafa Kruja & Zef Valentini
Mustafa Kruja & Zef Valentini
Mustafa Kruja & Zef Valentini
Mustafa Kruja & Zef Valentini
Mustafa Kruja, pёr tё cilin dhe kam shkruar dy artikuj,ёshtё ndёr ato figura
poliedrike tё viteve tё arta midis dy luftrave botёrore, vite qё s’vijnё mё.
Pёr mua ёshtё njё nga mendjet mё tё ndritura qё Shqipёria e viteve 1912-’44 nxorri.
Mёsues, letrar, politikan, patriot dhe nacionalist i klasit tё parё,
deri nё momentet e fundit tё jetёs sё tij. Njё njeri qё la gjurmё
nё historinё bashkёkohore shqiptare, pёr tё cilin mendoj se ёshtё spekulluar shumё.
Eni Papa
Mustafa Merlika - Kruja (A.Morina)
Mustafa Merlika – Kruja (A.Morina)

Mustafa Kruja si studjues – nga Zef Valentini

60 vjet mё parё ndёrroi jetё Mustafa Merlika – Kruja

(1887, Krujё – 1958, Niagara Falls)

Besoj se edhe pёr ndonji qi, si un, ka pasё fatin me njoftё nji shumicё tё madhe njerzish tё letrave e shkencёtarё tё kombёsive, kulturave e vlerave tё ndryshme, me pasё njoftё kaq prej s’afri Mustafa Krujёn ka qênё nji fat i pashoq.
Kam njoftё tё tjerё, mâ tё talentuem si letrarё; tё tjerё mâ tё pajisun, pёr merita tё tyne apo jo, me nji formim tё rregullt nё metodёn shkencore; asnjânin qi tё ketё mbёrrîmё nё rendimentin e tij nё pёrpjestim me mundsítё qi jeta i lejonte.
Thjeshtёsia e familjes mezi i dha mundsí tё kryente studimet pёr karrierё administrative nё Perandorinё Osmane. Qysh nga fillimet e vetё karrierёs u zhyt nё nji jetё politike vepruese, tepёr tё ngarkueme e luftarake pёr Rilindjen Kombёtare; dy herё, nё vjete tё gjata iu desht me jetue nё mёrgim, nё kushte nё tё cilёt ndjente bukur shpesh mungesёn e mjeteve, çvendosjet, shpresat, iluzionet e mallin ligёshtues, gjithmonё tё gjallё e gjithmonё zhgёnjyes qi i kthejshin tё mёrguemit e shkretё n’andrratarё pёr inerci, madje nё vesakeqё. I shtojmё kёsaj se lloji i studimeve tё tij – gjuhёsia – kёrkonte ndihmёn e vazhdueshme tё nji biblioteke dhe bisedёn e gjallё me popullin, ndёrsa biblioteka e vet, aq e pasun sa âsht shumё e vёshtirё tё gjindet nji e tillё nё mbarёshtim tё nji privati, mbeti gjithmonё e ruejtun ke miqtё n’atdhe e ai tjetёr bisedё nuk mund tё bânte veçse rastёsisht me tё tjerё t’ikun.
Duhet tё pёrfundojmё se, i pajisun me nji mprehtёsí tё jashtzakonshme e nji kujtesё tё fuqishme, ai ishte i nxitun prej nji dashunie gjithmonё tё gjallё pёr kulturёn e, pёr mâ tepёr nga nji pasjon i vёrtetё vetiak, jo thjesht nji pasjon puntori, por nga nji pasjon i madh.
Mund tё mos ishe nё nji mêndje me konceptet e metodat e tij politike, por âsht absolutisht e pamundun, jo me mohue, por edhe vetёm me dyshue se pasjoni epruer, madje i vetmi qi bashkёrendonte e urdhnonte tё gjithё tё tjerёt e tё gjithё veprimtaritё e tij, ishte dashunia pёr atdheun; nji dashuni aspak retorike, por e gjitha vepruese, qi lёvizte ndёrmjet dy skajeve tё ruejtjes apo rivendosjes sё vlerave tё vёrteta tё kombit dhe ngritjes sё nderit tё tij, mbi tё gjitha moral e kulturor.
Cilido qi ka pasё rastin tё kёndojё edhe vetёm njenin prej artikujve tё tij tё filologjisё, nuk ka mundun mos me vёrejtё sasinё e pamasё tё lândёs sё mbledhun prej tij, pёrherё e pranishme nё kujtesёn e vet. Prej dyzet vjetёsh nuk ka pasё asnji fjalor tё botuem, madje edhe çdo glosar i thjeshtё qi tё mos jetё shqyrtue prej tij nёpёrmjet mijra vёrejtjesh, shtesash, ndreqjesh, tё gjitha tё dokumentueme bollshёm e me saktёsi. Miqtё e tij dhe ata qi qênё kolegё tё tij nё Institutin e Studimeve Shqiptare tё Tiranёs kanё pasё mundёsí me marrё nёpёr dorё 12 vёllimet e trasha tё dorёshkrimit nё formё protokolli, tё cilёt, sikur tё mos kishin mbetun tё pabotuem, sigurisht do tё pёrbâjshin fjalorin e parё tё madh e tё vёrtetё tё gjuhёs shqipe. Sa herё nё diskutimin e çfarёdo hollёsie gjuhsore, nё selinё e komisionit filologjik apo atij letrar, nji grup i shёndoshё kompetentёsh gjîndej nё mёdyshje, po aq herё pёrdorimi i atij fjalori, qi ai e vente nё dispozicionin tonё, zgjidhte problemin nё mёnyrёn mâ tё kёnaqёshme.
Kjo i kushtohej dhuntive tё tij prej puntori qi u cekёn mâ sipёr, pa dyshim; por jo mâ pak, e ndoshta mâ shum nji ndîje tё gjashtё tё gjykimit nё gjendje me kuptue, tё matun e tё barazpeshuem qi pak vetё do ta kishin pёrfytyrue ke ai po tё mos e kishin njoftё pёr s’afёrmi.
Pjerremi me besue se dhuntí tё tilla si kёto qi pёrmêndёm janё vetí tё njerёzve qi nё jetёn publike kanё nji shestim demokratik tё cilin e bâjnё me rrjedhё mandej edhe nё jetёn vetiake, deri edhe n’atê tё studimit. Mustafa Kruja qi nuk rridhte nga nji fis tё parёsh dhe as nga nji rod feudalёsh, prej tё cilit pritej me u pa nё qёndrime demokratike tё programueme, nuk tregoi kurrё nji tё tillё; e vetmja demokraci e tij qёndronte nё çmimin e vlerave, ngado qi ato tё vijshin tё shqueme e tё vёrteta, pёr tё vёrteta ai kuptonte ato qi ndershmёnisht e me zell tё madh i shёrbejshin nji çâshtjeje tё drejtё; pёrballё tyne, me sjelljen e nji zotnilliku tё hollё e tё matun, qi ishte vetí e personalitetit tё tij, gjithmonё i nёnshtruem idealit, dinte me dhânё ato shênja tё miqёsisё sё vёrtetё qi qёndrojshin nё vlerёsimin e nё pranimin e ndershёm e tё arsyeshёm n’intimitetin e idealeve tё tij.
Prandêj edhe nё jetёn e vet tё studjuesit ai dinte me mbajtё nё bashkёpunimin e nё rrahjen e mundёshme tё mendimeve nji vijё tё qartё e tё sinqertё, tё mbёshtetun jo nga mёnyrat e tij mjaft tё prême tё drejtuesit tё vetёdijshёm e tё njohun, por mâ shum nga qёndrimet e barazpeshat e arsyeve tё tij.
Ndoshta do t’ishte e tepёrt me mёtue nga filologu apo gjuhtari nji ndîje gaztorije qi i âsht kaq e dobishme e herё herё e domosdoshme filozofit moralist apo politikanit; ndёrsa duhet tё pranojmё se nёse ka qênё ndonji gjâ qi e ka damtue Mustafa Krujёn nё jetёn publike, ka qênё pikёrisht ndîja e tij e pakёt e gaztorís n’at’ ânё, ndoshta e rrjedhun nga ndershmёnía e vet qi e bânte me e provue shumё tё rândё pёrshtypjen e pёrgjegjsís. Ndёrsa nё republikёn letrare ai kishte nji gaztorí tё bâme simbas traditave mâ tё mira shqiptare, mâ shumё prej fabulash e episodesh tё mbledhuna e tё kallzueme me atê vetёpёrmbajtje tё hollё qi i bânte mâ tё lezetshme. Ai dinte me pёrdorё nё kritikёn nji tё tillё ndîje gaztore; shum mâ mirё nё bisedё, nё tё cilёn urtia e sjelljes dhe njerzia e buzёqeshjes e bâjshin tё pranueshёm; nё mёnyrёn e tij tё shkrimit, nё tё cilin gjithshka ishte qênёsore, jo gjithmonё ai dinte me dhânё atê pёrshtypje tё butsís qi duhej t’ishte e veçanta e humorizmit tё pёrqindjes sё nâltё: mungonte si portreti i fytyrёs sё tij anash apo poshtё shkrimit tё fjalёve. Por ato qi gjithmonё tejqyreshin ishin dý dhuntítё e mёdha qênsore tё personalitetit tё tij: ndershmёnia e tij e thellё dhe e sinqertё, pasjoni i tij pёr atê qi e mbante si thesarin mâ tё madh kulturuer t’atdheut: gjuhёn e tij.
Nuk âsht se ai nuk çmonte edhe tё tjerё thesarё kulturuer kombёtarё. Mё pёlqen mes tё tjerash me thânё se ai, i lindun mysliman, kishte vlera shpirtnore tё krishtênimit, gjithё atê vlerёsim qi mund ta quejmё tradicional tё atdhetarёve mâ tё mirё e mâ tё kulturuem shqiptarё myslimanё. Po ashtu mё pёlqen me dёshmue kёtu qi, tue qênё se m’âsht dashtё m’u marrё me studime mbi traditёn juridike shqiptare, kam gjetun ke ai nji nga kumtuesit mâ tё dijtun e mâ tё mprehtё, jo vetёm sa i pёrkitte krahinёs Kurbin – Krujё – Arbёn, por edhe pёr tё tjera krahina qi ndryshojshin prej saj; po e njâjta dashuní pёr kёta thesarё kombёtarё sikurse edhe pёr ata tё lâmёs gjuhsore, ndёrsa mprehtёsia e fitueme nё selinё filologjike ishte gjithmonё e pranishme nё mbarёshtimin e koncepteve juridike.
Tё gjithё duhet tё mёsojnё prej tё gjithёve, pavarёsisht çfarёdo kundёrshtíe tё tyne; duhet tё shpresojmё qi kur tё jenё fashitё fanatizmat e ngeluna nga ndodhí tё dhimbshme qi kanё fshî prej shpirtnave aq tradita tё vlerta, mâ shumё se sa mjetet e luftёs kanё shkatrrue monumentet, edhe ata qi nuk do tё mund tё kuptojshin mendimin dhe veprimtarinё politike tё kёtij personaliteti tё jashtzakonshёm, tё dijnё se kudo qi tё lypet dashuní e madhe pёr nji idé kulturore, zelltarí e ndershmёní, ta vlerёsojnё e t’i ndjekin shembullin.
“Shêjzat”, Vjeti i III, Nr. 1- 2, Kallnduer-Fruer 1959
Pronar: Ernest Koliqi
Kryeredaktor: Martin Camaj
.
Marrё nga Voice of Albanians voal.ch
Shejzat e Koliqit - 1971
Shejzat e Koliqit – 1971

dhe njё bisedё rreth kёtij shkrimi…

Sabina Darova: Edhe pёr mua. E kam lexuar dhe me ka befasuar. Njё studjues i shkёlqyeshёm i gjuhёs shqipe. Mund tё m’i dёrgosh dy artikujt e tu?!Eni Papa po Sabina. por neser, se pertoj te hap pc.
 
Sait Saiti: Inercia qё patёn kuadrot e shkolluem nё Mylkije ka kenё mbresёlanёse, brezi i Tafёs qё ishin nacionalista qё iu ndryshuen botёkuptimet sipas situatёs dhe interpretimit vetjak, ishin personazhe tё gjallё politikisht, por si zor me u thanё largpamёsa.
 
Eni Papa: Kruja pёr nga bindjet ka qenё njё nacionalist par exellence. Largpamёs Sait, pasi pёr ta komunizmi ishte shkatёrrues pёr Shqipёrinё… e aty s’gabuan.
 
Sait Saiti: Nacionalist ishte edhe Haxhi Qamili, edhe Esad Pasha, por nё tjetёr takёm. Po tё ishte Kruja largpamёs nuk do tё pjekej nё 1943, me Zogun mbas +20 vjetve konflikti politik: ishte bash miopia e Krujёs me shokё qё i prishёn punё mjaftueshёm terrenit politik sa me pasё vakum dhe me mbî ndikimi komunist. Zogu mbeti i vetmi politikan real i parakomunizmit shqiptar pёr diçka afatgjatё.
 
Eni Papa: Nacionalist qё donte baben? Dhe Esadi nacionalist??? Ku e krijioi vakumin Kruja? Ai ka qenё nё ekzil dhe kthyer ne Shqipёri mё 1939. Zogu ishte nё kondita tё tjera nga ata qё ishin nё Shqipёri. Plus kishte para pёr ta financuar antikomunizmin.
 
Sait Saiti: Normal, baba i vatanit sulltani ishte, kishte 400 vjet ai raport, nuk do tё rrёzohej pёr 2 vjet. Normal qё edhe Esadi nacionalist, pёr vatan e mbajti rrethimin nё Shkodër. Kruja i vuni pistoletёn kryeministrit, mori pjesё nё kryengritje, rrogёtar i shёrbimit sekret italian, aman. Zogu garёn e nisi nё tё njejtёn kohё me tё, por 20 vjet, filtri ishte xhelozia.
 
Eni Papa: Mё thuaj njё politikan qё s’ka marrё para nga njё shtet tjetёr, mqs po pёrmend qё Kruja ka qenё rrogtar i Italisё.
 
Sait Saiti: Ai politikan qe punoi me ba shtet.
 
Mimoza Karagjozi-Kore: Eni edhe mendimet qё ka dhёnё nё gjuhёsi, janё shumё tё sakta. Pёr prejardhjen e shqiptarёve ka njё artikull shumё tё mirё dhe aktual pёr ditёt e sotme… t’ua vesh pёrpara “pellazgologёve” ta lexojnё.
 
Jozef Radi: Duke qenё figurё shumplanёshe sigurisht ka qenё mjaft largpamёs, sepse politika nuk pёrban thelbin e figurёs sё Mustafa Krujёs. Tjerat sigurisht! Sot, kur shohim vetёm rendimentin negativ nё politikё, tё nji personaliteti shumplanёsh, dёshmojmё se ende s’kemi mbrritё me i veçue si dueht vlerat mbrenda nji individi tё kёsaj pёrmase. Mandej njё figurё si Merlika (intelektual klasi) pёrballё nji Zogu (tё argasun nё beteja e nё politike pёrfide) s’mundeshin me shkue kurrsesi aq mirё…! Kёshtuqё, simbas meje Merlika mbetet gjigand pёr kohnat qё vijne, edhe pse nё politikё nuk realizoi atё çka do t’ishte ma e mira e tij.
 
Sait Saiti: Thelbi… thelbi i Merlikёs ishte se donte me i ba tana, edhe shkrimtarin, edhe gjuhёtarin edhe politikanin, edhe grushtshtetasin, edhe mёsuesin. Poliedrik po, por askund nuk asht figurё kyçe e ndoj gjaje tek ne. E hante meraku pёr gjuhёn, nuk e mohoj, letёrkёmbimet e tij janё pasuni. Ka lanё edhe publicistikё tё dendun ku e tregon sa e ka pasё me kimet. Individin nuk e di a mund ta peshojmё, por kontributin e tij historik mundena me e vlerёsue nё dritёn reale tё krejt kohёshtrimjes dhe jo vetёm pёrballё komunizmit siç e redukton Eni.
“Merlika intelektual klasi… Zogu beteja e nё politikё perfide…! Zogu s’i bani dy herё me radhё grusht shteti Shqipnisё, Merlika po. Tё dy janё figura tё historisё sё kombit dhe shtetit shqiptar, dallimi qёndron se shteti asht materializimi i aspiratave tё kombit, Zogu s’e ka destabilizue ndojherё, Merlika po. Pajtimi i Merlikёs me Zogun nё 1943, asht krejt “mbas pilafit”, i pari vetёm atёhere e kuptoi gjanёsinё e optikёs sё tё dytit, kur u gjallnuen tё kuqt. Kёtu i lejoi vedit lirinё pёr me thanё: shumё vonё. Megjithёse historia s’asht se duhet gjykue, por ne e kena tё freskёt dhe me pasoja disafishe, kёshtu qё kёta vis-a-vis na ftojnё me i vu do pluse e minuse.
 
Eni Papa: Sait ta pёrmenda komunizmin, kur pёrmende largpamёsinё. Por, unё e vlerёsoj Krujёn nё tёrёsi, e jo vetёm 1943-1958. Pse tё duket “pas pilafit” njё bashkim i tij e i shumё politikanёve tё tjerё me Zogun pas 1943-1945?! Unё mendoj se rreziku i komunizmit ishte mё i madh se hatёrmbetjet personale.
Ndryshe i bie qё dhe Roosvelt e Churchill kanё bёrё gabim qё u aleancuan me Stalinin pёrballё rrezikut tё Nazizmit.
 
Sait Saiti: Pse bashkёpunoi me komsat n’1924 pra, largpamёsia e tij?! M’duket mbas pilafit sepse njerёz si Kruja, qё intelektualisht jo se nuk i çmoj, ishin aq tё domosdoshёm pёr kombformimin tonё dhe asht me t’ardhё keq se sa energji kote shpenzuen vetёm pёr xhelozi karrigesh sepse s’puqeshin dot pёr diçka ma tё madhe… Ndёrkohё qё shumё mirё atё institut qё hapёn nё kohёn e Italisё mund ta kishin hapё kohё ma parё.
Komunizmin shtetari i vetёm qё patёm e kishte nёn kontroll, largpamёsit si Merlika po ta dijshin realisht ç’asht komunizmi nuk do tё rrinin n’uzdajё tё italianёve, por do t’i shёrbenin vendit sa ishin mundёsitё. Ky asht perceptimi jem mbi Merlikёn dhe çka e rrethon. Sa pёr Roosvelt e Churchill me Stalin, nuk merrem me shpitё e hueja pa njoftё temen.
 
Jozef Radi: Sait, mos ia zvogelo fushёpamjen Merlikёs, sepse e di qё hera-herё e njef ma mirё se unё… Merlika me Zogun nuk kanё pasё konflikte komunizmi, as “kop(m)sash”, megjithatё e ndjej se i ke do parafabrikate ndaj Merlikёs, qё edhe t’i justifikoj… Unё mbetem i idesё se Merlika ka dhanё kontribute si pakkush nё arealin shqyptar. Sigurisht kёt areal me e gjykue asht shumё ma e lehtё se me iu futё llumit pёrmidis, me u pёrplasё e me marrё pёrgjegjsina… Merlika si njeri i veprimit, po edhe si intelektual i dorёs sё parё, nuk ndejti me pà, po iu fut kёtij areali ku sigurisht u pёrplas e duke reflektue, duke e shtri dorёn, pa lshue askund dromca prej dinjitetit tё tij… kundrejt atyne taksave qё po i paguen (padrejtesisht) sot e kёsaj dite…!
Mustafa Kruja - Merlika: Botim
Mustafa Kruja – Merlika: Botim
Eni Papa: Me 1924 bashkёpunoi me Nolin se ishte anti-zogist. Me duket se e eksagjeron postin e tij si prefekt i Shkodrёs me ’24 si bashkёpunim me komunistёt.
Fatkeqsisht ende vazhdojnё klishetё e tradhёtarit dhe tё tё vlerёsuarit bardhё e zi kundёrshtarёt e anatemuar gjatё komunizmit.
 
Jozef Radi: Nuk hyn Saiti ndёr kёta… Saiti asht i thukёt e i mprehtё…
 
Eni Papa: E kam nё pёrgjithёsi, jo pёr Saitin, pasi me tё po bisedojmё. Kjo u duk e me mёnyrёn se si u diskutua mbi Mit’hat Frashёrin, me rastin e kthimit tё eshtrave tё tij.
 
Sait Saiti: Nuk mendoj se m’ka mbetё ma ndoj parafabrikat, vite pёrpara nё shkollё kur lexosha ç’shkruente Ardian Ndreca m’hynёn nё qejf tanё ata qё hyjnё te “antizogistat” e i kam lexu nji pёr nji ç’kam gjetё tё botueme prej tyne, pёrfshi krejt letёrkёmbimin, pёrkthimet, materialet dokumentore tё Merlikёs nё fjale, mundёsisht kam hy edhe nё Arkivin Qendror me bubrrue ndojgja pёr mirakande temen. Kur m’ra perdja e mitit tё kёtyne qё vetёm politikanё nuk ishin, por ndoshta politikanё tё angazhuem, kuptova qё kanё shpenzu dekada shumё tё çmueshme vetёm pёr punё karriget. Krejt situata asht komike, Zogu veshej si nё teatёr, kёta shkruejnё me tё thanё mendja “Franca e 1700-s”, por sido me kenё Zogu mbetet ma i zoti nё realpolitikёn tonё tё voktё pa shumё qedere. I hyni politikёs, bani luftёn e tij (robi ka respekt pёr kё lufton pёr atё qё beson) dhe pёrfundoi t’u marrё rrogё prej italianve. Dinjiteti i tij, nuk e di a asht pёr t’u diskutu kjo, por si firmёtar i pavarёsisё mu m’bajnё shumё çudi dy grushtet e gjysё qё i dha shtetit pёr tё cilin vetё kontribuoi tё formohej. Kam pёrshtypjen se inercia e kuadrove qё dolёn nga Mylkija, tuj kenё se delnin prej nji realiteti perandorak, vijonin me pasё synin e madh pёr vedi dhe kishin ego perandorake pёr ku duhet tё ishin nё politikё.
 
Eni Papa: Sait unё them ka qenё koha e tillё. Nuk ishte e lehtё tё bёje politikё, nё njё ambjent injorant e plot skamje.
 
Jozef Radi: Politika ka nji fasade dhe nji brendi… Tё gjithё ne kur lexojmё mbrendinё qeshena se jemi mёsue tashma me fasadёn. Leximi historik i politikёs kёrkon me i kuptue do mekanizma qё ekuilibrojnё fasadёn me brendinё… Unё shpesh kam lexue qesharaken e fasadёs politikё, po nё fund tё fundit gjykimi i historisё s’lejon asnjenin prej nesh qё çdo detaj tё sё vёrtetёs ta shohё me lenten e moralit tё vet, e lanё jashtё tabllonё e madhe qё nuk zhbahet ma. Shumё histori politike kanё mbas blemje e shitje (si nё merkaton e futbollit) por nё fund tё fundit duhet pa ajo çka asht ende (mirё a keq) me sytё historike tё rrethanave kur ndodhin ngjarjet… e jo thjesht vogёlsitё e çdo protagonisti… e mandej edhe me i ra kresё jo si historian po si nji gjykatёs cinik qё s’ban asnji kompromis me ligjin…
 
Sait Saiti: Morali i vetёm qё i shoh asht dobia qё i pruni kombit puna e veprimtaria. Nuk m’rezulton!
 
Jozef Radi: Kur tё gjesh ndonji tё dobishёm Sait, na lajmёro edhe ne tjerёve…
 
Sait Saiti: Naltmadhnia e Tij, i vetmi qё nuk bani pazare me sovranitetin dhe dinjitetin e vendit tё vet pёr xhelozina apo kolltuqe.
 
Jozef Radi: Respekti im i madh ndaj Naltmadhnise, s’mё pengon asnji qerpik me e pa Mustafa Krujёn, si figurё e ndritun, po edhe e vyeshme si oponente, e qё oponencёn s’e ktheu nё potere (ti thu dy grushte shteti), por n’ezil bani atё pjesё vepre qё ka me e mbajtё tё ndritun, si zotni qё ishte, nё 360 gradё personalitetin e tij. Shtroj nji pyetje tё thjeshtё: A ekziston ndonji mundёsi (te brezat e rinj?!?!) me i pa personalitetet nё shumplansinё e tyne, pak ftoftё, dhe e dyta shkrimi nё fjalё qё po e mbajmё si referencё diskutimi, flet pёr vlerat shkencore tё Mustafa Krujёs dhe aspak pёr figurёn e tij politike… pёr korrektesё tё faqes ku jena, po edhe autorit (Zef Valentini) tё mund tё mos flasim jashtё kёtij ulluku ku asht futё padrejtёsisht biseda…!!
.
 
 

 

Related Images:

Artikulli paraprakRevista Letrare (1944) – Nji revistë e re
Artikulli tjetërShtëpia e Pëllumbave – Cikël poetik nga Lutfi Alia
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.