back to top
18.5 C
Tirana
E martë, 19 Maj, 2026

Musine Kokalari dhe themelimi i “Bashkimit Demokratik Shqiptar” – nga Leka Ndoja

Gazeta

Musine Kokalari & Ramadan Sokoli 1945 - Libraria Venus
Musine Kokalari & Ramadan Sokoli 1945 – Libraria Venus
Musine Kokalari dhe themelimi i “Bashkimit Demokratik Shqiptar”
42 vite nga vdekja e disidentes së parë Musine Kokalari
nga Leka Ndoja

Përballë regjimit të ri pas L2B, në mars 1945 – intelektualë të papajtueshëm me regjimet diktatoriale krijuan një opozite të re. Musine Kokalari themeloi një nga grupacionet kryesore opozitare si kryetare e partisë social-demokrate.
Opozitarët, pranë Misioneve britanike dhe amerikane kishin paraqitur pikpamjet e opozites së re në takimet e dendura të Nën/Kolonelit Egel Palmer dhe majorëve Smith, Arnot, Leon etj.
Po cilët ishin opozitarët e parë.
Përfaqësuesit e Komitetit inisiator të përbërë nga tri grupimet: e Rezistencës të lidhur me të arratisurit në male, (Hysni Demën), të Monarkisë kryesuar nga Qenan Dibra dhe të Partisë Social-Demokrate drejtuar nga Musine Kokalari.
Nisur nga kredencialet e sugjeruara nga anglezët, mbledhjen e dytë më 20 nëntor 1945, në shtëpinë e Shaban Ballës e drejtoi Gjergj Kokoshi. Ai ra në mosmarrëveshje me Musine Kokalarin për pikat e hartimit të Memorandumit dhe krerët e grupeve. Musineja kërkonte të përfshihej në Memorandum kërkesa për Zhvillimin e një Plebishiti në Kosovë për vetëvendosje.
Me datën 22, në mbrëmje pa praninë e Kokoshit që (nuk u lajmërua nga grupet) është përpiluar Nota apo Memorandumi, hartuar nga Qenan Dibra dhe Musine Kokalari për shtyrjen e zgjedhjeve te 2 dhjetorit 1945, shoqëruar me programin e Partisë “Bashkimi Demokratik”, në një mbledhje të zgjeruar të opozitës në shtëpinë e Ali Kavajës.
Pas tri ditësh Memorandumi sipas udhëzimeve të Qenan Dibrës u nënshkrua në Zyrën e tij Juridike nga avokat Zenun Dibra. Atë natë Shaban Balla mori përsipër dorëzimin e Notës në Misionin Britanik dhe një kopje iu dërgua Misionit Ushtarak Amerikan, që drejtohej nga Harry Fultz.

Të tri drejtuesit kryetari i Grupit të Rezistencës: Sami Qeribashi, Qenan Dibra i Grupit Monarkist dhe Musine Kokalari kishin rënë dakort që Gjergj Kokoshi të ishte kryetar i kësaj organizate pasi u konsiderua se ai kishte kredencialet e duhura, i shkolluar në Paris por edhe si: anëtar i Frontit, ish deputet dhe Ministër i Arsimit dhe Kulturës Popullore sipas parapëlqimit të aleatëve.
Më 23 nëntor 1945, përfaqësia e opozitës dhe Musine Kokalari i kërkuan një takim shefit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri Nën/Kolonel Egel Palmer, të cilit iu dorëzua një memorandum ku i bënte thirrje Britanisë së Madhe dhe aleatëve që të siguronin zgjedhje të lira dhe demokratike në Shqipëri. Ky grupim nuk iu kundërvu drejtpërdrejt Frontit por me përfaqësuesit e saj u përpoq të përhapte në një frymë pacifiste opozitarizmin në kundërshtim me propagandën e Frontit përmes Partisë Komuniste, e cila propagandonte përçarjen e Aleancës Antifashiste të SHBA, Anglisë dhe BRSS për të vendosur përfundimisht diktaturën në Shqipëri.
Përmbledhja e programit shkruar nga Musine Kokalari ishte kjo:
1)Miqësi me Shtetet Demokratikë dhe sidomos me shtetet fqinjë;
2)Zgjidhja e Problemit të Kosovës me anën e një plebishitit ose simbas Konferencës së Paqes;
3)Respektimi i të drejtave të pakicave;
4)Zbatimi i të gjitha reformave shoqërore në bazë të traditavet;
6)Të lëftohet çdo element fashist e profashist;
7)Të njihet neutraliteti i Shqipërisë nga fuqitë e mëdha;
8)Të mbahet një fuqi e armatosur sa për sigurimin e qetësisë së mbrëndëshme.
Pika e fundit e Programit e Partisë Bashkimi Demokratik ishte reduktimi i forcave të armatosura në standartet e një vendi që tashmë ka dalë nga lufta dhe është vendosur paqja, duke kundërshtuar politikën e mbajtjes së pushtetit politik me po ato struktura ushtarake të gjatë luftës, një praktikë që vijoi edhe në vitin 1945, kur vepronin ende si njësi administrative këshillat Nac. Çl.
Nota për zgjedhje të lira e demokratike të redaktuar nga Musine Kokalari, u nënshkrua nga anëtarët e opozitës.

Gjyqi i Deputeteve - Masaker intelektuale dhe nacionaliste
Gjyqi i Deputeteve – Masaker intelektuale dhe nacionaliste

Musineja e ka pranuar ballëhapur në gjyq këtë meritë sfiduese të hartimit të Memorandumit të dorëzuar zyrtarisht Misionit Britanik në Tiranë, ku i drejtoheshin “Aleatëve të mëdhenj” për vendosjen e demokracisë në Shqipëri.
Një akt i tillë politik mbeti i izoluar në historinë e opozitarizmit dhe për këtë arsye unik dhe me rëndësi historike të dorës së parë. Pasojat e ndëshkimit që do të binin mbi këtë grupim nuk do të ndaleshin vetëm në këtë gjyq, pasi Sigurimi i Shtetit dhe Enver Hoxha do të ndërprisnin marrëdhëniet me aleatët anglo-amerikanë dhe do të përndiqnin elementët e dyshuar sipas skenarëve nga më hipotetikët si “rrezik i përhershëm” për regjimin komunist.
Përveç 37 të dënuarve në procesin kundër Bashkimit Demokratik, dëshmitarë të shumtë të rekrutuar, kanë sjellë edhe manipulime të fakteve në gjyq për të rënduar “të pandehurit”. Misioni i Sigurimit të Shtetit në këtë gjyq përmes dëshmitarëve, ishte sigurimi i provave sikur ky grupim ishte i lidhur dhe i financuar nga “kriminelët e luftës” ose “të arratisurit” që të “pandehurit i quanin nga ana e tyre si “Kundërshtarë Politikë të Qeverisë” si Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dineja dhe Hysni Dema.
Në këtë proces u përfshinë 75 persona prej të cilëve 9 morën dënime kapitale dhe të tjerët (24) u dënuan me burgime të gjata, Pjerin Shala u dënua me një vit dhe 3 u shpallën të pafajshëm. Të 37 të dënuarve iu shtua masa e sekuestrimit të pasurive të luajtëshme dhe të paluajtëshme.
Leka Ndoja – “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, ISKK, 2015.

Foto: Musineja në Librarinë e saj, viti 1945 dhe në gjyq, tetor 1946.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.