back to top
17.5 C
Tirana
E hënë, 17 Nëntor, 2025

“Dasma e Kadaresë” dhe Bilal Xhaferi… – nga Gëzim Llojdia (Si e kritikoi Kadarenë në promovimin e romanit “Dasma”?)

Gazeta

Libri i Dashnor Kaloçit - “Kadare i denoncuar”
Libri i Dashnor Kaloçit – “Kadare i denoncuar”
“Dasma e Kadaresë” dhe Bilal Xhaferi…
nga Gëzim Llojdia
Si e kritikoi Kadarenë në promovimin e romanit “Dasma”?

Pjesë nga diskutimet.
1.
E dielë, 28 prill 1968. Në gazetën “Drita”, publikohet shkrimi pa autor: “Letërsia për klasën punëtore është letërsi për jetën e re”. Shkrimi fillon pak a shumë kështu: “Në 24 prill në klubin lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve u zhvillua diskutimi krijues i romanit: “Dasma”, të Ismail Kadaresë…”

2.
Në një Shqipëri ku liria e fjalës ishte një luks i rrallë dhe letërsia mbahej fort nën kontrollin e ideologjisë. Dhe një episod i guximshëm dhe shpesh i harruar ndodhi në zemër të jetës kulturore. Ishte 24 prill 1968, dhe në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, romani i ri i Ismail Kadaresë, “Dasma”, po diskutohej mes zhurmës së pritshme të lavdërimeve.

3.
…Por, papritur, një zë disonant theu monotoninë. Ai ishte Bilal Xhaferit. Vetëm katër ditë më vonë, më 28 prill 1968, jehona e kësaj përplasjeje do të gjente rrugën e saj, edhe pse e maskuar, në faqet e gazetës “Drita”, përmes një shkrimi pa autor që fillonte pak a shumë kështu: “Letërsia për klasën punëtore është letërsi për jetën ere”.
Romani ishte ende i hapur në treg. Por kishte ngjallur interes të gjerë në qarqet letrare dhe më gjerë. Shkrimtarë, kritikë, njerëz të ndjenjave kulturore, si dhe lexues të apasionuar kishin marrë pjesë në këtë mbledhje nga vetë Lidhja. Debati qe i ndezur dhe i mbushur me lavdërime, por nuk munguan edhe tonet kritike disa prej tyre u drejtuan në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë ndaj Bilal Xhaferit, një emër më i përfolur në mjedis.
“Dasma” shihej si një hap i tillë në krijimtarinë e shkrimtarit Kadare. Kishte dhe një arsye pasi në të vërtetën e tij të pasqyruar transformimin sociale dhe psikologjike të shoqërisë shqiptare pas çlirimit. Struktura narrative, trajtimi i temave të klasës së punës përpjekja për shkak të karakterit dhe karakterit kompleks ishin disa nga pikat që u vlerësuan nga një pjesë e tyre.
Megjithatë, në diskutim nuk munguan as kritikat ideologjike. Disa zëra u akuzuan ose kolegët që identifikojnë të krijojnë “origjinalitet të rremë”, një akuzë që në mënyrë të heshtur i drejtohej edhe Bilal Xhaferit. Ai kishte shfaqur më herët qëndrime që nuk përputheshin me linjën ideologjike zyrtare, çka e bën objekte sulmesh të tërthorta.

4.
Paradigma zyrtare dhe zëri i kundërt. Diskutimi i romanit “Dasma” më 24 prill 1968, nuk ishte një ngjarje e zakonshme. Siç e pasqyron shkrimi në “Drita”, ajo tërhoqi një audiencë të gjerë dhe të larmishme: “masa punonjëse”, “shkrimtarë dhe lexonjës”, “letrarë të rinj, punëtorë, studentë, nxënës e punonjës të ndryshëm. Kjo pjesëmarrje masive theksonte rëndësinë që i jepej letërsisë dhe kontrollit ideologjik mbi të.

5.
Vlerësimi i Llazar Siliqit: nën dritën e realizmit socialist. Referuesi kryesor i mbrëmjes, poeti i njohur Llazar Siliqi, paraqiti një vlerësim plotësisht pozitiv dhe në përputhje me vijën zyrtare.
Pjesë nga fjala e Llazar Siliqit.
Poeti Llazar Siliqi, e vlerësoi romanin “Dasma” të Ismail Kadarese si një vepër shumë të mirë në fazën e sotme të rëndësishme të zhvillimit të letërsisë së re shqipe të realizmit socialist,një vepër ku përmbajtja e thellë ka një forme të lartë artistike.
“…Dasma, – tha ai, asht një roman tendencioz, një roman-debat, që shprehet me forcë kundër teorisë së distancës, sepse “vepra letrare nuk është as verë, as dru kompesatoje që të staxhionohet”, si dhe kundër letrarizmit, sepse ndonjë kritiku a lexonjesi (referuesi citoi shembuj edhe nga anketa mbi prozën në revistën: “Nëndori”) bisedat e gjalla të “Dasmës” kanë për t’iu dukur jo si biseda romani, por si biseda reportazhi, sepse nga librat e këqij ai është mësuar, që ta ndajë jetën nga librat”.
Ai e cilësoi “Dasmën” si një vepër shumë të mirë në fazën e sotme të rëndësishme të zhvillimit të letërsisë së re shqipe të realizmit socialist, një vepër ku përmbajtja e thellë ka një formë të lartë artistike. Këto fjalë ishin kodi i lavdërimit suprem në atë kohë, duke e vendosur romanin e Kadaresë në piedestalin e krijimtarisë që i shërbente ideologjisë së partisë. Po ashtu, ai kritikoi “letrarizmin”, duke iu referuar atyre që bisedat e gjalla të “Dasmës” mund t’u dukeshin “jo si biseda romani por si biseda reportazhi”. Kjo frazë, ndoshta e artikuluar me ironi, nënkuptonte se disa lexues “nga librat e këqij” ishin mësuar “ta ndajnë jetën nga librat”, duke humbur kështu ndjeshmërinë ndaj pasqyrimit të drejtpërdrejtë të realitetit.
Vepra e re e Kadaresë dëshmon se novatorizmi i vërtetë lidhet gjithmonë me brendinë e re. Asht e drejtë kritika e bame në roman për librat, që duket sikur janë shkrue tue u mbështetë në librat e vjetra dhe jo mbi jetën e gjallë, por autokritika e Kadaresë në roman me ngjan e ekzagjerueme, kur ai thotë se “në librat tona ka më shumë myk se sa jetë të gjallë”. Duke e quajtur të drejtë cilësimin e veprës si një himn për klasën tonë punëtore, referuesi, shtoi se: “Dasma” asht, në të njëjtën kohë, një vepër thellësisht realiste, ku lufta kundër së vjetrës tregohet me forcë dhe jo në mënyrë të thjeshtësueme. Ky roman asht, gjithashtu, kontributi ynë si letrarë në luftën ideologjike ndërkombëtare.
Siliqi theksoi se: “Vepra e re e Kadaresë dëshmon se novatorizmi i vërtetë lidhet gjithmonë me brendinë e re. Asht e drejtë kritika e bame në roman për librat, që duket sikur janë shkrue tue u mbështetë në librat e vjetra dhe jo mbi jetën e gjallë, por autokritika e Kadaresë në roman me ngjan e ekzagjerueme, kur ai thotë se “në librat tona ka më shumë myk se sa jetë të gjallë”. “Dasma” asht një përgjigje e fuqishme thirrjes së fuqishme të kohës, tue fillue nga Letra e Hapur e Partisë, tue vazhdue me fjalimin historik të 6 Shkurtit të shokut Enver Hoxha dhe deri në ditët tona”.
Romani ka në bazë mësimin e shokut Enver se Ideologjia socialiste proletare është ideologjia në fuqi, ajo i jep sot tonin e përgjithshëm gjithë jetës e veprimtarisë së punonjësve tanë. Një meritë tjetër e romanit, me rëndësi parimore, asht se ai nuk merret në radhë të parë me përshkrimin e veglave apo të proceseve të punës, por me paraqitjen e njerëzve, me gëzimet, shqetësimet, andërrimet e tyne, me luftën e tyne për triumfin e së resë (botëkuptimi i klasës punëtorë, emancipimi i gruas, arti revolucionar etj), për shembjen e së vjetrës (mendimi konservator e patriarkal, kanuni, feja, burokratizmi, shkëputja e intelektualit nga jeta etj.).
“Dasma”, veç këtyne, asht njëkohësisht jo vetëm romani për klasën tonë punëtore, por romani për jetën tonë të re. Në asnjë vepër tjetër të letërsisë sonë na nuk gjejmë një dendësi të tillë jete, problemesh. Dasma asht në një pikëpamje kontributi i një poeti në prozën tonë. Meritë e veçantë e romanit asht forca e tij përgjithësuese, kthimi i dasmës në një simbol, që flet jo vetëm për të renë dhe për të vjetrën në atdheun tonë, por që ven ballë përballë, dasmën tonë socialiste, këtë barakë, që “u bë e madhe sa e gjithë bota” dhe shkëlqimin e rreme të kapitalizmit, vorfëninë shpirtnore të Rokfelerëve. Rokfeleri “kurrë nuk do të grumbullonte dot kaq dashuri të sinqertë sa paska sonte në këtë barakë…”.
Më tej referuesi analizoi me hollësi personazhet e shumtë të romanit dhe vuri në dukje veçori dhe momente psikologjike interesante të personazheve të veçanta. Duke rënë dakord me mendimin e shprehur në shtyp, në roman kemi të bëjmë me paraqitjen e një heroi masiv kolektiv, ai polemizoi me mendimin tjetër se forma e zgjedhun nga Kadareja nuk lejon, që personazhet të paraqiten në zhvillim, se Xheviti e Katrina kanë psikologjinë e klasës punëtorë, por nuk janë individë.
“Le të përmendim, – tha referuesi, -Katrinwn, të atin, bashkëpunëtorin shkencor apo Rudin, nëse asht fjala për zhvillimin e tyne si personazhe, apo, veç këtyne, Xhevitin, Sodën Kaustike, labin Xha Shurko, Pranverën apo shokun Fejzo, nëse asht fjala për individë, që të ngulen në mendje pikërisht si figura të veçanta e jo vetëm si përgjithësime, si simbole…
Në roman, – vijoi më tutje referuesi, – na dëgjojmë gjithnjë të qeshunën e shëndetshme të klasës punëtore. Nga kjo e qeshun, nga ky optimizëm, buron edhe humori i vërtetë që ndeshim në shume faqe të romanit. Kujtoni figurën simpatike, me shumë domethënie, të Sodës Kaustike, që thërret:
“E di çdo të thotë klasë punëtore? Klasë punëtore do të thotë: revolucion. -Kush ngre dorën kundër revolucionit?!” Ose, nga ana tjetër sillni parasysh figurën e labit, ish partizan e tashti roje nate, që e ka lidhë jetën me fabrikat, shprehës i traditës së popullit tonë, që krahas parmendës a kazmës, ka mbajtë e mban në dorë pushkën.
Duke krahasuar variantin e botuar te “Nëntori” me romanin e botuar si libër më vete, referuesi vuri në dukje se shtesat dhe ndreqjet e bëra e kanë pasuruar veprën, sidomos përsa u takon figurave të Xhevitit dhe Katrinës si dhe figurës së babait të Katrinës. Kërkesën, që autori t’i jepte zgjidhje të plotë konfliktit të babait referuesi e quajti jashtë karakterit të këtij romani konkret. Kërkesën, që e vjetra të veprojë më realisht në ambientin e dasmës, ai e quajti si një kërkesë, që tregon se nga disa shokë objektivisht nuk është pranuar plotësisht kjo formë e re romani, që ka përdorur Kadareja, ku simbolika e konvencioni luajnë një rol të madh. Pasi u ndal në mënyrë të veçantë të demaskimi me rrënjë (që nga nata e Bartolomeut katërqind vjet më parë e deri te prifti reaksionar, që nxit për gjakmarrje babanë e Katerinës) i fesë, i klerit, referuesi theksoi se “Dasma” na fton për vigjilence në shumë drejtime. Romani fton për vigjilencë kundër imperialistëve që hedhin bomba dhe kundër revizionisteve që intrigojnë e shpifin kundër vendit tonë. Ai paralajmëron se edhe një vajzë shkollare (Mira) mund të bjerë në Mesjetë, sepse edhe djem prindësh të mirë mund të bien në parazitizëm. (Rudi)
Dhe një ide e madhe mbizotëron në vepër: njeri mund të ripërtërihet vetëm tue pwrqafue idetë e marksizëm-leninizmit, në gjirin e klasës punëtore. Merita asht edhe se autori mban në roman një qëndrim dialektik ndaj së vjetrës: e vjetra asht një krimb, që nuk duhet ba n’asgja (Katrina për shkesin), por ajo asht, gjithashtu, një forcë që nuk duhet nënvleftesue, që duhet luftue me të gjitha energjitë e pa ba asnjë lëshim.
LI. Siliqi bëri edhe një radhë konstatimesh mbi detajet dhe krahasimet shumë të bukura dhe të jetuara, ilustroi me shembuj indivdualizimin gjuhësor të personazheve, foli për një gjuhë të gjallë, të përditshme, duke përfshirë qoftë edhe zhargonet, theksoi se Kadarea ka në të vërtetë një kujtesë e finesë stili pas mënyrës së zakonshme e të natyrshme të rrëfimit. Ai nënvizoi meritën e autorit e largimin nga çdo stilizim letraresk, për një tregim maksimalisht konciz e maksimalisht të natyrshëm. Në mbledhje e morën fjalën edhe mjaft nga pjesëmarrësit, Ata folën për vlerat e mëdha ideo-artistike te romanit, për pasqyrim të fuqishëm që i bëhet realitetit tonë, në “Dasmën” e Ismail Kadaresë.

6.
Pjesë nga diskutimi i Myzafer Xhaxhiut. Në të njëjtën linjë me vlerësimin shoku Myzafer Xhaxhiu shtoi zërin e tij:
“Romani “Dasma” është një vepër interesante, – tha ndër të tjera në diskutimin e vet shoku Myzafer Xhaxhiu, – Ai është himn poeme për klasën tonë punëtore dhe një dramë për të vjetrën, konservatoren, që po shembet. Ai është roman sintezë i ngritur mbi simbole dhe figura të atilla, të realitetit tonë, larg çdo fotografimi të thjeshtë të ngjarjeve, larg çdo natyralizmi. Në roman fryn një erë e shëndoshë, ndihet fryma revolucionare!”

7.
Nga diskutimi i studentit të fakultetit Histori-Filologji, Gjon Podja:
“…Mendimet, që dha për “Dasmën” në diskutimin e tij, studenti i fakultet Histori-Filologji: Gjon Podja, sipas të cilit në roman është spostuar roli i klasës punëtore nga figura e intelektualit, nga figura e shkrimtarit S. K, se në roman është shtrembëruar realiteti i malësive, se ndihet një lloj përbuzje ndaj punës së fshatit dhe se është tepruar me qëndrimin patriarkal ndaj gruas dhe vajzës në Malësitë e Veriut.
Këto mendime, nuk u pranuan nga diskutantët.

8.
Nga diskutimi Besnik Shaqirit.
Po sjellim një diskutim tjetër: Nuk është autori i romanit, që nuk e njeh fshatin tonë, – tha ndër tjera shoku Besnik Shaqiri, pasi foli për meritat e veprës, – por është vetë shoku Gjon, që nuk e njeh realitetin dhe e sheh këtë realitet nga pozita sentimentale konservatore. Megjithatë, folësi shprehu mendimin se figura e gruas punëtore nuk është dhënë e plotë nëpërmjet personazhit Pranvera, pasi ne: shohim në roman rolin dhe kontributin e gruas punëtore shqiptare, në ndërtimin e socializmit, në pesëvjecarët tanë.

9.
Nga diskutimi i shkrimtarit Petro Marko citojmë:
Shoku Petro Marko nënvizoi se “Dasma” është një roman që ka mbledhur notat e kohës dhe na i jep ato me forcë. Romani, tha ai, është dasmë për prozën tonë, një hap i mëtejshëm në rritje të krijimtarisë së Ismail Kadaresë.

10.
Nga diskutimi i nxënësit tw shkollës 12 vjeçare “Sami Frasheri”, Petrit Pernaska:
Përse nuk e vlerëson nxënësi i një gjimnazi romanin dhe për çfarë e kritikon: Duke analizuar veprën dhe personazhet, nxënësi i shkollës 12 vjeçare “Sami Frasheri”, Petrit Pernaska, theksoi se: “Te “Dasma” ai gjen gëzimet, shqetësimet, mendimet, këngën, polemikën dhe triumfin e së resë, gjen në të psikologjinë e klasës punëtore, se në këtë vepër ndihet me të vërtetë “erë dërrasë e gëlqere e një binaje të re”, dhe jo myk e vjetërsirë.
Por atij i duket deri-diku e thatë dashuria ndërmjet Katrinës dhe Xhevitit, kurse figura e atit të Katrinës është paraqitur vetëm në heshtje dhe nuk është e plotë.

11.
Nga diskutimi i shkrimtarit Sterjo Spasse.
Romani: “Dasma”, – tha ndër të tjera në diskutimin e tij, shoku Sterjo Spasse, – është një qemer i shëndoshë në godinën e letërsisë sonë të realizmit socialist. Në këtë vepër poeti dhe prozatori janë shkrirë në një, simbolikja e konvencionalja janë shkrirë me zotësi dhe art me realen. Ajo, që i ka munguar prozatorit e ka plotësuar poeti dhe anasjelltas. Mendimi se personazhet qenkan statike, nuk paskan frymëmarrje, më duket se nuk është i drejtë, pasi ky lloj romani, vetë arkitektura e tij (që ndryshon nga ajo e romanit tradicional), ky gërshetim i simbolikës me realen, etj, na i kanë dhënë personazhet të gjallë”.

Diktatori dhe Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve
Diktatori dhe Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve

12.
Nga diskutimi i Pertef Isufaj.
Në diskutimin e vet Pertef Isufi, pasi theksoi se romani për tetë muaj rresht (që nga botimi në revistën: “Nëndori”) iu nënshtrua mendimit të zhurisë më të madhe e më të paanshme, masës së gjerë të punonjësve për të cilën u shkrua.
“Dasma” është një vepër ku kemi një unitet të fortë të politikws dhe të artit, të përmbajtjes revolucionare dhe të formës së lartë artistike, vepër e bukur për klasën punëtore, e shkruar thjesht, qartë dhe e kuptueshme për të gjithë.

13.
Nga diskutimi i Bilal Xhaferit.
Në fakt gazeta letrare e regjimit sulmon Bilal Xhaferin dhe nuk jep diskutimin e tij.
Bilal Xhaferi ishte mes të tjerëve kritiku kryesor. Ja si shprehet gazeta rreth kritikës që bëri Bilal Xhaferi.
“…Romani i I. Kadaresë dhe çdo sukses i letërsisë sonë i gëzon të gjithë lexuesit. Problemi i luftës kundër së vjetrës, i pasqyrimit të optimizmit punëtor zgjon shumë interes dhe emocion te lexuesi ynë, kur paraqitet denjësisht. Por ka edhe njerëz të cilët shqetësohen nga këto suksese sepse shqetësohen nga vetë përmbysja e botës së vjetër, nga lufta kundër paragjykimeve, kundër klerit, kundër koncepteve të vjetra mbi gruan.
Një i tillë ishte edhe Bilal Xhaferi, i cili foli në këtë mbledhje kundër romanit “Dasma”, duke nxjerrë në shesh një qëndrim krejt prapanik dhe reaksionar, duke dalë në mbrojtje të botës së mykur. Ai u bë avokat i zakoneve të lashta, të shikuara me një sy patriakal, ai shfaqi “dhimbjen” e tij për përmbysjen e kanuneve dhe të botës së vjetër. Çlirimin e gruas dhe të popullit, që solli revolucioni socialist, ai e quante të barabartë me përpjekjet për çlirim të 1912 dhe 1924. Kështu ai shfaqi zemërimin e vet, që vajzat malësore dalin në roman në përpjekje për t’u emancipuar. Çdo qëndrim socialist, çdo ndjenjë të hollë njerëzore ndaj vajzave malësore, ai e vëren me syrin e fanatikut dhe të njeriut të krimbur nga paragjykimet…

14.
Nga diskutimet e Pipi Mitrojorgji, Myzafer Xhaxhiu, B. Shaqiri dhe nxënës të gjimnazit: “Qemal Stafa”. Shumë diskutantë me radhë si: P. Mitrojorgji, M. Xhaxhiu, B. Shaqiri, nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa” etj, dhe të gjithë ata që e morën fjalën i goditën këto pikëpamje të gabuara, prapanike që pengojnë zhvillimin e letërsisë sonë të realizmit socialist.

15.
Nga diskutimet e Zihni Sako dhe Resul Bedo, etj.
Për vlerat e romanit “Dasma” diskutuan edhe shokët: Zihni Sako, Resul Bedo, etj.

16.
Nga fjala e Kadaresë.
Duke marrë fjalën, autori i romanit “Dasma” Ismail Kadare, falënderoi pjesëmarrësit në mbledhje dhe diskutantët.
“…Pas çdo diskutimi, – tha ai ndwr të tjera, – të gjithë ne ndjejmë përgjegjësi për veprat që shkruajmë, ndjejmë për detyrë që të punojmë me forca të qindfishuara. Me duket absurd mendimi se lloji i romanit “Dasma” qenka forma e vetme ose më e mira për paraqitjen e realitetit tonë. Ka shumë lloje të tjera, ka shumë mënyra të tjera po kaq të afta të paraqesin këtë realitet. Kryesorja është, që në vepër të futet socializmi, revolucioni…”
Me këto fjalë, Kadareja rikonfirmonte përkushtimin e tij ndaj linjës së Partisë, duke e vendosur mesazhin ideologjik mbi preferencat formale.

17.
Fjala e mbylljes e Dhimitër Shuteriqit.
Në fund e mori fjalën shoku Dhimitër Shuteriqi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artisteve: “Dasma” është vepër me cilësi të lartë ideo-artistike, – tha ai – vepër që kontribuoi në ngritjen e shpejtë të letërsisë sonë, të prozës sonë. Romani është vepër që manifeston diçka shumë të re në letërsinë tonë dhe e justifikon plotësisht veprën në këtë kohë kaq revolucionare.”
Pasi foli për aksentin polemik, që ai gjen te kjo vepër ndaj problemeve, llojeve dhe formave të romanit, shoku Dh. Shuteriqi vuri në dukje se karakteristikë e romanit “Dasma” është pasioni i madh ndaj së resë në jetë që e përshkon atë prej fillimit gjer në fund, është aprovimi kategorik i së resë në jetë, polemika e pakompromis kundër së vjetrës, konservatores, së kalburës. Pikërisht pse është kaq polemike ndaj konservatores dhe reaksionares bën kaq efekt, shqetëson fanatikwt dhe ata që me mënyrat më dinake dhe të maskuara dalin në mbrojtje të së vjetrës. Më tutje shoku Dh. Shuteriqi foli për vlerat e mëdha te romanit dhe shfaqi mendime rreth vërejtjeve, që bënë disa diskutantët për romanin.
“U tha se shkrimtari në roman hyn e del me vend e pa vend, pra, ku është klasa punëtore?
Unë do të thoshja se shkrimtari duhet ta thotë fort fjalën e tij, qoftë diçka apo nëpërmjet narracionit. Prandaj në “Dasmën” ai nuk ia zë vendin klasës punëtore, sepse klasa punëtore është i tërë romani, ndërsa shkrimtari aty aprovon ose disaprovon si njeri, që merr pjesë aktivisht në jetën tonë. Përherë shkrimtari është “personazh qendror”, edhe kur nuk del si personazh, qoftë për mirë apo për keq”.
Më tutje shoku Dh. Shuteriqi tha se: “…nuk është dakord, që “gjakderdhja s’paska qenë karakteristike për vendin tonë në të kaluarën, por vetëm gjaku i derdhur kundra shkelësve të huaj. Ne i kemi patur të dyja. Por nuk kanë qenë as hakmarrja, as konceptet patriarkale ndaj gruas me gjithë shëmtirën e tyre etj, ato që përbënin “murin e kalasë” paçka u mundua dikush ta shtrembëronte të vërtetën, historinë e popullit tonë. Ato kanë qenë të qarat e “murit të kalasë”.

18.
Pikërisht në këtë klimë të vlerësimit të lartë dhe të normave të qarta ideologjike, zëri i Bilal Xhaferit duhet të ketë rënë si një shok. Ndërsa Siliqi lëvdonte “Dasmën” si një model të realizmit socialist, pyetja natyrshme është:
Çfarë e shtyu Bilal Xhaferin të kritikonte pikërisht një vepër që po merrte bekimin e plotë të establishmentit letrar?
-A ishte kritika e tij një kundërshtim i drejtpërdrejtë i vlerësimit të Siliqit, apo shtronte pikëpyetje më thelbësore mbi thelbin e “Dasmës” në raport me realitetin “e klasës punonjëse” dhe “jetës së re”?
Por pikërisht në këtë klimë unanimiteti të detyruar, u ngritën zëra që guxuan të vinin në pikëpyetje premisat e kësaj vepre të “revolucionit kulturor shqiptar”.
Në mesin e audiencës, zëri i studentit të Fakultetit Histori-Filologji, Gjon Podja dhe shkrimtari Bilal Xhaferi shprehu disa pikëpyetje thelbësore, të cilat, sipas shkrimit të “Dritës”, “nuk u pranuan nga diskutantët”. Këto vërejtje, të cilat ndoshta pasqyronin një frymë pakënaqësie apo një këndvështrim më kritik që qarkullonte nën sipërfaqe. Një tjetër autor thekson nënzë një vrejtje. Ky pranimi i pjesshëm i një deficiencë tregonte se, edhe brenda kuadrit të ngurtë ideologjik, kishte vend për “perfeksionim” të pasqyrimit të realitetit, por vetëm në drejtimin e thellimit të rolit ideologjik të artit. Por, ndryshe nga lavdërimet e përgjithshme, Pernaska shprehu qartë dy pika kritike: Atij i duket deri-diku e thatë dashuria ndërmjet Katrinës dhe Xhevitit”, një vërejtje për thellësinë dhe besueshmërinë emocionale të personazheve kryesore. Gjithashtu, ai theksoi se “figura e atit të Katrinës është paraqitur vetëm në heshtje dhe nuk është e plotë”, duke vënë në pah një boshllëk në portretizimin e karaktereve dytësore, por të rëndësishme. Këto vërejtje, sado të vogla në dukje, ishin shenja se edhe brenda gjeneratës së re dhe audiencës “besnike” kishte perceptime që sfidonin perfeksionin e veprës.
Megjithatë, përtej këtyre vërejtjeve dhe mbrojtjeve, shkrimi i “Dritës” identifikon një zë kritikash shumë më të rëndësishëm, atë të Bilal Xhaferit, duke e etiketuar si “kritiku kryesor”. Gazeta nuk i kurseu epitetet, duke e përshkruar pozicionin e tij si “një qëndrim krejt prapanik dhe reaksionar”.
Bilal Xhaferi u akuzua se “u bë avokat i zakoneve të lashta, të shikuara me një sy patriarkal”, dhe se shfaqi “dhimbjen e tij për përmbysjen e kanuneve dhe të botës së vjetër”. Kjo ishte një akuzë direkte kundër përparimit ideologjik të socializmit, duke e lidhur Xhaferin me forcat konservatore. Veçanërisht e rëndë ishte akuza se ai “çlirimin e gruas dhe të popullit, që solli revolucioni socialist, ai e quante të barabartë me përpjekjet për çlirim të 1912 dhe 1924.”
Kjo ishte një barazim i rrezikshëm, që nënkuptonte mosnjohjen e “epërsisë” së revolucionit socialist dhe reduktimin e arritjeve të tij në nivelin e lëvizjeve të mëparshme kombëtare. Gazeta theksonte se B. Xhaferi shfaqi “zemërimin e vet, që vajzat malësore dalin në roman në përpjekje për t’u emancipuar” dhe se “çdo qëndrim socialist, çdo ndjenjë të hollë njerëzore ndaj vajzave malësore, ai e vëren me syrin e fanatikut dhe të njeriut të krimbur nga paragjykimet.”
Këto akuza të rënda sugjerojnë se kritika e B. Xhaferit shkonte përtej vërejtjeve estetike apo detajeve të portretizimit. Ajo ishte një sfidë thelbësore ndaj mesazhit ideologjik të romanit dhe drejtimit të letërsisë së re, duke e vendosur atë në një pozicion të drejtpërdrejtë kundërshtie me Partinë dhe autoritetet letrare.
Fjala e fundit e Dhimitër Shuteriqi është detaji thelbësor. Këto fjalë jo vetëm që përmbyllin debatin nga ana zyrtare, por edhe godasin drejtpërdrejt kritikën e Bilal Xhaferit, duke e ekspozuar thellësinë e përplasjes ideologjike. Ky ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Bilal Xhaferit.

19.
Pasojat dhe rëndësia historike e një përplasjeje. Kritika e Bilal Xhaferit ndaj “Dasmës” së Kadaresë, e cila shënoi një kulm të paprecedentë në debatin letrar të vitit 1968, nuk ishte thjesht një polemikë midis shkrimtarësh. Ajo u shndërrua shpejt në një përballje ideologjike me pasoja të rënda. Etiketimi i tij si “prapanik dhe reaksionar”, dhe “avokat i botës së mykur”, ishte një shenjë ogurzezë për fatin e tij. Në një regjim totalitar, këto ishin akuza që çonin drejt izolimit, persekutimit, dhe në rastin e Bilal Xhaferit, edhe drejt ikjes nga vendi dhe tragjedisë personale. Episodi i promovimit të “Dasmës” dhe kritika e Bilal Xhaferit nxjerrin në pah disa aspekte thelbësore të kohës.

Guximi i Indiferencës
Veprimi i Xhaferit ishte një akt i jashtëzakonshëm guximi personal, duke sfiduar hapur jo vetëm një autoritet letrar në ngritje. Por edhe vetë dogmën e Partisë-Shtet. Ai ishte një nga zërat e rrallë që guxoi të thoshte të vërtetën e tij në një mjedis ku disidenca dënohej rëndë.

Kontrolli total i artit
Reagimi i ashpër i “Dritës” dhe refuzimi i çdo kritike devijuese dëshmojnë kontrollin absolut që ushtronte Partia mbi letërsinë. Arti nuk ishte një fushë e lirë shprehjeje, por një vegël për propagandë dhe forcimin e ideologjisë.

Kostoja e lirisë së fjalës
Historia e Bilal Xhaferit, pas këtij episodi dhe e viteve në vijim, është një dëshmi tragjike e kostos së lartë të lirisë së fjalës nën një regjim diktatorial. Ajo na kujton se sa shpejt lavdërimet mund të ktheheshin në dënim dhe se si çdo akt i guximshëm kishte një çmim të rëndë.
Debati mbi “Dasmën” në vitin 1968, me kritikën e fuqishme dhe të Bilal Xhaferit, mbetet një kapitull kyç dhe i dhimbshëm i historisë letrare shqiptare. Ai shërben si një pasqyrë e tensioneve të brendshme të sistemit, e guximit të individëve kundër makinerisë së propagandës dhe e sfidave të vazhdueshme të artit për të pasqyruar të vërtetën nën kufizimet e hekurta. Kjo përplasje, e cila ndoshta u mbulua qëllimisht për vite me radhë, meriton të rikujtohet dhe studiohet për të kuptuar thelbin e një epoke dhe fatin e atyre që nuk u pajtuan me heshtjen.

20.
Rreth 18 vjet më vonë në një artikull të Ismail Kadare te gazeta: “Zëri i Popullit” duke kritikuar mediokritetin në letërsi ai thekson se mes veprave mediokre është edhe: “Dasma” e tij.
Duke pranuar indirekt shumë vite më vonë atë që Bilal Xhaferi e kishte thënë në promovimin e “Dasmës”. Dhe duke e prishur në një farë mënyre “Dasmën” e Kadaresë.
Dhe ishte e mërkurë, datë, 24 prill 1968.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.