back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Mos ma prek Kryetarin! – nga Elona Caslli

Gazeta

Elona Caslli (Foto-Hermina Fagu)
Elona Caslli (Foto-Hermina Fagu)

Mos ma prek Kryetarin!

nga Elona Caslli

“Sa e bukur është hëna e dhjetorit
që krejt e qetë sheh perëndimin e një viti”
Sandro Penna
 
Hëna e dhjetorit në qytetin tim, nuk është aspak e bukur. Nuk është e qetë sikundër do të ishte hëna e dhjetorit, diku gjetkë, në një qytet plot drita në Europë, atje ku njerëzia vërtitet nga njëra ide në tjetrën, për dhuratën e Krishtlindjeve, për njerëzit që i ka vërtet përzemër.
Megjithëse i ndriçuar, qyteti nuk ndriçon. Vezullimi nuk ndihet askund, për të mos thënë se duket si i huaj. Të duket po aq i huaj dhe po aq i bezdisshëm, sa do të dukej një njeri i njohur që ndërpret bisedën mes dy miqve të mirë, duke u ulur krejt papritur në tavolinën e tyre, pa kërkuar paraprakisht atë lejen rutinë, e cila i jepet të tretit me hiprokizi. Është e njëjta ndjesi që duket se është shpërndarë kudo.
Muaji i Dhjetorit në Historinë e Shqipërisë, nuk është veçse muaji i fundit, përmes të cilit përmbyllet një vit. Dhjetori në kujtesën Kombëtare të 28 viteve më parë, është dhjetori i Lëvizjes Studentore. Lëvizja Studentore dukej se do ta nxirrte Kombin Shqiptar nga vrima e territ, ku kish ndërtuar ekzistencën e tij për gjysmë shekulli. Dukej se pika, ku errësira do të takohej me dritën, do të ishte pika e agut të shumëpritur.
A zbardhi vallë agu i lirisë dhe a ra vallë muzgu i saj?!
.
Protesta Studentore 2018
Protesta Studentore 2018

Dhjetor 2018.

Një Lëvizje Studentore po zhvillohet në vend. Studentët vërshojnë në rrugët e qytetit ashtu siç vërshojnë tifozët e stadiumit pas një ndjeshjeje futbolli. Dhe ti humbet mes tyre. Kaq shumë janë.
Le ta quajmë Dhjetori i parë, dhjetorin e vitit 1990 dhe Dhjetori i dytë, dhjetorin e vitit 2018.
Në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit të dytë gjen shumë ish-studentë të Dhjetorit të parë. Pas 28 viteve ish-studentët, tashmë të shndërruar në burra dhe prindër, gjenden në shesh për të mbështetur Studentët e Dhjetorit të Dytë.
Duket se koha ka mbetur në vend. Duket se brenda një nate ka ndodhur shndërrimi nga dhjetori i parë në dhjetorin e dytë. Janë shtuar thinjat dhe bashkë me to edhe ca kile, por thelbi i protestës ka mbetur i pandryshuar.
Kush mban përgjegjësi për këtë?! Kë do të bëjmë përgjegjës?!
Flitet për plot 28 vite dhe jo për 28 sekonda. Nuk janë 28 sekonda, kur dikush të thotë diçka të pamenduar gjatë një bisede dhe ti e fal, sepse ishin veçse 28 sekonda dhe pate përballë dikë, që herë pas here vuan nga kriza e miopisë mendore.
Thonë se nuk mund të kurohen pasojat e një sëmundjeje, pa identifikuar fillimisht shkakun e saj.
Cili është shkaku?! Ku gjendet?! Ç’formë ka?! Ç’tipare ka?! Ka gjymtyrë?!
Nëse Mbrojtësit e Kauzës së Valbonës në Tropojë, do të shpreheshin “Mos ma prek Valbonën!”, unë do ta tjetërsoja urdhëroren e tyre në “Mos ma prek Kryetarin”, për të shprehur shkakun e sëmundjes nga e cila vuajmë si komb.
Kryetari ngrihet në altarin e përlëvdimit. Kryetari, ajo qenie me qafën mbi supe dhe me veshët në dy anët e kokës, është i paprekshëm. Gjithçka mund të bësh, gjithçka mund të thuash, por kurrë nuk mund ta prekësh Kryetarin, qoftë edhe me mendim.
Kryetari është gjithnjë i denjë për respekt, dashuri dhe adhurim. Dashuria për të duhet të jetë dashuri pa kushte.
Kryetari është kaq i shenjtë, sa edhe koha merr emrin e tij. Kur Kryetari ngjitet në pushtet, bashkë me të pagëzohet edhe koha me emrin e tij.
Adhuruesit e Kryetarit, të mbledhur në grupe me njëri-tjetrin, thonë krenarë “Erdhi koha jonë dhe mbaroi koha e atyre atje.”
Ata atje, janë të përjashtuarit nga sistemi, sepse sistemi ka vetëm një rregull: “Duhet të adhurosh të njëjtin Kryetar!”.
Dashuria e pakushtëzuar për Kryetarin, është shpërblyese. Shpërblimi vjen në forma dhe në kohëra të ndryshme. Të gjithë shpërblehen dikur.
Kryetarët, të ndërgjegjshëm për dashurinë e adhuruesve të tyre, gjatë 28 viteve në detyrë, kanë vepruar sistematikisht në funksion të dëshirës së tyre dhe jo në funksion të detyrës së tyre shtetërore.
Adhuruesit e Kryetarëve janë të shumtë edhe sot. I sheh të shpërndarë si milingonat pas shiut kudo.
Të përkushtuar deri në dhimbje për të mbrojtur atë që nuk mund të mbrohet, për të përligjur atë që nuk mund të përligjet, për të thënë atë që nuk mund të thuhet, për të bërë atë që nuk mund të bëhet, vetëm e vetëm për të thënë me ngazëllim fjalinë – Është koha jonë!
Për sa kohë do të përvetësojmë kohën dhe do ta ngjyrosim me penelin e Kryetarit, nuk do të bëjmë gjë tjetër veçse do të këmbejmë një Kryetar me një tjetër dhe një grup adhuruesish me një grup tjetër.
Dhe do të vijë përsëri Dhjetori i tretë, pas 28 vitesh, të cilit do t’i bashkohen ata të Dhjetorit të Dytë.
Për të parandaluar Dhjetorin e Tretë, duhet tjetërsuar Adhurimi për Kryetarin në Gjykim për Kryetarin.
Dhe formulimi “Mos ma prek Kryetarin”, duhet këmbyer me “Mos ma prek Qytetarin!”
Marrë nga faqja e fb e Elona Casllit 12 dhjetor 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.