back to top
17.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Mos Hiq Dorë nga Gjërat e Tua – Nënës – nga Kujtim Morina

Gazeta

Kujtim Morina
Kujtim Morina

Mos Hiq Dorë nga Gjërat e Tua – Nënës

nga Kujtim Morina

Një ese imja e kohëve të fundit.
Shpresojmë se me ndihmën e Zotit të madh,
kjo situatë do të kalojë dhe jeta të vijojë normalisht.
.
Tani e shoh se nuk po lufton më për gjërat e tua të vjetra, veshjet e nusërisë, bizhuteritë, sendet personale, etj. Edhe arkën ku kishe ruajtur gjërat më të shtrenjta nuk e di se ku e ke, ndoshta e kanë flakur diku gruaja ose motra ime. Ke mbetur vetëm me shpirtin fillikat, duke u bërë gjithnjë më e brishtë, më e dobët, më e zbehtë. Mirëpo tani që nuk po lufton më për gjërat e tua, më bëhet të them, mos hiq dorë nënë, mos hiq dorë se kjo është jeta jote, një luftëtar pa armë nuk vlen më, një shtëpi pa orendi të vjetra është si njeriu pa kujtesë, një grua pa gjërat e saj të vjetra është si një dallëndyshe pa folé.
Më kujtohet kur zbritëm nga fshati në qytezën e vogël. Ti i kishe futur të gjitha veshjet e nusërisë dhe gjërat e tua më të shtrenjta në një arkë prej druri të cilën e vendose diku në ballkon. E ku ta lije tjetër! Veshjet e tjera të vjetra i kishe vënë në një raft në dhomën e gjumit. Shpejt filloi lufta me motrën e gruan time. “Këto janë gjëra të vjetra – thoshin – nuk vlejnë më në apartamentin e ri. “Është turp, çfarë do thonë bota me këto vjetërsira? Nuk shkojnë më këto. Duhet pastruar vendi.” Por ti luftoje me to qoftë edhe fizikisht. Eh atëhere ishe më e re dhe e fortë. “Janë gjërat e mia- kundërshtoje – çfarë po ju prishin punë! Nuk kanë zënë vend.” Por ato shfrytëzonin kohën kur ti nuk ishe ne shtëpi dhe i hidhnin gjërat e tua, veshjet e vjetra, sendet që i kishe ruajtur dhe mbështjellë diku. Eh, për ata, këto s’përfaqësonin asgjë. Fillimisht thoshin se arkën nuk do ta prekim, vetëm hiqi këto gjërat e tjera të vjetra. Dhe ti me luftë, mbroje disa dhe hiqje dorë nga disa të tjera. Pastaj nuk flisje për ditë të tëra me to, madje edhe ziheshe keq. Çfarë t’u shpjegoje! Se mos merrnin vesh. Sa herë i kishe kthyer mbrapsht me gjërat e tua në korridor që ata i kishin përgatitur për t’i hedhur! Një herë madje shkove dhe kontrollove edhe në koshin e plehrave! Pastaj edhe arka jote me veshjet dhe zbukurimet më të shtrenjta të nusërisë humbi. Nuk e di si ndodhi. Me siguri të kanë thënë, ta heqim këtë arkë të vjetër por mbaji gjërat e tua. Por pastaj edhe veshjet e nusërisë kishin filluar të fironin. Se ato asgjë nuk të tregonin, vetëm kur të kujtohej qe nuk i shihje më. Tani kur kujtohem se nganjëherë i kam mbështetur edhe unë, më vjen plasja sa dritëshkurtër paskam qenë!
.
Syndyku i Nënës
Syndyku i Nënës
Eh, çfarë nuk kishte ajo arka jote me veshjet e nusërisë! Ishte paja ose qezi yt që ti e kishe ruajtur me fanatizëm megjithëse kishin kaluar disa dekada. Kur e kam parë për herë të parë, jam mrekulluar. Ishte aty veshja e krahinës së Hasit për gratë, pothuajse e plotë, me jelek të qëndisur, me marhamë, me kollan, një këmishë e bardhë e qepur me dorë me kopsa të asaj kohe, dimija të gjera me pala prej cope të mire, me siguri e blerë në Prizren apo Gjakovë apo e dhuruar, çorape leshi dhe me penj deveje etj. Veçanërisht më bënë përshtypje rrobat e djepit që kishe përgatitur për fëmijën e parë që prisje. Një strukë e mirë e kuqe në vishnje me zbukurime, një shokë për djepin të cilin s’mund ta mbaje në arkë por akoma ruhej diku, çorape të vogla, kapuç, triko etj, Të gjitha këto të bëra me dorë. Gjithnjë fusje në arkë një tufë me lule të verdha me erë të mirë, grenabut i thoshin, dhe nganjëherë kur gjeje edhe qeska të vogla kundër tenjës se e dije rrezikun.
Më kujtohet kur erdha para disa vitesh për të të marrë për t’u zhvendosur përfundimisht në Tiranë. Kishe mbetur pothuajse vetëm, një vit aty. Ne gjashtë fëmijët e tu, ishim larguar njëri pas tjetrit. Motrat ishin martuar ndërsa djemtë ishin larguar drejt kryeqytetit a në emigracion. Na hoqi koha me radhë, nënë, do të thoshte poeti Preç Zogaj. Kur erdha atë natë në shtëpi, ti kishe futur disa gjëra të tuat në një çantë dhe kur të pyeta, më the, ja këto janë gjërat e mia. As ajo çantë nuk ishte mbushur plot, pak mbi gjysmë ishte. Hapa pastaj raftet, plot me rroba! Jo, të thashë, duhen edhe rroba të tjera. Kisha marrë edhe një çantë tjetër me vete se e dija që kishim nevojë, por nuk e prisja kurrë që ti të merrje aq pak gjëra me vete. Duhen edhe të tjera se vjen dimri, të thashë por ti nuk thoje asnjë fjalë. Mbusha edhe një çantë tjetër me rrobat e tua, por sa gjëra mbetën pastaj! Kur të thosha marrim edhe këtë, edhe atë, nuk ka problem thoshe, do të jetë më ngrohtë atje. Ishe mpakur, të kishte përshkuar një hije dhembshurie që nuk e kisha parë kurrë tek ti. Tërë rrugën nuk pushove nga lotët kur u kthyem.
Mos hiq dorë nga gjërat e tua, nënë. Të paktën ato që kanë mbetur. Pa to, ti nuk je ajo që je dhe nuk na e mbush dot pikëllimin e humbjes së kohës. Kur t’i kërkojmë, nuk do t’i gjejmë më, të paktën të bëjmë fajtor veten, jo ty.
.
Marre nga muri i Fb i Kujtim Morines, 2 dhjetor 2019
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.