back to top
3.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Mitologjizimi i Realitetit(1936) – nga Bruno Shultz

Gazeta

Bruno Schulz - Autoportretcult
Bruno Schulz – Autoportret

Mitologjizimi i Realitetit

nga Bruno Shultz

Thelbi i realitetit është kuptimi. Atë që nuk ka kuptim e quajmë të pavërtetë. Çdo fragment realiteti jeton falë asaj që pjesëmerr në një farë kuptimi universal. Në kozmogonitë e lashta kjo shprehej me sentencën që, në fillim ishte fjala. E paemëruara për ne nuk ekziston. Të quash (emërzosh, pagëzosh) diçka do të thotë ta përfshish këtë diçka në njëfarë kuptimi universal. Fjala e izoluar, mozaike – është produkt i vonë, rezultat i teknikës. Fjala zanafillore ka qënë një vegulli e turbullt providenciale që rrotollohej qark kuptimit të dritës, shkëlqimit, ka qënë një tërësi e madhërishme universale. Në kuptimin e rëndomtë të së tashmes fjala është veçse fragment, rudiment i njëfarë mitologjie të lashtë integrale gjithëvëllimore. Prandaj ekziston në të gjakimi drejt vegjetimit, regjenerimit, drejt përmbushjes gjer në plotësinë e kuptimit. Jeta e fjalës ka për natyrë të suspendojë, të tendoset për mijëra lidhje, si trupi i copëtuar i gjarprit të legjendës, copërat e të cilit kërkojnë njëra-tjetrën në terr. Organizmi mijëracopësh dhe integral i fjalës rezultoi i shqyer në shprehje të veçanta, tinguj të ligjëratës së zakonshme dhe tashmë në këtë formë të re, e aftësuar për kërkesat praktike, kaloi tek ne si organ i të kuptuarit të ndërsjelltë. Jeta e fjalës, zhvillimet e saj kanë qënë zhvendosur në binarë të rinj, binarët e jetës praktike, të nënshtruara ndaj ligjësive të reja. Por sapo kërkesa praktike në një farë mënyre i dobëson rregullat e saj të ngurta, sapo që fjala, e çliruar nga ky detyrim me pahir, gjendet ballas tetatet me veten e vet dhe kthen tek ligjësitë e veta, lind një rrjedhë e kundërt, fjala gjakon drejt lidhjeve të lashta, drejt burimit stërgjyshor, – eshkun e saj të kthimit tek malli për atdheun e parë preletrar ne e quajmë poezi.
Poezia – është qarku i shkurtër i kuptimit ndërmjet fjalëve, regjenerimi i beftë i miteve primitive.
Duke operuar me fjalën e zakonshme, ne harrojmë, që gjitha këto janë fragmente historish të lashta e të përjetshme, që mu si barbarët, ne i ndërtojmë shtëpitë tona prej copëra skulpturash dhe prej buste hyjsh. Ndër idetë tona nuk gjen as edhe një pjesëzë të vockël, e cila të mos ketë rrjedhur prej mitologjisë – që të mos ketë qenë e transformuar, deformuar, transfiguruar prej mitologjisë. Funksioni parësor i Frymës – është të rrëfejë përralla, të krijojë “histori”. Forca lëvizëse e shkencës njerëzore është njëmendësia, që në fund të gjurmimit ajo rreh ta gjejë kuptimin përfundimtar të botës. Dhe ajo e kërkon këtë kuptim në ndërtimet e saj artificiale dhe ndër pyje. Por elementet që shfrytëzon ajo për ndërtime, kanë qenë të shfrytëzuara më parë, ato rrjedhin prej “historive” të stërharruara e të plasaritura. Poezia i rinjeh këto kuptime të bëra fir, i kthen fjalës vendin e saj, i kombinon ato në bashkpërkim me kuptimet e qëmotshme. Për poetin fjala si të thuash ndërmendet, kujton kuptimin e së vërtetës burimore, lulon dhe me një spontanitet të vetvetishëm zhvillohet, sikundër ia diktojnë asaj ligjet veta, sërishmi përfton tërësinë e vet. Prandaj çdo lloj poezie është mitologjizim, ajo gjakon në rikrijimin e mitit për mitin. Mitologjizimi i botës nuk është kryer. Ky proces veçse qe ndalur nga zhvillimi i shkencës, qe shtmëngur në një shtrat tjetër diku përbri, ku gjallon, pa qenë i vetëdijshëm për kuptimin e tij të vërtetë. Por edhe shkenca s’është tjetër gjë, pos ngrehinë miti për mitin, sepse miti tashmë është i ndërkallur në elementët më parësorë dhe se përtej sinoreve të mitit ne të plasim nuk dalim dot. Poezia mbërrin gjer tek kuptimi me anë të parandjesisë profetike, deduktueshëm, në bazë të shkurtimeve të mëdha kurajoze dhe përafrimit. Shkenca gjakon po të njëjtën gjë në mënyrë induktive, metodologjikisht, duke përllogaritur gjithë materialin e studimit. Për nga thelbi i çështjes, dhe njëra dhe tjetra synojnë drejt së njëjtës gjë.
Shpirti njerëzor është i paepshëm në interpretacionin e jetës me ndihmën e miteve, në nxjerrjen e kuptimit të realitetit. Fjala e evidentuar për vetë-veten, gjakon, graviton drejt kuptimit.
Kuptimi është po ai element që e tundon njerëzimin në procesin e realitetit. Ai është e dhëna absolute. Atë është e pamundur ta nxjerrësh prej të dhënash të tjera, e pamundur ta shpjegosh, se pse diçka paraqitet me kuptim. Procesi i kuptimësimit të botës është i lidhur ngushtë me fjalën. Ligjërimi është organi metafizik i njeriut. Megjithkëtë në rrjedhën e kohës fjala gangullëzohet, ngrin pushon së qeni përcjellëse e kuptimeve të reja. Pra ajo ia kthen fjalës përcjellshmërinë falë qarqeve (cirkuiteve) të reja, të cilat lindin nga kombinimet e tyre. Simbolet matematike janë thelbi i zgjerimit të fjalëve drejt kufijve të rinj. Piktura (tablloja), është gjithaq reproduksion i fjalës primitive, e cila nuk ishte ende shenjë, por mit, histori, kuptim.
Në jetën e përditshme ne e perceptojmë fjalën si hije të realitetit, si reflektim të tij. Më i drejtë do të qe pohimi i kundërt: realiteti është hije e fjalës. Filozofia, në thelb, është filologji e thellë, studim krijues i fjalës.
1936
.
Bruno Shulz (1893-1942) - pikture
Bruno Shulz (1893-1942) – pikture

Bruno Shulc (1892-1942) lindi në qytetin Drogobiç (asokohe Austro-Hungaria, pastaj – Polonia, BRSS, tash – Ukraina e pavarur), ku jetoi gjer ditën e vdekjes, praktikisht pa u larguar gjatë. Njihet i famshëm si piktor ekspresionist. Gjithsej botoi dy vëllime me tregime “Dyqanet e kanellës” (1934) dhe “Sanatoriumi ndanë Klepsidrës” (1937). Me librin e dytë fiton çmimin “Dafina e artë”, dhënë nga Akademia e Letërsisë Polake, president i së cilës ka qenë poeti i madh polak Bolesllav Lesmjan. Më 1936, botohet me përkthimin e tij romani “Procesi” i Franz Kafkës. La të pambaruar romanin “Mesia”. Më 19 nëntor 1942, ditën e spastrimit masiv mbi hebrenjtë nga gestapoja fashiste e milicisë ukrainase, vritet edhe Bruno Shulci, siç dëshmojnë të dhënat mbi të, nga dora e një adhurimtari. Konsiderohet i zhdukur gjithë arkivi i tij letrar dhe epistolar dhe mbeti vetëm ajo ç’ka pati publikuar shkrimtari. Këtë fat patën dhe pikturat e tij. Ndikimi i tij ka qenë i jashtzakonshëm ndër brezat e shkrimtarëve evropianë të pasluftës. Rizbulimi i Shulcit ka marrë një hov të madh pas viteve ’90. Danillo Kish, sikundër dëshmon në memuarët e tij Xhon Apdajk, thosh se: “Në letërsi unë kam veçse një hy, dhe ky është Bruno Shulci”.

Esseja e shkurtër “Mitologjizimi i realitetit” është publikuar më 1936, zë një vend të veçantë pasi në të Shulc trakton kredon e tij letrare.
Përktheu: Agron Tufa

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.