back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Prill, 2024

Mid’hat Abdyl Frashëri – nga Uran Butka

Gazeta

Mid'hat Frasheri  (1880-1949)
Mid’hat Frasheri (1880-1949)

Mid’hat Abdyl Frashëri

nga Uran Butka

Lindi në Janinë më 25 mars 1880. I ati, Abdyli, ishte në Prizren, në krye të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur lindi Mid’hati. Abdyli, Naimi dhe Samiu u morën direkt me edukimin e tij. Në vitin 1897 themeloi biblotekën “Lumo Skëndo” dhe mori pjesë aktive në botimin e “Kalendarit Kombiar” bashkë me Kristo Luarasin. Shkrimet e para me temë rilindëse i botoi qysh në moshën 16 vjeç, madje puna e parë ishte për Skënderbeun. Pas studimeve, punoi në admistratëm osmane në Stamboll dhe mandej në Selanik, ku themeloi Klubin shqiptar dhe gazetën “Lirija” (1908).
Mid’hati u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit, (1908) që hartoi një program kombëtar prej 18 pikash dhe vendosi alfabetin krejtësisht latin të gjuhës shqipe.
Ai qe nismëtar i thirrjes së Kongresit arsimor të Elbasanit (1909) për çeljen dhe administrimin e shkollave shqipe dhe të Normales për mësues. Botues i revistës kulturore “Dituria”, një enciklopedi e jetës dhe monument i kulturës shqiptare (1897-1929).
 .
Mid'hat Frasheri (1880-1949)
Mid’hat Frasheri (1880-1949)

Veprimtar i shquar i Pavarësisë.

Pjesëmarrës në tubimin e Shkupit (tetor 1912) ku u vendos te shpallej Pavarësia e Shqpërisë. Delegat i Pejës dhe Gjakovës, Plavës e Gucisë dhe mandej dhe i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës (1912). Firmëtar i Pavarësisë Kombëtare dhe anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit, ministër i Punëve të Përgjithshme.
Në vitin 1914, ministër në qeverinë e Princ Vidit.
Largohet nga Shqipëria, kur nis rebelimi haxhiqamilist, që i dogji edhe shtëpinë me gjithe dokumentet në Elbasan. Emigrant në Zvicër, Sofje, Bukuresht. Në Sofje boton veprat e para: “Letra nga një udhëtim në Zvicër”, “Hi dhe shpuzë”, “Popullsia e Epirit”, “Pritmi i Shqipërisë”, si edhe gazetën në gjuhën frengjisht “L’indipendance Albanaise” ku propagandonte dhe mbronte çështjen shqiptare.
Gjatë Luftës së Parë Botërore u internua në Moldavi, në minierat e naftës dhe të vdekjes. Atje shkroi “Ditarin”, kujtimet nga Rumania. Ministër pa protofol ne qeverinë e Turhan Pashës (1918). Delegat i qeverisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919), njëherësh delegat i “Vatrës” SHBA në atë konferencë, i Komitetit “Mbrojtja e Kosovës” dhe i shqiptarëve te Turqisë.
Në Lozanë dhe Gjenevë, qendra të propagandës dhe botimeve të kombeve, Mid’hati botoi në vitin 1919 – një sërë veprash të rëndësishme historike në gjuhën frëngjisht si “Rilindja shqiptare”, “Shqiptarë e sllavë”, “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë atdheut”, “Rivendikimet shqiptare”, “Çështja e Epirit”, si edhe qindra artikuj, promemorie, letra, ese, memorandume drejtuar Konferencës së Paqes, qeverive të Fuqive të Mëdha dhe personaloiteteve politike e kulturore të Europës si edhe shkrime botuar ne gazetat dhe revistat më prestigjioze të Europës.
Gjithashtu, i dërgoi Presidentit Uilson të SHBA një mesazh për ta njohur me çështjen shqiptare dhe nje aneks-promemorie të shoqëruar me gjashtë harta etnografike, që ndikuan tek Presidenti Uilson për mbrojtjen e çështjes së rrezikuar shqiptare, në prag të coptimit.
Kryetari delegacionit shqiptar në Konferemncën e Paqes në Paris (1920-1922) dhe në Lidhjen e kombeve, ku mbrojti si askush tjetër çështjen shqipare. Në vitin 1923 emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku u shqua për rregullimin e marrëdhënieve shtetërore me Greqinë, mbylljen e Sillogjeve antishqiptare dhe mbrojtjen e çëshjes çame, ndalimin e shkëmbimit të shqiptarëve si turq në Turqi (1923-1925) dhe kundërshtimin e kolonizomit të Çamërisë me kolonë grekë.
Dha dorëheqjen si ambasador në vitin 1925, kur politika e shtetit shqiptar nuk përputhej më me parimet e tij, pikërisht kur Shën Naumi dhe Vermoshi iu dhanë Jugosllavisë nga Zogu, me protestën “Asgjë të japim nga trupi i mëmëdheut tonë”.
Në vitet 1925-1939, u mor me punë kulturore dhe studimore, themeloi librarinë “Lumo Skendo” në Tiranë dhe botoi një sërë veprash të rëndësishme si “Plagët tona”, “Gruaja”, “Udhëtarët e huaj në Shqipëri”, “Liga e Prizrenit”, “Përshtypjet e udhëtimit”, “Bibliografitë” etj
Më 8 prill 1939, hodhi themelet e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” si një alternativë antifashiste me program “Nacionalizma shqiptare, 1939. Në vitin 1942, publikoi progamin e Ballit Kombëtar “Dekalogu”, një program nacionalist për një Shqipëri etnike dhe demokratike dhe socialdemokrat nga pikpamja sociale. Gjatë Luftës së Dytë Botërore udhëhoqi luften e nacionalisteve kundër pushtuesve nazifashistë dhe paqen ndërmjet shqiptarëve. Ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Mukjes (3-4 gusht 1943) dhe i Marrëveshjes së Mukjes për një luftë të përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëve të mëdhej Antifashistë. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, nga komunistët dhe emisarët jugosllavë, ai u përpoq të ndalte Luften civile (1943-1945) dhe u përball me terrorizmin komunist.
Emigroi nga Shqipëria pas pushtimit komunist te saj (nëntor 1944) për ta vazhduar luftën kundër regjimit komunist me mjete demoktatike me ndihmën e vendeve Perëndimore. Në emigracion organizoi qëndresën, por edhe edukimin e shkollimin emigrantëve politikë shqiptarë (në kampet Gramo, Santa Fara, Regio Emilia, etj) me konferencat, kurset, shkollën “Besnik Çano”, mësimin e gjuhëve të huaja dhe botimin e revistës “Flamuri”).
Në vitin 1949 – Mid’hat Frashëri në bashkëpunim me Aleatët aglo-amerikanë themeloi në Francë më 26 gusht 1949, Komitetin “Shqipëria e Lirë”, qeveria shqiptare ne emigracion. Qëllimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ishte lirimi i Shqipërisë nga diktatura komuniste dhe vendosja atje e një sistemi demokratik sipas modeleve më të përparuara perëndimore. Mid’hat Frashëri u zgjodh kryetar i komitetit dhe nga BBC në Londër shpalli programin e Komitetit, 06.09.1949. Komiteti Shqipëria e Lire” u vendos me seli në Nju York, ku nisi veprimtarinë.
Për fat të keq, vdiq paprirur më 3 tetor 1949. Vdekja e tij mbetet e dyshimtë, ndonëse u njoftua një atak kardiak. Mendohet se vdekja e M. Frasherit u shkaktua nga një ndërhyrje e Sigurimit Rus, nëpërmjet agjentit Kim Filbi, sipas vendimit të qeverisë shqiptare për ta zhdukur Mid’hat Frashërin (dok. arkivi i Ministrisë së Brendshme).
Vdekja e Mid’hat Frashërit ishte një humbje e madhe për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por edhe më gjerë. Ai ishte figura më e madhe e Kombit tonë, njëherësh edhe nje nga personalitetet më të shquara të Europës në atë kohë.

***

Instituti i Studimeve historike ”Lumo Skëndo” po boton veprën e zgjedhur të Mid’hat Frashërit në 12 vëllime. Deri tani janë botuar katër vëllime, i pesti është në shtyp.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.