back to top
25.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Mbledhja e Fierit e 12 gushtit 1912, prelud i pavarësisë kombëtare – nga Ilirjan Gjika

Gazeta

Ilirjan Gjika
Ilirjan Gjika

Mbledhja e Fierit e 12 gushtit 1912, prelud i pavarësisë kombëtare

nga Ilirjan Gjika

Fieri është një qytet relativisht i ri i krahasuar me fqinjët e tij si: Vlorën, Beratin apo Elbasanin. I themeluar në vitin 1864 nga Kahreman pashë Vrioni, qyteti i Fierit do të nisë të luajë një rol gjithnjë e më aktiv në vitet e Rilindjes Kombëtare dhe të pragpavarësisë.

Fieri ne fillimet e shekullit të 20
Fieri ne fillimet e shekullit të 20

1
Qysh me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Fier do të vijë një nga figurat qendrore të saj, Mehmet Ali Vrioni. I mbështetur tek të afërmit e tij, familja Vrioni, dega e Fierit, ai do të angazhojë në krijimin e degës lokale të Lidhjes, ku do të angazhoheshin disa nga familjet më me influencë të kësaj treve.
E drejtuar nga Omer Vrioni, ajo organizoi në 31 tetor 1878 mitingun e parë politik ku do të marrë pjesë edhe Abdyl Frashëri, i cili do të mbante edhe një fjalim në të.
Ndërkohë që në vitet e mëvonshme do të intensifikohet veprimtaria patriotike, jo vetëm në qytet, por edhe në rrethina. Kështu në vitin 1901, në Fier vepronte një komision i fshehtë që përpiqej të përhapte arsimin shqip, i cili mbante lidhje të rregullta me “pionierin” e arsimit kombëtar, Bab Dudë Karbunarën dhe Komitetin e Fshehtë të Beratit.
Përpjekjet e tij u kurorëzuan me sukses në vitin 1908, kur do të hapen dy shkollat e para të arsimit shqip në trevën e Fierit, ato të Libofshës dhe Cakranit. Gjithashtu gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare nuk munguan edhe ndeshjet e armatosura me pushtuesin turk. Mund të përmendim këtu kontributin e vëllezërve Bektash dhe Hajredin Cakrani, të cilët e kishin shdërruar Cakranin, një nga fshatrat e njohur të Mallakastrës së Poshtëme, në qendër të lëvizjes patriotike dhe të arsimit kombëtar.
Nën drejtimin e tyre u zhvillua edhe lufta e Cakranit në korrik të vitit 1911, gjatë së cilës u ndeshën disa nga çetat patriotike të Shqipërisë së jugut me ushtrinë turke. Por ngjarja më e rëndësishme për Fierin në kuadrin e Rilindjes Kombëtare, e cila çoi në mënyrë direkte në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, është Mbledhja e Fierit.
E mbajtur në 12 gusht të vitit 1912, ajo caktoi dy detyra kryesore. Të tilla ishin dërgimi i Ismail Qemalit në Stamboll për të kërkuar zyrtarisht autonominë e Shqipërisë dhe angazhimi i Luigj Gurakuqit pranë delegacionit që kryesohej nga Hasan Prishtina, në bisedimet shqiptaro-turke. Merita e kësaj mbledhjeje qëndron edhe në faktin se ajo i krijoi mundësinë “arkitektit” të pavarësisë, që nga Stambolli të gjykonte drejt situatën politike dhe të kthehej në Shqipëri, për të realizuar veprën më të rëndësishme të jetës së tij.

Omer Pashë Vrioni
Omer Pashë Vrioni

2
Në vjeshtën e vitit 1911, Italia e theu ushtarakisht Perandorinë Osmane dhe aneksoi Libinë, që deri atëherë kishte qenë pjesë e saj. “Në këto kushte kur parimi tokësor i Perandorisë Osmane nuk respektohej më”, theksonte Ismail Qemali, edhe shtetet ballkanike nuk do të qëndronin të qeta.
Kështu kur në “horizont”, po shfaqej një luftë e re ballkanike, e cila mund të çonte në një copëtim të Shqipërisë, deputetët shqiptarë të parlamentit turk në Stamboll, vendosën ta shfrytëzonin gjendjen e vështirë të Turqisë, për ta detyruar atë që të njihte më në fund edhe autonominë e Shqipërisë (Akademia e Shkencave, Historia e Shqipërisë, II, Tiranë 1984, f. 464-465).
Në kushtet e luftës parlamentare, në 11 janar 1912, Hasan Prishtina e kërcënoi qeverinë turke me një kryengritje të përgjithshme në rast se nuk do të realizoheshin kërkesat e shqiptarëve. Në parlament, grupi i deputetëve shqiptarë përkrahu partinë opozitare “Liri dhe Marrëveshje”, e cila ishte në opozitë me maxhorancën qeverisëse xhonturke, parashikonte decentralizimin administrativ të të kombeve të Perandorisë Osmane. (po aty, f. 466).
Të ndodhur përballë kësaj opozite, xhonturqit në 18 Janar 1912 shpërndanë parlamentin dhe vendosën shpalljen e zgjedhjeve të reja në pranverë, me qëllim që të siguronin shumicën parlamentare.
Në këto kushte, deputetët dhe një sërë personalitetesh politike shqiptare u mblodhën në Stamboll, për të vendosur për veprimet e ardhshme politike dhe ushtarake. Mbledhja e fshehtë e Stambollit vendosi që Hasan Prishtina të shkonte në Kosovë, e cila ishte vatra më aktive e lëvizjes shqiptare për të organizuar kryengritjen e re. Ndërsa Ismail Qemali do të udhëtonte drejt Europës për të siguruar mbështetje politike, financime dhe armë për kryengritjen e përgjithshme, e cila nisi në prill të vitit 1912 në Malësinë e Gjakovës dhe u përhap në Kosovë dhe Shqipërinë e veriut.
Në 21 Maj 1912, të mbledhur në Kuvendin e Junikut kryegritësit shpallën programin e tyre, ku kërkesat si, ngritja e një administrate shqiptare, përdorimi i shqipes si gjuhë zyrtare dhe i flamurit kombëtar, synonin autonominë e Shqipërisë brenda kuadrit të Perandorisë Osmane (po aty, f. 470).
Kuvendi i Junikut me programin e tij ndikoi në zgjerimin e kryengritjes edhe në Shqipërinë e mesme dhe atë të jugut gjatë verës së vitit 1912. Kryengritja e Shqipërisë çoi në mënyrë të pashmangshme në rrëzimin nga pushteti të xhonturqve. Kështu në 17 Korrik, qeveria e kryeministrit Said Pasha u detyrua të jepte dorëheqjen (po aty, f. 475).
Në vijim të zhvillimeve politike, në 22 korrik u formua nga opozita që kryesohej nga partia “Liri dhe Marrëveshje”, qeveria e re e drejtuar nga Ahmet Myftar Pasha, që urdhëroi ndërprerjen e veprimeve ushtarake në Shqipëri dhe dërgoi në Kosovë një komision qeveritar për të biseduar me kryengritësit.
Në këto kushte kur priteshin që të nisnin bisedimet shqiptaro-turke që do të prekin problemin e autonomisë, rrethet patriotike të Shqipërisë veriore, të mesme dhe jugore, shpejtuan që të autorizonin Hasan Prishtinën për t’i përfaqësuar edhe këto rajone në tryezën e bisedimeve (po aty, f. 478).
Bisedimet nisën në 2 gusht 1912, në Prishtinë, midis komisionit shqiptar të drejtuar nga Hasan Prishtina dhe përfaqsuesit të qeverisë së re turke, Marshallit Ibrahim Pasha.
Në bisedime, Hasan Prishtina, paraqiti përpara komisionit turk kërkesat e programit të autonomisë, të cilat nuk u pranuan nga pala turke. Kështu në 5 Gusht 1912, duke i bërë presion Perandorisë Osmane, kryengritësit nën drejtimin e Hasan Prishtinës marshuan drejt Ferizajt, ku mësuan edhe lajmin e shpërndarjes së parlamentit nga Sulltani.
Por gjatë ditëve në vazhdim, Hasan Prishtina, u njoftua edhe për mandatin e përfaqësimit të dhënë nga komitetet kryengritëse të Shqipërisë së jugut. Një gjë e tillë ndodhi në 23 korrik 1912, ku udhëheqësit e këtyre komiteteve u mblodhën në Sinjë, në shpatin jugor të malit të Shpiragut dhe hartuan memorandumin e autonomisë prej 12 pikash, i ngjashëm me atë të Greçës së vitit 1911 (po aty, f. 477).
Sinja u zgjodh pikërisht nga pozicioni i saj gjeografik si pikëlidhje e krahinave të Sanxhakut të Beratit, thekson për këtë rast studjuesi dhe përkthyesi Vehxhi Buharaja (V. Buharaja, Kuvendi i Sinjës dhe memorandum i tij. Gazeta Bashkimi. Tiranë 23 Korrik 1972).
Për ta bërë të njohur “Memorandumin e Sinjës”, përfaqësuesit e 49 çetave që morën pjesë në këtë kuvend, çliruan Fierin dhe nga zyra telegrafike e tij, njoftuan qytetet e Shqipërisë dhe qeverinë turke për vendimet e tij. Gjithashtu ata autorizuan Hasan Prishtinën për t’i përfaqësuar në bisedimet e nisura në Shkup.
Ndërkohë që situata politike dhe ushtarake në Shqipëri paraqitej e tillë, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të ndodhur me mision jashtë vendit, vendosën të kthehen në Shqipëri për të qenë më afër ngjarjeve politike, (Akademia e Shkencave, Historia e Shqipërisë, II, Tiranë 1984, f. 476).
Në monografinë “Luigj Gurakuqi”, studiuesi Piro Tako për këtë ngjarje shkruan: “Në 2 gusht Luigj Gurakuqi udhëton me Llojdin austriak nga Triestja për në Shqipëri (Vlorë), së bashku me Ismail Qemalin. Si mbërritën në Vlorë, ata u nisën menjëherë për në Fierin e çliruar, ku i pritnin përfaqësues nga Shqipëria e jugut dhe ajo e mesme. Ata mbërritën aty nga mbarimi i javës së parë të gushtit, në një kohë kur në Stamboll u zhvilluan ngjarje të tjera që çuan në rrëzimin e Ahmet Pashës dhe ardhjen në pushtet të Qamil Pashës.
Mbledhja në Fier, e cila me sa dimë, nuk është bërë objekt i ndonjë studimi të veçantë, u zhvillua në një kohë kur re të zeza kërcënuese mbuluan Ballkanin. Ethet e luftës… po përhapeshin me shpejtësi… E tillë ishe atmosfera në kohën që krerët e jugut e të Shqipërisë së mesme ishin mbledhur në Fier’’
(P. Tako, Luigj Gurakuqi, Tiranë 1980, f. 171-172).
Kështu në 12 gusht 1912, me pjesëmarrjen e Komitetit të Shqipërisë së Jugut zhvillohet në Fier, “Mbledhja e Fierit”, theksohet edhe në botimin e librit “Historia e Popullit Shqiptar” të botuar në vitin 2002, nga Akademia e Shkencave (Akademia e Shkencave, Historia e popullit Shqiptar. Vol II, Toena, Tiranë 2002, f. 486).
Më 12 gusht 1912, me pjesëmarrjen e komiteteve të Shqipërisë së Jugut u zhvillua në shtëpinë e Omer Pashë Vrionit në Fier, forumi i njohur si “Mbledhja e Fierit”. Nën drejtimin e Ismail Qemalit, në të morën pjesë 300 pjesëmarrës midis të cilëve edhe personalitete të kohës si Omer Vrioni, Aziz Vrioni, Izet Zavalani, Ismail Haki Tatzati, Pandeli Cale, Hajredin Cakrani, Bektash Cakrani, Qazim Kokoshi, etj. Më tej rreth mbledhjes së Fierit, në monografinë “Luigj Gurakuqi” midis të tjerave theksohet se: “Në mbledhje Ismail Qemali propozoi që të dërgoheshin në Kosovë nga dy delegatë për çdo krahinë që të bashkëpunonin me Hasan Prishtinën, por propozimi nuk u miratua me arsyetimin se koha nuk priste dhe se ana tjetër Shqipëria e Jugut e kishte autorizuar përpara disa ditësh (gjë që I. Qemali nuk e dinte) Hasan Prishtinën që të përfaqësonte interesat e saj. Përkundrazi mbledhja i sugjeroi Ismail Qemalit që të nisej menjëherë se Stamboll e aty të përdorte gjithë “ndikimin e tij në kabinetin e ri”.
Ndërsa Luigj Gurakuqi u ngarkua me një mision delikat, të nisej për në Shkup e “të luftonte për realizimin e kërkesave të parashtruara”
. (Pirro Tako, po aty, f. 171-172). Kështu dy vendimet më të rëndësishme të Mbledhjes së Fierit ishin: Së pari, Ismail Qemali do të shkonte në Stamboll me qëllim që, si njeri me influencë politike që ishte, të ndikonte tek kabineti i ri qeveritar i drejtuar nga Ahmet Myftar Pasha.
Së dyti ngarkohej Luigj Gurakuqi që t’i atashohej Komisionit Shqiptar që drejtohej nga Hasan Prishtina, për të mbështetur këtë të fundit, në bisedimet shqiptaro-turke që do të zhvilloheshin në Shkup.

Ismail Qemal Vlora - (1844-1919)
Ismail Qemal Vlora – (1844-1919)

3
Vendimet e marra në Mbledhjen e Fierit vërtetohen edhe nga një burim tjetër. Në letrën që Luigj Gurakuqi i drejton parisë së Elbasanit në 7 Shtator 1912 thuhet se: “Të ndershëm miq. Sikur ju thashë në letrën që ju dërgova nga Shkupi, unë ndonëse vura të gjithë kujdesin tim për t’u gjetur një orë e më parë në Kosovë, arrita mjerisht në Shkup dy ditë pasi shqiptarët kishin dalë prej atij qyteti.
Mua pra, nuk më mbeti tjetër për të bërë, përveçse te shkoja në Gjakovë e të merresha me atdhetarët e atjeshëm… Dy ditë përpara u takova këtu me Ismail Qemal Beun, i cili u nis për në Stamboll, ashtu si e kishim lënë fjalën në Fier. Atje do të mundohet ti mbushë mendjen qeverisë se ne Shqiptarët jemi shpëtimi i Turqisë e të nxjerrë nga ajo, në mos tjetër, njohjen zyrtare të kombësisë e të gjuhës sonë, pa të cilën nuk do të kemi as liri për shkollat, as të drejta për shoqëritë tona…
Unë doja të vija në Shkodër por dëshiroja më parë të merrja vesh fundin e përçapjeve të Ismail Beut në Stamboll. Që të mos rrimë kot këtu. Sot vendosa bashkë me disa miq, të vetë edhe unë në Stamboll që të kuptojmë menjëherë qëllimin e qeverisë…”
(Teuta Hoxha, Ismail Qemali, Përmbledhje Dokumentash, Tiranë 1982, dok 178, f. 214).
Kështu për të plotësuar misionin e ngarkuar nga Mbledhja e Fierit, në Stamboll mbrriti edhe Luigj Gurakuqi. Por në 18 Tetor 1912, nisi Lufta e Parë Ballkanike dhe aleanca e përbërë nga Serbia, Mali i zi, Bullgaria dhe Greqia, pasi e thyen Perandorinë Osmane në të gjitha frontet, nisën të pushtonin territoret e saj, përfshirë edhe tokat shqiptare. Në këto kushte, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi vendosën të kthehen në Shqipëri.
Ndërsa Ismail Qemali në kujtimet e tij tregon se: “…Atëherë kur aleatët Ballkanikë i shpallën luftë Turqisë, kur trupat Bullgare ishin në të pushtuar të Kirk-Kilisesë, ndërsa Serbët kishin zënë Shkupin, unë e kuptova se kishte ardhur koha për ne Shqiptaret të merrnin masa rrënjësore për shpëtimin tonë…”  (The memors… P. 369, cituar nga Arben Puto. Pavarësia e Shqipërisë dhe diplomacia e fuqive të mëdha. Tiranë 1978, f. 102).
Në këto kushte Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi u nisën nga Stambolli në udhëtimin e tyre historik për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Duke ndjekur itinerarin Stamboll-Bukuresht-Budapest-Vjenë-Trieste, ata mbërritën në Durrës në 21 Nëntor 1912. Pasi u penguan këtu në përpjekjet e tyre për Shpalljen e Pavarësisë, ata e vijuan udhëtimin drejt Vlorës nëpërmjet fushës së Myzeqesë.
Pikërisht ditën e fundit përpara se të mbërrinin në Vlorë, të dy burrat e shquar u ndalën përsëri në Fier, ku në shtëpinë e Omer Pashë Vrionit kaluan qëndruan gjatë mesditës së 24 nëntorit 1912. Në këtë shtëpi ku disa muaj më parë ishte zhvilluar mbledhja historike e Fierit u mbyll edhe cikli i autonomisë për të finalizuar tashmë qëllimin tjetër, atë të pavarësisë së Shqipërisë.

.

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.