back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Mbi eshtra martirësh ndërtuam nji Shqipëri aspak të mirë – nga Romi Muka

Gazeta

Xhelal Koprencka (1932-1979)
Xhelal Koprencka (1932-1979)

Mbi eshtra martirësh ndërtuam nji Shqipëri aspak të mirë 

nga Romi Muka

Brenga e humbjes thuhet që duhet të kalojë në 5 faza; kundërshtim, zemërim, marrëveshje, depresion e në fund pranim.
Isha e vogël aq sa tavolina kur isha e ulun më vinte pothujse tek fyti. Megjithatë çdo ditë uleshim ballë për ballë dhe me lezetin ma të madh, Nona (stërgjyshja jeme), m’ofronte edhe mu nji kafe spirilang. Në heshtje kthenim të dyja filxhanët e prisnim. Prisnim për ndërtimin preciz të një realiteti, përmes përsëritjes së vazhdueshme. Dhe këtë realitet Nona ma kishte lanë mu me e ndërtu. Unë isha fallxhorja e akreditueme me fmininë teme. Përmes fantazisë pa komplikime të një fmije, i ofroja asaj rrugë për tek i biri.
“…shoh nji person, asht burrë, i ri, jeton në Itali. Shumë shpejt ka me pru nji piano për mamin, nji fustan për nanën, kpucë për ty… e mandej vazhdoja nji imagjinatë krejt të detajume dhuratash, për mu e vllanë tem’…
Unë isha 5, e Nona 95, ajo ishte njiri i fortë dhe i disiplinuem. Nuk m’lete mu krruse tuj hangër, nuk dite me rrokë e puthë, thjesht t’vrojtote dhe t’pickote, në t’mirë ose në t’keq. Nuk dite me ba ledha, e megjithatë mbrrite me të dashte krejtësisht shqeto, siç donte edhe kafen…
E ky person, e karakter i fortë, qortues e sfidues, pranonte mu sfidu përditë para meje dhe filxhanit të fatit që unë i shkruja.
Ajo forcën e fundit të mosdorëzimit e gjeti te gjanat e vogla të jetës. Prandaj rutina e jeme me të ishte shumë e shndetshme. Ajo forcën e mosdorëzimit, e gjeti te fmija i saj në filxhanin tem. Përmes ktyne realiteteve të vogla, ajo mbeti gjithmonë tek faza e refuzimit. S’e pranoi kurrë humbjen e fmisë së vet!
.
Xhelal Koprencka - junior Avni Delvina
Xhelal Koprencka – junior Avni Delvina
T’pakten Botës nuk ia tha kurrë!
Fazën e dytë, zemërimin, falë edhe karakterit të tij kompleks e kaloj Avniu, nipi i tij.
Avni Delvina e sfidoj dhimbjen e Xhelalit duke u zhytë thellë dhe notu shumë. Zhytja e tij s’ishte veç nën ujë, por në thelbin e t’vërtetës së tij si njeri. Zhytej e vazhdon e zhytet përditë nën ngjyra, personazhe, copëza jete. I nervozohet shumçkaje; tonit të keq të ngjyrës, të zërit, lakimeve të reve në qiell, i zemërohet shpirtit human. Ai s’e kaloj kurrë fazën e zemërimit, ndoshta edhe për arsyen se pa zemërim mendon se mund ta humbë atë, dajën e tij!
Mami jem, humbjen e dajës së vet u përpjek me e mbytë në lot, lotë fizik. Mendoj që s’kam njoftë hala një person, që ka kapacitet me qa ma shumë se ajo. N’imagjinatën teme, dikur, dikund brenda saj asht hapë një burim lotësh që s’ka mu mbyllë kurrë. Edhe pse jena na, edhe pse asht ba gjyshe.
Ndërkohë gjyshja jeme jetonte në një përpjekje të vazhdueshme me ndërtu një botë ma t’mirë, ku njerzit që don nuk humbin gjithmonë. Prandaj gatuante edhe për t’tjerë, hapte petë të mira e t’holla edhe për kojshitë, iu gjindte shumëkujt, sepse besonte që kjo marrevëshje/negociim me jetën do ta ndalte fatin e keq t’familjes s’vet t’mbetun.
Xhelal Koprenca i ekzekutuar në një vend anonim, me 29 Maj 1979, është simbol i vuajtjes më dehumanizuese, vrasjes me gjakftohtësi të njeriut nga njeriu!
Xhelal Koprencka dhe bashkëvuajtësit e tij, të tretur dikund në tokën shqiptare janë aryeja pse nuk dimë të përballemi me vdekjen e tyre, nuk dimë t’i zemërohemi shkaktarëve, nuk dimë të negociojmë jetën. Ata janë pjesë e arsyeve të depresionit të shoqërisë sonë, ku xhelatët dhe bashkëvuajtësit jetojnë pranë e pranë. Vdekjen e tyre nuk e pranojmë dot as si familjarë, e as si peshë mbi supe si shoqëri, jo vetëm sepse s’kanë varre, por sepse s’jemi të shëruar!
Anonimiteti i varreve të tyre, është simbol i të kaluarës sonë të hidhur, por që përmes përpjekjeve të vazhdueshme, synohet të mbesë edhe ajo anonime.
Xhelal Koprencka është një nga të shumtit shqiptarë të mirë, mbi eshtrat e të cilëve ne ndërtuam një Shqipëri aspak të mirë!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.