back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Lin Delija n’arratinë e artit… – refleksione mbi dy kuadro të tij nga Jozef Radi

Gazeta

Lin Delija (1926-1994) - Autoportret
Lin Delija (1926-1994) – Autoportret

Lin Delija n’arratinë e artit…*

refleksione mbi dy kuadro të tij nga Jozef Radi

Lin Delija asht nji piktor i randsishëm në kontributet e tija artistike. N’arratinë e tij prej diktaturës ma të egër n’Europë, e në veçanti të qytetit të tij Shkodrës, ai s’u shpërngul veç fizikisht, po mori me vedi edhe tragjedinë e atdheut, me besimin se fuqia e tij e artit do t’ia dëshmonte “Urbi et Orbi” (Romës dhe Botës) klithmën e nji populli ndër pranga, e ta dëshmonte përmes talentit në realitetin e nji tjetër vendi. Lin Delija asht ndër ata t’hikun shqiptarë që n’arratinë e tyne fizike kishin edhe arratinë shpirtnore të artistit, që u banë fat i kulturës shqiptare! N’at ikje prej së Keqes, Lin Delija dhe sivllaznit e tij të arratisë kishin me vedi edhe bekimin e Zojës së Shkodrës, e cila mbas pushtimit turk të qytetit, mori arratinë përtej Adriatikut në Genacano diku afër Romës, me dëshmue tragjedinë e dikurshme të Shkodrës.
.
Lin Delija (Të mbytunat) - koleksion privat
Lin Delija (Të mbytunat) – koleksion privat
Vepra e Lin Delisë, sot asht duke fitue gjithnji e ma tepër hapsinë komunikimi dhe në këtë shtegtim të vlerave, shpesh më ka ndodhë me u ndalë e me u mahnitë me kët artist që kurrë si dha lavde vedit, mbasi në bindjen e tij, do t’ishte koha ajo që nji ditë do ta thoshte fjalën e saj…
Në kët trajtim modest të figurës së Lin Delisë dhe artit të tij unë do të ndalem në dy kuadro të veçanta të tij punue rreth viteve ’80, në tempera, e që sot janë pjesë e nji koleksioni privat, vllazënve Brunelli, (simbas atyne që kurojnë veprën e Delisë, në Antrodoco). Më duhet me theksue, se në kët periudhë, Lin Delia, pati probleme me bojnat e vajit, dhe u detyrue me hjekë dorë prej punimeve të vajit, dhe punimet me tempera i dhanë nji dritë të jashtzakonshme punimeve të tij, e ku bajnë pjesë edhe këto dy kuadro që më futën në nji raport të fuqishëm shpirtnor, e ku gjeta diçka mahnitëse e të thellë që më shtynë me u ndalë e me reflektue…
Këto dy kuadro kanë në qendër figurën e grues. Tablloja e madhe e titullueme “Të mbytunat” janë shtatë-tetë gra të mbytuna, nuditeti i bukur të cilave asht i lidhun me dhunën… Piktori ka zgiedhë detin dhe qiellin e nji ditë t’paqme me dëshmue dhimbjen. Deti ka hise shumë ma të madhe se qielli në këtë dramë femnore. Trupat e grave janë të lëshueme, të zhytuna, me nji bardhsi lëbyrse. Asht nji vdekje kolektive e grash! Nji dhunë e padukshme që s’e ka deformue bukurinë e tyne. Ato janë të hijshme, të reja, të vishkullta, pa asnji njollë përgjakje! Janë kufoma t’nji kaltërsi që stonon mjaft me dhimbjen, dhunën dhe vdekjen që këto krijesa të brishta e joshëse shpallin. Asht nji trishtim i thellë e na duhet me kërkue kuptimin e munguem, që sigurisht ka përjetue autori i këtyne sirenave… e që n’arratinë e tij, i ka marrë me vedi. Me siguri janë shumë gratë që u vranë, u dhunuen, u masakruen u lanë rrugave e që autori i ka ruejtë në thellësi të shpirtit që nji ditë përmes fuqisë së artit t’i shfaqë. Lin Delija i ka zhytë ato nën nji detë kristalin e nën nji rryp qielli prandvere. Detin e ka pre tërthor, si t’ishte nji akuarium… Edhe pse vdekja asht nji terr i thellë ai e ka shpalosë vdekjen e kaltër, si me dashtë me dëshmue se drita e mirësisë se tyne edhe të mbytuna, mundet me na shërbye si nji mesazh drite që vjen nga dlirësia dhe pafajsie. Përballë kësaj tablloje emocionuese, nuditeti kalon në plan të dytë dhe mbetet drita e botës femnore e ndame në dy plane në nji ekuilibër midis trupave ujit dhe ajrit.
.
Lin Delija (Maria Magdalena) - koleksion privat
Lin Delija (Maria Magdalena) – koleksion privat
Piktura e dytë asht nji grue e dhunueme. Nji Maria Magdelenë e kruspullueme n’akull. Edhe këtu Delija e ka kërkue bukurinë përtej lakuriqsisë, duke trazue dhunën e pësueme me dëshpërimin e vetmisë. Ngjyrat janë ma të forta e dhuna ma e pranishme. N’se në kuadrin e masipërm vdekja asht kristaline, këtu jeta shfaqet n’kontrast të fuqishëm me dritën… Për me plotësue dhunën e pësueme nga grueja e bame grusht, e ka pre n’diagonal nji hije terri që i bjen kuadrit midis! Asht hija e dhunës! Fytyra e mpreftë ku duket nji goditje e zbritun prej syve, mbi hundë e deri të buzët e saj, asht dëshmi e dhunës që e ka tukeqë e mpakë e mbledhë e që kërkon me u mbrojë në lakuriqësinë e saj e me mshehë çka mund të mshehet prej asaj hije kërcënuese…
Ky kuadër tronditës më përkon tejet me rrëfimet e nënzashme të nanës sime në hetuesitë e diktaturës. “Më kishin lidhë për kambësh e duersh e më mbanin hava me litar e më zhytnin në nji fuçi me ujë të ftoftë. Nuk e di sa kohë më mbanin ashtu, di vetëm që vinte nji çast që më dukej sikur mbytesha… dhe vetëm kur e shifja që litari që më shtrëngonte prej kambësh ngjitej me forcë nalt e unë ndjeja ujin që derdhej me currila prej trupit tim së bashku me lëngjet e trupit, e që më ndaleshin ndër buzë, ndër sy e hundë… Ma përsëritnin kët gja për orë të tana derisa lodheshin mandej m’lëshonin përtokë e e dridhesha e gjitha e bahesha sa nji grusht… në çdo fije floku kisha qindra morra, e s’isha në gjendje as të mendoja, as të flisja e vetmja gja që m’ngushllonte ishin lutjet. Nuk reshtja së lutuni. Mandej në mesnatë fillonin pyetjet… S’isha në gjendje m’u përgjigjë! S’i kisha mbushë ende 25 vitet… kur më kishin arrestue. Hyna 63 kile kur dola në gjyq isha veç 40 kile… Ata 6 burra, me të cilët më kishin ba grup, as i njifja. Kisha pranue në kushtet e dhunës fizike e psikologjike çka kishin dashte ata… Nuk kishin lanë torturë pa provue mbi mue… Sikur t’ishte e mundun do ta kisha pranue me vdekë vetëm t’mos vueja ma para atyne kanibalëve të pashpirt…!” Dhe kjo grue mbështëtë në çimento e sjellë prej Lin Delisë, ashtu e kruspullueme e dhunueme më solli ndërmend nanën time, at pafajsi hyjnore që u përball me hijet dhe hijenat e diktaturës…
Ky asht arti, ky asht artisti i pavdekshëm, që e mori realitetin tragjik, e ndryu në shpirt, e n’arratinë e tij e ban pjesë të botës së emancipueme…!
.
Grueja asht pjesë thelbësore e artit të Lin Delisë, asht ma shumë se gjysma e botës së tij të artit. Asht nji grue heroike edhe në tragjizmin e saj, ku artisti edhe nuditetin e saj s’e ka lanë në kufijtë estetikë të kundrimit, po e ka shndrrue në bashkjetim e përjetim të dhunës e luftës kundra dhunës ndaj grues… Nji përmasë që sigurisht asht vlerë e piktorit Lin Delija, e cila me kohë ka me u plotësue e m’u ba ma e plotë e ma klithëse. Kuadrot e Lin Delisë kanë me vazhdue me udhëtue nëpër botë me gjymtimet e nji atdheu që s’e desh kurrë siç e meritonte, as artin dhe as artistin Lin Delija…
prill 2019
.
*Për këto dy kuadro asht bisedue me Armando Nicolettin, mik dhe mbrojtës i pjesës ma të madhe të kësaj pasunie artistike…
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.