back to top
20.4 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

Letër Kërcimit… – nga Rudolf Nurejev

Gazeta

Rudolf Nurejev (1938-1993)
Rudolf Nurejev (1938-1993)

Letër Kërcimit…

nga Rudolf Nurejev

Kur në Perëndim, rreth vitit 1982, filluan të përhapen HIV e AIDS, kërcimtari i madh Rudolf Nureyev nuk i kushtoi asnjë vëmendje këtij fakti, siç bënë në të vërtetë edhe shumë të tjerë: ka mundësi që pikërisht në këto vite kërcimtari të jetë prekur nga virusi që shkatërron mbrojtjen imunitare, HIV apo AIDS. Në fillim ai e minimizoi, mohoi që kishte diçka të çuditshme lidhur me shëndetin e tij: kur më 1990, sëmundja u evidentua e s’ekzistonte më as dyshimi më i vogël, pretendoi të kishte tjetër sëmundje, duke refuzuar çdo lloj mjekimi të disponueshëm në atë kohë. Më në fund iu desh ta pranonte faktin se ishte duke vdekur; e shprehu këtë edhe nëpërmjet kësaj letre prekëse Letër kërcimit, bashkë me testamentin artistik e ekzistencial.
Era e lëkurës sime të ndryshuar, parapërgatitja para leksionit, largimi nga shkolla dhe puna në fushë bashkë me babanë (ishim dhjetë fëmijë për t’u mbajtur), qenë ato që më shtynin të bëja në këmbë dy kilometrat për të mbërritur në shkollën e baletit. Nuk do të isha bërë kurrë balerin, nuk mund t’ia lejoja vetes këtë ëndërr, por unë u bëra i pranishëm atje, me atletet e grisura në këmbë, me trupin tim të shkrirë nga muzika, me gjoksin plot ajër që më ngrinte sipër, ndër re. Ishte kuptimi që unë i jepia qënies sime, ishte të qenit atje për t’i shndërruar muskujt e mi në fjalë e poezi, ishte era që më pushtonte krahët, ishin djemt’e tjerë që si edhe unë qëndronin atje e mbase nuk do të përfundonin si balerinë, por shkëmbenim së bashku djersën, heshtjen, vështirësitë. Trembëdhjetë vite studiova dhe punova, asnjë audiencë, asnjë, sepse krahët e mi shërbenin për të punuar arat. Por nuk më bënte përshtypje: unë mësoja të vallzoja e kërceja sepse e kisha të pamundur të mos e bëja, më ishte e pamundur të mendoja se mund të ndodhesha tjetërkund, të mos ndieja dheun të transformohej nën thembrat e këmbëve të mia, e pamundur të mos humbja nën tingujt e muzikës, të mos shihesha në pasqyrë për të provuar hapa të reja. Zgjohesha çdo ditë duke menduar momentin kur do të fusja këmbët brenda atleteve e bëja gjithçka për ta shijuar këtë moment. E kur isha atje, nën erën e kamforit, drurit, trikove, shndërrohesha në shqiponjë mbi çatinë e universit, ndihesha poet ndërmjet poetësh, isha kudo dhe gjithçka.
.
Rudolf Nurejev (1938-1993)
Rudolf Nurejev (1938-1993)
Kujtoj balerinën Elena Vadisllova, nga familje e pasur, e kujdesshme, e bukur sa s’bëhet. Deshte të vallzonte si unë, por më vonë e kuptoi se nuk qe e mundur. Ajo vallzonte në gjithë audicionet, në shfaqjet e fund viteve, për mësuesit që e kundronin për t’i bërë homazh bukurisë së saj. U përgatit dy vite me radhë për konkursin Djenko. Pritshmëritë ishin që ajo të fitonte. Dy vite gjatë të cilëve sakrifikoi pjesë të jetës. Nuk e fitoi konkursin. Hoqi dorë nga kërcimi për gjithmonë. Nuk e përballoi dështimin. Këtu ishte dallimi ndërmjet meje dhe asaj. Unë kërceja se kërcimi ishte besimi im, nevoja ime, fjala që s’arrija ta shqiptoja, mundi im, varfëria ime, lotët e mia. Unë vallzoja sepse vetëm aty qenia ime mposhtëte kufijtë e kushteve të mia shoqërore, të ndruajtjes sime, të turpit. Unë vallzoja dhe kisha universin në krahët e mi, e ndërkohë që isha në shkollë, studioja, punoja tokën fushave që nga ora gjashtë e mëngjesit, mendja ime duronte se ishte e dehur prej trupit tim që thithte ajër.
Isha i varfër, e para meje konkuronin djem e vajza me veshje të reja, që kishin udhëtuar nëpër botë. Nuk e vuaja këtë gjë, vuajtje për mua do të ishte mohimi i të drejtës për t’u futur në sallë e të ndjeja djersën time të delte nga poret e fytyrës sime.Vuajtja ime do të ishte të mos ndodhesha, të mos isha atje, i rrethuar nga ajo poezi që vetëm lartësimi artistik mund ta japë. Ndihesha piktor, poet, skulptor.
Balerini kryesor i shfaqjes të fund vitit ishte dëmtur. Isha i vetmi që njihja çdo lëvizje sepse unë thithja i heshtur çdo hap. Më thanë të vishja kostumin e tij të ri, të shkëlqyer dhe mbas trembëdhjetë vitesh më mundësuan përgjegjësinë të demonstroja, të interpretoja. Në ato çaste kur vallzoja në skenë, asgjë nuk ndryshonte, ndihesha si në sallën me rrobat e mia të zakonshme. Por unë ndieja praninë, kërcimi ishte ai që më interesonte. Duartrokitjet më arrinin të largëta. Në prapaskenë, e vetmja gjë që doja ishte të hiqja këtë veshje të bezdisshme, por më mbërrinin komplimentet e të gjithëve dhe duhej të prisja. Gjumin nuk e pata të ndryshëm nga ai i netëve të tjera. Kisha kërcyer dhe ata që ishin duke më ndjekur më dukeshin vetëm si një re e largët në horizont. Nga ky moment jeta ime ndryshoi, por jo pasioni dhe nevoja ime për të vallzuar. Vazhdova të ndihmoj tim atë në ara edhe pse emri im lakohej nga të gjitha gojët. U bëra një nga yjet më të ndritshëm të skenave.
.
Rudolf Nurejev (1938-1993)
Rudolf Nurejev (1938-1993)
Tani e di se duhet të vdes, sepse kjo sëmundje nuk fal, trupi im është i bllokuar mbi një karrocë lëvizëse, e gjaku nuk qarkullon më, bije në peshë çdo ditë. E vetmja gjë që më shoqëron është kërcimi liria ime e të qenit. Jam këtu, por unë vallzoj me mend, fluturoj tej fjalëve e dhëmbjeve të mia. Unë vallzoj qenien time me pasurinë që di se e kam e do më ndjek kudo: atë që i kam dhënë vetvetes mundësinë e të ekzistuarit mbi vuajtjen e të mësuarit se po provove lodhje e mundim gjatë kërcimit, e ulesh nga sforcimi, nëse vajton për këmbët tua të gjakosura, nëse vrapojmë vetëm drejt qëllimit dhe nuk ndiejmë kënaqësinë e plotë dhe të vetme të lëvizjes, nuk kuptojmë esencën e thellë të jetës, domethënia e të cilës qëndron në përsosjen dhe jo në dukjen. Çdo njeri duhet të vallzojë gjatë tërë jetës. Mund të mos jesh balerin, por duhet të kërcesh.
Kush nuk ka për të njohur kurrë kënaqësinë e të futurit në një sallë me shufra druri e pasqyra, kush tërhiqet se nuk arrin rezultatin e dëshiruar, kush ka gjithmonë nevojë stimujsh për të dashuruar ose jetuar, nuk është futur në thellësinë e jetës, dhe do ta braktisë qëllimin sa herë jeta nuk do t’i dhurojë atë që ai dëshiron. Është ligji i dashurisë: dashurohet sepse ndihet nevoja për të dashuruar, jo për të arritur diçka apo për të pasur favore, në të kundërt je i destinuar të jetosh në hidhërim. Unë jam duke vdekur, e falënderoj Zotin që më dha një trup kërcimtari për të mos humbur kështu as edhe një çast të kësaj dhuntie të mrekullueshme të jetës.
.
Marre nga muri i FB i Minella Dani, 26 dhjetor 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.