12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Leksionet e munguara të Profesor Isuf Luzajt

on

|

views

and

comments

Profesor Isuf Luzaj (1913-2000)
Profesor Isuf Luzaj (1913-2000)

Leksionet e munguara të Profesor Isuf Luzajt

Isuf Luzaj,
mbetet nji ndër figurat më të ndritshme
akademike dhe filozofike shqiptare dhe më përtej;
i cili ende i mungon lexuesit dhe auditoreve shqiptare…
Askush nuk mban përgjegjsi dhe as jep llogari për këtë mungesë…
Si shumë vonesa historike dhe përjashtime të ndritura
edhe Jusuf Luzaj mbetet pjesë e kësaj vonese
dhe e këtyre përjashtimeve të perndritura...
Megjithatë, duke besuar se asnjiherë s’është vonë
për kryer kërkime të vogla apo paraqitje sado simbolike në njohjen
apo dhe hedhjen dritë mbi këto figura ende pa referenca akademike,
kryejmë nji mision sa human aq edhe kombëtar…
Sepse si duket Bota e Liliputëve
ende beson se shumësia e tyre mund t’u bëjë hije Gjigandëve
Për kohën në vazhdim radiandradi.com do të paraqesë çdo herë
diçka nga vepra e pakufi e Profesor Isuf Luzajt…
jozef radi, 13 nëntor 2016

Jusuf Luzaj - Dipllomimi në Paris
Jusuf Luzaj – Dipllomimi në Paris

***

“Lexonjës pra, unë të dërgoj ty, të fluturoç si një bletë zogë, lule më lule të thithësh nektarin që do konvertohet në mjaltë. Kjo është një lulishte plot me lule, tokash e kulturash të ndryshme, themash heterogjene, nga njëherë kapricoze, që do të ndezin në shpirtin tënd ëndje për njohuri në mendime që janë fruti i një eksperience gjysëm shekullore; porse lexo dhe mendo! Bëj dëshirën zakon dhe zakonin pasion, jo si shëtitje kurioze e Epikurianevet, porse si një studim shkollor methodhik, thellohu sistematikisht në mendimin, afërsisht, llogjikisht duke analizuar çdo themë dhe duke depozituar në dhomat e kujtesës tënde me rregull, në mënyrë që kur të duash të hapësh dyert e saj dhe t’i gjeç të freskëta për çdo qëllim tënd…” (Isuf Luzaj “Ditari i Mësonjësit” Vëllimi IV)

***

“Në gjeneratat pa ideale vërehet gjithmonë një komplotim i fshehtë i ndyrësirave kundër meritës. Të gjithë të paaftit, për të krijuar vetë fatin e tyre, bashkojnë pafuqitë e tyre dhe i kondensojnë në një moral burokratik, që infekton tërë shoqërinë. Njerëzit aspirojnë të maten e të jenë të matur prej radhës së tyre funksionarësh; kulti kuantitativ i aktivitetit i rri përsipër respektit cilësor të aftësisë. Kur e keqja është e thellë, siç ndodh mes diplomatëve profesionistë bëhet vetë imoraliteti strukturë e sistemit; individët maten midis tyre sipas hierarkisë së tyre, si fisha vleftash të ndryshme në një tryezë lodre kumari… Le t’i urrejë me vendosmëri rinia këto vlera false, të krijuara prej komplicitetit në errësirë dhe turp… Merita mund të matet me rezistencën që provokon. Çdo pohim i personalitetit shkakton një kryengritje të nuliteteve; të rinjtë që ushqejnë ideale, duhet t’i njohin këto rreziqe dhe të jenë gati që t’i fitojnë. Në fushën e aksionit dhe të artit, të mendimit e të punës, Merita jeton e rrethuar nga armiqtë; mungesa e tyre është dëshmitare e pakundërshtueshme e pavlerësimit…” (Isuf Luzaj “Rindërtimi i Fuqive Shpirtërore” faqe 108)

Jusuf Luzaj - Los rios bajan rojos
Jusuf Luzaj – Los rios bajan rojos

***

Neruda i dërgoi një letër Isuf Luzajt ku i thotë: “I admiruari im, Luis Borges më dërgoi librin tënd bashkë me fjalët më të mira.
Ne dhe pse s’pajtohemi në fe dhe në pikëpamje politike, na pajton gjuha e përbashkët, gjuha poetike dhe libri yt është vlerë për shkrimtarët latino-amerikanë.”

***

“Në Institutin Francez të studimeve të larta, në Buenos Aires jepja një kurs të lirë për të gjithë: Morali, Etika dhe Estetika në mendimin modern. Vinin Intelektualë si dëgjonjës: gazetarë, shkrimtarë, poetë, piktorë, muziçistë dhe një skulptor me famë botërore. Në atë rast dhe për atë arsye, u bëra mik i afërt me poetin e madh (Jorge Luis Borges), them mik e shok, sepse ai ishte një vigan, kurse unë një vocërrak, edhe sepse ai ishte marksist shpirtërisht dhe oligark praktikisht. Lundronim në ujëra të ndryshme…” (Isuf Luzaj “Filozofia e Bukurisë” faqe 106)

Jusuf Luzaj "Kujdeset bletës" dorëshkrim
Jusuf Luzaj “Kujdeset bletës” dorëshkrim

***

“Është e vërtetë që një pemë duhet të njihet nga frutat që jep. Më pëlqen të njoh në krijimin e bukurisë dhe të rregullit dhe e dimë që bukuria është rregull në natyrë, në art, në shkenca, në njerinë.
Po pyesëm ç’është çrregulli? Ndoshta qërrimi, shëmtërimi, shkatërrimi, lufta, dënimi, krimi dhe fati janë pjesë e çrregullit. Ndofta e liga është një evolucion i rregullit që arrin në çrregull? Porse shohëm në botë që egzistojnë më shumë vuajtje se sa lumturi; prandaj kemi pluralitet dhe pa këtë pluralitet dhe luftë – përpjekje nuk do të ish e mundur të kishim një botë. Mirëpo ç’të themi për përpjekjen e pa fruta si lufta dhe e liga në jetë? Ç’mund të themi me milionë farëza me të cilat mund të prodhohen miliona jetë që vetëm një pjesë e vogël tregon cillësi? Ç’mund të themi për çmendurinë e egoizmit dhe endja për fuqi, si grumbullimi i kapitalevet, por që të gjitha krijojnë mjerim? Një gjë është e vërtetë që i tërë krijimi, rritet, udhëton bashkimisht, deri tani duket e vërtetë. Po çfarë ligji misterioz fuqizon të ligun për të çfarosur rracën njerëzore, në përleshje të përbotëshme, ku humbën jetën milionë qenije njerëzore të pafajëshme! Çfarë ligji misterioz i natyrës është ai që lind e vdesin njëzetë qytetërime dhe që dikur edhe qytetërimi ynë do vdes e do varroset si të paraardhësit e tijë; oriental – hindu, arab, babillonës, egjyptian e grek?
I vetmi ideal që i mbetet njerëzimit, të gjejën udhën e paqes, të dashurisë, të mirësisë dhe duke punuar në një rregull si organet e një koncerti që prodhojnë një symfoni të mund të ndërtojën një botë më të mirë të kënaqëshme, që të j’a vlejë mundimi për të jetuar. Vetëm në këtë të vërtetë poetike besoj…
Ky pozicion imi, pati pranim, jo si një e vërtetë fillozofike, po si një dëshirë ideale poetike – fetare, për të j’a u porositur popujvet, të vendvet dhe Kombeve të Bashkuara.” (Isuf Luzaj: Mbyllja e librit të gjashtë të koleksionit prej 12 vëllimesh “Kujdeset e Bletës”)

***

Përqafuam komunizmin pa ditur asnjë shkronjë, pa le një faqe, ose një libër të Marksizëm – Frederik Engels Leninizmit Stalinian. Jo vetëm populli ynë që nuk ua dinte as emrat, krijonjësve të marksizmit (shif Jean Tacoou Rousseau) po as udhëheqësit e popujvet nuk dinin asgjë mbi atë filozofi utopike. Prova është që të gjithë udhëheqësit e komunizmit shqiptar ishin nxënës të falimentuar në bankat e shkollës, që nga më i madhi deri tek i vogli i tyre.
Asnjë komunist shqiptar që prej vitit 1924 deri sot 1997, nuk ka lexuar Filozofi dhe aq më pak këtë moderim me Sooren Kiekegger – Leibniz – Nietzsche – Spinoza -Martin Heidegger – Dostoyevsky – Sartre – Martineti – Kroce pa le Kantin. Padituria, fanatizmi, supersticioni, autosugjestioni, ambicioni i marrë, (fodullëku) kurrë nuk prodhuan në Historinë e përbotëshme veçse gjak i derdhur kot; robëri, tirani, tortura.
Një popull që pranon të udhëhiqet nga një bajraktar malësor, nga një Haxhi Qamil ose nga një Enver Hoxhë, nuk mund të presë veçse atë që ndodhi.
Vetëm mësimi i shëndoshë, pastrimi i ferravet dhe drizave turko-mongolo- bizantine, pastrimi nga veset oksidentale, vetëm një vullnet i çelniktë në shpirtin e shqiptarit do t’a bjerë kombin tonë në radhën e parë të qytetërimit oksidental sepse neve nuk n’a mungojnë cilësitë e trurit zhvillimi i trurit, drita e trurit.
Jam i sigurt që këtë traguard, që duket i largët si një yll i pa arritshëm përtej zonës së zodiakut, populli shqiptar i udhëhequr nga rinija e shekullit njëzet e një (21) do t’a arrijë sigurisht…” (Isuf Luzaj “Kujdeset e Bletës” Vëllimi V)

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

1 Koment

  1. Robert Martiko:
    Krahasuar me botën perverse të Njeriut të Ri, Jusuf Luzaj, përngjajshmërisht me një grusht mendimtarësh të zgjedhur shqiptarë, përfaqësues të mendimit klasik, është shembulli i një Individi të rrallë, një ishull i bukur ekzotik në ujëra të largëta, pothuajse të harruara. Në këtë aspekt nuk mund të mos ndiej detyrën për të falënderuar Jozef Radin, si hulumtues të këtyre lloj vlerash me karakter universal, të denja për t’u marrë në konsideratë në të gjitha kohët e njerzimit.
    (marre nga muri i fb. 15 nentor 2016)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.