back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Maj, 2024

Lec Shllaku (Shkodër, 3 nëntor 1921 – 5 gusht 2007) – Memorje në përkujtim të Artistit…

Gazeta

Lec Shllaku (Shkodër, 3 nëntor 1921 - 5 gusht 2007)

Lec Shllaku (Shkodër, 3 nëntor 1921 – 5 gusht 2007)

Lec Shllaku (Shkodër, 3 nëntor 1921 – 5 gusht 2007)

Memorje në përkujtim të Artistit…-

Lec Shllaku u lind më 3 nëntor 1921, në qytetin e Shkodrës. Shkollën fillore e kreu në “Shkollën Fretnore” dhe të mesmen në gjimnazin “Illyricum”, si kolegjial. Klasën e fundit dhe maturën e merr në shkollën “28 Nëntori”. Më pas përfundon shkëlqyeshëm institutin 2-vjeçar dhe studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi ne vitin 1966. Është i ati i aktorit Bruno Shllaku* dhe poetit e sudiuesit Primo Shllaku.
Në vitet 1945-1949, vuri në skenë me grupin e teatrit pranë Shtëpisë së Kulturës Shkodër disa pjesë, si: Agimi, Kopraci, Jeta fillon përsëri, Shërbëtori i dy zotërinjve, Tirani i Padovës. Së toku me regjisorin Andrea Skanjeti,*, u bë ndër artistët që dhanë një ndihmesë të madhe në ngritjen dhe kualifikimin e aktorëve të ardhshëm profesionistë të teatrit “Migjeni”* të Shkodrës. Qysh nga viti 1950-1962 ka punuar si regjisor i këtij teatri. Në vitin 1952, vuri në skenë në teatrin “Migjeni” komedinë e Molerit “Koprraci”, që shënoi një ngjarje të bujshme artistike për kohën. Ai theksoi veçanërisht anët e forta e dramatike të komedisë, përçudjen e karakterit të njeriut nga vesi i koprracisë, sikundër qe trajtimi i figurës së Harpagonit nga aktori Zef Jubani.* Tone të zymta tragjike, shoqëruar me ankth që vinte prej rrezikshmërisë që paraqiste Tuç Maku, u vunë re në inskenimin e dramës “Toka jonë” e Kolë Jakovës*, 1954. Koncepti regjisorial i Lec Shllakut i dha një frymë realiste dramës së Ndrek Lucës*, “Shtatë shaljanët”, 1958, duke iu larguar zgjidhjeve monumentale e patetike dhe duke mësuar sa më shumë vërtetësi historike dhe karaktere të gjalla. Me themelimin e teatrit “Skampa”* të Elbasanit, me 1982-1970, shkoi dhe punoi aty si regjisor, duke vënë në skenë 13 pjesë, 10 drama e 3 komedi, si: Rrethimi i bardhë, Shtatë shaljanët, Fundi i një intrige, Shqetësimet e Sokratit etj. Në këtë teatër vuri në skenë me një sukses të bujshëm, falë një fantazie të pasur regjisoriale, komedine “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut,* më 1965; e cila mund të çmohet si një nga punimet e tij më të mira regjisoriale. Përmes saj ai i dha jetë një subjekti plot peripeci e befasime humoristike (në një nga fushatat elektorale të radhës), duke u ngulmuar në trajtën e mprehtë të kundërshtive komike të veprës, mesazhet e saj, tipat. Me këtë komedi ai shpërfaqi talentet e dy aktorëve të njohur të teatrit shqiptar, Robert Ndrenikës,* në rolin e Filimonit dhe Shpëtim Shmilit,* në rolin e Eliodor Pakut, vagabondit. Një humor që rridhte nga shfrytëzimi i mençur i situatës komike, po ashtu nga vizatimi i disa karaktereve orgjinale, u pa edhe te trajtimi që i bëri komedisë Shërbëtori i dy zotërinjve e Karlo Goldonit.
Regjisori u mësoi enkas kontrasteve komike, por pa iu shmangur seriozitetit në ballafaqimin moral e karakterial midis personazheve, të dhëna këto përmes një sarkazme të holle e pa tepri. Përmes vënies në skenë të dramës “Udha e Zavalinajve” e Thanas Borodanit,* më 1967, sado që një refleks i klisheve letrare të kërkuara për trajtimin e temës së fshatit, Lec Shllaku ndërtoi përkundrazi një strukturë dhe atmosferë gazmore, duke ngulmuar më fort në vërtetësinë e raporteve njerëzore, të dhëna përgjithësisht në një tonim optimist e shkaktor, në sajë të dhuntisë për t’i njëmendësuar në shenja e gjetje të mprehta regjisoriale ndodhitë dhe personazhet e përfshira në subjektin e thjeshtë të kësaj pjese.
Mbas 8 vitesh punë të suksesshme në këtë teatër, u largua me masë ndëshkimore dhe u çua të punojë si mësues në rrethinat e Shkodrës, në shkollën 8-vjeçare në Koplik. Nga viti 1970-1976, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të Shkodrës. Ka shkruar në gjedhe të ndryshme letrare, si poezi, tregime, romane, publicistikë, studime, një pjesë e të cilave janë ende në dorëshkrim. Në fushën e studimeve mbi teatrin ai ka botuar monografitë Zef Jubani, Loro Kovaçi, ndërsa libri “Maska shkodrane”ë është një studim përfshirës, i natyrës historike, me fakte, dokumente dhe vlerësime të shumta, që rrok një periudhë të gjatë të zhvillimi të teatrit në qytetin e Shkodrës e më gjerë, filluar qysh nga Rilindja Kombëtare. Ka botuar gjithashtu poemën Noria e Nika, si dhe dramat Skënderbeu, Shqetësimet e Sokratit. Mban titullin “Artist i Popullit”.

Marrë nga muri i fb i Bruno Shllakut 14 qershor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.