back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Lamtumirë Pere… Adriatik Riza Dosti

Gazeta

Perikli Dhales (1947-2018)
Perikli Dhales (1947-2018)
 Me 13 qershor, 2018, ndahet nga jeta pas një sëmundje të rëndë Perikli Dhales.
Ai ka qenë ish-lojtar i njohur i Tiranës,
por edhe ish-kryetar i PD, njësia 8 në kryeqytet.
Lajmin e trishtë e ka dhënë në Facebook Ervis Xhako,
ish-përgjegjës i Sektorit të Marrëdhënieve me Median në Bashkia Tiranë.
Ai njoftoi se ceremonia mortore mbahet me dt.14 qershor 2018
në orën 17:00, në varrezat e Tufinës.
Marre http://shqiptarja.com
.
“17 Nëntori” Aeroportin e Amsterdamit - Schiphol 30.09.1970...
“17 Nëntori” Aeroportin e Amsterdamit – Schiphol 30.09.1970 (numri 2 Dhales)

Lamtumirë Pere…

nga Adriatik Riza Dosti

E trishtë dhe e dhimbshme vërtet… në vend që sot të shkruaja për çeljen e Botërorit të 21 të futbollit… jam i detyruar moralisht e profesionalisht, shpirtërisht e miqsisht të hedh në letër këto radhë për ty e për ndarjen tënde të parakohëshme nga kjo botë miku im i mirë e shumë i hershëm, kampioni i madh e njeri prej Legjendave të Tironës sonë të madhe të Xhavit Demnerit e Lym Allës, …futbollisti i shkëlqyer e njeriu i mrekullueshëm Perikli Dhales!
Mbrëmë tek po lexoja diçka të veçantë rreth detajeve të Botërorit rus… miku im i mirë e miku ynë i përbashkët Dolor Spiru [Dolja] me dha lajmin e hidhur të vdekjes tënde… dhe u trondita jo pak!
Duke psherëtirë thellë, vetiu mbusha sytë me lot e thashë. Ehhhhh… iku kësisoj edhe një prej Yjeve, ikonave e legjendave të papërsëriteshme të asaj Tirone simbol të mesviteve ’60-’70-të të madhit Lym Alla!
Dhe nisa t’i kujtoj me radhë të ikurit ndër vite të saj: Lymin, Xhavitin, Verin, S. Halilin, G. Kasmin, B. Ishkën, J. Kazanxhiun… dhe tani edhe ti! E dhimbëshme sa më s’ka…
U largove në moshën 71 vjeçare tek humbe betejën me sëmundjen e rëndë Pere, ti që nuk dije kurrë t’i humbje betejat sepse kishe lindur vetëm për t’i fituar ato!
Do të vije tek Tirona e madhe kampione e atyre viteve të papërsëritshme në futbollin shqiptar fill pas largimit [ose me saktë me thënë arrestimit, dënimit, burgosjes dhe largimit të dhunshëm nga futbolli shqiptar të njerit prej Yjeve të tij Skënder Halilit… dhe do të ishe aty i përhershëm me fanellën hijerëndë të Tironës përmbi gati një 10 vjeçar prej fundviteve 60 deri në fundvitet 70!
Mbrojtës i qendrës se bardhë e bluve por edhe një ndër më të mirët e kombëtares sonë të futbollit në vitet ’70… I fortë fizikisht, i përgatitur shkëlqyeshëm atletikisht, pozicional, lojtar me sedër e grintë të veçantë, i saktë e korrekt në ndërhyrjet ndaj kundërshtarit, mik e shok i mirë me këdo brenda e jashtë fushës së lojës…
Si sot e kujtoj një intervistë tënden me mua shumë vite më parë ku ndër të tjera më the. “Shiko Dosti… nuk ishte e lehtë të luaje në atë ekip yjesh e kur në krah të asaj mbrojtjeje të pakalushme kishe gjigandë të tillë si Fatmir Frashëri e Gëzim Kasmi… e kur në pankinë kishe një strateg si Myslym Alla…
Disa herë Kampion e fitues i Kupës së Shqipërisë me atë Tironë që zor se i vjen më futbollit shqiptar…
Të paharruara edhe ndeshjet e tua të shkëlqyera edhe kundra skuadrave të zëshme europiane të asaj kohe Ajaksit, Standart Liezhit e Kilmarnokut…
Disa herë një ndër pikat më të forta të kombëtares sonë në mbrojtje… Më kujtohet me nostalgji përfaqësimi yt i parë kuq e zi atë 15 tetor të 1970 në Katovicë kundër Polonisë së famshme të asaj kohe të Deynes, Gadohes e Lubanskit me shokë..
Një ndër më të mirët në fushë edhe në ndeshjen e madhe të 17 shkurtit 1971, në Tiranë kundër Gjermanisë së famëshme të Helmut Shen-it… e deri tek merita jotë e veçantë ne barazimin mbresëlënës 1-1 po në Tiranë kundër polakëve, me 12 maj të 1971.
Tek Tirana dhe gjithçka të mirë që kishe e që dije… dhe shpirtin tënd luftarak e sakrificat e panumërta për ta parë ekipin tënd të zemrës gjithmonë fitues e kurdoherë Kampion se edhe ti vetë kishe lindur për të qenë i tillë… një Kampion i madh në fushë e në jetë…
Dhe vjen një ditë që prej kësaj bote do ikim të gjithë… por ti shkove disi para kohe Pere, pasi kishe ende kohë për të qëndruar edhe pak më gjatë mes nesh shokëve e miqve të tu të shumtë e tifozëve të panumërt të bardhë e bluve, që na doje e të donim që na respektoje e të respektonim por edhe të vlerësonim jo pak për gjithçka kishe bërë e beje për klubin tonë të zemrës…
Ngushëllime të sinqerta familjes Dhales… bashkëshortes Donikës, djemve Frenklit e Hertit, të afërmve e miqve të tij të shumtë…
Të qoftë i lehtë dheu e u prehsh në Paqe o Kampion i Madh i futbollit shqiptar.
Lamtumire Pere… mbetsh përjetësisht mes nesh mik i rrallë e i paharruar…
14 qershor 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.