back to top
14.5 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

Kuvendi Kishtar i Arbërit 14 e 15 janar 1703

Gazeta

Kuvendi i Arbërit - Mërqi 1703
Kuvendi i Arbërit – Mërqi 1703 

Kuvendi Kishtar i Arbërit

14 e 15 janar 1703

Me 14 e 15 janar të vitit 1703, në Mërqi afër Lezhës u organizua Kuvendi i Arbërit, Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare me dëshirën e Papës Klementit XI Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit.
Është thënë se Kuvendi apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare u mblodh në një situatë tejet të vështirë: Populli shqiptar, këndej të krishterët e në mënyrë të posaçme katolikët, pësonin trysnin e sundimit otoman, që dalëngadalë, por me vendosmëri e në mënyrë sistematike punonte për kalimin e krejt popullsisë shqiptare në fenë islame.
Të joshur nga premtimet dhe lehtësirat që turqit u krijonin dhe u jepnin myslimanëve, një pjesë e mirë e shqiptarëve kaloi në fenë islame, ose mbetën të krishterë të fshehtë, do të thotë që në shtëpi e mbanin fenë dhe doket e krishtera, ndërsa në jetën publike paraqiteshin si myslimanë, dhe kishin edhe nga dy emra. Është fjala për ‘kriptokatolikët’ apo ‘laramanët’, fenomen ky ende sot e kësaj dite i pranishëm në disa zona të Kosovës, siç është ajo e Karadakut afër Gjilanit, e Vitisë apo në zonë të Istogut e të Mallishevës. Ky fenomen apostazie u dënua nga Kuvendi i Kishës së Arbërit.

Papa Klementi XI - Giovanni Francesco Albani
Papa Klementi XI – Giovanni Francesco Albani

Ndërsa, përsa i përket Kishave, perandoria otomane fillimisht nuk i prishte, por as nuk lejonte që të bëheshin meremetime, apo të ndërtoheshin Kisha të reja, duke e përkufizuar e më vonë duke ndaluar jetën dhe veprimtarinë e Kishave, e si pasojë erdhi deri te rrënimi i pashmangshëm i sa e sa Kishave dhe kuvendeve rregulltare – manastireve të krishtera në trojet shqiptare. Përveç aspektit shpirtëror, këndej fetar, luftimi i Kishave nga turqit ishte edhe luftim kundër orientimit të shqiptarëve drejt kulturës perëndimore europiane.
Në kushte të këtilla, pra, mblidhej Kuvendi apo Koncili Kishtar Kombëtar Shqiptar në Mërqi më 14 e 15 janar të vitit 1703, në të dielën e dytë pas Krishtlindjes, në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit. Qe pikërisht kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi, ai që e mbajti fjalën e hapjes së këtij Koncili vendor kishtar. Në të binte në sy gëzimi dhe shpresa që, pas kaq shekujsh të tiranisë turke, bëhej e mundur një mbledhje e tillë. Njëkohësisht, imzot Zmajeviçi u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit të Arbërit detyrën që të kujdesen me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për përtëritjen dhe rritjen e klerit si dhe për lirinë fetare të kultit e të popullit.
Kujtojmë se në Kuvendin e Abërit, episkopati shqiptar, në njerën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve, lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror nën sundimin otoman me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë.
E vendimet e Kuvendit të Arbërit qenë të rëndësishme pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për ringjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Ky Kuvend kishtar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çeshtjet më jetike për shqiptarët: identitetin fetar e identitetin kombëtar shqiptar.

Kisha e Mërqisë në Lezhë
Kisha e Mërqisë në Lezhë

Materialet e punimeve të Kuvendit të Abërit në gjuhën latine, u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u botua në Romë i përkthyer nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, dom Engjëll Radojës më 1868. U përsërit nga i njejti shkrimtar më 1872. Rëndësi e dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që dekretet e Kuvendit Kishtar të ishin sa më të kuptueshme për masat e popullit.
Botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit çmohet si i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal për Shqipërinë Veriore e të Mesme. Në këto akte gjejmë një material shumë të çmueshëm për gjendjen e vështirë ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht e me një tragjedi të mirëmenduar të turqve.
Teksti shqip i Kuvendit të Arbenit është një dëshmi e rëndësishme e 1706-ës për historinë e shkrimit të shqipes, e po kështu ka edhe vlera të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve.
Marrë nga Radio Vaticani

Kuvendet arbërore
Kuvendet arbërore

Klerikët që nënshkruan Konçilin e Parë të Shqipërisë, mbajtur në Mërqi në vitin 1703, nën kryesinë e Shkëlqesisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit:
1.Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipëri.
2.Imzot Pjetër Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit.
3.Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës.
4.Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës.
5.Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës.
6.Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit.
7.At Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve t’Arbënisë.
8.At Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë.
9.At Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçës së Fretënve.
Marrë Wikipedia

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.