Kuvendi i Shqipërisë nderon figurat e artit shqiptar në 100 vite

0
14
Parlamenti me mandate te humbura - shkurt 2019
Parlamenti Shqiptar 2019
 

Parlamenti me mandate te humbura - shkurt 2019
Parlamenti Shqiptar 2019

Kuvendi i Shqipërisë nderon figurat e artit shqiptar në 100 vite

Në një ceremoni shumë të veçantë, në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë nderoi sot për kontributin e tyre, personalitete të letrave, artit e humanizmit shqiptar.
Siç thuhet në komunikatë, Kryetarja Jozefina Çoba – Topalli, dhuroi për artistë, shkrimtarë, njerëz të letrave, mjekë që ndërtuan themelet e mjeksisë shqiptare, botimin special të Kuvendit të Shqipërisë “Aktet e themelimit të shtetit shqiptar”, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje.
“Artistët kanë qenë dhe janë miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Ata u bënë njerëz të ndryshimit. Shqiptarët u besuan atyre dhe ata nuk i tradhtuan shqiptarët. Ne kemi nevojë për ta si për ajrin…”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, e cila në fjalën e saj tha: “Tash që u ba Shqypnija, duhen ba shqyptarët…”, shkruante At Gjergj Fishta menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë në fillim të vitit 1913.
Tingëllon kjo frazë sa therëse, sa ironike, e idhët, si e vërteta. Po kush do t’i bënte shqiptarët që të ndjeheshin shqiptarë?
Natyrisht ky qe misioni më i rëndë, më sfidant, më kryeneç, më jetësor që i binte mbi shpinë veçse njerëzve të kulturës. Më mirë me thanë: punëtorëve të kulturës.
Këtyre mjeshtrave idealistë që nisën të ndërtonin gur mbas guri ngrehinën e identitetit kulturor shqiptar.
U desh të dëshmohej më së pari se jemi sa njëlloj në dinjitet po aq edhe të ndryshëm në kulturë.
Nisi kështu puna e madhe e këtyre iluministëve të gërmonin rrënjët e këtij dentiteti. Të gërmonin tokën prej së cilës do mbinin kolonat e ngrehinës së identitetit:
Kolona e parë: gjuha shqipe.
Kolona e dytë: eposi i kreshnikëve.
Kolona e tretë: kanunet dhe statutet.
Kolona e katërt: përrallat kombëtare.
Mbi këto katër shtylla ne mund ta ndërtonim tempullin tonë. Mund ta zbukuronim atë me letërsi, me muzikë, me pikturë, skulpturë dhe fotografi, me teatër dhe kinema, me balet dhe opera e me të gjitha ekspresionet e tjera përherë e më të holla artistike.
Kështu gjeneratat e shkrimtarëve dhe artistëve u bënë përherë e më të pranishme në jetën e vendit. Ato u bënë njerëz të ndryshimit, që shpesh ishin më të besueshëm dhe rrethoheshin me simpati. Shqiptarët i besuan atyre dhe ata nuk i tradhtuan shqiptarët. Ky dialog historik, i besueshëm dhe i vërtetë, e ka shoqëruar dhe i ka dhënë famë kësaj miqësie.
Artistët kanë qenë dhe janë miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Ato janë bujarisht të mikpritur prej tyre dhe duhet që ta rimarrin edhe më me kurajo këtë pozicion.
Ne kemi nevojë për to si për ajrin.
Shkrimtarët dhe artistët janë njerëzit tanë të shtëpisë. Ata na kanë hyrë nëpërmjet librave, nëpërmjet radios që na zgjon nga gjumi, nëpërmjet pikturave që kemi ndër mure, nëpërmjet fotove ku ruajmë kujtimet, nëpërmjet televizionit dhe filmit të darkës, nëpërmjet copave të revistave që i kemi ngjitur te muri mbi kokën e krevatit. Ata i kemi gjithandej.
E duke i pasur tanët shpesh edhe i kemi harruar, i kemi kaluar anash pa i përshëndetur, i kemi bishtnuar pa i dhënë dorën.
Ne jemi borxhlinjtë. Lavdia e tyre nuk ka nevojë për asgjë. E jona ka nevojë për të.”
Më tej Kryetarja e Kuvendit Jozefina Çoba – Topalli dhuroi botimin special të Kuvendit të Shqipërisë ”Aktet e themelimit të shtetit shqiptar” në nderim për kontributin e tyre për:
.

1.Ismail Kadare (1936 – )

Shkrimtar, dramaturg, akademik. Ai është shkrimtari më i shquar i letërsisë shqipe, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” për letërsi. Me veprën e tij, të përkthyer në mbi 45 gjuhë të huaja ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Që nga viti 1994, është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Në 2005, u nderua me çmimin Man Booker International Prize, Britani, më 2009, u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi.
 .

2.Gjergj Fishta (1871-1940)

Poet (i quajtur Homeri shqiptar), prozator, dramaturg, estet, publicist, klerik i lartë, politikan, patriot. Tërë jeta e tij përmblidhet në sentencën: fe, gjuhë, atdhe. Me kontributin e tij letrar Fishta ia doli të përmbushte sfidën e madhe të krijimit të përmendores së gjallë të gjuhës shqipe. Si i pari drejtor shqiptar i shkollës françeskane në Shkodër, Fishta vendos në programin mësimor në vend të gjuhës italiane, gjuhën shqipe në të gjitha lëndët mësimore. Më 1907, themeloi të parën bibliotekë shkollore në Shqipëri dhe krijon të parën trupë teatrale amatore.
Kryetar i Kongresi të Manastirit ku përcaktua alfabeti shqip. Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Themeloi gjimnazin françeskan të Shkodrës në vitin 1921, dhe po atë vit u zgjodh deputet në parlamentin shqiptar ku merr postin e nënkryetarit.
Vepra e tij, u hoq nga qarkullimi për gjysëm shekulli për arsye jashtëletrare dhe iu rikthye lexuesit pas viteve ’90. Gjergj Fishta është dekoruar me Urdhërin “Nderi i Kombit”.
.

3.Eqerem Çabej (1908-1980)

Gjuhëtar, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Për afër gjysëm shekulli Çabej dha ndihmesa të rëndësishme në gjuhësinë shqiptare dhe në arsimin e lartë. Veprimtaria e tij shkencore u shtri edhe në folklor, etnografi e histori të letërsisë. Është një ndër anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave dhe anëtar i Presidiumit të saj. Punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë deri në fund të jetës së tij. Çabej është dekoruar me Urdhrin “Nderi Kombit”.
 .

4.Pashko Gjeçi (1918-2010)

Përkthyes mjeshtëror i thesareve të letërsisë botërore. Më 1942 diplomohet në Romë me gradën Doktor Shkencash në letërsi dhe kthehet në atdhe. Më 1947, ndalohet me akuzën “Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit” dhe dënohet me pesë vjet heqje lirie. Pas lirimit e transferojnë në Fushë-Krujë, ku punoi gjatë për përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligerit, më pas nisi të përkthente një tjetër vepër të madhe të letërsisë botërore, “Odisenë” e Homerit. Ai gjithashtu ka përkthyer “Hamletin” e Shekspirit , “Faustin” (pjesa 1) të Gëtes, “Andromaka” të Rasinit etj. Është vlerësuar si përkthyes nga Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70, si një ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisëe Hyjnore”.
Pashko Gjeçi është laureat edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.
.

5.Faik Konica (1875-1942)

Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, politikan e diplomat, patriot, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
I shkolluar në shkollat më të mira të lindjes e perëndimit, është botuesi dhe themeluesi pionier i revistave e gazetave te para ne shqip, si gazeta “Dielli” dhe federatës “Vatra” në Amerikë. Faik Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SH.B.A. nga Mbreti Zog. Gjatë regjimit komunist u sulmua politikisht dhe vepra e tij ishte e ndaluar. Prej vitit ’92 është dekoruar me një sërë urdhrash e medaljesh, mes të cilave me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
 .

6.Fatos Kongoli (1944-)

Prozator. Ai njihet si një nga figurat kryesore dhe përfaqsuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari e Serbi. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës, si dhe i çmimit Velia (2000). Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika”. Fitues i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-ën, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006, në Gjermani.
.

7.Sajmir Pirgu (1981-)

Tenor. U diplomua në violinë në qytetin e tij të lindjes, Elbasan, e më pas për kanto në konservatorin “Claudio Monteverdi” të Bolzanos Itali, nën drejtimin e Vito Brunettit. Fitues i konkurseve ndërkombëtare “Caruso” e “Tito Schipa” në 2002, e nis karrierën e tij me Festivalin e Operës “Rossini” të Pesaros, për të vazhduar me Staatsoper të Vienës, ku fiton edhe çmimin e madh “Eberhard ëaechter Gesangsmedaille”, që u jepet të rinjve në karrierë. Ai këndon me sukses në skenat e teatrove më të rëndësishëm të botës. Saimir Pirgu bashkëpunon me dirigjentët më të njohur të orkestrave në botë.
 .

8.Llazar Gusho (Lasgush Poradeci) (1899-1987)

Poet lirik, shkrimtar dhe përkthyes. Një nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë. Në veprën e këtij jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Aktiviteti letrar daton ne fillim te viteve ’30 pas kthimit nga Austria ku u shkollua ne Akademine e Artit. Marrëdhenia e tij me regjimin komunist ishte e ftohtë dhe në kushtet e një survejimi konstant, kontaktet njerëzore i kufizoi në mënyrë drastike. Në vitin 1999, Presidenti i Republikës i akordon titullin “Nderi i Kombit”.
.

9.Ali Podrimja (1942-2012)

Poet, akademik. Krijimtaria e tij është poezi e frymëzimit atdhetar dhe e ndjeshmërisë qytetare. Është nderuar me shumë çmime në Kosovë, me çmimin letrar ndërkombëtar “Nicolas Lenau” në Shtutgard, 1999 si dhe me çmimin “Liburna” në Durrës, 2005.
 .

10.Gjon Shllaku (1923-2003)

Përkthyes, hartues fjalorësh, profesor. Helenist i madh, ky mjeshtër i pashoq i përkthimit, bëri të flasin shqip Homerin, Eskilin, Sofokliun, Euripidin, Virgjilin, Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, Alfred De Musenë, e deri tek papa Gjon Pali i Dytë. Është përkthyesi i pashoq i 50 kryeveprave botërore, në të gjitha gjinitë. Më 1946, ishte vetëm 22 vjeç, kur regjimi komunist e dënoi me burg për motive politike. Pas kryerjes së dënimit iu kushtua tërësisht përkthmeve nga letërsia klasike, që i pati nisur që në burg.
Gjithashtu ai bëri një punë kolosale për hartimin e fjalorëve: Fjalor Helenik – Greqishte e vjetër -Shqip, Fjalor diakronik Latinisht – Shqip.
Pas proceseve demokratike, Gjon Shllaku u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, me urdhërin “Naim Frashëri”, me çmimin ”Penda e Artë”, dhe “Diskun e Argjentë”.
 

11.Ibrahim Kodra (1918-2006)

Një nga piktorët më të njohur të diasporës. Lindur në Ishëm të Durrësit më 1918. Mësimet e para për pikturë i mori në Shkollën e Vizatimit në Tiranë. Në vitin 1939 filloi studimet në Akademinë e Arteve të Brera-s në Milano dhe më 1944, një vit pas përfundimit të studimeve hapi studion vetiake në Milano. Që prej atij viti krijon dhe ekspozon në Itali dhe vende të tjera të Europës dhe të Amerikë. Krijimtaria e Kodrës u bë më e njohur për bashkëatdhetarët e tij në Shqipëri pas vitit 1990. Në vitin 1996, për vlerat e larta të veprës artistike, mori titullin “Nderi i Kombit”.
 

12. Familja Marubi

Familje dhe firmë e njohur fotografësh patriotë nga Shkodra. Me figurat e rëndësishme që fotografuan ngjarjet, dëshmitë e mjediseve dhe të kostumografisë së kohës, Marubët i sollën shërbime të çmuara historisë shqiptare dhe ballkanike. Pjetër, Mati, Kel e Geg Marubi, janë mjeshtrat e fotografive me vlera historike, nga kryengritja e Mirditës dhe nga Lidhja Shqiptare ngritja e flamurit kombëtar në Deçiç, e në Vlorë. Më 1970, pasurinë prej rreth 150.000 negativash me vlera të shquara historike kombëtare familja ia dhuroi shtetit.
 .

13.Dritëro Agolli (1931-2017)

Shkrimtar, publicist, veprimtar shoqëror, Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Agolli është një nga figurat qendrore të poezisë shqipe. Ai është poet i dhimbjes njerëzore dhe i filozofisë jetësore, duke sjellë në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri. Diplomuar per Letërsi ne Universitetin e Leningradit, ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është dekoruar me urdhërin “Nderi i Kombit’.
.

14. Çesk Zadeja (1927-1997)

Kompozitor, përfaqësues ndër më të shquarit e traditës muzikore profesioniste shqiptare. Formuar si muzikant në Romë e Leningrad, pas kthimit në atdhe u bë një ndër figurat muzikore qendrore të vendit. Më 1996, u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Prishtinës. Me një aktivitet kompozicional të shtrirë në përmbi 40 vite, Çesk Zadeja u bë përfaqësues vendimtar i proceseve bazë, që njohu zhvillimi i muzikës shqiptare të gjysmës II të shek. XX.
 .

15.Jusuf Vrioni (1916-2001)

Përkthyes i letërsisë shqipe në gjuhën frënge. Lindi në Korfuz. Rininë e kaloi në Paris, ku i ati ishte ambasador i shtetit shqiptar. U diplomua për jurisprudencë dhe shkenca politike. Në verën e vitit 1943, u kthye në Shqipëri. Në 1947, u arrestua dhe vuajti burgim të gjatë politik. Në vitin 1997, u emërua ambasador i Shqipërisë në UNESCO. Pas daljes nga burgu (1959) u mor me përkthime nga shqipja në frëngjisht. Është dekoruar me Urdhërin “Mjeshtër i Madh i Punës”, dhe nga shteti francez me Urdhrat: “Kalorës i Urdhrit të Arteve e të Letrave” dhe “Kalorës i Legjionit të Nderit.
.

16. Martin Camaj (1925-1992)

Shkrimtar, gjuhëtar, filolog. E gjithë krijimtaria e tij letrare dyzetepesëvjeçare synon t’i japë një karakter më universal problematikës shqiptare.
Më 1948 u arratis nga Shqipëria dhe u vendos në Jugosllavi, ku filloi studimet e larta për romanistikë e ballkanologji në Universitetin e Beogradit. Në 1956-1960 kreu Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Romë dhe u caktua lektor i gjuhës shqipe në atë universitet. Për shumë vite qe kryeredaktor i revistës “Shejzat”. Camaj lëvron me mjeshtri variantin gjuhësor të gegnishtes. Vepra dhe personaliteti i tij u bënë të njohura në Shqipëri pas shembjes së komunizmit.
 .

17.Vangjush Mio (1891-1957)

Piktor i periudhës së Pavarësisë. Ai e ngriti peizazhin shqiptar në një nivel të lartë profesional dhe artistik. Përveç formimit akademik ne Bukuresht e Romë, u ndikua edhe nga impresionizmi. Pas Çlirimit vazhdoi të punojë si mësues e pastaj skenograf i teatrit A. Z. Çajupi. Vepra e Mios përbëhet nga më se 400 tablo, mbi 50 vizatime dhe shumë të tjera. Në këto tablo ai ka sjellë bukurinë e mjediseve të natyrës, rrugëve e qyteteve karakteristike shqiptare, në stinë të ndryshme.
 

18. Mitrush Kuteli – (Dhimiter Pasko) (1907-1967)

Shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist, kritik letrar e folklorist. Dhimitër Pasko, i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli u shkollua ne Selanik e Bukuresht, ku doktoroi për ekonomi. Nga viti 1924, kish filluar të botonte në gazetën “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Më 1942, u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist. Më 1944, së bashku me Spassen dhe Kokonën nxorën të përdyjavshmen “Revista letrare”, në Tiranë. Në 1947-1949 burgoset politikisht.
Përmbledhja e tij me titull “Shënime letrare”(1944) është libri i parë në historinë e kritikës letrare shqiptare. Ai gjithashtu iu përkushtua përkthimit.
Më 2002, dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë me titullin: “Mjeshtër i Madh i Punës”.
 .

19.Azem Shkreli (1938-1997)

Poet dhe prozator. Poezia e tij ka një thellësi mendimi e një përmasë universale duke evokuar qendresën, traditën historike dhe lashtësine e popullit të tij. Ndërsa proza dallohet për prirjen sociale dhe thellësinë psilkologjike. Kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.
Fitues i shume cmimeve kombëtare e ndërkombëtare.
.

20. Baltazar Benusi (1897-1982) Luigj Benusi (1904-1986)

Baltazar Benusi dha një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e legjislacionit modern shqiptar. Shkolluar ne Hungari e më pas në Itali, punoi si gjyqtar e prokuror në Vlorë e Berat, e më pas anëtar i Komisionit Legjislativ pranë Ministrisë së Drejtësisë (1927) ku mori pjesë në hartimin e legjislacionit të shtetit shqiptar, si: Statuti Themeltar i Mbretërisë dhe Kodet (Civil, Penal e Tregtar). Më 1947, arrestohet për agjitacion e propagandë e pas 7 viteve burg, ai internohet.
 .
Luigj Benusi – Mjek, mikrobiolog, doktor i shkencave. Është themelues i shërbimit të mikrobiologjisë në vendin tonë. Shkolluar në Itali, Francë e Belgjikë. Botoi librat: “Ekzaminimet laboratorike mjekësore” – 1972, “Grupet e gjakut” – 1975, “Leksik i sindromave me emra autorësh” – 1983. Shkroi një varg artikujsh shkencorë në shtypin mjekësor shqiptar dhe italian. Shërbimi i mikrobiologjisë në QSU “Nënë Tereza” mban emrin e tij.
 .

21.Prenkë Jakova (1917-1969)

Kompozitor. Themelues i operas klasike shqiptare, Jakova është një ndër përfaqësuesit kryesorë të lirikës vokale me orientim klasiko-romantik. Kompozoi më 1958 operan “Mrika” (libreti Ll. Siliqi), e para vepër kombëtare e kësaj gjinie. Krahas muzikës skenike, ka kompozuar një numër të madh këngësh, midis të cilave janë bërë të njohura “Syrin si qershia”, “Margjelo”, këngët korale massive: “Gruri i ri”, “Pranverë e re”, shumë këngë për fëmijë, romanca, kantata etj.
 .

22. Lin Delia (1926-1994)

Është një nga emrat e mëdhenj të pikturës shqiptare. Lindi në Shkodër. Në 1948 arratiset në Jugosllavi. Studime i kreu në Akademine e Arteve të Bukura të Zagrebit dhe atë të Romës. Në vitet ‘60 jep pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences. Në 1981, Lin Delija takohet me Nënë Terezën dhe realizon një seri pikturash e vizatimesh me imazhin e saj.
Punimet e tij janë ekspozuar në: Romë, Firence, Vatican, Palermo, Modena, Breshia e Nju Jork. Në 2010, dekorohet nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
 .

23.Sabri Hamiti (1950-)

Poet, dramaturg, romancier, kritik dhe studiues i letërsisë, akademik e politikan. Shkolluar në Universitetet e Sorbonës dhe Zagrebit ku dhe mbrojti doktoraturën. Pedagog i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, dhe një ndër bashkëpunëtorëet e ngushtë të Presidentit Rugova në lëvizjet për pavarësinë e Kosovës. Autor i një sërë vëllimesh me poezi, romanesh e dramash, Akademik Sabri Hamiti është botues edhe i një sërë kritikash, esesh e studimesh e tekstet shkollore. U nderua me Çmimin kombëtar “Azem Shkreli”, si dhe me Çmimin e Madh për Letërsinë, 2010 nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë për veprën letrare “Poetika shqipe”.
 .

24.Tonin Harapi (1928-1992)

Kompozitor. Ka kompozuar gati në të gjitha format dhe gjinitë muzikore, që nga kënga e deri te muzika koncertale, simfonike dhe operistike. Shkolluar në Tiranë dhe Leningrad, renditet midis përfaqësuesve të brezit të parë të kompozitorëve profesionistë shqiptarë. Midis veprave të tij të shumta dallohen sidomos lirikat vokale dhe miniaturat pianistike, të cilat bëjnë pjesë në repertorin aktiv pedagogjik e koncertal shqiptar.
 .

25.Inva Mula dhe Avni Mula (1928-2020)

Inva Mula – Këngëtare soprano. Ajo ka realizuar me cilësi të larta vokale e skenike një repertor të pasur operistik, duke marrë vlerësime të veçanta nga kritika muzikore. Në festivalin operistik “Madamë Baterflaj” të Barcelonës, më 1992, fitoi Çmimin e Madh. Më 1993 u afirmua me turnetë nëpër skenat e Europës dhe SHBA me tenorin Placido Domingo. Ajo është fituese në Konkursin ndërkombëtar të zërave operistikë “Placido Domingo”, Paris. Gjithashtu ajo ka fituar Çmimin Special “Skënderbeu”, Gjenevë 1998.
 
Avni Mula, i ati, autor i veprave të mëdha vokalo-koncertale (kantata, poema vokale, etj) dhe skenike; Është fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare si Çmimi i I në Festivalin e Berlinit, 1951 etj.
 .

26.Rrok Zojzi (1910-1995)

Etnolog, profesor. Hodhi bazat e shkencës etnografike të institucionalizuar në Shqipëri. Punoi si arsimtar në fshatrat dhe në qytetin e Shkodrës, si dhe në Kosovë. Në vitin 1947, krijoi bërthamën e parë etnografike në Institutin e Shkencave. Dha ndihmesë themelore për ngritjen e Muzeut Arkeologjik Etnografik, në 1948.
Botoi një varg artikujsh ndër të cilët me vlera të veçanta. Ka qenë ideator i serisë së botimeve ilustruese: “Arti popullor në Shqipëri” dhe autor i parathënieve studimore të tyre. Themelues dhe kryeredaktori i parë i përmbledhësit: “Etnografia shqiptare”.
 .

27.Aurel Plasari (1956-)

Studiues, shkrimtar, përkthyes. Lindi në Tiranë ku kreu dhe studimet universitare për gjuhë e letërsi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT . Më pas vijoi punën si pedagog i estetikës në UT më 1993. Lektor në INALCO, Paris. Prej vitit 1998, është drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.
Autoritet në fushën e studimeve letrare dhe historike ka botuar: “Kuteli mes të gjallëve dhe të vdekurve”, “Letërsia dhe muret”, ‘Don Kishoti zbret në Shqipëri’ (1990), ‘Vija e Teodosit rishfaqet’ (1993), ‘Fenomeni Voskopojë’ (2000), ‘Rrëmbimi i Europës’ (2005), “Skënderbeu një histori politike’ (2010).
Është autor i disa romaneve dhe përkthyes nga letërsia botërore i autorëve të njohur si F. Dostojevski, G. Lorka, A. Ahmatova, G. Marquez, O. Fallaci.
 .

28. Reshat Arbana (1940-)

Aktor, Artist i Popullit. Aktor i planit dramatik dhe epik me përjetim të thellë e shpesh me tone solemne dhe tragjike. Lindi në Tiranë. Kreu studimet e larta në SHLA ”Aleksandër Moisiu”, më 1956. Në vitin 1974-1992 aktor në Teatrin Popullor dhe u aktivizua njëkohësisht edhe në kinematografi. Në teatër ka realizuar 23 role kryesore prej të cilëve: Selimi te Familja e peshkatarit, Pilo Shpiragu te Lumi i vdekur, Presidenti te Luiza Miler, Artisti te Streha e të harruarve, etj. Në kinematografi ka interpretuar mbi 35 role prej të cilëve përmendim: Isa Boletini te Nëntori i dytë, ku ka sjellë me mjeshtëri një nga figurat më të rëndësishme të pavarësisë së Shqipërisë.
.

29.Robert Shvarc (1932-2003)

Përkthyes. Përkthimet e Shvarcit nga letërsia botërore shquhen për një gjuhë të saktë e të pasur dhe për gjallëri në dhënien e dialogëve. Lindi në Sarajevë. Më 1938 u shpërngulën familjarisht në Shkodër e më pas në Tiranë. Në rini botoi tregime dhe poezi. U mor kryesisht me përkthime letrare duke sjellë në shqip disa nga kolosët e letërsisë botërore si: Gëte, Hajne, Breht, Cvajg, Markes etj. Përktheu gjermanisht veprat e autorëve më në zë të letërsisë shqipe si: Kadare, Agolli, Qosja, Arapi. Është nderuar me dekoratën gjermane Kryqi i Meritës dhe me Urdhrin Mjeshtër i Madh.
 .

30.Eqerem Vlora (1885- 1964)

Patriot, politikan, diplomat, studiues i historisë dhe zhvillimeve ekonomiko-sociale te Shqipërisë. Lindi në Vlorë. Kreu liceun “Theresianum”, në Vjenë dhe studioi për drejtësi në Stamboll. U bashkua me xhaxhanë e tij I. Qemalin, në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Me shpalljen e Pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë (1912). Deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese të 1924. Në 1925 u bë senator. Shërbeu në misione të ndryshme diplomatike. Më 1928, u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër e më 1930 në Athinë. Më 1933 është sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme. Deputet i Vlorës më 1937. Më 1942, u emërua Ministër i Tokave të Lirueme. Ministër Punëve të Jashtme dhe i Drejësisë në 1944. Pas Luftës së dytë emigroi në Itali e më pas në Austri. Ka shkruar libra me kujtime, studime historike, kulturore e etnografike me një vlerë të pazëvendësueshme për studiuesit e sotëm.
 .

31.Gjok Beci (1939-2014)

Poet, autor tekstesh të këngëve pjesëmarrëse në shumë festivale. Vargjet e tij kanë qenë emblema e qëndresës së Kombit shqiptar ndër dekada, duke arritur kulmin me tekstin e këngës himn “Rrjedh në këngë e ligjërime”. Në udhën krijuese të Gjok Becit pati një kohë kur iu ndalua të botonte. I rikthehet lexuesve me vëllimin poetik “Zambaku im” më 1990, për të vazhduar me disa vëllime të tjera poetike. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”.
 .

32.Fatos Arapi (1930-2018)

Poet, prozator, eseist. Formohet në Sofje si matematikan dhe ekonomist, por shpirti i tij është poet dhe i përket poezisë… Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori -Filologji të Tiranës, si dhe shkrimtar në krijimtari të lirë. Ka botuar vëllimet poetike, poema, novela, romane e drama. Kontribuoi në fushën e përkthimimit Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 fitoi, Kurorën e artë, në manifestimin poetik “Mbrëmjet e poezisë strugane”.
 .

33. Lec Kurti (1884-1948)

Kompozitor, diplomat dhe veprimtar politik, patriot. Studioi për muzikë në Pezaro, (Itali) dhe mandej në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecie për kompozicion. Krijimtaria muzikore e tij shtrihet gjatë viteve 1909-1916 dhe përfshin vepra të gjinive të ndryshme. Në vitin 1915 kompozoi operën “Arbëreshja”. Ajo mbahet si prova e parë e kompozitorëve shqiptarë në fushën e muzikës operistike. Në vitet 1918-1939 shërbeu në diplomaci. Ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe (1935-1939) ku denoncoi i pari botërisht pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Më 1942 ishte ndër themeluesit e organizatës Balli Kombëtar Me rikrijimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (1943) hyri përsëri në shërbimin diplomatik. Më 1944 emigroi në Itali. U bë një nga veprimtarët kryesorë të emigracionit politk shqiptar dhe më 1946 nënshkroi një memorandum në mbrojtje të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare, dërguar Konferencës së Paqes në Paris.
 .

34. Grupi “Lira” (1922-)

Korçarët e vjetër mbajnë mend mirë ditën e themelimit të Korit “Lira”, njësoj si ditën e ngritjes së flamurit. Në shtypin e kohës thuhet se koncertin e parë ky grup koral e dha bashkë me bandën “Vatra” në palestrën e qytetit në tetor 1922, datë e cila mbahet si dita e themelimit të këtij grupi. Kori Lira, përmban në vetvete thesarin e këngëve të qytetit të Korçës, duke u bërë simboli i vetëm i këngës qytetare korçare. Meritën kryesore në zhvillimin e këtij grupi e kishte rinia korçare, si edhe ata që shkruan tekstet e këngëve dhe kompozuan muzikën, si: Mihal Grameno, Thoma Nasi, Spiridon Ilo, Koli Rodhe, Mihal Ballkameni dhe shumë të tjerë të cilët kanë mbetur anonimë.
 .

35. Aleksandër Xhuvani (1880-1961)

Gjuhëtar, personalitet i arsimit dhe i kulturës shqiptare, veprimtar shoqëror e politik, Mësues i Popullit. Studimet e larta filologjike i kreu në Universitetin e Athinës. Punoi në shkollën e parë të mesme kombëtare, në Normalen e Elbasanit si mësues dhe si drejtor i saj. Kreu një punë të madhe e të vlefshme për krijimin e pasurimin e letërsisë mësimore, pajisi shkollën me një tog tekstesh të gjuhës, të letërsisë, të shkrimeve pedagogjike etj. Botoi librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”, monografinë “Parafjalët”. Ai përgatiti një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit të transkriptuar në alfabetin e sotëm, dha një ndihmesë me vlerë për “Fjalorin e gjuhës shqipe” të 1954.
 .

36.Tish Dajia (1926-2004)

U shkollua në Shkodër e Leningrad për muzikë. Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Tish Daija është autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, etj.
 .

37.Ibrahim Madhi (1945-2014)

Violinist. E nisi veprimtarinë artistike duke bashkëpunuar si solist në Orkestrën Sinfonike të Radio Tiranës, Teatrit te Operas dhe Baletit. Drejtoi orkestrën e harqeve të Institutitit të Lartë të Arteve dhe kreu detyra të ndryshme drejtuese si: përgjegjës i katedrës së muzikës, dekan i Fakultetit të Muzikës dhe drejtor i ILA. Veprimtaria e tij artistike përmban një numër të madh koncertesh solistike, turneshë kombëtare e ndërkombëtare (Francë, Itali, Gjermani) etj. Si dhe shumë regjistrime në RTV. Në cilësinë e solistit dhe në përbërje të formacioneve të muzikës së dhomës ka ekzekutuar për të parën herë disa vepra të rëndësishme të repertorit koncertor dhe instrumental shqiptar. Është vlerësuar disa herë me çmime të rëndësishme kombëtare.
 .

38.Frederik Shiroka (1907-1955)

Mjek, kirurg, doktor i shkencave. Ai ia kushtoi jetën e tij zhvillimit te kirurgjisë, duke u bërë themelues i kirurgjisë moderne shqiptare. Shkolluar në Austri, ishte përgjegjës i shërbimit të kirurgjisë në spitalin Civil të Tiranës, dhe në vitet 1939-1946, në Spitalin e Shkodrës. Ndihmoi luftën duke mjekuar e operuar luftëtarët antifashistë. Kreu ndërhyrje në të gjitha organet e trupit të njeriut. Edhe sot në historinë e mjekësisë shqiptare shumë ndërhyrje moderne kirugjikale mbajnë emrin e Frederik Shirokës. Ka qenë anëtar i Institutit të Shkencave. Pavioni IV i Spitalit Civil të Tiranës mban emrin e tij.
 .

39.Kadri Kërçiku (1907-1972)

Mjek dermato-venerolog, profesor. Është themeluesi i dermatologjisë shqiptare. Shkolluar në Austri në vitet shërbeu në dispanseritë dermato-veneriane të Durrësit, Krujës e Tiranës, në Spitalin Civil të Tiranës. Qe përgjegjës i klinikës universitare të dermatologjisë. Për më se 30 vjet drejtoi luftën kundër sifilizit, leprës dhe dermatofitisë endemike. Është botues i një vargu studimesh e artikujsh për mjekësinë popullore shqiptare dhe historinë e mjekësisë shqiptare. Klinika universitare e dermato-veneralogjisë mban emrin e tij.
.

40.Hamdi Sulçebe (1907-1993)

Mjek pediatër, doktor i shkencave. Shkolluar ne univeritetet më të mira të Evropës dhe SHBA, në vitin 1939 çeli në Radio Tirana rubrikën “Këshilla mjekësore”, emision i cili vazhdoi deri në vitin 1992. Qe drejtor i përgjithshëm i Shëndetësisë për Shqipërinë dhe Kosovën. Përgjegjës i këshillimores së fëmijëve në Korçë (1945-1946), përgjegjës i sektorit të pediatrisë dhe higjienës në Ministrinë e Shëndetësisë (1946-1948), drejtor i këshillimores së fëmijëve dhe Shtëpisë së Foshnjës në Tiranë (1949-1957). Më pas qe pedagog i lëndës Pediatria, në Fakultetin e Mjekësisë, në UT dhe mjek pediatër. Botoi tekstin e parë të pediatrisë për shkollat e mesme mjekësore, shkroi një varg artikujsh shkencorë.
 .

41. Ferdinand Paparisto (1918-2000)

Kirurg i përgjithshëm dhe urolog, profesor, themelues i klinikës së urologjisë në vendin tonë, më 1960. U shkolluan në Parma e më pas në Moskë. Punoi në Spitalin e Përgjithshëm Civil të Tiranës, si asistent kirurg pranë F. Shirokës. Në vitet 1952-1955 ishte drejtor i Qendrës së Transfuzionit të Gjakut. Në vitet 1955-1989 pedagog dhe përgjegjës i katedrës së kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë të UT. Realizoi për herë të parë mjaft operacione në fushën e urologjisë. Shkroi një numër artikujsh shkencorë në shtypin mjekësor. Pavioni i urologjisë në Spitalin nr. 2 në Tiranë, mban emrin e tij.
 .

42.Selaudin Bekteshi (1917-2003)

Mjek pediatër, profesor, akademik. Ai është themelues i hematologjisë pediatrike në Shqipëri. U shkollua ne Torino dhe kontribuoi me përkushtim ne sektorin e shëndetsisë në atdhe, si përgjegjës i sektorit të mbrojtjes dhe shëndetit të nënës e fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë, përgjegjës i pavionit të pediatrisë në Spitalin Civil të Tiranës, drejtor i spitalit të pediatrisë në Tiranë. Ndërkohë qe përgjegjës klinikës universitare të pediatrisë (1956) dhe përgjegjës i katedrës së pediatrisë në Fakultetin e Mjekësisë të UT (1959-1980). Botues i shumë punimeve shkencore.
.

43.Besim Zyma (1901-1983)

Mjek otorinolaringolog, profesor. Është nismëtar i shërbimit të ORL në vendin tonë. U formua si mjek në shkollat më të mira të Turqisë. Shërbeu si asistent kirurg gjinekolog në Hamburg (1926-1928), u specializua për otorino-laringologji në klinikën universitare të spitalit “Charrite” në Berlin. U kthye në Shqipëri dhe u emërua mjek në Spitalin Civil të Tiranës. Në vitet 1956-1971 qe pedagog dhe përgjegjës i katedrës së ORL në Fakultetin e Mjekësisë në UT. Që nga viti 1960 drejtoi shkollën e specializimit pasuniversitar në ORL. Botoi shumë artikuj e libra të specializuar në fushën e otorinologjisë.
 .

44. Selman Riza (1909-1988)

Gjuhëtar, filolog, profesor, Mësues i popullit. Lindi në Gjakovë. Kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës. Në v. 1932-1935 ndoqi studimet e larta në Tuluzë (Francë), njëkohësisht në dy fakultete dhe u diplomua për gjuhë- letërsi dhe drejtësi. Dha mësim gjuhën frënge, shqipen e latinishten në Liceun e Korçës. I angazhuar si antifashist u internua në Ventotene në Itali (1939-1941). Në 1942-1944, qëndroi në Kosovë ku qe një nga drejtuesit e lëvizjes antifashiste. Idhtar i idesë së Kosovës shqiptare. U burgos në Tiranë më 1945, dhe iu dorëzua autoriteteve jugosllave në Kosovë. Në 1955, duke mos pranuar shtetësinë jugosllave u dëbua nga Kosova në Shqipëri. Punoi në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, pedagog në Universitetin e Tiranës ku dha lëndën e morfologjisë së shqipes dhe themeloi seminarin e autorëve të vjetër. Si pasojë e qëndrimit të tij kritik u përjashtua nga Instituti dhe u dërgua si punonjës i thjeshtë pranë muzeut historik të Beratit.
 .

45.Injac Zanputi (1910-1998)

Historian e latinist, bashkëpunëtor i vjetër shkencor. Lindi në Shkodër, ku ndoqi Kolegjën Saveriane. Studimet universitare i kreu në Trieste. Punoi si mësues i letërsisë në Kolegjën Saveriane dhe bashkëpunoi në revistën LEKA dhe në shtypin e kohës. Me themelimin e Institutit të Shkencave në Tiranë u emërua punonjës shkencor në sektorin e historisë së mesjetës dhe vijoi me këtë detyrë në Institutin e Historisë. Ka përkthyer e transkriptuar nga latinishtja dhe italishtja mesjetare dokumenta historike. U dekorua me Urdhërin Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës.
 .

46.Justin Rrota (1889-1964)

Filolog dhe gjuhëtar, klerik, “Mësues i Popullit”. Lindi në Shkodër, ku kreu edhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta për teologji në Austri. Rreth 25 vjet punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës “Illyricum”. Është marrë me hartimin e veprës së vëllimshme “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore”. Ai gjithashtu u mor kryesisht me gjurmimin dhe botimin kritik të teksteve të autorëve të vjetër. Si letrar ka botuar një përmbledhje më tregime, novela e kujtime “Rreth votrës”. Ai solli në Shqipëri për herë të parë më 1929, tri kopje fotografike të mesharit të Gjon Buzukut dhe u mor vazhdimisht me studimin e gjuhës së kësaj vepre.
 .

47. Shefqet Ndroqi (1914-2001)

Mjek pneumoftiziatër, profesor, Mësues i Popullit. Lindi në Tiranë. Kreu studimet e larta për mjekësi në Francë si dhe specializimin për ftiziatri (1941). Filloi punë në pavionin e ftiziatrisë në Spitalin Civil të Tiranës. Mjek në spitalin partizan të Peshkopisë, përgjegjës i pavionit infektiv në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, përgjegjës i pavionit të ftiziatrisë në Spitalin Civi, drejtor i Senatoriumit të Tiranës, njëkohësisht përgjegjës i pavijonit të ftiziatrisë dhe kirurgjisë torakale dhe përgjegjës i klinikës së tuberkulozit. Dha ndihmesë në luftën kundër TBC duke bërë depistime fluorografike në të gjithë vendin. Spitali Universitar i Sëmundjeve të Mushkërive në Tiranë mban emrin e tij.
.

48.Aleksandër Prosi (1920-1985)

Aktor i teatrit dhe kinematografisë, Artist i Popullit. U shqua në vizatimin e figurave epiko-heroike të prijësve apo njerëzve të thjeshtë fisnikë me botë të pasur shpirtërore. Lindi në Tiranë, ku kreu shkollën e mesme. Punën si aktor e nisi më 1948 në Teatrin Popullor. Ishte aktor i planit tragjiko-dramatik. Interpretoi mësë 100 role në skenë dhe ekran ku krijoi figura të tilla. Ka interpretuar në dramat shqipe “Toka jonë”, “Furrnalta”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe në dramat nga letërsia e huaj: Hamleti, Otello, Intrigë dhe dashuri, Procesi i Lajpcigut, Orët e Kremlinit, etj. Në fushën e kinematografisë interpretoi me mjeshtëri role të rëndësishme në mjaft filma si: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Udha e shkronjave, Në fillim të verës, Nëntori i dytë, etj.
.
.

Related Images:

Artikulli paraprakBisedë në heshtje me Musine Kokalarin – nga Nashi Brooker
Artikulli tjetërPoezi të zgjedhura (1990-2020) – nga Gëzim Hajdari
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.