back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kuvendet e Dibrës – parlamente demokratikë të kohës nga Fatos Daci

Gazeta

Ismail Pasha në pritje të kongresmenëve
Ismail Pasha në pritje të kongresmenëve

Dibra dhe Historia e saj

Rastësisht, një miku im historian, më dha të lexojë librin “Vendlindja ime – Dibra dhe Bulqiza” të Fatos Dacit. Para disa kohësh unë kisha lexuar “Enciklopedinë e Dibrës” të po këtij autori; një libër voluminoz, konciz, mjaft interesant, ku unë gjeta Dibrën ndër vite, u njoha me historinë dibrane dhe të dibranëve. Kjo është një meritë e të palodhurit dhe të talentuarit Fatos Daci, i cili, si paraardhësit e tij, ia kushton çdo ditë vendlindjes së tij, Dibrës.
Me ndryshimin e sistemit kanë ndryshuar shumë gjëra, por vendlindja dhe origjina nuk i ndryshojnë askujt. Edhe dibranët, edhe pse kanë ndërruar vendbanim, po t’i pyesësh një nga një të thonë me krenari se janë dibranë. Prejardhjen dibrane e kanë justifikuar kudo e kurdo dhe këtë ata po ua mëkojnë edhe brezave pasardhës.
Pikërisht në kohën e duhur zoti Daci del me këtë libër për nxënësit e klasave të pesta të shkollës 9 vjeçare, që është pjesë e kurrikulës mësimore.
Në hyrje të këtij libri autori vë himnin kombëtar. E citoj këtë sepse shumë nga shqipfolësit nuk e dinë himnin kombëtar të tyre. Më libër paraqiten pozita gjeografike ndarja administrative e pasqyruar në tri periudha: para dhe gjatë pushtimit osman, nga viti 1912 deri më 1920 dhe nga vitit 1920 e deri më sot, ku bëhet përshkrimi analitik i të gjithë njësive vendore, i komunave dhe i bashkive. Në libër paraqiten relievi dhe klima e Dibrës. Përshkruhet në mënyrë shkencore pozicioni që zë kjo trevë e mrekullueshme në të gjithë qeveritë shqiptare. Vend në libër zë edhe hidrografia; me përrenj, lumenj e liqene. Kur dëgjon këngën e liqeneve të Lurës kënaqesh, por kur i viziton këto liqene mahnitesh me bukuritë e tyre se ato janë stoli të patjetërsueshme të Lurës. Llixhat e Peshkopisë me ujët e tyre kurativ kanë një pasuri natyrore që Zoti ia ka falë vetëm Dibrës.
Dibra ka një botë bimore e shtazore shumë të zhvilluar e të larmishme. Në libër jepen të gjitha speciet dhe llojet e tyre. Të gjithë bimët dhe gjallesat aty i gjënë. Studiuesit e huaj dhe bletët i dinë këto vlera. Pasuritë nëntokësore të Dibrës janë të pallogaritshme. Në Muhurr është një minierë e vërtetë mermeri, e cila zbukuron ndërtimet shqiptare e jashtë Shqipërisë. Më tej është miniera e famshme e kromit në Bulqizë. Çdo pëllëmbë e kësaj toke është mineral i dobishëm.
Dibra ka një popullsi autoktone. Në Dibër kanë jetuar pellazgët-doberët, penestët, enkelejtë, dardanët etj. Në Dibër kanë ndodhur migrime dhe emigrime në të gjitha kohërat. Dibranët janë krenar për Dibrën e tyre, fshatin e krahinën e vet. Dibranët i përshtaten vendit e kuvendit, kur ulen bëjnë vend. Edhe sot dibranët i gjen kudo; janë njerëz punëtorë dhe janë model i ekonomisë. Dibranët që shquhen për të gjithë bimët dhe perimet shquhen dhe për pemëtarinë. Mollët, kumbullat e rrushin e Dibrës pak treva i kanë. Edhe bulmeti dibran, djathi e gjiza janë me shije të mrekullueshme. Por dibranët janë edhe tregtarë të zotë. Kushdo që ka shkuar e ka parë nga afër Dibrën ka ndjerë dhe dorën nikoqire të grave dhe vajzave të mrekullueshme dibrane, jo vetëm në mjediset e shtëpisë, por edhe jashtë saj. Dibranet çdo mëngjes pastrojnë rrugët jashtë oborrit të tyre, lyejnë disa herë në vit shtëpitë dhe avllitë me gëlqere. Kullat dibrane janë si ato! Dibra ka një traditë të hershme të ndërtime urbane, të kullave dhe të banesave të tjera të zakonshme. Dhe kjo është kultivuar ndër ndër breza. Dibranët shquhen dhe për mirëmbajtjen e mjedisit natyror. Ata nuk mund të jetojnë pa gjelbërim, ndaj mbjellin lule e peme.
Kur folëm për të gjitha këto, domosdoshmërisht, duhet të flasim dhe për rrjedhat e historisë, që brezi i ri të mësojë për to. Ky është edhe qëllimi që autori Fatos Daci ka shkruar e realizuar këtë libër, për të cilin i është dashur një punë e stërmundimshme për të “ndërtuar” këtë shtëpi dije. Pa ditur se nga vjen, nuk di as se nga shkon.
Në libër shpjegohet dhe prejardhja e emrit Dibër, thuhet se si turqit dhe sllavët e thërrisnin Dibrën, tregohet se kur e nga kush është përmendur për herë të parë emri Dibër etj.
Dibra, siç shkruhet edhe në këtë libër, ka një lashtësi të hershme, ndër mijëra vite. Vendbanimet më të hershme janë shfaqur në periudhën 6000-2000 p.e.s. në fshatin Burim e Topjan – në Maqellarë, Çetush e Kronëza, në Lurë, Selishtë, Sllovë, Luzni, Zerqan, Klenjë e Tuçep, Bulqizë, Reç. Në Dibër gjendet kalaja e Grazhdanit, më e madhja në Shqipëri pas kalasë së Durrësit. Në Dibër ka qenë qyteti Oenea, që ndodhet në rrugën e vjetër Dibër-Lurë-Mirditë-Shkodër. Objekte me rëndësi historike e arkeologjike në Dibër edhe xhamia e Qerimit-Burim, Varri monumental në Kurtbeg, varri monumental në Vajmëdhej, trakt kalldrëmi në Dypjakë, Kalaja e Dodës etj.
Osmanët që iu sulën Shqipërisë iu sulën dhe Dibrës. Të pavdekshme kanë mbetur luftërat që dibranët zhvilluan kundër pushtuesve turq. Nga 29 beteja që Skënderbeu ka zhvilluar me turqit osman, 17 prej tyre ai i ka zhvilluar në Dibër. Një nga luftërat më legjendare është edhe ajo e vitit 1844, në Gjoricë kundër Hajredin Pashës. Nuk mund të harrohen jo vetëm ndër dibranët as vargjet e këngës së njohur të luftës kundër Hajredin Pashës. Por dibranët janë bashkuar kurdo e kurdoherë me një mendje e një zemër. Këtë e gjemë edhe tek libri “Vendlindja ime – Dibra e Bulqiza”. Dibranët e bashkuar i dhanë tonin Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e tokave shqiptare nga pushtimi dhe copëtimi, kryetar i së cilës qe Iljaz Pashë Dibra (Qoku). Dibranët i dhanë tonin edhe aktit historik të shpalljes së pavarësisë, më 1912, ku Nikoll Kaçorri dhe Vehbi Dibra, të dy kryetarë të komuniteteve kryesore fetare në vend u zgjodhën përkatësisht nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe kryetar i Senatit. Dibranët e bashkuat si një trup i vetëm luftuan kundër serbëve me heroizëm në vitet 1912-1921. Dibranët, si askush tjetër, kanë luftuar kundër pushtimit të tokave shqiptare në të katër cepat e atdheut që nga Luma, Shkodra, Lezha, Plava e Gucia, Janina e Follorina, në viset perëndimore të Maqedonisë së sotme, deri në Gurë të Shpuar afër Shkupit.
Dibranët, si një trup i vetëm, në vitet 1939-1945, u mobilizuan në Luftën e Dytë Botërore në krah të kampit botëror antifashist, duke u organizuar në 6 çeta partizane e vullnetare territoriale, në dy brigada luftarake-XVIII dhe Shqiptaro-Maqedonase, duke i dhënë atdheut në këtë luftë 176 dëshmorë dhe 6 Heronj të Popullit.
Në libër flitet dhe për kuvendet e Dibrës, ku është lidhur besa kundër të gjithë pushtuesve e janë marrë vendime të rëndësishme, si besëlidhje e itifaqe, për t’u vetëqeverisur, duke filluar nga Kuvendi i mbajtur në Shënllesh të Dardhës, më 1603, Kuvendet e Dibrës të viteve 1878, 1880, 1909, 1910 , kuvendi i Arrasit më 1920 etj; apo në kuvendet që mbaheshin në Mazhicë për Dibrën e Epër e drejtoheshin nga Salë Markja dhe te Ferra e Pashës në Dibër të Poshtme që drejtoheshin nga Salë Demiri. Në këtë libër shkollor gjejmë plot figura të shquara dibrane që luftuan e punuan tërë jetën e tyre për Shqipërinë e atdheun si Iljaz Pashë Dibra, Nikoll Kaçorri, Mahmut Daci, Elez Isufi, Vehbi Dibra, Said Najdeni, Josif Bagëri, Murat Kaloshi, Abdurrahman Dibra, Fiqiri Dine, Dine Hoxha, Dali Ndreu, Nazmi Rushiti, Gjok Doçi, Ibe Palikuqi, Ramiz Varvarica, Liman Kaba, Dervish Lusha, Azmi Dibra, Selim Alliu, Edip Tërshana, Haziz Ndreu, Lirie Rasha, Telat Agolli, Sulejman Pitarka, Imer Pampuri, Drita Agolli, Baba Fejzë Bulqiza, Mersim Dema, Dan Cami, Dalip Karaj, Sheh Mustafa i Zerqanit, Mehmet Duriçi, Elez Koçi, Destan Puca, Tile Hysa etj.
Autori i librit nuk ka anashkaluar as këngët e vallet dibrane që janë të pranishme të dasma e ziafete të ndryshme,të cilat konkurrojnë në shkallë vendi, as për veshjet dibrane të grave e të burrave me karakteristikat e veçanta nga zona në zonë. Në Dibër lindën e u rritën këngëtarë që bënë emër kurdo e kudo, si: Melita Shehu, Haziz Ndreu, Abdyl Surçe, Muharrem Zajmi, Lirie Rasha, Arif Vladi, Sajhe Poleshi, Shaban Mziu, Vera Laçi, Flora Toska, Flora Shabani, Sherif Dervishi, Ali Sturçe etj. Dibranët, në të gjitha kohërat e kanë dashur arsimin. Në këtë kuadër janë trajtuar Internat “Kastrioti”, Shkolla Pedagogjike, Shkolla Bujqësore, gjimnazi Peshkopi, zhvillimet e arsimit në Dibër e në Bulqizë. Edhe qytetet Peshkopi, Bulqizë e Dibër e Madhe janë përshkruar në detaje, si lindin, si u bënë qendra administrative, cilat janë qendrat kulturore e arsimore të tyre etj. Libri “Vendlindja ime – Dibra e Bulqiza” është një libër mësimor i realizuar me mjeshtri nga autori Fatos Daci, me një material të pasur historik burimor. Megjithëse libri është në përdorim të nxënësve të klasës së pestë autori ka ditur të rrokë të gjithë problematikën e Dibrës dhe t’ia jap nxënësit si koncentrat, pa e rënduar me shifra e me skica. Autori ia ka arritur qëllimit. Libri edukon nxënësit me frymën atdhetare e patriotike. Por ky libër është plotësisht i lexueshëm edhe për të gjithë ata që duan të dinë për vendlindjen e tyre – Dibrën e Bulqizën. (shënimi është pa autor)

Fatos Daci
Fatos Daci

Kuvendet e Dibrës – parlamente demokratikë të kohës

nga Fatos Daci

Kuvendet në Dibër kanë qenë parlamente të kohës. Me fjalën kuvend në Dibër kuptohej një mbledhje e zgjeruar e pjesëtarëve të një bashkësie, ose e disa bashkësive ndërmjet tyre. Në kuvende, malësorët diskutonin probleme që i përkisnin një komuniteti të caktuar në kohë paqeje e kohë lufte. Probleme të kohës së paqes ishin problemet ekonomike të zhvillimit të bujqësisë e blegtorisë (qetë e punës, çifçiu, fara, kultura që do të mbillej, barinjtë, stanet dhe vathët); pronësie si të tokave, kullotave, pyjeve, merave, bjeshkëve (shitblerja e ndërtesat tyre), të trojeve, të rrugëve, ujërave, kufijve; miqësie si fejesa e martesa, kumartëllëku e byrazerlleëku etj. Probleme të kohës së luftës ishin mobilizimi sipas thirrjes së fisit, mëhallës, katundit, krahinës (Malit ose Bajrakut) për të mbrojtur nderin, shtëpinë, tokën e pasurinë nga fiset e tjera, katundet fqinje, krahinat fqinje apo nga invadimet e huaja; gjakmarrje e hakmarrje etj. Në kuvende diskutoheshin dhe problem të ndorjes, të besës, të mikut, të kremtimit të festave etj.
Atë kohë dalloheshin disa forma kuvendesh, si Kuvendi i Shtëpisë (ose i hises), Kuvendi i Vëllazërisë (ose i barkut ose i fisit), Kuvendi i Mëhallës (i barqeve ose i disa fiseve), Kuvendi i Katundit (ose i disa mëhallëve), Kuvendi i Krahinës ose i Malit (ose i disa katundeve) dhe Kuvendi ndër Male (ku mblidheshin disa Male ose krahina).
Lajmërimi për kuvende bëhej me qitje pushkë sipas mënyrës së caktuar, me ndezje zjarresh, me fjalëtorë që quheshin pojakë, mënyra të tjera etj. Në kuvende ishin të detyruar të merrnin pjesë burrë për pushkë (ose burrë për shtëpi), përfaqësues fisesh, përfaqësues fshatrash, përfaqësues krahinash ose Malesh, sipas qëllimit të kuvendit dhe sipas mënyrës së lajmërimit që bëhej.

Oda Dibrane
Oda Dibrane

Çfarë diskutohej në kuvendet e burrave?
Në Kuvendin e Shtëpisë, ose të hises, diskutoheshin probleme të bujqësisë, blegtorisë, toka, livadhet, pyjet, çobani, ustai i veglave të punës, martesat e fejesat, miku e byrazeri, marrëdhëniet me barqet ose fiset e tjera, probleme të gjakmarrjes e të gjakdhënies etj.
Në Kuvendin e Barkut ose të fisit diskutoheshin probleme midis barqeve ose fiseve, që kishin të bënin me rrugët, kufijtë e tokave, livadhet e pyjet, me barinjtë e ustain e veglave bujqësore, turpe ose bidate që mund të ndodhnin në vëllazëri apo fis, ose qëndrimi që duhej të mbahej kur këto ndodhnin në fis të tjera, në katund ose katunde të tjera.
Në Kuvendin e Fiseve ose të katundit diskutoheshin probleme të tokave, kufijve, ujërave, rrugëve, pyjeve, kullotave, për besëprerjen e mikun e prerë, për pushkë me llafe kur dikush qiste pushkë në kundërshtim me kararet e vëna. Të gjitha këto diskutoheshin si për ato që ndodhnin në fise, si për ato që ndodhnin në katund e ndër katunde.
Në Kuvendin e Krahinës ose i Malit diskutoheshin probleme pronësie si ato që përmendem në raste të tjera, probleme të marrëdhënieve shoqërore e zakonore, probleme etj.
Forca e zbatimit të vendimit të kuvendeve ishte e madhe. Askush nuk guxonte të dilte mbi vendimet, kararet e itifaqet e marra. Gjithkush ishte i detyruar t’i zbatonte ato, ose në raste mos zbatimi gjendej menjëherë përballë një kundërveprimi të pazakontë, siç ishte dëbimi nga fshati e personit përgjegjës bashkë me familjen për një kohë të caktuar ose për gjithmonë, djegia e shtëpisë, prishja e të mbjellave si kositja para pjekjes e të mbjellave të misrit dhe të lashtave, prerja e pyllit.
Kuvendet ishin parlamente krejtësisht demokratikë të kohës. Në kuvend para e hali ishin të barabartë. Të gjithë pjesëmarrësit në kuvend uleshin në mënyrë të barabartë Burra uleshin me kujdes në kuvend dhe sipas një mënyrë të përcaktuar me rigorozitet. Zakonisht më e preferuara ishte ulja e burrave në formë rrethi, si për të treguar se të gjithë ishin të barabartë. Secili ulej këmbëkryq. Kryetari i kuvendit ulej po këmbëkryq, në rreth me të tjerët, vetëm se me një distancë më të dallueshme nga paraardhësi dhe pasardhësi. Zakonisht burrat që merrnin pjesë në kuvend shkonin të armatosur. Por edhe mënyra e mbajtjes së armëve në kuvend ishte e përcaktuar me një rregullore të veçantë. Pushkët duhej të mbaheshin në prehër.
Fjala më kuvend bëhej me radhë. Një fliste, të tjerët dëgjonin në qetësi absolute. Në kuvend nuk lejohej fjala me zë të lartë, më kërcënime, me batuta, me sharje. Në kuvend gjestet e duarve ishin të matura. Askush nuk mund t’i drejtonte, në çfarëdo rrethanë, gishtin tjetrit në kuvend dhe askush nuk mund të tundte qoftë edhe instinktivisht, shkopin në drejtim të tjetrit. Si drejtimi i gishtit, si drejtimi i shkopit quheshin kërcënime dhe për këtë gjest ai në drejtim të të cilit dikush kishte drejtuar gishtin a shkopin hakmerrej rëndë, deri edhe me vrasje, edhe pse veprime të tilla mund të kishin qenë të rastësishme e të paqëllimshme.
Vendimet që merreshin në kuvende quheshin karare e itifaqe. Vendimet e kuvendeve zbatoheshin sipas kohës së përcaktuar nga kuvendi, si 3 muaj, 6 muaj, 1 vit, por zakonisht afatet ishin Shëngjergj më Shëngjergj, Bajram më Bajram, Shëndre më Shëndre.
Në Dibër vepronin dy kuvende. Kur mblidheshin Malet e dy Dibrave në Dibër të Epërme kuvendi bëhej te Gurra e Mazhicës dhe kur mblidheshin në Dibër të Poshtme, kuvendi zhvillohej te Ferra e Pashës, në Çidhën.
Si katund vendi i mbledhjeve ishin Zogjaj në Dibër të Epërme dhe Arrasi në Dibër të Poshtme. Kur mblidheshin veç e veç, ata të Dibrës së Epërme mblidheshin te Kisha në Vorre të Shupenzës, ndërsa kur mblidhej Dibra e Poshtme, kuvendi bëhej te Ferra e Pashës ose te varret e Dali Hasanit. “Mbi të gjitha ishte Mbledhja e Popullit, “Besëlidhja”, “Itifaku” apo “Kuvendi i Madh”.
Kuvendet te Ferra e Pashës janë drejtuar nga Salë Demiri dhe në kohë të tjera nga Lusha, Noka, Troci etj. sipas kohës. Ndërsa kuvendet e Dibrës së Epërme janë drejtuar nga Salë Markja, Sheh Zerqani, Mersim Dema, Dalip Kara, Cen Leka etj.
Afër vitit 1800 filloi të përdoret emërtimi “Itifak” që do të thotë besëlidhje, ndërsa më vonë, në fillimet e shek. të XX, hyri fjala “kongres”. Itifaqe u lidhen në çdo fshat, në çdo Mal e në çdo krahinë. Kongreset më të rëndësishme të asaj periudhe janë Kongresi i Dibrës 1880 dhe Kongresi i Dibrës 1909. Kohë më vonë gjejmë të përdoret thjeshtë fjala mbledhje si mbledhja te Varret e Dali Hasanit afër Pilafeve, mbledhja e Gjurrës së Mazhicës, mbledhja te Ferra e Pashës, mbledhja te varret e Shupenzës, etj. Të gjitha këto forma ishin besëlidhje të mirëfillta. Të tilla “besëlidhje” janë bërë dhe në luftërat e tensionet kundër Zogut të zhvilluara në Sllovë, te Kulla e Lumës, në Allajbegi, në Dhoks, etj.
Pjesëmarrja në këto kuvende ishte masive. Kështu, në Kuvendin e Dibrës, që u mbajt në fushën e hapur të Qernanicës, në korrik 1878, morën pjesë 10.000 veta,kurse në besëlidhjen në malin e Dhoksit morën pjesë 12.000 veta.
“Në vitin 1872, Malet e Dibrës lidhën besën për të luftuar kundër turqve osmanë. Luftimet në Kastriot, Sllovë, Muhurr, Zogjej e Bulqizë, të udhëhequra nga Mahmut Daci, Dalip Karaj dhe Hasan Shini u shkaktuan dëme të mëdha forcave të ushtrisë turke të Demir Pashës, që erdhën për të shtypur kryengritjen në Dibër
Mbledhje të Maleve, betime e kuvende janë bërë në shtëpitë e fshatarëve në Viçisht, në Çerenec, në Gropat e Ujkut (Shupenzë), në Mejë të Kalasë, tek Guri i Shpuar (Mazhicë), etj.
“10 mijë dibranë u mblodhën në fushë të Maqellarës, ku u folën Abdyl Frashëri e Iljaz Dibra, të cilët u kërkuan të falnin gjaqet dhe të lidhnin besën…”
Kuvendet më të rëndësishme të Dibrës janë mbajtur për t’u organizuar që të përballonin situatat e reja që krijoheshin pas sulmeve, pushtimeve dhe invadimeve të fuqive të huaja. Të gjitha kuvendet e Dibrës kanë pasur si synim kryesor luftën për liri e pavarësi kombëtare. Disa nga këto kuvende të rëndësishme, jo vetëm për historinë e Dibrës, janë:

Kongresi i Manastiri dhe Kongresi i Dibrës
Kongresi i Manastiri dhe Kongresi i Dibrës

Kuvendi i Dibrës (1878)

Kuvendi u mblodh më 1 nëntor 1878 në kryesinë e Iljaz pashë Dibrës. Kuvendi i Dibrës miratoi rezolutën në trajtë memorandumi, e cila përmbante 5 pikat që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit: formimi i vilajetit të Shqipërisë, krijimi i administratës me nëpunës shqiptarë, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Kuvendi i Madh, përdorimi i një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për përparimin e arsimit dhe për ndërtime botore. Në rezolutë thuhej se këto kërkesa do t’i paraqiteshin brenda 1 muaji Portës së Lartë me anë të një delegacioni të përbërë nga personalitete të shquara të Shqipërisë, të cilët do të merrnin pëlqimin me shkrim nga të gjitha kazatë dhe sanxhakët shqiptarë. Në rezolutë theksohej vendosmëria e popullit shqiptar për të siguruar plotësimin e kërkesave të lartpërmendura. Rezoluta iu paraqit Portës së Lartë në fillim të shkurtit 1879.

Kongresi i Dibrës (1880)

Më 20 tetor 1880, në qytetin e Dibrës, u mblodh një kongres. Në të morën pjesë përfaqësues nga të katër vilajetet, gjithsej 300 delegatë të shoqëruar nga 5.000 luftëtarë.
Kongresi diskutoi në lidhje me mbrojtjen e Ulqinit, për krijimin e një principate autonome shqiptare dhe të një Qeverie të Përkohshme. Kongresi, me shumicë votash, u shpreh për mbrojtjen e Ulqinit me tërë rrethinat e tij dhe i dërgoi Riza Pashës, komandantit të Garnizonit të Shkodrës, një kërkesë në formë ultimatumi, ku kërkohej të mbrohej Ulqini.
Në kongres u diskutua rreth bashkimit të katër vilajeteve në një principatë të vetme autonome nën protektoratin otoman, me qendër në Elbasan. U vendos që tokat shqiptare të mbroheshin për çdo pëllëmbë, të kishte shkolla e gjykata në gjuhën shqipe dhe administrata të ishte me nëpunës vendas. U vendos që për mbrojtjen e vendit të zbatohej rekrutimi i detyruar ushtarak. Nga të ardhurat që do të mblidheshin prej taksave 20% e tyre të shpenzohej për arsimin dhe punët botore.
Lidhur me formimin e Qeverisë së Përkohshme pati shumë diskutime e debate të forta. Radikalët dhe të moderuarit ishin kontradiktorë midis tyre dhe asnjëra palë nuk lëshonte pe. U diskutua që në çdo qytet të krijohej një “Bashkim-besëlidhje”, që të kishte edhe zyrat e tij. Këto do të ishin organet qeverisëse të vendit, që do të ruanin rregullin, do të ndalonin vrasjet e vjedhjet dhe do të mblidhnin taksat. Pavarësisht nga debatet, këto “Bashkime-Besëlidhje” filluan nga puna në Dibër, Tetovë, Kumanovë, Shkup e gjetkë. Në Shkup shpërtheu një demonstratë, ku morën pjesë rreth 10 mijë vetë, sepse myftiu i qytetit u përpoq të pengonte veprimtarinë e këtyre bashkimeve. Por ai nuk mundi të sabotoi këto besëlidhje, përkundrazi demonstruesit përzunë myftiun. Nga ky kongres iu dërguan dy peticione Portës së Lartë, ndërsa pushtuesi iu kundërpërgjigj këtyre vendimeve me masa të rrepta ndëshkuese.
Ky kongres ndihmoi që të mbahej gjallë fryma e patriotike. Prandaj, gjatë muajve mars-prill 1881, dibranët disa herë u ngritën kundër pushtuesit osman. Për t’i shtypur këto rezistenca Porta e Lartë dërgoi Dervish Pashën në krye të 6 batalioneve, por nuk arriti ta nënshtronte Dibrën.
Kongresi i Dibrës u pasua nga kuvende e besëlidhje të tjera, që i paraprinë Kongresit të Dibrës të vitit 1909.

Abdyl Ypi Kryetar i Kongresit në Dibër, më 23 korrik 1909
Abdyl Ypi Kryetar i Kongresit në Dibër, më 23 korrik 1909

Kongresi i Dibrës (1909)

Mbledhje e organizuar nga Komiteti Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim” me karakter të përgjithshëm osman. Kishte për qëllim të bashkonte, nën flamurin e osmanizmit, vendet e Turqisë evropiane, e veçanërisht klasat drejtuese të Shqipërisë. Ja si shkruan në prag të mbajtjes së Kongresit gazeta e kohës “Shqypeja e Shqypnis”, nr. 5, datë 15 korrik 1909, fq.4, e cila botohej nga publicisti dibran Josif Bageri: “Korrespondenti ynë prej Dibre na lajmon, se këto ditë do të ketë një mbledhje në Dibër, e cila mbledhje i apën emën kongres. Skundër morëm vesh ky kongres ka për qëllim me u marr vesh shqiptarët ndervedi për çfarëdo pune kombëtare për shndritjen dhe veturdhërimin e shqiptarëve”. Në shqip veturdhërim do të thotë të jesh i pavarur. Pra, nga ky njoftim del qartë se shqiptarët synonin që me këtë kongres të shpallnin pavarësinë. Ndërsa dy javë më vonë, më 1 gusht 1909, po kjo gazetë shkruan: “Fort shumë mirë u muer vesh, se i thirruni kongres në Dibër, asht afër xhonturqve.” Dhe pastaj vazhdon: “ Po për fat keqen e zhonërvet se zigareja (terezia) rëndoj ma shumë në anët e shqiptarëve, cilët ma kujtojnë për vendin e tyre, e jo për botën”.
Në këtë kongres Myftija i Dibrës mbajti qëndrim antikombëtar. Ja si e përshkruan kjo gazetë fjalën e tij në këtë kongres: “Fjala e leçitun në gjuhën e të zezve prej myftinis Dibrës, nuk ishte përveçse një grusht pluhun i hedhun në syt shqiptarëvet dhe të tjerëvet” Në vijim kjo gazetë thekson: “por tri herë ma shumë ishin tjer, njerëz vendit, ne të cilin jon lind e rritun… se në këtë kongres ndodheshin shumë shqiptarë amë e atdashës, të cilët, të mbushun me ide kombiare-muarën katedrën, at pilen e oratorvet dhe si të gjallë atdhetar zun të folin fjalë të flagta.”
Morën pjesë 325 delegatë nga qytete e ndryshme të vilajeteve të Turqisë evropiane, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Pjesa më e madhe e delegatëve përbëhej nga elementë proturk. Në kongres morën pjesë edhe përfaqësues të forcave patriotike shqiptare si Dervish Hima, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Loni Logori etj.
Kongresi miratoi një program prej 17 pikash. Pjesa e parë prej pesë pikash, përfaqësonte programin osman të paraqitur qysh në fillim nga xhonturqit. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë prej 12 pikash, që iu imponua Kongresit prej atdhetarëve shqiptarë, u përfshinë, megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, edhe disa nga kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me karakter kulturor.
Megjithëse Kongresi i Dibrës u thirr si një mbledhje osmane, atdhetarët shqiptarë e shndërruan atë në një arenë të luftës kundër reaksionit xhonturk për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar.

Kuvendi te Gurra e Mazhicës (pranverë, 1910)

Për herë të parë dy Dibrat u mblodhën në Kuvend së bashku më 1910 te Guri i Mazhicës. Madje, këtë kuvend e drejtoi një përfaqësues i Dibrës së Poshtme, Isuf bej Karahasani nga Brezhdani.
Pjesëmarrës të tjerë të parisë së Maleve ishin: Zenel Hoxha nga Gjurrasi; Mersim Dema nga Homeshi, Zenel Kraja nga Gjorica; Sheh Hajredini nga Zerqani, Myftar Murrja nga Luznia; Tahir Bazi e Kurt Hoxha nga Muhurri; Llan Kaloshi, Selman Alia, Mud Lusha dhe Selim Noka nga Çidhna, Avdi Ndreu dhe Shaban Kaca nga Dardha; Baftjar Doda, sheh Abazi dhe Hysen Shabani nga Reçi, etj. Krerë të Fushës në Kuvend ishin: sheh Abazi i Dohoshishtit, sheh Hasani i Tominit, Rustem Bardulla i Peshkopisë dhe Tahir Tafa i Sohodollit.
Në këtë kuvend u diskutua për situatën në të cilën ndodhej Dibra dhe u vendos për vazhdimin e kryengritjes së armatosur kundër osmanëve.

Luftetare dibrane - Koleksioni i Josef Sekel
Luftetare dibrane – Koleksioni i Josef Sekel

Kuvendi i Arrasit (13 gusht 1920)

Ramiz Daci, më 7 gusht 1920, ishte në Arras dhe organizoi një miting me pjesëmarrjen e mbi 3.000 vetave (pari e hali), ku shprehën krenarinë për Luftën e Vlorës kundër italianëve dhe shprehën gatishmërinë për të mbrojtur me të gjitha mjete tokat e atdheun e tyre. Në kuvend të Arrasit morën pjesë edhe: Ramiz Bej Dibra (i Iljaz Pashës), Dine bej Maqellara, Izet bej Maqellara, Selman Alia (Fushë-Alie), Ramiz Daci, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri, Selë Bajraktari (Arras), Shaqir Dema, Dine Dema, Riza Lusha, Dervish Lusha, Dine Hoxha, Selim Noka (Kandër), Haxhi Noka (Grykë-Nokë), Murat Kaloshi, Abdi Kaloshi, Sali e Selim Noka (Sinë), Dan Cami (Sepetovë), Selman e Hakik Mena (Lurë), Llan Destani (Ndregjoni-Lukan), Kurt Spata e Dikë Spata (Blliçe), Ali Tahiri (Pira-Muhurr), nga Daci i Kalisit dhe Lita i Ploshtanit, si dhe disa përfaqësues nga paria e Matit.
Më 13 shkurt 1920 u mblodh Kuvendi i Arrasit, mori disa vendime të rëndësishme, të cilat në gojën e popullit u quajtën si vendime të “Qeverisë së Përkohshme”. Kuvendi zgjodhi një shtab, anëtarë të të cilit ishin Ramiz Daci, Jashar Erebara, Suf Xhelili, Ismail Strazimiri, Destan Puca etj. Shtabi, brenda dy-tri ditëve zgjidhi disa probleme të rëndësishme me karakter politik, ekonomik e ushtarak.
Ramiz Daci mori një letër nga Hasan Prishtina, i cili e informonte se kishte marrë pjesë në një kongres të delegatëve fuqiplotë dhe diplomatëve të kombit italian, hungarez e bullgar, të cilët kishin përgatitur programin e një kryengritje të përgjithshme dhe se kongresi kishte vendosur që “dibranët të sulmonin ushtrinë serbe më 15 gusht 1920”.
Atë ditë që u mblodh Kuvendi i Arrasit, ushtria serbe bombardoi nga Lisi i Trenës stacionin e gjindarmërisë në Luzni. Një ditë më pas, Ramiz Dibra i dërgoi komandës së ushtrisë serbe në Llasen një ultimatum për tërheqje brenda 24 orëve. Serbët qëndruan në heshtje, sepse ata kishin 10 batalione e disa bateri të vendosura në skalione nga Shumbati në Gollobordë, ndërsa kryengritësit ishin më të paktë në numër dhe të pa armatosur.
Sulmi i kryengritësve filloi më 13 gusht. Malësorët e Çidhnës, Reçit, Dardhës, Kastriotit, Muhurrit, Zerqanit dhe Gollobordës sulmuan me aq furi sa më 13 gusht Dibra ishte plotësisht e çliruar. Serbët lanë në betejë 1000 të vrarë e 2000 të kapur rob dhe u tërhoqën në tmerr drejt Gostivarit.

Kryengritja e “Plugjeve”, 1910

Te Gropat e Ujkut, në Shupenzë, u mblodhën në kuvend mbi 500 burra të cilët mori vendime të reja për luftën kundër pushtuesit osman.
Mersim Dema nga Homeshi i Grykës së Vogël dhe Mehmet Duriçi nga Vajkali, bashkë me të tjerë patriotë e prijës popullorë të Bulqizës, Grykës së Madhe e Grykës së Vogël, lëshuan kushtrimin për kryengritje të armatosur dhe kërkuan të lidhej besa. Ata u bëri thirrje malësorëve të këtyre krahinave që parmendat t’i zëvendësonin me pushkë e fishekë se, jeta e tyre nuk kishte kuptim nën pushtim e në skllavëri. Thirrjes së tyre iu përgjigjen mbi 500 luftëtarë. Burrat u mblodhën te “Gropat e Ujkut”, vend që ndodhet 7 km larg Homeshit.

Fiqiri Dine, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema
Fiqiri Dine, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema

Mbledhja e Lurës (27 gusht 1943)

U mbajt 27 gusht 1943. Në këtë Mbledhje morën pjesë figura qendrore, si Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine, Hysni Dema, Miftar Kaloshi, Et’hem Haxhiademi, Thoma Orogollai, Isuf Luzi, etj.
Gjithashtu, në Mbledhjen e Lurës morën pjesë edhe Destan Rexhepi nga Bicaj, Tasim Spahiu nga Kolesjani, Elez Çajku nga Lusna, Sefë Xheladini nga Ujmishti, Ramiz Hyseni e Haziz Shehu nga Çaja, Selim Noka, Shaban Noka dhe Gafurr Noka nga Kalisi, Dalip Zyberi nga Topojani, Hasan Vellku nga Buzëmadhja, Dalip Zyberi nga Topojani, Adem Gjurra, Shaban Gjurra, Sali Doda nga Reçi.
Qëllim i mbledhjes ishte bashkimi i popullit shqiptar pa dallim feje, krahine e ideje në luftë të përbashkët kundër forcave okupatore në vendin tonë. Këtu u lidh besa malësore dhe u koordinuan veprimet luftarake kundër pushtuesve të vendit.
Mbledhja e Lurës pati një rëndësi të madhe historike, të ngjashme me mbledhjen e Mukjes. Në këtë mbledhje u zgjodh “Besa e vendit”, organ që do të siguronte bashkimin e vendit, që do të shmangte ndarjet e përçarjet. Mbledhja caktoi edhe një komandë të përbashkët që do të drejtonte luftën për çlirim nga okupatorët nazifashistë. Dibra u përfaqësua në këtë mbledhje edhe me Cen Elezin (Sllovë), Myftar Kaloshin (Kandër), Ali Maliqin (Maqellarë), Aqif Lleshin (Zogjej), Selman Menën (Lurë), Dervish Lushën (Arras), Ramadan Hoxhën (Muhurr), Faik Shehun (Peshkopi), Ali Likën (Kala e Dodës), Selim Sulë Kaloshin (Sinë), Mahmut Pervizi (Zerqan), Llan Menën (Lurë), Preng Gjergjin (Lurë), Ramadan Dodën (Reç), Ibrahim Gjoçin (Lurë), Gjon Bibën (Lurë), Met Hotin (Lurë), Bajram Menën (Lurë), Tahir Menën (Lurë), Haziz Kaloshin (Kandër), Zenel Litën (Kala e Dodës).
Nga Luma morën pjesë edhe: Rushit Daci (Kalis), Metush Luma (Bicaj), Sadik Spahia (Kolesjan), Has Doçi (Arrën), Xhemë Shahini (Arrën), Halit Osmani (Arrën), Ramadan Çajkri (Ujmisht), Murat Mera (Kalis).

Mbledhja e “Kompromisit” (6 shtator 1943)

Më 6 shtator 1943 u mblodhën përfaqësues të Zonës I Operative të Ushtrisë NAÇL dhe të batalioneve të Maqedonisë (zotërinjtë Jeleste Popovski dhe Toma Sofronovski), përfaqësuesit e forcave popullore të Dibrës (zotërinjtë Cen Elezi, Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqiri Dinia, etj.) dhe përfaqësuesit e Ushtrisë NAÇL, Esat Ndreu, Njazi Islami e Sotir Vullkani.
Mbledhja zgjodhi një shtab të luftimeve. Në shtab u zgjodhën: Cen Elezi (kryetar -komandant) dhe Shaban Strazimiri që përfaqësonin Esat Ndreun, Jeleste Popovskin dhe Hamdi Demën.
Në takim i vendos të bëhej bashkimi në luftë me forcat partizane. U ra dakord që shtabi operativ të njihej vetëm kur të futeshin në luftë të dy palët. Shtabi nuk do të ndërhynte në punët e brendshme të qytetit. Rregulli dhe qetësia në qytet do të mbaheshin nga roje të përbashkëta, forcat partizane dhe të Cen Elezit.
Takimi te varri i Deli Hasanit
Më 11 gusht 1943 erdhën në Dibër krerët e Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Et’hem Haxhiademi, Thoma Orogllai, Isuf Luzi, Hasan Dosti, Faik Quku, Sulejman Meçe… Këto zhvilluan një takim te Varri i Deli Hasanit. Këtu u bisedua për zhvillimin e luftës kundër pushtuesve dhe kundër rrezikut komunist.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.