back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kuvend me Mri Dedjen e Merrnaçajve – portret i nji grueje të thjeshtë e nji fisnikeje – nga Jozef Radi

Gazeta

Mrì Dedja e Merrnaçajve
Mrì Dedja e Merrnaçajve

Kuvend me Mri Dedjen e Merrnaçajve

portret i nji grueje të thjeshtë e nji fisnikeje

nga Jozef Radi

Mri Merrnaçaj asht nji grue e shtruet, e rrafshët, rrëfimtare e pashoqe me nji buzqeshje të butë që do t’ia kishte lakmi çdo piktor ta kishte objekt pune, po edhe me nji pikë të ndritshme loti ndër sytë e saj me dritë të pakufi.
Ndërsa ndjek me kujdes rrëfimin e gjatë të jetës, kuptoj ma së miri se kjo grue, kjo malsore e thjeshtë, ka dijtë me përballue si stoike çdo të keqe të jetës, e prej saj mundesh me e kuptue se vetëm forca e karakterit dhe besimi në Zot nuk ia vrau dot at buzqeshjen e saj me dritë!
Mri Dedja ishte e bija e Bajraktarit të Vuklit, Dedë Gjon Bajraktarit, dhe kur ishte vetëm pesë vjeçe ia dogjën n’sy babën, pa kalue do muej i vdiq vllai i vogël, kur u ba gjashtë vjeçe i vranë dy axhët, kur ishte 12 vjeçe i vdiq vllai tjetër 9 vjeçar prej pamundësisë së kurimit të apendisitit, 16 vjeçe u martues, e mandej njizet vjeçe i vdiq gjyshja, kur ishte 27 vjeç, i vdiq e ama, kur ishte 52 vjeçe i vranë djalin mbas nji proteste, e para pesë vitesh humbi edhe burrin Marashin, që e kishte pasë edhe babë, edhe vlla, edhe shok, edhe axhë po edhe luftëtar të njimije peripecive të jetës ndër emigrime, Marashin…

Familja e Marash Merrnaçajt
Familja e Marash e Mri Merrnaçajt

Në kuvendet e gjata me Mri Dedjen e Merrnaçajve, gjatë kësaj vjeshte kam kuptue se ç’janë përmasat e shpirtit njerzor, si preket dhimbja me dorë dhe si mund të naltohet ajo në fjalët e syve të përlotun t’nji heroine të pashoqe… Janë biseda të nji qetsie sublime, të nji komunikimi ku duhet me pasë kujdes mos e lëndon edhe ma shumë se duhet me pyetje, e n’se do të kërkoja nji fjalë të përshtatshme me i cilësue këto biseda më të do të ishte: Kuvend me nji grue, që krejt pak o aspak larg mund t’jetë prej nji shenjtoreje!
S’ka gja ma të vshtirë se kur jeta të ban dhuratë kaq shumë dhimbë, kaq tragjedi e makabritete e mandej i përplas mbi shpirtin e nji grueje, si Mri Dedja e Merrnaçajve, e cila mbasi ka pësue gjithçka që mundet me pësue nji krijesë njerzore, ka nji forcë rrëfimi mahnitëse e fakti që ti je përballë saj, je n’kuvend me të, e ajo me aq mirsi ta ofron nji kafe, nji putir rakie, e të pret njashtu me uratë ndër duer, e me nji fjalor të përzgjedhun fjalësh e ndjesish të duket vetja si para nji monumenti… Ti ke mundësi me e ndjekë, me e kundrue n’at rrafshin e ambël t’nji fisnikeje rodi, ke mundsi me pvetë e ajo që ka gjithnji diçka që mundet ta trishtojë thellsisht kur të shpalos me aq kujdes tana pësimet e jetës, ti ndjen se kjo grue s’asht thjesht grue, po nji shenjtore e gjallë, që t’i ka dhurue orët e gjata të rrëfimit butsisht e janë ma t’bukurat që nji grue e mbushun përplot dhimbje, ia ka shkul shpirtit të saj, për të gjithë ata që janë e që nuk janë ma në kët jetë, me qëllimin sublim që as e Keqja të mos harrohet pse ajo rrezikon me u përsëritë, po tue levdue edhe çdo të mirë që ka ndeshe në atë rrugtimin e saj përtej 80 viteve…
Vetëm mbasi e ke ndigjue për orë e orë të pafundme mundesh me thanë se Mri Dedja e Merrnaçajve, ka ndër fjalët e saj dashninë e pakufi për Zotin e se Orët e Kelmendit, e kanë përzgjedhë bash atë, si bijën ma të devotshme të tyne…

Shtepia e Marash Merrnaçajt ne Yonkers
Shtepia e Marash Merrnaçajt ne Yonkers

***
Bisedat e kësaj vjeshte me Mri Dedjen e Merrnaçajve janë pjesë e një punë që shpejt ka me u ba libër. Edhe pse e vërteta e saj s’asht as e panjoftun, as e parespektueme, pse nji pjesë e jetës së saj asht e rrfyeme edhe e shkrueme… por mendoj se me kalimin e viteve figura e saj asht ba ma e plotë. E ekspozueme për nji kohë të gjatë ndër realitete të vshtira, mes shumë njerzish, ajo tashma i ka kapërcye kohnat e vendet, e në itinerarin e nji ikone, ajo ka dijtë me përballue situata nga ma të pabesueshmete e ma tragjiket.
Mri Dedja vjen prej nji familje me emën të naltë, ku ajo veç për pak kohë mujti të ishte fëmijë i lumtun, krejt pak kohë, mbasi 1945 në Kelmend, shenjoi shkatërrimin e shumçkaje, e në veçanti të familjes së Bajraktarit të Vuklit… e mbetun e vetme fillikat, ku urrejtja u shkrue me hekur e gjak në shpirtin e njomzakes, ku tragjeditë e njimbasnjishme e detyruen me ardhë kërthi (pa mbushë 16 vjetët) në familjen e Merrnaçajve, po edhe peripecitë e jetueme mbrenda kësaj familjeje, ku pa mbushë të njizetat, u detyrue me dy djem në krahë me marrë rrugët e arrative t’njipasnjishme…
Në nji periudhë të shkurtë kohe ajo qe destinue me u zhdukë, mbasi qe futë në indeksin e ndëshkimeve prej diktaturës. Kështu ajo u ba pjesë e nji odiseje sa dramatike aq edhe tragjike… por gjithnji dijti me e ruejtë emnin e të parve të saj, tashma e trupzueme n’nji familje tjetër, së cilës iu përkushtue me mish e me shpirt e i dha gjithçka të mirë kishte fisnikria e saj… tue u ba kështu, jo vetëm nuse shpie, e nanë e gjashtë fmijve shembullorë, po edhe model dinjiteti.
Ndaj sot, fjala e saj, përkushtimi i saj, mënyra si ajo i rrëfen krejt travajet e kësaj jete e bajnë atë padiskutim grue të rrallë, e n’se kodet e malsorve s’do të ishin aq të hekurta e solide në konceptet e tyne, Mri Dedja do ta meritonte edhe si grue pa asnji dyshim, titullin e Bajrakut të Vuklit, at titull që komunizmi e diktatura me të gjitha mjetet e mënyrat ma të ulta e ma barbare të kësaj toke, u përpoqën me ia shlye njiherë e përgjithmonë…!
Ishte bash kjo grue, kjo nanë, kjo vajzë, kjo Norë moderne, që jo vetëm s’e lshoi emnin e Bajrakut me ra në baltë, po i dha aq emën e aq dinjitet sa edhe kodet ma t’ashpra të malsorëve, duhet me ndryshue diçka, se jo veç burrat po edhe grate të këtyne maleve epike, janë të së njejtës naltësi me mbajtë me dinjitet frymën e Bajrakut…

Mrì Dedja e Merrnaçajve
Mrì Dedja e Merrnaçajve

***
N’se nisë më rrëfye kuvendet e pafundme t’nji vjeshte me Mri Dedjen e Merrnaçajve, nji shkrim si ky asht i pafuqishëm me ia dalë n’krye këtij misioni. Po kjo ka me qenë pjesë e nji pune ma të plotë, prej së cilës ka m’u shpalosë me krejt ngjyrat e veta, n’nji t’arthme jo të largët e vërteta jo vetëm e nji grueje Kelmendi po ma shumë, mbasi bisedat e realizueme mes nesh edhe ai komunikim i ndërsjellë e me zemër n’dorë i kësaj fisnikeje të rrallë, do të jetë pjesë e nji punë ma të gjanë. Un deshta m’u ndalë, n’ato përshtypjet e mia personale, në raportin që u krijue mes nesh, te ajo konfidenca e rrëfimit ku shpirti i saj u çil pothuej si i nji luleje, edhe pse ishte e krejt e bindun, se shumçka e kishte harrue, (mbasi edhe mosha ban m’u shlye nji pjesë e kujtimeve tona) po kur ti mbrrin m’u futë në mekanizmat e kësaj heroine si Mri Dedja e Merrnaçajve, kee gjetë at çilsin që hapen portat e rrëfimeve të pafundme, e veç njat’herë mundesh me e kuptue se kjo grue i ka palosë me kujdes tana dramat e jetës, u ka vendosë nji kod rrëfimeve të veta, çka e ban at nji personazh të rrallë, edhe jo vetëm kaq… por ti vetëm mbasi ke folë gjatë me të, mundesh me e kuptue se ajo çka t’ka rrëfye asht kaq e thellë e kaq sublime, sa që emri i saj jo për hir të vuejtjeve, po prej mënyrës si ajo i ka mposhtë vuejtjet, si i ka dekodifikue ato, tue u dhanë vlerë qëndrimeve njerzore, jo vetëm të sajve po të krejt grave malsore, tue e mposhtë të Keqen me krejt përmasat e përbindshme me të cilat ajo u derdh për nji gjysë shekulli mbi njerzit e thjeshtë, e që ende sot e kësaj dite, vazhdojnë me ushtrue dhunë mbi shpirtnat e tyne fisnikë…
Mri Dedja e Merrnaçajve asht prej nji dere me emën!
Po edhe emni saj sot, asht tashma Derë e Madhe, gjithnji e hapun e mikpritëse!
Tetor – dhjetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.