back to top
25.5 C
Tirana
E premte, 24 Maj, 2024

Kur pushtetarët mënjanojnë specialistët nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva

Kur pushtetarët mënjanojnë specialistët

nga Ilir Hashorva

(Mbi nevojën e futjes së mësimit të historisë së feve në shkollat tona)

E çfarë nuk është mirë të mësojë e të dijë njeriu?! Edhe historinë e Indisë së Lashtë, edhe atë të Kinës dhe Japonisë, edhe bujqësinë, edhe mjekësinë, edhe muzikën, edhe vizatimin, edhe kompjuterin, edhe filozofinë edhe ekonominë, edhe moralin, edhe latinishten, edhe greqishten e vjetër, edhe ndryshimet e klimës, edhe jogën, edhe karatenë, edhe… edhe çdo gjë.
Tashti thuhet se nxënësi shqiptar do të mësojë dhe historinë e feve. Unë nuk kam ndonjë kundërshtim në parim që nxënësit të mësojnë historinë e feve, sepse historia e feve ka lidhje me qytetërimet që duhen njohur dhe njohja e qytetërimeve nuk mund të bëhet e shkëputur nga njohja e historive të feve. Këtu duhet shtuar se, kur flasim për qytetërimet, nuk flasim gjithnjë në kuptimin pozitiv të tyre. Mua personalisht më është dashur të mësoj shumë për fetë, sepse kur shkrova një libër për Gandin, m’u desh të shfletoja e të lexoja shumë për historinë e feve të Indisë, sidomos për hinduizmin, që është bazë edhe për fe të tjera politeiste aziatike. Pa to nuk mund të kuptoja zhvillimet indiane. Në vëllimin e parë të librit tim ka rreth 30 faqe për historinë e hinduizmit, budizmit, xhainizmit, sikizmit dhe feve të tjera aziatike. Po ashtu, tashti që po shkruaj një libër për antisemitizmin, më është dashur të shfletoj, të lexoj dhe të mësoj shumë edhe për historinë e feve monoteiste të Palestinës: judaizmin, krishterimin dhe myslimanizmin, sepse pa to nuk mund të kuptohet antisemitizmi. Për këto fe në librin tim ka rreth 50 faqe, që zënë rreth njëzet për qind të librit. Kështu që, për mua, njohuritë për fetë dhe për historinë e zhvillimit të tyre ishin të nevojshme dhe në punimet e mia ato janë trajtuar si kulturë e jo si besime. Por, a i duhet një nxënësi, që nesër mund të punojë në një fushë çfarëdo, të mësojë në shkollë si lëndë të veçantë historinë e feve? Koha e mësimit të nxënësit në shkollë është e kufizuar dhe ai arrin të marrë aty një pjesë të diturive që do të mund t’i duhen, të tjerat ai i mëson jashtë shkollës, gjatë jetës. Të fusësh historinë e feve si lëndë mësimore të veçantë disa orë në shkolla, do të thotë të heqësh disa orë nga lëndë të tjera.

Edukata Fetare e Lutjes...
Edukata Fetare e Lutjes…

Specialistët e arsimit mblidhen, diskutojnë dhe vendosin se cilat lëndë janë më të rëndësishme dhe më të duhura dhe i vendosin ato në programet mësimore shkollore duke i dhënë secilës kohën e mundshme. Por, ç’ndodh? Del një specialist më i madh dhe u thotë specialistëve të Ministrisë së Arsimit: “Bëni këto ndryshime, vini edhe këto lëndë, se unë kam nevojë të bëj ca qoka!”. Kështu, i hipën në kokë kryeministrit të kohës, Sali Berishës, dhe kërkon të futet gjuha kineze në programet e shkollave; i hipën në kokë kryeministrit tjetër të kohës, Edi Ramës, dhe kërkon të futet në programet e shkollave mësimi i shahut; më pas, me 21 dhjetor, 2015, po Edi Rama, lidh një marrëveshje në Izrael, për të futur mësime mbi Holokaustin në shkollat shqiptare; sot po këtij kryeministri i ka hipur në kokë, sepse, siç thuhet, ia kërkon Bashkimit Evropian, që në shkollat tona të fusë mësimin e historisë së feve dhe Ministria e Arsimit e mbështet plotësisht atë. Bashkimi Evropian i paska kërkuar 12-13 shteteve, që të fusin mësimin e historisë së feve në programet e shkollave të tyre. Por, përse vallë, ndërmjet shumë vendeve që përbëjnë Bashkimin Evropian, duhet përfshirë edhe Shqipëria, që nuk është as anëtare e atij Bashkimi dhe, në sajë edhe të injorancës fetare, shqiptarët nuk kanë edhe probleme ndërfetare të mprehta siç kanë shumë popuj të tjerë, madje edhe nga ata të Bashkimit Evropian? Tek ne, sa më pak të flitet për fetë, aq më mirë është.
Disa, në rrethet e afërta të Kryeministrit, dhe disa të tjerë, që e mbajnë veten për fetarë, e pritën me entuziazëm urdhrin e kryeministrit për mësimin e historisë së feve në shkolla, sepse, siç përsërisin ata argumentet e Kryeministrit, njohuritë që do të marrë shqiptari në shkollë për historinë e feve do t’i zbusë ata dhe do t’i bëjë që të luftojnë ekstremizmin fetar. Vërtet një absurditet! Feja në vetvete është ekstremiste ndaj të ndryshmit dhe ekstremizmi i saj shfaqet më shumë në vendet dhe regjimet shumë fetare dhe jo në ato pak fetare apo laike si Shqipëria. Tek ne, ata që e mbajnë veten për fetarë, dinë fare pak nga feja e tyre, ata dinë vetëm disa rite dhe zakone, ndërsa për filozofinë e fesë, apo për fe të tjera, ose nuk dinë gjë, ose ato që thonë se dinë, i dinë gabim. Shumica e tyre nuk kanë lexuar kurrë në jetën e tyre libra që të kenë pasur lidhje me fenë, megjithatë, duke shpallur fenë si të rëndësishme, mendojnë se duken modernistë, perëndimorë, madje edhe antikomunistë! Një herë, kur po udhëtonim me makinën e punës, i pamë shoferit tonë, që nuk kishte lexuar kurrë në jetën e tij ndonjë libër, të mbante pranë Kuranin. E pyetëm: “Festim, ke filluar të lexosh Kuranin, ë?” “Kurani – na tha Festimi – nuk lexohet, ai mbahet”. Ky është “fetari” ynë. Ai e mban fenë për hajmali dhe jo për moral. Dhe pastaj, ç’është historia e feve? Historia e feve është urrejtja dhe lufta e njeriut kundër të ndryshmit të tij dhe, për të mos u zgjatur shumë, le të kujtojmë gjatë shekujve urrejtjen dhe luftërat fetare të judaistëve kundër të krishterëve, të krishterëve kundër judaistëve, të paganëve kundër të krishterëve, të krishterëve kundër paganëve, të krishterëve kundër myslimanëve, të myslimanëve kundër të krishterëve, të hinduve kundër myslimanëve, të myslimanëve kundër hinduve, të myslimanëve kundër njëri-tjetrit etj., etj. Njihet vetëm një periudhë në histori e bashkëjetesës së qetë midis komuniteteve judaiste dhe myslimane në Spanjë, në mesjetë, por ky është një përjashtim.

Kyeministri Rama, iniciator i Mësimit të fesë nëpër shkolla...
Kryeministri Rama, iniciator
i Mësimit të fesë nëpër shkolla…

Thonë se feja të mëson moral. Është e vërtetë që feja të mëson njëfarë morali, por morali që të mëson feja është i lidhur me frikën nga Zoti. Një moral më të mirë të mësojnë laikët, të cilët moralin nuk e bazojnë te frika nga Zoti, por te ndërgjegjja: “Ti nuk duhet të bësh diçka, sepse ajo është e dëmshme për ty dhe për shoqërinë”, ose “Ti duhet të bësh diçka, sepse ajo është e mirë për ty dhe për shoqërinë”. Megjithatë, edhe pse koha kalon dhe njeriu zhvillohet, edhe pse jemi në shekullin e njëzetenjëtë, një pjesë e njerëzimit ka mbetur me mentalitetin e 2000 vjetëve më parë dhe për të morali nuk mund të futet ndryshe, përveçse përmes fesë, nga frika e Zotit, kështu që, feja, me gjithë të metat që ka, duam apo nuk duam, mbetet dhe do të vazhdojë të mbetet e rëndësishme.
Strategjia, përcaktimi i prioriteteve që duhet të ketë shkolla, për sa i përket disiplinave dhe volumit të tyre, është nga punët më të rëndësishme dhe më me përgjegjësi të Ministrisë së Arsimit, por me ç’duket ajo ministri nuk ka as autoritet dhe as ndonjë strategji të qartë dhe të vendosur. Dhe kjo është më shqetësuese, sesa vënia apo jo e lëndës së historisë së feve në programet e shkollave, nisur nga dyshimi se cenohet laiciteti i shkollës. Ne ndikohemi nga nevoja, ngjarje apo influenca të çastit për të bërë ndryshime të menjëhershme dhe radikale në politikat tona arsimore, sidomos kur ato ndryshime i kërkon ai që ka pushtetin dhe ai di se në atë mënyrë u bëhet qejfi të huajve.
Ministri i Arsimit shqiptar i viteve 30, një njeri plot personalitet, dinjitet dhe profesionalizëm, Mirash Ivanaj, bëri një ndryshim, apo një reformë të sistemit tonë shkollor, pa pyetur nëse u bëhej apo u prishej qejfi shteteve me të cilat Shqipëria kishte lidhje në atë kohë, reformë që edhe sot njihet si “Reforma Ivanaj”, sipas së cilës të gjitha shkollat u shtetëzuan, u unifikuan dhe u shqiptarizuan. Në reformën e tij as që i doli fare emri Mbretit Zog. Kurse sot tek ne, ministri i Arsimit, së bashku me specialistët e tij janë krejt formalë. Politikën e arsimit e bëjnë të tjerët.
Nëse duhet futur apo jo mësimi i historisë së fesë në shkollat tona, nuk mund të përcaktohet nga opinione të njerëzve si puna ime, por as nga ai i Kryeministri të vendit, cilido qoftë ai. Kjo gjë kërkon studime serioze nga specialistët e arsimit, në qoftë se kanë mbetur specialistë të tillë dhe në qoftë se janë të pavarur, qoftë nga politika a qoftë nga feja. Në qoftë se pushtetari futet në sferat e specialistëve, jo duke sugjeruar, por duke diktuar, ai kthehet në diktator.
Prill 2016, Nju Jork

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.