back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Kur… Lart ishte më poshtë se ne!!! Edmond Hasani

Gazeta

Mondi - para grave me kuaj
Mondi – para grave me kuaj!!

Kur… Lart ishte më poshtë se ne!!!

statuse artistike nga Edmond Hasani

Bija e Varrmihësit
Lodhshëm i hodha sytë jashtë furgonit, nga dera e hapur e tij i mërzitur nga vonesa e nisjes së tij, kur para meje u duk një hije femërore! U ul pranë meje në sediljen e fundit të furgonit! Si xhentil që jam në përgjithsi, u ngrita dhe ja lirova vendin prane dritares! Më pa butshëm me ca sy të qartë, të shkruar e mezi belbëzoi një “Falemnderit, mos ju ngushtova gjë?” Në fakt isha ulur mes saj dhe një thesi të zi, të stërmadh plastmasi që kundërmonte një erë të rëndë duhani, të cilin e kishte pronë të vetën një pasagjer llafazan ulur pranë shoferit, i cili seç po bënte me kasetofonin e tij të pluhurosur nga ku herë pas here dilnin edhe ca tinguj muzikorë!
Ishte pasdite dhe ky furgon mizerabël ishte e vetmja shpresë imja për t’u kthyer atë ditë në shtëpi dhe fytyra e trishtë e vajzës pranë meje ishte e vetmja gjë optimiste rreth meje! Më se fundi u nisëm dhe siç më ndodh vazhdimisht në udhëtime sytë e tu më shikonin nga jashtë xhamave të furgonit! Mbytur në kujtimet tona, papritur andej nga kthesat panoramike të Shkopetit koka e bukur e vajzës u përplas mbi supin tim! Më fal, më tha! E vështrova pa folur duke admiruar ato që Zoti në një ditë humori ja kish dhuruar plot dëshirë asaj! Sy femre të ndezur, flokë të artë, forma turbulluese, zë melodioz, pakëz i ngjirur joshshës! Nga je, e pyeta! Drejtoi gishtin nga kaltërsia lumore, poshtë dritares… Shiko çfarë mrekullie! Pastaj u kthye nga unë hapi gojën e bukur nga ndjeva një aromë të fortë martini e më tha: “Jam nga nëntoka, jam bija e asaj…” dhe sytë i xixëlluan frikshëm! Siç duket fytyra ime u shndrua habitshëm ndaj ajo vazhdoi… Të të tregoj diçka, në mirbesim…? “Me quajnë Anjeza, jetoj në qytezën X, jam jetime! Para një viti kam përjetuar një eksperiencë… një horror që ma ka zbukuruar jetën!! Përgjithsisht, nuk flas kurrë në udhetim… preferoj qetësinë dhe admirimin e natyrës jashtë xhamave…” por vura re se bashkëbiseduesja seç kishte një tërheqje manjetike që të bënte kureshtar për gjithçka që kish lidhje me të, e sidomos shkëlqimi i syve të saj ishte unik! “Kurrë nuk kisha festuar ditëlindje deri natën e 20 vjetorit tim, – vazhdoi ajo, – sepse nuk kishte kush të ma festonte, ngaqë jam rritur nëpër dyert e kushërinjve të largët pas vdekjes së prindërve, të cilët u dogjën në një barkë turistike në Korfuz kur isha 4 vjeçe! Miqtë e mi pra, vendosën të bëjnë një party për eventin tim të 20 vjetorit! U lumturova pa masë, sepse për herë të parë nuk po ndjeja jetimllëkun tim e u mallëngjeva! Nejse, pa u zgjatur shumë, ate natë të paharruar piva, kërceva, qesha, hapa dhurata të shumta, por harenë e shpirtit tim seç e prishte një si brengë… Shigjetat e Kupidonit, pavaresisht bukurisë dhe freskisë sime akoma s’më kishin goditur!!! Virgjëria po më shqetësonte aq shumë saqë më dukej një veshje e shëmtuar, e dalë mode!!!”
Heshti, dhe më buzëqeshi si fëmijë çapkën për një çast dhe vijoi tregimin! Pra siç të thashë, party qe kthyer në një orgji dhe kish prekur kulmin dhe… kur filloi kthjellja e mendjes time ndjeva befas se gjendesha shtrirë, diku, në një hapësirë të ngushtë frymëmarrëse…! U tmerrova, desh vdiqa! Isha brenda një arkivoli e truri im i alarmuar, i lodhur nuk po kuptonte asgjë! Fillova të lëviz, të bërtas, të ulëras, të qëlloj me shqelma kapakun! Djersë akull të ftohta më mbuluan të tërën dhe kripa e lotëve po me mbushte gojën! Veshët më buçisnin dhe çuditërisht e gjithë jeta ime kalonte me shpejtësi para syve… Dikur sytë m’u hapën vetvetiu nga një ngrohtësi e çuditshme rreth meje! Fillova të dalloja turbull një bori sobe lyer me varak të rrjepur vende vende! Një tufë qepësh bashkë me një çengel varej nën një llamarinë të vjetër si punë tavani ku ishte shkruar me germa gjaku PPSH! Një mace e zezë pis me sy gjysëm të mbyllur po kotej tek parvazi i një dritareje me katër xhama tëë ndryshëm! Ndjeja mbi vete shikimin e një zeshkaneje gjysëm lakuriq ngjitur tek ana e majtë e një dollapi të vjetër buke! Papritur një kollitje e plakur jetësoi brenda meje idenë se nuk isha vetëm; pas sobës një siluetë burri po më ndiqte me shikim! U ngrit, e u afrua tek unë me një filxhan çaji që avullonte në dorë! Pije bija ime, më tha, çdo gjë është në rregull! Kishte një fytyrë të rrudhur para kohe, i parruar, e me ca sy të bukur!
…Vajza heshti përsëri, hodhi sytë jashtë furgonit dhe kur u drejtua nga unë pashë lotë në sytë e saj! Instiktivisht i hodha krahun mbi supe, e përqafova dhe bashkë me aromën femërore ndjeva një kundërmim të papërcaktuar, mbytes si aromë qilarësh plot igrasi!!! Mua, me kishin droguar miqtë e mi, vazhdoi ajo dhe të kapur nga paniku kur unë isha shtrirë pa ndjenja ata se nga kishin gjetur një arkivol e më kishin varrosur të gjallë duke menduar se më kishin vrarë, pa dashje!!
Varrmihësi që jetonte në varrezë rastësisht kish dëgjuar thirrjet te varri im e duke qënë se mbi mua atë natë të tmerrshme shiu kishin hedhur fare pak dhe ai më kish nxjerrë pa problem, të gjallë!!! Tani, pranë tij unë jam transformuar, kam ”humbur” kujtesën” për gjithçka! Tani jam bija e tij, gruaja e tij, dashuria e tij, jam jeta e varrmihësit!!! Muzika e një kënge të shëmtuar më solli në realitetin aktual! Kundërmimi i duhanit pranë meje ma semboi më fort hundën! Ktheva kokën nga ajo… bija e varrmihësit! U ngrita si i çmendur nga vendi! Në sediljen ku pak më parë ish ulur ajo kishte veç ca balte me krimba toke që qeshnin, sipër!! Ejjjjjj, shofer, mbaje makinën! Ku iku kjo që ishte afër meje??? O zotni, më tha pasagjeri llafazan dhe pronar i duhanit të qelbur, ti ishe vetëm!!! Në çesmën e parë që hasëm rrugës futa kokën dhe mes ujit që përplasej te këmbët e mia shikoja varrmihësin e rrudhur, të parruar, me sy të bukur që më pyeste: “Hë, të pëlqeu historia jonë???
3 prill 2013

Nata e Vdekjes
Nata e Vdekjes

***
Tre probleme kam në jetë, lloton, pijen dhe… të dyja bashkë! Po t’i nënshtrohem ndonjë kure për ta lënë pijen, po të betohem mbi kuran se nuk do luaj lloto nuk do kem më asnjë hall por kjo do ishte një gjë e papërballueshme, sepse pa halle nuk ka kuptim jeta! Po sikur ti le të dyja dhe të merrem me femra???
Monolog i një hallexhiu…
25 janar 2014

***
Ndjeva befas se me qe rritur mjekra dhe kjo po me bezdiste!
Kisha tre dite që isha varrosur! “Nuk qenka aq keq sa e bëjnë ata lart, – thashë me vete dhe me njerën dorë ngrita kapakun e arkivolit, bashkë me pllakat e betonit e dheun sipër aq sa u habita nga forca ime megjithse herën e fundit kisha ngrenë pak para se të vdisja nga plumbat e burrit të dashnores! Bëra nga rruga e daljes dhe ngadalë mes shiut hyra në qytet!
U ndala tek berberia e parë që hasa!
Berberi qe ulur dhe po shihte diçka në tv! U ula duke pritur shkumën në fytyrë! Berberi m’u afrua me sytë gjithmonë nga tv… dhe megjithse një krimb nga flokët e mi i ra në dorë ai me tha: Tani është çasti kur Mehmeti ja fut Fatimes!
Pas pak kisha dalë në rrugë dhe uria më çoi drejt një dyqani mishi, ku shitësi një tullac me baseta të gjata seç po bënte me një kokë të prerë qeni! Fillova të dyshoj nëse isha në ëndërr a jo!?
Kokëulur i menduar, desh u përplasa me një të njohurin tim ish të burgosur, i cili mesa kuptova po shetiste shend e verë me gardianin e burgut që dikur i kish thyer nofullën e poshtëme me shqelma!!!
Një britmë e tmerrshme më trembi… Një zyshe shumë e bukur kish futur mes shalëve elegante një prind nxënësi ngels dhe po e qëllonte gjithë zell!!!
“O zot, – thashe me vete – ku jam?!?” dhe u drejtova tek pijetorja e parë që më zuri rrugën! U futa brenda dhe mbasi u ula porosita një raki! Kamarieri e merr rakinë nga banaku drejtohet nga unë… dhe e pi me eks! Pa e ditur pse porosis përsëri… përsëri kamarieri e pi me eks edhe të dytën!!!
Po mundohesha të futesha në varr përsëri kur fqinja ime, një artiste e dobët teatri me ftoi të dalim një shetitje në qytet! “Jo, jo, – i thashë – isha andej dhe u çmenda aq shumë saqë desh u ngjalla! Më mirë të vij aty tek ty ose eja ti tek unë sonte të pimë ndonjë gjë se nuk shtyhet vetmia… Veç mos me bëj ofertë të dalim nga këtu!!! Jemi aq rehat këtu poshtë! Dëgjomë mua! Lart ishte më poshtë se ne!!!
25 janar 2014

Drite Deshire...
Drite Deshire…

***
Ishte ngurosur para një pikture në ekspozitën që ish hapur për nder të një ish lavireje-heroinë e punës socialisate! Nga flokët e gjatë, të thinjur, mbuluar me një berretë të zezë, që kontrastonte fort me shallin ngjyrashumë nuk dallohej fare ish përgjegjsi i vatrës së kulturës se ish kooperativës që befas ishte transformuar në kritik arti modern!!! Nga korniza prezervativi i grisur tallej me ”kritikun”!
Desha ta ngacmoj ”kritikun” por dikush u tregua më i shpejtë! Njëish shitëse djathi, transformuar vitet e fundit në koordinatore kulture në Bashki, ju afrua buzagaz si dikur kur i bënte ndere fshehtas nën banak e i thotë atij: Ka mendim, ka frymë kjo pikturë! …Hodha sytë rreth e rrotull! Plot njerëz të njohur, politikanë, artistë, pushtetarë, përfaqësues të trupit diplomatik, mashtrues ojq-ësh, të rinj, nxënës shkollash kishin mbushur salleë ku admirohej, diskutohej, adhurohej prezervativi i grisur, vepër e një emigranti anonim, i cili me rastin e 5 vjetorit të vdekjes së ish lavires-heroinë e punës socialiste kish fituar konkursin e zhvilluar me këtë rast të rëndësishëm!
Kur po dilja nga ekspozita e rrallë që përfaqësohej veç me një pikturë moderne po thoja me vete: Ky ishte prezervativi më i rëndësishëm dhe më i shtrenjtë në botë! Pas mbylljes së ekspozitës kjo pikturë e bukur çfarë salloni, dhome apo zyrë do të zbukuronte! Apo mbase do vidhej pas një ankandi veprash te rralla??
26 janar 2014

***
Ditlindjet, festimet e tyre i kam patur gjithmone qef!
Edhe dhuratat, natyrisht! Përgjithsisht më janë dhuruar libra! Puthje ndonjëherë! Ca herë edhe para, sidomos kur isha i vogël! Më vonë ca shishe vere dhe konjaku! Shpesh herë veshje! Ama dhurata më e çuditshme ka qenë kur shokët e mi në tridhjetvjetorin tim më kanë dhuruar një varse rrobash punuar në dru, që varej pas derës së dhomës time! Nuk mund të le pa përmendur një montazh fotosh të mia që një mikja ime m’i dërgoi për ditlindje vjet apo këngën që këndoi për nder të ish presidentit John Kennedy të cilën një njeri i mirë ma postoi para tre vjetësh! Po ashtu mbresëlënëse ishte dhurata e një shoqes time kur në kapakun e librit Don Zhuan kishte shkruar urimin për Don Edmondin!!!
Dita e lindjes ka emocion ndryshe nga emocionet e tjera të gëzueshme!
Unë nuk i dua festat, por i nderoj ditlindjet!
I respektoj dhuratat dhe nuk i honeps harresat!
Me kalimin e viteve rastet ku mund të prishësh monotoninë e jetës rrallohen e kështu ditlindja shenjtërohet! Po vjen maji ngadalë e nuk di cila dhuratë do më bëjë përshtypje më shumë! Mbase harresa e dikujt për 3 maj do jetë dhurata e duhur për mua…!!
27 janar 2014

Runja në dimër...
Runja në dimër…

***
Nëse do ishte gjallë profesori im i dashur i letërsisë Qani Pertafi kësaj fotoje-hartim do i vinte 10 dhe në vesh do më thoshte: “Mor djalë kjo që ke bërë është kundër skemave të realizmit socialist! Në vendin tonë gjethet nuk bien asnjëherë… lulëzon gjithçka gjithmonë!!!
28 janar 2014

Gjethurina...
Gjethurina…

***
Sikur të kisha qenë i çmendur dikur e të isha bërë prift kur të më vinin për t’u rrëfyer njerëzit, kurorshkelëset do i admiroja, kurorëshkelësit do i kurajoja, laviret do i meshiroja, hajdutët do i pështyja, vrasesit do i dënoncoja, politiqenët do i kapja me shpulla, ”trimat” e fb-së do i neverisja, gratë besnike do i puthja, gazetarët do i përzija, pijanecët do i qerasja, b-analistët do i vrisja! Edmond H.
29 janar 2014

Mondi - kërkues thesaresh
Mondi – sekretet e thesarit

***
-Mama, ku i ke fshehur thesaret…?
-Të keqen mamaja, po thesari im je ti!!!!!
2 shkurt 2014

***
Mendo diçka të gëzueshme! – i thashë asaj – Ja, përfytyro sikur me një violinë në dorë je ulur mbi varrin e tët shoq, ndërsa mbi flokë ndjen përkëdheljen e dorës së tij!
Ti je çmendur, – më bërtiti ajo dhe bëri të shkëputet prej meje…! Kisha gati një orë që po përpiqesha t’i thoja se ai, burri i saj fatkeq iku nga kjo botë jallane pa e tradhëtuar asnjëherë, por kokëmushka e bukur, koketa indiferente, as që dëgjonte fare! I qe mbushur mendja top se fatziu meqë e kish tradhëtuar me motrën e saj të vogël, kish vendosur t’i jepte fund jetës i varur tek tabela e basketbollit, aty te këndi i lojrave… sepse e kish vrarë ndergjegja!
Ajo ishte goxha femër, liberale, e kultivuar muzikalisht dhe ëndrra më e madhe e saj në jetë ishte të shkruante një marsh funebër për jetën e saj bashkëshortore! “Debile, – mendoja me vete – Me atë burrë që ishte fati yt ti duhet t’i kishe shkruar melodi rock e jo muzikë funeralesh! Grua akull… që papritur po ndizej nga urrejtja!
Kur u ndava prej saj m’u kujtua se kurrë s’e kisha parë si femër e kjo ndoshta atë e fyente në sedrën e saj egocentrike…!
Ra celulari dhe zëri i saj i ngjirur si gjithmonë me jepte sihariqin se vërtet pasdite kur të fillonte errësira do shkonte tek varri i tij dhe ulur lakuriq mbi të do luante një kapricio të Paganinit! S’dija ç’ti thoja… ama me sytë e mendjes shikoja të ndjerin të ngrihej nga varri e të kërcente i lumtur që kapriciozja e jetës së tij po e kënaqte me kapricion e fundit!
31 janar 2014

***
Një sihariq tjetër qeveritar më gëzoi qamet…
Për tre vitet e ardhshme nuk do ketë rritje pagash!
Çdo popull gjithmonë meriton qeverinë që ka!
31 janar 2014

***
Facebook është si një ambasadë perendimore ku rebelet e lindjes gjejnë strehim!!!
Facebook është si një mencë popullore me çmime të ulta ku shuajnë urinë dhe etjen shumë fakirë…!!!
Facebook është si një bordello ku mjaft adoleshentë apo manjakë provojnë eksperiencën e parë sexuale…!!!
Facebook është si një banak pub-i ku dashnorët e alkoolit qerasen nga pronari…!!!
Facebook është si një femër e bukur që lakmohet nga të gjithë…!!!
Facebook është si një shkollë ku mjerisht nuk shkëlqejnë me shumicë mësuesit e nxënësit!!!
Facebook është një det jugor, i pastër, joshës ku duan të freskohen të gjithë!!!
Facebook është një këngë shumë e bukur, interpretuar në mënyra të ndryshme nga shumë amatorë dhe ndonjëherë nga profesionistë…!!!
31 janar 2014

Peshkopi...dimër 2014
Peshkopi…dimër 2014

***
Kjo ka ndodhur pikërisht me 3 shkurt!
Me 3 shkurt 1985!
Erdhi nga mbrëmja e klasës drejt meje, tek bordurat me dritare të rrumbullta përballë gjimnazit! Ishte ftohte. Gjithçka qe ngrirë! Bashkë me shokët po shihnim një revistë pornografike, ndërkohë që prisnim secili të vetën të dilte nga mbrëmja që sot i thonë party!! Erdhi, zgjati kokën mbi revistë, qeshi dhe pasi më futi krahun duke më tërhequr më puthi në faqe! Hëna ndriçonte mbi akull dhe fryma e saj e nxehtë dukej se shkrinte gjithçka të ngrirë rrotull nesh, brenda nesh!
Kishim një ditë që nuk ishim parë dhe në telefon më pati thënë se dimri ishte dhe mes nesh! Tek hyrja e pallatit nuk më la të ikja! “Eja lart, – më tha – se do të të tregoj diçka! Jam vetëm, se ata kanë ikur tek xhaxhai! Në guzhinën ku kisha qenë qindra herë ishte gjithmonë ngrohtë, rehat dhe qetësi! Ulur në divan, nga dera e hapur pashë befas hijen e saj në profil duke u valëvitur në heqje të fustanit! Pastaj e zonja e hijes erdhi pranë meje duke qeshur dhe pothuaj e veshur me hodhi duart në qafë e më pyeti: “Akoma e do motrën time?” Ndjeva si përherë aromën e saj të mirë! E afrova drejt vetes, i putha flokët, ndërsa zemra e saj po ritmonte si e çmendur më tha me buzët te veshi im: “Sonte u putha me Z…!”
Duke ecur pas pak në bulevardin e ngrirë e fare bosh shikoja pasqyrimin e hënës në akull dhe nuk kuptoja pse ajo më kish ftuar sonte! Mos vallë vërtet për të shkrirë akujt!?! Mos vallë për të më thënë që tashmë ishte rritur dhe ish puthur me mësuesin? Mos vallë historia ime dhe e motrës së saj, e shtynte të thurte fantazi intriguese në trurin e saj?! Apo mos vallë hëna, akulli, acari, dëbora sajonin brenda meje një dëshirë për ta patur timen O-në?
…Kanë kaluar kaq shumë vjet! O-ja është larg! Në një nga ditaret e mia kjo datë ngelet gjithmonë një mister i akullt për t’u shkrirë e për t’u zgjidhur!!!
3 shkurt 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.