back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kujunxhi – nga Fatmir Terziu

Gazeta

 

Fatmir Terziu
Fatmir Terziu

Kujunxhi

nga Fatmir Terziu

Në fillim ishte një lutje. Më pas dëshira e fundit. Ashtu ndodhi me cikërimën e fundit të flashkët që u shkrep për të fiksuar trupin në ikje. Dhe tashmë vetëm sytë trazojnë memorjet…
Ka shkuar në kohë dhe nuk ekziston më?! Por tani është aty, të gjithë janë aty. Cullnisht lëvizin gishtin e dorës së djathtë. Lëvizin atë gisht, që pason radhën nga e djathta e gishtit kryesor dhe në një formë përcjellëse kapërcejnë shikimin e tyre befasues faqe mbi faqe. Me gisht tregues! Nuk është vetëm një dëshirë e brendshme. Ajo që përcillet mes gishtit, sigurisht një ndjenjë e fiksuar, sillet si një kujunxhi me gjasa të riparojë ngjyrimet, dëmtimet, zhgarravitjet, zverdhjet bardhë e zi. Sillet si një formë e re me të cilën koha përcjell kohën, që do të thotë kujit antiformën e gjetjes së ngjyrave për qasje pamore. Dhe sytë, si sy, e ndjejnë. Po vërtet ka shkuar në kohë dhe nuk ekziston më? Ka shkuar tym? 
Tym! Duke notuar drejt një qielli të pafund, hollohet, cipalet, ment-afshet, tendoset, zvetënohet, largohet, por asnjëherë në të vërtetë nuk po zhduket. Përcjell tymnisht mbetjet e një zjarri dikur të madh, të një zjarri që ndonjëherë ka qenë fluturues. Vrasës dhe vrastar në ajri. Digjet në brendësi, zbërthehet në pafundësi, transmetohet në ndjesi e në sy. 
Ndërsa hëna largon diellin, atje në errësirën e errët një lule çel në heshtje. Ndërsa rrënjët e saj të aftësuara, gërmojnë thellë në tokën e saj përreth, forca e trungut tregon fuqinë e tij. Urtësia e gjetheve zbulon bukurinë e pamjes, derisa e gjithë ekzistenca të (ri)hidhet përsëri në erë. Kur dimri zvarritet përpara, kërcellet, përthyhet, zhvishet, sikurse sytë riçelen, frymëzohen dhe frymohen, derisa pamja t’i rikthejë, edhe një cikël tjetër çel përpara. Rilind kujunxhi të riparojë, rilind, rigjenerojë… 
Koha kalon. Gishti përcjellës lëviz, nuk mund të kuptohet se çfarë është e gabuar në një kohë të tillë, në një kohë bardhë e zi, në një kohë më të gjatë. Aftësitë degradohen nga minutat, duke u zbehur në pluhur përgjatë rrugës së gjatë të këtij deformimi thellë brenda enigmave, panjohjeve, harresave, ikjeve dhe… trazimeve. E sërish kujunxhi i këpucëve për këmbët e memorjeve.
E gjithë kjo kohë tani, duket e dështuar, përsëri, përsëri, dhe përsëri, endet kujunxhi nëpër një botë pa përgjigje. Duket sikur nuk i përket askund. Nuk mund të krahasohet, nuk ka fuqi për më gjatë,
E megjithatë, brenda këtij dëshpërimi, në këtë kohë që tretet nën maskë, ekziston një dëshirë e zbehtë, për të ecur përpara, për të mos u dorëzuar kurrë. Një kohë për t’u mbajtur e gjallë, edhe me këtë zjarr. Edhe pse flaka dobësohet, dhe më në fund kthehet në hi, sa do të jenë në gjendje sytë të ribëjnë pamjen e re, para se të digjet e gjitha para syve të tij? 
Dhe kështu heq dhe vendos maskën, vendos dhe flak në flakë markën e saj maskuese. Të paktën, nuk do të duhet kujunxhi… ku mjafton Albumi bardhë e zi. Në një ëndërr …
Por ende të gjithë janë aty. Maturisht lëvizin gishtat e lodhur, tashmë me ndërresa e me dridhje të pakontrollueshme. Sytë koklavisin retinat e tyre në qelqe. Truptha të ngatëruar. Format i gatshëm për t’u ngushëlluar. Një mbretëri e imagjinuar brenda një dhome të zakonshme, parashikohet të shkëputet nga e gjithë bota e jashtme. Për sa kohë që dyert dhe dritaret janë të mbyllura, në këtë drejtim, asnjë fjalë nuk duhet të thuhet, asnjë emocion nuk duhet të ndihet kurrë për hir të asaj ëndrre.
Jo! Jo më. Gjëra të tilla të papastra duhet të qëndrojnë jashtë, për të mbrojtur zemrën, për të mbrojtur mendjen… me maskë?! Kështu që dikush mund të qetësohet, në këtë boshllëk, në këtë zbrazëti, ku edhe lulja më e gjallë do të digjet aq shumë edhe në Album. E gjithkush do të harrojë dhe harrohet se ishte, është dhe do të mbetet kujunxhi i këpucëve të ëndërrave dhe memorjeve, edhe kur ndodh të shfaqen sulltanë modernë në vatrën tënde shekullore.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.