back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Krejt jeta si nji film… (Pjesa e I) Lazër Radi (1916-1998) 100 Vjetori i Lindjes

Gazeta

Lazër Radi (1916-1998)
Lazër Radi (1916-1998)

Krejt jeta si nji film… (Pjesa e I)

Lazër Radi (1916-1998)

100 Vjetori i Lindjes

(29 Janar 1916 – 29 Janar 2016)

Prizreni Vjetër
Prizreni Vjetër

29 janar 1916
Ishte nji e hanë e akullt e fundjanarit të vitit 1916.
Era e ftohtë e bjeshkëve të veriut fshikullonte me ulërimë rrugët e klithte si bishë e plagosun mbas pishave. Lumbardha e rrëmbyeme, e zatetun në brigjet e veta, llokoçitej me zhurmë e turfullonte nervoze e pasqyronte retë e përhime që vraponin në at qiell lufte…
…Prej nantë muejsh, nji grue jo fort e imët e quajtun Gonxhe, (s’di pse e thërrisnin Ganxhe), ecte rrugëve të qytetit zhytun në terrin e luftës. Çonte jo vetëm peshën e vet, por edhe të nji krijese që rritesh përditë në trupin e saj.
Pa dëshirën e vet, krijesa që merrte formë në barkun e saj, kishte zgjedhë pikërisht at kohë të tmerrtë lufte, e at dimën të përbindshëm, për të ardhë në jetë. Thuhej se ajo krijesë e zhytun në terrin e langjeve të asaj gruaje të lodhun, i ndjente qysh në bark krismat e armëve, trokun e ushtrive pushtuese, tmerret dhe barbaritë e luftës.
Ajo krijesë e pafajshme e zanë mes atyne dhimbjeve e vuajtjeve të mëdha, po vinte si shpresë, si besim, si andërr e madhe…
(Marrë nga Libri i Parë i Kujtimeve – Prizreni)

29 janar 1916
Lindja e Lazrit
Lazër Radi u lind në Prizren me 29 janar 1916
Ai qe i fundmi i pesë fëmijëve në familjen e Prend Çup Radit dhe Gonxhe Vilës, mbas Bartolomeo (Balto) Radi, Anton Radi, Gjyljana Radi dhe Jozef Radi (i cili vdiq pa mbushë tre vitet).

Lazër Radi - Prizren 1919
Lazër Radi – Prizren 1919

24 dhjetor 1924
Dimën…
Dimën nordik i Alpeve verilindore të tokës shqiptare. Qyteti i jem, me mantelin e bardhë të borës ndër krahë, sfidonte bardhësinë verbuese dhe dritën e zbehtë të hanës pa i shpallun luftë, tuj e pranue njëni-tjetrin në heshtje. Aty, në at qytet gjithshka zhvillohej në heshtje: edhe krimi… edhe dashunia!
Qyteti kishte nji pamje të çuditshme: luftohej me hapë nji shteg kalimi asaj rruge të verbën por, lëvizja e dyshimtë e bajonetave mbi çatinë e borës tregonte se pusia qe kurdisun me derdhë gjak të pafajshëm… Ky ishte absurdi i asaj nate të shenjtë…
Si mund të mendohej për krim e për gjak asaj nate të qetë, kur gjithë atmosferën e kishte mbështjellë melodia ëngjullore që valë-valë dilte nga kisha majë kodrës e shpërndahej gjithkah qytetit…
Sa qartë, e fuqishëm shpërthenin fjalët e melodisë: “Lavdi Zotit ndër qiej – paqe njerëzve mbi tokë”. Ishte nata e qiejve… nata e paqes për të gjithë.
Ishte 24 dhjetori i 1924-ës!
Në zemër të Kosovës, Drenica qe kthye në nji skëterrë, kasaphanë e vërtetë   pushtuesish. Kryengritja s’ndalej. Hija e Azemit shfaqej kudo sa te “Hani i Mushkave”, te “Kroi i Hirushës”, te “Shtegu i Drenit”, po atje ku kallte ma shumë tmerr ishte te zemra e shkjeve. Sa e vrazhdë qe njajo hije: kudo kah shkonte, edhe pse pa zhurmë e pa za, njashtu në heshtje kallte tmerr! As ushtritë e armatosuna s’po mund t’i afroheshin asaj rrezeje ku sundonte fantazma, ku mbretnonte hija e vrazhdë e Azemit Bejtes…
Ajo zonë, për kënaqësinë e të gjithëve na, quhej “Shqipnia e Vogël…”
Mesnata ishte në grahmat e fundit.
Nën qiellin e zymtë, nji qetësi hyjnore nën atë bardhësi të paskaj natyre, ndigjoheshin virtytshëm tingujt e kambanave që ftonin njerëzit të merrshin pjesë në ardhjen e “Mesias” mbi tokë. Kambanat vazhdonin si ndjellëse kerubinësh që fluturonin mbi atë qiell të qeltë të qytetit të skajshëm. Njerëzit i ngutnin hapat e kjo dallohej hijshëm në rrugët e Varoshit nën Kala, ku fenerët në lëvizje dukeshin si xixillonja të çuditshme që vërtiteshin si të çmenduna në acarin e atij dimni alpin.
Çdo çast bahej edhe ma emocionues… Sikur i prekshim me dorë tingujt e kambanave, sikur e ambla e asaj nate madhërishëm futej në veshët dhe në zemrat tona. Nji kangë baritone e bardhë si ajo bora verbuese dilte nga gjokset e fëmijëve të korit të kishës. Ishte zani i shelbimit që kishte pushtue jo veç qiejt e tejdukshëm të asaj nate fatlume, por gjithë shpirtnat e njerëzve qenë shkri me të.
Posa e kaluem Qafën e Pazarit, u gjendëm përballë fasatës madhështore të kishës së qytetit.
Ishte e para herë që prindërit më merrnin në meshën e mesnatës. Nji fantazmagori dritash e ngjyrash gjithllojesh m’i lëbyri sytë. Oh, sa iu gëzova asaj pamje magjepse. Më dukej sikur gjindesha diku jashtë bote, sikur po shetisja nji vis përrallash. Kambanat s’pushonin e ndër krahët e atyne tingujve lëshoheshin jonet e korit të fëmijëve që dilnin prej kishe si avull i ngroftë e futej drejt e në shpirtin tem. Aty midis të saj, qe ngritë nji Betlehem i mrekullueshëm. Dy javë përpara, motër Angjelina dhe gjithë murgeshat e tjera kishin punue tuj derdhë krejt dashninë dhe artin e tyne. Ai Betlehem, për sytë e mi të pamësuem prej fëmije ishte me t’vërtetë nji magji, nji poezi që do të derdhesh e gjitha mbrenda meje. Mbresat e asaj nate kambanash, kandilash e kangësh më krijuen në shpirt nji romantikë të tillë që më ka ndjekun në tanë vitet e jetës sime…
(fragment nga “Legjenda e tri Krishtlindjeve nën dhunë nga Lazër Radi)

Familja Radi - Pizren 1921 - Lazër Radi, Prend Çup Radi, Gonxhe (Vila) Radi. Mark Radi e shoqja dhe File Radi
Familja Radi – Pizren 1921 –
Lazër Radi, Prend Çup Radi, Gonxhe (Vila) Radi. Mark Radi e shoqja dhe File Radi

Abetarja

Do më kujtohet
deri në ma të fundmen ditë
Oborri i shkollës
fshehë n’mangë të kishës
E mes tij nji pishë
Bij’e mirë blerimi…

…Ai dimër
ah, më kujtohet mirë ai dimër
me rrugët mbulue me borë
Me Juvenilien në dorë
mshehun ndër zhele
Me barkun bosh
zgrip e më zgrip
deri sa mbrrija në shkollë
ku na priste mësues Lumezi*
dhe Abetarja shqip!

Lazri dhe Vëllai i tij Antoni - Prizren 1924
Lazri dhe Vëllai i tij Antoni – Prizren 1924

Tetor 1929
Mbas arratisjes së dy vllazënve nga shërbimi ushtarak i Mbretnisë Jugosllave, e si rezultat i represionit të vazhdueshëm serb mbi familjen, në fund të tetorit 1929, Familja Radi, detyrohet me marrë rrugën e mërgimit. Nji babë në moshë të thyeme, me nanën dhe motrën, dhe ai pothuej 14 vjeçar futen në Shqipni, tuj braktisun gjithçka të dashtun, qytetin e lindjes, shokët, kujtimet e në veç tjerash edhe bibliotekën e tij aq të pasun…

Familja Radi - Prizren1922 - Anton-Bartolomeo-Gjuliana-Lazer-File
Familja Radi – Prizren 1922
Anton-Bartolomeo-Gjuliana-Lazer-File

Tetor 1929
Dy hapa mbasi kalova në tokën shqiptare, kufitari lëshoi krahun e postobllokut i cili, tuj ra mbi bigën mbështetse, nxorri nji zhurmë të tillë që m’u duk sikur ishte krisma e nji çarku metalik kur zhgrehet për me kap viktimën.
Në atë trembje të parë sikur u shkunda mendimesh e kujtimesh që ma kishin pushtue deri në atë çast trupin edhe shpirtin.
Një trishtim i hollë, porsi nji tis i tejdukshëm mëndafshi, e kishte mbulue krejt qenien time.
Braktisa qytetin e dashun, i lash shokët e fëmijnisë, humba kujtimet ma të bukura të jetës: më dukej sikur çdo gja e mirë më hiku prej duersh…
Kur erdha në vete kambët po më lëviznin në at zallishte sikur ishin të ngarkueme me hekura të randë. Mezi lëviznin. Sytë ngulitun diku në pakufi, i tronditun, po pyetsha vedin: Pse duhet braktisë vendlindja?!
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Prend Radi dhe Lazër Radi - Prizren 1923
Prend Cup Radi dhe Lazër Radi – Prizren 1923

Mërgimtarë

Te ky det ofshamash
mbytemi përditë.

Në muzgun e gjanave të përhumbuna
kunora të mistershme ankthi,
ku çelin andrrat tona
petale lulesh të vyshkuna,
lëndina të djeguna
nga etja e mallit.
Mozaiku i lotëve
përditë e ma të madhe e ban
fytyrën e dashnisë…
Andrra… veç andrra,
që dheu i huej
s’i treti kurrë…
1981 

Refugjatët -  Abdurrahim Buza
Refugjatët – Abdurrahim Buza

Nuk ka pikturë që e pasqyron ma thellë e ma vuejtshëm fatin e nji familje që detyrohet me marrë rrugën e mërgimit se sa tablloja e piktorit kosovar Abdurrahim Buza. Nuk ka tabllo realiste të cilën ta kem vuejtë ma shumë fatin tim dhe të familjes sime sa kjo pikturë, ku së bashku me motrën dhe dy prindët e mi të moshuem, at mestetor të vitit 1929, u detyruem me përdhunë me marrë rrugën e mundimshme të braktisjes së Prizrenit tonë të dashtun…

Lazer Radi - Klasa e e Trete Prizren 1928
Lazer Radi – Klasa e e Trete Prizren 1928

10 gusht 1930
Në Durrës, i vdes i jati Prend Çup Radi.
Pa u mbushë ende nji javë nga ardhja e tij në Tiranë, me 10 gusht 1930 me nji telegram urgjent, Baca Preng (vëlla nga Baba) i njoftonte nga Durrësi, se krejt papritmas, pa asnji lëngim, dhe pa asnji ankesë: Baba kishte vdekë…
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Tirana e vitit 1929
Tirana e vitit 1929

1930-1931
Për nji vit, vazhdon me vështësi të paimagjinueshme vitin e Dytë në Gjimnazin e Tiranës.

Shtator 1931
Në ditët e para të shtatorit, me që nuk po shifsha asnji rrugëzgjidhje tjetër, vendosa t’i drejtohem drejtpërsëdrejti Ministrisë së Arsimit. Mbasi e mendova mirë e mirë, për tanë natën, ma në fund e gjeta nji zgjidhje si edhe mënyrën se si do t’i paraqitesha Ministrit, i përqëndruem sidomos t’i baja nji përshtypje të menjihershme dhe të tërhiqsha vëmendjen e tij. Qysh në mjes herët, mbasi e e kisha pak larg Ministrinë, bana dëngun me dyshek, jorgan dhe jastëk, i lidha mirë dhe i vuna në krahë dhe e vuna para derës së Ministrit… Biseda me të më siguroi vazhdimin e shkollës në Gjimnazin e Shkodrës dhe jetesën në Konviktin “Malet Tona”
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Shtator 1931
Në Shkodërlocen e andrrave…
Ishte nji buzëmbramje e zakonshme vjeshte kur mbërrita së pari në Shkodër.
Udhëtimi, si zakonisht udhëtimet e asaj kohe, ishte i gjatë, i zhurmshëm; rruga plot pluhun dhe sigurisht aspak e rehatshme. Makina e udhëtimit, nji autobus i vogël me mbulesë dërrase, qe punue aty në Shkodër, në punishten e zdrukthëtarisë, pronë e Tafilicajve.
Ata që kishin pasun rastin të udhëtojshin jashtë shtetit, kishin pa autobusë, filobusë e tramvaje mjaft të rehatshëm; me kolltuqe, mbyllje hermetike dhe mjaft të shpejtë. Me kësi mjete mund të udhëtoje gjithë ditën dhe kur të mbërrije në destinacion ishe i pastër dhe i hekurosun, si i posadalë at çast prej shpie.
Në autobusin tonë (autobus i thançin), kur mbrrije në vend, të dukej vetja si i dalun prej mullni: vetullat dhe qerpikët e ngarkuem gjithë pluhun, rrobat tashma kishin tjetër ngjyrë dhe lodhja nga troshitja e rrugës ishte e pallogaritshme.
Mbërritja, ishte vërtet fundi i nji kalvari…
Por si çdo e keqe, që ka me vedi edhe të mirën e saj, edhe minibusi jonë, vërtet nuk ishte i rehatshëm, por ama ishte ndër përpjekjet e para të iniciativës shqiptare për të krijue industri, e cila niste prej atyne punishteve modeste, me disa dyzina punëtorësh dhe pak specialistë, shumica autodidaktë.
N’at kohë, që ishte edhe fillimi i jetës sonë të mirëfilltë shtetnore e politike, nuk ishte e fort e lehtë me e krijue industrinë. Gjithçka prodhohej në mënyrë artizanale. Vërtet ishin grupet e rrobaqepësve, këpucëtarëve, kovaçëve, teneqexhinjve, argjendarëve, tregtarëve, armëpunuesve, leshpunuesve që përbanin bërthamën e ikjes nga marrëdhëniet feudale, por ishte shumë pak me atë çka kish ba e po bante bota.
Ja pse ishte për t’u përshëndetun iniciativa e Tafilicajve të Shkodrës, që me punën e tyne nga nji punishte e thjeshtë, kishin kalue në nji fabrikë modeste, me mbi dy dyzina punëtorësh. Këto prodhime dalloheshin si mjaft të forta dhe rezistente.
Duhet pasë parasysh se asokohe në Shqipni, nuk kishte asnji rrugë të asfaltueme. Rrugët ishin gjithë gropa dhe autobusët e importit s’mund ta përballojshin at gjendje as për nji vit. Në fakt, kjo nismë e guximshme, mund të konsiderohet si ndër fitoret e para të atyne fillimviteve tridhjetë.
Tafilicajt erdhën tuj e përmirësue vazhdimisht punën e tyne. Ma mbas ata nisën me përdorë llamarinën dhe tapiceritë. Autobusët, sa vijshin e baheshin të nji cilësie gjithnji e ma të mirë, sa të mos u skuqej faqja nga turpi para cilësdo fabrikë të huej, sado stazh të kishte e sado kapitale të fuqishme të zotnonte…
Meqë, askush s’e dinte se do shkojsha në Shkodër, s’më priti kërkush!
Zbrita prej autobusit dhe me valixhe në dorë qëndrova për nji çast paksa i hutuem në trotuar.
Ishte buzëmbramje. Pikërisht at çast, në parmakun e minares së xhamisë së Fushë-Qelës, u shfaq myezini që nisi me falë jasinë. Po at çast, si të ishin sinkronizue, edhe në kampanjelin përkarshi, nga kambanari i Kishës së Fretënve, u përhap n’ajri “Ave Maria” e mbramjes.
Po shifsha kah qielli dhe përpiqesha me dallue nëpër atë muzg shkodran, atë përqafim vllaznor, të paktën në dukje, të lindjes me perëndimin. Në atë ngërthim tingujsh e zanash, n’at vlim që avullonte mbi eterin e pastër të qytetit mijavjeçar. Më dukej vedi sikur ndodhesha diku në nji qytet mesjetar, ku ritmet dhe tonet e jetës nisnin pikërisht prej besimeve.
Në shikim të parë, Shkodra m’la përshtypjen e nji qyteti që ngrihesh disa shkallë ma nalt se shumë prej qyteteve të tjera të Shqipnisë së asaj kohe. Po, nëse e krahasojmë at me cilindo qytet në za të Evropës, Shkodra s’mund ta mbulonte kurrsesi mbrapambetjen e saj… e megjithatë ai qytet ku kisha zbritun për së pari at buzëmbramje, ishte qyteti që i jepte tonin jetës shqiptare.
N’at qytet do të vendosesha dhe prej aty, për gati pothuaj nji dekadë, do të ndiqsha krejt zhvillimin herë të vrullshëm e herë të ngathët të Shqipnisë.

Shkodra e Vjetër
Shkodra e Vjetër

***
Njeriut i ndodh shpesh të lexojë për nji kohë të kalueme, të cilën e ka përjetue thellësisht edhe ai vetë. Dikush e analizon at kohë dhe ngjarjet e saj nën nji prizëm ideologjik a politik, ose thjesht nën vështrimin e vet subjektiv, dikush tjetër e paraqet po at kohë, mbështetun në kronikat e lexueme a gazetave apo revistave të kohës. Shtypi, në fakt, në mjaft raste, me gjithë shtrembnimet e pashmangshme, jep nji ndihmë të jashtëzakonshme. Ai mbetet pasqyrë e kohës. Megjithatë pa emocionet e atyne njerëzve që e përjetojnë thellësisht kohën e tyne e që fati i hedh të ndodhen në vorbullat e lëvizjeve të kohës, tuj mos i lanë thjesht spektatorë, por tuj i shtye me kenë edhe pedina vepruse; e gjithë kjo e vërtetë e shtypit dukej si diçka e thatë, pa lang e pa vlerë.
Prej gjithë kësaj çka do të tregoj në këto shënime, sigurisht do të ketë gjana që ndokujt mund t’i pëlqejnë e ndokujt tjetër jo! Kjo për mue ka pak rëndësi. Kësaj pune të nisun qysh herët, do më pëlqente t’i shkojsha deri në fund, pa pasun ndërmend të polemizoj me kët apo me at studiues, as me ndonji individ apo institucion, të cilët ndoshta e kanë për detyrë nji aktivitet të tillë. Shkaku që më ka shty t’i shkruej këto rreshta, ka kenë thjesht me i shërbye sado pak historisë së nji prej periudhave ma të bukura e ma interesante të historisë dhe kulturës sonë, ku nocioni i lirisë nuk ishte diçka abstrakte.
Gjimnazi i Shkodrës, ku do të vazhdoja mësimet dhe Konvikti “Malet tona”, ku do të strehohesha, në at kohë nuk ishin thjesht spektatorë të jetës qytetëse. Ata zhvilluen nji protagonizëm të dukshëm si politik ashtu dhe shoqnor. Ky protagonizëm, simbas meje nderon si trupin mësimor të asaj kohe, ashtu dhe brezat e nxansave të këtij institucioni.
Shpesh historia mbetet pre e fallsifikatorëve! Ky fallsifikim vjen herë si rrjedhojë e imponimit prej faktorësh subjektivë, por kryesisht ai asht pasojë e kritereve politiko-ideologjike, të cilat në historiografinë tonë kanë lanë gjurmë të pashlyeshme në sensin e së keqes… Nji tendencë e tillë e imponuem, ka hapun plagë të pashrueshme. Por koha, kjo mjeshtre e shërimit të plagëve, do ta gjejë gjithsesi mënyrën e korrigjimit të këtyne shtrembrimeve, e ngadalë do t’i plotësojë gjithë boshllëqet e lana nga koha; ajo do t’i shoshitë gjitha çeshtjet, gjitha ngjarjet, gjithë individët, nën dritën e nji analize ma të drejtë e ma objektive, tuj arritun në at përfundimin e paanshëm: për gjithçka i duhet e gjithçka nuk i duhet historisë…
(Marrë nga libri “Shqipëria në vitet ‘30”)

Vitet 1931-’38
Për shtatë vjete me rradhë ai do të vazhdojë si konviktor në Gjimnazin e Shkodrës, e ku midis të tjerëve do të kishte si profesorë edhe Ernest Koliqin, Skënder Luarasin, Eqerem Çabejn, Simon Rrotën, Paul Guzhonin, Filip Llupin, etjerë…

Lazër Radi mes nji grup gjimnazistësh në Fushën e Shtojit - Shkodër 3 qershuer 1933
Lazër Radi mes nji grup gjimnazistësh në Fushën e Shtojit – Shkodër 3 qershuer 1933

Vjeshte 1934
At vit, pa fillue shkolla, më doli bursa për në Konviktin e “Maleve tona” – në Shkodër. Atje më duhej me dhanë edhe provimin e vjeshtës. Bana nji hartim simbas nji  teme përshkrimore që ma dha Profesor Kolë Kamsi. Mbasi e mbarova hartimin ia dorëzova Profesor Kamsit. Të nesërmen më duhej me e dhanë provimin me gojë. Kur iu paraqita profesorit, ai me shumë dashamirësi më tha:
– E pava hartimin tand, çuditem si të kanë lanë për në vjeshtë. Edhe Drejtori e pau. Ishim të nji mendje që ti s’ke nevojë për provimin me gojë.
Sa s’fluturova prej gëzimi. S’mund të merret me mend se çfarë shtyse kjenë ato fjalë për jetën tëme. Prej njasaj vjeshte fillova të shkruej gjana të vogla që i botoja te “Vatra e  Rinisë” që nxirrte në Tiranë Vasil Xhaçka. “Hija e maleve” ishte libri im i nënjastëkut. Koliqi ishte për mue gjuha shqipe…
(Marrë nga Kontaktet e mia me njeriun dhe poetin Ernest Koliqi. Kombi shkurt 1992)

***
Kam fillue me shkruejt në shtyp qysh prej vitit 1934, në “Vatrën e Rinisë” të Vasil Xhaçkës
(Marrë nga Intervista e Lazër Radit dhanë gazetarit Blendi Fevziu AKS e dielë 1-2 prill 1995)

1935
Në karnavalet e vitit 1935, nji grup mjaft simpatik qe edhe ai i nxansave të Gjimnazit të Shkodrës me Dario Arditin, Xhemal Brojën, Qemal Stafën, Nikolla Shurbanin, Spiro Bellkovin e mjaft të tjerë të cilëve s’ua kujtoj emnat. Edhe ata ishin të veshun bukur, si për at festë. Me nga nji gjysë maske në fytyrë, me veglat muzikore dhe tuj këndue mbi dy karroca të bashkueme shkojshin bashkë në korteun e gjatë të festës. Unë e dijsha se ata po përgatiteshin dhe kisha shkue disa herë në shtëpinë e Xhemalit e të Darios për të ndjekun përgatitjet. Të gjitha shpenzimet i kishin mbulue vetë dhe nuk ishin të vogla për at kohë. Ditën e karnavaleve, mbasdreke dolëm në Fushë Qelë dhe po shikojshim me vëmendje parakalimin e karrocave. Prej larg i gjetme ku ishin tanët. Spiro Bellkovi, dy metra i gjatë, me nji za të fuqishëm prej tenori, këndonte në kor kangët gazmore e humoristike që këndojshim në klasë para se të hyte profesori.
(Marrë nga libri “Shqipëria në vitet ‘30”)

Lazër Radi e Hajredin Kumbaro shokë gjimnazi - Shkodër 17 dhjetor 1935
Lazër Radi e Hajredin Kumbaro shokë gjimnazi – Shkodër 17 dhjetor 1935

10 nëntor 1935
10 nëntor 1935, do të baheshin zgjedhjet për drejtuesit e shoqnisë “Besa Shqiptare”. Arritme në nji marrveshtje: Kryetar do të vihesh Vasil Popa, konviktor, maturant prej Elbasani. Djalë i qetë, shumë i mirë, jo fort i heshtun. Nënkryetar caktuem Abaz Sali Shehun, konviktor, djalë i mirë dhe trim. Nxanës i klasës sonë. Këshilltarë: Vasil Llazari, Xhemal Broja, Qemal Stafa e Lazër Radi. Sekretar Elez Braha, arkëtar Murat Paci.
Profesor Skënder Luarasi thotë:
E pashë se kishte zanë vend në nji qoshe dhe po bisedonte diçka me nji person tjetër që nuk e njifsha. Ata ishin aq të dhanë mbas muhabetit sa nuk e vune re fare ardhjen dhe afrimin tem pranë tavolinës së tyne. E përshëndeta profesorin, i cili sapo më pau më tha: “Ulu këtu!”
Sa zor më vinte të ulesha. Nuk isha i veshun mirë. Aty, njerëzit, të gjithë ishin me kostume të mira, me kollare e këpucë lustrafini. Unë stonoja në at ambient të zgjedhun, aristokratik. Sa u ula, më paraqiti ke njai shoku që ishte me të:
-Ky asht nji student i Gjimnazit të Shkodrës. Nxanës i jemi. Poet, shkrimtar i ardhshëm! Shkruen në revistat tona herë me emën e herë me pseudonime të ndryshme. Ai ma i zakonti asht “Lapredi”. Kur po lexojsha nji shkrim të tijin, në fund, kur arrijta tek emni, ishte ky. Mirëpo, atë “e”-në e fundit, nga anglishtja e lexova “a” dhe më delte emri i nxanësit tem. E thërrita, e pyeta dhe ma tregoi.
-Ti e ke shkrujtun kët artikull?
-Po… – më tha.
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Vitet 1935-38
Fillon botimet në shtypin e kohës (Shtypi, Kombi, Drita, Diana, kryesisht me emën, me inicialet, L.R., apo me pseudonimet Lara, Lapredi, Ladi…).

Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina - Pukë 1936
Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina – Pukë 1936

Verë 1936
Në verën e atij viti, në shkollën verore të Pukës, ku jepte mësim e motra Gjuliana Radi, ai njifet me poetin Migjeni.
Fati e desht, të qëndroja gjithë verën e vitit 1936, në qytezën malore të Pukës bashkë me Migjenin, pra pata mundësinë të jem pranë tij at vit, që ishte jo vetëm viti i krijimeve të tijna ma të shumta, po edhe nji vit kulmor i cilësisë së tij artistike. Ajo periudhë mund të quhet pa frikë, periudha e angazhimit të tij të plotë si poet dhe prozator i shkëlqyem.
At verë do të jetoshim bashkë si nji familje në dy dhoma të vogla të shkollës së Pukës, do të bisedojshim me orë të tana për probleme nga ma të ndryshmet, do ta vëzhgoja ndoshta edhe fshehtas kur punonte, kur jepte mësim apo kur lexonte gjatë orëve të vona të natës. Më ndodhte të ndiqja edhe orët e mësimit me vogëlushat e qytezës së Pukës, e pyetsha gjer në lodhje sa e kuptojsha edhe vetë se e kisha teprue. Isha i etun me dijt gjithçka prej tijna, si ta parandjeja se diçka e keqe vërtitej rreth jetës së tijë.
(Marrë nga libri “Nji verë me Migjenin”)

Viti 1936
Në grupin përparimtar të Gjimnazit, ku bajshin pjesë Lazër Radi, Qemal Stafa, Xhemal Broja, Vasil Llazari, etje. kishin përgatitë për botim gazetën “Shkëndija”.

Lazër Radi mes nji grupi shokësh e IV B në Fushë të Shtojit - Shkodër 19 shkurt 1935
Lazër Radi mes nji grupi shokësh e IV B në Fushë të Shtojit – Shkodër 19 shkurt 1935

***
Fondi i mbetun i Shoqnisë, tash i kalonte dymijë franga ar. Nji shumë e mjaftueshme për të lidhun kontratë me shtypshkronjën, për nxjerrjen e numrin të parë të revistës “Shkëndija”!
Ngarkuem njerëzit që do të angazhoheshin për artikujt dhe përgatitjen e revistës. Vasil Llazari, në vazhdën e Selim Shpuzës, do të sillte nji artikull studimor: “Shkollat shqipe në kohën e sundimit osman”. Qemal Stafa u paraqit me dy shkrime: “Qëllimi i ynë” – ku jepesh në vija të përgjithshme programi i Shoqnisë dhe rruga që do të ndiqshim me revistën tonë. Shkrimi tjetër ishte nji skicë migjeniane “Rreze frangjijash”. Unë u paraqita me nji studim të gjatë “Epokat Letrare”, dhe me nji skicë migjeniane “Mbas avllisë”, ku tregojsha diçka nga jeta e nji shokut tem F. A., i cili ishte fejua me nji vajzë, të cilën për me e pa, vetëm për me e pa vajzën – detyrohej të hypte mbi avllinë pesë metra të naltë, tuj rrezikue edhe jetën…! Xhemal Broja paraqiti studimin “Vlera shoqnore e dramave të shfaquna nga “Besa”. Murat Paci do të delte me shkrimin: “Prejardhja e emnit Musa Qesexhija” dhe me nji rapsodi epike interesante. Elez Braha me nji poezi; Pashko Gjeçi me nji përkthim nga Dante Aligieri, etj.
Mendojshim se revista e jonë do ta mbushte nji boshllëk, e do të ishte nji za që i mungonte rinisë shkollore shqiptare në fushën e kulturës…
…Mirëpo Shërbimi Informativ i Zyrës Sekrete, dhe “hafijet” që ne po i luftojshim me gjitha mjetet që disponojshim, ishin vu në lëvizje. E veçanërisht në Shkodër, ata ishin me shumicë dhe të kualifikuem. Mendja e kryespiunit që punonte në Shkodër, qe aq e rafinueme dhe aq e djallëzueme sa na kishte çue deri afër fundit; pra të shpenzojshim edhe “groshin e mbramë”, dhe në çastin ma kulmor, kur na të besojshim se kishim arritun fitoren – atëhere ai po shfaqej i plotfuqishëm dhe po na e hidhte në erë gjithë punën dhe mundin tonë…
E ndërsa ishim në fazën e botimit të revistës – nji inspektor i posaçëm niset prej Tirane, vetëm për ta anulue dhe bllokue përfundimisht gjithë punën e nisun…
(Marrë nga libri “Shqipëria në vitet ’30”)

Letër e Lazër Radit dërguar Qemal Stafës 1936
Letër e Lazër Radit dërguar Qemal Stafës 1936

Shtator 1936
Filluen mësimet!
Në klasën tonë, klasa e VII ishin të gjithë shokët e vjetër: mungonte vetëm Qemal Stafa. Në korrikun e 1936 ishte largue së bashku me familjen dhe ishte vendosun në Tiranë.
Mungesa e Qemalit ndjehej!
Tani po e shikonim se kishte lanë në mesin tonë nji zbrazësinë që nuk mbushej lehtë. Do të na duhej kohë e punë, por mbi të gjitha do të na duhej vullneti dhe guximi që tek Qemali ishin dy binjake të pandame.
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Nji grup shokësh të gimnazit të Shkodrës, Abaz Sali Shehu, Lazër Radi, Mikel Kaçulini dhe……Ditën e Karnevalit të vitit 1935 në Shkodër
Gjimnazi i Shkodrës, Abaz Sali Shehu, Lazër Radi, Mikel Kaçulini …
Ditën e Karnevalit të vitit 1935 në Shkodër

1936
Sa mbaroi mësimi u mblodhëm gjithë shokët për të parë si kishte shkue puna. U thashë:
-Kanë kontrollue me hollësi gjithçka, po nuk kanë gjetë asgja, sepse nuk kishim asgja komprometuese. Ata që na kanë paditë paçin faqen e zezë! Dhe sigurisht do të jetë ndonjëni që hiqet si shoku jonë!
Kaq thashë, pse e shifsha se ndërmjet atyne që ishin grumbullue kishte edhe nga ata të rrezikshmit, që kishin dorë në kët punë… Më pas, kur u larguen shumica, dhe mbetëm vetëm na kryesia u tregova me hollësi si kish ndodhun.
Tash na krijohej nji problem tjetër: Ku do ta fshishim materialin që kisha futun në sirtarin e R.M. U vendos që materialin ta fusnim në nji çantë dhe t’ia nxirrnim në  rrugë Vasil.Trimevit, mbasi ai e kishte shtëpinë fare pranë konviktit.
Po atë natë u mblodhëm dhe vendosëm që tash e tutje të veprojshim në fsheftësinë ma të madhe dhe as për gjanat ma të thjeshta të mos i dekonspiroheshim.
Vasil Llazari, që kishte lidhje të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e grupit të madh, na njoftoi se duhej ba nji organizim i ri dhe se tash e tutje do të veprohej mbrenda këtij organizimi. Do të formoheshin celula treshe. Ai na dha shpjegime se si do të funksionin këto celula. Grupi i Gjimnazit përfaqësohej nga Vasil Llazari, Qemal Stafa dhe Xhemal Broja. Grupi i konviktit nga Elez Braha dhe unë. Mbledhjet zakonisht i bajshim në Perash, në shpinë e Ramiz Xhabisë.
Në orën e caktueme – nji nga nji ose dy nga dy – me libra ndër duer sikur gjoja po shkojshim në breg të liqenit për me studiue, kontrollojshim rreth e përqark situatën dhe kur e gjejshim terezinë futeshim në shpinë e Ramizit. Aty bisedonim. Secili tregonte punën e bame, merrte direktivat e reja, lexojshim pjesë nga broshurat e reja që përkthejshim nga serbo-kroatishtja dhe masanej shpërdaheshim me marifet.
Nga Mali i Zi, na vinin vazhdimisht broshura “me përmbajtje revolucionare” për organizimin e grupeve komuniste, për çashtjet e besimeve, për jetën “e lumtun” në Bashkimin Sovjetik, për organizimin e rinisë në grupet e Komsomolit, për organizimin e kolkozeve dhe sovkozeve, etj. Këto broshura më dorëzoheshin mue për t’i përkthye meqë nga i gjithë grupi unë isha njohësi ma i mirë i serbo-kroatishtes.
Mbas do kohe, së bashku me nji grup studentash nga Podgorica, erdhën edhe disa punëtorë malazez për të lidhun kontakt me na. Nji nga ata që u ngarkue për t’i shoqërue isha unë.
Në nji bisedë që zhvilluem në kamaret e Kështjellës së Rozafës, ata kërkuen prej nesh që të hidheshim në aksione konkrete, sepse pa “aksione të tilla – thojshin ata – nuk mund të ketë organizim internacional. Kërkohej të organizoheshin mbledhje masive, shëtitje e inkursione. Duhesh fillue nga “sabotimet”, temë kjo krejt e re për mue; duheshin hedhun trakte, bile duhesh fillue edhe nga atentatet politike: duheshin vra spiunët: të rinj a pleq, çfarëdo që të ishin ata. Vetëm tuj vepruar kshtu – thoshin ata – na do t’u tregojmë shqiptarëve dhe botës se jemi gjallë dhe veprojmë energjikisht. Tuj ndigjue atë pasionin e direktivave të tyne më rrënqethej trupi. Po e mendoja veten pjesë të nji organizate kriminale e terroriste.
Meqë e flisja mirë serbo-kroatishten dhe po ua baja krejt të lehtë marraveshjen, kur dojshin me më përkëdhel për shërbimin më recitojshin vargun e parë të Kangës së Luftës së Kosovës:

“Care Llazo, srpska kruno sllatna…”
(O Car Llazar, kurorë e artë e Serbisë…)

Lazër Radi mes nji grup shokësh të gjimnazit Foto Jakova, nga mbas jan emrat dhe firmat e Elez Braha, Koço Ceka, M. Nimani, Murat Paci, Mikel Kaçulini, Koço Nini, e të tjerë që nuk lexohen. Shkodër 1936
Lazër Radi mes nji grup shokësh të gjimnazit Foto Jakova, nga mbas jane emrat dhe firmat e
Elez Braha, Koço Ceka, M. Nimani, Murat Paci, Mikel Kaçulini, Koço Nini, etjerë që s’ lexohen. Shkodër 1936

Nji ditë, po reflektojsha se sa seriozisht e kishin marrë malazezët organizimin tonë. Dukej sikur në sytë dhe mendjet e tyne po lexojsha kënaqësinë që ndjenin, mbasi ishin të bindun se na tashma ishin në rrugë të mirë për të na futun në kurthin e tyne.
Nji mendje tjetër më thoshte: se na tashma i kishim përqafue idetë internacionaliste dhe kjo ishte rruga e vetme: Eh ç’ide madhështore, do të ishim vëllazën, do të luftojshim për të njajtin ideal, për të njajtin qëllim, për të mirën e përbashkët të gjithë njerëzimit që vuente e shfrytëzohej pa mëshirë nga kapitalizmi. Masanej pyesja veten: – A ka vallë ideal me sllavët? Ata gjithçka e shfrytëzojnë në funksion të ekspansionit dhe qëllimeve të tyne.
Përpiqesha të gjeja qoftë në historinë e vjetër, qoftë edhe n’at të renë nji rast të vetëm në të cilin këta dy popuj – shqiptarët dhe sllavët – ta kenë konsiderue njëni tjetrin me të vërtetë vëllazën!!!
Në asnji rrethanë dhe në asnji kohë. Pa dashtun m’u kujtue vargu Homerik i Fishtës në “Lahutën e Malcisë”: “…Në mëni të sho-shojt na jena le…”
Dhe urrejtja ishte e arsyeshme: sllavët historikisht ishin shfaqun si uzurpatorë në viset tona, na mbajshin me dhunë nën sundimin e tyne, me gjak e hekur përpiqeshin të pushtonin edhe vise të tjera shqiptare, si t’mos u mjaftonte ajo gjysë Shqipnie nën sundimin e tyne…
Dhe vazhdoja ta pyesja veten: “Me kët internacionalizëm proletar që na propozojnë, a thue t’i kenë ndryshue pikëpamjet për na shqiptarët? A mund të ketë ndryshue ndopak shpirti i tyne pushtues? A thue të jenë ba vërtet aq “internacionalistë” sa të na konsiderojnë vërtetë vëllazën e shokë në këtë luftë të përbashkët?
Po në fytyrat e tyne nuk e lexojsha nji gja të tillë. Këto fytyra djelmoshash malazezë sikur përpiqeshin ta kamuflonin fytyrën hanëplotë të Krajl Nikollës, apo fytyrën e mprehtë e zeshkane të Krajl Aleksandrit…
O Zot me sa entuziazëm flitshin për vrasje e për shkatërrime në tokën shqiptare… po e vërteta e familjes seme, e përzanë me dhunë nga Kosova ishte ende e freskët…
Ndërkohë vazhdoja ndër meditimet e mia: “Po kush jam unë? S’kam ende pesë-gjashtë vjet që serbët më dëbuen nga vendlindja, nga Prizreni jem i dashun, për të cilin më kish marrë malli t’ia puthja edhe gurët e kalldrameve. Sa shpejt i kisha harrue gjitha të këqijat që më kishin ba, e që u bajshin gjithë shqiptarëve të atjeshëm pushtuesit serbë? I kisha harrue vallë të gjitha këto? Kush na dëboi nga toka e të parëve tanë? Mos të kanë dërgue apostafat serbët që të vish në Shkodër dhe këtu të bash propagandën e tyne të kobshme ndaj popullit shqiptar? Fol! Pse hesht si statujë?
Po kaloja nji krizë të tmerrshme shpirtnore. Nuk isha në gjendje të vendosja! Nga njëna anë ishte ideali mbrenda të cilit e gjeja veten: të shpëtoja të ‘mjeruemit dhe skllevërit anë e mbanë…’ dhe, në anën tjetër urdhnat kategorike të sllavëve me vra e me pre në Shqipni, shqiptarët, vëllaznit e mi të gjakut e të gjuhës?
Po kaloja nji krizë të dyfishtë plot ankthe e dyshime. Fundi e kësaj krize po ma brente ndërgjegjen e po më çmendte. S’dijsha nga të t’ja mbaja. Kisha mbetë: “Hyp se të vrava, zdryp se të vrava…!”
Më pëlqete romantika revolucionare e moshës; më pëlqente kur veproja në ilegalitet; më pëlqente konspiracioni, shpirti i kolektivit; më pëlqente të ishim së bashku për gjana të vogla e të mëdha; më pëlqente kur turreshim vrap me vegla ndër duer për të zanë plasaritjet në pendën e Kirit, me pastrue rrugët e qytetit mbas vërshimeve të lumejve; më pëlqente ai solidaritet vëllaznor e shumë veprime të tjera më pëlqejshin, por jo kjo të bahej në emën të dikujt… aq ma pak në emën të atyne që historia na kishte vu vazhdimisht përballë…

Para Gjimnazit te Shkodres 1935
Para Gjimnazit te Shkodres 1935

Lufta e mbrendshme shpirtnore nuk po më shkulej. Dyshimet e mia ishin ma të mëdha e ma të forta se çdo romantizëm mashtrues. Më duhej të vendosja me kurajo, dhe të mos i lija vetes asnji ndërdyshje, asnji mundësi që të pendohesha për at vendim që duhej të merrsha. Mund të kisha edhe pasoja, por nuk mund të kthehesha mbrapa. Më dhimbte në shpirt ajo që po braktisja, po ma shumë do të më dhimbte ajo që duhej të përqafoja. Nëse shokët e mi kishin të drejtë të ishin idealistë, mue nuk më lejohej në asnji mënyrë të isha idealist ndaj atyne që i njifsha mirë… që i njifsha aq mirë dhe e kisha të shkrueme në lëkurë atë internacionalizmin e tyne të ‘madh’…
Ma në fund, mbrrita në nji përfundim thjesht personal. Vendimi im ishte i pakthyeshëm, cilatdo që të ishin pasojat…
Në mbledhjen ma të parë që organizuem në shtëpinë e Ramiz Xhabisë, e mora fjalën dhe deklarova:
-Unë dhe gjithë familja jeme, jemi detyrue të largohemi me dhunë nga vendlindja, nga Kosova. Ishin shovinistët serbë dhe politika e tyne e genocidit që na dëboi tuj na kthye në muhaxhirë të përjetshëm. Si familja jeme, janë mijra familje shqiptare që çdo ditë e çdo vit dhunohen e masakrohen sistematikisht, tuj i përzanë nga vendi i tyne Kosova… Kjo që po ju them nuk ka ndodhun njiqind a dyqind vjet ma parë, por para katër pesë vitesh, që tregon simbas meje se kjo asht nji demagogji sllave e përpunueme hollë…  Na, në rrugën tonë jemi nisë me mendime të sinqerta e me ideale të pastra; unë nuk besoj se serbo-malazezët kanë ideale internacionaliste, ata kanë vetëm ideale shoviniste. Kët diversion të internacionalizimit po e përdorin për të na shkaktue edhe nji përçarje tjetër, si t’i kishim pak ato që kena.
Për kët arsyeje unë tërhiqem përfundimisht nga angazhimi im.
Ju betohem dhe ju garantoj të jeni të sigurt se pa ma marrë shpirtin, asnji fjalë nuk do të dalë prej meje, për gjithçka kemi ba bashkë. Gjithçka që di do ta mbaj për vete dhe në asnji rast nuk do të bahem pengesë për grupin që kam përfaqësue dhe aktivitetin që ju do të vazhdoni. Unë do të vazhdoj t’ju konsideroj shokët e mi, edhe pse rrugët tona prej sot ndahen përfundimisht…
Në dhomë u ba nji zhurmë e madhe. Askush nuk kishte kenë i përgatitun për nji bombë të tillë. Nuk mund të vazhdoja të diskutoja, as të sqaroja ma shumë se sa kisha thanë…
I përshëndeta të gjithë dhe dola nga mbledhja. E ndjeva se dhimbja mbrenda meje kishte në vetvedi krenari. Isha i humbun dhe fitues njiherësh… Ndërsa nxitoja hapat për të shkuae në konvikt e ndjeva ajrin e mbramjes të m’i mbushte mushknitë me freski…
(Marrë nga libri “Ato vite të paharrueme 30-të”)

Tirana vitet '30 - Kafe Kursal
Tirana vitet ’30 – Kafe Kursal

Vjeshtë 1936
Në vjeshtën e tretë të vitit 1936, isha në Tiranë dhe u ndodhesha në kafe “Kursal”, e cila n’at kohë ishte qendra e intelektualizmit shqiptar.
Aty, në ato tavolina diskutoheshin problemet ma të randsishme të politikës, kulturës, artit dhe letërsisë. Përveç “Kursal-it”, Tirana kishte edhe nji qendër tjetër, ma pak piktoreske e ma pak romantike, por ma luksoze dhe ma e kushtueshme: pastiçeria “Bella Venezia”, në Rrugën Mbretnore. Aty mbasdrekeve mund të takoje cilindo njeri të njoftun të letërsisë e të arteve.
Në “Bella Venezia” u takova me Prof. Skënder Luarasin, i cili më prezantoi me Tajar Zavalanin, me të cilin takohesha për të parën herë. Kisha lexue mjaft prej tij, e në mënyrë të veçantë përkthimin e romanit “Nana” të Gorkit.
Kurse në kafe “Kursal”, Vangjel Koça qe ulun i vetëm në nji tavolinë të skajshme dhe po kontrollonte disa letra të shkrueme në makinë. Me Vangjelin isha takue në redaksinë  e gazetës “Illyria”. Nga pamja Vangjeli ishte i shkurtë dhe i pakët. Mos me ta mbushë mendjen se në at trup të hajthëm, të fshihej gjithë ajo energji kulturore. Mbasi iu afrova tavolinës me hap të ngadaltë dhe pa u vumë re, i thashë:
-Zoti Vangjel, a mund të përfitoj nga rasti t’ju pyes për disa probleme të letërsisë shqiptare. Dhe ai me kënaqësi më ftoi dhe folëm bashkë. Ndër tjera e pyeta se si i dukej ky vit, pra 1936, simbas tij, nga pikëpamja kulturore?
-Përgjithësisht kemi varfni mendore. Kjo ankesë dëgjohet pothuaj nga goja e çdo intelektuali. Me thanë të drejtën duket ankim i drejtë dhe me vend. Po jetojmë në nji kohë kur gjetkë ka mjaft jetë, lëvizje mendore të gjallë e dinamike: ndërsa këtu tek ne jemi si të vdekun.
-E cili asht ndryshimi midis “Jetës mendore” dhe “Lëvizjes mendore”?
-Tjetër asht “Jeta mendore” dhe tjetër “Lëvizja mendore”. Jetë mendore te ne kanë fare pak vetë, aq sa mund të numërohen ndër gishtat e duarve; ndër të vjetër e të rinj, pra njerëz me shqetësime shpirtërore, që lëvizin vetëm në nji rreth të ngushtë pa lanë asnji gjurmë në jetën shqiptare. Lëvizje mendore apo ma mirë të themi “Lëvizje Librare” ka në Shqipni dhe sa vjen e po shtohet. Mirëpo, kjo lëvizje librare, me pak përjashtime po hyn në kategorinë e lëvizjes mendore, duke formuar nji “zhavorr” për të vajtuar.
-Po pse nuk kena jetë mendore?
-Sepse që të ketë jetë mendore duhet të kemi idera. Mirëpo balta jonë ende nuk është e përpunuar aq sa për të lulëzuar idetë. Edhe ata që kanë fatkeqësinë të kenë idera, e ndjejnë çdo ditë dhe në çdo hap që bajnë se ideja është nji “bela”, nji barrë e rëndë, nji pengim për jetën materiale.
-Nuk po ju kuptoj?
Ai qeshi, po vazhdoj qetësisht të ma shpjegojë
-Jeta materiale, në kohën tonë kërkon konformizëm.
-Domethanë përshtatje ndaj rrethanave.
-Po! Ndërsa jeta mendore kërkon “antikonformizëm”. Në këtë mënyrë, nga ndeshja e konformizmit me antikonformizmin lind tragjedia shpirtnore e materiale tek ata që kanë fatin e keq të kenë idera! Të keshë ide do të thotë të jeshë vetvetja jote, individualiteti i yt, njeri i gjallë shpirtnisht, dhe jo “makinë”, pra a mundet njeriu të jetë vetja e vet në këtë kohën tonë? Pra, ideja mendoj se është bela e madhe…
-Mbas nji tabloje kaq të zymtë a shihet ndokund ndonjë dritë? A shihet kund ndonji perspektivë ngushëlluese për të mos thanë shpresëdhanëse?
-Po! Do ta nis nga Revista “Leka”, nga Patër Anton Harapi, me vargun e konferencave që mbajti në Korçë me temën: “Vlera Shpirtërore”. Patër Antoni preku probleme shoqnore të dorës së parë. Prizma nën të cilën ai i vëzhgon këto probleme sigurisht është kristianizmi. Ne të tjerët mund t’i shikojmë këto probleme nga nji prizëm tjetër, e megjithatë e ndjej për detyrë të paraqes “për nder armë”. Patër Harapi i shtjellon temat me shumë dituri dhe art. Mund të rrojmë në botra ideologjike të ndryshme, që rrjedhin nga forma mentis e secilit, por, megjithatë e ndjejmë sivëlla tonin: e duam, e çmojmë dhe e nderojmë atë.
-Përveç “Vlerave Shpirtnore” të Patër Anton Harapit, pse nuk del edhe ndonji vepër tjetër pak a shumë e randësishme?
-Pranë “Vlerave Shpirtnore” të Patër Anton Harapit do të përmend “Platonin” e Emil Durantit të përkthyer nga anglishtja prej Ismet Totos. Është nga librat e paktë divulgativë në lëmin e historisë së filozofisë; është pritur kudo mirë, i përkthyer në shumë gjuhë dhe ka fituar lexues të shumtë. Përkthimi i Ismet Totos është i qartë dhe shqipja e tij simbas meje është mjaft e mirë.
-Ç’randësi kanë këto botime?
-Me botimin e veprës “Vlera Shpirtnore” të Anton Harapit dhe me shqipërimin e veprës “Heronjtë e mendimit” të Emil Durantit i bëhet nji shërbim i madh kulturës shqiptare…
Biseda qe shumv interesante. E falënderova sinqerisht Vangjel Koçën dhe e regjistrova në kujtesë at bisedë që s’mund të përsëritej. Prej asaj dite, Vangjel Koça, pati nji pushtet të jashtëzakonshëm në formimin dhe konsolidimin tem intelektual…
(Marrë nga libri “Shqipëria në vitet ’30”)

100 studente shqiptare Itali (1 korrik - 31 korik 1937)
100 studente shqiptare Itali (1 korrik – 31 korik 1937)

Verë 1937
Në verën e vitit 1937, Lazër Radi, ndodhet në Romë dhe në disa qytete të Italisë me grupin e njiqind studentave ma të mirë të dhjetë gjimnazeve shqiptare.

25 qershor1937
Me 25 qershor 1937, u grumbulluem në Tiranë, në konviktin e Shkollës Teknike. Nga gjithë shkollat e mesme të Shqipërisë. Ishim përzgjidhë nga dhjetë nxanës për çdo shkollë, pra gjithsej njiqind studentë që do të kalojshin nji muej aktiv vere në Itali.
Fillimisht na dhanë uniformat!  Këmishë në ngjyrë ullini të zbehtë. Pantallona të shkurtna edhe ato në ngjyrë ullini me shkëlqim. Çorape të gjata deri në gjunjë, ngjyrë gri dhe në kambë nji palë sandale. Në kokë kishim të gjithë nga nji plis të bardhë. Kjo ishte edhe shenja dalluese që na identifikonte me kombësinë shqiptare. Kishim edhe nji flamur të madh kombëtar që na printe në krye të batalionit, po edhe nji trombetë me mbajtë hapin ushtarak kur ishim në marshim. Të veshun ashtu me uniformë e të inkuadruem simbas gjatësisë kishim ba disa prova të ecjes rreshtore.
Kryekomandant ishte caktue Profesor Namik Resuli dhe ndihmësa të tij ishin profesorat ma të mirë të fiskulturës që kishte Shqipnia e asaj kohe: nga Gjimnazi i Shkodrës ishte profesori ynë i fiskulturës Alush Leshanaku, dhe nga Tirana ishte profesori Irfan Tërshana, kurse nga Korça ishte nji profesor tjetër të cilit tash nuk po ia sjell ndërmend emnin. Edhe ata si të gjithë ne ishin të veshun në gri, po me uniformën e oficerit.
Mbasi bamë disa prova të ecjes rreshtore dhe kryekomandanti na foli me hollësi për gjithçka do të realizonim gjatë atij mueji, na porositi të ishim të kujdeshsëm e të disiplinuem, të sjellshëm, mbasi kudo që do të shkojshim duhej ta paraqitshim me gjithë dinjitetin dhe vlerat vendin tonë: Shqipninë.
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Firenze 1937 - Studente shqiptare
Firenze 1937 – Studente shqiptare

Vera e vitit 1937.
Më kishin caktue edhe mue midis atyne njiqind studentëve shqiptarë që do të shkonin në Itali me kalue nji muej të pushimeve verore. Nga leximet e mia, nga historia, nga letërsia, nga mitologjia dija shumë gjana për “Qytetin e Amshuem”. Ja pra andrra e çmendun e dikurshme po vinte tuj u realizue.
Ja, ma në fund do të isha në “Qytetin e Amshuem”. N’ato pak ditë, apo ma mirë, në ato pak orë që më rastiste të ndodhesha në Romë përpiqesha që dy sytë e mi t’i bajsha njiqind, si sytë e Argusit, me pa sa ma shumë e me njoftë sa më tepër.
Fillimisht na çuen te Foret e Romës, ndër ato gërmadha aq të bukura e me aq vlera të mëdha historike. Këndej rruga e famshme Appia, andej  rruga tjetër po aq e famshme e po aq e bukur Nomentana. Bridhja në nji dehje marramendase nëpër monumente të tilla të çmueshme që aq mrekullisht dëshmonin për nji vazhdimësi në kohë e në  hapësinë…
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Po ajo verë 1937
Në verën e vitit 1937, Lazër Radi, ndodhet në Romë dhe në disa qytete të Italisë me grupin e njiqind studentave ma të mirë të dhjetë gjimnazeve shqiptare.

Lazer Radi - Rome 1937
Lazer Radi – Rome 1937

Me 25 qershor1937
Me 25 qershor 1937, u grumbulluem në Tiranë, në konviktin e Shkollës Teknike. Nga gjithë shkollat e mesme të Shqipërisë. Ishim përzgjidhë nga dhjetë nxanës për çdo shkollë, pra gjithsej njiqind studentë që do të kalojshin nji muej aktiv vere në Itali.
Fillimisht na dhanë uniformat!
Këmishë në ngjyrë ullini të zbehtë. Pantallona të shkurtna edhe ato në ngjyrë ullini me shkëlqim. Çorape të gjata deri në gjunjë, ngjyrë gri dhe në kambë nji palë sandale. Në kokë kishim të gjithë nga nji plis të bardhë. Kjo ishte edhe shenja dalluese që na identifikonte me kombësinë shqiptare. Kishim edhe nji flamur të madh kombëtar që na printe në krye të batalionit, po edhe nji trombetë me mbajtë hapin ushtarak kur ishim në marshim. Të veshun ashtu me uniformë e të inkuadruem simbas gjatësisë kishim ba disa prova të ecjes rreshtore.
Kryekomandant ishte caktue Profesor Namik Resuli dhe ndihmësa të tij ishin profesorat ma të mirë të fiskulturës që kishte Shqipnia e asaj kohe: nga Gjimnazi i Shkodrës ishte profesori ynë i fiskulturës Alush Leshanaku, dhe nga Tirana ishte profesori Irfan Tërshana, kurse nga Korça ishte nji profesor tjetër të cilit tash nuk po ia sjell ndërmend emnin. Edhe ata si të gjithë ne ishin të veshun në gri, po me uniformën e oficerit.
Mbasi bamë disa prova të ecjes rreshtore dhe kryekomandanti na foli me hollësi për gjithçka do të realizonim gjatë atij mueji, na porositi të ishim të kujdeshsëm e të disiplinuem, të sjellshëm, mbasi kudo që do të shkojshim duhej ta paraqitshim me gjithë dinjitetin dhe vlerat vendin tonë: Shqipninë.
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Vera e vitit 1937.
Më kishin caktue edhe mue midis atyne njiqind studentëve shqiptarë që do të shkonin në Itali me kalue nji muej të pushimeve verore. Nga leximet e mia, nga historia, nga letërsia, nga mitologjia dija shumë gjana për “Qytetin e Amshuem”. Ja pra andrra e çmendun e dikurshme po vinte tuj u realizue.
Ja, ma në fund do të isha në “Qytetin e Amshuem”. N’ato pak ditë, apo ma mirë, në ato pak orë që më rastiste të ndodhesha në Romë përpiqesha që dy sytë e mi t’i bajsha njiqind, si sytë e Argusit, me pa sa ma shumë e me njoftë sa më tepër.
Fillimisht na çuen te Foret e Romës, ndër ato gërmadha aq të bukura e me aq vlera të mëdha historike. Këndej rruga e famshme Appia, andej  rruga tjetër po aq e famshme e po aq e bukur Nomentana. Bridhja në nji dehje marramendase nëpër monumente të tilla të çmueshme që aq mrekullisht dëshmonin për nji vazhdimësi në kohë e në  hapësinë…
(Marrë nga libri “1938 Në vorbullën e jetës universitare”)

Rome 1937 - Anzio - Studentet Shqiptare 1-3
Rome 1937 – Anzio – Studentet Shqiptare 1-3

25 korrik – Ndeshje Futbolli
Me 25 korrik zhvilluem nji ndeshje futbolli
-Kampi i Shqiptarëve me skuadrën e qytetit të Ancios. Formuem nji skuadër mjaft të mirë. Bamë edhe nja dy a tri ditë stërvitje dhe u organizuem për ndeshje.
Të dielen në nji fushë të rrafshët, pothuej si ato të vendit tonë, pa shkallare dhe pa rrethim, po me dy porta të ngulituna mirë, me rrjetë, dhe vijzimi i fushës shumë i rregullt. Publiku rrite jashta vijave të bardha të qëlqerueme me rastin e ndeshjes.
Skuadra e qytetit qe e organizueme mirë. Ishte skuadër e formueme prej kohësh, me nji klub sportiv, me financë e administratë të vetën.
Luejtëm mirë dhe ndeshja at ditë u nda 3-1 në favoin tonë. Qe nji fitore e shkëlqyeme. Fituem jo se ishim ma të mirë, po se ishim ma të vendosun. Na dukej sikur aty në atë lojë mvarej nderi i vendit tonë. Prandej luejtëm tuj mos i kursye forcat dhe tan shpirtin e garës. Doemos, publiku ishte i tani për skuadrën e vet, për ne banin tifozllëk vetëm shokët tanë të Kampit, që kishin ardhun të gjithë pa përjashtim.
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Në kopshtin zoologjik. Romë 1 gusht 1937
Edhe Kopshti Zoologjik i Romës, ishte diçka krejt e re për mue. E dij a se të tillë kishte në botë, por se si ishin, se çfarë kafshësh kishin, si ishin të sistemueme, si mund të mbaheshin, kët as e dija, e as ma merrte mendja se si bahej.
Këtë do ta shifsha aty në Romë, për të parën herë, tuj ruejtun dhe kujtimet ma të bukura.
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Studentë shqiptarë të statuja e Davidit të Mikelanxhelos - Firenze 1937
Studentë shqiptarë të statuja e Davidit të Mikelanxhelos – Firenze 1937

Në qytetin e Firenzes
Nga të njiqind kampistat shqiptarë, me datën 7 gusht, nga komanda e Kampit u caktuen njizet vetë me shkue në Firence dhe me vendosë nji kunorë me lule të freskëta tek vorri i Gjeneral Telinit.
Ndër ata të njizetë isha edhe unë.
Nuk e fsheh, se qe nji gëzim tjetër i madh për mue. Po më jepej rasti të shihja edhe nji qytet tjetër të randësishëm të Italisë, Firencen, vendlindjen e Dante Alighierit.
Në Firence na priti nji grup i organizuem varzash. Ato para dhe na të inkuadruem me Flamurin para ecnim nëpër rrugët e qytetit të Firences.
Në çdo hap kishe me të vërtetë përshtypjen se po shkelje në nji histori të lavdishme. Mendoja se nëpër ato rrugë, vetëm disa shekuj ma parë, kishte ecë edhe poeti ma i madh i Italisë Dante Aligeri
Diku po na priste autobuzi. Hypëm dhe u nisëm për në varreza. Arritëm te varri. Në hyrje na priste nji kunorë e bukur me lule të freskëta. Zef Bumçi edhe unë, ashtu si tek monumenti i ushtarit të panjoftun në Romë, u caktuem ta çonim kunorën. Kishte nji shirit të kuq të shkruem italisht:
“Gjeneral Telinit – nga studentat Shqiptarë”
Po ecnim me kunorë ndër duer, duke pasë para nji djalë të ri, vendas, i cili qe caktue të na printe. Ai, na ndaloi te nji vorr i bukur, i punuem i gjithi në mermer të bardhë. Ishte vorri i gjeneral Telinit. Vendosëm kunorën e luleve të freskëta, dhe me qëndrim solemn, për nji minutë të tanë qëndruem në heshtje tuj e përshëndetun në mënyrën tonë.
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Lazër Radi - me pushime në - Durrës 1937
Lazër Radi – me pushime – Durrës 1937

Qyteti Universitar
Qyteti në vetvete, ishte nji kompleks i madh godinash të reja, dy-tri dhe katër katëshe, me rrugë të gjana, krejt të asfaltueme në të dy krahët me pemë dhe hije, me lulishta të vogla. Në krye qëndrote Rektorati, nga e djathta Fakulteti i Letërsisë, kurse në të majtë Fakulteti i Drejtësisë. Përpara Rektoratit lartohesh monumenti i Minervës rrethue nga nji pellg uji përherë i freskët, ku anash rridhnin disa çesma me ujë të ftoftë.
(Marrë nga libri “Në gjurmët e nji ditari të djegun”)

Festimet e 25 Vjetorit të Pavarsisë
Festimet e 25 Vjetorit të Pavarsisë

28 Nandor 1937 – Shqipnia kremtonte 25 vjetorin e Pavarësisë!
Nji çerek shekull histori e shtetit shqiptar. Midis organizimeve të ndryshme, ia vlen ta fillojmë me parakalimin e studentëve shqiptarë para Sovranit.
Dhjetë shkollat e mesme të vendit, ishin organizuar në dhjetë grupime të quejtuna batalione, në kuadrate qindëshe djemsh dhe vajzash, të veshun me nji divizë gri të errët, të preme apostafat për kët manifestim.
Mëngjesin e 28 Nandorit, në ora 10, të gjithë ishim gati për parakalim, të rreshtuem në Bulevardin Zog I-rë. Pritej vetëm urdhni i fillimit të paradës. Mbreti me suitën e vet zuni vend në tribunën e nderit, të ngritun enkas për kët ceremoni madhështore.
Batalioni i parë, qindëshja e inkuadrueme, që do t’i printe gjithë kolonës, ishte kuadrati i vajzave të Institutit ‘Nana Mbretëreshë’. Vajzat ishin të gjitha të veshuna me grykëse të zeza! Eh çfarë bukurie e çfarë pamje madhështore ishte ajo ecja e tyne krenare në bulevard. Në krye, të gjithë këtyne kuadrateve printe Princesha Sanije, hypun mbi kalë dhe me shpatën të ngritun nalt kalonte para tribunës mbretnore. Menjëherë mbas batalionit të vajzave, si nji privilegj i veçantë, parakaluem na, djemtë e Gjimnazit të Shkodrës, duke i pri kështu gjithë djelmnisë shqiptare. Qe nji emocion i jashtëzakonshëm në fytyrat e gjithë pjesëmarrësve, mbasi ishte i pari manifestim, e para parada e organizueme e Rinisë Shqiptare, dëshmia ma sublime e nji shteti që kërkonte të ngrihej në kambë e t’i dëshmonte energjitë e veta…
Vetëm nga duartrokitjet e shumta dhe “Urra-të” e fuqishme të popullit që kishin zanë vend në dy anët e trotuarit mund ta kuptojshim se çfarë entuziazmi të fuqishëm ngjallte parakalimi i jonë, ecja madhështore me hap ushtarak, nën tingujt e bandës frymore të ushtrisë. Mbas rinisë vinin repartet e rregullta ushtarake, të vendosuna sipas ndarjeve që përfaqësonin. Kaq u desh që entuziazmi dhe optimizmi ta përfshinte krejt popullin e kryeqytetit. Parakalojshim para Mbretit, figura e të cilit shfaqej solemne nën divizë ushtarake. Gjatë gjithë kohës ai s’e hoqi dorën nga nderimi ushtarak – deri sa kaloi edhe kuadrati i fundit i atij manifestimi… Ishte demonstrimi i parë i atyne përmasave, që dëshmonte se Shqipnia ishte futë tashma në rrugën e konsolidimit të vlerave shtetformuese.
At ditë binte nji vesë e lehtë shiu, po na as dojshim me ja dijtë. Ai veç na freskonte dhe na jepte forcë. Qyteti ndriste i gjithi, zbukuruem hijshëm me flamuj e banderola, me harqe triumfi të përgatituna me gjelbërim e lule. Edhe pse ishte fund vjeshte, na qe krijue përshtypja sikur ishte nji ditë e bukur prandvere, njashtu si i ka të bukura ditët pranvera shqiptare.
Mbas paradës do të kishte shfaqje sportive dhe gara atletike. Përpiqeshim që asgja e parashikueme ndër manifestimet e shumta të asaj dite të mos na kalonte pa e ndjekun. Për ngranie e për fjetje na kishin caktue te shkolla e Kristo Dakos në Kamzë. Na çojshin dhe na merrshin me makina ushtarake të vume enkas në dispozicionin tonë.
(Marrë nga libri “Shqipëria në vitet ’30”)

Tefta Tashko Koço ne Shkoder (l. radi me x)
Tefta Tashko Koço ne Shkoder (l. radi me x)

Botime gjatë vitit 1937-1938
Në moshën 21 vjeçare ai pati kët aktivitet letrar: Artikuj të botuem nga Lazër Radi në shtypin shqiptar gjatë vitit 1937…

Koncerti Tashko Nji Triumf – nga Lazër Radi – (Diana, Fruer 1937)
Silhueta e Durrësit – nga Lazër Radi – (Diana, Fruer 1937)
Fol Sheherazade… – nga Lazër Radi – (Shtypi, e diel, 19 shtator 1937)
Ironija e fatit – nga Lazër Radi – (Shtypi, e shtunë, 25 shtator 1937)
Tragjedija e jonë – nga Lazër Radi – (Shtypi, e premte 1 tetor 1937)
Të gjithë njerëzit artista – nga Lazër Radi – (Shtypi, e diel 3 tetor 1937)
Melodija e vdekjes – nga Lazër Radi – (Shtypi, 19 tetor 1937)
Shampanjë e valle – nga Lazër Radi – (Shtypi, e enjte, 21 tetor 1937)
Kanga e grisun – nga Lazër Radi – (Shtypi, e diel, 31 tetor 1937)
Emblemi Legjendar – nga Lazër Radi – (Shtypi, nëntor 1937)
I burgosuni dhe flutra – nga Lazër Radi – (Shtypi, e enjte 25 nëntor 1937)
Lindi kombi (fragment) – nga Lazër Radi – (Diana, Nr. 35, dhjetor 1937)
Andrra pesëqinvjeçare – nga Lazër Radi – (Shtypi, Nr. 171, 10 dhjetor 1937)
Gazeta fuqi publike – nga Lazër Radi – (Shtypi, e enjte 23 dhjetor 1937)
Gazeta fuqi publike – nga Lazër Radi – (Shtypi, e shtunë 25 dhjetor 1937)
Shigjeta kah qielli – nga Lazër Radi – (dhjetur1937)
Tingujt e nji nate – nga Lazër Radi – (1937)

Lazër Radi - Student Gjimnazi në - Shkodër1938
Lazër Radi – Student Gjimnazi në
– Shkodër 1938

Kangë gëzimi – nga Lazër Radi – (Shtypi, 6 mars 1938)
Një natë në kabare – nga Lazër Radi – (Shtypi, Mars 1938)
Kanga e Jetës – nga Lazër Radi – (Shtypi, 25 prill 1938)
Si një legjendë – nga Lazër Radi – (1938, Shtypi 27 Prill)
Symfonija e vendit t’im – nga Lazër Radi – (Kombi, Nr.4, Vlorë, maj 1938)
Tuj ndëgjuar një melodi – nga Lazër Radi – (Shtypi, Maj 1938)

Vera e vitit 1938
Përfundon me sukses gjimnazin dhe fillon të bajë gjithë përpjekjet me vazhdue studimet e nalta, duke fillue nga kërkesa e bame Mbretit Zog, e deri te ndërmjtsimi i Don Anton Zogajt për nji audiencë me Jacomonin, mëkambsi i Mbretit dhe ndihma e dhanë nga Donna Maia Cavalleri (Jacomoni) në shtëpinë e tyne të pushimit në Durrës.

Lazër Radi me disa shokë Durrës 1938, në fund i vellai Anton e Stefa Radi
Lazër Radi me disa shokë Durrës 1938,
në fund i vellai Anton e Stefa Radi

2 korrik 1938
Letra dërgue Madhnisë së tij Mretit Zogu i Parë në Durrës
“Madhni,
jam Lazër Radi, emigrant kosovar!
Në qershor të këtij viti, mbarova maturën në Gjimnazin e shtetit në Shkodër. Me mësime jam nda mjaft mirë: i treti ndër 83 vetë.
Kam shumë dëshirë t’i vazhdoj mësimet e nalta në nji fakultet të mundshëm.
Nuk dij mbas cilit shejt të kapem dhe cilës Perëndi t’i lutem! Pse po të ishte puna për konkurs o për ndonji bursë në bazë të notave, nuk kisha arsye t’Ju kisha trazue. Po kam përshtypjen se kriteret për dhanien e nji burse në Shqipni duhet të jeshë o bir i nji personaliteti, o njeri i pushtetit e që gëzon përkrahjen e autoriteteve. Si jabanxhi dhe si emigrant, nuk kam as të parën e as të dytën, prandaj mendova t’Ju drejtohem direkt juve Madhni, që jeni Mbret i Shqiptarëve, pra edhe i joni si kosovar që jam.
Të gjitha shpresat i kam varun tek Ju. besoj se Ju nuk do të kurseheni të ndihmoni nji djalosh që braktisi vendlindjen, Prizrenin, dhe erdhi në Shqipni, ashtu siç shkon djali tek nana e vet nga e cila pret ta rrisë, ta ndihmojë e ta mësojë për të qenë i vyeshëm si për Shqipninë, ashtu edhe për Kosovën e martirizueme që po heq të zitë e ullinit nën pushtetin e serbve dhe të malaziasve.
Kam vetëm vullnet e dëshirë për studim, por nuk disponoj asnji mjet financiar. Mirënjohjen time do ta shpërblej me punë të mirë e të ndershme që do të baj pa u kursye për të mirën e Shqipnisë dhe të Kosovës.
Me nderime
Lazër Radi

2 korrik 1938
Përgjigja nga zyra Mbretnore qe heshtja dhe shpërfillja…
Kështu vera e vitit 1938, qe ankthi i pafund i shkollës. Ai rrahu gjithë rrugët për t’i dhënë nji zgjidhje jetës së tij. Ndihma e Famullitarit të Durrësit Don Anton Zogaj, mik i të vëllait Balto Radi, bëri që nëpërmjet Konsullatës italiane të mund të siguronte nji gjysë burse për të vazhdue studimet në Romë.
Mbas përpjekjesh të shumta deri në kufijtë e dëshpërimit, ai mbrriti me pasë në duer nji të drejtë studimi në degën Jurisprudencë në “La Sapienza” të Romës.
Kjo mbeti për Lazër Radin fitorja ma e madhe e jetës së tij. Shkolla!

Luogotenente Jacomoni dhe e shoqja Maia, posa kane ardhur ne Shqiperi.
Luogotenente Jacomoni dhe e shoqja Maia, posa kane ardhur ne Shqiperi.

Ndërkohë që në muajin gusht 1938, ishte ne ethet e e burses, në shtypn shqiptar ai botoi këto shkrime

Kanga e vashave – nga Lazër Radi (Shtypi,3 gusht 1938)
Dy fejesa – nga Lazër Radi (Shtypi, 5 gusht 1938)
Një martesë – nga Lazër Radi (Shtypi, 11 gusht 1938)
Disa mendime – nga Lazër Radi (Shtypi, gusht 1938)
Trandafil i Bardhë – nga Lazër Radi (Shtypi, gusht 1938)

Botime në shtyp shtator 1938
Dibrania e mjerueme – nga Lazër Radi (Shtypi, 4 shtator1938)
Poeti i ri “Migjeni” vdiq! – nga Lazër Radi (Drita, e dielë 4 shtator 1938)
Migjeni si poet e si njeri – nga Lazër Radi (Drita, e premte 9 shtator 1938)
Një hyll u shkëput – nga Lazër Radi (Shtypi, shtator 1938)
Agonia e fundit ose si lufton kosovari – nga Lazër Radi (1938)
Kur dridhen ndiesitë… – nga Lazër Radi (1938)
Tri kangë – nga Lazër Radi (Drita, viti II, Nr.585, e diel 23 shtator 1938)

Tre vellezerit dhe Motra dhe e shoqja e Antonit Stefa...Lazër, Anton, Balto e  Gjyliana Radi. Durrës 1938
Tre vellezerit e Motra dhe e shoqja e Antonit – Stefa…
Lazër, Anton, Balto e Gjyliana Radi. Durrës 1938

 4 shtator 1938
Lazër Radi ishte ndër të parët (në mos i pari, që i njoftuem prej motrës së Milloshit) botoi dy shkrime kushtue vdekjes së Migjenit, tek “Drita” në 4 shtator 1938, dërgon të parin shkrim “Poeti i ri Migjeni vdiq”.

messhtator i 1938
mbas nji viti, ai gjendet përsëri në Romë, po tashti si student i Jurisprudencës në “La Sapienza”.

Për nji bashkëpunim shkrimtarësh – nga Lazër Radi (Drita, viti II, Nr. 567, Tiranë, e djelë 2 tetor 1938)
Elena Qirici dhe trupa e saj – nga Lazër Radi (Shtypi, tetur 1938)
Mbas avllisë – nga Lazër Radi (1938)
Fantazi satanike – nga Lazër Radi (Shtypi, 1938)

Vjeshtë 1938
Mbasi ndihmohet nga Musine Kokalari për të gjetur nji banëse në Romë ai fillon vitin e parë të studimeve në Romë.
“Mbas udhëtimit tim të parë në Itali, vitin e kaluem, nji mes shtatori të vitit 1938, u gjenda përsëri në Romë”.

Fund dhjetori 1938
Pushimet e dimrit, në universitet zgjasin nji muej: prej 16 dhjetori deri me 15 janar.
Kët muej pushimesh, mbas katër muejsh larg vendosa me e kalue në Shqipni.
Ishte nji mbramje me shi të imët e të ngjeshun. Nën çadra nuk po dallojsha njerëzit  që kishin dalë me më pritë në molo, te vapori. Durrësi, me ato drita të pakta, e nën at shi dukeshin edhe ma të vorfna e më dhanë përshtypjen e nji katundi të fundosun në humbëtirë. Bulevardi, ajo rruga e shëtitjeve tona, me ato shtëpitë dykatëshe e me vetrinat e dyqaneve, sikur i jepnin qytetit nji notë pak ma gazmore. Mirëpo posa e kaluem bulevardin dhe u futëm në rrugën e pazarit, kambët filluen të na shkasin nëpër lluca e pellgje që kishte krijue shiu i vazhdueshëm i dimnit. Ndriçimi i dobët e bante edhe ma të vështirë dallimin e gurit nga balta. Ato rrugë të dorës së dytë e të tretë ishin edhe ma pak të ndriçueme. Eneregjia eletrike duhej kursye sepse nji central i vogël me naftë e furnizonte krejt qytetin me dritë.
Nana më priste në shtëpi. Ndonëse nuk kishte ma shumë se tre muej që s’ishim pa, prapseprap na kishte marrë nji mall i madh, malli nanë e bir.
Në shtëpi festë. Ishin zemrat e familjarve që galdonin, ishin ftyrat e njerzve të shtëpisë që shpërthenin në gaz, ishte nji muzikë shpirti që delte si avull e që u jepte nji dritë të re mureve, orendive e gjanave të tjera të shtëpisë që ishin tejet modeste në at shtëpi përdhecke.
Me zojën e shtëpisë në Romë tashma ishim familjarizue dhe ajo bani ç’ishte e mujtun me më mbajtë atje për Krishtlindjet. Më tha se do të shkonim në nji fshat shumë të bukur të Frozinones, atje te e ama e saj, do ta kalojshim nji natë të mrekullueshme. Meshën e mesnatës do ta kalonim në nji kishë të vogël e shumë të bukur të fshatit, majë nji kodre plot pisha e selvi.
Me keqardhjen e saj ma të madhe e refuzova, sepse e kisha vendosë që ato festa t’i kaloja me familjarët e mi, t’i shtoja diçka ma tepër gëzimit të tyne dhe timit sepse prania e jeme në shtëpi tash që isha nji “student universitar” do t’jua dyfishonte gëzimin…
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Lazër Radi me shokë në plazh - majtas Gjon Marku nga Novosella e Gjakovës. Durrës 1938
Lazër Radi me shokë në plazh – majtas Gjon Marku nga Novosella e Gjakovës. Durrës 1938

13 janar 1939
Me 13 Janar 1939, isha kthye në Romë.
Gjatë pushimeve në Durrës, ashtu si kalimthi, më kishte ra në vesh, sikur Italia kishte ndërmend me e pushtue  Shqipninë. Mendova se ishin vetëm supozime. Asgja e sigurt. As Radio Londra s’jepte ndonji informatë.
Ditën e parë që erdha në Romë, si zakonisht, mbas dreke shkova në Bar Dei me shpresë se mund të takoja ndonji prej studentve shqiptarë me bisedue me ta rreth kësaj çështjeje të trishtueshme.
Për çudi, n’at janar të vitit  1939, Roma ishte në qetësi e plotë. Askund s’flitej për ndonji agresion të mundëshëm ndaj Shqipnisë. Bisedonim aty rreth tavolinave të vendosuna në trotuar dhe përpiqeshim të bajshim konfrontime me të dy politikat diktatoriale d.m.th. të Fashizmit e të Nazizmit.
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Vallja e Vdekjes – nga Lazër Radi (Drita, viti III, Nr. 642,Tiranë e dielë 1 janar 1939
Agimi mori dhenë – nga Lazër Radi (Shtypi, shkurt 1939)
Princesha e Vogël – Jovan Duçiq  përktheu Lazër Radi (Drita, 26 mars 1939)

1 prill 1939
Me nji prill – më kujtohet si sot – ishte e shtunë. Shkova në Bar Dei, gjithnji me shpresë se mund të gjeja ndonji student shqiptar me marrë vesh gjana të reja për ngjarjet që po rrokulliseshin me shpejtësi n’Europë. Prej larg vuna re se në tavolinat e trotuarit të barit ishin vetëm dy vet: Komendator Baldacci dhe nji student nga Durrësi, nji Vangjel Sotiri. I përshëndeta dhe u ula në tavolinën e tyne.
-Bane mirë që erdhe se përndryshej do të çojsha me të thirr. Më tha Komendator Baldacci tuj më dorëzue nji zarf zyrtar, të mbyllun e të vulosun nga Kuestura e Romës. Dhe vazhdoi:
-Këtu ke nji biljetë udhëtimi për det për në Tripoli të Libisë. Nisja bahet nga Napoli, të mërkurën n’ora 17-të. Ti do të nisesh që këtej po atë ditë n’ora 7 dhe për dy-tri orë je në Napoli. Do të kesh kohë të qëndrosh disa orë: në qytet. Përveç  biletës ke edhe 1000 lireta për shpenzimet e rrugës me tren o për ndonji nevojë tjetër…
-A ka studentë të tjerë? – e pyeta.
-Nga Roma – më tha – je vetëm ti, të tjerët do të jenë nga Firence e nga Torino.
Nuk e mora vesh nëse ishte për mirë, apo ishte ndonji masë largimi, sepse banesën e kisha në rrugën “Venti Settembre”, rrugë në të cilën kalonte katër herë në ditë Mussolini. E sa për pushtimin e Shqipnisë prej ushtrisë italiane as në popull e as ndër studenta nuk fliste kërkush. Na vazhdojshim të ishim në errësinë të plotë. Njiherë që e pyeta Baldaccin më tha:
-Unë nuk kam ndigjue asgja, fjalë duhet të jenë… dhe nuk e zgjati ma tutje.
Hapa zarfin kishte vetëm nji biletë të shoqërisë “Tirrenia” dhe nji bankonotë 1000 lirëshe.
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

E mërkure, 5 prill 1939
Rruga nga Roma për në Napoli nuk qe edhe aq e mërzitëshme. Shumë herë udhëtimi bahej tërheqës edhe vetëm tuj ndjekun pamjet e natyrës nga dritarja e trenit. Në muzg, me nji valixhe të vogël në dorë, së bashku me Paolon, u futëm në njenën prej të tri urat e Motonaves “Augustus” që, në llojin e saj ishte ma e madhja e botës.
Simbas biletës kishim dhomën dhe shtratin e caktuem.

E enjte, 6 prill 1939
Mëngjesi i parë në anije. Udhëtimi kishte nisë, po ende s’kishim dalë në det të hapët. Larg, në nji gjysë mjegulle shiheshin konturet e qytëtit të Napolit, dhe krejt bregdeti i Kampanjës. Prej nga kuverta tash shifja vetëm qiellin dhe detin. Por… kishte diçka tjetër interesante në anije: ishte nji rini universitare nga të gjitha kombet e nga të  gjitha ngjyrat. I thashë Paulos se duhesh me u familjarizue me jetën në bordin e anijes. Aty, kishte çdo gja. Ishte si nji qytet modern, lëvizës. Bare kishte në çdo qoshe, tre restorante të mëdha, salla lojnash, poligone qitjeje, salla për vrapime me kuaj (artificialë), sallë kinemaje, theatër, kishë, bibliotekë, salla vallzimi të të gjitha kategorive. Aq e madhe ishte anija sa po të mos i jepje tjetrit pikëpjekje në nji vend të caktuem rrezikoheshe të mos e takoje tanë ditën, veçse në mbramje në dhomën  e  gjumit.
Pjesa ma e madhe e udhëtarëve ishin studentë nga Gjermania, Franca, Anglia, Amerika, Kanadaja, etj. Të gjithë vajza e djem, e shumica studentë.

E premte 7 prill 1939,
E kisha harrue krejt se ajo ditë ishte e Premtja e Zezë. Së bashku me Paolon dhe nji franceze, që e njoftëm aty, do të shkonim tek “pista e gjahut”, nji vend ku gjujshim pulëbardha artificiale që hidheshin prej nji katapulte të vogël. Rruga kalonte përskaj Bibliotekës. Përgjegjësi që më pau nga dritarja doli dhe më tha të shkojsha te ai në orën 8, se kishte lajme interesante. Shikova orën kisha nji gjysë ore kohë. Blemë nga pesë fishekë dhe filluem “gjahun”. Paolon dhe francezen i lashë aty dhe unë shkova në bibliotekë. Mbërrita taman në kohë.
Lajmi i parë ishte “Zbarkimi në Shqipëri”. Ku tregohesh se në Durrës kishin hasë në rezistencë. Nga eksperienca e dija se në të gjithë “buletinët” e luftës kurrë nuk tregohet e vërteta. Ajo që më trondiste ishte pikërisht minimalizimi i ngjarjes. Reizistencë e pakët dhe asgjë! E dija se të gjitha Kodrat e Durrësit ishin me zgavra topash, pikrisht për të gjuajtun anijet që do ta tentonin mësymjen e qytetit. Nuk u ktheva fare tek “pista e gjuetisë”, por, bleva për herë të parë nji paketë cigare dhe nji shkrepse dhe u drejtova te kabina e fjetjes. Kështu e ndeza cigaren e parë. Mbas pak të dytën, të tretën dhe po tymosja rregullisht si të kisha pi duhanin tanë jetën. Nuk e di pse po më shijonte. Në kabinë sikur kishte ra nji mjegull verbuese. Ashtu i shtrimë në shpinë, me shtëllungat e reve të tymit përpiqesha ta shikoj me imagjinatë betejën navale që do t’ishte duke u zhvillue në Durrës. Hera herë më dukej sikur ndonji predhë e mortajës, lëshue prej ndonji kryqëzor, shkonte e binte m’u në mes të shpisë sime të brishtë në Rrugën e Pazarit. Çfarë gjendje e çuditshme shpirtnore m’u krijue në ato çaste. Mendimet sikur m’u zhdavaritën krejt. Erdh nji çast që  s’po mendoja asgja, as mirë e as keq. Desha vetmi, tym dhe duhan… Sa do të më vlente ta kisha afër vedit nji shok shqiptar që të qaja hallin me të dhe ai me mue!
Paolo ishte ba marak për mue! Mbas do kohe erdhi dhe më gjeti në kabinë. Ishte së bashku me francezen. Pasi ju tregova arsyen e mërzitjes sime, francezja më tha: “Mos u mërzit! Nga fashistët dhe nazistët mos pritni asgja të mirë, veçse luftë dhe shkatërrime…”

7 prill 1939
Ishte e Premtja e Zezë e 7 prillit.
Unë aty midis Mesdheut, ndërsa ndigjoja në radio Pushtimin e Shqipërisë, ia kisha nisë duhanit, për të parën herë në jetën teme. pa e ditë as vetë pse. Kështu e fillova at ves të shëmtuet e të kushtueshëm që do të më përcjellte me siguri për tanë jetën…
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Prill 1939, në anijen Augustus me Musinenë
Me anijen Augustus, e cila udhëtonte nga porti i Napolit në atë të Tripolit prej datave 6 prill deri me 13 prill 1939, ndërkohë që kishte ndodhur pushtimi i Shqipërisë nga Italia Lazër Radi dhe Musinë Kokalari pa e ditur asnjëri ishin bashkë në të njejtën anije. Ata e morën vesh praninë e përbashkët vetëm nji ditë mbas pushtimit. Sigurisht largimi i tyre ishte bërë i qëllimtë dhe ata nuk mundën të shkëmbënin bashkë vetëm shikime dhe dëshpërim për atë që po ndodhte. Lazri i Ka ruajtur me kujdes tri foto të këtij udhëtimi në dy prej të cilave është edhe Musineja… Foto të rralla që paraqiten për herë të parë.
Në foto, Lazri është me pantallona të bardha dhe xhaketë të zezë, kurse Musineja, me nji pulovër të hedhur krahëve… Të dy si Musineja dhe Lazri patën ftesa të ngutshme nga Comendator Baldacci, për këtë udhëtim, për shkak se ata ishin studentët me mjaft influencë ne rrethet universitare, dhe mund të shkaktonin ndonjë trazirë në kryeqytetin italian… Për këtë, ata u ftuan në nji rreth intelektualësh (duken ne foto) edhe për të mos qenë midis studentëve shqiptarëve në ditët e pushtimit, po edhe për t’u ftuar në biseda ku flitej se ky pushtim ishte jo vetëm pasojë e nji situate ndërkombëtare, po edhe nji shans për Shqipëria, e cila mund të përfitonte prej kësaj situate…! Lazri e theksonte gjithnji faktin, se prej ditës së 7 prillit, aty në anijen Augustus, ai kishte provuar nji dëshpërim të madh dhe se prej asaj dite ai kish nisur ta pinte duhanin…

Në anijen  “Augustus” drejt Libisë Prill 1939 Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939
Musine Kokalari ne qender me liber Lazer Radi anash me te bardha.

E martë, 11 prill 1939
Qysh herët në mëngjes ndigjova radion. Lajmet italiane më revoltuen. Gjithçka në Shqipëri po u shkonte si në “vaj”. Buletinet lajmëronin se e gjithë Shqipnia ishte nënshtrue, se puna po vazhdonte rregullisht, se Parlamenti i “mehmurëve” qe mbledhë dhe po pregaditej për t’i dhurue Viktor Emanuelit “Kunorën e Skandërbeut…!”
Erdha në përfundimin se nji fatalitet i mbrapshtë i rregullonte punët e gjithësisë, dhe se Atdheu jem vuetjen nën shtypjen e të huejit e paska nji pjesë të qenies së vet. Politikanët në përgjithësi, po ata shqiptarë në veçanti, janë njerëz të pa skrupullt. Ata, s’e kanë për gja ta ndrrojnë flamurin dy herë në ditë. Po ata që i thurnin “Hossana” Mbretit të Shqiptarëve, dje, po ata sot po glorifikonin nji mbret të huej.
Më shqetësonte pyetja: “Unë kush jam? Unë çfarë jam? Çfarë kam unë në dorë?” Ma në fund i thashë vedit: “Lëni punët të ecin në rrugë të vet, ti as mund t’i ndryshosh asnji fije floku kësaj “meseleje” të madhe, ku po futet bota!”
Mora nji libër me vete, dhe shkova drejt e në kuvertë.
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939 Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939
Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.

E enjte 13 prill 1939
Asgja interesante nga lajmet e radios.
Radiot e hueja as e përmendin fare, ndërsa agjensitë italiane e djallosën krejt. Telegrame urimi nga të katër anët! E pse? Sepse fashizmi italian pushtoi Shqipninë!! Eh, sa poshtë ka ra katundi. Si asht e mundun të arrijë njeriu në nji degjenerim të tillë? Vetëm duke e mendue nji gja të tillë po shkatërrohesha nga nervat. Ajo që ishte ma e çuditshme asht se përmenden emna të njoftun si atdhetarë qoftë mbrenda qoftë jashta Shqipnisë. Sido që të jetë, historia e ardhëshme ka me e ba punën  e vet dhe ka me i shoshitë njerzit.
Sot asht dita e dytë në Tripoli.
M’u duk nji nga ditët ma interesante, sepse simbas programit të organizatorëve të këtij udhëtimi do të shkojshim në nji oaze, në oazen ma të afërme të qytetit. Dëshira për të shkue në oaze ishte e përgjithëshme. Prandaj autobuzat shkojshin dhe vijshin. Këtë punë banë tanë ditën…
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

E premte, 14 prill 1939
Si gjithmonë  para se me u ngjitë në kuvertë ndigjoja lajmet e ditës.
Tashma rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve në Shqipëri e dija: Parlamenti shqiptar, njaj i Zogut, e kish vulosë pushtimin e Shqipnisë dhe po i dhuronte Kunorën e Skënderbeut Viktor Emanuelit të III-të.
Telegrame të neveritshme urimi vinin prej autoriteteve shqiptare, të cilat deri dje i njifshim si atdhetarë e njerëz të ndershëm…
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

E shtunë, 15 prill 1939
Lajmet e sotme m’u dukën vërtet “skandaloze”.
Ishte nisë për në Itali nji delegacion i madh qeveritar për dorëzimin e Kunorës së Skanderbeut, Mbretit të Italisë. Ana ma e çuditshme e kësaj ceremonie ishte nisja për n’Itali e Gardës Mbretnore e përbame prej njëqind djelmoshash shqiptarë, të gjithë të veshun në kostume piktoreske shqiptare që do bajshin roje para “Quirinales”, Pallatit Mbretëror.
S’po e marrja vesh se ç’ka po ndodhte me kët Shqipninë  tonë…
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

E dielë, 16 prill 1939
Në radio po flitet pak o aspak për çeshtjen e Shqipnisë. Jepeshin vetëm sukseset dhe pritjet “triumfale” të ushtrisë nëpër qytetet e Shqipnisë!!! Sot asht e nanta ditë e pushtimit dhe nga bota asnji reagim. Si duket të gjithë pasakan qenë dakort! Mendoja se krejt bota e qytetnueme, shtypi i lirë, dhe radiot do të protestonin. Por hiç asgjë… Veç heshtje, si të ishin pajtue të gjithë me pushtimin e këtij vendi të vogël që s’i bante sherr askujt!!!
Në orët e vona të mbramjes, si për humor, Radio Roma lajmëronte se me 7 prill, ditën e pushtimit të Shqipnisë nga Italia Fashiste, kryeministri i Anglisë, Çamberlen kishte qenë tuj gjuejt peshk!! Në kët kohë sekretari i shtetit shkon me e njoftue për agresionin italian, dhe Çamberleni i pa turbulluem fare, si të mos kish ndodhë asgja, e porositi Ministrin e Jashtëm të fliste me za sa ma të ultë dhe të mënjanohej pak, mos ia trembte peshqit që po i aviteshin karremit…!!!
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

E mërkurë, 19 prill 1939
Ishte muzg kur po kalojshim Grykën a Ngushticën e Mesinës. Të dy krahët e bregut të detit, qoftë ai i Italisë, apo ai i Siçilisë dukeshin si të zhytuna në zjarr. Mija drita, shpesh herë edhe me ngjyra nga ma të ndryshmet, i jepnin qiellit nji pamje të përflakun me dy vatra zjarri që kishin nji zgjatje prej afro nji kilometri.
Ditën e udhëtimeve në det, pjesën ma të madhe e kalojsha në kabinë tuj plotësue ditarin, tuj ndigjue emisionet e lajmeve në radio dhe tuj lexue ndonji revistë të ilustrueme. Natën e fundit së bashku me Xhinon dhe me familjen Caravaggio vendosëm me bredhë nëpër anije. Vizituem të dy sallat e ballos. Meqë ishte edhe nata e fundit, njerzit kishin vendosë me e gdhi at natë. Të ndaheshin me sa ma shumë kujtime e sa ma shumë emocione. Nëpër cepa shifshim të rinj të përqafuem qi zhgreheshin në vaj… mbasi nesër do të ndaheshin…
Në fakt kjo shëtitje qe e bukur. Të gjithë u kënaqën si për gjanat e reja që pamë ashtu edhe për organizimin e përsosun. Edhe unë do ta kisha shijue shumë ma tepër kët udhëtim sikur të mos koincidonte me Pushtimin e Shqipnisë prej ushtrisë Italiane. Gjithë ato net kam qenë i shqetësuem. Nuk po më zinte gjumi. Zakonisht fleja pak orë, por ama bajsha nji gjumë të thellë. Mbramë nuk ndodhi ashtu! Vërtitesha në shtrat si mishi në hell. Tepër vonë, duket dikur u lodha, e ma në fund më kishte zanë gjumi. Por edhe ai gjumë njashtu copa copa, s’ishte as gjumë e as zgjim, diçka e papërcaktueme që s’e lën trupin të çlodhet e as t’i fitojë energjitë e humbuna, kurse mendimet ta len të turbullta e të mpime si të ishe i dehun me venë.
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Gjergj Fshta ne Biblioteken Franceskane
Gjergj Fishta ne Biblioteken Franceskane

Verë, 1939
Nji vizitë patër Gjergj Fishtës në Romë
Kishte dalë nga shtypi numri unik “XVI Prilli”, nji numër i veçantë, botue nga disa studentë të Romës. Në pjesën ma të madhe ishin studime sociologjike dhe kritika letrare natyrisht të letërsisë shqiptare, ku Kolë Ashta ishte thellue pak ma tepër tek figura e Dom Ndre Mjedës, ndërsa Pashko Gjeçi bante nji panoramë të përgjithëshme të letërsisë shqiptare tuj përcaktue edhe vendin e seicilit dhe tuj ba edhe krahasimet e nevojshme.
Kështu që me Pashkon dhe me Kolën menduem me i ba nji vizitë Patër Gjergjit, i cili asokohë ndodhej në Romë me që ishte zgjedhë Akademik dhe kishin nji mbledhje në Akademinë Italiane. Banonte në Kuvendin Françeskan në Rrugën Merulana. Mbasi pyetëm ma parë në Kuvend me telefon, dhe paraqitëm dëshirën me u takue me të, na thanë se të nesërmen në orën 6 mbasdreke, na priste Patër Gjergji.
Të tre të kullundrisun, në orën e caktueme u gjetme te porta e Kuvendit. Mbasi u paraqitme, nji frat na përcolli në katin e dytë deri te dhoma e Patër Gjergjit. Ishte nji dhomë e vogël, nji çeli. Nji krevat hekuri i thjeshtë, nji tavolinë, dy a tri karrige – sigurisht të vendosuna për na me që e dijshin se do t’i shkojshim për vizitë, nji penxhere e vogël, nji kryq druni mjaft i madh në mur, në penxhere do perde të randa që e pengojshin diellin me u futë në qeli. Mbi tavolinë pak libra filozofie, libri i uratëve, rruzarja e disa letra, të shkrueme e do të pashkrueme – të  bardha!
Patër Gjergji na priti në kambë. Seicili u paraqit tuj e shqyptue mirë emnin e mbiemnin të cilin ai e ndiqte me shumë vëmendje:
-Lazër Radi.
-E kam ndëgjue këtë emën – tha dhe dukej sikur po gërmonte në mbamendjen e tijna të fuqishme për ta zbulue se ku e kishte ndigjue.
-Ndër gazeta, në ato të Tiranës – i thashë!
-Jo! Se me gazeta s’merrem, veç rrallë! Bile asnjiherë s’i lexoj si duhet… – tha e si duket po vazhdonte me gërmue në mendje të vet.
-Mos ndoshta, në hartimin e maturës që ua ka sjellë Profesor Ahmet Gashi.
-Po njaty, të lumtë! Bukur e kishe qindisë! Dhe menjiherë kaloi te Kola. Kola ishte trupmadh prandaj edhe tërhiqte vëmendje. Pashku ishte i shkurtër, i vocërr e i dobtë: e nuk binte fort në sy. Para dy kolosave fizikë, siç ishim unë dhe Kola, Pashko shkonte si i papërfillun!!
-Kolë Ashta – u paraqit Kola.
-Në cillën shkollë ke kenë ti Kolë?
-Në Gjimnazin ndër Jezuitë.
-Prandej s’të njof.
Mandej tuj iu drejtue Pashkos ashtu i imtë e vocrrak i thotë me humor:
-Po njaj teshi i vogël kush asht?
-Pashko Gjeçi  – iu prezantue Paçi.
-Ma ka kapë veshi kët emnin tand. Sigurisht edhe ti ndër Jezuitë.
-Si urdhnon Padre! Njaty kam studjue!
Patër Gjergji shkoi dhe u ul te tavolina e tij e punës. Na të tre zumë vend në karriget për karshi.
Unë u çova në kambë, dhe me botimin në dorë iu drejtova:
-Kemi ardhë Padre me të dorëzue kopjen e parë të këtij botimi unik që kanë nxjerrë disa studenta shqiptarë që studiojnë këtu në Romë. Në përgjithësi janë studime sociologjike, kritika e studime letrare. Pjesët letrare janë të shkrueme nga Pashko Gjeçi, “ky teshi i vogël këtu” dhe Kolë Ashta, ky kolosi tjetër këtu…
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Lazer Radi dhe Pashko Gjeçi - Tirane 1993
Lazer Radi dhe Pashko Gjeçi – Tirane 1993

Fund qershori 1939
Anija e vogël “Barletta” i nguli spirancat në Portin e Durrësit. Shkalla e gjatë e anijes, që niste nga kuverta zbriste në molo, ku udhëtarët filluen me zbritë, edhe unë bashkë me ta, me valixhe ndër duer…
Kishin kalue gati tri muej nga dita e pushtimit, dhe unë kërkoja me pa gjurmat e rezistencës, rrënimet, prishjet e çdo gja që do të më kujtonte – qoftë edhe kalimthi – se aty kishte ba pushka “bam”! Mirë i thonë asaj fjalës që “do me qenë hajdut i mirë, duhet ma parë me dijtë me mshefë mirë!”
Jo, asnji gjurmë. Punët po shkojshin ma se natyrshëm, e gjithçka kish marrë rrugën ma normale. Dukesh sikur njerzit ishin pajtue tashma me at  gjendje, dhe i ishin nënshtrue punës dhe dukej sikur as e çajshin kryet për “sentimentalizma” o për “ndjenja atdhetarie”. Dukej sikur ajo fjala e urtë po oportuniste latine: “Ubi bene, ibi patria” – (Aty ku je mirë, aty e ke atdheun!) – kishte fillue me zan vend në mendjet dhe zemrat e krejt njerzve.
Qysh në Port, dukeshin lëvizjet e shtrueme e të qeta. Në det shfaqeshin do barka të vogla e të mëdha… shifej nji lëvizje makinash në molo, ndiheshin sirenat e vaporrëve në det, vinça ishin kudo në lëvizje, d.m.th. të shfaqej imazhi i vërtetë i nji dite pune në nji kantier të randësishëm siç ishte ai i Portit të Durrësit. Mora rrugën rranzë kalasë me zbritë në qytet. Në kafen e portit aty te ulishtja, më priste im vlla Balto!
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Lazër Radi, Balto Radi dhe dhe Jani Lili - Durrës 1938
Lazër Radi, Balto Radi dhe dhe Jani Lili – Durrës 1938

Vera e vitit 1939,
Vangjel Koça dhe Migjeni
Ai u ngrit dhe më solli nji libër të lidhun me karton, por pa asnji titull! E kqyra mirë, ishin: “Vargjet e Lira” të Migjenit të kopjueme në makinë dhe të lidhuna me mushama të zezë. Ishte pikërisht teksti i mangët d.m.th. pa “Kangët e fundit”, të cilat i kisha edhe unë në shpi, veçse me nji ndryshim, unë i kisha me autografin e Migjenit.
-Po kjo?
-E gjeta ma në fund. Ma dha nji tipograf që ka pasë punuar në atë në vit d.m.th. në vitin 1936, në shtypshkronjën “Guteberg”. Nuk doja të më mungonte në bibliotekën time vepra e Migjenit.
-A e ke lexue tanë librin? – e pyeta me ngut.
-Këtë djalë e pata ndjekur me vëmendje: i kam lexuar të gjitha botimet e tijë në shtypin e asaj kohe. Bile i kam hapur edhe nji kartelë! Më lëshoi në dorë nji dosje me karton të hollë e sipër shkrue me gërma të mëdha: “Migjeni”. Në  pjesën ma të madhe ishin titujt e vendi i botimit, data dhe nji koment i shkurtën.
Më vinte mirë edhe për simpatinë dhe dashuninë që kishte për kët poet të  mrekullueshëm shqiptar.
-Vdekja e parakohshme e Migjenit qe nji humbje e madhe për letërsinë e kulturën shqiptare. Kur lexova atë nekrologjinë tënde të thjeshtë të botueme në ”Drita” – u preka thellë. Të dy artikujt e tu i ke të premë aty në kartelë.
Ishin aty vërtet!
-Unë vetëm dhashë alarmin dhe bana thirrje që ju të tjerët që dinit ma shumë se unë, e që keni kulturë ma të madhe se unë, të banit diçka serioze o diçka të denjë për at figurë të madhe të letërsisë shqiptare.
-Kartela që ke në dorë asht nji provë se unë i kam hyrë kësaj pune, por duhet të kem përpara tërë veprën e tij, si në poezi edhe në prozë, duhet ta studjoj në thellësi e në gjërësi, të nxjerrë konkluzat dhe ta paraqes në krejt shkëlqimin e dritës së vet.
-Paske shumë shënime për poezinë: “Kënga e Perëndimit”.
Migjeni asht poeti ma modern i vendit tonë. Asht krejtësisht perëndimor e anti-oriental. Në të pesë strofat e kësaj poezie madhështore ka nji program të tanë, nji filozofi të tanë. Kjo poezi asht e mbështjellun me dinamizëm perëndimor:
“Kangë Perendimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete…
Kangë e tij shpresë e bukur, me flatra të një tjetër jete;
Në të cilën Dielli do të ndrrojë udhën: ka për t’u lind nga Perendimi
-Por deh! Nga lumnia tash humbë kokën rruzullimi…”
Aq perëndimor dhe europian asht Migjeni sa në at ekzaltimin e tij poetik na thotë:
“…Dielli  do të  ndrrojë udhën:
Ka për t’u lind nga Perendimi…”
Pesë herë e përmend Perëndimin, dhe të pesta herët e shkruen me iniciale të madhe…!!
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Lazri dhe Filip Ndocaj Shatrivani Durres 1940
Lazri dhe Filip Ndocaj – Shatrivani Durres 1940

Verë 1939
Çaste lëkundjesh
Shpesh herë njeriu, edhe pa u mendue fort, bile ndoshta edhe pa e peshue si duhet, futet në nji rrugë të ecë me sy mbylltas, pa e dijtun fare se kur mbaron, dhe çfarë e pret në fund të asaj rruge. Kur i hyn nji pune kuturu, pa llogaritë asgja, atëherë s’të mbetet tjetër veçse me u mbështetë te fati dhe me pritë të shofish nëse ky veprim ka me të nxjerrë në nji rrugë të drejtë, apo ka me të shtye në ndonji shteg pa rrugëdalje…
Në at moshë as doja me e thartue mendjen me probleme hipotetike. Nji gja e shikoja qartë: po më jepej rasti me u futë në nji ambjent të ri, në nji rreth gazetarësh të njoftun, në nji zanat aq të lakmueshëm: Të bahesha gazetar, në kuptimin ma të mirë të fjalës!
As nëpërmend s’e çoja me e pyet vedin se në ç’rrugë po futesha, dhe as reflektoja nëse rruga e saponisun ishte ajo e drejta, ajo që më duhej, apo ishte rruga e gabueme? Dihet se rruga e gabueme të çon drejt e në greminë dhe atje i gjithë mundi, e gjithë ajo shkollë e kryeme me aq vetmohim e krejt sakrificat – të shkojnë hupë! E bukura asht, se në ksi rrethanash njeriu as e mendon nji gja të tillë… Ai i futet asaj rruge me nji shprehje tipike shqiptare: “Le të dalë, ku të dali…”
Po e pyetsha vedin: A ndryshon njeriu në jetë? Apo mbetet po njaj, i pandryshuem tanë jetën… Sado shkolla të ketë mbarue, sado vepra të randësishme që të ketë lexue, sado i shëtitun që të jetë, e sado njoftje me pasë, sado kulturë e shkencë të ketë fitue në jetë: a ndryshon thelbi njeriut.
Kjo ishte pyetja!
Ky ishte edhe shqetësimi mi i madh.
Jam apo s’jam njaj që isha? Kultura (doemos ajo pak kulturë e fitueme ndër lexime shpesh edhe të paorientueme) – shkolla, leximet, njohjet,  shëtitjet – a thua kishin mund me ndikue sa duhet në shpirtin tem?
Jam a s’jam njaj kosovari i vogël, i cili në vjeshtën e tretë të vitit 1929, kishte lanë vendlindjen, at Prizrenin e vet të dashtun, Kosovën e vet të shtrenjtë, dhe njashtu i vogël e i kërthijtë – kishte marrë rrugët e kurbetit e tuj u futë n’errësinën e shekullit i mbështetun vetëm në kambët e veta, pa qenë në gjendje jo me e parashikue të arthmen e vet, po as çfarë mund t’i sillte qoftë edhe nji vit i vetëm jete!
E tanë jeta po më shkonte rrugave!
Ngroftësinë e vatrës familjare e kisha pasë veç njashtu në mënyrë sporadike, bile mund të them se më kishte mungue edhe me periudha të gjata… Në shtëpinë teme shpesh ndihesh mysafir! Vetëm në periudhën e pushimeve verore vija te prindët e mi, e çmallesha me ta. Pjesën tjetër të jetës isha “pelegrin” i përjetshëm.
Gjithnji në kërkim të palodhshëm me e mbushë at boshllëk që ndjeja në vetën time – e ndjeja se e kisha, por, s’e duroja dot, doja me e mbushë, prandej edhe bredhjet e mija s’kishin të sosun, po të mos kishin ndërhy ato rrethana jashtë mundësive të mia, do të kisha vazhdue tanë jetën tuj kërkue mundësinë e mbushjes së këtij boshllëku. Dhe asht  diçka e natyrshme, që çdo boshllëk kërkon nji plotësim, nji mbushje.

Kampanjeli i Shën Pjetrit Romë 7 shkurt 1939
Kampanjeli i Shën Pjetrit Romë 7 shkurt 1939

***  
Ma naltë pyeta veten në kisha ndryshue a jo. Tash mendoj se do t’ishte ma mirë me ba nji pyetje ma të përgjithëshme dhe jo aq personale: Sa ndikon Kultura në ndryshimin e karakterit te njeriu?!
Kjo ishte pyetja!
…E theksoj, nji nga andrrat e mia ishte: “Të bahesha gazetar”. Duke sikur kjo andërr po më realizohej. Kisha mendue se, kur ta mbaroja shkollën, të futesha në dipllomaci d.m.th. në Ministrinë e Jashtme dhe të punoja si atashe në ambasadat tona, e në mënyrë të veçantë ndër ato vende ku kishte koloni shqiptare si p.sh. në Itali, Rumani, në Bullgari, në Egjipt, në Athinë, në Amerikë dhe në vende të tjera, e prej andej të shkrueja për jetën, zakonet, gjuhën dhe zhvillimin kulturor ndër ato vise larg Atdheut ku banonin shqiptarë. Të përshkruaja udhëtimet e mia dhe kontaktet me qytetnimet e ndryshme e me ato vende të reja e krejt të panjoftuna për mue.
Edhe në leximet e mia, preferencë kishin ata libra o ata artikuj që përshkruejshin udhëtime të ndryshme. Edhe pse ndoshta ato vise asnjiherë s’do mund t’i shifsha me sytë  e mi… mbas nji leximi të vëmendshëm më dukej sikur i njifsha, si t’i kisha pa me sytë e mi, sikur ti kisha shkelë me kambët e mia tokat e atyne viseve të panjoftuna.
Kjo ishte andrra ime ma e madhe!
Sa e tmerrshme asht kur njeriu e ushqen me aq shpresa e me aq xhelozi nji andërr kaq fisnike…
Them fisnike sepse mendoja sinqerisht se çdo gja të re, interesante dhe të panjoftun që do të zbuloja, do ta përshkrueja e do ta botoja ndër gazeta e rivista shqiptare.

Gazeta Tomorri - Tirane
Gazeta Tomorri – Tirane

(Marrë nga libri “Në vorbullën e Jetës Universitare”)

28 janar 1940
(Fashizmi, 28 janar 1940)
Bota shqiptare në marshim – nga Lazër Radi

Gjatë vitit 1940
bashkëpunon me gazetën “Tomorri” dhe “Tomorri i Vogël” me nji seri artikujsh, derisa ndalohet me protestë të ambasadës jugosllave. Kaplohet nga entuziazmi i fashizmit, tashma vendlindja e tij ishte bashkue me trungun amë, dhe shkruen broshurën “Fashizmi dhe Fryma Shqiptare” me parathënje të neo-shqiptaristit Vangjel Koça…

Fashizmi dhe Fryma Shqiptare - 1940
Fashizmi dhe Fryma Shqiptare – 1940

18 prill 1940
Me 18 prill 1940, në faqen e tretë të gazetës “Tomorri” njoftohej se: Doli nga shtypi libri i Lazër Radit, “Fashizmi dhe fryma shqiptare”. Nji shkrim për këtë botim e bante drejtori i gazetës, në at kohë Vangjel Koça, ku e lavdëronte shumë librin me theksimin se “megjithëse Lazri asht i ri…”.

Nga Pathanja e librit nga Vangjel Koça
Një të tillë Shqipëri të nesërme po përpiqet të përvijësojë edhe Lazër Radi: në këtë vepër të tij të parë, që është edhe vepra e parë në lëmin e kulturës politike në Vendin tonë. I ri dinamik vetë, me kulturë dhe intuitë për t’u çmuar.
Nuk mund të thuhet se Lazër Radi e ka përballur problemin shqiptar në tërësinë e tij të shumanshme, po mjafton vetëm një sy në tryezën e lëndës që të bindet njeriu, se shkrimtari i ri ka ngajtur shumë probleme tepër interesante të jetës shqiptare. Dhe këto probleme i ka rrahur me një stil, që tregon talent e kulturë, dhe me një pamje, që e nderon moshën e tij shumë të re. Përveç këtyre, Lazër Radi ka dhe një meritë tjetër: siç thashë edhe sipër, i falë kulturës politike shqiptare veprën e saj të parë, vepër që del nga një përballje e medituar e problemeve shqiptare në sheshin e realitetit historik.

18 maj 1940
Sipas gazetës “Tomori” datë 18 maj 1940, faqe 3, Lazër Radi në shkrimin e tij “Rindërtimi i racës shqiptare”, “përkrahja e martesave” thekson: “Guri themeltar i politikës fashiste për demografinë asht kushtetuta familjare!

Nji mike e kohes studenteskeLilly Bandini. Roma 22 shtator 1940
Nji mike e kohes studenteske Lilly Bandini. Roma 22 shtator 1940

Mbas fotos shkruhet:
Questa sara la musica
Il suono che nel attesa
fa tremare il cuore
per ricordarti ancora
se scordava che
il crinua andare verso me
Lili tuo

Durrës, Verë 1940
Durrësi për mue, përmban nji thesar të vërtetë kujtimesh.
Më kujtohen ato shtegtime të kandëshme, atyne kodrinave të blerta deri tek kisha e Shën Gjergjit dhe kthimet atyne shtigjeve tanë pluhun mesditave të nxehta deri te Currilat, e mandej kthimet e vona nëpër ato nett të bukura të kaltërta nën nji qiell të kulluem të mbushun krejt yje. Shpesh, kur muzgu më zinte atyne Currilave, ndjeja diçka fort të çuditshme mbrenda vetes sime, diçka të ambël e të kandëshme si premtimi i nji nate dashnie. Si në kllapi më dukej sikur gjendesha pranë nji dritareje të hapun e ku futej aroma e detit dhe afshi i shkëmbinjve të njomun. Sikur prisja diçka. Po, m’u kujtue… Po prisja do çaste të çuditëshme, as tokësore e as qiellore, çaste që ta mbajnë shpirtin pezull e të dhurojnë heshtjen ndërmjet gurëve dhe ujit të detit, që ndjehen në zbrazëti edhe kur ti je i rrethuem nga gumëzhima e njerëzve…
Shpesh, rrëmbehesha ndër mendime të tilla. I shijoja dhe kënaqesha me to. Tash, tuj u kthye në tokë, në Durrësin tim të bukur, shpesh shkoja ndër shëtitje vetmitare. Rrugë të preferueme kisha të përpjetën e Kalasë deri tek Kisha. Mandej tretesha, atyne kodrave, atij blerimi, atyne shtigjeve mes drizave e shkurreve, e ndaloja me soditë qytetin që shtrihet si nji sexhade e bukur nën kambët e mia… derisa shikimi më ndalej mbi Adriatikun e kaltër që më jepte kuptimin e pambarimit, të pakufishmes dhe të pavdekshmes.
(Marrë nga libri “Në vorbullën e universitetit”)

Lazer Radi Durrës, Verë 1940
Lazer Radi – Durrës, Verë 1940

Botime prej 1940 e më pas
Bujku ynë – nga Lazër Radi
Kosova vendi i luftrave të para për pamvarsi – nga Lazër Radi
Liria e shtypit dhe përgjegjsia – nga Lazër Radi
Tash o kurrë! – nga Lazër Radi
Vullneti i përgjegjsisë – nga Lazër Radi
E drejta dhe detyra morale – nga Lazër Radi
Familja Shqiptare – nga Lazër Radi
Ymer Efendiu Myderizi i Prizrenit – nga Lazër Radi
Shqipëria Verilindore e kërcënuar – nga Lazër Radi
Qeveria dhe qeveritarët – nga Lazër Radi
Qeveria shqiptare dhe kompetencat – nga Lazër Radi
Në pragun e ngjarjeve – nga Lazër Radi
Të jemi më realistë (Të bëhemi pak ma shqiptarë) – nga Lazër Radi
Jeta e jonë kombëtare e kërcënuar (kriza shqiptare) – nga Lazër Radi
Rruga e gabuar – nga Lazër Radi
Morali bolshevik – nga Lazër Radi
Prap për moralin komunist – nga Lazër Radi
Edhe pse nuk jemi ndërluftonjës, duhet të jemi vigjilent ndaj situatës së sotme (Të forcojmë besimin tonë) – nga Lazër Radi
Puntorët e vegjël të bashkimit – nga Lazër Radi
Shqipëria ëndërr e italianëve – nga Lazër Radi
Ta presim diellin e vllazërimit (pas furtunës-dielli i vllazërimit) – nga Lazër Radi
Kosova në jetën të kombëtare – nga Lazër Radi
Për një institut të rindërtimit kombëtar – nga Lazër Radi
Bota jonë politike – nga Lazër Radi
Andrea Aleksi prej Durrësit (Pjesa e parë) – nga Lazër Radi
Andrea Aleksi prej Durrësit (Pjesa e dytë) – nga Lazër Radi
Reforma agrare dhe teknikët agronomë – nga Lazër Radi
Elemente të huaj në kushtetutën tonë – nga Lazër Radi (Viti II Nr.18 dt. 22 janar 1944)
Demokracia shqiptare dhe partitë – nga Lazër Radi – (“Bashkimi”, Viti II, Nr.34,  dt. 11 shkurt 1944)
Lodrat e diplomacisë – nga Lazër Radi (Viti II Nr.51 dt. 2 mars 1944)
Kosova –  faktor i pamvarsisë shqiptare – nga Lazër Radi (“Bashkimi”, Viti II, Nr.53,  dt. 7 mars 1944)
Planet imperialiste serbe – nga Lazër Radi (dt. 22 mars 1944)
Dasija ideologjike prodhim i propagandës së armiqve – nga Lazër Radi (dt. 23 mars 1944)
Si mendon për ne një shkrimtar serb i kohës sonë? – nga Lazër Radi (dt. 5 prill 1944)
Fronti i rindërtimit – nga Lazër Radi (dt. 15 prill 1944)
Autonomia e Kosovës dhe Jugosllavia – nga Lazër Radi (dt. 23 prill 1944)
Problematika kombëtare – nga Lazër Radi (“Bashkimi i Kombit”, Viti II, Nr.98,  dt. 28 prill 1944)
Heroi i bashkimit – nga Lazër Radi (“Bashkimi i Kombit”, Viti II, Nr.102,  dt. 3 maj 1944)
Shteti dhe elementet e tij – nga Lazër Radi (“Bashkimi i Kombit”, Viti II, Nr.105,  dt. 6 maj 1944)
Romantizmi në Shqipëri – nga Lazër Radi (Nr.124,  dt. 28 maj 1944)

11 gusht 1941
Gjatë periudhës universitare në Romë, ndërsa frekuentonte vitin e dytë, ai pati nji histori sentimentale nji studente italiane të kursit (Lidia Barbieri), dhe mbas këtij realcioni u lindi nji fëmija – Alfredo Radi, për të cilin Lazër Radi mori krejt përgjegjsinë e rritjes së këtij fëmije…

Dasma e Balto Radit me Roza Prennushin  7 shtator 1941
Dasma e Balto Radit me Roza Prennushin 7 shtator 1941

7 shtator 1941
Në fillim të shtatorit të vitit 1941, vëllai im i madh me të cilin kemi pasë nji respkt e afeksion të veçantë, Balto Radi, u martua në qytetin e Durrësit më Roza Prennushin, e mbesa e Imzot Vinçenc Prenushit. Dasma qe e organizueme mjaft mirë, dhe menjiherë mbas dasme u nisa menjiherë të vazhdoj studimet në vitit të fundit te Universitetit… Në krye të vitit Baltos dhe Rozës, u lindi djali i parë – dhe ai do të quhej Ferdinand…

Lazër Radi e Claudia - Roma mars 1942
Lazër Radi e Claudia – Roma mars 1942

Pranvera e 1942
Pranvera e vitit 1942, qe tepër e ngarkueme për mue.
Duheshin dhanë pesë provimet e fundit, dhe nji provim të mbrapambetun si dhe Teza e Doktoratës. Pra isha i zhytun deri në fyt.
Kështuqë u detyrova për dy muej prill dhe maj të largohem nga Roma dhe të vendosem në nji nga Kështjellat e Romës, dhe pikërisht në Castel Gandolfo, ku ishte rezidenca verore e papëve të Romës. Nji vend shumë i bukur dhe i qetë. Për kët transferim nuk njoftova askënd, bile as shokët dhe as shoqet ma të afërt, sepse isha i sigurt se edhe atje do të vinin e të më gjenin.
As të zonjës së shtëpisë në Romë, nuk i thashë asgjë, vetëm e njoftova se do të shkoja diku me urgjencë po s’i dhashë as vend, as kohë dhe as adresë të saktë.
Për postën që mund të më vinte, ngarkova nji shoqen teme besnike, mbasi ajo edhe emnin e kishte të tillë: Fede Cima! Ishte studente e letërsisë, vetëm ajo mund ta merrte e të ma niste për në Castel Gandolfo, ose nëse e gjente mundësinë të ma sillte ajo vetë.
(Marrë nga libri “Në vorbullën Universitare”)

Dokument i Laurës së Lazër Radit - Doktor Juris
Dokument i Laurës së Lazër Radit – Doktor Juris

8 korrik 1942
Lazër Radi laureohet me 110/110 Doktor juris (në Filozofinë e së Drejtës) dhe ftohet si asistent profesor në katedrën e prof. Vidar Cesarini Sforza. Si tezë doktorate ai mbrojti temën “Le consuetudini giuridiche come attività spirituale del popolo albanese” (Ligjet Zakonore – si veprimtari shpirtnore e popullit shqiptar), të cilën ai e ka mbrojtë shkëlqyeshëm. Midis 600 studentave, ai qe ndër të paktët që morën maksimumin 110/110, gja e cila e detyroi Prof. Vidar Cesarini Sforza, ta shpallte Doktor me maksimumin e votave dhe t’i ofronte postin e asistent profesorit në Katedrën e Filozofisë të së Drejtës në “La Sapienza” të Romës, detyrë të cilën ai e ushtroi për nji kohë fare të shkurtë, mbasi parapëlqeu ma mirë shërbimet që mund t’i bante vendit të vet.

Verë 1942
Lazër Radi kthehet në Shqipni, me entusiazmin e të qenit i realizuar si shkollim, dhe vendoset pranë familjes në Durrës, ku menjiherë nis stazhin e Avokatisë pranë studios së avokat Golgotha-s, avokat mjaft i njohur në kët qytet.

Lazer Radi 1942
Lazer Radi 1942

Gjatë vitit 1943
Vendos mardhënie të menjëherta me shtypin dhe publikon nji seri artikujsh redaksionalë në gazetën “Bashkimi i Kombit” me emën, me iniciale, po edhe me dy pseudonimet e tij: Ushtima e Sharrit dhe Gjergj Komneni.

Nji histori sentimentale e kohës së Universitetit, përfundon së bashku me kapitullimin e Italisë me dhimbjen e që Lufta Dytë Botërrore kishte hyrë në nji fazë tejet të ashpër të saj dhe fati i njerzve dhe vendeve tashmë kishte marrë një drejtim tragjik…

Lazer Radi - Loto e Laures 1942 Doktor ne Jurisprudence
Lazer Radi – Foto e Laures 1942 – Doktor ne Jurisprudence

21 tetor 1943
Ndërkohë ai njihet me nji vajzën e nji familje me origjinë nga Vermoshi, por që prej vitit 1932, ishin vendosë në Tiranë.
Në fund të tetorit, pikërisht me 21 tetor 1943, ai martohet me Vitore Vushmaqin (1924), vajza e madhe e Frano Llesh Vushmaqit me origjinë nga Vermoshi i Kelmendit, po lindun dhe e rritun fillimisht në qytetin e Pejës (Kosovë) dhe ma vonë të vendosun në qytetin e Tiranës prej vitit 1932. Vitorja kishte mbarue shkollimin e mesme në Institutin Femënor “Nana Mbretneshë” në Tiranë.

Liçenca e Avokatisë e Dr. Lazër Radit
Liçenca e Avokatisë e Dr. Lazër Radit

1942-1944
Lazër Radi punon si drejtor i zyrës së strehimit, dhe i problemeve të emergjencës në strehimin e të huajve, po njikohësisht kontribuon edhe në përgatitjen e kodeve të policisë dhe shërbimeve të ndryshme lokale.

Tre Vellezerit Radi - Balto, Anton,  Lazrime grate e tyre Roza, Stefa dhe Vitore  si dhe Filip Ndocaj dhe Xhina Vushmaqi
Tre Vellezerit Radi – Balto, Anton, Lazrime grate e tyre Roza, Stefa dhe Vitore
dhe Filip Ndocaj dhe Xhina Vushmaqi

9 maj 1944
Mbasi merr liçencën e Avokatit, si fillon të ushtrojë profesionin e Avokatit në qytetin e Tiranës.

Korrik 1944
Në korrik u lind edhe fëmija i parë, vajzë dhe do të quhej Veronika.

Trupi Gjykues i “Gjyqit Special” 1945
Trupi Gjykues i “Gjyqit Special” 1945

23 nëntor 1944
me 23 nandor, arrestohet nga partizanët që kishin marrë pjesë në çlirimin e Tiranës, i ftuem prej dy shokëve të tij të Gjimnazit “…për një pyetje në komandë…” po që si shumë të tjerë edhe ai mbas kësaj ftese nuk u kthye kurrë ma në shtëpi të vet. Kështu u arrestue në Tiranë, dhe nji pjesë e dorëshkrimeve iu sekuestrue (pjesën tjetër të futur në nji thes, ai ia kishte dorëzuar të vëllait, Baltos t’ia ruente), kurse shumë nga shkrimet iu sekuestruen.

Fleta e pare e Akuzes ne Gjyqin Special 1945
Fleta e pare e Akuzes ne Gjyqin Special 1945

24 dhjetor 1944
Legjenda e tri Krishtlindjeve nën dhunë nga Prof. Dr. Lazër Radi (fragment)

24 dhjetor 1944 – Burgu e Ri – Tiranë!
Ditë të vështira, të randa, të zeza… Rrethuar gjithkah me tela, policë, me dhunë e përndjekje… Tashma jo nga i huaji serbo-sllav, por, nga vëllau i yt i gjakut, por që  dukej si pjellë e atij të huejit, lebrozë të indoktrinuem, internacionalistë që meritonin emnin fatal të Greqisë së Lashtë “a patris”, të paatdhe…
Burgjet e Shqipnisë ishin përplot me njerëz që besojnë me gjithë mend në hymnin e Perendisë. Kësaj nate ata e ndjejnë të qarkullojë n’ajri kangën: “Lavdi Zotit ndër qiej, e paqe n’tokë për njerëzit me vullnet të mirë…”
E ndjejnë në shpirt, i kapin në fluturim ato jone të padukshme kange që lëvrinin ambël nëpër nji qiell të mjegulluem, me erë baroti e gjurma gjaku…
Burgu zukiste si koshere bletësh. Kudo që ishte nji pëllambë toke të ngurtë qëndronte nji qanie e gjallë, tash e burgosun, e përdhosun, por që dikur kish qenë njeri…
Atë mbasdreke të 24 dhjetorit… u hapën kangjellat e dyfishta të burgut dhe në korridor të frigorifertë u shfaq Dom Shtjefën Kurti, famullitari guximtar i Tiranës. Si rrufe u  përhap lajmi se Dom Shtjefni ishte mes nesh dhe se për herë të parë në historinë e burgjeve shqiptare do të celebrohej Mesha e Krishtlindjeve.
Vrapuem të tanë t’i shkojmë në ndihmë. Diku në nji cep hapëm vend dhe ngritëm Altarin… I zbehtë dhe tepër i emocionuem, tuj marrë pjesë shpirtnisht në dhimbjen dhe në vuejtjen tonë – ai celebroi para gjithë të burgosunve, pa dallim nëse ishin myslimanë a të krishtenë, Meshën e Krishtlindjeve.
Ajo qe nji mrekulli e vërtetë shprese në ato katakombe të tmerrit…
Ma vonë, kur dhuna e kuqe do të lëshohesh edhe mbi të, në nji qeli burgu, do të më rrëfente se mesha ma e bukur, ma solemne dhe ma e paharrueshmja e jetës së tij kish kenë ajo meshë aty në burg, të cilën për nga emocionet, e krahasonte me meshën e parë që kishte thanë kur qe shugurue prift. Sa vetë në botë do të kishin dashtë të kishin asistue në atë meshë burgu ku elemente besimesh të ndryshme asistonin me të njëjtin devocion, me atë devocion që ka vetëm shqiptari, për atë Zot që na e ka dhanë jetën të tanëve…
Si mbaroi mesha, e përcollën Dom Shtjefën Kurtin, deri tek porta e daljes. Korridori u zbras mbasi sërish do të kthehej në bujtinë. Aty pame se dyshemeja ishte e lagun nga lotët e mallëngjimi… Ai korridor i ftohtë qe kthye në nji Lëndinë Lotësh apo në nji Mur Vaji. Ishin lotët tanë, lotët e atyne njerëzve të pafajshëm që s’po e kuptojshin pse kishin krijue aq shumë burgje nëpër botë, apo thjesht për t’i mbajtun ndër pranga fajtorët e pafaj.

Gjyqi Special - Kryetar seance Koçi Xoxe
Gjyqi Special – Kryetar seance Koçi Xoxe

Prej 23 nëntorit 1944 deri në 1 mars 1945
Lazër Radi, qe pjesë e hetuesisë së bashku me ajkën politike dhe intelektuale shqiptare (61 të akuzuem). Pjesë e nji gjyqi farsë, dhe nji vendimi të marrë me 25 dhjetor të 1944, për ngritjen e nji Gjykate Speciale, e përbame prej 9 vetash, ku asnjëni prej tyne nuk kishte qoftë edhe raportin ma minimal me ligjin dhe jurisprudencën…

Me datë 1 mars – 13 prill 1945
Prej 1 marsit deri me 13 prill të 1945, Lazër Radi qe nji nga 61 të pandehunit e atij gjyqi që njihet si “Gjyqi Special”, dhe ku ai ishte ndër të akuzuemit e mëdhej.
Ai  u dënue me 30 vjet burgim, tuj u futë në shkallën e tretë të dënimeve të randa. Mbas të dënuemve me Vdekje, atyne me Burgim të Përjetshëm për interesat e tij rinore e jetëshkurta rreth politikës.

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special

Nëntor 1944 – korrik 1954,
do të vazhdonte odiseja e pafund e burgjeve dhe tmerrit komunist.

Dokumente nga Gjyqi Special
32-U thirr i pandehun Lazër Radi, i biri Çupit dhe i Gonxhes, vjeç 28 lindun në Prizren banues në Tiranë, i martuem me dy fëmij, me arsim të Naltë (Drejtësi në Romë), i padënuem ndonjiherë.

Për Lazër Radin ish-drejtorin e “Ballit të Rinisë” që dilte në kohën e fashizmit. Ka shkrue vazhdimisht në Bashkimin e Kombit artikuj kundra nesh me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”. Gestapoja s’linte të vihej emni i tij i vërtetë, sepse ishte i kompromentuem me shkrimet në “Ballin e Rinisë” e në shumë gazeta të tjera fashiste.

Dr. Vasfi Samim Visoka ka shkrue në “Bashkimin e Kombit” me pseudonimin Agim Shkëndija.

Sabdulla Fishta që banon afër Xhamisë së Zajmit, dhe që tashti – me sa mora vesh – asht partizan në Brigadën e IV-të ka kenë agjent në kohën e Mehdi Beut, dhe ka arrestue me 22 Qershor 1944, shoqen Hava Spahiu përpara Xhamisë së Zajmit, të cilën e zuni me 80 copë trakte. Ka denoncue aktivisten Flutura Toto, që asht kapun tre herë rrjesht.

Vedat Kokona, i paarrestuem ka shkrue artikuj në “Bashkimi i Kombit” me pseudonimin Helium. Artikujt s’flasin haptas kundra nesh.

Dëshmi e Arben Putos e nxjerrë nga arkivi i shtetit
Dëshmi e Arben Putos e nxjerrë nga Arkivi i Shtetit

Vasil Nathanaili: 29 vjeç, lindur në Delvinë, banues në Tiranë, Lazër Radin e njeh, indiferent, u betue dhe tha: në vitin 1938 ishte dishepull i Ernest Koliqit! Kur ishim studentë Ernest Koliqi ishte profesor universiteti dhe Lazër Radi rrinte me të dhe e adhuronte për veprën e tij. Pas invazionit, Lazër Radi menjiherë me shkrimet e tij shfaqet në favor të fashizmit, tuj marrë pjesë në G.U.F. dhe lidhje me Baldaccin, i cili qe nëpunës në Ministrinë e Jashtëme për të korruptue universitarët shqiptarë. Pastaj ka patur lidhje me De Angelis, me Parianin, me Zanninin e me Jacomonin e ma vonë me Ministrin për Punët me Shqipninë Beninin, nji fotografi të të cilit e mbante me krenari në dhomën e tij me shkrim të dedikuem. Ma vonë shihet në Kampin e Ibës ku ishin thirrun me imponim studentat shqiptarë tuj thanë se studentët shqiptarë janë gati të luftojnë kundër Greqisë! Unë e di, sepse kam kenë prezent në kampin e Ibës. Asht organizator dhe inspirator i revistës së B.R.U.F.SH.-it emnin e së cilës nuk e mban mend. Organizatën e B.R.U.F.SH.-it ky e ka bërë para luftës me Greqinë!

I pandehuri: nuk i pranon dëshmitë, sepse janë të deformueme B.R.U.F.SH. asht formue në vitin 1942, kët e di me siguri matematike, dhe jo kur thotë ky para luftës me Greqinë. Unë kam botue në atë revistë vetëm nji studim sociologjik për Shqipninë.

Nasho Nathanaili: Edhe Nashua, si Spirua, erdhi në Romë mbas përmbysjes së Ballkanit. Me Nashon kisha pak muhabet, por jo intimitet sepse nuk më dukej fort i sinqertë. Posa shkeli në Romë kishte mendime komuniste dhe nuk pritonte që me shokët e tij të ngushtë të bante edhe mbledhje të kësaj natyre. Në kët drejtim ishte pregaditun mirë në Greqi. Me thanë të drejtën e evitoja miqësinë e tijë. Tashma ideologjinë marksiste-leniniste e konsideroja pjellë ruse-sllave. Tuj i shikue problemet kështu, kjo pikpamje e në mënyrë të veçantë si kosovar e urreja pansllavizmin, pankomunizmin e panserbizmin si armike të përhershme të çdo gjaje shqiptare. Gjatë gjithë historisë rusët kanë dhanë prova se janë përkrahës të Serbisë dhe Malit të Zi në çdo kohë. Qysh nga Traktati i Shën Stefanit e këndej kanë kenë kështjella e pretendimeve shoviniste serbomëdha si në politikën shtetnore ashtu edhe në propagandë me Jastrebovin në krye. Prandaj, të gjithë ata që predikonin idena të tilla i kam konsiderue përherë armiqë të Kosovës.
Shpesh herë shikoja se si organizonin mbledhje, si diskutonin e si jepnin direktiva për veprime të ardhëshme. Gjithnji jam përpjekun t’i evitoj këto mbledhje dhe të qëndroj sa ma larg tyne.
Nuk do ta kisha përmendë këtu Nasho Nathanailin sikur ky të mos më kishte dalë dëshmitar e të mos më kishte akuzue për gjana të paqena e të kota. Unë i kisha në dorë dhe dija orën dhe minutin e organizimit të mbledhjeve tyne ilegale e klandestine. Megjithse ishin veprimtari subversive kurrë, asnjiherë – as Nashos e as të tjerëve s’u erdhi asnji e keqe prej meje!
Nashua vërtet vinte shpesh te unë. Unë mendoja se ai më vinte si mik… E kuptoj se më paska ardhë si “spiun”, për të pa se çfarë po baja, çfarë po shkrueja, dhe me cilët takohesha. Me nji fjalë ai më paska ndjekë hap mbas hapi si profesionist i regjun i kësaj pune.
Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës Universitare” )

Skena nga Gjyqi Special 1945
Skena nga Gjyqi Special 1945

Dëshmitari Zija Këlliçi: Lazër Radi ka propagandue në rininë shqiptare universitare për fashizmin, ka rekrutue dhe paraqitun fashizmit italian nji rini universitare të korruptueme, që gjoja ishte gati ta pranonte inkuadrimin e saj në suazën perandorake!
Ma vonë, këtu në Tiranë kur u mblodhën me detyrim studentët në fushën e katundit Ibë, në prani të Jacomonit, ky mbajti nji fjalim tuj thanë se studentat shqiptarë janë në favor të kauzës fashiste. Jacomoni i ka shtrëngue dorën. Studentat deshën ta rrihnin atë.
Më 1943, Lazër Radi deshi të organizojë B.R.U.F.SH. – organizatë e gjithë rinisë universitare për ta paraqitun atë në opinionin botror dhe atë shqiptar. Ka ikë nga Iba i shoqëruem me italianë. Unë s’kam qenë në Ibë, por ma kanë thanë shokët Mynir Tirana e Hajredin Kumbaro. Mua ma ka thënë Ihsan Çabej, student në mjekësi, se ka dashur të organizojë B.R.U.F.SH.-në.

I pandehuri tha: Të pyeten ata që kanë kënë në Ibë dhe jo ky. Le të pyetet Ihsan Çabej për sa pretendon ky. Unë nuk kam pasë të bajë fare me B.R.U.F.SH.

Dëshmitarja Drita Kosturi: Një nga dëshmitarët në Gjyqin Special të Lazër Radit ishte edhe Drita Kosturi, e ashtuquajtur “E fejuara e Qemal Stafës”, e cila e akuzoi Lazrin për prozën “Rreze Frengjijash”.
Si dëshmitare akuze më doli zonja Drita Kosturi, e cila m’akuzoi pikërisht për at’ artikull.

Mbas 15 prillit 1945
Mbas dënimin me 30 vite burg, për Lazër Radin nis odiseja e burgjeve shqiptare. Nga Burgu i Ri i Tiranës, në Aeroportin e Rinasit, në aeroportin e Urës Vajgurore… po për mjaft kohë ai punoi edhe në mesagjerinë e përkthimeve…

Viktore Radi, me kunatin Balto dhe Roza me Alfredin e Ferdinandin - Tiranë 1945
Viktore Radi, me kunatin Balto dhe Roza me Alfredin e Ferdinandin – Tiranë 1945

Maj 1945
Tronditja familjare, terrori sistematik, mbetja rrugave, vështërsitë e mbijetesës, problemet e strehimit i sollën si pasojë vdekjen e vajzës së tyne dhjetëmuajshe Veronika.

Nga viti 1945-1950
Gjithashtu nga fundi i vitit 1945, hapet Sektori i Mesagjerisë, me sektorin e përkthimeve, për llogari të Ministrisë së Arsimit në përkthimin dhe përshtatjen e teksteve shkollore, dhe për llogari të Ministrisë së Brendshme për tekste sekrete dhe libra nga spiunazhi botëror. Ky repart u ngrit i gjithi me të burgosun, dhe përkthehej kryesisht nga serbo-kroatishtja dhe rusishtja po edhe gjuhë të tjera, të cilat Lazri i njihte mirë. Kështu u krijue nji grup i madh intelektualësh të njohur si: Nedim Kokona, Mirash Ivanaj, Pashko Gjeçi, Jusuf Vrioni, Mihal Sherko, Mihal Zallari, Gjergj Kokoshi, Mit’hat Araniti, Lazër Radi etjerë që ishin të arrestuar e të të dënuar prej kohësh…

Familje  e Anton Radit, Stefa, e ema, Alfredi, Viktoria  - Tiranë 1950
Familje e Anton Radit, Stefa, e ema, Alfredi, Viktoria – Tiranë 1950

Jetë në tela me gjemba

N’nji pyllnajë dhimbjesh
dremiste plaku i lashtë!

Aty gjithçka dridhej frikshëm,
nën rapsodinë e çmendun të erës
çmendej toka
çmendej qielli
çmendej deti:
e njeriu prej toke
prej qielli
prej deti ish.

Njerëzit e mirë notonin
në jargë qenjsh të tërbuar!
Eh! Jetë e rrethueme
mes telash me gjemba,
ndër pranga
ku dhuna, urrejtja, vdekja
u rrinin n’pusi
gjurmëve të freskëta.

Lodhun prej mashtrimi
plaku i bardhë
ndër andrra merrte fluturimin
lart, shumë lart ngrihej
larg, shumë larg sosej
drejt qiejsh të përndezun,
mbështjellë me mjegull drite.

O plak i mirë,
që humbe gjithçka,
mos zbrit kësaj dhune,
atje, kaltërsish të paana qëndro,
e mos u beso lajkave,
prit, vëlla, prit
derisa nji ditë
edhe këtu të shkrepë
Dielli i dashnive të fyeme.
Rinas, 1952
(Marrë nga libri “Muret e Muzgut”)

25 qershor 1952
me 25 qershor 1952, në moshën 28 vjeçe, (po aq sa i shoqi Lazri) arrestohet edhe e shoqja e Lazër Radit, Vitorja me nji grup personash, prej të cilëve ajo nuk njihte asnji. Mbas torturash të përbindshme, ajo pranoi krejt akuzat dhe u dënue me dhjetë vite burg.

Viktoria Radi 1952 - foto e arkivit te Ministrisë së Brendëshme
Viktoria Radi 1952 – foto e arkivit te Ministrisë së Brendëshme

Me 24 dhjetor 1953
Legjenda e tri Krishtlindjeve nën dhunë nga Prof. Dr. Lazër Radi

24 Dhjetor 1953: Aeroporti Rinasit, Ura e Hasan Beut.
Mesnata e Krishtlindjeve ma e bukura e botës. E denjë për nji skenar të mrekullueshëm televiziv.
Në kampin tonë të punës të gjitha ditët ishin njisoj të randomta e të vështira. Nuk njifshim as mot me shi e as me diell, as baltë e as tokë të thatë, as diell përvëlues e as borën dy pëllambë trashësi. Vetëm punë, punë, punë kafshnore nën atë qiell të hapët dhe nën mëshirë të Zotit. Aeroporti ushtarak kërkohej me urgjencë. Përshpejtimi i punimeve bahej me kamxhik ose me ndonji hu gardhi që edhe ata mbaroheshin tuj u thye mbas shpinave tona…
Dikur, kur ora as dita nuk kishte asnji lloj kuptimi, fërshëlleu bilbili i grumbullimit dhe u dha urdhëri për kthim. Formuem rreshtat dhe u vumë për rrugë. Në atë mori njerzish të rraskapitun e të leckosun, që dukej sikur s’kishin të sosun, formuem nji treshe – Patër Meshkalla, Anton Kozmaçi dhe unë. Gjatë gjithë ditës kishte ra shi e kishte përbaltë rrugën dhe kishte krijue nji llurbë ngjitëse që na e vështirësonte së tepërmi ecjen. Nga ajo mori kambësh që hiqeshin zhag balta qe ntrashë e na i kapte “tullumbat” e na i shkulte nga kambët. I hoqëm, i morëm në dorë dhe ecshim zbathun në atë të ftohtë dimni.
Dikur mbrritëm në kamp. Nuk ishim ma as njerëz, as kafshë: ishim reduktue në ca krijesa zvarranike që s’dihej se nga ç’epokë gjeologjike vijshim. Veten tonë e shifshim ndër të tjerë. Isha i bindun se as nana që na e kishte ba kokën, s’do të na njifte në atë katandisje të mjerueme ku na kishin katandisë…
Në gjithë at mizerje e zymti që na rrethonte, at natë kishim vendosë me e festue at ditë të bekueme. U lamë njashtu keq e keq, dhe nisëm me sajue diçka me hangër. Ai sajim na nevojitej për të kalue kohën, gjersa të afronte mesnata. Kishim ndezë tri zjarrme të fuqishme: në njenin zijshim groshën, në tjetrin orizin e në të tretin hallvën. Ftuem edhe Patër Mëshkallën, në at festë të mjerimit njerëzor, por ai nuk pranoi asgja mbasi do të “kungohej” mbas nji ore në meshë…
Aty pranë farfurinte pema e Krishtlindjeve, e sajueme me nji degë selvije dhe e zbukurue me shporta e zinxhirë të bame me letra punë dore e me ndonji portokall o mandarinë nëpër sqetullore degësh.
Afër mesnate u ngritëm e sistemuem alterin në krye të kapanonit. Mbi tavolinë të mbulueme me nji çarçaf të bardhë si bora, vendosëm dy shandanat me qirinj, pemën, ungjillin, kupat e mbulueme dhe pemën e zbukurueme.
Kur u lajmërue mesnata, Patër Mëshkalla, edhe pse njashtu i pakët nga trupi, at natë kishte marrë nji pamje madhështore. I gjithë kapanoni ishte në kambë. Pa dallim feje, asistuen aty në meshën e Krishtlindjeve.
E ndërsa thuhej mesha, u ndezën plot qirinj dhe njerëzit i mbajshin në dorë. Mund t’ishin tridhetë, pesdhetë ndoshta edhe njëqind – di që i gjithë kapanoni mori nji ndriçim parajse. Ajo sallë e mundimeve u ba vërtetë kishë, katedralja ma madhështore e botës… Nji natë e mrekullueshme, dhe pse jetonim në skëterrën e dhunës. Disa nga pjesëmarrësit e dijshin kangën e famshme të Krishtlindjeve “Shtilen Naht-in” dhe nisen ta këndojnë në sordinë. Pak nga pak tonet e kangës erdhën tuj u rritun. Befas qe improvizue nji kor i madh që të mos ia kishe lakmi as Verdit… E gjithë mesha u përcoll nën melodinë e asaj kange tuj i dhanë solemnitet atij çasti të madhërishëm, e tuj na ngjallë shpresa të pakufishme se nji ditë do të zbriste edhe ndër ne “paqja midis njerëzve me vullnet të mirë!”

Dasma e vajzes se dajes Kel Vila Antoni dhe Stefa, Balto dhe Roza
Dasma e vajzes se dajes Kel Vila – Shkoder
Antoni dhe Stefa, Balto dhe Roza

15 maj 1954
Me 15 maj të vitit 1954, Lazër Radi lirohet nga burgu dhe vendoset në Tiranë ku kishte vëllaznit. E ndërsa nisi punë si përkthyes i lirë, pa mbushë ende dy javë interrnohet fillimisht në Savër, me 29 maj 1954, e mbas dy muejsh e përplasin në kampin e 100 intelektualëve, në Kuç të Kurveleshit.

Gjana që s’mund të harrohen lehtë!

Kur më futën në burg lashë gruen me
gjithë vajzë, kur dola nga burgu, gjeta
gruan në burg dhe vajzën të vdekur”.
L.R.

A të kujtohet, grua e dashtun,
helmi i ditëve të çmenduna,
kur na detyronin të vallzonim
me pranga ndër këmbë e duer?

A asht e mundun  me u harrue
dëshirat e shkeluna, qelive hedhuna,
fëmijët që lindnin e n’duer na vdisnin
kur “të lumtunit” i thurnin lavd dhunës?

A thua vallë, s’të kujtohet;
kur me kryq mbi shpinë silleshim
qelive, në heshtje t’përgjakuna
pa mundun unë t’isha ti, e ti t’ishe unë

Ndoshta nji ditë kan me u harrue t’gjitha,
gjithçka që jetën deri n’palcë na e breu
kan me u harrue dhe vdekjet që s’mundëm me i mbulue,
po jo besimin që patëm dhe shpresën.
Tiranë, maj 1954.
(Marrë nga libri”Muret e Muzgut”)

19 maj 1954 – 31 dhjetor 1958
periudha prej 19 majit 1954 deri në  31 dhjetor 1958, quhet faza e interrnimit në kampin e Kuçit të Kurveleshit. Ku për nji periudhë 4 vjeçare, shumë prej intelektualve ma të njoftun që dilnin prej burgjeve të komunizmit dërgoheshin në izolim të plotë në malet e Kuçit të Kurveleshit. Nji periudhë tmerri dhe vuejtjesh ku kishim dalë nga nji lloj burgu dhe na kishin izolue në nji lloj burgu tjetër në natyre, mês malesh te egra e jashtë bote…

Lazër Radi me të birin Alfredin. Savër 1954
Lazër Radi me të birin Alfredin – Savër 1954

Në kërkim të vetvetes

Tinës
i shkoj mbas nji hije të zezë:
nji hije që më ndjek –
nji hije që e ndjek.
e që fytyrat
njeni-tjetrit
s’ia shohim dot!

Shtegtar i rraskapitun,
rrugë pa rrugë kërkova:
askund, as hije, as fytyra
s’takova…

Në cilën pasqyrë buronje
asht shterrë
e ka humbun vallë,
imazhi im i mjerë?!
Kuç i Kurveleshit, 1955
(Marrë nga libri”Muret e Muzgut”)

Lazer Radi mids te interrnuarve - Kampi i Savres 1954
Lazer Radi mids te interrnuarve –
Kampi i Savres 1954

12 mars 1956
Lirohet nga burgu e shoqja Vitore Radi.
E mbetun midis katër rrugave… ajo nuk pati asnji zgjidhje tjetër veçse nji ditë me u nisë drejt kampit të Kuçit të Kurveleshit ku ishte i shoqi i saj…
E shkatërrueme na hetuesia dhe burgu, ajo shkoi ma së pari në Kishën e Shna Ndout në Laç, dhe e bani krejt të përpjetën gjunjas duke iu lutë Zotit dh Shna Ndout që t’i falte qoftë edhe nji fëmijë të vetëm mbas tanë atyne vuejtjeve që ajo kurrë nuk pati guxim t’i rrëfejë…

15 prill 1956
“Prej datës 14 prill 1956, deri me 30 prill 1956, u nisa nga Tirana, së bashku me Vitkën e sapodalë prej burgu, dhe morëm rrugën e vështirë për të shkue në Kuç të Kurveleshit. Aty, prej dy vitesh jetonte Baba me 100 burra të dënuem! – tregon i biri,  Alfred Radi. Isha vetëm 14 vjeç, dhe ndejta dy javë aty në kamp ku jetohesh tmerrësisht keq. Sapo kisha mbaruar shtatvjeçaren kur më erdhi me telegram njoftimi se më kishte dalë e drejta e punës, dhe menjiherë u nisa për Tiranë. Vitkën e lashë aty në Kamp, së bashku me Babën. Ajo ishte e vetmja grua midis 100 burrave të humbun atje mes maleve dhe pyjeve të Kurveleshit”. – shkruan ai për kët ngjarje.

Jete kampesh Vitore dhe Jozef Radi - 1957
Jete kampesh – Vitore dhe Jozef Radi – 1957

Me datë 16 janar 1957
Mbas nantë muejsh jete të vështirë kampi, si e vetmja grue midis 100 burrave, dhe atij racioni që ishte 650 gram bukë për dy persona, u lind fëmija i parë, mbas burgut. Ata e quajtën Antonin, po në zyrat e gjendjes civile në Tiranë, i vëllai Antoni e regjistroi si Jozef… Ai lindi në qytetin e Elbasanit, ku ajo shkoi vetëm në ditët e fundit të barrës, vetëm ta lindte, mbasi aty jetonte i ati Frano dhe motra e vogël, Gjuzepina!

Me tetor 1957
Mbas nji lëngimi të gjatë, dhe kërkesash e telegramesh të panumërta, për t’i dhënë të paktën dy ditë leje Lazrit që ishte i izoluar në Kampin e Kuçit, veç sa ta shihte ai nanën, dhe ajo të birin, për të cilin kishte ba sakrificat ma të mëdha të jetës, në ditët e para të tetorit, në qytetin e Durrësit i vdes e ama Gonxhe Radi (Vila), e cila vitet e fundit së bashku me bijën Gjulianën kishin përjetue dhimbje pafund dhe kishin jetue në kushte tejet të vështira ekonomike.

Në nëntor të vitit 1957
Në vjeshtë të vitit 1957, kur nëna qe në përpëlitjet e vdekjes, Kryetari i Degës së Brendëshme të Vlorës, Petrit Hakani, e thërret në zyrën e vet dhe i ban nji oferte për shërbim e bashkëpunim, e ma pas edhe shuëm presion, që nëse “nuk do të bashkpunonte me ta” s’do të shihte nji ditë të bardhë… jo ai po as familja tashma e degdisun aty në Kampin e Kuçit të Kurveleshit. Lazri s’e pranoi në asnji mënyrë nji ofertë të tillë poshtëruese, po gjithsesi i kërkoi si dipllomat i kërkoi kohë me reflektue. Ai do t’i kujtonte gjithnji fjalën e grues së tij, Vitores kur i tregoi për ngjarjen në Degën e Vlorës: “Ma mirë vdesim të gjithë Lazër, ne dhe fëmija… e me këta s’duhet me pasë asnji punë, sa të jetë jeta!”
Për kët ndodhi, Lazri përgatiti edhe bocetin e nji rrëfimi mjaft të detajuem, i cili mbeti në dosjen e tij të punës, mbasi koha s’i premtoi ta përfundonte…

Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit të Vlorës 1957, Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi. Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit'hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.
Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit 1957,
Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi.
Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit’hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.

Çashtja – Hakani (Petrit)
1.Kuçi i Kurveleshit. Përshkrimi i natyrës së egër të vendit dhe klimës së ambël, gur, kersh, shkëmbinj. Format e çuditëshme të gurëve, kulçedër, dragoi, dinozaurë. Ishulli i pe(a)shkëve…
2.Internimi. Pak histori, lirimi nga burgu, Savra, Shtyllasi, Kuçi, Gradishta, Çermë, Savër.
3.Në Kuç. Jeta në dy godinat e Gjolekëve, ngarkimi me dru, tregimet rreth votrës, humori…
4.Lindja e djalit. Prishja e urave, nisja nga Ftera, Riviera etj. Ardhja. Kasollet. Në fillim në Tukule e mbasanej në nji ndërtesë ku kooperativa nuk e përdorte as për kafshët.
5.Ardhja e gjeneralit. Sa herë që vijshin vizitor të tillë e dijshim se kurrë nuk vijshin për të mirë. Mbas dreke filloi të thërriste nji e nga nji të gjithë të internuemit.
6.Biseda me gjeneralin në orët e vona të natës. Dramaciteti.
7.Tronditja. Lufta shpirtnore. Fëmija në kasolle. Gruaja në at vetmi pylli. Vaji i fëmijës.
8.Drama në kasolle.
9.Telegrami. Nga Durrësi vjen telegrami Nana asht në agoni. Po Dega nuk jep leje kurrsesi.
10.Biseda imagjinare. Me nanën aty rranzë mureve të burgut. Përshkrimi i ambientit. Besimi i nanës…
11.Lutje në Vlorë. Heshtje si nata e atij dimri Kuçiot. Telegramet nga Durrësi vinin njeni mbas tjetrit. Agonia vazhdonte! Kurse prej Vlone vetëm heshtje!
12.Nana që vdes! Dhe biseda tronditëse imagjinare me nanën.

1 janar 1959
1 janar 1959 deri me 19 qershor 1962, vazhdon xhiroja e internimeve tuj i çue në kampet e Shtyllasit, Radostinës, Gradishtës, Çermës dhe ma së fundi në atë të Savrës.

Jozef dhe Adriana Radi - Kampi i Cermes 1959
Jozef dhe Adriana Radi – Kampi i Cermes 1959

8 korrik 1959
Me 8 korrik 1959, ndërsa ndodheshin të interrnuem në Kampin e Çermës, u lind fëmija i dytë, vajza e vetme, Adriana.

Lazer, Vitore dhe Jozef Radi - Kampi i çermes 1959
Lazer, Vitore dhe Jozef Radi – Kampi i çermes 1959

19 qershor 1961
(19.06.1961 – 10.02.1991) – Vazhdojnë masat represive duke e spostue nga nji kamp në tjetrin, tashma tuj e heqë nga Kampi i Çermës dhe interrnue në nji tjetër Kamp në at të Savrës, ku ndërkohë ai do të punonte si mekanik, murator, marangoz, hekurkthyes, dizenjator dhe dy vitet e fundit edhe si punëtor krahu në bujqësi

Savër 1964 - Barakat dhe Luçian Radi.
Savër 1964 – Barakat dhe Luçian Radi.

27 korrik 1963
Me 27 korrik të vitit 1963, u lind në Savër edhe fëmija i tretë dhe i fundit, Luçiani.

Savër 1964  - Baraka e Lazrit - Gulielm e Marie Deda, Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi
Savër 1964 – Baraka e Lazrit – Gulielm e Marie Deda,
Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi

Gjatë vitit 1962 – ’63
Punon me kambëngulje që me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Migjenit, të paraqesë nji studim të shkurtë mbi Migjenin, poetin me të cilin kishte pasë njoftje personale. Për këtë ai bën hati nji dorshkrim dhe e çon në Tiranë, për shqyrtim “Lidhjes së Shkrimtarve”…
Ky punim që kohë ma vonë do t’i kthehej mbrapsht, ishte pa nji përgjigje zyrtare, po veç me nji nënvizimin me të kuqe si dhe dy pikëçuditëse dhe nji pikëpyetse!?! të fraza: “Poezia e Migjenit nuk i përket asnji ideollogjie”!!!

Lazer Radi i pari majtas ne ofiçinen e Plugut 1963
Lazer Radi i pari majtas ne ofiçinen e Plugut 1963
Vitore Radi ne qender - seleksionim Pambuku ne leme Saver 1969- Nine Destanishta Lajde Kokali - Mirakaj, Dudie Kupi e Llambrini Cuko
Vitore Radi ne qender – seleksionim Pambuku ne leme Saver 1969-
Nine Destanishta Lajde Kokali – Mirakaj, Dudie Kupi e Llambrini Cuko

1967-1974
Punon së bashku me Lekë Pervizin dhe Gëzim Lumin, si dinjezator të ndërmarrjes ma të madhe Bujqësore në vend, asaj “29 Nëntori” në Lushnje, e cila përfshinte 11 sektorët e kësaj ferme, të gjitha shërbenin edhe si Qendra Interrnim, të shpërndame në krejt Myzeqenë.

Me shkurt 1974
Në shkurt të vitit 1974, si rrjedhojë e ashpërsimit të “luftës klasave”, ai largohet përdhunshëm nga puna si dizenjator i “NBSH 29 Nëntori” dhe detyrohet të punojë si punëtor krahu në bujqësi për gati dy vjet, megjithse në moshë 58 vjeçare… e në prag të pensionit.

Saver 1966 - Dita e Pashkeve - tre femijet e Lazer Radit Jozef, Adriana dhe Luçian
Saver 1966 – Dita e Pashkeve –
Tre femijet e Lazer Radit Jozef, Adriana dhe Luçiano

Gjatë vitit 1974
E ndërsa punonte në bujqësi, Baba pati edhe nji problem me moshën.
Kur ishte ba regjistrimi i popullsisë në kohën e Zogut, Balto, i vëllai i madh i Lazrit, e kishte regjistrue me nji datëlindje, që nuk i korrespondonte asaj së vërtetës. Pra, në vend të 29 janarit 1916,  që ishte ditlindja e tij e saktë, ai i kishte vendosë datën 8 tetor e vitit 1918. I kishte vendosë datën e 8 tetorit, mbasi kjo i korrespondonte me ditëlindjen e Zogut… dhe Balto mendonte se edhe Lazri nji ditë do të bahej nji njeri i madh e i randsishëm… kurse si vit, i vuni atë vit që e gjykoj të arsyeshëm, po edhe me justifikue dy vitet shkollore që ai humbi prej kalimit nga Kosova në Shqipëri. Ndërsa punonte në bujqësi, Babës i doli ky problem i madh, sepse kështu i duheshin edhe dy vjet të tjera pune me u robtue në bujqësi, të cilat do të ishin vite rraskapitëse! Si me ja ba?
Edhe në kët rast, Baba gjeti nji zgjidhjen, sepse mendja e tij gjithmonë shndriste. E vetmja zgjidhje mund të ishte me i shkrujtë Famullisë së Prizrenit ku ishte regjistrimi i parë i lindjes. Dhe ashtu bani.
Me anë të nji letre asaj Famullie, ai i shpjegoi situatën në të cilën ndodhej dhe i kërkoi ndihmë Famullisë së Prizrenit, ku ishte regjistri kishtar i lindjeve, nëse ata mund t’i dërgonin nji dokument me datëlindjen e saktë.
Nji ditë në mëngjes, në mos gaboj duhet të ketë qenë e diele, sepse si tashti më kujtohet Baba dhe na ishim të gjithë në shpi, (gja që ndodhte vetëm të dielave), sapo isha ngrejtë prej shtratit kur dikush e solli letrën. Ishte diçka e veçantë, sepse ato letra që vijshin nga jashtë, në atë kohë, binin në sy për zarfat e tyne se i kishin disa vija blu e të kuqe rreth e përqark, kështu që dalloheshin menjiherë nga letrat e zakonshme të vendit.
Baba sapo e pa, e ndjeu qysh në të pame që ishte diçka nga jashtë shtetit.
E mori e hapi letrën dhe u gëzue pa masë, sepse me sa duket nuk po e shtynte dot ma punën në bujqësi. Në atë letër ishte përgjigja me datën e lindjes së saktë. Më kujtohet si tashti ajo letër, ku në fund të saj ishte nënshkrimi i priftit të Famullisë së Prizrenit quhej z. Nikoll Mici, (për të cilin kemi pyetur në korrikun e vitit 2000, kur shkuem për herë të parë në Prizren unë, Nini, Nandi dhe nji shoku jonë).
Mbas nji gjyqi korigjues, Lazri mundi të dalë në pension në Tetor të vitit 1976, dhe jo në janar, që ishte edhe ditëlindja e vërtetë e tij e shkrueme në dokument. Kjo edhe për faktin se kishin kalue disa muej nga ajo datë.
(Nga shënimet e të birit, Luçian Radi)

Foto e fundit e tre vellezerve Radi dhe motres së bashku Dasma e Terezinës - Tiranë 1969
Foto e fundit e tre vellezerve Radi dhe motres së bashku
Dasma e Terezinës – Tiranë 1969

8 tetor 1976
Edhe pse i lindur me 29 janar 1916, me 8 tetor 1976, ai del në pension të pjesshëm pleqërie, për shkak të viteve të burgut, mbasi i mungonte vjetërsia në punë, (pra vetëm 19 vite) me nji shpërblim prej 336.40 lekësh = e barasvlershme me blerjen e 42 kg sheqer, në muej, siç e përdorte ai me shka kët krahasim…

Viti 1976
Vdes në qytetin e Tiranës i vëllai Anton Radi (1908-1976)

viti 1979
Vdes në qytetin e Tiranës, i vëllai i madh – Bartolomeo (Balto) Radi (1904-1979)

Viti 1980
Vdes në qytetin e Tiranës, motra e vetme e tre vëllazënve – Gjyljana Radi (1910-1980)

Tre vellezerit Balto -Anton dhe Lazer Radi - Dasma e Terezines - Tirane 1969
Tre vellezerit Balto -Anton dhe Lazer Radi –
Dasma e Terezines me Eros Baçe – Tirane 1969

23 tetor 1982
Demaskohet publikisht në nji sallë plot prej 600 vetësh, si “Armik i betuem i Partisë dhe i Popullit” dhe si i pakënaqun nga regjimi komunist. Mbrojtja që ai i bani vetes në kët demaskim publik, ka qenë nji nga shembujt e rrallë, ku ai me nji qetësi dhe urtësi sokratiane e çmontoi krejt atë spektakël të ndytë e të shpifun komunist… Tuj e detyrue edhe Sekretarin e Partisë Petraq Nushi, ta mbyllte shpejt atë demaskim duke dëshmuar se ky është a i mençur sa “na jep ujë të gjithëve ne me bishtin e lugës… Po kjo nuk do të thotë se armiku është më i fortë se ne…!”

Në vitet 1976-1990
janë vite të qeta të pënsionit, ku ai do të kthehej në shërbim të familjes, të leximeve, të përkthimeve, të përkujdesjes për vajzën e cila në moshën 21 vjeçe iu dënua i shoqi për agjitacion e propagandë, dhe t’i ishte krah asaj në ketë jetë të vështirë që ajo pati… po ndoshte që në kohën e lirë, ai të luante edhe ndonjë mbrëmje pokeri me miqtë e tij të ngushte dhe djemtë e tij…

Lazër Radi, Lekani e Spiro Gjoka (Savër 1984,)
Lazër Radi, Lekani e Spiro Gjoka (Savër 1984,)

Në vitet 1985-1990
Periudha Reagan-Thecher-Vojtila, e shtyn me besue se komunizmi asht në prag të falimentimit të plotë. Pikërisht në kët kohë ai nis me shkruejtë kujtimet e veta, dorshkrimet e të cilave i ndau në tre vëllime; Prizreni, Shkodra dhe Roma… tri qytetet nyje të jerës së tij… Fëminia dhe adoleshenca; Gjimnazi dhe shpirti aktiv; dhe Vitet studentore ku së bashku me përkushtimin erdhi edhe katastrofa…Gjithashtu ai arriti të përgatisë dy libra me poezi; ndërkohë e kishte rifreskue dhe e plotsue veprën “Nji verë me Migjenin”, si dhe kishte përgatitë nji përmbledhje me kujtime mbi Mirash Ivanaj, si dhe kishte përkthye librin “Qytete dhe Fantazma” të Jovan Duçiqit.

Viti 1988
Përmes poetit Visar Zhiti, i posadalë nga burgu dhe pianistes Ermira Zyrakja që ishte mësuese muzike në Lushnje, ai njihet me poemën e jashtzakonëshme antidiktaturë dhe antistalinizëm të poetit malazes Jevrem Bërkoviq: “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, të cilën ai e përktheu mjeshtërisht dhe e dha të qarkullonte fshehtas dorë më dorë, ndër njerëzit e kulturës.
Ja si shkruante Lazri në Savër në vitin 1989:

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina
Berkoviç – Stalini, Mozarti dhe Maria Judina –
Perktheu Lazer Radi – Saver 1989

Vjeshtë kambanash gazmore

Me tingujt e nji brini
nji za me dritë
e zgjoi barin e fjetur…

Po ky tingulli tjetër
që po thyen prangat?
Zë shpëtimi duket!…
…………………………….
Pse hutohesh?
shko pas njatij tingulli,
ai lajmëron agimet e bardha.
Kjo vjeshtë kambanash gazmore
ka me ia ndërrue faqen
rruzullimit…
Savër, 1989
(Marrë nga libri”Muret e Muzgut”)

Lazer Radi - fragment nga dorshkrimet e tij - Saver 1986
Lazer Radi – fragment nga dorshkrimet e tij – Saver 1986

Dhjetor 1990 – shkurt 1991
Mbasi i biri Alfred Radi, vendoset në Itali, ai i le në mirëmbajtje shtëpinë në zonën e Shallvareve, më saktësisht Shtëpia njikatëshe në rruga “Reshit Çollaku “ – 118.
Kështu, mbas nji odiseje pothuej gjysëshekullore persekutimi çnjerëzor komunist, Ai së bashku me krejt familjen, dy djemtë e martuar dhe dy nipat kthehet në Tiranë  në fund të dhjetorit 1990, pra prej datës 23 Nëntor 1944 ditën kur qe arrestue, ai s’kish mundur të vinte këmbë në kryeqytet, pa lejen e Degës…

Lazër & Jozef Radi "Muret e Muzgut"
Lazër & Jozef Radi “Muret e Muzgut” – Tirane -1993

Stinët e mia
Me rastin e 75-vjetorit

Stinët e mia të mplakuna
në trishtim vjeshte
ndër gërmadha moshe,
ku korbat kërkojnë folenë e rè.

Livadhet e blerta kanë mbetë larg,
ku as kujtimet s’mbërrijnë,
vetëm do gurë të bardhë murranash
më rrethojnë si qingja të braktisun.

Oh! Atje përfund stinëve të mia,
ku s’shkel ma askush,
bien bora e harresës.
29 Janar, 1991
(Marrë nga libri “Muret e Muzgut”)

Lazer Radi midis Familjes se vet Saver 1989
Lazer Radi midis Familjes se vet Saver 1989

10 shkurt 1991
Savёr me 10/2/91
Rep.Pop.Soc. e Shqipёrisё
Kёsh. Pop. Fsh. Bash. N.B.SAVЁR
Nr. 6 Prot.
Mendim
Kёshilli Popullor Fshatit Bashkuar N.B. Savër – Lushnje nё mbledhjen e tij mori nё shqyrtim kёrkesёn e shtetasit Lazёr Radi dhe tё Jozef Radit punonjёs tё ndёrmarrjes Bujqёsore Savёr pёr lёvizjen faniljarisht pёr nё qytetin e Tiranёs, pasi u bind pёr kёrkesёn, mbasi shtetasi Lazёr Radi ka ardhur kёtu me masё internimi nga Tirana nё kёtё ndёrmarrje dhe e ka shlyer kёtё masё. Kёshilli popullor i jep tё drejtёn e largimit sё bashku me djalin e tij Jozef pёr tё banuar nё qytetin e Tiranёs nё Bllokun Nr. 5, Lagja 56, Rruga Reshit Çollaku Nr. 118 sipas kёrkesёs sё tij.
Bashkangjitur ju dёrgojmё edhe çertifikatёn e gjendjes Civile.
Pёr Kёshillin Popullor Fshatit Bashkuar Savёr
Kryetari (Pali Prifti)

Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij - Saver 1989
Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij –
Kampi i Savres 1989

Me kёt dokument, ndofta pa asnji lloj vlere, i lёshuar nga kampi i interrnimit nё Savёr, ku ai jetoi 30 vitet e fundit, merr fund dёnimi i Dr. Lazёr Radit, intelektualit erudit, ose siç e quajti Drejtori i ndёrmarrjes Polo Cakalli “ki intelektual borgez me zёmёr tё zezё…”. Lazri do ta pёrmendte shpesh periudhё gati gjysёmshekullore edhe me nji farё humori tragjik: “kalvari i 46 viteve e 117 ditёve dhe netёve” nёn komunizmin e ndritur. Prej kёsaj dite, pёr tё do tё niste nji jetё tjetёr aktive dhe e paepur. Nji jetё prej Feniksi, ku ai nё moshёn 75 vjeçare di t’ia kthente vetes andrrёn e lanё pёrgjysёm nё rininё e tij kur ishte vetёm 28 vjeç… Por pёr kёtё do tё flitet nё pjesёn e dytё tё kёsaj biografie, gjithnji pёrmes fakteve, dokumenteve dhe fotove.

Lazer dhe Vitore me dy nipat e tyre- Ervis Dine dhe Antonio Saver 1989
Lazer dhe Vitore me dy nipat e tyre-
Ervis Dine dhe Antonio – Saver 1989
Lazër Radi, Rada Anderman, Vera Kuqeshi e bika, dhe shoqëruesi i Sig. shtetit Agron … Savër, 3 maj 1990
Lazër Radi, Rada Anderman, Vera Kuqeshi e bika, dhe shoqëruesi i Sig. shtetit Agron …
Savër, 3 maj 1990

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.