back to top
23.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Kohë dosjesh – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Dosjet...
Dosjet…

Kohë dosjesh

nga Artan Kafexhiu

Sigurisht, që mund të hamendësohet se Ruritania (Shqipëria), ka qenë vendi “par excellence” i dosjeve. Secili supozohej se kishte dosje, madje disa, në disa ‘tiers’ (nivele të ndryshme) Kam dëgjuar këtë, më shumë, si prej atyre njerëzve me një njohje “më kompetente”, aq sa madje flitej për disa lloje dosjesh, deri në tre sisteme hierarkike dosjesh.
Por praktika e dosjeve, s’është unike për vende si Shqipëria; ka ndodhur e ndodh në përditësim, edhe në vendet që gëzojnë demokraci të shëndetëshme, siç janë vendet perëndimore. Veçse për arsye të ndryshme, e duke patur një ndryshim të madh; krijimi, procesi dhe roli i dosjeve të qytetarëve në dy sistemet: demokratike kundrejt atyre totalitare. Madje, këtë e ka përmëndur edhe Noli ynë, që çoi një pjesë të mirë të jetës së tij në Amerikë.
Në “Album II” e tij, i botuar në një numër të vogël kopjesh në SHBA, e që jo shumë njerëz patën fatin për ta lexuar në kohën e diktaturës, por s’është çudi akoma edhe sot, megjithëse ky libër, për arsye ende të pashpjegueshme për mua, i bënte sehir censurës së kohës, në skedarët e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, pak a shumë Noli, duke e perifrazuar atë, e përshkruan saktë rolin e dosjeve duke krahasuar të dy sistemet: Në Perëndim, dosja e secilit shërben si mbledhëse informacioni e referencë për të survejuar e regjistruar qendrimin e çdo qytetari, pa i hyrë ferra në këmbë, n’se nuk shkel ligjet e “common laë” bazuar në preçedentin juridik, ndërsa në një sistem totalitar, dosja sajohet e shërben si mjet shpifje e shantazhi, për të futur në burg këdo që i bije lapsi, si kundërshtar politik, apo duke e çuar fare lehtë, edhe në litar.
Duke u kthyer te sistemi i dosjeve në Shqipëri, fjalët e liga dhe ‘kompetente‘ thonë, se jo e njëjta gjë, shkruhej për çdo subjekt me dosje, apo qoftë edhe detajet e mbledhura për çdo shtetas ta zemë në “tier-in” I, sistemin e parë të dosjeve, krahasuar me sistemin e dytë, dhe për më tepër, në sistemin e tretë të tyre. ‘Gërmimi’ që do të urdhërohej e bëhej për ty, kryesisht varej nga detyra që i ishte dhënë operativëve apo zyrtarëve të caktuar dhe prej shtrirjes së kompetencave të tyre në hierarkinë e makinës së Sigurimit. Kjo puna e mbledhjes së informacionit, për disa ndoshta niste që “në lindje” të çdo individi, por të jeni krejt të sigurt, që elementet e dosjes ushqeheshin e shtoheshin, që prej kalimit të statusit prej të fatosit në atë të pionerit, me tej, në atë të të bërit anëtar i BRPSH-se, e kështu me radhë.

Prof. Arshi Pipa (1920-1997)
Prof. Arshi Pipa (1920-1997)

Por e gjithë kjo zhurmë rreth dosjeve, ka shumë pasaktësi e hamendësime; më shumë mbetet një tymnajë, e tepër e vështirë për të zbërthyer hallkat që e ushqenin, për arsye se shumë dosje krijoheshin e mbusheshin “me urdhër nga lart”, pra kishte shumë ndërhyrje për motive të ndryshme. Besohet se sistemi, parasëgjithash, vepronte në bazë të vullneteve, predispozicioneve, kujtesës e gërmimeve të njerëzve të caktuar në hirarkinë sociale e politike, që sistemi konsolidoi dalëngadalë për gati gjysëm shekulli, duke krijuar, ushqyer e mbajtur në çdo çast, atmosferën e frikës, terrorit, e persekutimit, që preku në shkallë të ndryshme, të gjitha nivelet e shoqërisë shqiptare.
Për të kuptuar “se si mund të bëheshe me dosje”, po kujtoj një moment të sjellë si dëshmi dhe rrëfyer prej vetë Arshi Pipës, në një prej shkrimeve të tij, rreth eksperiencës së tij personale me sistemin, që e mbajti në burg dhjetë vjet.
Ai përdor një shprehje në frëngjisht, – Lèse-Majesté, “t’i bësh keq Madhërisë së tij”, ku shteti dhe diktatori, njehsohen në një, e ti akuzohesh si rrezik për shtetin. Kjo për të kuptuar, se sistemi “i dosjeve dhe terrorit” të totalitarizmit, e kishte origjinën në fillimin dhe konsolidimin e një sistemi autarkik, pra pushteti në dorë të një personi të vetëm, që shëndrron të gjithë rrethin e tij në servila, që vazhdimisht i duhej të dëshmonin, e provonin besnikërinë dhe devotshmërinë ndaj njëshit, me lloj-lloj aktesh të shëmtuara të karakterit dhe poshtërsisë njerëzore. Spiunllëku, e për pasojë shkatërrimi i jetëve njerëzore, ishte ndër më të dallueshmit e ndër më të zgjedhurit.
Arshi Pipa shkruan (në anglisht): “Krime të llojit “Lèse-Majesté”, si të tilla ishin duke u grumbulluar prej kohësh (i referohet situatës së vet). Por çfarë më futi mua në burg, me shumë gjasa është incidenti në vazhdim. Ndodhi gjatë një leximi poezish në Tiranë. Po dëgjoja krejt pa reaguar (pasiv), deklamimet e zakonta patetike mbi revolucionin dhe heroizmin, kur një gjatosh ngjiti podiumin. Zëri i tij i lartë, xhestikulacioni i tepruar, përpiqeshin t’i jepnin flatra një breshërije fjalësh, që ndiqnin njëra tjetrën mbi tema të zakonshme dhe slogane. Pas rreth pesë minutash fjalësh pareshtur, poeti recitues, akoma nuk e kishte prekur temën e subjektit të poemës, që supozohej të ishte rreth ndërtimit të një fabrike.
“Ai do ta ndërtojë atë me slogane”, – njeriu ngjitur me mua shpotiti. Unë buzëqesha në shenjë aprovimi. Poema ishte aq e konsumuar si temë dhe përsëritëse, sa të hapej goja prej mërzisë. Njeriu ngjitur vazhdoi të shpotiste, po edhe unë reagoja në aprovim. S’kaloi gjatë, e të dy ne, u angazhuam në një dialog parodik dhe buzëqeshjesh aprovimi, e duke hedhur romuze. Kur shfaqja mbaroi, shkëmbyem përshendetjet, pa u prezantuar me njeri-tjetrin se kush ishim. Një mik më ndaloi në momentin, kur po dilja: “Paske njohje të mirë me Nako Spirun.” Unë u befasova. Spiru ishte Ministri i Ekonomisë dhe Kryetari i Rinisë Komuniste.
© Artan Kafexhiu,
Marrë nga Muri i Fb Artan Kafexhiu 1 tetor 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.