back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Koha e Xhaferr Devës! nga Nebil Çika

Gazeta

Xhafer Deva (1904-1978)
Xhafer Deva (1904-1978)

Koha e Xhaferr Devës! nga Nebil Çika

Në kohën e bashkimit kombëtar

Ai është djali i pestë, ndër shtatë djemtë e Ibrahim Agë Devës dhe Esmase, i lindur në Mitrovicë, me prejardhje nga Gjakova. Shkollën fillore e kreu në Mitrovicë, ndërsa të mesmen në Selanik. U diplomua në Stamboll në “Robert College” – shkolla më e vjetër amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara.
Politika shqiptare pa shumë dallime është përfshirë sot në atë që mund ta quajmë “projekti i bashkimit kombëtar” – një aspiratë historike e kombit shqiptar, por edhe një detyrim kushtetues i shtetit shqiptar. Pa dyshim që projekti i theksuar fort në retorikën politike, sidomos në periudhën gjatë dhe pas 100-vjetorit të pavarësisë, ka miratimin dhe mbështetjen e shumicës së shqiptarëve, pasi siç përcaktohet shumë drejt në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, është aspirata jonë historike. Projekti i bashkimit kombëtar, i shpallur në 100-vjetorin e pavarësisë, njëherazi edhe i copëtimit të Shqipërisë etnike, duket serioz dhe një zhvillim politik që garanton më shumë se kushdo stabilitetin në rajonin e dominuar nga luftërat dhe konfliktet etnike. Duket se ky projekt dhe retorika politike rreth tij do të dominojë edhe fushatat elektorale ne Shqipëri, por edhe viset shqiptare jashtë shtetit amë, duke u bërë këtej e tutje objektiv parësor mbarëkombëtar. Por, ndërsa politikanë e gazetarë janë përfshirë në debatin se si do të arrihet bashkimi kombëtar, ka pasur një kohë kur ky projekt ka qenë i realizuar. E gjejmë këtë periudhë të shkruar me emra të ndryshëm, por përcaktimi më domethënës e më realist nuk vjen nga historiografia zyrtare ose nga terminologjia politike, por nga populli, pjesëtarët e thjeshtë të kombit shqiptar në të gjitha hapësirat etnike të tij: Koha e Xhaferr Devës! Siç e dimë, shqiptarët i kanë ndarë kohët sipas drejtuesve politikë ose qeverive si koha e Perandorisë Osmane, koha e Zogut, koha e Enverit, koha e Titos etj. Në këto ndarje origjinale të periudhave historike pa dyshim më e mira me e shndritshmja, por fatkeqësisht më e shkurtra, është koha e Xhaferr Devës. E identifikuar me bashkimin kombëtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm, periudha 1943-1944 mund të konsiderohet si i vetmi moment i realizimit në praktikë të këtij ideali me kontributin parësor të një prej bijve më të mirë të kombit tonë, Xhaferr Devës. Sot shqiptaret, sidomos ata në ish-Jugosllavi, e kujtojnë me nderim kohën e Xhaferr Devës, pasi ajo përbën edhe provën që ideja ose projekti aktual i bashkimit kombëtar është plotësisht i realizueshëm.

Podujevë 1941 - në plan të parë Xhaferr Deva
Podujevë 1941 – në plan të parë Xhaferr Deva

Po kush ishte Xhafer Deva?
Ai është djali i pestë, ndër shtatë djemtë e Ibrahim Agë Devës dhe Esmasë, i lindur në Mitrovicë, me prejardhje nga Gjakova. Shkollën fillore e kreu në Mitrovicë, ndërsa të mesmen në Selanik. U diplomua në Stamboll në “Robert College” – shkolla më e vjetër amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara. Pas “Robert Kolexhit” në Stamboll, Xhaferr Deva vazhdoi studimet në Vjenë, ku edhe u diplomua në inxhinieri. Fliste pesë gjuhë të huaja dhe mund te konsiderohej si një nga intelektualët ose burrat e shtetit më të spikatur të kohës se vet. Doli në skenë pas lirimit nga burgu serb në kohën e pushtimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene më 17 prill 1941, nga gjermanët dhe u angazhua fillimisht në organizimin e pushtetit në rajonin Mitrovicë-Podujevё-Vushtrri, në atë pjesë të Kosovёs qё ishte nёn pushtimin gjerman. Në bashkëpunim me Rexhep Krasniqin dhe Ernest Koliqin, në kohën kur ishte ministër Arsimi, ky i fundit hapi shkolla shqipe në territoret shqiptare të ish-mbretërisë jugosllave. Në vitin 1943 ishte ndër nismëtarët kryesorë për krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”.
Nga mesi i vitit 1944 dhe deri në mbarim të Luftës ishte kryetar i organizatës Lidhja e Dytё e Prizrenit dhe drejtoi qëndresën për të penguar futjen e trupave komuniste jugosllave nё Kosovë. Në një moment kur nazistët i kërkuan zyrtarisht administratës shqiptare listat dhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi, ai dëshmoi virtyte më fisnike duke ndërhyrë për t’i shpëtuar ata. Burimet amerikane, sipas Sarner-it, thonë se dy përfaqësues të bashkësisë hebraike në Shqipëri, duke përfshirë dhe hebrenjtë e depërtuar prej vendeve të Evropës Qendrore, që kishin gjetur Shqipërinë si strehë shpëtimi, Rafael Jakohel-i dhe Mateo Mathatia i kërkuan ndihmë Xhafer Devës. Ai mori përsipër ta kundërshtonte kërkesën e nazistëve, duke mos pranuar që të prekeshin hebrenjtë e strehuar ne Shqipëri. Deva ia doli që t’i bindte gjermanët të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve, duke u bërë pjesë e këtij qëndrimi fisnik të kombit tonë, me të cilin ne krenohemi aq shumë sot. Në vitin 1944, ai u emërua ministёr i Punëve të Brendshme nё Qeverinё e Rexhep Mitrovicës në Tiranë, ku zbatoi një politikë të ashpër me komunistët, që ai i konsideronte vegla të serbëve, gjë që më vonë u vërtetua plotësisht.
Pas mbarimit të Luftёs, në dhjetor të 1944, shkoi nё Austri, mandej në Itali, ndërsa nga Italia më 1947 në Egjipt, nga Egjipti – në fund të 1947-tës kaloi në Damask të Sirisë. Këtu filloi një aktivitet politik, si botimi i gazetës “Bashkimi i Kombit” në vitin 1948, që ishte zëdhënëse e parë e nacionalizmit shqiptar, pas Luftës II Botërore. Këtu mundi të tubojë rreth vetës shumë bashkatdhetarë e patriotë, që kishin emigruar prej kohësh. Në vitin 1956, Xhafer Deva shkoi në Amerikë. Në fillim jetoi e punoi në Nju Jork, më vonë në Boston, kurse në vitin 1960, shkoi në Kaliforni, ku vendoset në Calavera Coubty. Aty rikrijoi organizatën “Lidhja e Dytë e Prizrenit në Mërgim”, që propagandoi çlirimin e Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare nё Jugosllavi. I respektuar nga të gjitha organizatat nacionaliste shqiptare jashtë Atdheut; ai vërehet në krye të tubimeve politike shqiptare të udhëheqjes nacionaliste në Aleksandri të Egjiptit, më 1949 dhe në Madrid më 1972; punoi si kontabilist në Universitetin e Stanfordit, të qytetit Palo Alto të Kalifornisë dhe referues në konferenca të ndryshme akademike. Vdiq më 25 maj 1978.

Qeveria e Rexhep Mitrovicës - 1944
Qeveria e Rexhep Mitrovicës – 1944

Armiku i komunistëve të Tiranës dhe Beogradit
Proverbi shqiptar “pema me fruta goditet me gurë” merr kuptim të plotë me atë qëndrim që politika komuniste shqiptare në Shqipëri e ajo jugosllave në ish-Jugosllavi mbajtën ndaj Xhaferr Deves, personit dhe figurës historike të tij. Akuza të mëdha u fabrikuan e u shpërndanë publikisht, ndërkohë që koka e tij ishte më e kërkuara nga qeveritë komuniste të Tiranës dhe Beogradit. Akuza më e madhe që i bëhej Devës nga qeveria komuniste e Tiranës ishte e ashtuquajtura “masakra e 4 shkurtit”, një ngjarje e fryrë dhe e falsifikuar, por akuzuesit e tij komunistë kurrë nuk paraqiten dot një dokument historik që e lidhte Devën me të. Siç është vërtetuar sot, vetë “masakra” ishte një sajesë politike e propagandistike, pasi edhe pse pretendohet, për 85 të vrarët askush nuk ka një listë me emrat e tyre. Historiografia komuniste vazhdon të justifikohet se shumica e viktimave ishin persona të paidentifikuar, gjë që duket e pabesueshme për një qyet me më pak se 20 mijë banorë, siç ishte Tirana në atë kohë. Janë identifikuar me mijëra të vrarë në masakrat serbe në Bosnjë e Kosovë, e nuk mund të identifikoheshin 85 persona të pretenduar në mes të kryeqytetit. Po varret e viktimave ku janë? Ne Shqipëri nuk i di askush, madje edhe ata që ende pretendojnë për ekzistencën e të ashtuquajturën “masakër e 4 shkurtit” nuk mund ta thonë një gjë të tillë. Sot dy dekada pas rënies së komunizmit shumë pak besojnë në vërtetësinë e kësaj legjende të fabrikuar nga komunistët, sidomos për sa i përket autorësisë së Xhaferr Devës. Por, në të vërtetë armiqësia e komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë ndaj Xhaferr Deves kishte arsye të tjera… Ato lidhen kryesisht me veprimtarinë patriotike e atdhetare të tij dhe, sidomos, faktin që ai arriti ta realizonte në praktikë një shtet të përbashkët për të gjithë shqiptarët, thënë ndryshe, Shqipërinë etnike. Kjo natyrisht ishte një vepër që binte e bie ndesh me interesat serbe e jugosllave dhe vasalëve të tyre në Tiranë, gjë që siç thamë, e bënë atë personin më të kërkuar nga qeveritë diktatoriale në Tiranë e Beograd, të cilat i bashkonte më së shumti lufta ndaj nacionalistëve, që sigurisht ua prishnin planet skllavëruese ndaj shqiptarëve. Akuza për bashkëpunim me gjermanët është pjesërisht e vërtete për faktin se ai u përpoq ta shfrytëzonte këtë situatë në dobi të çështjes kombëtare dhe duhet thënë se ia arriti duke realizuar qoftë edhe për dy vjet të parin shtet etnik shqiptar, një periudhë që forcoi dukshëm pozitat nacionale të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ai mund të konsiderohet si një nga idealistët nacionalistë më të mëdhenj në historinë tonë kombëtare dhe shkriu gjithçka për të realizuar një ëndërr që e patën dhe e kanë të gjithë patriotët shqiptarë. Ishte një prej shqiptarëve më të pasur të kohës së vet dhe e kishte të zgjidhur jetën e vet e të familjes, pra nuk kishte nevojë për pushtetin, gjë që e thekson edhe më shumë idealizimin e tij nacionalist. Në një intervistë të tij në Radio Tirana, në prill të vitit 1944, ai theksonte se nuk ishte në shërbim as të gjermanëve, e as të britanikëve, por të kumbit të tij, gjë që e dëshmoi me veprimtarinë e tij patriotike deri në fund të jetës. Fakti që ai jetoi e punoi në SHBA, hedh poshtë çdo akuzë të komunistëve për krime lufte ose bashkëpunim me nazistët. Dihet qëndrimi amerikan ndaj nazistëve dhe bashkëpunëtorëve te tyre, gjë që nuk do ta shpëtonte edhe Devën nëse aleatët do ta konsideronin të tillë.

Kosovë 1942
Kosovë 1942

Rivlerësimi i Devës si detyrim
Rivlerësimi nga historiografia zyrtare i Xhaferr Devës dhe veprës se tij është pa dyshim një detyrim mbarëkombëtar. Së pari këtë duhet ta bëjë Tirana zyrtare, ajo që anatemoi me akuza të fabrikuara personin dhe figurën e tij. Në këto vite post-komuniste ka një ndryshim të ngadaltë të trajtimit historik të kësaj figure të nderuar të historisë kombëtarë, por kjo duket e pamjaftueshme. Vlen për t’u vlerësuar vendimi i kryetarit aktual të Bashkisë se Tiranës, Lulzim Basha, që hoqi emrin e rrugës “Dëshmoret e 4 shkurtit” dhe në një ceremoni dinjitoze, ku morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Berisha, dhe ish-presidenti i Kosovës, Sejdiu, u vendos emri i presidentit Ibrahim Rugova. Ky përbën edhe të vetmin moment zyrtar të rishikimit të asaj pjese të historisë që lidhet me Xhaferr Devën, që u kundërshtua fort nga e majat ish-komuniste, e cila e ka të vështire të heqë dorë nga trashëgimia kriminale e pasardhësve politikë e gjenetikë të saj. Historianët komunistë, por edhe media e majtë, edhe pse me zë të mekur, vazhdon ta trajtojë Devën si tradhtar, ndërkohë që ai ishte njeriu që sakrifikoi e bëri kaq shumë për kombin shqiptar. Për shumicën e shqiptarëve vendosja e emrit te Ibrahim Rugovës në këtë rrugë është sigurisht nderim edhe për Xhaferr Devën.
Qëndrimi i Tiranës zyrtare është pa dyshim i rëndësishëm edhe për orientimin e historiografisë shqiptare në Shkup, Prishtinë e Mal të Zi.
Këmbëngulja jonë është që vlerësimi të fillojë nga Tirana edhe për faktin se shqiptarët në Shqipërinë politike janë më të keqinformuarit për figurën e Xhafer Devës, ndërkohë që nga shqiptarët në Kosovë e Maqedoni e Mal të Zi ai konsiderohet në masë si një hero.

Deva, kjo figurë patriotike
Koha e Xhaferr Devës duket se po troket sërish jo vetëm si figurë patriotike, por edhe si ideal e trend politik mbarëshqiptar. Ai, pavarësisht se ende nuk pranohet zyrtarisht, është një figurë e rehabilituar politikisht vetëm për faktin që politika aktuale po synon të realizojë pikërisht projektin e tij, atë që ai dhe patriotë të tjerë arritën ta realizonin de facto 70 vjet me parë. Shqipëria etnike është sot një projekt i njohur e, ndoshta i pranuar edhe ndërkombëtarisht. Muajin që kaloi kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e shtroi këtë çështje në Samitin e Sigurisë në Berlin, në prani të zv/presidentit amerikan Baiden dhe drejtuesve të tjerë europianë, duke hedhur kështu një hap të madh drejt bashkimit aq të dëshiruar kombëtar. Ne nuk shohim ndonjë ndryshim të dukshëm midis projektit politik të shpallur nga Berisha dhe asaj që dëshiroi e realizoi Deva 70 vjet më parë. Në këtë rrjedhë logjike të zhvillimit të gjërave mund të themi pa frikë se, nëse vitin e kaluar festuam 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë politike, këtë vit i bie të festojmë 70-vjetorin e Shqipërisë etnike, atij shteti të përbashkët që Deva e patriotë të tjerë shqiptarë arritën ta bëjnë e ta qeverisin në vitin 1943-1944. Shpresojmë shumë që shumë shpejt shqiptarët kudo që janë në trojet e tyre etnike në rajon të jenë e të jetojnë si në… Kohën e Xhaferr Devës.
Marrë nga gazeta “Shenja” 10.05.2013

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.