Kjo ditë e gjithë për të kujtuar 9 pjesë, aq sa dhe plagët e Gjergj Elez Alisë – nga Visar Zhiti

0
14
Visar dhe Eda Zhiti - Muzeun e Holokaustit në Washington
Visar dhe Eda Zhiti - Muzeun e Holokaustit në Washington
Visar dhe Eda Zhiti - Muzeun e Holokaustit në Washington
Visar dhe Eda Zhiti – Muzeun e Holokaustit në Washington
Tronditëse ka qenë vizita jonë në Muzeun e Holokaustit në Washington.
Në pjesën ballore të ngrehinës, mbi hyrjen kryesore varej një banner i madh, ku shkruhej “Ju kurrë mos pushoni së kërkuari përse”. Dhe e bëmë një foto aty…
Një punonjëse e shërbimit ftonte të gjithë vizitorët, duke na ndarë në burra dhe gra, që t’i afroheshim një kapice të madhe me… karta identiteti. Merrni njerën, na thoshte. Dhe ja goditja e parë: një histori personi, një jetë e ndërprerë përmblidhej në secilën kartë identiteti. Emra të shuar në kampet e vdekjes, nga Gjermania, nga Polonia, Çekosllovakia, Italia, Franca, nga Ballkani, nga gjithandej, emra, emra, emra të deportuar në Aushvic… që, me të mbërritur, i futnin në dhomat e gazit…
Ja, dhe njëri nga vagonat autentik të atyre trenave të ferrit, një foto dhe aty… më tej gryka e llahtarshme e furrës… hiri, o Zot, që dikur ishte jetë, si mund ta shohësh, pa të djegur sytë… më tej grumbulli i këpucëve të thara prej mosecjes. Cilat janë këpucët e emrit që unë mbaj në dorë, po të emrit tënd?
“Ju kurrë mos pushoni së kërkuari përse!” Prandaj e sjell këtë poemë në Ditën Botërore të kujtesës.
 .
Muzeun e Holokaustit në Washington
Muzeun e Holokaustit në Washington

Kjo ditë e gjithë për të kujtuar

9 pjesë, aq sa dhe plagët e Gjergj Elez Alisë –

nga Visar Zhiti

Çdo Solomoni,
të persekutuar a mbret, ligjvënës a mjek,
poet e mik, kujdo qoftë tjetër, edhe pa këtë emër,
bashkëvuajtës dhe i përndjekur, edhe në harrime…
 .
Visar Zhiti i burgosur
Visar Zhiti i burgosur

1.

Kjo ditë e gjithë për të kujtuar…
 
Por tmerri është më i madh, nuk e nxë dot kjo ditë,
del përtej. Kanë mbetur nëpër ajër klithma pa gojë
dhe lotë pa sy,
të përziera me shiun që nuk bie, por rri pezull
si një ankth. Dhe dhëmbja e mëpastajme
si lodrat e fëmijëve pa fëmijët,
të shkelura, të thyera.
Urtësi pleqsh të flakura tej si borsalinat e tyre të çara
dhe heshtje e zezë si një qen këmbëthyer,
gjysma macesh, copra pasqyrash, flatra zogjsh e librash…
I vërvit era andej-këndej apo kujtesa e çoroditur.
Në rrugën e zbrazët një këpucë gruaje e hedhur,
si zemër e shtrembëruar, e kuqerremtë si gjak i tharë…
 
dhe një djalë me pranga,
fantazmë që e arrestojnë çdo ditë…
 
Ku po e çonin jetën? Ku?
 
Shpejt, shpejt, shpejt, ec, lëviz! Ju – andej harrimit,
këtej harrimit – ju.
Shtyhuni! Të nisen makinat? Ku? Ku? Dhe urdhërat
kanë mbetur nëpër natë, në natën që s’ka yje,
por tela me gjëmba.
Në natën e fundit, ku nuk zbardh më…
Brenda natës ka prapë natë,
minierat e zeza të ferrit…
 

Muzeun e Holokaustit në Washington
Muzeun e Holokaustit në Washington
2.
Nga lart na vijnë fatkeqësitë, por jo nga Qielli.
Nga Golgota e dënimit
ku ngjitemi vetë,
të shtyrë nga djalli që gjithmonë mbetet poshtë,
në terr
dhe i ushqen rrënjët e së keqes
me egoizmin helmues, me ambicjet vrastare,
që bëhen çmenduri kolektive. Doktrinë e krimit…
 
Po unë dua ditën time të harresës…
 
3.
Avitem për andej, kaloj në kohë i lemerisur,
ndal mes dënimit, shpirt dhe i largët,
plagë që vetëm dhëmb, dot nuk pëshpëris: të kishit
shkuar në vendin tim, dikur, nuk do ju përzinin,
do ju prisnin nëpër shtëpitë e varfëra, do ju mbronin,
edhe pse të pushtuar
nga vrasësit e përbashkët. Bukën
dhe frikën me ju do ta ndanin. Se ndodhi vërtet,
si nuk ndodhi?
Qëndresa dhe nderi si në librat tuaj të lashtë…
 
Dua dhe unë ditën time të harresës…
 
Se pastaj u vërsulën mbi ne shumë më keq,
Na vranë tanët
dhe pastaj të vrarë na mbyllën burgjeve dhe punonim
në minierat e ferrit si skllevër…
Djalli po hakmerrej.
 
4.
Popull i zgjedhur, po Zoti na zgjedh dhe ne,
s’e dimë pse, për të vuajtur,
se vuajtja na e bëka më të mënçur botën
e martirizimi të shenjtë. I duhen të ardhmes si drita…
Të ecësh pas një Krishti prej ere, me dishepujt
e shenjtët e përhapur gjithandej.
Në vend të breroreve të tyre përshfaqen
pllanga të dritave të projektorëve të luftës,
në burgje e në kufi,
mbi fytyrën e atij që do të zbraseshin plumbat
si breshër i mortjes.
 
I gjatë rreshti i të dënuarve, shumë i gjatë,
dhe rreshti i ushtarëve po ashtu, ende më i gjatë…
 
gjysma në të shkuarën
dhe gjysma në të ardhmen
dhe thashë, nuk mjafton një ditë për të kujtuar…
 
5.
Dua dhe unë ditën time të harresës,
Të gjithëve u duhet një ditë tepër, jo vetëm të vrarëve…
 
Çizme të mëdha diktature
kanë bllokuar horizontet, njëra si e hitlertë, e zezë
dhe tjetra si e stalintë, e kuqe…
Alarm! Po ecën historia, jo kundërhistoria si përbindësh!
 
Midis tyre këpucë të kalbura, që ecin vetë pa këmbë.
Mos janë këpucët e vuajtjes, të durimit të padurueshëm,
të frikës së shndërruar në guxim paranojak? Ja,
dalin nga rrethimi, poshtë telave me gjëmba, ku
po shkoni, mijëra këpucë, se si jeni,
gojë ulërimash të vrara,
nuk ju nxë dot asnjë kujtesë,
pirgje leckash të gjalla, por krimi
është më i madh, ohu-u, sa i madh! Dhe sa e pakët
ndjenja e atyre që kryejnë krime, më e vogël
se guriçka brenda në njërën nga këpucët e vdekura.
Ja, ja, dhe këpucët e mia aty, as këpucë nuk ishin,
copa çizmesh të çara në minierat e ferrit…
 
Dhe unë, i zbathur, me këmbët e përgjakura,
me dobësitë sikur të ishte e Akilit,
me një shigjetë fatkeqësie të ngulur, që s’duket,
jo, jo, nuk dua të marr këpucë jetime të të tjerëve.
Dhe në m’u bindshin, teksa endem mes tyre
dhe kërkoj të miat. Por një amanet të fshehtë
mund ta marr,
i kujdoqoftë, është i njeriut, teksa i mbush me elegji
këpucët e nxira të netëve
dhe këpucët e zbardhura të ditëve…
 .

Muzeun e Holokaustit në Washington
Muzeun e Holokaustit në Washington
6.
Ndërgjegjen e botës nuk e mbyt dot të gjithë
gazi i kobshëm i furrave të së keqes.
Ky hi i hidhur jete s’është nga zjarri prometean,
nuk bën genocid zjarri dhe nuk marroset pas ndonjë doktrine.
Është i zjarrit tjetër të djallit
Që të fut të ftohtin e vdekjes. Kolla e krimit
u përhaq gjithandej, te rrugët e dyert,
kolliten shkallët, dritaret, shpresa, automatiku i zi,
deliret, pemët, librat, zhgënjimet, pendesa, stinët,
ëndrrat kolliten në ëndrra të sëmura…
Dhe ai sapun makabër, i nxjerrë nga të gjallët,
si mund t’i lajë duart e mëkatit?
 
Dua dhe unë ditën time të harresës,
Të gjithëve u duhet një ditë tepër, jo vetëm të vrarëve,
edhe vrasëse,që të pendohen…
 
M’u mor fryma, errësirë… Më sillni një rreze të thyer,
diçka që feks, një pikël drite sa loti.
Ç’janë këto vezullime? Mijëra unaza
të mijëra gishtrinjve të prerë,
në atë shiun e ngrirë që nuk bie…
Po ora, ku është ora e njeriut, vajti vonë për kthimin
ku s’do të mbërrihet dot asnjëherë.
Kërkëllijnë skeletet, çohen nga balta e asgjësë dhe kërkojnë mishin
që ua zhvatën,
duan pyllin e djegur të flokëve. Ditën e hapur të syve,
kohën e pajetuar. Kujtesën prapë. Përsëri. Gjithmonë.
Pa kujtesë bota bëhet vetëm një kafkë.
 
Pse heshtin fjalët, po kalben
bashkë me buzët e kohës,
puthja e mortjes mbulon brigjet
dhe mijëra e mijëra këpucë bosh mbushen me shi
 
dhe ecin mbrapsht, nga dita e sotme e kujtesëz
i aviten fillimit,
ditës së parë të krimit… këpucë Buhenvaldi,
Aushvici, Dahau… nga gulagët në laogai… në Spaç,
Burrel, Qafë Bari… në burgjet pa emër të botës.
Fundosen në gropën ku kanë hedhur të gjallë
njerëzimin,
 
se qoftë dhe vetëm një njeri,
ai është njerëzimi i gjithë.
 
7.
Skeletet me koska mermeri
ulërijnë për atë pjesë jete të pakryer
më fort se sirenat ngjethëse të atyre trenave të egër
që s’ndalnin asgjëkundi,
veçse në stacionin e fundit të fundit.
Autoburgje dhe kamionë internimesh…
Le të bien epidemitë përreth, masakrat, ka prapë stacione,
është ai i ndërgjegjes së popujve, stacion tjetër i fantazmave…
Stacioni i tmerrshëm i kujtesës…
Ja, erdhën nga prapa diellit. Stacioni i fundit
i mallkimeve.
Po i mëshirës, i faljes? Stacione gërmadhë, që…
 
Ju – andej harrimit,
këtej harrimit – ju. Në mes ndarja
si një e çarë fatale e tokës.
 
S’ka më rreshta, as rregull,
turma mëkatesh, histori e shqyer
nga bishat që s’kanë histori, veç atë të daljes
nga shpellat,
gjëmojnë hapat e shurdhëta të akuzave të gjërave,
se ç’lëviz poshtë dheut të huaj, hapen vetë varret masive,
dal dhe unë.
E si të mos jem hebre, kur kam holokaustin tim?
Dhe gjerman i dënuar jam, polak, rus hungarez,
rumun, edhe palestinez, etj, etj, afrikan, aziatik,
amerikan, kryeqi është njëlloj kudo,
jam shqiptar në Kosovë, dal nga gropa e përbashkët…
E ti je unë… Kohë s’kam dhe aq që të ringjallem,
vërtitem në vorbulla gjyqesh,
jo në atë të fundit,
kërkoj ashtu si pallton time të kalbur – kujtesë,
vetëm një ditë, e ç’i duhet më shumë një fantazme?
Parandjenjat rendin me motorë të zinj rrugëve të natës.
 
Mbi një fron era shfleton fletët e një Kurani vëllazërie…
Pallton time e ka vrasësi im, është ftohtë
dhe atij i duhet fati im,
ky i më pastajmi, i pasluftës,
i rënies së perandorisë të së keqes.
Palltoja e fatit shndërrohet në metal të ndryshkur,
e ngrirë mes erërave
ashtu si këpucët e zbrazëta në bregun e një lumi,
që nuk harron. Ku i pashë, në ç’makth?
Të jetë art aluçinant? Pse ka më pas kësaj? Shpirti
gjithmonë është lakuriq në qiell.
 
Dhe një ditë kujtese për të gjithë…
 
8.
A mjafton një ditë për të kujtuar, i nxë dot të gjitha…?
Dua ditën time të harresës… Ja, vjen agu i ditës tjetër
me një diell kryecopëtuar. Nuk mjafton as kjo ditë,
aq më pak një jetë.
As harresa nuk mjafton, s’mundet, nuk e përpin dot
të tërën, nuk mjafton as vdekja.
 
T’i kujtojmë të vrarët tanë… Vrasja e tyre na kujton
që nuk i mbrojtëm dot, por të mos rivriten me harresë…
Të vrarët nuk kanë vdekjen e tyre,
prandaj ata nuk vdesin kurrë.
 
Kurse vrasësit, ah vrasësit, ata janë të pa edukuar…
Po kjo është pak, pu-pu sa pak që mund të thuhet
e s’ka pike rëndësi për ta.
Të egër janë, të tmerrshëm, pa shpirt, asgjë s’kanë
që të mund t’u shkojë në Qiell.
Në baltën e ferrit do të mbeten duke e bërë baltën
edhe më të keqe…
 
Mëshirë dhe lutje. Edhe për armikun. Ta duam,
aq sa na do, më thua ti…
Me drejtësi në fillim edhe për ata.
Pastaj për vete të duam
më shumë, të mos jemi si ata, kemi lindur që të duam,
pa dashuri nuk ka jetë…
durim dhe paqe!
 
Edhe baltën ta shpëtojmë, ta bëjmë siç ka qenë,
baltë krijuese, të jetës, e artit të njeriut…
 
9.
Koha pa kohë, e gjithkohëshmja… ecën
me hapat e zbathura të një Krishti.
U riktheve, Bir? Po unë që përjetoj një lamtumirë
që s’mbaron,
që lëkundet si dorë e këputur,
ja, u zvogëlua prej largësisë,
u bë si ajo dorëza prej argjëndi,
që hebrenjtë e quajnë yad, që me gishtin e zgjatur
të saj lexojnë librat e shenjtë.
 
Prekini plagët e mia
dhe dora do ju shndërrohet në argjend…
 
Si penë që dua të shkruaj, u bë lamtumira,
si çelës i shtëpisë tënde qoftë ora e kthimit,
e ke varur në qafë si një fëmijë,
që mos të të humbë gjatë lojës, se e gjitha lojë qënkërka,
Biri im, në tokë dhe në Qiell.
 
Dot nuk e kujtoj të gjithën, vuaj,
dhe të harroj të gjithën nuk mundem dot, vuaj.
Kujtesë-harresë… harresë-kujtesë… janë ditët e mia,
Kujtoj nga ato që duhen harruar,
harroj nga ato që duhen kujtuar,
 
 
Ç’po shkrin kështu mbi Ungjillin tim, çasti?
Pika të nxehta kohe
pikon kujtesa prej dylli e qiririt që ndeza
me shkëndijëzën time mes qerpikëve të pambrojtur,
prandaj dhe mërgoi nëpër yjet e largët.
Qiriri im i fundit
 
Romë, datë e harruar…
 

 

Related Images:

Artikulli paraprakZonjusha Tashko do të këndojë – nga Tajar Zavalani
Artikulli tjetërAh, sikur mos t’ishte andërr! – nga Hakik Mena
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.