back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Karroca tregim nga Rezart Palluqi

Gazeta

Shkrimtari Rezart Palluqi
Shkrimtari Rezart Palluqi

Karroca

tregim nga Rezart Palluqi

Ai e shkroi shumë herët kryeveprën e tij, ndaj edhe shpresa se do të shkruante një të dytë ishte shumë e madhe. Ndërkohë që fama e romanit të tij mjeshtëror po arrinte kulmin, ai vendosi që të bëjë realitet ëndrrën e tij fëmijërore: të blinte një karrocë me dy kuaj dhe t’i binte me të lart e poshtë vendit ku u lind. Donte të sodiste nga afër çdo vis, kodër, mal, lumë a det dhe njihej nga afër me banorët dhe traditat e të gjitha viseve.
Ho, ho! Kush e pati përfytyruar që “karroca” do të bëhej varri i lëvizshëm i librave të tij?
Miqtë e tij e quajtën si një lajthitje blerjen e karrocës me dy kuaj. Dikush tjetër konstatoi: “Kjo është protesta e shkrimtarit ndaj botës asimiluese teknologjike” Aktivistët e mjedisit e ndërlidhën karrocën me dashurinë e shkrimtarit për natyrën e gjelbër dhe të parrezikuar nga ndotjet e oxhaqeve me gojët e tyre më të mëdha se tubacionet e ujërave të zeza.
Shkrimtari Denis Beker po përjetonte euforinë që të japin sukseset e romaneve të parë, ndaj edhe i shpërfilli jo vetëm zërat kritikë, por edhe ata që e pagëzuan atë me një shkrimtar “natyralist”. Zgërdhihej kur fqinjtë e tallnin: “Dhe tani duhet të bëhesh pak bujk. Të blesh kashtë për kuajt. Të mësosh t’i mbathësh ata. T’iu pastrosh stallën – i thoshin ata sa herë që e ndeshnin në kafenetë  e lagjes.
“Unë mësova të shkruaj një roman të pavdekshëm. Kurse ju merakoseni për ca detyra me natyrë teknike që edhe njeriu më i paaftë mbas një farë kohe ua merr dorën”- i qetësonte ai.
Dhe ja tek po vinte karroca. Po i afrohej lagjes ku banonte. Banorët e saj ishin mësuar të shihnin karroca me kuaj, të ngarkuara me çiftin e sapomartuar. Mirëpo sot, nusja nuk dukej askund. As dhëndri. Ose nusja bënte bam. Atë e simbolizonte emri i karrocës që mbante edhe titullin e romanit të tij që korri famë botërore: “Dëbora që flet gjuhën e zjarrit”, ndërsa dhëndri, ndryshe nga ceremonitë tradicionale, nuk qëndronte i ulur në kabinë, përkrah nuses, por sot bënte karrocierin, i derdhur në një këmishë e pantallonta xhins.  Pa e vënë ujin në zjarr, Denis tërhiqte i qetë frerët e dy kuajve lëkurëkafenjtë. Syve kureshtarë ose tallës të fqinjve të tij, ai as nuk ia mohonte, as aprovonte rrezatimet e tyre tragji-komike. Sapo e parkoi karrocën në garazhin e madh dhe u vu të zgjidhë kuajt dhe fusë ata në garazh, gruaja ia ripërsëriti me mllef: “Mua nuk bën vaki të më shohësh në karrocën tënde. Përderisa nuk më dëgjove dhe e bleve me kokën tënde, tani shijoje atë i vetëm…”
Denisi u përpoq ta zbusë të shoqen me një të buzëqeshur, fillimisht fëmijërore, të pastruar prej çdo rrezatimi ironik. Shtizat e holla sarkastike shpëthyen prej luginave të syve të tij vetëm kur Roberta nuk po ia këpuste fillin zinxhirit të protestës së saj.
-Punë e madhe! Në vendin tënd do të vë një stivë të librave të mi. Në rregull? – e  përqeshi ai. Ajo hyri duke i ngjitur shkallët e shtëpisë me hapa të rëndë, thuaj se këpucët i kishte të mbushura me qeska me rërë të lagur.
Qysh prej asaj dite ai e shkeli këmbën në panteonin e shkrimtarëve jo vetëm prej talentit të tij prozaik, por edhe përzgjedhjes së mjetit të tij transportues, mjaft kontravers, “karrocës me kalë”. Të gjithë librat që pasuan, i shkroi gjatë udhëtimeve të pandërprera që ai bëri anembanë vendit. Gruaja e ndau një vit mbasi bleu karrocën. Me vete mori edhe dy fëmijët e tij, dymbëdhjetë dhe nëntë vjeç. Ëndrra e kahershme, që ta shëtisë vendin ku u lind me karrocë dhe aty të shkruante romanet e tij, ia mpiu çdo lloj ndjenje apo dhimbsurie atërore ndaj fëmijëve, që po ua kthente kurrizin aq pashpirtshmërisht, ndërkohë që në romanet e tij, familja ishte një ndër katër kollonat e tyre.
Që çdo e mirë sjell me vete një të keqe, këtë e dinte fort mirë shkrimtari Denis Beker, ama atë nuk e pati pritur ta nxjerrë kokën nga hapësira e karrocës së tij, sikur të ishte një gjarpër helmatisës, që u fut aty ndërsa ai bënte pushime të gjata përbri pllajave të kodrave, herë pranverore here vjeshtore; sodiste fushat që çdo pikë shiu apo çdo pëshpërime yjore e shndërronin në miliona lule bukuroshe. Jo! Kjo ndodhi ngaqë kritika letrare, dy vite mbas daljes së romanit të tij të famshëm, më shumë vëmendje po i kushtonte karrocës, kuajve dhe jetës e endjeve të tij në çdo cep të vendit, se sa romaneve të rinj që ai nxorri nga dora e tij. Në fillim e shpërfilli interesimin e tepruar, që jo vetëm gazetarët letrarë por edhe lexuesit e tij i kushtonin karrocës dhe jetës së tij endacake. Mirëpo gjithnjë e më shumë hapësirën e recensave për librat e tij të rinj po e dominonte përvoja e jetës së tij aventuriere dhe shumë e shumë më pak përmbajtja e romaneve të tij, që sipas kritikëve, artistikisht qëndronin shumë shkallë më poshtë. Kritikët, gjatë intervistave që i merrnin Denisit, prej dhjetë pyetjeve që i bënin, nëntë kishin të bënin me karrocën, kuajtë, frymëzimin e tij në natyrë, jetën si një udhëtar i paepur. Kur Denisi mbërrinte përpara redaksive për t’u intervistuar, gazetarët e kqyrnin karrocën me imtësi. Meqenëse e kishin parë me qindra here, ata mund të dallonin edhe vjetërimin e rrotave të saj, pëlhurën e zezë, e cila prej diellit dhe stuhive ishte zbardhëllyer dhe holluar. Kuajtë që po plakeshin dhe muskujt e kofshëve që holloheshin gjithnjë e më shumë, edhe kjo nuk u shpëtonte syve të tyre tejzhbirues. Dukej sikur talenti i tij letrar e kishte shitur shpirtin tek rrotat, bezja, dyert e karrocës, krifën, kokën dhe patkojtë e kuajve.
Denisin po e frustronte pra, jo vetëm karroca por edhe lexuesit e romaneve që po i pakësoheshin ndjeshëm. Katër romanet e rinj që shkroi mbas atij të parit, nuk u përfshinë kurrë në listën e dhjetë romaneve më të mirë. Po aq pesimiste u tregua edhe kritika letrare. Çdo reçensë mbyllej pak a shumë kështu: “Edhe këtë herë romani më i ri i shkrimtarit Denis Beker qëndron shumë poshtë kryeveprës së tij “Dëbora që flet gjuhën e zjarrit”. E vetmja vlerë letrare që përçon ky roman, ashtu si edhe tre paraardhësit, janë: gjuha e veçantë, shpesh dialektore  e personazheve si dhe ndërthurja e traditave klasike me ato moderne. Mirëpo ato nuk janë tretur siç duhet ngaqë romanit i mungon tenxherja magjike, ose siç e quajmë edhe ne, thatë: “fabula”.  Pa harruar këtu edhe strukturën kaotike të romanit që i përket pothuajse pikë për pikë jetës bredharake të shkrimtarit gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.
Më në fund ai u bind se karroca me kuajt duhej shitur sa më parë. Paçka se e dinte mirë se kjo nuk do ta nxirrte prej gropës së dështimit letrar ku kishte rënë dhjetë vitet e fundit. Megjithëse po ndergjegjësohej se bredhjet dhjetëvjeçare e kishin çoroditur ose bombarduar me aq shumë përshtypje, mbresa dhe vuajtje, saqë ato po e pengonin për të ndërtuar një roman kompakt me strukturë të qartë dhe që ishte në gjendje të mbante në ajër gjymtyrët e tij ashtu siç i mban një shpend krahët kur fluturon në lartësi të ulëta dhe të larta. Pastaj po i shtohej edhe dëshira për të shijuar ngrohtësinë familjare.  Shkëndija e dashurisë për familjen rilindi prej disa letrave që ai pati marrë muajt e fundit prej vajzës. Ajo i shkruante se dëshironte të takoheshin dhe kalonin disa fundjave së bashku. Javën e fundit u përball pra me turlilloj dëshirash. Ta shiste karrocën sa më shpejt, por pa kuajt. Ata ia kish enda t’i mbante në stallë. I vinte për të venë kujën kur i shihte ata të vraponin me aq bujari në çdo rrugë e drejtim që ai i urdhëronte. Kështu qe nuk ishin të pakta momentet kur luhatej që të shiste vetëm karrocën ndërsa kuajt jo! Por ideja për të mos i shitur kuajt e bëri të dyshojë se mbas një farë kohe mund t’i rikthehej jetës bredharake dhe riblinte karrocën.
Mbas qindra luhatjeve që zgjatën netë të gjata dhe të pagjuma, vendosi që t’i lajë duart me karrocën dhe dy kuajt e tij legjendarë. E shtyu dy ditë shitjen e karrocës ngaqë atë javë zhvillohej panairi i librit dhe tregu i librave të dorës së dytë. E urrente atë mjaft, ngaqë e konsideronte si varrezën e librave. I ish ankuar jo pak herë kryetarit të komunës që të mos e lejonte atë.

Zyra e postave... F. de Haenen 1913
Zyra e postave… F. de Haenen 1913

“Nuk kanë turp qytetarët tanë kur na i nxjerrin librat në treg për dy grosh? Parapëlqej më mirë t’i djegin libra tanë mbrapa mureve të shtëpive të tyre se sa të na tallin e përdhosin mundin në këtë mënyrë, m’u përpara hundës sonë” – i kish thënë.
Kryetari i komunës këtë radhë e kish befasuar me një përgjigje mjaft intelektuale: “Këtë e keni në dorë ju shkrimtarët. Mos shkruani libra të dobët sepse atëherë ne lexuesit nuk do t’i shporrim ata nga bibliotekat tona të vyera. Unë, librat e Shekspirit dhe Dostojefskit nuk i jap as për njëqind dollarë! – Ty më duket se kohët e fundit nuk po të këndon më pena ashtu siç të këndoi në romanin e parë?”- i kujtoi drejtuesi i komunës me zë të hollë duke e mbajtur dorën anash gojës për të mos e dëgjuar të tjerët. Denisi u bë piper. Llapat e veshëve iu skuqën si fletët e tulipanëve. Komunari këtë herë nxorri shpatën arrogante dhe ia preu kokën protestës së tij të cekët. Sikur të mos mjaftonte shuplaka oratore që i dha ai, Denisi, teksa po vërvitej i hutuar dhe pezmatuar përgjatë stendave të panairit, pa nga larg kopertinën e romanit të tij më të fundit me një pusullë të ngjitur në ballin e saj me çmimin qesharak: 50 cent. Në fillim, mendoi të grindej me botuesin e tij e t’ia shtrëngonte dhëmbët. Por mbas një grime, në mendje i feksi një plan më i djallëzuar. Mendoi që të porosiste një student që t’i  blinte të gjithë librat që  ndodheshin në stendë. Atëherë, emri i tij nuk do të përdhosej përballë lexuesve të tij, të cilët me siguri që do të mërmërisnin me tallje: “Vdiq Denis Beker. Qyqit! Po i shiten  librat më pak se një çokollatë me bajame!”. Dhe kështu e bëri. Ndërsa po kërkonte me sy të turbulluar për ndonjë student, po i lutej njëkohësisht Zotit që studenti të mos e njihte, përndryshe do t’i nxirrte sekretin dhe bëhej rezil kombëtarisht. Shyqyr zotin, plani i shkoi fjollë. Studentit, që i vuri gishtin, nuk e njohu, ngaqë paraqitja e tij e jashtme aktuale përkonte shumë pak me fotografinë në kopertinën e romanit të tij.  Gjithsesi studenti e pyeti mjaft kurioz se ç’i duheshin gjithato libra. Mendja e tij prej shkrimtari e  polli direkt gënjeshtrën. “Jam mësues letërsie në një shkollë të mesme. Javën që vjen kam ditlindjen dhe dëshiroj që të gjithë nxënësve të klasës sime t’iu dhuroj një kopje të shkrimtarit Denis Beker.  “Oho! Autorit të romanit të mrekullueshëm: “Dëbora që flet gjuhën e zjarrit” kërceu në ajër studenti. -Po, po – u përgjigj vakët Denisi. Entuziazmi i studentit jo vetëm që nuk ia ngrohu mëngjesin që vetëm se e kish sulmuar me stuhi të akullta, por ia akulloi edhe më shumë gjakun. E përfytyroi romanin e tij të suksesshëm si një diell gjigant dhe romanet e tjerë ca xixëllonja më të vogla se një kokrrizë sheqeri që mezi e ruanin flakërimën në netët e errëta. Nëse komunari ia plasi troç dështimin e tij letrar, studenti e bëri këtë krejt pa vetëdije. Kur u kthye me dy qeska të mëdha dingë me libra, studenti i bëri një pyetje mjaft pikante, që e zuri Denisin mjaft të papërgatitur.
“Nuk më the, përse nuk shkove t’i bleshë vetë? Shitësi mund t’i jepte me ulje akoma me të madhe.
Ndërsa Denis po përpiqej të sajonte gënjeshtrën e radhës, studenti i mençur sytë po i bridhte midis fotografisë së Denisit në kopertinë dhe fytyrës së tij fizike. Denisi e spikati këtë prandaj edhe e drejtoi atë drejt stendës tjetër ku edhe u detyrua të blinte dy vazo porcelani, vetëm e vetëm që studenti të mos ia verifikonte fotografinë. Kur e pa studentin të heshtë me mëdyshje, Denisi iu përgjigj. “Shitësi i stendës më njeh. Punon edhe ai mësues në shkollën e mesme ku unë jap mësim. Atëherë do të zbulohej surpriza. Prandaj…”
Studenti u duk të bindej. Kështu pandehu të paktën Denisi. E përshëndeti atë ngrohtë,  gjithnjë me fytyrën e kërrusur drejt xhepit të palltos ku po e fuste e nxirrte i hutuar portofolin. Djaloshi ia ktheu shkrimtarit kurrizin me ndjenja të përziera dhe përhumbi në turmën e dashamirësve të letërsisë me portofol të vockël ose koleksionistëve të librave të vjetër.
Ndërsa po ecte drejt karrocës, që e pati parkuar midis veturave moderne, mbushi sytë me lot. “Po mbart farën time të vdekur letrare. Të vdekur thashë? Jo, jo! Ajo nuk ka ndërruar jetë” – briti ai duke i kësyer zemra dhe përplasur shollat e këpucëve fort në trotuar. Një qen i bardhë dhe qimelëpirë u tremb prej zhurmës së thatë që lëshuan këpucët e tij. Megjithatë, kurajoja që i dha vetes nuk e nxorri nga gropa e vdekjes ku ishte zhytur. “Në këto dy qese ndodhen dhjetra netët pranverore dhe dimërore që kam ngrysur gjithato vite. Cicërimat e zogjve, mjaullimat e maceve buzë fshatrave, blegërimat e deleve, krrokamat e sorrave, të qarat, të qeshurat zëtrasha të fshatarëve e qytetarëve, mijëra fjalët, idiomat, të gjitha këto, sot, nuk kanë më zë. Por unë do t’i ringjall librat e mi. Po, po!”- kësaj herë  ai ulëriu. Dy burra dërdëllitën duke kthyer kokën. Meqenëse paraqitja estetike e Denisit linte shumë për të dëshiruar, me flokët e paqethur, kokën që i ngjante një mullari kashte ku kishin kullotur dhjetra lopë, i parruar dhe me pardesy të lerosur e pahekurosur, ata e morën për ndonjë burrë të ndarë nga gruaja ose beqar të lashtë, që zakonisht shthuren jo vetëm emocionalisht, por edhe nga pamja e jashtme i përngjajnë një peme të pakrasitur, që s’i njeh prej kohësh cicërimat e zogjve, as kashtën  e foleve të tyre, as pushin e gjetheve dhe frutave të gjelbra në pranverë.
“Oh, zot! Ëndrra ime fëmijërore, karroca me dy kuajt bukuroshë, po shndërrohet varreza e librave te mi!” – rënkoi ai me kokën e futur në kabinë dhe mbështetur mbi dy qeskat e mëdha me  libra. Lotët po i kullonin mbi qese, pikërisht mbi titullin e romanit të tij më të fundit: “Lulet e vetmuara” . Kishte përshtypjen se kishte dremitur pak, ngaqë boria e rrefkët e një veture e shkundi nga gjumi ose mpirja pakminutëshe.
Incidenti i romanit të tij të fundit e shtyu Denisin të mos e shiste karrocën. Përkundrazi, u betua që të mos ndahej kurrë prej saj. Vajzës, që mezi priste ta shihte, i shkroi një letër të ëmbël, vërtet atërore. Aty i kërkoi ndjesë që u nda nga mamaja e saj. I shpjegoi arsyet që e shtynë të ndahej prej mamasë së saj, dhe që zakonisht sipas tij ishte natyra e shkrimtarëve që vuajnë ose janë të bekuar prej pasionit të madh letrar. Se familja për ta bëhet një pengesë e madhe për të shkruar romane sa më të përkryer. Ai i parapriu pyetjes së saj: “Epo atëherë, përse vendosë të bëhesh baba?” “Nuk ma bën zemra të shkoj deri aty sa të pendohem që të solla në jetë. Jo, jo! Ti je vajzë krenare. Më mbushet shpirti plot jetë teksa kundroj fytyrën tënde në fotografinë që e kam ngulur në kabinën e karrocës ku edhe fle”- iu përgjigj ai.
Mbas kësaj letre, ai u takua dy herë me vajzën, fshehurazi mamasë së saj. Për habinë e tij më të madhe, në vend që t’i rritej dëshira për ta takuar atë më shpesh dhe në njëfarë mënyre t’i shkurtonte distancat me jetën dhe rrethin e tij familjar, ai u ftoh edhe më shumë. Sidoqoftë i rikujtoi vajzës dhe djalit se i donte shumë, por që për një farë kohe nuk mund t’i shihte nga afër. Akulli midis tij dhe fëmijëve sikur u shkri pak, ndaj edhe ata reflektuan mirëkuptim të thellë duke i kujtuar në çdo letër që i dërgonin: “të duam babi!”
Muajt që rrodhën, shkrimtari Denis Beker u përball me një obsesion dhe frikë të pahijshme për një shkrimtar të denjë: çdo natë ëndërronte katër librat e tij të pasuksesshëm duke u shitur për dy grosh në panairet ose sallat e bibliotekave apo trotuareve të qyteteve. Prandaj çdo mëngjes, mbasi i mbathte mirë kuajt dhe u jepte të hanin, kryesisht bukë të mbetura nga ditët e kaluara në vitrinat e furrave të bukës, dhe studionte në guidën e tij datat e përmuajshme të panairëve të librit, nisej tërë shqetësim drejt tyre. Atje blinte të gjithë librat e tij që shiteshin kundrejt çmimeve mjaft qesharake. Prandaj situata degradoi deri aty saqë hapësira e karrocës së tij po mbushej plot e për plot me librat e tij, të cilët ai nuk donte t’i shpallte të vdekur, por të keqkuptuar ose paragjykuar. Këtë ai donte ta besonte me gjithë shpirt, mirëpo dëshmia se katër romanet e tij të fundit ishin të palexueshëm, bënte mu! Mjaftonte të shfletoje një prej tyre dhe t’i hidhje një sy faqeve. Faqet e lexuara dallojnë gjithnjë prej të palexuarave. Ato janë të zhubravitura dhe të përthyera. Ndonjëherë lexuesi përthithës nënvizon fjalë ose fjali të tëra ose vë aty firmën e tij apo hedh ndonjë shkarravinë. Shenja të tilla i vëreje vetëm në katër faqet e para. Lexuesi më i durueshëm kish mbërritur deri në faqen e dhjetë. Këtë e konstatoi edhe ai vetë me zemër të ndrydhur dhe mpirë plotësisht. Atëherë iu kujtua  aksioma e tij e kahershme, të cilën e pati përfshirë edhe në romanin e tij të parë, atë që i hapi rrugët ndërkombëtare dhe e bëri ekonomikisht të pavarur. Aksioma tingëllonte: “Një roman i dobët i ngjan një atleti të pastërvitur, të cilit i merret fryma qysh në njëqindmetërshin e parë, ndërsa romani i mirë dallon dhe i përngjan vrapuesit elegant që frymëmarrjet i përshpejtohen vetëm kur e ka kaluar vijën e finishit të maratonës”. Përkufizimi i tij filozofik shpaloste pafuqishmërinë letrare të katër romaneve të tij, ku lexuesi në rastin më të mirë mezi i kish lexuar dhjetë faqe. Lexuesi nuk i kish lënë gjurmët e kënaqësisë së tij duke nënvizuar fjali apo pasazhe që shpesh gdhenden në  kujtesën e tij. Jo!! Syri i lexuesit aty nuk kish lënë as gërvishtjen më të vogël, pak a shumë si ato patinat e një skitari që rrëshqet mbi akull duke mos lënë as edhe një vijë të hollë mbi akull.

Trojka... F. de Haenen 1913
Trojka… F. de Haenen 1913

“Kush e pati përfytyruar o Zot, që karroca ime do të shndërrohej në një varr të lëvizshëm i farës sime letrare” – mërmëriste ai në ato pak çaste vetreflektimi, sepse përballja me të vërtetën nuk zgjaste më shumë se dhjetë minuta. Atëherë, ai i jepte zemër vetes dhe thurte lloj-lloj planesh. Njëri prej tyre ishte që të ndërtonte një arkiv të madh dhe atë ta quante: “Instituti i letërsisë së keqkuptuar ose paragjykuar”, ndaj, edhe i shiti të tërë pasuritë që pati trashëguar prej babait: mbi dhjetë dyqane, gjashtë magazina të mëdha që babai i përdorte për të grumbulluar mallra, që i shiste më vonë tek biznesi më i vogël. Një pjesë të parave i shpenzoi duke ua ngufur portofolët kritikëve letrare dhe gazetarëve, të cilët sapo e nuhatën pasigurinë e tij patologjike, vendosën ta kthejnë pllakën njëqind e tetëdhjetë gradë. Ish kritikën e tyre ekzekutuese ndaj romanëve të tij të dobët, ata e mohuan ose e quajtën atë të nxitueshme, mbasi ishin fokusuar me tepri  mbi anët e tyre të dobëta. Ndaj edhe botuan një ristudim me titullin “Denisi i rilexuar” duke nxjerrë në pah – gjithnjë sipas tyre – bukuritë e pazbuluara që fshihnin romanet e tij.
Për Denisin, këto zhvillime pozitive shërbyen si një serum për psikologjinë e tij të dërrmuar këmbë e kokë. Ndërkohë, dimri po afronte. Zakonisht ai i shmangte udhëtimet në dimër, sidomos zonat malore, ngaqë ato karakterizoheshin për kohën e tyre agresive dhe reshjet e papritura dhe të mëdha të dëborës, sidomos qyteza drejt së cilës ai u nis sot në mëngjes. Pabesisë së kohës së egër i shtohej kësaj radhe edhe karroca, e  cila ndryshe prej vizitës së tij të fundit, para tre viteve, ishte e ngarkuar me njëmijë e treqind libra. Nëse një roman peshon mesatarisht pesëqind gram, atëherë të tërë romanet e tij peshonin rreth gjashtëqind e pesëdhjetë kilogram. Ai e dinte mirë se rruga thikë që të shpinte për në qytezën malore, e shtrirë në një lartësi njëmijë e gjashtëqind metra mbi nivelin e detit, do t’ia vështirësonte punën kuajve të rraskapitur për ta tërhequr atë vertikalisht. Mirëpo ai duhej ta ndërmerrte këtë rrezik. Në qytezën malore ai kish gjetur një ndërtesë të braktisur, të cilën e kish blerë para dy muajsh dhe caktuar disa punëtorë që ta mobilonin atë me rafte të bukur e vishnin me tapete, ashtu siç i ka hije një institucioni letrar. Aty pra, ai do të strehonte të tërë tirazhin e katër romaneve të tij të fundit. Që të mos e shpallnin një shkrimtar diletant që nuk pranon vdekjen e romaneve të tij, ai futi në lojë edhe disa shkrimtarë të tjerë, që kishin nxjerrë nga dora kryesisht romane me imunitetin e trupit të një plaku të rrëgjuar, kockat e të cilëve treten si kallam sheqeri prej avujve të nxehtë të furrës letrare së përjetshme, asaj furrës ku mbijetojnë vetëm ato vepra arti që janë krijuar me temperaturën e llavës së vullkanit. “Llava nuk e ka frikë llavën” – tingëllon shprehja e urtë. Sa më shumë i afrohej qytetit verior, aq më shumë i pakësohej frika se pesha e madhe e karrocerisë do t’ia pamundësonte ngjitjen. Prapseprapë, planin alternativ nuk e përjashtoi, që librat në rast të ndonjë avarie të karrocës, t’i transportonte me ndonjë kamion të rastit. Nata po afronte dhe shkrimtari po ia tërhiqte gjithnjë e më egër frerët kuajve dhe kërcënuar ata t’i hidhnin më shpejt hapat. Kuajt hingërinin duke rënkuar dhe lëshuar shtëllunga avujsh që shformoheshin  shpejt. Kokën e tyre bukuroshe e shtrembëronin, sa herë që kapistra u shkaktonte dhimbje në gojët e tyre. Papritur muzgu po zbardhej, fillimisht prej reve qumështore që ashtu papritur shpërthyen miliarada flokë dëbore të trashë dhe të mëdhenj sa një kokërr gështenje.  Denisi u bind edhe pse me vështirësi se natën duhej ta kalonte në buzë të kodrës që kufizohej me malin më të lartë të vendlindjes së tij. Kjo, sepse brenda gjysmë ore bora e mbuloi tokën një pëllëmbë. Degët e pishave filluan të kullonin fort. Disa pika ose flokë dëbore gjysmë të shkrirë, i kullonin Denisit në qafë ose mbi kokë. Dhe dëbora nuk kishte së pushuari mbasi retë nuk e kishin zbrazur ende stomakun e tyre të akullt. Denisi mbasi e parkoi karrocën anë rrugës, shpresoi të gjente ndonjë kamion, ngarkonte aty librat dhe mbërrinte në qytet. Mirëpo në rrugë ndeshi vetëm pak vetura të cilat ecnin me shpejtësi të ulët. Njëra prej tyre ndaloi dhe i ofroi ndihmë. Denisi i tha se i duhej vetëm një çakmak.
-Je i sigurtë? – e pyeti shoferi, duke i fryrë duart me frymën e gojës së tij.
Denisi ishte përkujdesur që ta fshihte karrocën mbrapa disa pishave të larta që kufizonin me një pyll mjaft të madh. Përndryshe do ta njihnin menjëherë që ishte karroca e tij, e cila kohët e fundit ishte botuar disa herë në ballinën e gazetave të mëdha.
-Doni të thërras servisin e veturave? – ofroi sërish shoferi i panjohur. Ma merr mendja se keni avari në veturë? – u bë ai kurioz, ngaqë sytë edhe pse i kulloti gjatë, nuk i zunë përreth asnjë veturë të prishur, që zakonisht kanë ose kapakun e motorrit të hapur, ose del tym prej tij, ose kanë ndonjë rrotë të shfryrë.
-Po pres time shoqe. Nuk u ndje mirë dhe po vjell pak më tutje. Por ai dreq çakmaku m’u lag.  Më erdhi në majë të hundës për ta ndezur një herë. Mjaltë është kjo shejtankë cigareje kur bie dëborë. Tallet me dëborën, e sfidon atë me nxehtësinë e saj – u justifikua Denisi.
Drejtuesi i panjohur i veturës përligji joshjen e cigares së Denisit, duke e thithur atë akoma më fort e lëshuar rënkime kënaqësie. Kur shoferi i panjohur ndezi motorrin për të vazhduar udhëtimin e tij, Denisi i zgjati paketën e i dha një cigare. Ai kapi prej paketës dy cigare  dhe avulloi drejt kthesave të forta, që gjarpëronin në gjirin e kodrës së thepisur.
Kur e pa se veturat po rralloheshin dhe dëbora vetëm se po shtohej, ai u struk në karrocën e tij. Kqyrte me zemër të krisur mijëra dritëzat shtëpive të qytetit që lëbyrnin të vagullta dhe mezi e çanin bardhësinë e trashë të triliardave flokëve të dëborës. Ndenji ashtu gjatë, me derën e hapur të karrocës edhe pse një erë e ftohtë po ia shponte poret e trupit tejpërtej, pak a shumë siç bëjnë rrezet radiaktive kur skanojnë trupin e njeriut të sëmurë. Seç kishte një parandjenjë të keqe se ai dhe karroca e tij me barkun plot e përplot me libra nuk do ta ngjiste kodrën e lartë ku edhe shtrihej qyteti. Trishtimi dhe të mërdhihurit po i shtohej me shpejtësi, ndaj për ta fashitur atë u shtri mbi libra dhe u mbulua me kuvertën e trashë që e merrte gjithnjë me vete. Gjumin ia trazonte herëpashere kuajt, kur këta turfullonin ose përplasnin thundrat mbi tokë. Atëherë karroca bënte një lëvizje çerekmetërshe para-mbrapsh. Nga mesnata u zgjua duke mërmëritur: “kuajt e mi të mjerë”.  Ashtu, i pikëlluar, ndezi një cigare brenda në karrocë duke bërë kujdesin më të madh që ajo të mos i fuste zjarrin librave, sipas tij “të paragjykuar dhe keqkuptuar”, por që të nesërmen do të riradhiteshin në rafte dinjitozë dhe shumë shpejt do të gjenin rrugën për tek, – gjithnjë sipas tij -, “lexuesi i lëvruar dhe mendjehapur” që nuk ndikohet prej kritikëve dashakeqas dhe të politizuar.
“Edhe dy të thithura dhe do ta fik” – i premtoi vetes, paçka se cigarja po ia ngrohte kraharorin e ngrirë prej dëborës. Kur u shtri përsëri, Denisit iu bë sikur dëgjoi disa zëra studentësh, por nuk u kushtoi rëndësi ngaqë gjumi po e këpuste. Çuditërisht, ai vërejti se nën temperaturat e ulëta, si tani, trupat fizikë të librave vuanin njëlloj si trupi i tij. Aroma e tyre e mrekullueshme kundërmonte më pak. Aroma e akullt dhe e thatë e dëborës e pushtoi fuqimisht barkun e karrocës të zhytur në errësirë. Përfundimisht, Denisin e kish marrë gjumi pa e fikur mirë cigaren. Kur e zbuloi këtë ish shumë vonë. Po, po! Sepse një fjollë e trashë tymi e shkundi prej gjumit. Mbas tymit ai dalloi një rrip zjarri të gjatë sa një shpatë, por që po zgjatej duke përpirë gjithnjë e më shumë faqe librash. Donte të ulërinte, por tymi vetëm se trashej dhe errësohej. Zgjyra e tij të kallte datën ngaqë bënte një kontrast të tmerrshëm me bardhësinë e thellë të dëborës jashtë, ndaj dhe u dorëzua e doli duke u kollitur, pështyrë dhe marrë frymë me vështirësi. Atë çast mbi njëzet studentë mbinë përreth karrocës. Kishin vrapuar mbasi kishin dëgjuar çirrjet dhe panikun e Denisit. Ata vinin me autobus prej një udhëtimi të gjatë jasht vendit. Në kthesën e parë të kodrës, ku edhe shtrihet qyteti verior, rrotat e autobusit kishin filluar të bënin xhiro mbi rrugë; tashmë e mbuluar prej një shtrese akulli. Zjarri vetëm se rritej dhe copa e trashë prej kadifeje e karrocës po përpihej prej gjuhëve të zjarrta që i ushqenin nga poshtë  mijra faqet e thata të librave. Disa studentë po i çakërrenin sytë për të kuptuar nëse në karrocë ndodheshin njerëz. Kur e panë Denisin të kërcente në ajër i terrorizuar, duke qarë dhe gërricur faqet, e mbështollën në kraharor dhe u përpoqën ta frenojnë për të mos hyrë në karrocë. Njëri prej tyre e njohu edhe atë, edhe karrocën.
“O Zot! Çfarë tragjedie! Është karroca e shkrimtarit të  romanit të famshëm “Dëbora që flet gjuhën e zjarrit” – tha ai, çuditërisht i gëzuar!
Era e bojës së librave e dominoi përpak frymën e qiellit dimëror. Një shtëllungë librash gjysmë të djegur, u duk paq. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Denisi busullhumbur pa karrocën të largohej tutje livadhit duke tërhequr renë e madhe të zjarrtë që herë zgjerohej e herë ngushtohej. U kujtua  që kuajt e tij të dashur ishin të lidhur dhe se po kërkonin të shmangnin djegien për së gjalli. Ndaj, vrapoi instiktivisht mbas karrocës me shpresën se do ta arrinte atë dhe do t’u vinte në ndihmë kuajve të tij, ose “postierëve botëpërtejmë” siç i pëlqente t’i quante. Mirëpo karroca brenda disa minutave u lehtësua, e treti dhjamin e rëndë. Librat u dogjën, edhe bezja, ndenjësja, e çdo veshje tjetër e saj prej lëkure ose druri u bë shkrumb e hi. Tashmë karrocës i patën mbetur vetëm rrotat dhe skeleti i kabinës si edhe pak libra që prisnin të përpiheshin prej gjuhëve të zjarrit. Kuajt, nuk ndaluan, por si kafshë të zgjuara që janë, me të parë një liqenth të ndenjur, u futën atje duke hingëllirë dhe kërcyer me gjunjtë e tyre të bukur në ujë. Nuk zgjati shumë dhe zjarrfikësja mbërriti në vendin e ngjarjes. Denisin në fillim e trajtuan si një viktimë duke i ofruar ndihmë psikologjike, por mbas një jave, kur zbuluan arsyet e djegies së karrocës dhe një pjese të vogël të pyllit që ndodhej fare pranë vendit ku ai pati parkuar karrocën, e shpunë në rajonin policor të qytetit.

Pylli qe digjet...
Pylli qe digjet…

Mbas dy muajsh, shkrimtari Denis Beker doli në gjyq. Atje e dënuan me treqind ditë punë të detyruar për moskujdesinë fatale që ai tregoi me cigaren e tij, e cila nëse nuk do të kishte rënë dëborë do ta kish bërë shkrumbë e hi të tërë pyllin. Shtypi dhe rrethet letrare thurën skenare e histori nga më të ndryshmet. Gazetarët merreshin më shumë me anën juridike të tragjedisë. Mbas hetimeve që bënë, Ministria e Transportit ia paska ndaluar Denisit të qarkullojë me karrocë përbri rrugëve nacionale. Zbuluan gjithashtu se karroca e tij paska pas qenë e pasiguruar. Përkrah akuzave të tjera, e kritikuan rëndë që refuzoi ndihmën e shoferit të veturës, disa orë përpara se të shpërthente zjarri. Shkrimtarët nga ana e tyre, i dhanë ngjyresa hyjnore dramës së kolegut të tyre, Denis Beker. Sipas tyre, natyra ose Hyjnia ndërhyri dhe i dha fund dëshirës paranojake të tij. “Librat e dobët janë të destinuar të harrohen” – thoshin ata me zë të lartë.
Denis Beker, javët e para të punës së detyruar  i mbushi me ëndrrën që shihte rregullisht një dite mbas djegies së karrocës… Aty ëndërronte se karroca e tij atë natë nuk u dogj, por e çau bllokadën e dëborës duke fluturuar me mijëra romanet në barkun e sa, drejt qytetit verior, dymijë metra mbi nivelin  detit, siç i pëlqente ta quante. Atje, librat e tij të dështuar, u strehuan në rafte elegantë që shihnin nga dritarja me pamje nga deti. Ëndrrën tjetër, ose “anti-ëndrrën” që ai e shihte jo pak herë, nuk donte ta kujtonte. Aty, atij iu shfaq momenti i djegies së karrocës që u bë një turmë e madhe prej hiri, të cilin studentët e atënatshëm e trazonin me një shkop për të ngrohur duart. Ndërsa ata e bekonin  shpuzën e zjarrit të librave të tij për ngrohtësinë që u jepte, Denisi dalloi midis thëngjijve të zjarrit të rrëzëllente titulli i romanit të tij të famshëm: “Dëbora që flet gjuhën e zjarrit…”
Almere, 18 mars 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.