back to top
22.5 C
Tirana
E diel, 12 Maj, 2024

Kalvados – tregim nga Alfred Duka

Gazeta

Alfred Duka
Alfred Duka

Kalvados

tregim nga Alfred Duka

Rruga për në Tiranë, bëhej pjesë pjesë, një makinë deri në Milot, tjetra deri në Fushë-Krujë dhe ç’fat të kishe më tej për në Tiranë. Mbërrita aty nga rreth pasdrekës afër lagjes së treguar në reklamën e dhënë në tv. Pallati ishte një trekatëshe me tulla të kuqe. U ngjita në katin e tretë dhe i rashë ziles. Në derë u dha një burrë rreth të dyzetave. Mirëdita, e përshëndeta. A është kjo shtëpia e inxhinier Luan…? Po, unë jam tha. Jam i interesuar për disa nga mjetet bujqësore që keni reklamuar në RTSH. Po po, hajdeni, e ndryshoj aty për aty tonin e komunikimit të ftohtë i zoti i shtëpisë dhe u tërhoq bashkë me derën për të më hapur rrugën për të hyrë brenda. Dhoma nga ato që rëndom quheshin pritjeje, ishte e mobiluar kinezërisht, si gjthë të tjerat e qyteteve tona, por e pastër dhe mbante një aromë shumë të mirë. Fotot nëpër mure, ishin rrethuar nga disa korniza që nuk i kisha parë më parë, por edhe disa qelqurina brenda bufesë pogradecare, ndërhynin në ambjentin e saj me ato ngjyrat e ndezura, duke i dhënë pak buzëqeshje.
Arbër, e kam emrin dhe vij nga Lezha. Mirëserdhe më tha dhe më zgjati dorën ashtu ulur në minder. Dora i mbeti pak pezull, pasi nuk isha mësuar me atë ritin e dhënies së dorës për së dyti të mirëseardhjes, aq më tepër ulur, megjithatë u spostova pak nga e djathta ime, për t’u vënë në pozicionin e natyrshëm të dhënies se dorës pa lëvizur nga vendi, pasi as ai vetë nuk e bëri një mundim të tillë. Pas shkëmbimit të fjalëve të përshëndetjes, disi me kujdes fillova të artikuloj konkretisht arsyen e vajtjes në shtëpinë e tij. Mikpritësi u vu në dëgjim si një mjek, a thua se po i shpjegoja sëmundjen prej së cilës vuaja. Nuk kisha haber nga punët e tregtisë dhe për pasojë nuk i njihja raportet shitës-blerës. Ende nuk ishim kthyer në atë që u mësuam më vonë se klienti është mbreti për tregtarin.
Në ndërkohë që po i shpjegoja se sa tokë kam, inxhinieri u bë akoma më i interesuar duke i hapur më shumë sytë e ngritur pak vetullat e njëkohësisht mori një pamje meditative deri në përhumbje. Ndoshta filloi të bënte hesape.
-Duke qenë se paske aq shumë tokë, ju duhet një traktor, plugje, frezë dhe një makinë mbjellëse patjetër, pastaj mirë do të… dhe u hap dera e kuzhinës. Drejt meje… drejt meje u drejtua një grua e re, me një robedeshambër kashmiri ngjyrë kapuçino e lidhur në mes me një rrip, krahët e të cilit vareshin deri afër fundit të tij që tregonin vijën ndarëse të kofshëve të zonjës, nën rrobë. Gjinjtë e bëshëm e mbanin pa u përkulur dhe krenarisht peshën e deshambërit. Sytë e mëdhenj në gri, si të përgjumur, por butësisht deportues, i drejtoi nga unë pafajsisht, gati me përtesë, duke mbledhur pak çipat e buzëve të trasha, me një tërheqje për lart të lëkurës së fytyrës bashkë me konturin e fillimit të flokëve të lidhur pas kokës, lëvizje që e bënte akoma më ikonike sharmin e saj thellësisht femëror. Zgjati dorën dhe njëkohësisht më tha mirëseerdhët. Ishte hera e parë që shikoja nga afër një grua aq të bukur, për më tepër të më jepte dorën. E ndjeja se mund të isha përflakur në fytyrë dhe kjo po më rëndonte edhe më shumë emocionalisht, pavarësisht përpjekjeve të mia, për ta stabilizuar veten. Nuk qe e lehtë, për një axhami si puna ime. Ndoshta më e vështirë se e pamundur. Ndërkohë që po luftoja me veten, më shkrepi befasisht se diku e kisha parë, por kujtesa nuk po më thoshte asgjë në ato çaste. Nuk e di se sa çaste kaluan dhe më vetëtiu në kokë, si nën shumë rraqe të vjetra ajo që kisha fshehur, por harruar, se e kisha vizatuar atë portret herët në adoleshencë, atëhere e harruar tashmë, kur vizatoja pafund koka femrash, nga të cilat njëra më ishte bërë si model ideal dhe aq papritur pas aq vitesh ajo kokë po më buzëqeshte me një ëmbëlsi të kontrolluar, por që e kisha fizikisht aq afër. Ndërkohë më erdhi në kujtesë një shprehje të s’e di se kujt që, çdo burrë në çastin kur vdes, imazhi i fundit që merr me vete, është koka e një gruaje, që nuk është e thënë e asaj që ka dashtë më shumë, zaten edhe të ndonjërës që nuk e ka parë kurrë, shtova me vete.
Më duhej pa derman, për të mos u turpëruar me shtangien time, t’i vija një maskë fytyrës, pasi natyra ekspresive e imja, tradhtia e emocioneve dhe përflakja, mund të më bënte qesharak, apo më keq akoma, një të pafytyrë, çka do të ishte shumë e rëndë dhe e pahijshme. Nën sikletin e kësaj lufte me veten, për të mos e shpërfaqur emocionin, u kujtova se sytë më kishin mbetur jashtë maskës. Me to nuk kisha se çfarë të bëja dhe menjëherë i ula përdhe dhe, njëkohësisht u përpoqa për t’i dhënë pamjes sime, një si vuajtje, një si tjetër maskë mbi të parën. As sot, as atëherë, nuk jam i sigurt se kush e fitoi betejën me veten, unë apo emocionet e mia, unë, apo maska ime.
Menjëherë më vetëtiu në tru se maska ime mund të mos kishte funksionuar, pasi duke përdorur fytyrën e saj si pasqyrë të verifikimeve të mija, m’u bë se më shndërroj turbullt në objekt kënaqësie dhe vëzhgimi prej saj, apo ndoshta edhe qesendie, e cila nuk do të doja kurrë të paktën të mos ishte tallje. Qenia e saj më erdhi e mbështjellë me një si tis droje, si aureole brenda së cilës në tejdukshmërinë e saj dallohej një ajër femëror plot dritë, që ja ndriçonte më fort tiparet e errëta të lëkurës së dystë si mermer. Gruaja, e sigurt për hiret e saj dhe impaktin, po më vëzhgonte me një ndjenjë të përzier të kënaqësisë, keqardhjes, por edhe të kujdesit për shkak të pranisë së burrit, duke asistuar një buzëqeshje të kontrolluar me mesazh të dyfishtë-buzëqeshjen për mua dhe kontrollin për burrin e saj. Atë që disa gra e zotërojnë në perfeksion, duke i dhënë secilit adresimin e duhur njëkohësisht. Është si një intrigë pa fjalë. Nuk përjashtohet aspak mundësia, që ky ishte leximi im virtual, pa pikën e lidhjes me realitetin, pavarësisht se unë isha gati të betohesha për gjasën e vërtetë. Më pas bëri një hap mbrapa, mblodhi duart duke i lidhur njëra me tjetrën dhe si të thuash, po priste për të shkëmbyer fjalët e mirëseardhjes, ose urdhërin e burrit, në mungesë të tyre. Ndërkohë që unë nuk fola, pasi isha ende nën impaktin e goditjes prej pamjes së saj, gjë për të cilën thuajse isha krejt zbuluar, ndërhyri burri duke thyer heshtjen që po e rëndonte situatën, duke i thënë për të na sjellë diçka për të pirë. Nga ajo që solla nga Praga, e urdhëroi. Ajo u tërhoq ngadalë me një buzëqeshje që gjysmën e la aty e gjysmën tjetër e mori me vete në kuzhinë, duke tërhequr pas vetes derën e saj, si të donte vërtetë ta ndante atë buzëqeshje të hirshme përgjysmë me derë. Pasi u ndërmenda disi, m’u bë se po luante, por nuk isha i sigurtë se me kë më shumë. Pas një pauze të shkurtër, i zoti i shtëpisë më solli disi në vete, duke e rivendosur bisedën aty ku e ndërpreu prania e të shoqes.
-Juve ju duhen mjetet që ju thashë. Megjithatë e di se cila është mundësia e një fermeri për t’i blerë këto mjete, por jam në një marrëdhënie me një bankë për të kredituar ato persona që do të blejnë tek unë. Paraprakisht me një përllogaritje të thjeshtë të gjitha nuk e kalojnë shumën e nëntë milonë lekëve, po jua them me lek, pasi dollari po lëviz çdo ditë. Unë ju marrë përsipër për ta biseduar me ata të bankës, nëse ju jeni përfundimisht i interesuar për të blerë mjetet që folëm. Pastaj mendojmë se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë demokracia dhe gjërat do të vënë mirë.
-Paraprakisht jam dakord, i thashë. Ai u gëzua shumë dhe m’u duk se e kapërceu situatën e pakëndshme që u krijua pak më parë.
-Ju çfarë keni mbaruar?
-Institutin bujqësor, gënjeva.
-Aha, qenkeni tamam në fushën tënde. E njihni time shoqe?
-Jo, ju përgjigja.
-M’u bë se njiheshit…
-Jo jo, nuk njihemi.
-Aty tek ju ka dhënë, kur keni mbaruar?
-Në ‘87, ju përgjigja.
-Kush ju ka dhënë lëndën e Vitikulturës?
-Më duket se quhej Spiro. Nuk e di se si me erdhi ky emër, por që m’u bë se po dekonspirohesha nga pak.
-Prej 1984, këtë lëndë e ka dhënë ime shoqe dhe ndonjë Spiro aty nuk e di se ka dhënë këtë lëndë…
Ndërkohë hapet dera e kuzhinës dhe hyri në dhomë e zonja e shtëpisë me një tabaka që e mbante me të dyja duart, e uli në tavolinë, duke na ndarë nga një kafe dhe nga një kupë qelqi shumë të hapur me raki. Buzëqeshi, në drejtimin tim dhe tha: Mirëseerdhët! Sapo u drejtua, kapa vetëtimthi një shenjë që i bëri i shoqi për të dalë nga dhoma. Ajo u tërhoq duke u përpjekur për të kuptuar nëse unë e pikasa urdhërin e vrazhdë të shoqit dhe tërhoqi derën pak me tersëllime.
Ju tremba pa masë ndërlikimeve të më tejshme të zbardhjes së gënjeshtrës sime, duke më ballafaquar me të shoqen, por për çudi kjo nuk ndodhi, gjë që më çliroi pa masë, por frika se mund të hapej prapë, zuri të më pushtoi përsëri…
-Gëzuar! Mirëseerdhët, më tha i zoti i shtëpisë.
-Miresejugjeta, i thashë dhe vura në buzë rakinë, pastaj e ula gotën në tavolinë dhe ndërkohë që vendosa dy gishtat tek filxhani i kafesë, i zoti i shtëpisë më pyeti nëse më pëlqeu pija. Në ndërkohë që po bëhesha gati për të dhënë vlerësimin për të, u hap dera e kuzhinës dhe gruaja u dha me nje gotë lëngu në dorë, mori një pupë u ul në të përballë meje dhe pasi vendosi këmbën mbi këmbë, pa folur asnjë fjalë, po më vështronte qetësisht, si të donte të më maste nga koka tek këmbet. As gëzuar nuk më tha.
-Qenka shumë e mirë, ju përgjigja.
-Sigurisht që nuk e keni pirë ndonjëherë!
-Jo jo, nuk kam pi këtë lloj rakie.
-A mund ta gjeni se çfarë rakie është?
-Them se po.
-Pa na e thuaj, tha dhe bëri një gjest prej mësuesi kur është i sigurtë se nxënësi nuk e di përgjigjen.
-Mendoj se është Calvados.
U bë pak heshtje. Përgjigja ime e hutoi paksa, pastaj pak më shumë dhe lëvizi nga vendi me një gjest të fortë nervozizmi, hodhi pak sytë nga e shoqja dhe u mat që t’i thoshte diçka, por m’u duk se hoqi dorë, pastaj ja priti: më thatë se nuk keni qenë ndonjëherë jashtë shtetit.
-Nuk kam qenë asnjë herë, ju përgjigja.
-Atëhere si e gjetët që është Calvados? Këtu nuk ka hyrë akoma kjo pije. Mua ma bënë dhuratë në Pragë.
-E njoha nga përshkrimet e Remarkut, tek Harku i Triumfit, pija e Erikut… Nuk e keni lexuar?
M’i nguli sytë duke u tjetërsuar. Futi gishtat në flokë me nervozizëm dhe picërroi sytë me shumë inat në drejtimin tim. Unë në vend se të prisja një lëvdim për bingon dhe sqimën time, po merrja jo vetëm të kundërtën, por zaten me një inat të shprehur aq fort sa më befasoi aq shumë. Profesori u shndërrua në një njeri krejt pa lidhje nga i para pak çasteve. U bë një heshtje varri, i zoti i shtëpisë u përhumb sërish në disa llogari m’u duk, por koha po ecte dhe ai nuk ishte më aty, e pashë në sy, si për t’i thënë se përse ike mor burrë? Këto janë vetëm disa nga ato çaste plot me xixa ndriçuese, por edhe me tension dhe adrenalinë që ta shpojne lëkurën me mijra gjilpëra. E shoqja që kishte zënë vend përballë meje, po përpiqej për të kuptuar se çfarë po ndodhte, por që nuk ishte më aq e qetë si në fillim. I buzëqeshi të shoqit, por nuk mori mbrapsht asgjë. Pastaj më vështroj mua për të kompensuar mungesën e reagimit prej të shoqit. Unë heshta. Kishte filluar një lojë treshe krejt absurde.
-Çfarë njohje keni për mua, e theu heshtjen profesori.
-Nuk ju njoh, ja ktheva. Nga e dinit që isha në shtëpi?
-Nuk e dija, ndoqa reklamën, ju përgjigja shkurt. U ndal në një pikë diku në bufe dhe me gishtin tregues të dorës së djathtë të mbështetur në faqen, të kthyer pak, zuri të bëjë lëvizje si të rruajtjes me ato brisqet e hershme. E shoqja më nguli një vështrim drejt e në sy. I shoqi e kapi. Dil matanë, e urdhëroi. Ajo u ngrit si me përtesë duke u tundur hijshëm dhe me hapa të ngadaltë doli nga dhoma.
-A mund të dilni nga shtëpia ime dhe përnjëherë u ngrit me duart në mes, duke më drejtuar nga dera me sytë drejt saj, si dhe me ngritjen e mjekrës lart, si shenjë sfide. U ngjita. Kur dolëm në korridorin e ngushtë, unë u tërhoqa paksa për t’i dhënë hapësirë për të hapur derën, ndërsa ai thirri: -Monda, eja e përcille mikun. Mbetëm ashtu sy në sy, në dukje qetësisht, por jo sëbrendshmi.
-Mondaaa. Përsëri heshtje. Ai thirri prapë. Kësaj here funksionoi. Në korridorin e ngushtë u bëmë tre, gati fytyrë në fytyrë. Jepi dorën, e urdhëroi. Ajo ngriti dorën në nivelin e fundit të gjinjëve, në pritje te dorës sime. Ndërkohë që duart u lidhën, ajo më vështroi drejt e në sy dhe tha – mirëupafshim, i shoqi po e ndiqte me sytë picërruar dhe si me të shpejtë hapi derën me dorën e djathtë dhe me të majtën të vendosur në shpatullat e mia. Më shtyu paksa për të dalë, apo më mirë, për të më përzënë prej shtëpisë së tij.
Jashtë bënte ftohtë, ca re të përhime, të daravitura, sikur e kishin ftohur edhe më shumë motin e Tiranës. Luta me vete që të mos bjerë shi, pasi pa çadër deri tek Zogu i Zi, do të bëhesha qull, pastaj mund të më qëllonte që të hypja në ndonjë kamion në karrocieri dhe ftohja ishte e sigurt, por ndërkohë që ecja mendja më rrinte papushim tek mënyra dhe sjellja e profesorit. Profesor biri i botës. Nuk thonë kot se këta shumë të shkolluarëve ju mbetet nga një dërrasë mangut. Këtij rasti i shkonte shumë kjo thënie. Nuk arrija të kuptoja asgjë, ndërkohë që mora rrugën për të dale tek Ura e Elbasanit. Çfarë fjale, apo sjellje e imja qe aq e pahijshme, sa ta acaronte aq shumë atë profesorin? Po mendoja me vete, duke e kaluar në kujtesë, çdo fjalë, apo gjest timin. Të vetmin shkak që mendoja se mund të ishte bërë sebep, mund të ishte ndonjë muskul jashtë kontrollit, në momentin kur u shfaq e shoqja, apo kur solli kafenë me rakinë e mollës. Megjithatë, prapëseprapë nuk më dukej shkak i përligjur. Çfarë djallin pat atëherë? Të kishte qenë ajo gënjeshtra e Institutit të Kamzës? As kjo nuk më bindëte, pasi nuk m’u duk se dola aq zbuluar, megjithëse ai nuk e zgjati me ballafaqim me të shoqen. Mund ta bënte. Përse hoqi dorë? Edhe kjo më mbeti enigmë më vete, megjithatë ndoshta, sikur i dhashë karar, pasi asgjë tjetër nuk po gjeja si shenjë që të më bindëte.
Për vite me radhë më kishte munduar shkaku i asaj sjellje aq të pa takt, aq më tepër në shtëpinë e vet, të profesorit, por nuk kisha mbërritur askund. E kisha treguar si ngjarje disa here, por askush nuk kishte arritur të më jepte një shpjegim për të qenë, derisa pas shumë vitesh, një mikeshë, pasi e dëgjoj tregimin tim të përjetuar keq, më tha: përse je aq budalla?!
AD. 12.07.2023

Marre nga muri i FB i Alfred Duka, 12 korrik 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.