back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Ka (me pasë) konsiderim Akademik Gegënishtja? – nga Lizandri Kola

Gazeta

Lizandri Kola
Lizandri Kola

Ka (me pasë) konsiderim Akademik Gegënishtja?

nga Lizandri Kola

Po bie ma parë do pasazhe nga shkrimi im “Utopia e nji gjuhe si shëmti kombtare” (Sbunker, 16 tetor 2019 – interesant paska qëllue dhe datëlindja e Komandantit E. H.) mbi kremten e 50-vjetorit të “gjuhës së njësuar”, e cila u ba në mbyllje të vjetit që shkoi: “Dalëkadalë po vjen 50 vjetori i nji mumiet që gjuhëtarët shqiptarë stalinistë, e vunë në vitrinë në vitin 1972, tue iu gëzue njizetë vjetëve përpjekje për me e ba këtë gja (kujtojmë fillesat e 1952 për gjuhën e njësuar) […] Kremtimi i atij viti të shênjuem (2022) ka me ba me hapë përsëri dyert e dekës kah gegët. E mandej “gjama e burrave ka me u përzie tërbueshëm”, tevona “gjethi i vjeshtës ka me ra i djegun mbi kapuçat e bardhë”. Projeksioni i kostallarëve sigurisht sot asht utopik, edhe pse tash për tash kemi nji gjuhë që valëvitet si flamur kombtar. Sepse asnji folës nuk e prodhon atë gjuhë, ngaqë ata nisën me mbjellë tokën pa e ditë sa dynym kanë në dispozicion. Prandej rezultoi se vullneti i folësve asht ndryshe e po ndryshe ai i akademikëve të politizuem. Nisë prej perspektivës tyne, ata ndërtuen njikohësisht edhe fjalorët e shqipes. Qëlloi se çarku i duhanit e bloi trashë fletën. […] Tash pritet që do gjuhëtarë e akademikë me u vërsulë në foltore për këtë shëmtí që kanë prodhue vetë. Me u ulë porsi “ujqit prej malesh e me pi gjak në përrue”. Mediat kanë me shkrue se “drekë të mëdha u banë” për pesëdhetëvjetshin e gjuhës së njësuar, dhetëfish ma e re se tradita e gjuhës shqipe gege; ma saktë 560 vjet ma e moçme, kur nji prift i shuguruem e me emnin Pal Ejlli, u lênte djakojve të ardhshëm si dëshmi formulën e Pagëzimit.”
Në nji nga pikat e Rezolutës së Kongresit 1972, thuhet: “Kongresi porositi që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si edhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, “Rregullave të drejtshkrimit” t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura.” Mbas 50-vjetëve ASHSH (graviteti enverist ende asht në Tiranë për fat të keq), mendon se tash për tash nuk asht e nevojshme me përmirësue gja. Ironike! Vetëm gjuha shqipe “standarde” nuk evoluon çmos tanë botës.
Ndërkaq nji Peticion asht përpilue e hedhë online për me lypë rishqyrtimin e vendimeve në vjetin ‘72. Nji përpjekje ka qenë ba kah ‘93-4 prej rrethit të gjuhëtarëve të Shkodrës, shty ma së shumti prej Pipës. Ajo nismë përfundoi pa sukses, edhe pse kishte kontekst ma të duhun politik, kulturor e social e natyrisht gjuhësor. E ditun, Kongresi ka punue për mos me lëvizë gja ma. Tash nji kërkesë tjetër e nismëtarëve të Peticionit, asht përpilue (edhe pse me nji tekst të përziem e të pamotivuem, gego-standard). Deri në këto momente, s’dihet ta ketë vû kush ujin në zjerm me kthye përgjigje, prej te Presidentat, dhe Kryetarët e Akademive të SH, K, MZ dhe MV. Se ma Ambasadorët (për dijeni) jo se jo. Shto kësaj se përcjellja publike asht e dobët, kund 1.100 nënshkrime tash 2 muej që qarkullon shkresa. Për numrin e firmave në letër, mbledhë në nji lokal në Tiranë, para se Peticioni të ishte online, nuk jam në dijeni. Pritet me pá ma tej, a ka me pasë reagim institucional. Kërkesat e Peticionit janë politike, sikur vendimet e Kongresit, dhe ata ndryshohen vetëm politikisht (qoftë edhe përmes gjuhës). Kjo asht aksiomatike mos me thanë. Kushdo që përpiqet me i kuptue ndryshe, besoj se e ban prej padijes ose për qëllime tjera.
Për fund mendoj se koha e artë kulturore me pasë dialog për “gjuhën e njësuar” dhe gegënishten (tashma degradue si nyje historike-tradicionale prej ‘72) ishte në gjallje të Camajt e Pipës. Në kulmin e ndryshimeve post-komuniste, të dy i mposhti smundja e ndërruen jetë (1992 dhe 1997). Shto këtu se kishte dhe nji brez gjuhëtarësh ma të madh, qoftë stalinistë, qoftë jo. Sot brezi asht tejet ma i reduktuem. Nëse kishte nji kohë politike, ajo me siguri ishte e Berishës dhe e Topallit. Koha dëshmoi se ata e abroguen çdo përpjekje të tillë për dialog. E tash me nji KM në krye, që i shkonte goja lang prej sherbetit për Kongresistët e ‘72, çka mundet me pritë Peticioni po as ndokush që mendon me e inkuadrue çêshtjen në rrugë akademike, institucionale?

Ps. Unë e kam nënshkrue Peticionin, me të cilin jam njohë online, pa ma sugjerue kush e pa e mësue prej kujt. E kam ba këtë nënshkrim me vetëdije intelektuale e qytetare, me bindjen se çêshtjet kombtare-kulturore nuk janë vetëm mbrenda Shqipniet por edhe jashtë saj. E nëse dikund u tha në nji emision së voni, se ‘gjuha e njësuar ka pasë jetë prej 72-90’, aty duel qartë se problemi shihet vetëm mbrenda Tirane. E me e pá gegënishten në këtë rast mbrenda kufijve fizikë të Shqipnisë, asht faksimilizim i metodave enveriane. Për Diasporën Shqipe, fasha e artikulueme 72-90, nuk ka ekzistue. Nji pjesë e kësaj Diaspore ka advokue (pos veprave tyne) intensivisht kundër dhunimit të gjuhës shqipe nga stalinistët shqiptarë. Gegënishtja ekziston prej formulës së Pagëzimit e deri sot; atë nuk e ka pengue vendimi politik i ‘72 përveçse akademikisht. E natyrisht ajo mbín e hijeshohet përtej kufizimeve territoriale që i vênë po ata që lypin ‘gjithëpërfshimje’.
LK/AA
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.