back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Justina nga Edison Ypi

Gazeta

Justina Aliaj - Koncert Recital
Justina Aliaj – Koncert Recital

Justina… nga Edison Ypi

Brenda refuzimit total që i bëja kohës së mënxyrshme, ngjarjes në vazhdim nuk i mbaj mend as vitin as muajin. Duke krahasuar kordinatat kohore të ngjarjeve të tjera, besoj se duhet të ketë ndodhur diku pak para Festivalit të 11-ë.
Jo se nuk jam tani, se mbahem goxha, sikur sapo kam dalë nga veza dukem, por kur isha më i bukur se Riçard Giri dhe krejt Hollivudi, po sorollatesha një aksham tek Sheshi Skënderbej.
Në atë kohë, si dhe vite më pas, i përpirë nga leximet, librat, “Radio RAI”, “RAI TV” etj., s’kisha qënë kurrë as atëhere dhe as më vonë, në asnjë soc-koncert, soc-teatër, soc-film.
Atë aksham, pa e ditur as vet se si, këmbët, ato që jo rrallë dinë dhe ndjejnë më tepër se koka, më shpunë brenda Pallatit të Kulturës ku po bëhej një koncert me këngë. Hyra dhe nisa të vërdallosesha sa në katin e parë ku këndohej pa skenë, drejt në dysheme, dhe në katin e dytë ku është një si ballkon i gjatë rrethqark perimetrit kuadratik të sallës së madhe. Të dy katet ishin plot me të rinj. Këngët, si këngët e asaj kohe. Ama, ç’ësht e vërteta, jo të gjitha, se ende frynte ajo puhiza që më vonë u quajt “erë liberalizmi”.
Në këtë endje e sipër, duke dëgjuar të këndohej për partinë, puntorët, fitoret, uzinat, traktorët, kallot e duarve, djersën e kooperativës, befas nisi të këndojë një femër. U ndodha fare afër saj, nja katër a pesë metra.
Që në çastin e parë, hapin e parë, xhestin e parë, tingullin e parë, fjalën e parë, më shkaktoi mornica.
Ishte krejt e ndryshme, tepër larg partisë, puntorve, fabrikave, fitoreve.
Kishte një energji tjetër, një tonus të ndryshëm, rrezatim të panjohur, shije të paprovuar, vibracion të pangjajshëm.
E kënduara e saj ishte një miks mahnitës i talentit, butësisë dhe ëmbëlsisë njerëzore, seriozitetit, po aqsa edhe i një nervozizmi të dukshëm, një shqetsimi të brendshëm, një revolte të shpallur. Ishta pra, diçka e pa provuar kurrë më parë, diçka jo e atyshme, e këtushme, diçka e përtejme, njëkohësisht tepër e largët dhe tepër e afërt, diçka prej Udstoku, dhe më tepër.
Nuk më kujtohet kënga që këndoi, titulli, dhe asnjë fjalë.
Më kujtohet me përpikmëri diçka tjetër, diçka makabre, që më mbeti përgjithmonë në kujtesë.
Të mirkuptohen dhe ta nxisin reciprokisht njëri-tjetrin këngëtarët dhe publiku i sotëm, është diçka më se e natyrshme.
Atëhere mirkuptimi i këngëtarëve me publikun, ishte, ose i shtirur, ose ndodhte tepër-tepër rrallë.
Këngëtarja që sapo nisi të këndojë, pati aftësinë të realizojë në çast një mirkuptim të plotë me publikun, i elektrizoi menjëherë të gjithë. Edhe atë për të cilin kisha qënë i bindur se një gjë e tillë nuk mund t’i ndodhte kurrë, mua.

Rikthimi i Justina Aliajt
Rikthimi i Justina Aliajt

Kaluan çastet e para, sekondat e para, minuta e parë, minuta e dytë, këngëtarja po bënte diçka të paimagjinueshme. Po konsumonte herezinë më të madhe kundër kurvit, bukshkalësinë më të rëndë ndaj partisë, pabesinë më të përbindëshme ndaj Sigurimit;
Po lëvizte gjymtyrët!
Por, përveç duarve e këmbëve, po lëvizte dhe diçka tjetër, diçka që kapërxente çdo përfytyrim;
Po lëvizte belin!
Të lëvizësh gjymtyrët, beli lëviz vetiu.
Të lëvizësh këmbë e duar pa lëvizur dhe sadopak belin, edhe sikur të duash, nuk e bën dot.
Të këndoje pa lëvizur as gjymtyrët as belin, pra të këndoje i ngrirë si kallëp akulli, këtë në atë kohë e bënin të gjithë këngëtarët.
Ajo lëvizi edhe gjymtyrët edhe belin. Jo si qëllim në vetvete. Krejt natyrshëm, krejt shpenguar.
Mes bukurisë së zërit, ritmit, lëvizjeve të saj, çfarë ndodhi më pas, lus lexusin që ka dëshirë ta dijë, nëse ka probleme me zemrën, leximin e këtij shkrimi ta ndali këtë çast. Të tjerët, më pak të rrezikuar nga ndonjë infarkt, marramendje, alivanosje, apo damlla, mund ta vazhdojnë leximin, por patjetër të kapur pas ndonjë sendi për të mos u rrëzuar. Një gotë me ujë pranë për çdo eventualitet, është gjithashtu e rekomanduar.
Kur s’kishin kaluar as tre minuta, dikush me pamje tejet të merakosur, ja behu nga turma drejt këngëtares.
Isha fare afër. Pashë dhe dëgjova gjithçka.
Njeriu i ardhur nga turma, duke i treguar këngëtares duart dhe këmbët e saj lëvizëse, i tha; “Kujdes-kujdes-kujdes, jo kështu, mos lëviz!”. Pastaj, duke i treguar pak belin, nuk i tha gjë, por mesazhi apo urdhëri ishte më se i qartë;
Mos e lëviz belin!
Dola menjëherë jashtë duke mu marrë mentë.
Mbështetur rrëzë njërës prej kolonave, volla.
Ika i tmerruar. Lashë të tyret, vajta tek të miat, leximet, librat, RAI, Jash Gavronski, Paolo Testa, Roberto Gervaso, Vittorio Gassman, Maria Laura Giulietti, pastaj në krahët e Morfeut për të parë ëndrra të liga.
Nuk u interesova të di çfarë ndodhi më pas me këngëtaren që ja ngrinë gjymtyrët dhe belin dhe ja therën këngën.
Prej atëhere nuk i lashë më kurrë këmbët të më çonin në asnjë koncert.
Shumë më vonë, mes tmerreve të pafundme, krejt rastësisht, mora vesh se këngëtaren e talentit të madh, e zërit kumbues, energjisë, refuzimit, përbuzjes, revoltës, gjymtyrëve lëvizëse, që quhej Justina Aliaj e kishin degdisur diku.
Justina Aliajn e kishin vrarë dhe nuk e kishin groposur.
E vrarë e pa groposur, as e gjallë as e vdekur, për Justina Aliajn flisnin të gjithë. Vrasja dhe mosgroposja e kishin bërë të pavdekshme.
Thuhej se Justina Aliaj ishte si Ornella Vanoni dhe Vaçe Zela si Mina. Por s’do ment se dy tonat që këndonin ku gjymtyrët t’i ngrinin, këngën ta thernin, të vrisnin e s’të groposnin, ishin më të mira se dy italianet që mund të bënin ç’të donin dhe gjë e keqe s’i gjente.
Më mbeti në mendje njeriu që u shkëput nga turma për t’i sugjeruar Justina Aliajt ngrirjen në vend të lëvizjes, vdekjen në vend të jetës, vrasjen por jo groposjen.
Kush të kish’ qenë vallë?!
Ndonjë sigurimis që e vrau dhe nuk e groposi për ta bërë të vuante sa më tepër, ishte më se e besueshme.
Por ishte gjithaq e besueshme të kishte qenë edhe ndonjë dashamir shpëtimtar, i cili, përmes një gjesti gjoja prej vigjilenti, vërtet e vrau, por, që Justina gjithsesi të mbetej gjallë, nuk e groposi.
Asgjë për t’u habitur, e aq më pak për të mos e besuar. Sa kohë shqiptarët gdhiheshin e ngryseshin jetevdekjepërqafuar mund të ishte edhe njëri edhe tjetri. Prandaj mes të dyve edhe sot e kam të pamundur ta përcaktoj cili mund të ketë qënë.

Ta tundin portretin e kurvit. Ta lidhin shallin e kuq. Ta shkruajnë Historinë si të duan. S’ka problem. Qielli i kaltër do mbetet. Toka do vazhdojë të rrotullohet. Stinët do ndërrohen. Dielli do lindi e do ngrohi. Dallgët do vazhdojnë të përplasen në breg. E plagosur, e therur, e vrarë e pavarrosur, Justina Aliaj… ende këndon.
Mapo, 13 nentor 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.