back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

“Jetë shkodrane” – me autor Cuk Simonin (1889-1968)

Gazeta

“Jetë shkodrane” -  Cuk Simonin
“Jetë shkodrane” – Cuk Simoni

“Jetë shkodrane”,

me autor Cuk Simonin (1889-1968)

Romani me titull të përgjithshëm “Jetë shkodrane”, që ka për autor Cuk Simonin (1889-1968), ashtë si ahri mbi të cilin ngrihet e sotmja jonë qytetase, restaurue e përshtatë simbas nevojave e mundësive. Për të përdorë fjalët e veprës, ajo “lidhë kohën e kalueme të parëve tanë ma të lashtë me kohën e sodshme”. Tek e lexojmë, shohim kambët e atyne që na sollën deri këtu. Nji shkodran dallon se vazhdim i kujt asht, gjen lidhjet e nëntëshme, merr shpjegimet e disa tipikeve identitare, takon të parët aq të ngjashëm, vëren tiparet e trashigueme, kthehet me andje te nji amë e dikurshme, prek gjana që i ka dashtë, por s’ka dijtë çka. Sheh sa ka ecë dhe ku ende ka ngecë si individ e si shoqni. Thotë shyqyr se po qitet jashtë turku e të bajmë qefë sa s’ka ardhë komunizmi.
Ngjarjet zhvillohen nga periudha e Lidhjes së Prizrenit (1878). Mjedisi katolik. Gra që ecin me çarçaf në krye dhe mbas vëllait. Me t’u errë, veç ku ka dugajë me kandil ndezë, mundesh paksa me pa. Serreqi ka nji urë të naltë midis sheshit. Venediku asht i pranishëm sikurse dhe Bardhejt e Zadrima. Për Arrën e Madhe thuhet njatje larg, si në katund.
Romani ashtë karakterial. Plot vëzhgime dhe imtësi. Jeta e thjeshtë, por personazhet janë shtresorë dhe kompleksë. Aktorët që lëvizin nëpër të munden edhe me të rrejtë, po s’i vërejte me kujdes.
Sillen mjaft të dhana për shtëpi e oborre, lule e pemë, fizionomi e veshje, kremte e rite, të leme e vdekje, vizita e urime, javë marteset me pajë e gatime.

“Jetë shkodrane” -  Cuk Simonin (kopertina e pasme)
“Jetë shkodrane” – Cuk Simonin (kopertina e pasme)

Ka nota autobiografike. Maria, personazhi kryesor, ka ekzistue me të vërtetë.
Rrugës gjejmë edhe gjana për t’i sjellë në të sotmen të freskueme. Maria, po të lexonte romanin “Jetë shkodrane 2022”, pak do të merrte prej nesh për të çue në kohë të saj. Megjithëse në nji shekull e gjysmë largësi, ajo asht për t’u pasë zili nga Maria e sotme. Shquhet qëndrimi në çaste kur jeta luen ma akutet e saj. E befason t’anë. Befason edhe t’anë e sotëm. Ajo asht shembull edhe sot për nji vajzë shkodrane. Kur pritet të ketë vu kujën, ashtë e kthjellët, në ekuilibër, e peshueme, e parapërgatitun. Ka nji qetësi shpirtnore si mos me i pasë ndodhë kurrnji e keqe. Ajo asht nji vajzë për t’u martue me të, për të lypë dorën e saj, ose për ta lanë të lirë si ta ketë qitë cekën, nëpërmjet vetmohimit, njerëzimi me pasë mirë prej saj. Kjo vajzë duhej të ishte e ardhmja jonë. Në darsëm të saj duhej të ishim te tanë tue këndue valle.
Kënaquni me Shkodrën dhe shkodranishten e shoshitun nga Ardian Ndreca. Faleminders “Shejzave” dhe “Berkut”!
Në fund ka nji fjalorth, por pyetje do të keni për ma shumë fjalë e shprehje.
Jo për çka sjell libri 270 faqesh, por për sa na mundet xhepi, çmimi përban vështirësi.
Mosha 50 vjeç e sipër e lexon me andje. Për 70 e sipër mund të jetë mjaft emocionues. Për të rinjtë e llojit “ma mirë me dijtë se me pasë”, mjaftçka.
Dhuron kënaqësi estetike dhe morale. Të mëson (po deshte). Përmban tone të admirueshme besimi në Zotin.
Në fund ndoshta të thotë se edhe ti mund të jesh personazh i nji romani, që po shkruhet pikërisht tashti, pa dijeninë tande.
Të fala Gjonave & Shaqeve!

.
Marre nga Muri i Fb Albert Viktor Shala, 7 dhjetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.