back to top
13.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Islamofobia e papërligjun ndër lajmendjekësit shqiptarë nga Astrit Cani

Gazeta

Astrit Cani
Astrit Cani

Islamofobia e papërligjun

ndër lajmendjekësit shqiptarë

nga Astrit Cani

Asht koha kur spektakli ka arritë hipostazën e tij përfundimtare. Nuk prodhon ma as diçka që të ketë të paktën nivelin e argëtimit. Kurse niveli artistik asht zhdukë me kohë, tue ia lanë vendin nji sheshimi të frikshëm, që gjasme kompensohet me kurbën luhatëse të statistikave të shitjeve.
Tashma spektakli shet vetëm kronikën e vetes. I shet spektatorit lakuriqsinë e ktij vetë, si rrobaqepsit e Andersenit rrobat e reja të mbretit. Dhe ajo çka transmeton janë vetëm tiket.
Spektatorët dita-ditës shkojnë drejt zombifikimit.
Nji terren i volitshëm për ekspansionin e ktij eksperimeti antropologjik, ka qenë edhe Shqipnia, sidomos mbas vjetit 1997. Qysh atbotë, vit mbas viti kemi nji rritje eksponenciale të mediave, dhe nji vorfnim progresiv të çdo përmbajtjeje, ndërkohë që forma asht ba e pakonceptueshme.
Ajo çka e dominon frekuencën e perceptimit, dhe asht gjegjëse për depresionin e pashërueshëm të masave, asht LAJMI. Nji blitzkrieg i oreminutshëm, që i fut spektatorët në nji qorrsokak infocentrik, ku të gjithë, si te filmi “Eyes wide shut”, e dinë fjalëkalimin për me hy, po asnji s’e din atë për me dalë. Drita në fund të tunelit, asht pjesë e labirintit, jo dalje e tij.
Në nji vend si i joni, me sistem arsimor krejtësisht të manipuluem, me strukturë sociale piramidale – ku ata në majë bajnë turli gjanash, kurse tanë të tjerët poshtë vetëm komentojnë – lajmi përban të vetmen lidhje me botën, nji kordon umbilikal të lidhun me realitetin. Kur u përmbyt Shkodra, qëllova atje, dhe për shkak se përmbytja transmetohej live, mora telefonata shum ngulmuese nga Tirana, që më ftonin të largohesha, teksa unë, që nuk e shihja televizorin por thjesht e këqyrja, po shkoja me pi kafe në qendër, krejt i ngeshëm si përditë.

Nji debat ku shqiptarët lajmendjekës duket se e kanë humbë krejtësisht busullën e arsyes, asht ai mbi Islamin. Qysh kur u çlirue Afganistani e kndej, në imazherinë shqiptare, asht fiksu’ ideja se çdo burrë me mjekërr asht taleban, dhe fanatik gjaksor që mezi pret me vra e me pré. Teksa ky lavazh truni ka prodhue rezultatet e veta në Perëndimin e mbetun pa shtresë të mesme, nuk kuptohet si ka mujtë me funksionue në shkallë kaq të gjanë edhe ndër ne shqiptarët, që jemi edhe komb me shumicë muslimane. Mbi ç’bazë mund të jetë ngulitë nji perceptim i tillë? Dihet se ne i marrim pa kritikë fasonet ideologjike që na vijnë prej jashtë. Prapë, si mund t’ia përshtasim kaq lehtë mendësisë shqiptare? Si mundemi pra, që mbasi i kemi thanë natën e mirë pastiçerit të amël Beqo, apo komshiut të vjetër Braçe, të ulemi dhe të shkruejmë nji status në facebook ku e quejmë Islamin, nji “fé kriminale”, që “duhet luftuar”. Dhe kjo na mund të “qenkej detyrë e kombeve përparimtare evropiane, meqë vetë arabët nuk e bakan këtë gja??!”
Në rrethana normale nuk do të isha marrë me nji absurditet të tillë – dhe webi asht mbushë me kshu kakologjizmash – por mbështjetja që ky lloj absurdi fast-food gjen sot në publik, të ban me e mendue shpërfaqjen rapsodike të tij, si fillim të diçkaje ma të pariparueshme.
Ndamja bardh-e-zi e mira kndej e keqja andej, asht tipike jo e mendësive fetare, por e mendësisë ateiste-materialiste, mendësi që përhapet randshëm në periudha vorfnimi shpirtnor, siç asht në shkallë botnore, kjo e sotmja, ku imazhet kanë zëvendsue përvojën, dhe përvoja jetësore, asht ba ideal kaq i largët, sa me marrë edhe ato energji aspirative të cilat në kushtet kur jeta jetohet, i merr, eskatologjikisht, jeta e përtejme, ose projektimi i shpirtit në dimensionin e vet të lirisë.
Por le ta thjeshtojmë muhabetin.
Kemi rastin tonë, ’97-n.
Në atë vit e gjithë bota televizive, mori lajmin televiziv se shqiptarët, ishin nji popull me energji kriminale, me të cilin ma mirë mos me pasë punë. Në të vërtetë askush s’mori vesh asgja. Kush i hapi depot? Pse?… E kujt ishte regjia? Kjo nuk asht nji pyetje që mund të shtrohet mbrenda transmetimit. Kishte shumë gazetarë të vendeve të përparueme perëndimore që vinin tek ne “në kërkim të indigjenit”, dhe prodhonin “scoop”. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur kta gazetarë i grishnin fmitë shqiptarë me marrë armët dhe me shtie në ajër, që me dalë në Euronews… Nji anije me njerz e quejtun Katër i Radës u mbyt në Otranto në prani të rojes bregdetare italiane, dhe skandali u mbyll pa praninë e gazetarëve. Rast ma i butë ishte ai i anijes me familjarë që u nis nga Velipoja dhe autoriteti gjegjës italian vendosi kthimin mbrapsht të burrave dhe mbajtjen e grave të tyne. Nami i burrave shqiptarë, ishte i vulosun tashma. Po cila kushtetutë demokratike lejoka ndamjen kshtu me thikë të familjeve? Kta burrat janë “kriminela”, ose simbas formulës së Kadaresë, që asht edhe bajraktari i identitetit evropian të shqiptarëve: “jashtëqitja e kombit”.
Shqiptarët, edhe falë lavazhit të oreminutshëm mediatik, e kanë harrue historinë e vet. Historia nuk asht kronologjia, por ndjenja se çdo vepër e njeriut, duhet pa’ si vepër e jona dhe jo e tjetrit. Janë nji sasi e madhe që janë të bindun dhe të vendosun për rrezikun islamik, që i kanoset kontinentit të vjetër. Sidhe neve si mbrojtës klasikë të ktij kontinenti. Në fakt, Evropa plakë ka të drejtë që e sheh fundin e vet, te dyndjet e reja barbare, por historia ktu sheh nji fillim të ri. Kjo s’duhet harrue.
Neroni e dogji vetë Romën, dhe akuzoi të krishtenët e parë se ata ishin autorët. Situata e muslimanëve të sotëm, ngjan me atë të kristianëve të parë.
E.Boisset, tek libri “La fin du paganisme. Étude sur les dernières luttes religieuses en Occident au quatrième siècle” arsyeton, se “dhuna, që të legjitimohet, duhet të fitojë menjëherë”. Meqë perandorët anti-kristianë nuk arritën me fitue mejherë, e panë simpatinë e popujve të kalonte gradualisht në anën e të përndjekunve. Sot të përndjekunit janë muslimanët. Ata janë që vriten përditë në pabesi, rrihen dhe dhunohen, detyrohen me lshu shpitë e tyne. Por mbi të gjitha janë objekte të nji racizmi të papërmbajtun. Perëndimi i ka la duert, se fajin për ktë e ka Islami. Në të njejtën mënyrë “mediat perëndimore”, ia faturonin fenomenin e “maskave” ose ekzekutimeve mafioze të ’97-s, Kanunit.
Në kushtet e serës së neo-bolshevizmit, asht rritë nji brez i ri shqiptarësh, nuk arrin me e ba ma dallimin me esencës dhe aparencës. Nji brez pa identitet që i sheh muslimanët si intolerantë, ndërkohë që përditë na përsëritet, se islamizimi në masë i shqiptarëve, ndodhi nja 4 shekuj mbas pushtimit osman. Pse vonuen kaq shum me na konvertue asht pyetja, nse ardhja e tyne n’Evropë, paskej pasë ktë qëllim?
Në Shqipni, janë edhe nji aradhë intelektualoidësh gjasme me sens historie, që shkruejnë – tue prodhue tekste shum të dobta – mbi këtë rrezik. Gjergj Meta, Albert Nikolla, A. Gjekmarkaj, e do të tjerë, janë rreshtue në kte optikë, dhe i falen Plasarit, si ma eruditi për punë të rrajve europiane. At Zef Pllumi, që nuk e kishte n’asnji gram perbenizmin e ktyne, pat thanë nji fjalë “po ça janë kta priftat e sodit, kta s’dijnë latinisht”. Nuk pretendoj me iu msue latinishten Gjergj Metës me shokë, por do të më pëlqente që ata të ishin në gjendje të ma msojshin mue. Por jo! Janë tepër të zanun me leximin e veprave të kopjueme të Plasarit dhe ndjekjen e dritës në fund të tunelit (mbrenda ekranit), sesa me kqyrjen mbrenda vedit.
Islami, si formë e shpirtërimit universal, asht i themeluem mbi shkretëtinën. Ai shtron çashtjet e thjeshtë (pra thelbsore, pra të pathjeshtueshme) se kjo botë asht nji mirazh. Realiteti sub-stancial i ksaj bote asht shkrettina. Edhe daljet që spektakli na ofron, mirazhe janë. E vetmja mënyrë pra, me dalë prej labirintit, asht me pa’ mbrenda vedit, tue kalue përmes vedit.
Shqipja si gjuhë e kryehershme, i ka ruejtë të dy kuptimet e përkundërta te fjala rrisk. Ajo çka shihet si rrezik për Evropën e kancelarive me ajër të kondicionuem, asht në fakt rrisku që ka kontinenti, me rilindë edhe njiherë nga hini i vet.
(marrë nga Mapo me lejen e autorit)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.