Imzot Prend Doçi, Abat i Mirditës Pal Doçi (1993)

1
20
Prend Doçi - Abati i Mirditës (1846-1917)
Prend Doçi - Abati i Mirditës (1846-1917)
Prend Doçi - Abati i Mirditës (1846-1917)
Prend Doçi – Abati i Mirditës (1846-1917)

Imzot Prend Doçi – Abati i Mirditës (1846-1917)

Pal Doçi (1993)

Në gjurmë të figurave të historisë kombëtare

Në një raport mjaft të hollësishëm, që konsulli rus i dërgonte qeverisë së vet, mbi rrjedhën e punëve në Kongresin e Manastirit më 1908, ndër të tjera vë në dukje se: “…nuk qe e lehtë miratimi i alfabetit latin të shoqërisë “Bashkimi” mbasi Prend Doçi, Kryetar i saj dhe autori i alfabetit ishte prej Mirdite. Përfaqsuesit e krahinave më të përparume e quanin për fyerje të pranonin egërsinë e kësaj krahine të prapambetur…” Sidoqoftë krahas një tjetri të kaluar kohe, alfabeti i “Bashkimit” u pranua dhe mbetet një alfabet i përbashkët kombëtar, por kurrë s’u tha se Prend Doçi qe autori i tij. E kjo ka ndodhë për atë fakt të pamohueshëm historik që flet konsulli i huaj.
Edhe në tubimin me rastin e 80 vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar të organizuar në Tiranë më 25-28 Nëntor 1992, edhe pse pati një referat të veçantë për çështjet e kulturës, ku u përmendën sa e sa vetë, edhe të dorës së tretë në fushën e kulturës kombtare shqiptare, autori i referatit Prof. Alfred Uçi nuk e gjeti me vënd(!) të përmendte Prend Doçin, i cili për më afër se gjysëm shekulli 1870-1917, i ka shkri gjithë energjitë e veta mendore dhe fizike në dobi të atdheut dhe kombit, duke luftuar me pushkë dhe penë për zgjimin e ndërgjegjes së bashkimit kombtar për çlirimin dhe përparimin e shqiptarve.
Prend Doçi lindi në Bulgër të Mirditës, në 26 shkurt të vitit 1846. Në vitet 1859-1861, vijoi mësimet në seminarin papnor të Shkodrës, ndërsa në vitet 1861-1871, vijoj studimet në kolegjin urban të Romës, ku u laurue në filozofi. Thuhet se tezën e laurës e shkroi në disa kangë me vargje 12-rrokëshe në gjuhen latine.
Me 1871, kthehet në Shqipëri dhe shërben si prift në disa famulli të Mirditës, deri në vitin 1876, ku merr pjesë si frymëzues, organizator dhe luftëtar në  kryengritjen antiosmane të viteve 1876-1877, në Mirditë. Kuvendi i krerve kryengritës e ngarkoi me shkue në Vjenë, në Paris, Londër e Romë dhe me paraqitë atje kërkesat e tyre. Duke kalue pranë Gucisë u kap nga një skuadër ndjekëse turke dhe u dërgua në burgun e Stambollit. Me ndërhyrjen e përfaqësusve të Vatikanit kardinalit Hassun, të patriarkut armen të Stambollit Stefan Mzarian dhe tërthorazi të ambasadorit Austro-Hungarez Zichy, u lirua me kusht, që të mos shkelte më në tokat e perandorisë Osmane, pa leje të veçantë të Portës së Lartë.
Vatikani, në vjeshtë të vitit 1877, e dërgon me mision në Kanada ku shërben deri në vitin 1883. Shërben për pak kohë në Tivar dhe Athinë dhe më 1884, dërgohet me mision në Indi me qendër në Bombei, ku qëndron gjer më 1886, vit në të cilin kthehet në Romë. Mbas përpjekjesh të shumta arrin të nxjerë lejen dhe të kthehet në Shqipëri me detyrën e Abatit të Mirditës.
Në fushën e dijeve dhe të kulturës sfera e interesave të Prend Doçit ka qënë mjaft e gjërë, por shumë shkrime të tij, janë botuar pa emër dhe nuk njihen, kurse shumë të tjera kanë mbetur dorëshkrime dhe ende nuk janë gjetur.
Më 1870, ka botuar “Kajkë për Zojën Dora d’Istria” dhe po atë vit thuhet se ka shkruar dhe “Një kushtrim Shqiptarve” e botuar vetëm 20 vjet mbas vdekjes së tij. Tek “Fjamuri i Arbrit” ka botuar në vitin 1884-1885 elegjinë “Vaj për Maria Roza Toçin” dhe artikullin “Topografia e Lezhës”, një nga studim serioz dhe plot frymëzim me të dhëna të shumta për etnografinë, gjuhësinë, historinë dhe demografinë sociale të këtij qyteti të lashtë.

Historiani Pal Doçi
Historiani Pal Doçi

Më 1886 harton dy kumtime drejtuar Selisë se Shenjtë. Ne të parin me titull: “Kumtim për Epirin” parashtron shkencërisht autoktoninë e shqiptarve dhe luftën e klerit fanariot për të greqizuar viset shqiptare, duke mos lejuar shkollën dhe gjuhën shqipe. Në shtesën e kumtimit të dytë përligj domosdoshmërinë e rikrijimit të Abacisë së Mirditës, të mbyllur qysh më 1876.
Në një kumtim të vitit 1892, kundërshton me argumenta të shëndosha futjen e liturgjisë sllave (glogalitike) në Ipeshkvinë e Tivarit dhe përfundimin e një marveshjeje ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe qeverisë turke, pasi ato ishin me dëme të mëdha për shqiptarët. Më 1896, ai i parashtron qeverisë së Austro-Hungarisë një plan veprimi për autonominë e Shqiperisë, ku veç të tjerave në këtë veprimtari aktivizon dhe Murat Toptanin. Dipllomacia Austro-Hungareze jo vetëm që nuk e mbështet, por e pengoj atë . Më 1895, botoi poemthin “Shqypnia në robni”, e cila mbetet edhe kryevepra e tij poetike.
Themelon në Shkodër në vitin 1899, shoqërinë gjuhësore dhe letrare “Bashkimi”, e cila botoi 35 libra shqip nga fusha të ndryshme të dijes, hapi disa shkolla në Mirditë dhe me bashkepuntoret e vet hartoi dhe botoi gjithë tekstet e shkollës fillore shqipe, tekste të cilat u përdorën jo vetëm në Shkodër, po dhe në Durrës e gjer në Elbasan.
Duke u mbështetur vetëm në librin e mjekut të Turgut Pashës, Edwin Jack, dhe pa ndonjë dokument tjetër, historianët tanë(!!) pa të drejtë e akuzojnë gjoja si bashkëpuntor të këtij gjenerali famkeq gjatë fushatës së ushtrisë turke në Mirditë.
Këtë akuzë e vënë në dyshim edhe historianët gjermanë. Në arkivin tonë historik ka dokumente, të cilat e hedhin poshtë këtë akuzë të pathemeltë dhe keqdshese. Prend Doçi mbetet një atdhetar konseguent dhe i patundur. Edhe pse në moshë të thyer gjatë viteve 1912-13, ai mbështeti qeverinë e Ismail Qemalit, mbajti qëndrim të drejtë kombëtar ndaj pushtusve serbomëdhenj, përkrahu qeverinë e Vidit dhe u shpreh haptas kundër intrigave të huaja në Shqiperinë e Mesme.
Me urdhërin e komandës eprore të ushtrisë austro-hungareze të pushtimit të Shqipërisë më 1916 thuhet: “…të interrnohet në thellësi të vendit…!” Po më në thellësisë se në Orosh nuk kishin se ku ta çonin, kështu që pranë selisë abaciake u vendos një garnizon ushtarak, pa lejen e të cilit Prend Doci nuk mund të vizitonte as famullitë e dioqezit të vet.
I vetmuar, i burgosur në shtëpinë e vet, ky luftëtar i lirisë, ky pishtar i kulturës shqipe, vdiq i helmuar më 22 shkurt 1917. Edith Durham do të shkruante: “…vdekja e tij qe një humbje e madhe për nacionalizmin shqiptar…”
(Arbëria 10,  shtator 1993)

 

Related Images:

Artikulli paraprakNacionalizmi shqiptar dhe fqinjët tanë… Ardian Ndreca
Artikulli tjetërVdekja e nji Poeteje si përjetsi e zhgënjimit Jozef Radi
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.