Idhnaku Klosi nga Edison Ypi

1
54
Ardian Klosi (1957-2012)
Ardian Klosi (1957-2012)

Idhnaku Klosi

nga Edison Ypi

Ashtu e kam ditur edhe unë Dan; Që nuk flitet keq për të vdekurin. Për të vdekurin flitet vetëm mirë. Sepse i vdekuri nuk dëgjon, dhe nga fjalët e mira nuk i rritet mendja. Keq flitet vetëm për të gjallin, i cili dëgjon, kupton, turbullohet, dëshpërohet, ndonjëherë aq tepër, sa bën si bëre ti.
Kjo simetri e frikshme, ky trend makabër me të vdekur të cilët duhen ruajtur nga rritja e mendjes, dhe të gjallë të cilët edhe pa asnjë shkak, duhen ndëshkuar me fjalë të helmëta, tashmë në Shqipëri i ka shpërndarë aq thellë metastazat, sa “mirë” flitet vetëm për të vdekurit e këqij, dhe “keq” vetëm për të gjallët e mirë. Shtoi kësaj edhe nuancat, tmerret e pafundme që rrjedhin nga kombinimet e panumërta të heshtjes memece, të folurit gjysmak, të gjallët e vdekur, të vdekurit e gjallë, të gjallët e gjallë, të vdekurit e vdekur, dhe e merr me mend vetë ti pastaj sa e bukur bëhet tabloja.
Prandaj, duke pasur parasysh këto, unë o Dan, gjatë këtij komunikimi postum me ty, do bëj diçka më të thjeshtë, do kujtoj disa dromca të lezetshme, të cilat, lidhur me sa më sipër, janë thjesht ilustruese.

Me rastin e vetëvarjes tënde, Edi Rama shkroi një redaksional. Një tekst hyper patetik. Një eksperiment intelektual, një sprovë grafologjike lakrimogjene, për nga efektet pothuajse identike me atë që i kushtoi Gim Myftiut ca vite të shkuara. Requiemi i Ramës për ty s’di pse më kujtuan atë që ti Dan vet’ më pate thënë një ditë se të kishte mbetur fort hatri lidhur me një udhëtim që ti dhe Rama kishit bërë në Itali, kur gjatë atyre dy apo tri ditëve Rama s’të kishte folur asnjë fjalë.
Unë e ti Dan jemi njohur më 1981 në Pogradec, kur diku buzë Liqerit të thashë pa të përshëndetur;
-A e di ti Dan Klosi se atje përtej në katin e dytë të një shtëpie të rrënuar që duket si kullat e Frankfurtit, gjysmë shtrirë mbi një divan gdhihet e ngryset i fundmi Rilindas, Poeti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, Lasgush Poradeci ?
-Faleminderit. Nuk e pi.
Më la pa mend kjo lloj përgjigjeje që besoj se kishte kuptimin; “Mos më ngatërro me këto gjëra”. Por nuk e zgjata. Dhe nga ajo ditë u bëmë miq. Nga ata që takohen rrallë. Sepse unë, vëllain në burg, ti në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, nuk mund të ishim aq miq sa të dëgjonim Bitëllsat dhe të kërcenim Rock and Roll në ndonjë bodrum të Shallvareve. Ama e vërteta është, duhet thënë patjetër edhe kjo, njohja jonë ndodhi ndërkohë që pothuaj të gjithë miqtë e mëparshëm më patën braktisur.
Në ato kohë ti më tregoje gallata nga Shtëpia Botuese.
Po bëhej një mbledhje ku flitej kërcënueshëm nëse i vlente apo jo kurvit “Viti i Mbrapshtë”. Ismaili, i strukur nga atje ku rrinte, të dërgoi ty dorë më dorë një pusulle të palosur ku kishte perifrazuar veten:
“Ç’më ka hije pena, Dan o kapedan,
ta botoj “Vitin”, bytha s’po ma mban”.
Dhe qeshnim pafund me këtë e të tjera të tilla. Se, pavarësisht si u kokolepsën punët më vonë, ti në atë kohë ishte dishepull i zjarrtë i Ismailit. Apo jo?!
Një herë tjetër të thashë se Dritëro Agolli nuk është shkrimtar e poet, por vetëm inkuizitor. Nuk refuzove, por the: Kujdes me këto gjëra, se Dritëroi mund të jetë a të mos jetë si thua ti, por nuk është budalla.
Në 1988, ti, edhepse thoshe se i adhuroje, s’kishe asnjë ide ku tretej Lasgushi dhe ku dergjej Petro Zheji. Edhe tek Lasgushi, edhe tek Zheji, ty Dan të shoqërova unë.
Zhejin e dëgjove me shumë vëmendje. Më tregove edhe se si në një tjetër mbledhje në po atë shtëpi botuese, në një moment kur një klysh kurvi i ardhur nga një komitet kishte përmendur “një gënjeshtër që thuhej në Bibël”, Zheji e kishte ndërprerë duke i thënë; “Ju lutem, a mund të dal pak jashtë?” E kishte lejuar lektori Zhejin të dilte duke menduar se Zhejit i duhej të shkonte në fund të korridorit. Mirëpo Zheji që kishte vajtur në një apartament të ngushtë aty pranë ku jetonte ato kohë, ishte kthyer pas pak minutash me një Bibël në duar duke i thënë klyshit: “Ja Bibla, ku është ajo gënjeshtra?!”
Lasgushin, edhe atë e dëgjove gjithashtu me shumë vëmendje. Gjatë asaj vizite, në një moment Lasgushi të la pa frymë kur tha: Tani mund të flasim sa të duam, se ai ka vdekur. Fjalë këto, për të cilat, tre vite pasi kurvi kishte ngordhur të ikte koka. Unë me këto thagma të Lasgushit isha mësuar. Ndërsa ty, megjithëse me atë batutë qeshe sa deshe, sa s’të ra pika. Gjatë atij takimi me Lasgushin, që për mua mund të ishte i njëqindti, ndërsa për ty i pari dhe i fundit, ti more edhe shënime në një bllok. Që pastaj ai bllok të humbi dhe e qave tërë kohën. Por nuk e kuptova kurrë natyrën e adhurimit tënd për Lasgushin. Sepse, ndërkohë që s’ma bëre kurrë të ditur cilën poezi apo poet preferoje, për Poezinë e Lasgushit më pate thënë disa herë se nuk e pëlqeje.
Pastaj erdhi ’90-a, dhe ato që dihen.
Në një miting në Sheshin “Skënderbej”, kur turma po shkatërronte klubin e Ministrisë së Brendshme dhe po digjte makina, t’u afrova dhe të thashë se ishte rast i mirë për ta bërë si në Shkodër, domethënë të gjenim një mënyrë për t’i thënë turmës të rrafshonte komitetin e partisë së Tiranës, godinën ku sot është selia e Partisë Socialiste. Në vend të përgjigjes lëshove një hungërimë refuzuese idhnake.
Pak më vonë u mor vesh prishja jote e beftë me Ismailin. Idhnimi yt i papritur me Ismailin më ka mbetur sot e kësaj dite më i mistershëm se origjina e unazave të Saturnit. Qarkulluan fjalë, madje një miku im e shkroi edhe në një libër se ke qenë spiun i Sigurimit dhe ke marrë më qafë Linx Ngjelën. Këtë gjë unë nuk e kam besuar dhe nuk do ta besoj pa u hapur dosjet, të cilat, meqë ra fjala, duhet urgjentisht të hapen. Por ti Dan disa gabime atëherë i bëre. Ju të dy, ti dhe Edi Rama, që me njëri-tjetrin ngjani si Ipad-i me Ipod-in, u rrekët t’i ngrinit piedestal dikujt që e quajtët shkrimtar dhe disident, por që në fakt nuk ishte, as nuk është as i tillë e as i atillë. Sepse, sa i përket të qënit antikomunist, ishte një njeri që ka vrarë me dorën e vet, dhe, sa i përket të qënit shkrimtar, është aq i paditur sa nuk thotë “pastaj”, por “mbasandaj”. Që edhe kjo tekë e juaja prej produktesh Apple, më ka mbetur pezull në pritje të ndonjë shpjegimi të arsyeshëm.
Jo për gjysmakët dhe hipokritët që sot bëjnë sikur pendohen duke thënë se bënë gabim që nuk të ndenjën afër, dhe as për pisat që mburren që po flasin demek mirë për ty në kafazin e budallenjve që quhet Fejsbuk, por për njerëzit seriozë, duhet thënë edhe se shumicën e muhabeteve dhe shakave, ashtu i kishte ti Dan, me vdekje. Për shembull, jo rrallë kur takoheshim më thoshe: “Eh, në betejën kundra mediokritetit, edhe unë mund të mburrem me një viktimë, Mira Meksin. Të cilën vërtet e masakrova, por nuk arrita ta vdisja dhe ta varrosja. Ndërsa ti Edison ke bilanc më të mirë në këtë drejtim, dhe të kam zili. Sepse prejkur bërë atë shkrimin “Sikur Rudina…”, Xhunga nuk thotë më jam shkrimtare, jam romanciere.
Vrau veten një soc-aktor që pat’ luajtur role komisarësh dhe komandantësh trima në atë luftën që ka ekzistuar vetëm nëpër filma. Ky aktori, pas ’90-ës, befas ktheu pllakën. U kujtua t’i ngjajë Klint Istvudit. Më vonë vendosi të vetëvritet si Bekim Fehmiu. Unë, i habitur nga kjo marri’, bëra një shkrim me titull “Secili vdekjen e vet” ku thoja se kush ka bërë jetë plehu nuk mund të pretendojë vdekje gjeniu. Ti Dan, pa ma përmendur emrin, reagove atëherë tek gazeta “Shekulli” me një shkrim idhnak “Këta s’të lënë as të vdesësh”. Gënjeve. E provove më se një herë, dhe askush s’të pengoi. Pak ditë pas daljes së shkrimit tënd reagues idhnak, pronari i gazetës që botoi shkrimin tim, më tha se ti Dan, pezmin nuk e kishe pasur as me ata që në kohën e kurvit penguan të shumtët të jetonin dhe as me ata që sot, sipas teje, pengojnë ndonjë të rrallë si ty të vdesi, por me tjetër njeri. Me vet’ pronarin e asaj gazete, i cili të kishte refuzuar marrjen në punë si fotografe të gruas tënde Jutta.
Dan, bëre përkthime të mira, të zgjedhura, të vlefshme, por të ftohta.
Librat e tu nuk u lexuan. Pra Autor nuk ishe.
Publicistika jote, nuk ishte më e keqja, por qe kryekrejt sa propagandë në favor të njërit krah të politikës, po aq edhe idhnake për krahun tjetër.
Ti Dan nuk u pajtove kurrë me kohën e kurvit. Por ti nuk u pajtove as me këtë kohë. Dhe ky ishte problemi. Sepse nga ajo kohë në këtë kohë, ti Dan solle mbi shpinë një ngarkesë të tepërt. Një avantazh, një supremaci, një kult të parathënë etërish, diçka që çuditërisht, gabimisht dhe fatalisht, kujtoje se të përkiste. Ishte kjo ngarkesë, ky hamallëk i kotë, që s’të la të jetosh i qetë, dhe ta theu kurrizin.
Dy ditë para se të varje veten ti Dan, vdiq një kushërira ime. Por për kushërirën time, e cila, meqenëse e kaloi gjithë jetën internimeve, e kishte jetën me mijëra herë më dramatike se tënden, timen dhe shumë të tjerëve, nuk u kujtua asnjë gazetë e asnjë televizor e s’u bë asnjë homazh.
Një daja im i cili vdiq në moshë të shtyrë para pak viteve, më pat treguar një episod me babain tënd. Ai, yt atë, e kishte lënë të vdekur në vend një ballist duke i rënë nga mbrapa në kokë me një lopatë. Ta pata thënë këtë punën e lopatës. Nuk e mohove, dhe as nuk e pranove, madje as nuk u habite. Që më le përshtypjen idhnake se s’ishte çudi të kishe dijeni për të tjera kazma e lopata e sqeparë e tortura.
Këto që të kujtova, sigurisht që nuk përbëjnë ndonjë tablo të përsosur. Por besoj se janë të mjaftueshme që brenda një konteksti shoqëror që flet gjithmonë mirë vetëm për të vdekurit dhe gjithmonë keq vetëm për të gjallët, është i mjaftueshëm për të ma rrëqethur mua mishin dhe ty kockat.
Ta pata thënë edhe tjetrën; Se brengat njerëzore mund të zbuten deridiku edhe në mënyrë deduktive-laboratorike; Kaq nga budallallëku i të gjithëve, plus edhe kaq nga edepsëzlliku i disave, edhe aq nga padituria e disa të tjerëve, një garuzhde sherbet eruditiv, pak uthull hipokrizie, një lugë kafeje seriozitet, futi të gjitha në një kavanoz, mbyllja kapakun, tunde kavanozin, hape, derdhe në një pjatë, del një supë me të cilën mund të kalohet dita, por s’më dëgjove.
Lëri Dan se ç’po thonë të shiturit mediatikë. S’ishe as më pak e as më shumë se një mallakastriot idhnak. Që, ç’ësht e vërteta, provove diçka madhështore; Se nuk është për të pasur frikë nga vdekja, e cila është e tëra, por nga jeta, që është pjesa.
(marrë nga muri i fb. i Edison Ypit, 23 prill 2016)

Related Images:

Artikulli paraprakWilliam Shekspeare (1564-1616) 400 Vjetori – dhe Sonete nga Maksim Rakipaj
Artikulli tjetërValixhe e njillojtë… e shumë prej nesh…* nga Ilir Seci
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

1 Koment

  1. Cimi Durres
    Më pyeti nipi se çfarë ka bërë qy Dani që i kanë vënë emrin shkollës tonë?!
    Ç’ti thoshja unë i ziu!! Ja sa të vete në shtëpi t’i lexoj këtë shkrimin tuaj me ca shpjegime kuptohet se është akoma i ri dhe nuk i kupton ca gjëra.
    Këtë shprehjen me demek, “Kush ka bërë jetë plehu nuk mund të pretendojë vdekje gjeniu…”, do ja spjegoj se më pëlqen.
    Sa për atë lopatën mburrej i jati, hë mo se një çam ishte thoshte… (28 prill 2023)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.