back to top
29.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Handan Hoxha: Ku unë luaja tenis në ‘42-shin

Gazeta

Handan Hoxha 1942

Handan Hoxha: Ku unë luaja tenis në ‘42-shin

nga Eljona Ballhysa (Koha Jonë)

Ajo kujton se ka qënë shumë e vogël për të fiksuar moshën se kur ka luajtur për herë të parë tenis. Me një raketë të sajuar vetë dhe me një top, ajo mban mend se luante papushim vetëm në oborrin e shtëpisë së vjetër, një vile tipike borgjeze e viteve ‘30, në zonën pas televizionit shqiptar, në kryeqytet. Handan Hoxha ka qenë vetëm 15 vjeçe kur i ati, një burrë i shkolluar, me 4 gjuhë të huaja, nëpunës në bankën tregtare, njeri shumë modern për kohën, e regjistron pa të keq në fushën e parë të tenisit që u hap në vitin 1942. Megjithëse kohë lufte kujton Handani, Sali Nallbani, një i ri tiranas i martuar me një italiane, kthehet nga Italia dhe ndërton vetë një fushë tenisi në zonën e Shallvareve. Të gjithë ata që shkonin për të luajtur tenis ishin një grup djemsh të shkolluar në shkollat më të mira të Europës. Midis tyre ishte edhe Handani, tenistja e parë shqiptare, aktualisht 85 vjeçe. Ajo pranon të ndajë me ne historinë e jetës së saj, një jetë e ndarë midis pasionit për sportin e tenisit dhe persekutimit dhe internimit komunist.

Rrëfimi
Handani e ka të vështirë të sjellë në mendje sesi ishte fiksuar pas tenisit dhe sesi kishte dëgjuar për herë të parë rreth këtij sporti. Por tregon se ajo ishte e magjepsur pas sporteve në tërësi, sepse luante edhe volejboll edhe sporte të tjera. Ndoshta, kujton ajo më veshtiresi, ka dëgjuar rreth tenisit në radio, në stacionet italiane. “Unë luaja gjithë ditën në oborrin e shtëpisë dhe në rrugicën e lagjes. E dëgjonim shumë radion, e mbanim gjithë kohës te stacionet italiane dhe unë s’e di sesi më është fiksuar tenisi. Por mbaj mend që luaja gjatë gjithë ditës dhe i thoja babait, që kam shumë qejf të mësoj të luaj tenis.
Në vitin 1942, kthehet në Tiranë Sali Nallbani. Me iniciativën e tij dhe me forcat e veta ai hap një fushë tenisi. Mbaj mend që babai na erdhi një ditë nga puna dhe më thotë: Handan do të çoj të luash tenis. Unë gati sa s’fluturova nga gëzimi. Dëgjoja time më që thoshte nëpër shtëpi, që “…S’ke për të shkuar!!” Ajo i thoshte babait: “Mos e ço vajzën atje se do ta shohin të gjithë!!”.
Por babai ishte njeri shumë modern dhe s’pyeti njeri po më dërgoi. Sali Nallbani u gëzua aq shumë që ekipit të tij iu shtua një vajzë, femër saqë nuk më mori asnjëherë parà dhe unë luaja të paktën dy orë në ditë pa paguar asgjë!! “Të gjithë ata që merreshin me tenis në atë kohë ishin djem dhe burra, që kishin ardhur nga jashtë shtetit. Ishin të shkolluar në shkollat më të mira të Europës. Ishin, si të thuash, pjesë e elitës së shoqërisë shqiptare!”, – tregon Handan Hoxha, emri i së cilës në arabisht do të thotë njeri i qeshur dhe optimist. Dhe me të vërtetë, Handani e reflekton më së miri këtë natyrë në karakterin e saj; rrezaton e gjitha me at buzëqeshjen e saj, veçanërisht ky rrëfim që e ka kthyer shumë vite pas, e ka mbushur të terën plot nostalgji.
E motra e saj, Suzi, na tregon se emrat ua ka vendosur gjyshi i tyre, Asaf Hoxha, një jurist i diplomuar në Turqi, një prej themeluesve të shkollës së parë shqipe në qytetin e Gjirokastrës, qytet i origjinës së tre motrave Hoxha, të cilat tregojnë se vijnë nga i njëjti fis, ai i diktatorit Hoxha, por se nga ai, morën vetëm persekutimin dhe internimin…

“Kjo s’është vetëm historia e ekzistencës së sportit të tenisit në Shqipëri që në vitet e para, por është një histori njerëzore internimi”, – tregon e motra e Handanit, Suzan Hoxha, e cila është edhe hartuesja e librit të parë të solfezhit në Shqipëri. Ajo tregon se e motra e saj, Handan theu një tabu në Tiranën e viteve ‘40. Ishte e para femër që mori mësime tenisi dhe arriti madje të dalë edhe kampione në kampionatin e parë të zhvilluar në ato vite. “Pas Handanit u regjistruan edhe vajza të tjera, si Safete Beshiri, Lule Bishqemi e Vjollca Greblleshi. Kjo bëri që ndeshjet e tenisit të ndiqeshin jo vetëm nga meshkujt, por edhe nga femrat, pasi kështu u thyen shume akuj…”, – tregon motra më e vogël, Suzi. Nerimani, motra tjetër e familjes Hoxha e diplomuar për rusisht, kundër dëshirës së saj, por e imponuar nga regjimi i kohës, plotëson duke treguar se kampion për meshkujt në tenis në at kohë doli Isuf Vrioni. Ajo tregon se pas vitit 1944, kohë në të cilën Shqipëria u çlirua dhe u vendos regjimi komunist, tenis luante edhe Ministri i Arsimit i kohës, Sejfulla Malëshova. “Mbaj mend që Sali Nallbani, kur luante me Malëshovën i hidhte topa të lehtë dhe e linte që ky të fitonte. Por kur Malëshova luante me motrën tonë, kjo e fundit e rrihte gjithmonë dhe tregon se sa pak dinte ai nga tenisi…”, – tregon Nerimani.

Internimi
Por këto ishin momente që numëroheshin me gishta pas çlirimit të vendit, pasi edhe sporti i tenisit pati të njëjtin fat si personazhet që e sollën atë në Shqipëri dhe e praktikuan atë. Motrat Hoxha tregojnë sesi kaluan, jo pak, por 30 vite të jetës së tyre në internim, në Savër të Lushnjes. “E shikon këtë foto. Ky është Skënder Konica, nipi i Faik Konicës. Mbaj mend që luante shumë bukur tenis. I shkolluar në shkollat më të mira të kohës, pas çlirimit ai u burgos. Edhe ky tjetri Hasan Meniku, ka qenë shumë i pasur në atë kohë. Edhe këtij iu mor vila, iu sekuestrua pasuria, u burgos. Edhe këta të tjerët u internuan, u pushkatuan dhe u burgosën”, – tregon Suzi. “Ne – thote ajo, – ishim një familje e thjeshtë, shumë e lumtur, jo shumë e pasur, me nivel mesatar. Babai punonte në bankën tregtare. Por ne kishim një vile në mes të Tiranës dhe njëherë pat ardhur një nga Byroja dhe i kish thënë babait se të gjitha këto vila ne do t’ua marrim borgjezëve dhe do t’ua japim komunistëve. Dhe vërtet kështu u bë!! Ka qënë viti 1960, kur ne na nxorrën nga shtëpia, pa na thënë asgjë dhe na çuan në hauret e Ali Begesë”, – tregon Suzi. Ajo shton se në atë kohë kishin filluar përplasjet e regjimit me familjen e tyre. Regjimi nuk kishte pranuar që vëllai i tyre i vetëm të ndiqte gjimnazin, por e kishin regjistruar në shkollën tregtare. Menjëherë pas përfundimit të kësaj shkolle në moshë fare të re rreth 17 vjeç ata e kishin emëruar vëllanë revizor tregtar, dhe në të njejtën kohë ata kishin seleksionin personat që duhet të ndiqte vëllai. Ata i thonin që këtë duhet ta dënosh dhe këtë jo. Por vëllai ishte njeri i drejtë dhe Suzi kujton njëherë kur ai ishte kthyer në mes të natës pas një takimi që kishte pasur në Komitetin Qëndror. Erdhi në shtëpi i zbehur dhe tha: “Këtu s’jetohet më! Këta duan që ne t’i themi të zezës, të bardhë dhe të bardhës të zezë!!”. Kaq ishte, tregojne motrat Hoxha. Vëllai ndryshoi brenda natës dhe të nesërmen nisi planin e tij të arratisjes. Ai arriti të shkonte në Jugosllavi, dhe prej andej në Itali dhe më pas u takua me dajën në Amerikë, ku jeton ende me femijët e tij. Por arratisja e vëllait shënoi një kthesë tërësore në jetën e familjes Hoxha. “Ishim në shtëpi, duke ndenjur në oborr, ku vëllai kishte improvizuar një tavolinë pingpongu, kur papritur vjen një kamion. Zbret oficeri dhe na thotë të mbledhim rrobat se kishte urdhër nga Ministria e Brendshme të na internonin në Savër të Lushnjes”, – tregon Handani.

Mbijetesa
Motrat Hoxha kujtojne se kanë udhëtuar drejt Lushnjes me kamionin e Ministrisë së Brendshme pa ditur se ku po i çonin! “Ne gjetëm atje një botë të re, që as e kishim menduar se ekzistonte në Shqipëri. Të gjithë fshatrat e Lushnjes ishin kthyer në kampe internimi. Në përfunduam në një barakë të shkatërruar, por s’mjaftoi kjo. Ne menduam se nuk do të punonim, pasi para kishim, na sillte daja nga Amerika, por edhe vëllai. Por kush të linte… Na nxorrën në fushë, dhe morëm kazmat si gjithë të tjerët, pavarësisht shkollimit që kishim”, – tregon Handani. “Unë të them të drejtën vetëm një ditë kam punuar! Kur erdha në shtëpi i thashë babait: “Edhe Enver Hoxha të vijë, unë nuk punoj më në fushë, më mirë le të më pushkatojnë!” Kaq ishte… vendosa të qëndroja në shtëpi, ndërsa motrat punuan në fushë! – tregon Handani.

Tre motrat e pandara, një jetë në shoqëri të njëra-tjetrës…
Handan Hoxha aktualisht 85 vjeçe, jeton bashkë me dy motrat e saj Suzanën dhe Nerimanin. Ato janë të pandashme. Kanë gjithë një jetë bashkë. Aktualisht jetojnë në një apartament, ne pallatin e ri të ndërtuar pas ndërtesës së televizionit shqiptar. Ato tregojnë se pikërisht aty ka qenë shtëpia e tyre, të cilen ua konfiskoi regjimi komunist dhe që mundën ta rimarrin pas shumë gjyqesh në vitet ‘91, kur u kthyen nga internimi 30 vjeçar.
Handan Hoxha ka mbaruar gjimnazin dhe ka marrë mësime private të gjuhës angleze. Ndërsa motra e saj Suzan Hoxha ka përfunduar liceun Artistik, ka punuar si redaktore muzike në Radio Tirana dhe ka dhënë mësime solfezhi fëmijëve të familjeve sovjetike që jetonin në at kohë në kryeqytet. Ndërsa motra e vogël, Nerimani ka përfunduar studimet për rusisht kundër dëshirës së saj. Ajo tregon se: “…asnjëherë s’e ka pëlqyer rusishten, por në atë kohë nuk kishte të drejtë të zgjidhje…” Nerimani aktualisht tregon se nuk e mban mend rusishten, por njeh shumë mirë gjuhën angleze, madje ka dhënë edhe mësime të kësaj gjuhe. Motrat tregojnë se kanë qenë disa herë në Amerikë, ku janë takuar pas shumë vitesh me të vëllanë, i cili vazhdon të jetojë në kontinentin e largët bashkë me femijët e tij.

Rikthimi në modë i tenisit në Shqipëri
Sporti i tenisit është një nga disiplinat sportive që praktikohet nga miliona njerëz anë e mbanë globit. Edhe në Shqipëri ky sport praktikohet nga shumë të rinj dhe të reja. Madje disa vite më parë, të merreshe me tenis ishte tendencë… Por të gjithë ata djem dhe vajza që kanë luajtur tenis për modë apo për sport, nuk para e dinë se kur i ka fillesat ky sport në vendin tonë. Tenisi nuk erdhi në Shqipëri në vitet e demokracisë, përkundrazi ai ka ardhur shumë më herët, në fund të viteve ’30. Në një kohë kur vendi ishtë në luftë, një i ri 26-vjeçar ndërtoi në Tiranë dy fushat e para të tenisit, duke qenë iniciatori i një tradite të magjishme që vazhdon edhe sot…
Ai quhej Sali Nallbani, emër i cili do të hynte në histori si “babai” i tenisit shqiptar. Për kontributin në tenis, Saliu ka marrë urdhërin “Mjeshtër i Madh”. Gati e gjithë familja Nallbani u “magjeps” me sportin elitar. Pas viteve ‘40-të, numri i pjesëmarrsëve femra do të shtohej. Në këtë kohë tenisi nisi të luhej në Institutin Femëror, “Nana Mbretëreshë”. Punonjëset e huaja të ambasadave dhe ato pak vajza shqiptare, ishin të parat që “guxuan” të luanin tenis duke thyer tabutë në Shqipërinë e atyre viteve.
(Koha Jonë 10 mars 2013)

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.