
Haki Stërmilli, një personalitet mjaft kompleks!
Më 17 maj të vitit 1895 lindi në Dibër të madhe, Haki Stërmilli, shkrimtar, gazetar.
Ja karriera e tij:
-Kryetar i Shërbimit Sekret Shqiptar në vitet 1923-1924 me dekret të Ahmet Zogut.
-Pas Lëvizjes së Qershorit, bën pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku Llazar Fundo u emërua kryetar.
-Me rikthimin e Zogut dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë.
-Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik. Më vonë u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-n.
-Më 6 gusht 1929, dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të Mbretit. Më 28 nëntor 1933, në sajë të një telegrami që i kishte dërguar NMT Zogu I, për amnisti, falet dhe lirohet.
-Pas lirimit hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM.
-Mbas pushtimit fashist gazeta “Fashizmi” në listat e gjata botonte me nr. 44 edhe anëtarësimin e Haki Stërmillit në Partinë Fashiste, në të njëjtën ditë kur ishte anëtarësuar Mustafa Kruja e disa të tjerë.
-Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalë nga kongresi komunist i Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në Mbledhjen e Mukjes.
-Partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it.
-Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet. Përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor… Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë.
-Vdiq më 17 janar 1953, i sëmurë pas një lëngate të gjatë, duke qenë njëherësh edhe deputet i Rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor.
-Haki Stërmilli do të njihet më tepër si shkrimtar. Ai botoi veprat “Dibranja e mjerueshme” (1923), “Dashuni e besnikëri” (1923), “Agimi i lumnueshëm” (1924), “Burgu” (1935), “Sikur t’ isha djalë” (1936), “Trashëgimtarët tanë” (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari “Shtigjet të lirisë” (1966) dhe “Kalorësi e Skënderbeut” (1968).
Marrë nga Muri i FB Ben Oroshi, 23 tetor 2025