back to top
29.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Qershor, 2024

Gjyqi Special – Shkolla e Krimit dhe Diktaturës më të egër! – nga Lazër Radi

Gazeta

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Gjyqi Special – Shkolla e Krimit dhe Diktaturës më të egër!
nga Lazër Radi
Shkëputur nga libri “I pari Gjyq special, në Shqipëri”
Bedri Spahiu – Revizionon Veteveten
Më 6 qershor 1991 – në gazetën “Republika” Bedri Spahiu, ish prokuror i Gjyqit special, boton nji artikull të cilin mund ta quajmë edhe si testamentin e tij politik, testament i nji njeriu i cili në fundjetën e vet e ndjen për detyrë të rrëfehet jo në nji “rrëfyestore”, por në nji gazetë… përpara gjithë opinionit publik shqiptar!
Për ne lexuesit, ky ishte nji rrëfim shumë interesant në fundjetën e nji njeriu, i cili duke biseduar me “idealet” e veta arriti deri aty sa “kundra opinioneve të tija të vërteta” – me dorën e vet të vriste njerëz për të cilët ishte i bindur se nuk e meritonin nji fund tragjik të tillë.
Do të paraqesim pjesë nga ky artikull për të dëshmuar para opinionit publik shqiptar evolucionin e këtij njeriu në dy faza:
1.Në fazën e parë të ekzaltimit të tij politik në gjyqin monstruoz të vitit 1945.
2.Në fazën e dytë kur rrota e mallkimit historik do ta kapërthente edhe atë vetë: “Prokurorin e Përgjithshëm” i cili do të dergjej burgjeve dhe interrnimeve të komunizmit shqiptar, sëbashku me shumë prej kriminelëve “të idealit” të shëndrruar në “armiq të popullit”! që dikur ai vetë i kishte dënuar…
“Presidiumi i Kuvendit, Popullor, vendosi me unanimitet, që unë (Bedri Spahiu) të bëhesha Prokuror i Gjyqit Special, dhe të mbroja përpara këtij gjyqi “çështjen e popullit”… Ngjan se këtë çështje, unë si fitimtar, do ta mbroja mirë.
Por, duke kujtuar këto 46 vjet terrori, mizorie e mjerimi që ka kaluar populli shqiptar, Mua më vjen turp që kam qënë prokuror i atij “Gjyqi Special”. Kam revizionuar veten, idealet dhe gjithçka të shtrenjtë që kam patur në jetën time. Nuk jam më ai prokuror që nxorri Lufta Nacional Çlirimtare, as përkrahës i utopisë komuniste, më të lemerishmes që nxorri gjenerata jonë…
 
* * *
Dy herë E. Hoxha ka caktuar prokuror të dy gjyqeve më të rëndësishëm historike të vendit tonë nji injorant të fushës së drejtësisë si B. Spahiun. Herën e parë si prokuror i Gjyqit Special, për të dënuar të ashtuquajturit armiq të popullit dhe herën e dytë si prokuror të gjyqit të Koçi Xoxes.
Sot ndjehem i turpëruar që kam luajtur rolin e prokurorit të atyre gjyqeve. Komunistët e dinin pozitën time ndaj Kongresit I-rë dhe ndaj Koçi Xoxes (që e kam nxjerrur të pafajshëm në gjyqin kundra meje), dinë edhe këngën që këndonte populli atë ditë të zhvillimit të Gjyqit Special:
“Tradhëtarët porsi miu,/ I dënoi Bedri Spahiu…”
Sot unë do të thoja: “Shumë lavdi për njerëz të palavdishëm”
Si prokuror i Gjyqit Special m’u desh, në bazë të ligjit, të asistoja në ekzekutimin e 17 fatzinjve. U gjenda ndërmjet të dënuarve dhe skuadrës së pushkatimit. Kur komandanti i skuadrës së pushkatimit dha urdhër, nji lëvizje u pa në rreshtin e të dënuarve, të cilat i kthyen krahët tytave të armëve “siç kishte urdhëruar komandanti”. Vetëm nji njeri pati guximin t’i kundërvihet urdhërit: “Jo! Askush nuk duhet t’i kthejë krahët nga tytat, pasi nga shpina vriten vetëm tradhëtarët! Këtë do ta vërtetojë historia”.
Ky ishte Bahri Omari, nji burrë i zgjuar e patriot.
“Tjetër rrugë do të marrin ngjarjet” – iu përgjigja unë! Disa nga ata nuk dëgjuan, kurse të tjerët më besuan amanetet e tyre. Midis këtyre të fundit Javer Hurshiti dhe Tahsim Bishqemi kërkuan të ruhej paprekshmëria e familjes dhe e fëmijve të tyre. Unë u thashë dhe i garantova se familjet e tyre do të kishin në Shqipëri po ato të drejta që do të kishin të gjithë banorët. Se sa besuan në këto sllogane të prokurorit të Gjyqit Special, nji Perëndi e di. Por, ngjarjet u zhvilluan në nji mënyrë të tillë që përgënjeshtruan deklaratat e mia dhe turpëruan deklaruesin dhe gjithë ata që pretendonin se ne ishim ndërtues të nji Shqipërie të Re e të lumtur njerëzore.
 
* * *
Nji ditë udhëtoja nga Tirana për në urën e Farkës. Në të zbritur të rrugës së Farkës, has nji grup fshatarësh që po bisedonin të eksituar me njëri tjetrin. I them shoferit të ndalet dhe zbres e qepem në vendin ku ishin ata. Pranë tyre për tokë ishte i shtrirë nji burrë i veshur me rroba ushtarake, pa grada dhe ngjante të ishte oficer i vjetër i ushtrisë së Zogut. Afër trupit të të vdekurit gjendej varri i zbazur dhe aty ku fillonte varri nji pellg gjaku i freskët: “Vrisni sa të doni por mos na përdhosni tokën dhe mos na tmerroni fëmijët tanë!” – më tha nji fshatar plak. Nga goja e tij mora vesh se në tokat e tija ishte varrosur trupi i personit të vrarë, të shtrirë përdhe. Lopa e fshatarit, duke kullotur kish marrë erën e gjakut të ngrohtë dhe kishte filluar të nuiste, siç bëjnë lopët në këto raste. Fshatari ishte afruar dhe gërmoi vendin ku ishte dheu i shkrifët, prej nga nxorrën trupin e viktimës. Në këto rrethana çfarë mund të bënte B. Spahiu që ishte në Prokurorinë e Përgjithshme, në këtë “Rifugium Pecatorum”? Urdhërova shoferin të kthente makinën dhe “fluturova” drejtë shtëpisë së E. Hoxhës. E gjeta Enverin ndanë zjarrit dhe i them i emocionuar, pa e përshëndetur: “Pa më tregoni shoku Enver sa kohë do të zgjasë ky terrorizëm?” Ai u zverdh dhe filloi të çokanisë me mashën e tij të gjatë zjarrin që flakëronte në oxhakun e tij të bukur. U ktheva pa marrë asnji përgjigje! Dola pa e përshëndetur duke e lënë në të njëjtin pozicion.
…Ndanë bllokut, siç quhet sot, e që unë do ta quaja “Kremlini i Tiranës”, kullos dhëntë Muhamet Karagjozi, nji nga parësia më e madhe e qytetit të Gjirokastrës. Qenë dhëntë e fundit që i kishin mbetur pas rekuizimeve të vazhdueshme e të zgjatura.
Ndeshet E. Hoxha me këtë aga dhe përqafohet me të si me nji mik të vjetër, përmallohet dhe nga sytë i shpërthejnë “lotë nga mallëngjimi”:
-Ku je? – i thotë Muhametit – Na ndau revolucioni! – ndërkohë vazhdonte ta shtrëngonte në gji: “Si t’ia vemë emrin këtij takimi të mallëngjyeshëm me Muhamet Karagjozin?…
E pra, ky ishte Enver Hoxha, nji artist i madh, i aftë të angazhohej me mjeshtri në të gjitha skenat e të dalë para publikut si përfaqësues autentik i çdo pjese, si ushtrues i çdo roli!
 
* * *
Vetvrasja konsiderohej dhe dënohej si nji akt i turpshëm.
Ç’është e vërteta, vetvrasja në atë kohë, ishte nji protestë e individit kundër dhunës dhe sundimit diktatorial…
U hap fjala se u vra Nako Spiru!
Kjo fjali, në veshët e mi arriti përmes rrugës së thashethemeve dhe jo në rrugë zyrtare. Pyeta, se ku gjendej trupi i tij dhe për pak minuta u gjenda në dhomën e spitalit. Gjeta kirurgun dhe nji grup gjermanësh (robër) me llërë të përveshura, gati për transfuzion gjaku dhe Nesti Karenxhiun (zëvendës ministrin e mbrendëshëm) me Kristo Themelkon. E pashë të udhës t’i drejtohem Nakos.
-Do të shërohesh, ke për të parë!
Ai ishte plagosur në anë të zemrës. Megjithatë unë besoja n’atë që i thashë. Por, ai më hodhi nji shikim plot kërcënim e përbuzje dhe më tha:
“Jo! Nuk do të shërohem, dhe as që dua të shërohem!” – dhe i humbi ndjenjat.
U shkëputa nga kjo sallë e përmotëshme dhe u ktheva në shtëpinë e Enverit. Hyra brenda i pasuar nga Nesti Karenxhi dhe Kristo Themelko. A ishte rastësi shkëputja e tyre nga shtrati i Nakos dhe ndjekja e ime prej tyre deri në dhomën e Enverit?! Këtë mund ta dinë vetëm ata të dy. Enverin e gjeta duke biseduar me Koçin për çështje të ndryshme. Unë u ula në nji kolltuk aty pranë dhe fillova të shprehja e të argumentoja dyshimet e mia se Nako Spiru nuk mund ta kishte vrarë veten por… dikush e ka vrarë!
-Ua! – tha Koçi Xoxe – Shiko se ç’po na nxjerr Prokurori i Përgjithshëm?!
Sa të ketë nevojë vendi për nji prokuror të përgjithshëm – ia ktheva unë – do të ketë edhe variante të zbulimit të krimeve.
…Njiherë, në shtëpinë e E. Hoxhës, hasa në nji dokument që ka mundësi të jetë lënë aty me qëllim që ta lexoja unë. Aty jepeshin të gjitha përshëndetjet tona drejtuar Dushan Mugoshës që po largohej nga Shqipëria. Përshëndetja ishte e thjeshtë, por plot eufori për ndihmën e këtij militanti të vjetër të partisë komuniste.
Përshëndetja e Nakos ishte e nji natyre tjetër.
Ai hapte nji çështje centrale të situatës, atë të biografisë së E. Hoxhës dhe të rolit negativ të këtij intelektuali shqiptar në zhvillimin e luftës nacional-çlirimtare dhe në ndërtimin e vendit tonë.
Përshëndetja e N. Spirut për punën e Mugoshës në Shqipëri zbulonte nji të vërtetë të jetës shqiptare, sipas së cilës diktatori nuk ishte ai që besohej të qe e që reklamohej në shtypin zyrtar shqiptar, as udhëheqës i luftës nacional-çlirimtare dhe as ndërtues i Shqipërisë së re. Vetvrasja e Nakos (nëse qe vërtetë vetvrasje) ishte nji protest ala Nako Spiru, kundër përmanencës së nji figure që ekzistonte në idealitetin e popullit tonë. E. Hoxha ishte shndërruar në nji idhull dhe jetonte në sajë të idolatrisë së masave të popullit tonë.
Më 1946, kur frymëmarrja e popullit tonë dukej se po shuhej, unë lëshova kushtrimin me nji promemorje të bërë në dy kopje, njerën prej të cilave ja dërgova E. Hoxhës dhe tjetrën Koçi Xoxes: “Kanë filluar, – shkruaja unë në atë promemorie – t’u marrin njerëzve edhe shtëpitë e tyre. Kështu i morën nji fshatari në Theth. Në Vasjar të Tepelenës nji tregëtari i kanë marrë tërë plaçkat e dyqanit të tij, ndër to edhe 8 sapuna me erë. Mos vallë ky ishte qëllimi i reformës sonë?”
Disa ditë pas kësaj promemorie që mbeti e papërfillëshme nga E. Hoxha e nga Koçi, unë u dërgova nji tjetër. Është krijuar në vendin tonë nji situatë e papërmbajtur në fushën e drejtësisë. Është partia që gjykon e merr vendimet dhe jo gjyqet e republikës. Kjo gjendje duhet të marrë fund sa më shpejtë e ta kthejmë situatën në normalitet…
Nji ditë shkova te shtëpia e Enver Hoxhës, ku gjeta edhe Koçin. Po bisedonin. Kur unë u ula, Koçi tha:
-Të poshtër e të rrezikshëm janë këta priftërinjtë: të vendosin armë në altarin e kishës…
-Ata bëjnë punën e tyre, – vazhdon Enveri – derisa ne na mungon vigjilenca dhe i mbyllim sytë para tyre!
-Jo! Jo! – ia ktheu Koçi – nuk u ka munguar vigjilenca organeve të sigurimit, përkundrazi, kanë qenë ata që e kanë zbuluar këtë krim të shëmtuar.
Nga bisedimi i Koçit me Enverin kuptova se ata donin të më mbushnin mendjen jo për ekzistencën e këtij fakti, po për të më bindur për vërtetësinë e nji trillimi të tillë…
Kur isha duke vuajtur dënimin tim 25-vjeçar në Burgun e Ri të Tiranës, nji miku i im shkodran, i burgosur politik, më tregoi:
-Më 1948, në Shkodër është dënuar nji grup antiparti, shumica e të cilëve ishin oficerë sigurimi, që kishin marrë pjesë më parë në arrestime e dënime njerëzish e që dikur ishin mërzitur nga këto veprime e teprime! Në gjyq për ta u kërkuan dënime mesatare. Në pretencën e vet, prokurori i drejtohet Pierin Kqirës (të tjerët quheshin Zef Bardhoku, Xhovalin Mazreku, Tom Çollaku, Nush Baba):
-Turp për ty partizan, komunist, oficer, i vure nji njollë partisë!”.
Pierini u ngrit dhe tha:
-Për hir të asaj partie që thua ti unë mbaj në ndërgjegje nji njollë të madhe e nji barrë të randë. Në filan natë, me udhëzim të Zoi Themelit, me çelsa falso, kemi hy në Kishën Françeskane të Gjuhadolit dhe kemi fut mbrapa altarve, dokumenta e gjana të tjera kompromentuese. Në mëngjes kemi rrethue vendin, kemi zbulue “armët” etj. Arrestuem shumë priftërinj françeskanë mjaft prej të cilëve janë edhe pushkatue.
Pas kësaj deklarate gjyqi u mbyll.
Seancën tjetër, kryetari e ngriti dënimin në dënim me vdekje. Pierini u pushkatua për këtë dekonspirim.
 
* * *
Shqipëria qe katandisur në nji qendër dizinformacioni ndërkombëtar të sovjetikëve. Më kujtohet që nji herë E. Hoxha më dha nji informatë të marrë nga sovjetikët që t’ia jepja Thanas Nanos (atëherë drejtor i radios) për ta trazmetuar. Në atë kohë isha sekretar i informatës, por më kujtohet se qe fjala që ATSH-ja duhej të emetonte nji lajm të marrë nga Zyrihu për diçka që diku kishte ndodhur. Ia dhashë këtë informatë falso Thanas Nanos, dhe ai e dha si informatë të vërtetë të ATSH nga Zurihu. Se sa informata të tillë ka dhënë ATSH-ja, gjoja të marra nga vende të ndryshme të Europës, këtë e di vetëm Thanas Nano!
 
* * *
Shqipëria, nën diktaturën e E. Hoxhës, u shndërrua sistematikisht në nji pashallëk të Moskës staliniste, në nji Vojvodinë për Jugosllavinë, dhe bregdeti i saj në nji fushë minash për provokacionet e Titos. Dihet dhe njihet botërisht se minat janë vënë në Kanalin e Korfuzit me urdhër të Titos e me pëlqimin e Enverit dhe janë si sekret shtetëror nga ky diktator i ndryrë. Gjyqi Ndërkombëtar vendosi dënimin e Shqipërisë… Propaganda e Enver Hoxhës ka ngulur këmbë vazhdimisht se shqiptarët nuk i kanë vendosur minat. Kjo është e vërtetë sepse minat nuk mund t’i vinin shqiptarët, mbasi nuk i kishin nga ato, por i vunë jugosllavët me pëlqimin shtetëror të diktaturës dhe e ndjej këtë si detyrë t’ia dëshmoj qytetarit të çliruar nga të gjithë vargojtë e diktaturës enveriane. Nji fakt: Në burg jam takuar me Halim Xhelon: i dënuar për agjitacion e propagandë. Ai më konfidoi se në Ministrinë e Punëve të Mbrendëshme gjendet nji furrë e ndërtuar për djegjen e akteve sekrete të shtetit, ndërsa nji qytetar i Tiranës, nëpunës i ministrisë në fjalë, më ka thënë se ekziston edhe nji brumatriçe në Komitetin Qendror që shkatërron natë e ditë dokumenta shtetërorë.
Dihet se arkivat kanë nji rëndësi kapitale për historinë e çdo populli. Të shpërdorosh në çdo mënyrë arkivat është krimi më i madh që mund t’i bëhet nji kombi…
Hoxha ishte ai që kemi njohur të gjithë në praktikë: nji demagog i madh, nji mashtrues po aq i madh, nji fallsifikator i historisë. Të vazhdosh ta mbrosh E. Hoxhën dhe mos të denoncosh bëmat e tij, do të thotë të marrësh përsipër të zezat e nji epoke të tërë.
 
Rezultatet kriminale të nji gjyqi monstruoz që zgjati 45 ditë në atë pranverë të kobshme të vitit 1945!
Të pandehur ishin gjithsej 60 vetë.
U dënuan me pushkatim 17 vetë.
U dënuan më burgim të përjetshëm 10 vetë.
U dënuar me burgime nga më të ndryshmet 456 vjet burg.
Për ta bërë të besueshëm spektaklin u falën dy vetë.
.
I pari Gjyq Special në Shqipëri
I pari Gjyq Special në Shqipëri
Rrënjët e terrorit komunist
Një pyetje që mund të ketë shqetësuar çdo shqiptar është ajo se: “Ku i ka rrënjët strategjia e kësaj dhune të pandërprerë dhe e këtij terrori gjysëm shekullor, ku dhe kush e përgaditi strategjinë e zhdukjes së Shqipërisë dhe çështjes sonë kombëtare, dhe strategjinë e mbytjes që në djep të demokracisë dhe instaloi strategjinë e krimit, ku sa më shumë krime të kryeje aq më i nderuar e aq më lart ngjiteshe në pushtet?!?
Më 23 deri me 27 Nëntor 1944, në Berat u mbajt Pleniumi i dytë i KQ të PKSH – në të cilin u bë nji analizë e hollësishme e gjendjes politike të vendit.
Në deklaratat personale të antarëve të këtij pleniumi u theksua “qëndrimi i krerëve komunistë shqiptarë ndaj politikës jugosllave si edhe qëllimi i komunizmit serbo-sllav për ta vënë nën kthetra vendin tonë!!”
Në këtë plenium vetë Enver Hoxha tha: “…në punën tonë me kaq përgjegjësi që kishim, do të mbështeteshim pa rreshtur tek Miladini dhe Dushani. Puna e jonë ishte si puna e atij nxënësit që për çdo gjë pyet ose shikon mësuesin nëse ka punuar mirë ose si duhet të punojë… Për çdo gjë që bënim merrnim aprovimin e Miladinit. Kjo mënyrë veprimi vazhdoi tërë kohën edhe bile deri vonë. KQ ishte identifikuar me Miladinin dhe praktikisht KQ nuk kish… Në kontakt të ngushtë me këta dy shokë, vetvetiu adoptuam prej tyre jo vetëm mënyrën e punës, por edhe mënyrën e mendimit… Influenca e tij mbi ne ishte shumë e madhe…” (AQSH. Fq. 14, datë 2 maj 1944).
 
Pandi Kristo:
“Partia u krijua me grupet e vjetra me plot të meta. Ky qe nji sukses për të gjithë dhe ky u arrit me ndihmën e PK Jugosllave… Këta qenë ata që na shpëtuan në këtë situatë… Për shokët Miladin e Dushan kam patur nji dashuri sepse formimin e partisë e shihja tek ata!” (AQSH, f. 14, 2 maj 1944).
 
Tuk Jakova:
Partia e jonë s’ka qenë indipendente. Partia ka qenë e përqendruar tek Miladini e Dushani. Ne s’e kemi popullarizuar mirë Enverin. Kjo ka ardhur se Aliu (Miladini) nuk ishte i vendosur se cilin të vinte në krye të Partisë sonë! (AQSH, f.14, 2 maj 1944).
 
Bedri Spahiu:
Miladini e Dushani erdhën për të na dhënë neve ndihmën dhe eksperiencën e PK Jugosllave… Nga grupet doli Partia dhe kjo u bë nga ndihma e PK Jugosllave nëpërmjet Miladinit e Dushanit…” (AQSH, f.14, 2 maj 1944).
 
Hysni Kapo:
“Çdo diskutim do të mbaronte me fjalën e Miladinit e të Dushanit. Neve në ata kemi pasquruar Jugosllavinë dhe dijshim se mendimet që çfaqnin ata ishin vija e PK Jugosllave dhe mundoheshin t’i vinim në zbatim për të fituar atë që ishte fituar Jugosllavia… (AQSH, f.14, 2 maj 1944).
 
Nako Spiru:
Nuk është puna se ne nuk dinim të zgjidhnim KQ. Puna ishte që çdo gjë të mbetesh në dorë të Miladinit dhe të njerëzve që kishin pranë. Kjo është kryesorja. Para Konferencës së vendit kishte nji KQ Provizor. Unë nuk e dija, por para Konferencës së vendit Aliu më thotë: “Hajde, se edhe ti bën pjesë në KQ! Unë nuk e dija!”.
Puna është se vija ishte e tillë që KQ të mos ishte, të mos funksiononte. Kjo ishte tendenca e Aliut që frymëzoi edhe shokët tanë… Kjo tendencë u transmetua e theksuar te Enveri. Më vonë, me forma të ekzagjeruara, ke Liria. Kjo s’pyet as KQ. As kurrgjë… Ky është thelbi.
…Si e merrnim ne eksperiencën e PK Jugosllave nga Miladini?! Thoshte Miladini nji gjë dhe kjo nuk shtrohej të diskutohej, bëhej e aplikueshme. Nuk e ka bërë KQ këtë gjë! Shembull: Kongresi i Përmetit dhe krijimi i KANÇ-it kishin dokumente të ardhura nga Jugosllavia: nji rezolucion dhe vendimet. Mirëpo KQ nuk i dinte këto rezolucione e këto vendime. Ç’ngjau? Komiteti Qendror e Byroja Politike ishte Miladini me dy tre vetë rreth… Është partia komuniste jugosllave që drejton në të gjitha gjërat. Thonë për Miladinin se ishte bërë KQ. Kurse Dushani në Vlorë e Gjirokastër, ishte nji republikë më vete. Partia ishte identifikuar me frontit, por edhe fronti me Jugosllavinë. Rezultatet kanë qenë shumë të këqija për ne. (AQSH, f.14, dosja 2).
 
Kadri Azbiu:
Nga Aliu (Miladini) kisha titullin komandant batalioni, nga shtabi Komandant grupi, nga KQ – përgjegjës i punës së partisë në Elbasan. (AQSH, f.14, dt. 2 maj 1944).
 
Përsëri Enver Hoxha:
…Ata që ishin kryesorë ishin Aliu dhe Dushani. Çdo gjë që thoshte Aliu ishte e mbaruar. Nuk do të them se si u punua me nacionalistët më vonë, por si u paraqit para meje Konferenca e Pezës. Edhe kjo ishte nji karakteristikë tjetër e punës së Aliut. Ai ishte në Pezë, unë në Tiranë. Ne kishim folur më përpara, por fare pak. Mora nji letër ku më thosh: të lajmërosh filanin e filanin se do të bëjmë konferencë. Kur vajta atje, gjej këta shokë që po haheshin për referatet. Po haheshin për referatet a ta vemë këtë apo jo. Pas nji dite dualëm në Konferencë për të mbrojtur vijën e luftës N-Çl… Me nji pregatitje të tillë dualën ato që priteshin të dilnin: Gjëra qesharake. Kështu Konferenca e Pezës ka qenë sa për t’u lexuar nji trakt.
Erdhëm në Konferencën e vendit. Ne nuk dinim strukturën e KQ, ç’është pleniumi dhe kandidatët. Për këtë u mbështetëm tek Miladini e Dushani. Në Konferencë, u duka si më i preferuari i Aliut: ai kishte nji besim tek unë dhe unë gjithashtu… Dua të flas për zgjedhjen time si sekretar politik. Fakti është ky që Dushani dhe Liria kishin vendosur. Dhe në mbledhje Dushani dhe Liria më kanë propozuar. Kjo gjë më ra si nga qielli dhe unë thashë nuk e bëj dot, sepse nuk kisha bërë as më pak e as më shumë nga shokët e tjerë. Unë mora shumë nga Aliu, por mosbesimin dhe jo dashurinë për shokët… Besimin që kishte Aliu në veten e tij, fillova ta marr edhe unë. I gjykonim gjërat në sipërfaqe. Këtë e kish Aliu e, fillova ta marrë edhe unë… Erdhi koha për formimin e shtabit: edhe kjo u bë si punët e tjera – menjiherë unë u bëra Komisar. Për vijën politike mendoja si Aliu: asgjë më ndryshe!
Erdhi Vukmanoviq Tempo, vura re se ishte njeri i gjallë… Erdhi Tempoja dhe u afruam me nji dashuri të madhe me Aliun. Dushani më tha se ky ishte nji nga ata të mëdhenjtë. Tempua shtroi çështjen e shtabit…
Mukjen ne e muarëm për nji gjë formale ku do të venim më tepër t’i thoshnim të katër të vërtetat në fytyrë Ballit dhe t’i lanim duart përpara popullit për veprimet që do të bënim më vonë. Mukjen që e muarrëm ne vetëm si gabim të Doktorit (Dishnicës) dhe aspak të vijës sonë politike… Nuk dinim si ta zgjidhnim. Ymeri është oportunist. Në vend që të gjenim nji zgjidhje si nga unë, si nga Aliu, shikonim se ç’masa duheshin marrë kundra Ymerit. Shoku Velo (Velimir Stoiniçi) erdhi në vendin tonë për të na e dhënë pa kursyer ndihmën e tij. Ai na dha ndihmën më të madhe që partia e jonë nuk duhet t’ia harrojë kurrë PK Jugosllave sikur nuk do t’ia harrojë ndihmën e viteve të shkuara…
 
Velimir Stoiniçi:
Ju jeni të vegjël – por nji kafshatë e mirë për imperializmin. Pa Jugosllavinë ju nuk mund ta mbani situatën. Këtu qëndron puna e marrëdhënieve të mira e të përzemërta me Jugosllavinë.
Këtë perspektivë të thjeshtë të marrëdhënieve me Jugosllavinë, me këtë ju ndërtoni perspektivën tuaj. Perspektiva e Jugosllavisë është perspektiva e krejt Ballkanit dhe e krejt Europës.
Emri i Titos ka dalë nga nga kuadri i Jugosllavisë. Këtë emër më së miri do ta kuptojë populli juaj dhe duhet të jetë kështu, prandaj të popullarizoni emrin e Titos në Shqipëri.
 
Liri Belishova:
Kush e ka udhëhequr partinë tonë? Partinë tonë e ka udhëhequr në punë Aliu. Kur bëmë mbledhjen e KQ për Konferencën e parë të vendit, bisedova me shokun Nako dhe e pashë se kishte nji pakënaqësi, veçse nuk e thoshte. Unë shkova t’ia them këtë gjë Aliut. Ai më tha t’ia them Dushanit që ai ta diskutojë… Nakua mbeti jashtë këtij tarafi. Unë isha brenda në atë taraf…
.
Gjyqi Special - Kryetar seance Koçi Xoxe
Gjyqi Special – Kryetar seance Koçi Xoxe

Partia komuniste pagëzon rrugën e terrorizmit në Shqipëri

Shqipëria do të ishte nji tokë pjellore për mbjelljen, mbirjen dhe rritjen e terrorizmit më të egër që kishte në gen të vetin shfarosjen e popullit shqiptar, zhdukjen e çdo vizioni “anti-serb” në veçanti, dhe të atij anti-sllav në përgjithësi. Qenë pikërisht emisarët serbë që e mbollën frymën e terrorizmit në Shqipëri. Nuk mund të ishte ndryshe!
Dihet mirë nga të gjithë predispozimi serbo-madh ndaj shqiptarëve. Pra nevojitesh të gjendej nji katalizator që të vepronte drejt e në krim: kjo u gjet në dy krijesa të reja që u pajisën në gjak me frymë terroriste e cila u fut në ato fusha ku mund të kishte rendimentin më të lartë: pra në Partinë komuniste shqiptare dhe në udhëheqjen e luftës Nacional-Çlirimtare. Kështu, në formën më të natyrshme anti-shqiptarizma sllave mundi të depërtojë pa vështirësi dhe pa shumë sakrifica edhe në zemrën shqiptare. Ishte nji plan diabolik që po shestohej në kurriz dhe në dëm të popullit shqiptar. Diabolizmi antishqiptar do të shfaqej tek drejtuesit e Partisë Komuniste dhe në udhëheqjen e luftës Na-Çl. Natyrisht kjo i degjeneroi qëllimet e bukura e të shenjta të luftës, që ishin qëllimi i çlirimit dhe i fitimit të pavarësisë që na humbi nga lakmia e padrejtë e fashistave italianë. Por, fenomeni më i shëmtuar që u shfaq nga fundi i luftës europiane ishte fenomeni i luftës civile, vllavrasja, pra grindja dhe vrasjet e shqiptarit me shqiptarin, të vëllaut me vllanë. Vetëm të verbërit dhe sejmenët e politikës sllave nuk e shihin se politika serbo-sllave po ulej këmbë-kryq në Shqipërinë e shkretë të cunguar pikërisht nga politika grabitqare e fqinjëve tanë, qofshin këta të veriut apo ata të jugut. Kësaj here nji frymë kriminale e anti-shqiptare po shkelte mbi pirgjet e kufomave të shpërndara mbi mbarë truallin arbënor.
Po e shihnim me sytë tanë se si po zbriste mbi truallin shqiptar hija e vdekjes, se si po ulej nga stepat një dhunë e terror i paparë ndonjëherë mbi këtë tokë të stërlashtë. Ajo vinte nga nuk e prisje! veç kur gjendeshim ndër tensione e konflikte që do të hapnin plagë vdekjeprurëse për nji popull paqedashës e të pa mësuar me krime. Njerëzit e mirë, e donin me gjithë shpirt vendin që i lindi dhe i rriti. Ishte e tmerrshme hakmarrja, ishin të tmerrshme vrasjet prapa gardhit nga pushtuesit e huaj. Shqiptarët, ata që ishin mëkuar me idetë e rilindasve tanë, në këtë çorodi shihnin përçudnimin galopant të nji shpirti të kultivuar në shekuj, e që askujt s’i kishte rënë në qafë, e asnjë populli tjetër s’i kishte marrë nji pëllëmbë tokë, asnjëherë s’kishte bërë ndonjë krim a masakër të dhunshme ndaj fqinjëve të vet…
Duke folur për vrasjen e Mustafa Gjinishit, Sejfulla Malëshova thotë: “…nga një anë e vranë dhe nga ana tjetër e quajnë “hero” para popullit dhe organizatave. Terrorizmi në parti, në popull e në ushtri tregon dobësinë e vijës politike të nji partie. Dikush në nji bisedë më tha: “Sa më brutal e terrorist të jeshë, aq më komunist je!!”.
Kjo nuk është tjetër veçse nji degjenerim i dukshëm që e kthen nji parti politike (e cila mund të ketë qëllime të mira dhe idealiste) në nji bandë të rrezikshme kriminelash. Nji shembull tipik janë edhe tregimet e Kristo Themelkos se “…vrasjet që ai bëri në Tiranë, gjatë luftës së qytetit, u bënë jo se e kërkonte interesi i fitores së luftës, por se ai kishte urrejtje të madhe kundër okupatorit e tradhëtarëve…!”.
Ja nji gabim i rëndë i disa shqiptarëve që rrokën armët gjoja po luftonin për liri dhe pavarësi, gjoja se luftonin okupatorin për ta dëbuar nga vendi ynë…
Përkundrazi, me vrasjet masive që u bënë ato ditë të nëntorit në rrugët e nëpër bodrumet e Tiranës për t’i shpëtuar rrezikut gjerman, gjetën vdekje të tmerrshme nga “vëllezërit” partizanë, që kishin dalë maleve, gjoja për liri!
Këto na i rrëfen vetë Kristo Themelko, i cili në “çlirimin” e Tiranës, shfryu gjithë dufin që ai kishte ndaj shqiptarëve…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.