back to top
23.5 C
Tirana
E mërkurë, 22 Maj, 2024

Gjuha Shqipe – nga Gjergj Fishta – Naim Frasheri – Ndre Mjeda – Ernest Koliqi

Gazeta

At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)
At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)

Gjuha Shqipe

poezi nga At Gjergj Fishta

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli fllad i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjáma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu á’ gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po; á’ e ambël fjala e saj,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhe ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubimit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.

Në gjuhë shqype nanat tona
shi prej djepit na kanë thánun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njat, qi jetën na ka dhánun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn k’ta djalë mbas djali.

Shqyp na vete, po pik’ má para,
n’agim t’jetës kur kem shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp má s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë k’ta për dhé t’Parvet.

Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xúni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kenë ndera e trimnive

Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për té gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,

N’për gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.

Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!

Naim Frasheri (1846-1900)
Naim Frasheri (1846-1900)

Gjuha Jonë –

Poezi nga Naim Frashëri

Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm’ udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria
N’atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s’kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q’i shkruan istoria!

Ajo ish koh’ e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s’është koh’e parë,
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm’ gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç’është e ç’ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç’gjuh’ e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç’e bukur’edh’e lirë,
Si gjuhë perëndie.

Shum’e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s’e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t’i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S’mbulohetë me remë.

Dom Ndre Mjeda (1866-1937)
Dom Ndre Mjeda (1866-1937)

Gjuha Shqype

poezi nga Ndre Mjeda

Përmbi zâ qi lshon bylbyli
Gjûha shqype m’ shungullon;
Përmbi érë qi jep zymbyli
Pá da zêmrën m’a ngushllon.

Ndër kómb’ tjerë, ndër dhéna tjera
Kû e shkoj jetën tesh sá mot,
Veç për tý m’ rreh zêmra e mjera,
E prej mállit derdhi lot.

Njikto gjuhë qi jam tui ndie
Janë të bukra me temel;
Por prap kjo, si diell pá hije,
Për mue t’tanave ju del.

Edhè zogu kërkon lisin
Mbî shpi t’artë ku rri me mbret;
E shtegtari dishron fisin
Përmbî vênd qi s’âsht i vet.

O Shqypni e mjerë Shqypnija,
Plot me burra e trima plot
Ti ‘j dit’ ishe; por lumnija
Qi ké pasun nuk â sot.

Nën njat tokë qi ta shklet kâmba
Zân e t’ moçmeve vështrò:
Për bij t’tashëm, porsi e ama
E t’koritunve, gjimô.

Nâm e zâ, qi kishe, t’treti,
E veç turpi e mârrja t’mbloj;
Për lumni veç kóre t’mbeti
Qysh se fara e mirë mbaroj.

Por gazmô ndër gjith kto t’vshtira
Përsè endè s’sharrove kret;
Diçka t’mbet ndër atò t’mira
Mbas dýmij e mâ shum vjet.

T’ka mbêt gjuha qi po ndîhet
N’ fush e n’mal qi ti zotnon;
Gjith kû hija ê jote shtrîhet
Kû shqyptari zân e lshon.

Prej Tivarit e n’Preveze
Nji â giûha e kómbi nji;
Kû lêshon dielli njato rreze
Qi veç toka e jote i di.

Kû n’breg t’Cemit rritet trimi
Me zbardhë, Shqype, zânin tând,
E kû i Drinit â burimi
Qi shpërdahet kând e kând.

Geg’e Toskë, malci, jallija
Jân nji kômb, m’u da s’duron:
Fund e maje nji â Shqypnija,
E nji giuhë t’ gjith na bashkon.

Kjoftë mallkue kush qet ngatrrime
Ndër kto vllazën shoq me shoq:
Kush e dán me fjal’e shkrime
Ça natyra vetë përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
Si i bíj’ kjé qi pá prind mbet;
Për t’huej t’mbâjshin dhénat tjera,
S’ t’kishte kush për motrë t’vet.

Kúr nji burrë u çue n’Austri
E me sy gjithkund t’kërkoj:
Gustav Meyer-i âsht êmni i tij,
Êmni i burrit qi t’madhnoj.

Porsì dielli tui flakue
Shpërdán terrin qi na mbëlon,
Njashtû Meyer-i tu kërkue
Kah ké dalë po ta difton.

T’difton motrat, t’difton fisin,
Nëpër shekuj fluturim
T’çon njatjè ku luftnat krisin,
Kû â kap’ Roma e Iliri shqim.

Njikto t’thotë (e ti s’e dishe)
Janë t’bijt t’tú qi pate mot:
Këta janë burrat qi ditë kishe,
Êmnit tând me i dalun zot.

Nën qytet qi mâ vonë çili
Kómbi i yt luftár mâ pak,
Kû ish mbret at-botë Bardili,
Shum anmiku dérdhi gjak.

E njat tokë qi jé tui gzue
E ké xanë tesh sá mij’ vjet;
Shqyptarija qi mbet mbëlue
Sot nën dhé, edhé shqyp flet.

Flet me rrasa, flet me sênde
Kû lumnien e vet e shkroj;
Por kërkush s’i di këto vênde
E harrimi t’tana i mbëloj.

Por gjithnji nën kâmbë po ndihen
Burrat t’tú qi toka i mbëlon,
E nën dhé kocîjt përzihen
Si arë grun’ kúr éra lëshon.

Don’ m’ u çue e t’ gjith për s’mbarit
Me u pri nipave mb’ nji cak:
Don’ me t’ bâ si ké kenë s’ parit,
T’ndérës me kapë t’lumnueshmin prak.

 

Ernest Koliqi - 1938
Ernest Koliqi – 1938

Gjuhës Shqipe

Poezi nga Ernest Koliqi

Lshon ame ilire n’goje agimesh s’vjetra
Ndo‘i fjale e jote than’ vetimeveti,
O gjuhe e folun n’bote ende ferishte
S’ciles Mayeri në të censhmet letra
Rraj’t e mshefuna n’mot nuk mund ia gjeti
As n’t’folun t’Cezarve as n’helenishte,
Përse Athina s’kishte
Emën as Roma, kur e rrept ushtove
Ndër vepra katallajsh qi npër jehona
Vigma t’fuqishme qitshin hove-hove,
Tue ndërtue ledhe përmbi troje t’ona.

Kuturesat e hyjit npër gjeth lisi
N’Dodonën shejte prifti, qi n’përgjime
Natën e ditën rrinte atje perdore,
Porse ndo‘i fllad pullnaje kundalisi,
Ndoshta me fjal’t e tueja i dha heshtime
T’përfrigueshme qi mbluen t’parat therore:
Ndoshta ndo’i buz’ hyjnore
N’at mot qi zota shpesh përbujte toka
Shqiptoi kto fjal’ qi ne mbi goj’ na shkrefen;
Me ty hyjneshat ndoshta npër kto boka
Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefën.

Mbi anija t’shpejta velat nde kah preja,
Qi urdhni i Teutes niste nën hyj ari
Me msy t’Helenit barkat tregtuese
Ngarkue me ar e kem e skllave t’reja,
Ty t’këlthitte n’timue anijetari
Tue i ra me kiç ilir pupës bishtnuese;
E përmbi val’ shkëmbuese
Ti jehojshe ndër hymnet e ngadhnjimit
Kur, me plaçkat e rrmbyeme mbrend’ stivue,
U afrojshin n’breg anijat prej agimit,
Mbretneshës s’detit pret me i a dhurue.

Mysteri i vjetër qi mbërthen fjal’t t’ueja,
Zanin na e dridh’ me nji kreni t’pashoqe,
O gjuhë e folun për trimij pranvera,
E tok na mbajte ndër pushtime t’hueja
Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe
As kur u ndam n’besime e doke tjera;
E shekujve potera
Qi me vrull u përplas mbi tok’ shqiptare
Ndonjij ndrrimi edhe n’ty i cili shtegun,
Por prap kumbimet n’buzë i ke krenare
Si n’mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.

Thue buza e kangatarve të paemën
Qi gzim e idhnim me ty knduen maje mali
Dhe kanga u humbi n’errësin e motit,
Kët përmallim qi mungullon mbi t’emën
E vjen nga heshtja e shekujve ma fali,
Mue trashigues i tyne n’dhe t’Kastriotit?
N’kthjelltin e ditës s’sotit
Kang’ ndoshta t’kndueme qi vorroi kalesa
Këndoi, o gjuh’ lulzue n’shkreti, dh’asht goja
E eme ahmarrse e gojve qi harresa
N’terr mbylli, kur ti s’kishe as sheje as shkroja.

Motrat e tueja qi kumbuene n’shekull
Bukurin tue sjell’ n’prak t’ksaj jete
E tjetra ligj’t e Arsyes qi mbarshtrojn’ fise,
Heshten e rrojn’ vec n’karta: ti, për mrekulli,
Me nji mosh’ trimij vjetsh e blerun mbete
Edhe kumbon e gjall’ po n’ato vise
Ku me lshue tingujt nise
N’foshnjin e botës. Pse t’ka ruejtun fati
T’njom edhe virgjin? Egërsija jote
Mos mban n’at gji, q’i hueji nuk pecati,
Stinën e fundme t’poezis s’ksaj bote?

O shqipe plot me munguj, o gjuh’ burrash
Qi me‘i fjal’ t’vetme lidheshin për laku
Dhe soje as vdekja s’mujte kurr me i trande,
Shprehje t’kulluet na ep si akull gurrash
Për kang’t e burrnis s’lasht q’ushqejm’ te gjaku
E t’lavdis s’re qi me t’fitue na kande;
Thjeshtin e ambël tande
Me ndjell’ dashnin e vashavet qi t’flasin
Falja poetve t’u, por n’qe se kambën
Buzës amtare kush ia ven, ti çasin
Mos prit: banu rrufe me lshue n’të namën.

O Kange, Arbnor’t e plogtë i kapi gjumi;
Ti kris si za burije
Mbi ata qi flejn’ pa andrra fisnikije:
E n’qe se belkacuk’t e gjuh’s ilire,
Tue t’ndie fishkllojn’ prej smire,
Me rrahje flatrash ik n’nalsi t’kalthera.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.