back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Filip Daija, nji gur i çmueshëm i humorit shkodran

Gazeta

Filip Daija
Filip Daija

Filip Daija,

nji gur i çmueshëm i humorit shkodran,

“çuditërisht” i mbetun në harresë!!!

“Gra dhe burra, veçan në Malësi,
kanë një ndjenjë të mprehtë humori;
folës të lindur, që dinë të lidhin një kuvend
dhe ta zgjatin pa mërzi te dëgjonjësit,
është bukuri t’i vëzhgojë njeriu kur këmbejnë shaka të shijshme,
duke ia hedhur si top njëri-tjatrit me hollësi.
Dhe me ç’dinjitet qëndrojnë kur bëjnë muhabet:
në mes të shakave më të lira, nuk e harrojnë veten
dhe kurdoherë sjellja e tyre ka një erë zotërie.”
Faik Konica Dielli, 9 gusht 1922

Jozef Radi
Jozef Radi

A mundet me na ringjallë humori…? Jozef Radi

Ndodh që personazhe të jetës qytetse, bahen bashkudhëtarë të së përditshmes së shumë njerzve, ndodh që kultura e tyne, paraqitja e tyne, personazhi i tyne dhe humori i tyne i rafinuem bahen emblemë e qytetit. Në veçanti humori i këtyne njerzve, njashtu spontan u buron natyrshëm, ndër të njoftun apo rastësorë, dhe mbasi e mbjell lulen e buzqeshjes, nis e udhton gojë e m’gojë, i bjen kryq e tërthor krejt qytetin e bahet pjesë e tij, njashtu si ndërtesat, si liqeni, si kalaja, si lumi, si urat, si stadiumi, si malet përreth… Këta personazhe, njashtu… si pa u ndje, bahen shpirti i qytetit, pa kërkue kurrë lavde për çka ata i japin atij… Ma së shumti Ata nuk ngjiten as në skenë, as shkruejnë libra, as bajnë bejte ndër festa e dasma, ndoshta edhe emni i tyne përdoret më rezervë. Shpesh ata ndjehen edhe të vjedhun, mbasi nji batutë të tyne, ndokush e shet edhe për të vetën… Pra ata bahen drita e qytetit, dhe ajo dritë bahet edhe ma e bukur edhe ma kuptimplote, kur mendon se ata kanë jetue ndër kohë të vështira, ku nji fjalë goje ta merrte shpirtin, e pra ata, njat fjalë goje e kan lëshue midis njerzve, njashtu t bukur e të shlirtë, me at dritë që e ka veç humori, e në mënyrë të veçantë humori pikant shkodran, Aj i pashoqi!!!
E Filip Daija, ka qenë njeni prej këtyne personazheve artista të paemën… me profesion rrobaqepës, po me shpirt artist; ai, jo vetëm e veshte bukur qytetin, po ju lente mbi veshje edhe at shkëlqimin e purpurt të humorit, të buzqeshjes e të elegancës…
Para do kohe në Murin e fb të Bep Çobës, u njofta edhe unë me Filip Dajinë, mora edhe unë nji dozë prej atij humori të kahershëm, dhe mendova ta qes prej Filipin Shkodre e ta shetis edhe ndër tjerë… me shpresën se kjo figurë e lanë disi në harresë, bahet ma e plotë jo veç nëpërmjet kujtimeve të atyne që e kanë njoftë, po edhe prej batutave që ai ka lanë ndër njerëz…
E mblodha pjesën ma interesante të atij statusi të Bep Çobës, si prej atyne që e vlersonin dhe kishin kujtime për të, po edhe prej atyneqë e sillnin të gjallë humorin e tij, i bindun se me kalimin e kohës figura e tij, si dhe e shumë të tjerëve ka me ardhë tuj u plotësu, e tuj u vlerësu, për çka ai meriton…
Nderim kujtimit të këtij njeriu që buzqeshjen e vet, e ka ende gjallë  ndër ne…
23 shtator 2014

Humor Shkodre...
Humor Shkodre…

Agim Tahja
Baaaah sa mirë keni ba që e keni nxjerrë kët zotni Shkodret, me ça kujtoj unë ka punue rrobaqepës, po bejtaxhi e njeri me vlera të mëdha për Humorin tonë të mrekullueshëm shkodran. Ndjesë pastë i ndjeri Filip Daija…
Kam ken i ri dhe më kujtohet në Mejhane te Dugajtë e Reja, ka kenë Lin Prela n’at kohë banakjer, vinte zotnija në fjalë dhe merrte nji teke o dopjo rakijet, i veshun shik… Ka kenë nji burrë i giatë, i majtun mirë, e gërsitte gazi diku prej barcoletave e diku prej bejtave të tija. Prandej Shkodra asht djepi kulturës shqiptare, sepse ka nxjerrë nga gjini i saj njerëz të mëdhej në gjitha fushat. Më keni sjellë kujtimet e këtu e 50 vjetve ma parë me kët zotni shumë i nderuem shkodran. Ju flm.

Marije Pali-Asllani
Ky zotni, i paharruemi Filip Daija, kojshi te baba jem tan jetën. I mrekullueshëm e gjithmonë tuj qeshë e tuj ba edhe tjerët me qeshë. Ishte i pranishëm gjithmonë në sofrat tona… edhe sot i paharruem kjoftë kujtimi i tij! Pushoftë në paqe!

Pjerin Prennushi
Me kët rast, po më kujtohet nji batutë e Filipit drejtue nji kamarierit: “A ma jep nji xhep raki…!” që donte me thanë aq lek kushton me qep nji xhep në kooperativën e rrobaqepsisë. Kamarieri si mlysh që ishte, nuk kuptoi kurgja…

Florian Gila
“Nji herë shkon nji oficer i Sigurimit te Filipi me qepë nji pale pantallona për djalin. E ban provën e  pantallonat i rrijshin shumë mirë djalit. Mbas dy javësh oficeri kthehet te Filipi dhe e akuzon Filipin se ja ka qepë të shkurta pantallonat. Filipi e pyt: “Po a e kishe futë copën në ujë!” dhe ai i përgjigjet që “Jo!” “Mirë atherë, – i thotë Filip – fute djalin në ujë!”

Ben Shala
Flm Bep për kët tag, e që na e vune para Filip Dainë, babën e Andre Daisë e dajën e babës së Gjergj Kallmetit, shokë të ngushtë fëminijet. Nji ndër njerzit me nji dhunti të lindun humorit, që nuk dite me t’ba me qeshë, po… me t’shkye gazit!
Eh sa herë jena fikë gazit prej fjalëve të tij, kjoftë n’rrugë e kjoftë ndër ambjente shpijet! Me batutë gjithmonë gati, mjafton që t’i thoshe: Si ke njehë, Filip?  E nuk e dishe ça t’pritte. Nuk ka kenë veç hokatar me fjalë, por s’ka pritu me ba edhe lojna t’forta, që veç kampionë t’kategorisë tij mund ta bajnë. N’kjoftë se qesh hala, Shkodra qesh edhe prej jehonës s’humorit t’tij.

Mikel Gjura
Nji katunare po kalonte me nji gomar të ndarkum me dru. Ajo ndalet dhe e pytë Filipin:
“Zotni a ke nevojë për dru?!”
“Jo, – iu përgjegj Filipi – unë jo, po te ajo dera e hekrit njatje (ishte Dega e Mbrendshme n’at kohë) kërko, se atyne iu duhen drutë!!

Bep Çoba
Kishte ble Filipi nji tube sallata të njoma e do presh të njomë të Dugajtë e Reja, e po shkote kadalë-kadalë anës e hijes për kah shpija e vet. Ndërkohë ndalet njeni, dhe kot për humor e pyet:
-Ku je tuj shku Filip?
Dhe Filipi i përgjigjet ndejshëm
-Me i dalë Viktor Emanuelit para!

Karnavalet e Shkodrës...
Karnavalet e Shkodrës…

Pjerin Prennushi
Sheh Filipi nji person me nji buke kallamoqe të trashë katër gisht në dorë (buka që hajshim na në vitet ’50) dhe i thotë:
-Ku po shkon me njat libër rusishtjet??
(Librat e rusishtes fillimisht, kanë kenë të verdhë… me nji fjalë njat bukë të verdhë që s’kishte dreq me e hangër e kishim peshqesh prej Rusisë…)

Beno Shabano
Sapo ka zbardhë drita nji kojshie e Filipit niset për në punë. E sheh rrugën që s’asht kërkush dhe t’ja fut nji p… për merak si i thonë… Mbas nja 20 metrash t’ja fut edhe nji tjetër… n’at kohë Filipi kollitet… Ajo afrohet dhe ajo i thotë:
-Po ti mor Filip qysh kur je ktu?
E ai qetë qetë e i patrazuem ia kthen:
-Qysh në top të parë, zojë!

Gjon Koliqi
Meqe diferenca në moshë midis  Filipit dhe Andreas (të birit) ishte mjaft e madhe, i thotë:
-Kur të bahesh me shku në shkollë, te po të pyet mësuesja: Ku të punon baba?
-Ndër vorre tesh po i thu… (se deri atherë kam dekë)

Albina Ceci
Udhtonte nji herë Filipi me Andrean e vogel me tren, dhe kishte pre veç 1 biletë. Kur i kërkoi faturino biletën e dytë ai ju përgjegj: -Nuk asht djali jem, ma la nji zojë të kujdesem për të…

Marian Kabashi
Ktyne njerzve iu ka fillu humori n’ditën qi kan lindë, dhe ju vazhdon edhe tesh qi ata kahera i kanë myllë sytë.

Sandër Ruci
Duke pretendue se e njoh mirë artin e pjacën mbasi kam pasë gjatë dy skena, nji banakun dhe tjetrën teatrin, në të cilat kam 40 vjet stazh… Mendoj se shumë personazhe të pjacës, të cilëve unë u kam shërbye me shumë përkushtim e nji prej tyre edhe mik i babës e ma vonë shumë edhe i jemi asht kenë edhe figura popullore n’atë kohë e zotit Filip. Ky teatër brilant rruge po e quej, i lokaleve apo edhe i rrugës ka pasë jo pak ndikim në famën e humorit lokal apo edhe at kombtar, por të mos harrojmë se Shkodra n’at kohë ka pasë edhe tjerë personazhe të spikatun si: Bixh Rroku, Rexhep Bubullari, Bep Plani, Mërgim Muhja, Rrok Ndushi, Isa Teli, Tish Halili, Tefë Palushi apo Nexho Shabani, etjerë… që për mendimin tim hyjnë në kombtaren e pjacës… E për ktë me shumë dashamirësi, s’asht puna me glorofiku vetëm nji figurë, se mandej nuk kena ça me i lëvdue Tanos, Paulinit, Bikut, Pjetër Gjinit, Adem Kastratit, Gjosho Vasisë, Paulin Selimit, etj. etj. Ndoshta ka ardhë dita me u ba nji libër për me i përjetësue figurën e z. Filip Daija po edhe gjithë tjerëve të asaj kategorie, por kjo don obligimin e të gjithëve ne, qoftë edhe temin, ashtu psh siç ndero z. Marian Shestani me figurën e Bik Pepës, e për ktë ndoshta duhet gjithshka në sahat të vet!
Ma lejoni dashamirësinë e ktij spjegimi modest… Por qe, u ba shkak nji pyetja e thjeshtë. Nejse unë mora si i thone leje për me mujtë me skjaru diçka. Them se Teatri ka kenë Tempulli, e mos t’i ngatrrojmë gjanat. Po nap nji shembull të vogël: Unë kam pasë fatin me njoftë shumë talente qi ndër tavolina të kanë hjedhe përmys prej humorit. Kena provu me i nxjerrë në skenë, dhe sa janë ndezë projektorat kanë mbetë… s’kanë mujtë me çilë zanin… pra, ndryshon shumë skena me rrugën ose edhe aktori i filmit me atë të skenës…

Pëllumb Sukaj
Me diftu për Filipin duhet natë dimnit, profesion ka pasë rrobaqepsin (kostumet sidomos), po humorin e ka pasë oksigjen, e shumë kangë të vjetra na i ka mësu me ato pak akorde të kitarrës, kur i bitte n’qoshe te trandafilat, e kur bate be “Pasha Krishtin!” m’bahet se po e ndij…
Respekt të pafund për Filip Dainë e Andren (t’birit) ishalla u prihet mbara në Itali, ku ndodhet!

Tonin Palushi
Njerëz të ndryshëm për kah arsimi e pozitat shoqnore, kishin dishir me ndêjtë me Filip Dainë, pse humori tij, qi ishte larg banaliteteve, t’bânte me harrue për pak vështirsitë e ditës. Por, nuk duhet me harrue se humori i njerzve inteligjentë si Filip Daija, nuk mûnd t’rrinte pa thûmue vese dhe dukuni të ndryshme negative të kohës së tij.
Kallxojnë se njiherë, Hilmi Saiti, kryetar i Degës P.Mbrendshme në Shkodër (i cili ishte çam), kërkoj me pi nji kafe me té! Giatë ndêjes, Filipi e pyet: “Mor zoti Hilmi cila âsht mâ madhe Italija a Tosknija?” H. Saiti, qi e njifte mirë i thotë: “A don me u tall me mu, tash?” “Jo z. Hilmi, po t’pyes sepse s’kam kênë kurr n’Jug dhe s’ja kam idenë!”, i përgjigjet me dreqni, Filipi!
“Italija or budalla, Italija âsht mâ e madhe!”, i thotë tuj qeshë Hilmi Saiti. Kur menjiherë ia pret Filipi, qi e dinte mirë at punë: “Po si ka mûndsi qi n’kohë t’Italisë, n’Shkodër ka pasë shpija bosh sa t’duesh, e qysh se na ka ardhë Tosknija, nuk e gjen nji shpi për bé lirshëm, n’Shkodër!!”
Filipi e kishte fjalën për partizantë e shumë nëpunsa prej Jugut, qi kishin xânë shpijat e shumë qytetarve shkodranë, tu i nxjerrë kta të fundit jashtë, me forcën e armve!
…Kjo bisedë u mbyll me t’qeshuna, por edhe tuj e kërcnue Filipin se po ta përsritte mâ mûnd të përfundonte keq!
Eh, kush ka jetue n’at kohë, e din mirë fort çka do me thanë me “përfundue keq!”

Klaudia Gargjola-Shllaku
Shkon Filipi për drekë në shpi dhe pyet
-Gru… ça po hamë sot…? – E grueja nuk pergjigjet.
Ai ja përsërit disa herë dhe grueja në nerva e sipër i përgjegjet:
-Nji mmuuuuttt…
-Po mirë moj grue… se vedin e rahatove… unë po të pyes për na tjerët ça do hamë?

***

Filip Daija tuj u gri me Tano Banushin se kush e ka gruen ma të hollë…! Thotë Filipi… grueja jeme, me kravatën teme ban nji fustan…
Grueja jeme… thotë Tanoja… kur i kalon nji bërthamë qershije… i thonë dyrnjaja ishalla me nji djalë…! (tregue nga Klaudia Gargjola)

(Marrë nga muri i Fb Bep Çoba)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.