Festivali i 30-të Shqiptar në New York: Kushtuar figurës së të ndjerit Monsinjor Dr. Prof. Zef Oroshit – nga Beqir Sina – New York

Mons. dr. Zef Oroshi dhe sofra e Festivalit të 30-të shqiptar të muzikës dhe valleve në New York

Mons. dr. Zef Oroshi dhe sofra e Festivalit të 30-të shqiptar të muzikës dhe valleve në New York

Festivali i 30-të Shqiptar në New York:

Kushtuar figurës së mërguarit, Monsinjor, Dr. Prof. Zef Oroshit

nga Beqir Sina – New York

BRONX NY: Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” mbajti Festivalin e 30-të Shqiptar, për dy net me radhë (5 dhe 6 nëntor 2022) në sallën e koncerteve në Qendrës Komunitare Illyria në Bronx NY. Festivali i këtij viti iu kushtua figurës së lartë të mërguarit, të ndjerit Monsinjor, Dr. Prof. Zef Oroshit, themeluesit të Lidhjes Katolike Shqiptare dhe Kishës së Parë Katolike në të gjithë Amerikën, por edhe në mbarë botën jashtë territorit shqiptar.
Ky festival, mbahet nën kujdesin Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, Qendrës kulturore “Nëna Terezë”, famullitarit të saj Dom Pjetër Popaj, dhe është për 30 vjet me radhë eventi më i madh shqiptar në Amerikë.
Ky aktivitet unikal për nga jetëgjatësia e tij dhe organizimi në Amerikë nga shqiptarët, synon të ruaj traditat dhe vlerat artistike të kombit shqiptar, nëpërmjet këngëve dhe valleve folklorike të interpretuara nga artistë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, të cilët edhe, pse larg vendlindjes, me këtë festival shqiptar, tregojnë se po ruajnë vlerat e kombit. Dëshmi, për këtë, është festivali shqiptar në New York, që çdo vit për tre dekada është është duke sjellë këngëtarë, istrumentistë dhe këngë e valle folklorike nga Kosova, Shqipëria, e mbarë trojet shqiptare.
Por, jo vetëm! Bukuria dhe madhështia e këtij festivali për tre dekada, siç u shpreh edhe Dom Pjetër Popaj janë fëmijët shqiptarë të lindur e rritur në Amerikë, që vishen me veshjet popullore, këndojnë e vallëzojnë shqip.
Gjatë dy netëve të këtij festivali, qindra pjesëmarrës, e mbushën përplot sallën e koncerteve në Qendrën Komunitare Illyria, duke i dhënë mundësi komunitetit shqiptar në zonën e Tri-Shtetshit, të argëtohen me këngëtarë të njohur nga Shqipëria, Kosova e trojet shqiptare, dhe me grupet e vallëtarve nga Nju Jorku, e zona për rreth tij. Të cilët e pasuruan edhe më shumë Festivalin me instrumente, kostume të larmishme folklorike, dhe këngë e valle të ndryshme nga të gjitha trevat.
Famulltari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj, në cilësinë e mikëpritësit dhe organizatorit të këtij festivali në fjalën e hapjes mbasi foli për figurën e Monsinjor Zef Oroshit, u shpreh me shumë krenari përpara të pranishmëve, duke shfaqur kënaqësinë pjesëmarrjen ndër vite për të rinjtë e të rejat e komunitetit tonë, që kanë lindur këtu në Amerikë dhe janë duke kënduar e vallëzuar këngë dhe valle shqiptare.
“Kjo tregon se ata krenohen se janë shqiptarë, dhe, ne krenohemi me ta!” – tha Popaj.
Ndërsa foli për festivalin jubilar, ai tha se ja dedikojmë Monsinjor Zef Oroshit, themeluesit të kishës shqiptare në Amerikë, ndërsa vazhdoi të tregojë me data se si u ngrit Kisha Katolike e shqiptarve në Nju Jork dhe si u themelua festivali gjersa përparoi sëbashku me kishën deri në ditët e sotme.  Popaj tregoi se: “Dom Zef Oroshi, prej ditës së parë që ka ardhë në Amerikë, është interesuar si t’i bashkojë emigrantët shqiptarë të porsaardhur, dhe pas disa vitesh organizoi blerjen e një funerali me “capel” ndërfetare, në adresën 4241 Park ave, Bronx – Nju Jork. Dhe, natën e krishtlindjeve të vitit 1968, ai me besimtarët e kremtojnë meshën e parë shqip, në qendrën e re shqiptare, dedikuar Zojës së Këshillit të Mirë”.
Po ashtu ai kujtoi se Dom Zef Oroshin, në meshën e parë shqip tha: “Kjo kishë është një shkëndijë e vogël sot, por, që një ditë do të rritet e bëhet “Dritë e Madhe”, për gjithë shqiptarët!”
Më tej famullitari i kishës Zoja e Shkodrës, Dom Pjetër Popaj, theksoi se: “Sot, ne gëzojmë kët kishë të bukur, që i shërben fesë edhe kombit tonë. Sa e sa organizime, që janë bërë në këtë kishë, një ndër to është edhe ky festival – që këtë vit është jubilar – dhe po feston 30 vjetorin ndërsa i kushtohet Monsinjor Zef Oroshit, themeluesit të kishës shqiptare në Amerikë!”
Këtë festival një nga themeluesit e tij – Dom Pjetër Popaj, e quajti festivalin e bashkimit: “Vit pas viti në festime të tilla, ne bashkohemi me njëri-tjetrin, dhe i ripërtërijmë relacionet tona, shprehem kënaqësinë për gjuhën e kulturën tonë. Përkrahim njëri-tjetrin, gëzohemi sëbashku dhe qëndrojmë sëbashku.”
Më pas ai ka treguar çelsin e suksesit të këtij festivali i cili ka jetëgjatësi: “Për jetëgjatësinë dhe suksesin tridhjetë vjeçar, në shenjë faleminderimi sot, për të gjithë ata njerëz që kan punuar për këtë qëllim, duke filluar prej Monsinjor Zef Oroshit dhe pasardhësve të tij, deri më sot, kur ne kremtojmë me këngë e valle shqiptare të kënduara e të vallëzuara prej të rinjëve e të rejave të komunitetit tonë. Madje, shumica prej tyre janë të lindur e rritur këtu në Amerikë, por ata ndjehen krenarë që janë shqiptarë. Gjithashtu, edhe ne jemi krenar me këta fëmijë dhe këtë festival dhe këta fëmijë”.
Në fund të fjalës së tij, Dom Pjetër Popaj, faleminderoi në mënyrë të posaçme, zotin Mark Gjonaj dhe Illyria Community Center, për lejen dhe mundësinë që iu dha të mbajnë këtë festival.
“Faleminderoj organizatorët e festivalit që për çdo vjet i dedikojnë kohë, talente dhe energji, që Festivali Shqiptar, të dalë sa i pasur dhe sa më i bukur. Faleminderit të gjithëve ju për pjesmarrjen dhe përkrahjen tuaj, qofshit gjithmonë të lumtur e të gëzuar!” – tha famullitari Pjetër Popaj.
Festivali i 30-të Shqiptar në qendrën Illiria, mori mbështetjen e kryetarit të Këshillit Koordinues të Diasporës Mark Gjonaj, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut.
Mark Gjonaj, i cili është treguar i pakursyer për çdo aktivitet të komunitetit shqiptar gjatë këtyre 15 viteve të fundit, shprehu kënaqësi të veçantë, që Festivali Shqiptar po mbahej në këtë qender, e cila është dhuruar nga ai kur ishte këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut.
“Ndjehem shumë i kënaqur kur shoh sëbashku me ju këtë ambjent të krijuar kuq e zi – jashtë dhe brenda sallës Illyria Community Center. S’ka, ma bukur dhe kënaqësi se të shikosh kudo kuq e zi, përkrah flamurit amerikan. Kemi, një sallë të mbushur përplot me shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë, dhe Çamërisë, shqiptarë në Amerikë që nuk kursehen për të ndihmuar për vendlindjen!”, por, sot pata një kënaqësi të veçantë, tha Gjonaj, ndërsa isha duke folur me disa fëmijë, që po përgatiteshin për të vallëzuar në skenën e festivalit; “Shumica e tyre të lindur këtu, madje dhe nga ata që kanë prindërit një apo dy gjenerat të lindur këtu. Dhe i pyes me çiltërsinë e tyre fëminorë: “Përse ju visheni me kostumet popullore dhe këndoni e vallëzoni shqip? – e çdo njeri prej tyre më fliste plot krenari se: Jemi shqiptarë.
Ndërsa, më njërin që ishte më vogli prej tyre më tha: “Mua më bënë mami dhe gjyshja të vishem shqiptar dhe të flas, të këndojë e të vallëzojë shqip!”.
Asnjëherë nuk e kam ndjerë veten më të kënaqur me këta fëmijë, – u shpreh Gjonaj, – dhe mendoj se nuk ka kënaqësi më të madhe se çfarë merite kanë këta prindër, që i mësojnë fëmijët e tyre, të flasin shqip, këndojnë e vallëzojnë shqip, Të mbajnë gjallë atë gjuhën e bukur shqipe, që e ka falë Zoti, që të mbajmë traditën e kulturën shqiptare gjallë e trasmetojmë ndër breza edhe këtu në diasporë.
“Secili, prej tyre me atë sinqeritetin fëminor, më bëri më të dashur me ta, më bëri më krenar për këta fëmijë të mrekullueshem që kemi në komunitet”.
Të pranishmit në festival i vlerësojnë shumë ngjarje si këto, që të kujtohet e kultura e kombit shqiptar, në mënyrë që ajo të mos harrohet kurrë.
Njëri prej tyre i pranishëm pothuajse në çdo festival dy dekadat e fundit Skenografi dhe piktori Astrit Tota, i dhuroi në mënyrë simbolike në këtë jubile dedikuar Monsinjor Zef Oroshit, në praninë e udhëheqësve të Festivalit të 30-të shqiptar, biografit dhe mikut më të afërt i mons. dr. Zef Oroshit, në Amerikë, z. Tomë Mrijaj, shkrimtar dhe publicist, një pikturë me portretin e figurës së lartë të mërguarit, të ndjerit Monsinjor, Dr. Prof. Zef Oroshit, themeluesit të Lidhjes Katolike Shqiptare, dhe Kishës së Parë Katolike në të gjithë Amerikën por edhe në mbarë botën jashtë territorit shqiptar.

Festivali i 30-të Shqiptar në New York

Festivali i 30-të Shqiptar në New York

Festivali i 30-të Shqiptar 5/6 Nëntor:

Festivali 30 Shqiptar u hap me vallen “Vallja e pranverës” e interpretuar nga grupi i valleve Rozafati, koreografe Angelina Nika, “Mjeshtre e Madhe”, dhe, u mbyll me vallen me motive të Tropojës, interpretuar grupi i valleve Rozafati nga Qendra Kulturore Artistike “Nëna Tereze” pranë Kishës Katolike Zoja Shkodrës.

Programi i Festivalit XXX Shqiptar

Nata e parë (e shtunë, 5 nandor)

-Vallja e pranverës, interpreton grupi i valleve Rozafati, koreografia Angjelina Nika!
-Kangë e valle tradicionale interpretuar nga Grupi Kelmendi
-Valle e Tropojës, interpreton grupi i valleve Nora e Kelmendit, nën drejtimin e Sebastian Tinaj, muzika Agron Pllumaj
-Vallja e zogjve, interpreton grupi Barbana nën drejtimin e Nadia Hoxha e Hannah Demiri
-Vallja e Malësisë, interpreton grupi i valleve Rozafati, koreografia Angjelina Nika
-“Albulena”, këndon Besim Muriqi
-“Moj Kosov’ moj bukuroshe” këndon Haki Krasniqi
-Valle me motive të Jugut, interpreton grupi i valleve Rozafati, koreografia Angjelina Nika
-“Diell e hanë shëndritin dheun”, këndon Idriz Hulaj
-Valle e Tropojës, interpreton grupi Barbana, nën drejtimin e Nadia Hoxha e Hannah Demiri
-Valle e Malësisë, interpreton grupi i valleve Rozafati, koreografia Angjelina Nika

Festivali i 30-të Shqiptar në New York

Festivali i 30-të Shqiptar në New York

Nata e dytë (e dielë, 6 Nandor)

-“Shpresa nuk vdes kurrë”-moment teatral nga grupi Shpresa e Shqiptarëve
-Vallja e pranverës, interpreton grupi i valleve Rozafati, koreografia Angjelina Nika
-“E din” këndon Mikeila Nonaj
-“Lozonjare“ këndon Edmond Nikolla
-Rrjedh në kangë e ligjërime, këndon Nora Ernesti
-Valle me motive të Malësisë, interpreton grupi i valleve “Nora e Kelmendit”, përgatiti Sebastian Tinaj, muzika Agron Pllumaj
-“Nanë Shqipni”, këndon Maria Lajçaj
-Vallje me motive të Matit, interpreton grupi i valleve Rozafati, koreografia Angjelina Nika
-Vallja e luleve interpreton grupi i valleve Rozafati, koreografia Angjelina Nika
-Kush ta mori erën tande”, këndon Lap Logu
-Djemtë e Malsisë”, këndon Vida Kunora
-Valle me motive të Tropojës, interpreton grupi i valleve Rozafati, koreografia Angjelina Nika

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook