back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Faik Konica, siç ka thënë…

Gazeta

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Faik Konica, siç ka thënë…

Përmbledhje thëniesh nga Gjeniu i Fjalës Shqipe

që pa droje mund të quhet edhe Bibla e të qenit Shqiptar

***
Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!

***
Idealizmi, zotrinjë, munt të dalë vetëm nga dy burime: a nga një kulturë e lartë, a nga një vojtje e përbuzëshme…

***
Numëri i trimave ka qenë kurdoherë më i madh nër njerëz të pagdhendur e të pamësuar, se nër njerëz të ditur. Këta të fundit kanë mjaft shkaqe që ta duan jetën. [1905]

***
Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marrin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit. [1923]

***
Jeta është e shkurtër e studimi është i lodhshëm, njeriu është përtac nga mendja, publiku është i durueshëm dhe perdja është e siguruar kundrejt vërshëllimave, kështu që përse dikush të shqetësohet për faktet, kur është kaq e lehtë të lëshosh nga goja hamendje në tym?

***
Ne Afërditës i falëm veten tonë që nga kërthiza e poshtë. Që nga kërthiza e sipër, domethënë zemrën dhe trutë – pjesët më të bukura të njeriut – ja falëm Shqipërisë. [1904]

***
Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet ta gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e rrojti. [1902]

Faik Konica Midis nji grupi bashkatdhetarësh
Faik Konica Midis nji grupi bashkatdhetarësh

***
Sado delikat qoftë njeriu në dashuri, fal më shumë faje se në miqësi. [1906]

***
Një studiues gjerman, dr. Herbert Louis, pohon se në Shqipëri nuk ekziston një dukuri e tillë si turma. “Një nga përshtypjet më të forta që më ka lënë kontakti i gjatë me popullsinë shqiptare, thotë dr. Louis, është me siguri kjo që, te çdo shqiptar ka një njeri me vetbesim. Çdo individ, qoftë i zgjuar ose budalla, ka një aftësi të habitshme për të vendosur vetë…”. Mungesa e kësaj fryme të kopesë mund të jetë interesante, por ajo ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë.

***
Hobhauzit, mikut të Bajronit, i kishte bërë shumë përshtypje ndjenja kombëtare si tipar i shqiptarëve. “Këtu ka, thotë ai, – një shpirt pavarësie dhe dashuri për atdheun nga i gjithë populli, e kjo në një masë të madhe ia kalon dallimit të madh që vihet re në pjesë të tjera të Turqisë ndërmjet pasuesve të të dy feve. Kështu, kur banorët e viseve të tjera i pyet se çfarë janë, ata përgjigjen: “Jemi turq” ose “Jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “Jam shqiptar!”

***
T. S. Hughes ka këto shënime të ngjeshura për natyrën e shqiptarit: “Nga temperamenti shqiptarët janë pak grindavecë dhe rrallë ta falin goditjen; pa asnjë dyshim nuk u mungon talenti e mprehtësia dhe është një fakt i shënuar që tre burrat më të mëdhenj që ka nxjerrë Turqia në këtë shekull, që të gjithë e kanë prejardhjen nga Shqipëria.

Busti i Faik Konicës
Busti i Faik Konicës

***
Shqiptarët nuk janë aq të prirur për fjalë të shumta. Autori francez, Hyacinthe Hecquard, i cili ka qenë konsull i Francës në Shkodër për shumë vjet, vë në dukje shkurtësinë me dinjitet të fjalimeve në kuvendet popullore. Megjithatë, kjo heshtje me dinjitet nuk është e dukshme për brezin më të ri të shqiptarëve që kanë studiuar në universitetet e Italisë, Francës, Austrisë dhe të vendeve të tjera.

***
Koloneli (anglez) William Martin Leake bën këto vërejtje: “Ndryshe nga turku dembel e fodull e nga fshatari grek i varfër, që ka humbur krejt gjallërinë si pasojë e mjerimit dhe shtypjes së vazhdueshme, shqiptarët dallohen për punën e tyre të palodhur. Nuk ka gjëra më të ndryshme nga njëra-tjetra se sa sjellja e shqiptarëve dhe sjellja e osmanëve, që janë qëniet njerëzore më dembele e flegmatike.

***
Veshja shqiptare, – shënon koloneli Leake në ditarin e udhëtimeve të tij nëpër More në datën 28 mars 1805, – po bëhet përditë e më e zakonshme si në More edhe në pjesën tjetër të Greqisë. Në këtë të fundit, për shkak të rritjes së madhe të fuqisë shqiptare; në More ndoshta si pasojë e lulëzimit të Hidrës, që është një koloni shqiptare, dhe të ngulimeve të fshatarëve shqiptarë, që janë vendosur në disa pjesë të Moresë, sidomos në Argolis dhe në krahinat fqinje të Atikës e të Beotisë. Kjo veshje është më e lehtë dhe më praktike se ajo turke ose greke.

***
Në një sërë hartash tregtare shoqëruar me tekst, të botuara më 1886 nga Ministria franceze e Tregtisë, fashikulli kushtuar Shqipërisë i njofton eksportuesit se nuk ka nevojë për marrëveshje të shkruara për shqiptarët, sepse fjala e tyre e thënë ka shumë peshë dhe nuk njihet asnjë rast që ta kenë shkelur.

***
Vallja shqiptare duhet të kërcehet me veshjen kombëtare; vetëm atëherë del në pah e gjithë bukuria e saj e mahnitshme. Ajo mund të duket paksa qesharake kur kërcehet me një kostum të zakonshëm me pantallona, siç e kam vënë re disa herë.

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

***
Unë e nderoj shumë Malin e Zi dhe e vërteta është se Shqipëria ka disa shëmbëllime përcipë me atë vend trim, por ka edhe shumë ndryshime, dhe sidomos një: Mali i Zi ishte thellësisht një vend katundarësh, kurse Shqipëria i ka dhënë Turqisë, me të cilën ish lidhur, jo më pak se tridhjet e pesë kryeministra në katër shekuj e gjysmë, dhe një numër të madh komandantësh ushtrie dhe diplomatësh; Shqipëria i ka dhënë edhe një kryeministër Italisë, një papë (Klementin XI) Romës, dhe një kryegjeneral së Shenjtës Perandori Romane. Një e tillë pjesëmarrje në histori nuk mund të kuptohet pa rrënjë kulture në kohën e shkuar, kulturë nga e cila kanë mbetur edhe sot shenja të gjalla në Shqipëri. [1933]

***
Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë që kërkonin fatin e tyre duke u quajtur me emra të ndryshëm (kapeletë, stratiotë dhe estratiotë, kowali, morienë, xhenetarë), kanë luftuar në ushtritë e Francës, të Spanjës, të Perandorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, kanë lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës. Ata kanë qenë luftëtarë të ndershëm, që nuk përvidheshin kurrë nga beteja, siç ishte zakoni i shumicës së mercenarëve. Francezët zemëroheshin me seriozitetin e këtyre ushtarëve, të cilët luftonin për punëdhënësit e tyre me gjithë shpirt, sikur po luftonin për çështjen e tyre.

***
Për fat të mirë, të sharat midis toskëve janë si buka e përditshme, gëlltiten shpejt e harrohen të nesërmen. Prej kohe, hakmarrja është zhdukur në Toskëri.

***
Fyerja më e madhe në Shqipëri është ta quash dikë “i pabesë”. Shumë gjakmarrje kanë patur si pikënisje akuzën për pabesi. Kjo natyrisht nuk do të thotë se në Shqipëri nuk ka njerëz të pabesë, por tregon standardin e sjelljes, idealin për të cilin synohet. Në kontrast me këtë, …në Greqinë e sotme, fyerja më e rëndë është ta quash tjetrin analfabet dhe i paditur; ideali i fqinjëve jugorë të Shqipërisë është zgjuarsia dhe jo karakteri.

***
Në komb t’onë, duket se tërë hollësia e mendjes dhe e zëmrës, tërë bukuria e karakterit dhe e sjelljes, i kanë rënë për miras gruas.” [Revista Albania, 1906]

***
Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë ment dhe ndërtohen. Ne shqiptarët s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk e ndryshojmë mënyrën tonë.
Mbani mirë këtë që po u thom: në njëqint vjet, në vafshim si vemi, do të jemi aqë poshtë sa dhe sot.

Albania e Faik Konicës
Albania e Faik Konicës

***
Ne, trima veç e veç, s’kemi forcë fare si komb se s’kemi bashkim.” [Revista Albania, 1899]

***
Më tepër plakem dhe më tepër më hyjnë dyshime nëse do të qytetërohemi ndonjë ditë!

***
Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët…!”

***
Në Amerikë, kanë një zakon që i munduri i shtrëngon dorën mundësit. Po ne s’jemi amerikanë. [1925]

***
Ne, njerëzit e VATRËS kemi luftuar kurdoherë për principin që çdo kabineti duhet t’i lihet mjaft kohë sa të zhvillojë veprimin e tij dhe që stabiliteti i guvernës është një nevojë e shtrënguar nëse dëshirojmë t’i japim vendit hijen e një shteti. [1922]

***
Ndryshimet e mira mund t’i sjellë vetëm një kabinet i pastër, i frymëzuar me ideale politike dhe sociale të larta, dhe se një kabinet i ndershëm mund të dalë vetëm prej një Parlamenti të ndershëm. Të gjitha këto i sheh dhe i di çdo njeri që është me të vërtet’ njeri dhe jo shtazë me fytyrë njeriu. Po vetëm njerëzit e mençur, njerëzit me tru dhe me ballancë, kuptojnë se për të patur një Parlament me ndërgjegje… duhet stërvitur populli të përdorë me gjykim armën që ka në dorë: Votën! [1923]

***
Kombësia jonë zuri të humbasë, kur u ngjall Greqia.
Gjer atëherë, shqiptarët e krishterë rronin vëllazërisht me të tjerët; por pasi fitoi pavarësinë Greqia, nga njëra anë shqiptarët myslimanë u shtrënguan t’i lidhen më fort Turqisë, nga tjetra anë të krishterët shqiptarë iu afruan shtetit të vogël të krishterë, gjer sa u bënë fare, fare grekër. Në këtë mënyrë, Greqia e ngjallur prej shqiptarëve, u bë shkak për vdekjen e tyre.

Faik Konica me C.E. McGuire 1931
Faik Konica me C.E. McGuire 1931

***
Një nga marifetet më të padëgjuara të grekërve ka qenë dhënia e ryshfeteve zyrtarëve të lartë në Stamboll për të nxjerrë një ferman që të ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt një veprim i dënueshëm, madje edhe po të mbaje libra kaq të padëmshëm si gramatika ose aritmetika, po të ishin shkruar shqip. [1940]

***
Ka një krahinë të madhe, qëndresa e patrembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo ështe Çamëria, të cilën grekërit e shtrembërojnë në Tzamouria. (Nuk u vë faj grekërve për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera.) [1940]

***
Për grekët mendjelehtë, “feja ortodokse” dhe “kombësia greke” kanë qenë prej kohësh dhe ende janë dy terma që mund të zëvendësojnë njëri-tjetrin. Ata nuk e kuptonin përse bullgarët, që ishin “ortodoksë”, nuk duhet të quheshin “grekë”, por duhet të kishin të drejtë të ishin të pavarur.
Në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Ali Pashë Tepelena kishte komandant të trupave një shqiptar me emrin Thanas Vaja… Ky shqiptar trim i përkiste kishës “ortodokse”. Thanas Vaja, i cili për grekët ishte Athanasios Vajas, shihej prej tyre jo si armik, por si “tradhtar”. Është njësoj sikur Franca t’i shihte si “tradhtarë” katolikët e Bavarisë që luftuan kundër saj, me arsyen se, si katolikë, ata nuk mund të ishin tjetër veçse francezë.

***
Vëzhgimet e Hobhauzit për frymën kombëtare janë me interes të veçantë për studiuesin, sepse ndërmjet viteve 1878 dhe 1920, serbët e grekët, këta humoristë të pavetëdijshëm, vazhdimisht janë përpjekur që, kundër formimit të një shteti shqiptar, të shfrytëzojnë argumentin se kombi shqiptar nuk ekziston. Fuqitë e mëdha kanë qeshur me ta, madje një diplomat bëri një pyetje, pa i mëshuar fort, se a ka një gjë të tillë që quhet kombësia greke, të dalluar nga kisha greke.

***
Të ashtuquajturit grekë nuk janë veçse shqiptarë të maskuar. Në shekullin e katërmbëdhjetë, Greqia nuk qe veçse një çiflig i shtëpisë princore të Buajve, shefi i të cilës mbante titullin e Baronit të Moresë, siç mund ta shihni në përmbledhjen e Kronikave greko-romane të botuara prej Hopfit, në frëngjisht, në Berlin. Më duket se u takon atyre, shqiptarëve të maskuar, të heqin maskën greke dhe të ribëhen ata që janë, shqiptarë.

Sarajet gërmadha të Faik Konicës..
Sarajet gërmadha të Faik Konicës..

***
Grekët kanë në Shqipëri një fuqi të madhe morale dhe shkaku është ky: në sy të popullit shqiptar, të paditur e të paudhëtuar, grekët kanë përfaqësuar për shumë kohë të gjitha hollësitë e qytetarisë. Edhe sot kjo përshtypje e vjetër nuk është shuar dhe shohim në Toskëri shumë shqiptarë, të cilët e mohojnë kombësinë e tyre jo për tjetër arsye, por se, duke e dhënë veten e tyre për grekë, besojnë se do të duken më të hollë. [1907]

***
Fqinjët e shqiptarëve janë raja ose skllevër të çliruar, të cilët kanë atë që mund të quhet kompleks i rajasë, ose më saktë, psikologjinë e skllavit të çliruar, që njihet mirë nga studiuesit e historisë romake. Njerëz të tillë kanë si pasion të demonstrojnë fuqinë, edhe pse interesat e tyre të vërteta u thonë të mbyllin gojën dhe të punojnë në paqe. [Gazeta N.Y. Times, janar 1935]

***
Serbët janë kombi më i dobët i ujdhesës së Ballkanit. S’kanë gjë tjetër për të luftuar shqiptarët përveçse fjalët dhe gënjeshtrat. Guxojnë t’i thonë Shqipërisë verilindore “Serbi e Vjetër”, atij vendi ku ndodhen Ipeku, Prizreni, Gjakova, zemra e Shqipërisë! Sikur të kishim mend, do të mundnim me të drejtë ne t’i thoshim Serbisë së poshtme – ku ndodhen Vrzja, Leskovci, Nishi, – “Shqipëri e Vjetër. [1900]

***
Kjo gjuhë që gërsheton një bukuri të brendëshme me një farë dobie shkencore, u mohohet atyre qe e flasin si dhe e drejta për ta përpunuar atë. Po, ndodh në një vend të Ballkanit ky fakt, i vetëm në analet e persekutimeve, se njerëzve të cilët njohin veçse një gjuhë, rrezikojnë burgun në rast se e shkruajnë atë dhe varjen në litar në rast se ua mësojnë atë të tjerëve… [Revista Albania, 1896]

***
E ashpër dhe e sertë ashtu si populli trim që e flet, plot shije dhe e bekuar, ashtu si frutat dhe lulet e maleve ku ajo flitet, gjuha shqipe, megjithëse e mbetur e varfër nga mospërpunimi shumëshekullor, është e aftë për të shprehur nuancat më të holla të shpirtit njerëzor, vibrimet më të pakapshme, në krahasim me dialektet serbe, bullgare e greke, mundësia e të cilave për të arritur thelbin përfundon shpesh në përafrime trashanike. [1896]

Faik Bej Konica
Faik Bej Konica

***
“Naim beu, dihet prej kujtdo, u vu që pesëmbëdhjetë vjet e më tepër në shërbim të djelmërisë shqiptare. Kuptoi që ditën e parë se një punë nuk fortësohet mirë, përveç në rrënjë, në themele të saj. Andaj me gjithë zemër shkruajti gjithë ata libra të nevojshëm që u përndanë me mijëra nëpër gjithë Toskërinë. Gjuhëtar i shëndoshë, i ditur, i mbaruar në greqishte të vjetër e në persishte e në shumë gjuhë tjera, mendjelëruar e ndjesëhollë… E mësoi, e ngjalli, e rriti pak kombin shqipëtar, – e gatiti udhën për një propagandë kombëtare më përparimtare.”

***
Duke marrë si bazë të alfabetit përfundimtar shkronjat latine dhe duke patur parasysh faktin se nuk ekziston një dialekt toskë dhe një gegë, por një gjuhë shqipe, ndërtesa jonë do të jetë e fortë dhe do t’i qëndrojë kohës. [1897]

***
Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë që të bjerë në vesh çdo tok gërmash si një copë muzike. [1898]

 

***
Kur e thatë një gjë një herë, të jetë e mbaruar, mos ma përsëritni më tutje me të tjera fjalë. Gjuha të jetë e qëruar, pa ato fjalë që na i kanë mbjellë magjitë e të huajve; të merret dhe vesh lehtë, prandaj hiqni dorë nga togjet e gjata të fjalëve, të cilat duhet mjeshtëri e madhe për t’i përdorur. [1898]

***
Duam të flasim e të shkruajmë një shqipe të qëruar; në e trazofshim me greqisht, turqisht, italisht e me të tjera gjuhë evgjitësh, më mirë ta lëmë fare shqipen.[Revista Albania, 1899]

***
Themelet e një kombi s’janë vetëm liria politike dhe gjuha nacionale; këto janë elemente me rëndësi, por me një rëndësi të dytë. Themelet e thella të një kombi të vërtetë janë fuqitë spirituale të zhvilluara në shpirt të popullit. Muzika – dua të them natyrisht muzika e vërtetë, muzika e madhe që hyn më thellë se cipa, jo muzika e palaçove – është një nga veglat më të forta për të zhvilluar shpirtin e një populli. [1923]

***
Tjetri shkak është se ca prej shqiptarëve janë të synetisur e ca të pagëzuar. Këto dy punëra janë mjaft për të qeshur dhe, nëqoftëse ndonjë lexues nuk i njeh – ja shkurt si bëhen: Kur një djalë arrin 7 a 8 vjeç, i ati i tij fton miqtë, hanë e pinë dhe këndojnë; pastaj, duke rënë violitë, një maskara i afrohet të gjorës foshnje – e cila ulërin dhe përpiqet – dhe me një gërshërë në dorë i pret një copë mish te një vend që është turp ta thuash. Ka shqiptarë që s’e bëjnë këtë punë, por ata, kur lindet një djalë ja çojnë një prifti mjekërqelbur, i cili e merr dhe e i fut lakuriq në një magje plot me ujë.
Mos ma merrni shtrembër mendimin tim ju lutem; unë nuk flas kundër këtyre punëve: të mira a të liga, çdo njeri është i lirë t’i besojë dhe t’i mbajë. Vetëm një pyetje dua t’ju bëj duke ju falur nderës: A mendoni se mund t’i ndërrohet fati një njeriu sepse kur ishte djalë i këputën një copë mish a e vunë brenda në një magje? Mua s’ma pret mendja! [1897]

***
Ka patur një habi, si të turqve edhe të grekëve, kur shihnin tolerancën e ndërsjellë të shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë. Një zyrtar turk i ka thënë H. F. Tozer-it, tre çerek shekulli më parë: “Muhamedanët këtu nuk janë muhamedanë të vërtetë dhe të krishterët nuk janë të krishterë të vërtetë.”  Natyrisht nuk kanë qenë, nëse kërkesat për të qenë të krishterë e myslimanë të mirë ishin mostoleranca e ndërsjellë dhe përleshja fytas, siç ndodhte si rregull në pjesët e tjera të Perandorisë Turke.

Faik Konica -Portret? (1875-1942)
Faik Konica -Portret? (1875-1942)

***
Kur Miss Durham-i do të ikte nga Kruja, afrohet dita e Shën Gjergjit dhe krutanët iu lutën zonjës angleze të qëndrojë për atë të kremte, më e madhja e kremte e vendit. Por, pyeti Miss Durhami, “Unë kujtoja se jeni të gjithë muhamedanë këtu!” “Ashtu jemi, – i thanë krutanët, – por kuptohet, ditën e Shën Gjergjit s’e lemë pa mbajtur. [1905]

***
Bashkim çdo me thënë? Armiqtë e kombit tonë thonë se që të bashkohen shqiptarët duhet secilido të lëshojë fenë e vet; sa gënjeshtër e madhe! Jo! Secilido le ta mbajë fenë e vet, muhamedanët le të venë në xhami dhe të krishterët në kishë. Por kur dalin nga xhamia dhe nga kisha le të kujtohen që janë një fëmijë dhe një gjak edhe le të mblidhen tok për të kuvenduar mbi të mirën e mëmëdheut. [1897]

***
Unë për vete, edhe pse nga një vështrim egoist, ndiej keqardhje për pushtimin e Shqipërisë nga telefoni. Telefoni është një vegël e dobishme, por që të qepet në mënyrë irrituese. Të kesh një telefon në dhomë është njësoj si t’i lejosh gjithkujt të hidhet përpjetë me zë të lartë përpara teje dhe të të japë një dackë në çdo orë të ditës ose të natës. Dhe ti nuk ke mundësi të shpëtosh duke e mbyllur, si mund të bësh me radion dhe me dritën elektrike. [1939]

***
Njeriu që vrau Robespierrein ish një xhandar emëri authentik i të cilit ish Merda. U rrit në ushtëri të Napoleonit, i dha shkelmin ‘r’-it, u bë Meda, general, baron, – dhe mbaroj jetën si Monsieur le Général Baron Méda.
Një shëmbëll më afër nesh është gjenerali italian Ettore Muti, të cilin Tefik Mboria e paraqiti në Shqipëri si General Moti. Po gjenerali u zemërua, dhe Moti u bë përsëri Muti.” [1940]

***
Tani, natn’ e mirë, se m’u-qepnë sytë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.